Ashtu siq janë bërë politikanët për popullin, ka ndryshuar edhe moti! Sa më shumë bien temperaturat atmosferike, aq më të nxehta po bëhen fushatat e liderëve partiakë! Akuza dhe kundërakuza të ndësjella, gjuhë rrugaçërie me fyerje dhe linçime mes kandidatëve potencial për kreun e institucioneve shtetërore!
Abuzim me qytetarët për llogari elektorale
Kjo klasë e pandërgjegjshme politike, paraprakisht po e elektrizojnë elektoratin, për t’iu kërkuar pastaj pa fije turpi besimin e tyre me premtime mashtruese dhe të parealizueshme, me gënjeshtra dhe manipulime të llojeve të ndryshme!
Nëse i referohemi maksimës popullore “dita shihet në mëngjes”, atëherë fushata e filluar keq nuk mund të ketë përfundim të mirë!
Elektrizimi i situatës nga krerët e partive politike për qëllim e ka zhvendosjen e vëmendjes së popullatës nga mungesa e programeve konkrete në incidente, të cilat do të ndikojnë në mbarëvajtjen e procesit zgjedhor!
Nëse vazhdohet kështu, fillimi në kohë të rregullt i fushatës do të prodhojë situata të paparashikuara me gjuhë akoma më të ashpër dhe ofenduese, me veprime fizike që mund ta rrezikojnë tërë procesin zgjedhor!
Përderisa në të kaluarën e afërt, Kosova ishte shëmbull në rajon për rend demokratik dhe mbarëvajtjen e proceseve zgjedhore, ku zgjedhjet ishin ne nivelin e lartë demokratik, krijimi i institucioneve arrihej më lehtë, zgjedhjet e 7 qershorit, të filluara mbrapsht dhe me incidente, me gjuhë përçarëse dhe linçuese, ekziston rreziku i përshkallzimit të incideneteve gjatë fushatës 10 ditore të partive politike si produkt i gjuhës së urrejtjes përgjatë këtyre ditëve të parafushatës zgjedhore!
Manipulimi i elektoratit të partive e ka arritur kulminacionin! Nuk ka ku shkon më keq se kaq, kur militantët partiak dalin haptas me thirrjet “Partia mbi të gjitha”, duke harruar qëllimshëm se shteti dhe kombi janë mbi të gjitha partitë dhe filozofitë politike!
Nëse vazhdohet kështu, gjuha e urrejtjes mund të kulmoj me shpërthim të pakontrolluar në mes elektoratit të partive politike deri në vëllavrasje për pak pushtet në gjysëm shtet!
Pushteti po ua çierrë maskat dhe po ua nxjerrë të palarat në shesh politikanëve të papërgjegjshëm ndaj shtetit dhe qytetarëve. Politikanët karrierist nga lakmia për pushtet dhe pasurim të shpejtë po e humbin logjikën e veprimit deri në nivelin e rrezikimit të ekzistencës së shtetit nesër!