Probleme me energjinë elektrike në thuajse gjysmën e Tiranës.
Siç bëhet e ditur zona të tëra të kryeqytetit kanë mbetur pa energji elektrike.
Deri më tani janë lagjet në Njësinë 1 dhe 2: Ali Dem, Shkozë, Tregu Elektrik, Sauk, Farkë etj. Dyshohet se është djegur nënstacioni i Njësisë 2.
Ende nuk ka një njoftim në lidhje me ikjen e energjisë elektrike.
Burime zyrtare nga OSHE, thonë qe defekti është i OST linja e tensionit të lartë 110 kv. OSHE thotë që po përpiqet të gjejë zgjidhje alternative për të furnizuar pjesë -pjesë me energji nënstacionet e saj nga linja të tjera!
DEKLARATË PËR SHTYP”e OST
Sot në mbrëmje, rreth orës 20:30, u stakua linja 110 kV “Tirana 1 – Uzina Traktori” e Operatorit të Sistemit të Transmetimit (OST). Brigadat e OST-së, në gatishmëri të plotë, identifikuan menjëherë defektin në shtyllën 48/4, i shkaktuar nga një hark i hapur.
Ndërkohë, nënstacioni Traktora dhe konsumatorët e rëndësishëm u furnizuan me energji elektrike me ngarkesë të kufizuar, në bashkëpunim me OSHEE-në, përmes linjës 110 kV “Elbasan – Ibë – Farkë”.
Menjëherë pas identifikimit të defektit, brigadat e linjave në terren morën masat për riparimin e tij. Paralelisht, grupet e Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes manovruan linjat rezervë përmes skemave unazë, me qëllim minimizimin e ndikimit te konsumatorët.
Institucionet me rëndësi të veçantë u furnizuan me energji elektrike brenda pak minutash, ndërsa në disa zona të tjera furnizimi u rikthye brenda rreth 30 minutash.
Në orën 22:09, riparimi i defektit përfundoi dhe linja u rikthye në punë, duke garantuar furnizimin e plotë me energji elektrike për të gjithë konsumatorët.