Ajo që Djalli, edhe pse djall, nuk guxoi t’ia thoshte në sy Skënderbeut, ishte më e hidhur se mortja:
Gjergj, shqiptarët duan të të rrëzojnë.
Për fat të keq, lajmi do të ishte po aq i vërtetë në vitin 2010, sa ç’ishte më 1914, kur drama u shkrua.
Kishte ndodhur, më në fund, e pabesueshmja: Jo turqit osmanë, me taborët e pafundmë të jeniçerëve, jo grekët e palodhur, që duke tundur kryqin mallkonin çdo gjë shqiptare, që nga shkronjat e alfabetit të tyre latin gjer te librat e këngët, jo serbët fanatikë, që bashkë me kryqin tundnin thikat, por këtë herë vetë shqiptarët, më saktë rimohuesit shqiptarë, donin të përmbysnin atë që ishte dukur i papërmbysshëm.
Le t’i kthehemi vazhdimit të skenës së famshme të Fishtës te hajati i Parajsës.
Pas replikave midis Skënderbeut dhe Djallit, ky i fundit, merr vesh se njeriu me të cilin po flet, pa e fshehur ankthin për shqiptarët, është vetë heroi i tyre i famshëm. Djalli, natyrisht befasohet. Megjithatë, ndonëse djall, nuk e plagos dot aq rëndë, saqë, djallëzisht, siç ia kërkon natyra e vet, t’ia thotë krejt të vërtetën. Në vend të saj, thotë gjysmën: atje në tokë, shqiptarët, ç’është e vërteta, e përmendnin shpesh, në shkolla, në log të
burrave, gjithkund. Atje, pra, “gjithkush të ka në gojë; por në zemër s’e dij”.
Djalli, pra, shpreh dyshimin krejt në stilin e vet, – kritik (realist, do të thoshim ne) – pikërisht në kohën kur ndërhyn Shën Pjetri. Me një ashpërsi, jo fort të përfytyrueshme në Parajsë, apostulli i thotë Kastriotit ta shporrë Djallin. “Ky asht mësue me ndjellë zi gjithmonë. Punën e Shqypnisë e ka Zoti në dorë, prandaj domosdo Shqypnija do të dalë në dritë.”
Jemi pothuajse te himni i vjetër i shtetit. Shën Pjetri në këtë rast është zëdhënës i Zotit. Dhe shqiptarët nuk e fshehin se kanë dëshirë të bëjnë dialog me qiellin. Dhe për arbitër ta pranojnë atë:
Se Zoti vetë e tha me gojë…
Ndërkaq, Shën Pjetri, me dëshirën për ta bërë më bindës qëndrimin miratues të Zotit ndaj Shqipërisë, flet më shumë se ç’duhet. Ja fjalët e tij drejtuar Skënderbeut:
“Mos i qit kujdes vedit për Shqypni, pse për inat të Djallit e të Shqyptarëve, Zoti ka me e mbajtë Shqypninë në kambë…”
Fjalët janë më shumë se befasuese. Pasi është hedhur poshtë me përçmim gjykimi ndjellazi i Djallit, që vjen në kundërshtim me gjykimin sovran të Zotit, është pikërisht ky i fundit që pëson një saktësim: Shqipëria do të bëhet për inat të Djallit e të shqiptarëve!
Jemi përsëri te teksti problematik i himnit të vjetër. Më saktë, te teksti i tij, ashtu siç e njohim, por njëherësh te leximi i fshehtë i tij.
Fishta e ka shkruar dramën e vet pak vite pas himnit. Ndihet prirja e tij për të bashkuar të dy leximet: të shpallurin dhe të fshehtin.
Gjergj Fishta është rilindës. Ai është shpëtues si gjithë rilindësit. Ai është më tepër se aq, ai është shëlbues. Nuk do që ta ligështojë kombin e vet, por, ndërkaq, nuk mund të mos i bjerë kambanës për të keqen! Ka besim te vendimi i Zotit, por nuk e harron Djallin. Sepse, nëse Zoti, sipas tij, nuk e kishte braktisur Shqipërinë, siç ngulnin këmbë rilindësit, as Djalli, për fat të keq, nuk e kishte braktisur.
Ka gjasë që, në mos i pari, Fishta ka qenë ndër të parët që zbuloi leximin e fshehtë të himnit, thënë ndryshe, enigmën e tij, asaj që do të ishte thelbi i krejt enigmës shqiptare.