VOAL

VOAL

Fototeka kombëtare “Marubi”, një investim i madh kombëtar! – Nga Qamil Gjyrezi, psikolog arti

May 8, 2016

Komentet

„DIJA“, NJË UDHËTIM NJËZETNUMËRSH NË SHËRBIM TË KULTURËS SHQIPTARE- Nga Neki Lulaj

Ulqini kremtoi fjalën e shkruar në prag të 28 Nëntorit

Ka ngjarje kulturore që përfundojnë me mbylljen e një salle, por ka edhe të tilla që vazhdojnë të jetojnë gjatë në kujtesën e njerëzve. Një ngjarje e tillë ishte përurimi i numrit jubilar të njëzetë të revistës shkencore, kulturore dhe artistike „Dija“,  botuar dhe shtypur në IVPE Cetinë, 2026 organizuar nga Bashkimi i Krijuesve Shqiptarë në Malin e Zi, me seli në Ulqin. Në prag të 28 Nëntorit, Ditës së Flamurit Kombëtar, qyteti i lashtë i Ulqinit hapi dyert e Bibliotekës Publike „Mirko Srzentiq“ për një takim të njerëzve të librit, të artit dhe të kulturës. Ishte një ditë kur fjala shqipe, e shkruar me përkushtim e dashuri, mblodhi rreth vetes krijues, studiues, gazetarë dhe dashamirës të kulturës, duke dëshmuar edhe një herë se libri mbetet një nga urat më të qëndrueshme që lidhin njerëzit, brezat dhe hapësirat shqiptare.Salla e bibliotekës ishte e mbushur plot. Mysafirë nga vise të ndryshme të Malit të Zi, nga Kosova dhe nga mërgata shqiptare në Gjermani kishin ardhur për të ndarë gëzimin e një botimi që, me kalimin e viteve, ka ndërtuar identitetin e vet në jetën kulturore shqiptare. Në këtë atmosferë të ngrohtë, ku takoheshin fjala, mendimi dhe malli për gjuhën e përbashkët, numri i njëzetë i revistës „Dija“ u paraqit si dëshmi e një pune të vazhdueshme, e një përkushtimi që nuk është shuar me kalimin e kohës.

Një tribunë e hapur për dijen dhe krijimtarinë

Manifestimin e drejtoi znj. Arditë Rama, drejtoreshë e Bibliotekës Publike „Mirko Srzentiq“ në Ulqin. Me fjalën e saj hyrëse, ajo bëri një përmbledhje të rëndësishme për rrugëtimin e revistës, duke vënë në pah rolin e saj edukues, studimor dhe kulturor që nga numri i parë e deri te ky botim jubilar.Fjalët e saj rikthyen në vëmendje jo vetëm historinë e një reviste, por edhe përpjekjet e njerëzve që, për vite me radhë, i kanë shërbyer fjalës së shkruar shqipe. Sepse pas çdo botimi qëndron një punë e heshtur, një përkushtim që shpesh nuk duket, por pa të cilin asnjë faqe nuk do të merrte jetë.Në panelin e përurimit morën pjesë Kryetar:prim. dr. Gani Karamanaga, kryeredaktori i revistës, z. Gazmend Çitaku, si dhe z. Sami Flamuri. Dr. Karamanaga foli  për rëndësinë e këtij botimi shumëdimensional, për përmbajtjen e tij dhe për rrugën që „Dija“ ka përshkuar që nga viti 2003 e deri në ditët tona.Gjatë këtij rrugëtimi, revista është përpjekur të krijojë një hapësirë të hapur për krijimtarinë letrare, studimet shkencore, historinë, traditën dhe mendimin kulturor shqiptar. Në faqet e saj janë takuar zëra të ndryshëm, përvoja të pasura dhe këndvështrime që e shohin kulturën si një pasuri që duhet ruajtur, zhvilluar dhe përcjellë te brezat e ardhshëm.

Pas çdo reviste qëndron puna e shumë njerëzve

Kryeredaktori, z. Gazmend Çitaku, foli për punën e bërë ndër vite, duke theksuar se kjo veprimtari nuk është rezultat i përpjekjeve të një personi të vetëm, por fryt i bashkëpunimit me krijues dhe studiues të shumtë nga Mali i Zi, Shqipëria, Kosova ,Mërgata dhe Ilirida.Ai shprehu mirënjohjen për të gjithë bashkëpunëtorët, të cilët, me punën e tyre vullnetare, kanë ndihmuar në jetëgjatësinë e revistës dhe në pasurimin e përmbajtjes së saj.Këtu qëndron edhe një nga vlerat më të bukura të „Dijes“: bashkimi i njerëzve rreth një ideali kulturor. Në një kohë kur angazhimi për botime serioze kërkon vullnet, sakrificë dhe këmbëngulje, bashkëpunimi i krijuesve dëshmon se dashuria për gjuhën dhe kulturën mund të jetë një forcë që i kapërcen vështirësitë. Çdo numër i botuar është një dëshmi e re e kësaj pune. Çdo faqe ruan një mendim, një kujtim, një varg, një studim apo një copëz historie që, përmes fjalës së shkruar, i shpëton harresës.

Nga poezia te historia, nga tradita te bota

Në vazhdim, fjalën e mori z. Sami Flamuri, i cili u ndal te përmbajtja e numrit jubilar dhe te larmia e temave që revista sjell për lexuesit. Ai theksoi se në këtë numër janë përfshirë poezi, prozë, ese, studime, shkrime historike dhe trajtesa që lidhen me traditën e lashtë të Ulqinit dhe të rrethinës së tij. Faqet e revistës përfshijnë krijimtari poetike shqiptare, ballkanike dhe botërore, si dhe shkrime për historinë, gjeografinë, trashëgiminë kulturore dhe udhë përshkrimet. Kjo larmi e bën „Dijen“ një botim ku lexuesi mund të gjejë jo vetëm kënaqësinë e fjalës artistike, por edhe njohuri të reja për të kaluarën dhe të tashmen. Një vend të veçantë në këtë përurim zuri edhe falënderimi për kryetarin e Komunës së Ulqinit, z. Genci Nimanbegu, i cili kishte financuar botimin e numrit jubilar. Mbështetja për revistat kulturore është një investim në kujtesën dhe zhvillimin shpirtëror të shoqërisë. Një botim që u jep hapësirë krijuesve dhe studiuesve nuk i shërben vetëm një rrethi të ngushtë lexuesish, por ndihmon në ruajtjen e pasurisë kulturore dhe në forcimin e lidhjeve ndërmjet brezave.

Fjala shqipe nuk njeh kufij

Një çast i veçantë i manifestimit ishte edhe përshëndetja e mysafirit nga Gjermania, shkrimtarit Neki Lulaj, të cilin drejtuesja e veprimtarisë, znj. Arditë Rama, e ftoi t’u drejtohej të pranishmëve.Në fjalën e tij, ai përshëndeti organizatorët, krijuesit dhe dashamirësit e kulturës, ndërsa kryeredaktorit dhe bashkëpunëtorëve të revistës u uroi punë të mbarë e suksese të mëtejshme në fushën e kulturës.Ai vlerësoi organizimin e këtij manifestimi dhe vuri në pah rëndësinë e takimeve të tilla, të cilat krijojnë mundësi për shkëmbimin e përvojave dhe për afrimin e krijuesve shqiptarë, pavarësisht se ku jetojnë e veprojnë.Duke qenë se veprimtaria mbahej në prag të 28 Nëntorit, Ditës së Flamurit, ai e konsideroi këtë përkim domethënës. Festa kombëtare nuk është vetëm kujtesë e historisë sonë, por edhe një thirrje për të vazhduar punën në shërbim të gjuhës, kulturës dhe identitetit shqiptar. Gjuha është atdheu që udhëton me njeriun, ndërsa libri është një nga mënyrat më të bukura për ta mbajtur atë të gjallë.

Mes krijuesve, gazetarëve dhe veprimtarëve të kulturës

Në përurimin e revistës ishin të pranishëm edhe z. Ismet  Kallaba, redaktor përgjegjës i së përjavshmes kulturore „Koha Javore“, përfaqësues të Radiotelevizionit të Ulqinit, shkrimtarët Neki Lulaj, Ali Gjeçbritaj dhe Mustafa Cankaj, si dhe z. Mehmet Bardhi, ish-kryetar i Lidhjes Demokratike të Ulqinit, i cili vazhdon të jetë i pranishëm në veprimtari të ndryshme kulturore. Prania e tyre i dha këtij takimi një frymë të veçantë bashkëpunimi. Në një sallë ku libri ishte arsyeja e mbledhjes, njerëzit patën mundësi të ndanin mendime, të rikujtonin përvoja dhe të shprehnin respektin për ata që i shërbejnë kulturës me punën e tyre të përditshme. Pas përfundimit të pjesës zyrtare, Mustafa  Canka kishte përgatitur një koktej tradicional ulqinak, ku të pranishmit vazhduan bisedat në një atmosferë miqësore. Ishte një vazhdim i natyrshëm i manifestimit, sepse kultura nuk jeton vetëm në fjalimet e përgatitura dhe në faqet e librave, por edhe në bisedat e lira, në njohjet e reja dhe në miqësitë që lindin rreth saj.

VLERËSIM I VEPRËS MONOGRAFIKE – Nga LULZIM LOGU

 

 

“Historia e Botushës  ndër vite” – Mon Tolaj, një vepër me vlera historike, dokumentare, kulturore dhe kombëtare.

Botim i Blini-Bk, Gjakovë, 2026.

Monografia “Historia e Botushës ndër vite”, e autorit Mon Tolaj, përfaqëson një përpjekje të çmuar për ruajtjen dhe përcjelljen e kujtesës historike të një vendbanimi, i cili mbart në vetvete gjurmë të së kaluarës, tradita, ngjarje dhe dëshmi të jetës së brezave.

Siç shkruan autori në parathënien e tij:’’Jam përpjekur të sjell para lexuesve dhe auditorit më të gjërë të paraqes një histori të shkurtër për fshatin Botushë të Komunës së Gjakovës, jam përpjekur që të mos lejohet që shumë ngjarje të së shkuarës të lidhura me historinë e fshatit tonë të mbesin gjithmonë të panjohura dhe të humbura në harresën e historisë’’

Të shkruash historinë e një vendlindjeje nuk është thjesht një punë hulumtuese, por edhe një akt dashurie, përgjegjësie morale dhe përkushtimi ndaj rrënjëve.

Në këtë kuptim, nisma e autorit Mon Tolaj për t’i kushtuar një monografi Botushës meriton vlerësim të veçantë, sepse historia e një vendi nuk përbëhet vetëm nga ngjarjet e mëdha, por edhe nga jeta e përditshme, përpjekjet, sakrificat dhe kontributet e njerëzve të tij.

Vlera historike dhe dokumentare:

Një nga vlerat më të rëndësishme të një monografie të tillë qëndron në synimin për të mbledhur, sistemuar dhe ruajtur trashëgiminë historike të vendlindjes. Botusha, si pjesë e hapësirës historike dhe kulturore shqiptare, meriton të ketë historinë e saj të shkruar dhe të përcjellë ndër breza.Rëndësia e kësaj nisme bëhet edhe më e madhe në një kohë kur dëshmitë gojore, kujtimet e të moshuarve dhe traditat e trashëguara rrezikojnë të humbasin me kalimin e viteve.

Dokumentimi i tyre është një shërbim i vyer ndaj kujtesës kolektive.Ai në libër fillon nga debate mbi emertimin historik të fshatit, tek vllaznitë e tij, tek shenjat e civilizimit të hershëm të Botushës në ngjarjet e rëndësishme të rënies së perandorisë osmane, te pushtimi i Kosovës nga Serbia në vitin 1912, krimet serbo malazeze në Botushë si dhe inkuadrimi në luftën për liri të UÇK-së.

Vlera atdhetare dhe njerëzore:

Historia e një vendbanimi është, para së gjithash, historia e njerëzve të tij. Ajo lidhet me dashurinë për tokën, me qëndresën përballë vështirësive, me ruajtjen e identitetit dhe me përpjekjet për një jetë më të mirë.Përmes një monografie kushtuar Botushës, autori Mon Tolaj merr përsipër një mision me rëndësi qytetare dhe atdhetare, të mbajë gjallë lidhjen ndërmjet brezave dhe të forcojë ndjenjën e përkatësisë ndaj vendlindjes.

Në këtë këndvështrim, vepra ka rëndësi jo vetëm për banorët e Botushës, por edhe për pasardhësit e tyre, kudo që jetojnë. Sidomos kur nxjerr në pah dhe vlerëson faktorët determinues që mundësuan mbijetesën historike të Botushës dhe e vendosën atë në vendin e merituar të histories së Kosovës.

Kam parasysh këtu rolin e arsimit dhe arsimtarëve botushas në vetëdijësimin kah identiteti kombëtar dhe mbrojtja e rrënjëve kombëtare si dhe rolin e intelektualëve me qendrime të hapura patriotike dhe atdhetare, me vepra konkrete që shenjojnë një kontribut të pamohueshëm në emrin madhor të Botushës në historinë tone kombëtare.

Si nip Botushe ndihem krenar që gjyshi im Mustafë Botusha, Mësues i Popullit erdhi pikërisht nga kjo krahinë patriotike dhe arsimdashëse, u detyrua të linte trojet e veta për shkak të shovinizmit serb por vazhdoi në Malësinë e Gjakovës dhe jo vetëm të përcillte frymën dhe vetëdijën e trashëguar patriotike dhe intelektuale të Botushës në krejt jetën e tij të gjatë në sherbim të zhvillimit të arsimit dhe lartësimit të vlerave atdhetare të vendlindjes së tij, Botushës.

Vlera kulturore dhe edukative

Monografitë vendore janë një pasuri e rëndësishme për kulturën kombëtare. Ato i japin historisë përmasa njerëzore, duke e afruar lexuesin me jetën dhe përvojën e komuniteteve të veçanta.Një histori e shkruar e Botushës mund të shërbejë si burim njohurish për të rinjtë, mësuesit, studiuesit dhe të gjithë ata që dëshirojnë të njohin më mirë prejardhjen, traditat dhe trashëgiminë e kësaj treve.Pikërisht këtu qëndron edhe një nga meritat kryesore të kësaj ndërmarrjeje, përpjekja për ta kthyer kujtesën e vendlindjes në një trashëgimi të shkruar për brezat e ardhshëm.

Ndaj përshkrimi në libër i kontributit të gjeneratave të mësimdhënësve dhe intelektualëve më të spikatur si dhe e mësueseve si pjesë e emancipimit social përbën padyshim një arritje të këtij libri që dëshmon integritet dhe profesionalizëm të autorit, i cili shfaqet si një kronikan objektiv, duke renditur dhe shënuar momentet më të rëndësishme sipas një skede realiste dhe lehtësisht të orientueshme për lexuesin.

Një kontribut për historinë vendore dhe kombëtare:

Historia kombëtare nuk mund të kuptohet plotësisht pa historitë e krahinave, fshatrave dhe familjeve që e përbëjnë atë. Çdo vendbanim është një pjesë e mozaikut të madh të historisë shqiptare.Në këtë kuptim, monografia e Mon Tolajt për Botushën përfaqëson një kontribut në pasurimin e historiografisë vendore. Ajo na kujton se çdo vendlindje ka një histori që meriton të njihet, të respektohet dhe të ruhet.

Njëkohësisht, vlera shkencore e një monografie historike lidhet me saktësinë e burimeve, dokumentimin e ngjarjeve, trajtimin kritik të dëshmive dhe dallimin ndërmjet fakteve historike dhe kujtimeve gojore. Këto janë kritere të rëndësishme për një vlerësim të plotë të veprës.

Mund të ketë dokumentacion të kufizuar, burime të pakta informacioni, humbje deshmitarësh të kohës por gjithësesi autori ka mundur të gjejë, hulumtojë dhe vendosur në balancën e duhur deshmitë ekzistuese duke i trajtuar ato me kujdes dhe vemendje prej historiani, pavarësisht si ai i përket një profesioni tjetër.

Përfundim

Monografia “Historia e Botushës ndër vite”, e autorit Mon Tolaj, meriton vëmendje dhe mirënjohje për misionin e saj në shërbim të kujtesës historike dhe identitetit të vendlindjes.Puna për të shkruar historinë e një komuniteti është një përgjegjësi e madhe, sepse ajo synon të shpëtojë nga harresa atë që koha mund ta zbehë.

Mon Tolaj, me përkushtimin ndaj historisë së Botushës, na përcjell një mesazh domethënës, një popull që njeh dhe ruan historinë e vendlindjes së vet, ruan një pjesë të rëndësishme të identitetit të tij kombëtar.Prandaj, një ndërmarrje e tillë duhet përshëndetur si një shprehje e dashurisë për vendlindjen, e respektit për të parët dhe e përgjegjësisë ndaj brezave që do të vijnë.

Historia e shkruar është kujtesa që nuk plaket, ndërsa dashuria për vendlindjen është rrënja që nuk thahet. Një liber që meriton të promovohet dinjitetshëm në mesin e bashkëfshatarëve të tij, duke merituar respektin dhe vlerësimin e tyre për këtë kronikë të sinqertë, dedikim dashurie pë vendlindjen e tij.

PËRUROHET LIBRI ME VLERË SHKENCORE,”TAPITË E PRONAVE NË VILAJETIN E KOSOVËS 1847-1910 Reportazh nga Tahir Bezhani

 

Nga aktiviteti i Shoqatës së Intelektualëve “Jakova” në Gjakovë.

 

 

 

Me datën 16.10.2026 në bibliotekën “Ibrahim Rugova,” salla e përurimeve “Teki Dervishi”, u përurua libri me vlerë shkencore “Tapitë e pronave në Vilajetin e Kosovës nga 1847-1910”,nga autorët me reputacion shkencor, Dr. Refike Sulçevsi dhe Dr. Jusuf Osmani. Përurimi ishte pjesë e aktivitetit të SHI. “ Jakova” në Gjakovë. Si zakonisht, publiku gjakovarë me pjesëmarrjen e tyre  në këtë përurim, jo vetëm se tregoi vetëdijen dhe kulturën afirmative gjakovare, por vlerësoi rëndësinë e veprës për kohën  e sundimin Osman, pastaj nën sundimin serbo-malazez kohë të gjatë.

Në fillim të përurimit fjalën e rastit e mori kryetari i SHI. ”Jakova” Prof.Dr. Ruzhdi Sefa i cili ndër të tjera vlerësoi lartë rëndësinë e librit dhe punën e palodhshme të  autorëve të librit. Ndër të tjera ai tha:

Falënderoj shumë autorët e librit prezent si dhe recensentët e veprës, prof..dr. Fatmir Sejdiu, Mehmet  Zeki Adh dhe prof. dr. Ilijaz Rexha për kontributin e tyre dhe vlerësimin shkencor. Ndihem keq që këto dy figura sot nuk janë mes nesh për arsyera objektive. Në vazhdim, prof.. Ruzhdi Sefa shtoi se dokumentet arkivore nuk janë thjesht letra të ruajtura nga e kaluara. Ato janë dëshmi e jetës, pronës, të vendbanimeve dhe të marrëdhënieve  shoqërore të njerëzve që kanë jetuar para nesh. Përmes tyre, historia largohet nga hamendsimet dhe mbështetet në fakte e burime të dokumentuara. Hulumtimi dhe publikimi i tapive të pronave nga periudha 1847-1910 na ofron mundësinë të njohim më mirë jo vetëm organizimin e pronësisë në atë kohë ,por edhe emrat e pronarëve, vendbanimet dhe gjurmët e jetës shoqërore në territorin e Vilajetit të Kosovës. Prandaj, botimi i kësaj vepre meriton vlerësim, sepse një burim historik që mbetet i panjohur për publikun, nuk mund ta japë plotësisht kontributin e vet në studimin e së kaluarës, tha prof.. Ruzhdi Sefa..

 

Në vijim të përurimit, fjalën morë dy autorët e librit, të cilët elaboruan para publikut gjakovarë punën e gjatë në  Arkivin e Kadastrës dhe Tapive në Ankara të Tuqisë,  me të dhënat përkatëse  për çdo vendbanim  të Vilajetit të Kosovës.

Dr. Refike Sulçevsi, turkologe, osmanologe, Hulumtimi, regjistrimi ,përpunimi, digjitalizimi dhe publikimi i tapive të pronave  të Vilajetit të Kosovës 1847-1910,ishte tema elaboruese para publikut gjakovarë. Ndërsa Prof.dr. Jusuf Osmani, doktor i arkivistikës, foli për Tapitë e pronave në Kazanë e Gjakovës, vendbanimet, emrat e pronarëve të tapive, llojet e pronave, lagjet dhe rrugët në Gjakovë, të argumentuara me ilustrime, dokumente, foto e harta. Libri “Tapitë e pronave në Vilajetin e Kosovës 1847-1910” është i botuar në gjuhën shqipe dhe turke, andaj ka një rëndësi të veçantë shkencore e hulumtuese me përparësi nga ato që i kanë shkruar të tjerët para nesh për hesape të veta hegjemoniste.

Autorët e librit u ballafaquan edhe me disa pyetje nga publiku gjakovarë për të kaluarën, për historinë e gjërave që nuk ishin të njohura për të gjithë . Publiku mori përgjigje adekuate profesionale.

Në mbarim të përurimi, kryetari i SHI ”Jakova” në Gjakovë, z. Ruzhdi Sefa, për dy autorët e librit ndau Mirënjohje për kontributin e tyre në këtë lami shkencore.

 

Gjakovë,

17.10.2026                                          Tahir Bezhani

Eugjen Merlika vlerësohet me çmimin e parë të Festivalit “Valë dhe Fjalë” Shëngjin 2026

Intelektuali dhe publicisti i njohur Eugjen Merlika, nip i personalitetit të shquar historik Mustafa Merlika Kruja, nderohet me çmimin e parë të Festivalit “Valë dhe Fjalë” Shëngjin 2026 për librin e tij “Mustafa Kruja- një jetë e dokumentuar në shërbim të kombit”.
Me këtë rast bëhet promovimi i librit të vlerësuar me çmim të parë. Autori i fton për pjesëmarrje të gjithë miqtë:

Te nderuar mike e miq,

Po ju dergoj nje ftese per te qene te pranishem ne rastin e vleresimit me çmimin e pare te te Festivalit “Vale dhe Fjale” Shengjin 2026. Kjo eshte deshira ime, nese ju do te keni mundesi.
Gjithmone nese nuk perben per ju nje sakrifice.
Me shume dashamiresi e respekt Ju falenderoj e ju uroj gjithe te mirat
Eugjeni
Veprimtaria zhvillohet më 16 tetor , ora 13:00. Salla Concilium, UET

“E DERI ATËHERË…PO NA DUHET TË JEMI GJALLË LUM’ MIKU !”- Nga RAMIZ LUSHAJ

 

1.

Në agun e Demokracisë poeti Jaho Margjeka ia dërgon Shtëpisë Botuese “Naim Frashëri” në Tiranë vëllimin e parë poetik “Nesër do të agojë”, prej së cilës në vitin 1990 i vjen përgjigjia: “Pasqyrim i ftohtë i realitetit”. Kur e pata lexuar atë letër Jaho më tha ato fjalë që s’i harroj asnjëherë: “Këta të Naim Frashërit sipas kësaj letre të çojnë në burg…” Po vet Koha e burgosur e me një kambë në varr po kërkonte Lirinë… Jaho nuk kishte astenjë poezi të vetme për lidershipin e partinë-shtet, për njeriun e ri të sistemit të huajtun nga stepat e Rusisë. Ekspertat e letërsisë politike të asaj kohe ia kishin gjuejt në shenjë. Jahon, njeri i mirë në gene e fytyrë e i lindur e rritur si poet i vërtetë, realisht nuk e ngrohte koha e atëherit, ai,“dimri i madh”, si e simbolizon shkrimtari klasik universal, Ismail Kadare.

Poeti Jaho Margjeka, megjithëse i lindur kah fund marsi i pranverës, prej vitesh pena e tij e ka një luftë të pambyllun me dimrin:“I ftohtë ky dimër, edhe pse pa borë. / Muret e zemrës hèje akulli ngrirë. / Minutat çalojnë, ditënata s’ka orë./ Rrëknyer shpirti në numbëtirë. / I pashpirtë ky dimër, edhe pse i butë./ Pa cicërima e zogj nën çati…/ …I pabesë ky dimër plak, i pabesë./ Tutje pëlcet e kërcet një gosti. / Gdhihet e ngryset njeriu i urtë, / Ftohur e ngrohur me frymën e tijë. (Poezia “Ky dimër”). Edhe kryetitullin ballinës së librit me tregime margjekiane ia ka vnue “Letra nga planeti i borës” (Tiranë, Morava, 2005, redaktor Besnik Mustafaj).

Jaho Margjeka, si qytetar dardan modern dhe në poezitë e tij margjekiane bashkëkohore, ndjen dhimbje prej vakive kur dimri i egër, i pabesë, i pa shpirtë i cegmë deri në akullnim shumanësh “shpirtfisnikët e urtë”. Si poet i palctë e i kocktë, me inde e vena poetike, me detyrë misionare prej vetëvetës e me fytyrë të pastër prej të vërtetës, prej metropolit shqiptar, nga selia e RTSH, i dhemb një pemë në vendlindjen e tij breg Valbonës, në Mollën e Kuqe. Ajo pemë është e vetme në arën e madhe e ngado t’i sillesh asaj i sheh tana anët e horizontit të Lugut të Malësisë së Gjakovës. Kit’ “pemë të poetit” e kam pa edhe në FB më 21 janar 2014 me një thanie shenjtërie: “Dimër. Edhe kjo pemë ndjen ftohtë”.

2.

Fenomeni i heshtur letrar, Jaho Margjeka, ka botuar disa libra: vëllimet poetike margjekiane: Lojë në pasqyrë (1998), Ëndrra midis (2000), Edhe pak qiell për dashuri (2004), me tregime diamantore “Letra nga planeti i borës” (2005) e, diku fjalathotë, se e ka dorëshkrimor edhe një tjetër vëllim poetik “Pak dëborë e diell”, një monografi për kryetrimin luftëtar Ibish Osman Margjeka, stërgjyshi i tij, një vëllim me intervista përgjatë kohëpunës me kulmime si gazetar i mediave të shkruara e i Radio Tirana.

Mbi të gjitha poeti, prozatori e gazetari i njohur Jaho Margjeka është një njeri dinjitar i përkushtuar e ndihet krenar pa kufi për rrënjët e genet e vllaznisë e fisit të tij: … Jam bërë sa herë therorë miku im ! / Për këtë vehtes lavde s’i këndoj./ Në shkollën e qenërisë / S’u bëra dot kurrë nxënës i mirë,/ Pse e përmend s’po lavdërohem: është rrënja e fisit!/.

Poeti Jaho Margjeka e ka kullën e lindjes aty ku Valbona bigohet me lumin Bushtrica, bash në Mollë të Kuqe të Bujanit, veç 240 metra lartësi mbidetare. Në arat e tij janë disa kodra të vogla me varre ilire apo si njihen në histori e arkeologji “Tumat e Bujanit”. Në afri gjendet qyteti i fortifikuar ilir i Rosujës, sot i populluem nga dy vllazni të të njëjtit trung, nga Margjekaj e Dozhlan. Dymijë vjet para Krishtit, biles nga shek. IV i kësaj periudhe historike u kthye në qëndra ma e randësishme zejtare-tregtare dhe administrative e krahinës. Në rrënoja të saj janë gjet monedha ilire të Shkodres, Durrësit, Apollonisë, etj. As dy km. Larg kullës së tij ngrihej dikur qyteti i madh antik ilir në rrafshinën e gjanë e të gjatë të Cerrnicës së sotme, me argjilën e së cilës u ngrit dhe digat ma të mëdha në Europë, ajo e hidrocentralit të Fierzës. Ipeshkvi, shkrimtari e etnografi Frang Bardhi, një nga katër “B”-të e Letërsisë së Vjetër Shqipe, e përmend në udhëpërshkrimet e tij të shek. XVII, ndërsa albanologu i shquar Milan Shuflaj rrënojat e kalasë të Dizdarit (Cerrnicë-Zomaj) i lidhnon me qytetin mesjetar të Sapës.

Jo fort larg nga Molla e Kuqe e poetit Jaho Margjeka, në kishën e Selimajve (Geghysen) në rrethina të kalasë të princit Leka Spani, është ngritë një nga shkollat ma të vjetra në historinë e arsimit shqiptar, krahas atyne në Stubëll (1584), Himarë (1627), Kurbin të Krujës (1632), Vuno e Palasë të Himarës (1632), Korçë (1637), etj. Në këtë shkollë mësohej shqip, aritmetikë, etj. dhe, sipas kritereve të asaj kohe, vlerësohej si shkollë e mesme. Aty kanë dhanë mësim edhe personalitete të shquara kombëtare shqiptare si Frang Bardhi (1638), Pjetër Bogdani (1651) e, ky i fundit, edhe tek shkolla bash tek kisha me kullë e Grisë.

Valbona ujëkaltër e ndan kullën e kahershme të Jahos me tri kulla të historisë kombëtare shqiptare: Kulla e Mic Sokolit, Hero i Popullit, që i vuni gjoksin topit otoman; kulla e Sali Manit, e njoftun si “Kulla e Konferencës së Bujanit”, që firmosi për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë; kulla e prijesit popullor të Lidhjes së Prizrenit, Binak Alia i Mulosmanëve, “njeriu universitet popullor i urtive”, ”gjykatë supreme popullore” në Shqipërinë e Veriut. Në mbi tre shekuj në këto tri kulla ishte selia e Bajrakut të fisit të Krasniqes, të fisit me histori e kulturë të Jaho Margjekës.

Këto janë “rrënjët e fisit” krenari e Jaho Margjekës, të cilat, njëherash e pandamun, e kanë krenari të tyre edhe Jaho Margjekën, si njeri qytetar, si poet, prozator e gazetar, si figurë publike e letrave shqipe. Këto rrënjë i mbajnë fort e mirë degët e fjalëve në pemët poetike të tij, që e kanë brumue, lumnue e hijeshue palcë e kockë Jaho Margjekën si një fuqi poetike e kohës.

3.

Jaho është poet e prozator me profilin e tij të mirënjohur, interpretues i talentuar i fjalës artistike, publicist me kontribute të vyera në media (ndër)kombëtare e lokale dhe në RTSH, i dhanun prej kryeherit edhe pas sporteve nga noti në Valbonë e deri tek futbolli në “Livadhin e Turkut”. Ai ka sakrifikuar jo pak në udhët e jetës së tij dinjitare, në udhën e tij si poet, prozator, publicist në shtegtimet e dijes nga shkolla e mesme në Kuçovë deri në Universitetin e Shkodrës, e mësues në Llugaj e me detyra profesionale në kulturë e media në qytetin e alpeve. I ka kapërcyer dy dekada jetë në Radio-Televizionin Shqiptar, pothuaj gjysmen e jetës, ku duket se pasionet e tij të mëdha për gazetarinë radiofonike e kanë gjetur vetëveten.

Jaho Margjeka nëpër biseda s’lenë pa përmendur me mirënjohje ndihmen e atyre që e ndihmuan për të studiuar Gjuhë-Letërsi shqipe,e ndër ta Dritëro Agollin,..

Poeti, gazetari e prozatori Jaho Margjeka në çdo hap e fjalë është vetëvetja, sikurse në ditët me diell edhe në ato me ngrica; sikur flet në Radio Tirana edhe në kafe me miq ose me kundërshtarë të vargut ose hapit; sikur shkruan një poezi, një tregim apo shkrim radiofonik, edhe kur flet në telefon celular apo kur ecë trupdrejtë e hapapeshë në dy rrugët e tij me blina: në vendlindje, nga Molla e Kuqe në qytetin alpin të Bajram Currit dhe tek puna në Tiranë, nga selia e RTSH tek banesa e vet në afri të Qytetit të Studentëve: Nuk po gjejë qetësi miku im! / Se shpirti im nuk qënka si i gjithkujt ! / Vehten s’e genjej se jam më i mirë / se të tjerët, po të tjerët qënkan më / të zgjuar, më hileqarë,…domethënë !/ Për këtë i penduar nuk jam miku im, / Se jam pjellë e tim’ eti e s’kam nga t’ia mbajë/.

Dy prindërit e tij, Salihi – baba engjëllor (që iku i nderuar nga kjo jetë) e Bora – nana hyjnore e tij, kanë për emër e mbiemër në gojën e kohës e në genet e brezave vetëm dy fjalë medalion: “njerëz të mirë”. Këta mirërritën gjashtë fëmijët. Dy iu banë poetë: Jaho që erdhi në Tiranë e Ismeti, që punoi në televizione si Shijak TV e gazeta si “Emigranti Shqiptar” gjersa shkoi emigrant politik e ekonomik në Francë, në vendin ku emigronin me seli e pushtetet e tyre edhe Ismail Qemali, edhe Ahmet Zogu.

Se mos vetëm djemtë e Salih Ramës të Margjekajve, nipat e Ram Binakut të Mollës së Kuqe të Bujanit, shkruajnë poezi për kohnat e realitetet e tyre nga Prehistoria deri tek Rendi i ri Botëror. Edhe Populli ka ngrit kangë për Derën e Margjekajve, edhe për stërgjyshin e Jahos, për brezin e shtatë të tij, për Ibish Osmanin: Dirgjet Hamza per dugaj / Po i pervet do sheherjanè / As ma paté Ibish Osmané,../.

Kah fillimi i shek. XIX, Ibish Osman Margjeka i Mollës së Kuqe vet i katërt, sëbashku me djalin e tij Daut Ibishin dhe me kushëririn e vet, Rexhë Mehmet Margjeka i Rosujës, ky i fundit, me nanën e tij-bijë Kosove, me armë brezit, ranë në tregun e Gjakovës. Këta e thyen urdhërin e Brahim Pashës për “mos me hy në shehrin e Gjakovës me armë…”. Bimbashi (majori) me zabitët (ushtarët, rojet) e tij iu dolën para në rrugë për me i çarmatos trimat e Margjekajve. Krisi pushka. N’atë përleshje u vra bimbashi me të tjerë, po mbeti shehit edhe Rexhë Mehmet Margjeka, se e kishin ba betimin: …S’ja jap turkit armët e babës / Pa ia djeg sarajet Pashës…/ Ibish Osman Margjeka, Rexhë Mehmet Margjeka, Daut Ibish Margjeka (pas vdekjes) janë shpallur “Nderi i Komunës” Bujan.

Jaho Margjeka, si stërgjyshi i tij, Ibish Osman Margjeka. Askush, astenjiherë e në asnjë kohë, nuk ka me mujt me ia hjek armën e tij, pendën si poet, si prozator, si gazetar. Krijuesit nuk kanë shumë shpenzime për vete: një stilolaps e një letër, po japin shumë për kohën e të tjerët me krijimet e tyre dhe marrin pak prej tyre.

4.

Ky emri Jaho e ka kuptimin në shqip: Jeto. E vërtetë Jaho jeton në poezi e për poezinë. Duket sikur të dy kanë lindur për njëri-tjetrin. Gurrat poetike të Jahos në mbi 30 vite krijimtari e kanë krijue tashma lumin e vet në detin e poezisë shqipe në shekuj. Është lumi poetik Margjeka, janë poezitë e tij margjekiane, janë tregimet e tij margjekiane.

Disa herë ka fitue edhe çmime (ndër)kombëtare e lokale me poezitë e tij, qyshse në vitet e rinisë studentore me çmim vjetor në revista “Nëntori” (1988). Në kit’ vargavijë stimujsh përveçon edhe Çmimi “Pjetër Budi” nga Forumi Shqiptar i Kulturës, Edukimit e Shkencës (2005). Është vlerësuar edhe Çmimin e parë “Konstandin Kristoforidhi” në Festivalin Mbarëkombëtare “Ditët poetike të verës”- Elbasan, 2006 dhe Çmimi i parë në Festivalin Mbarëkombëtar “Pranvera poetike durrsake”- Maj, 2013. Gjithashtu ka marrë çmime e mirënjohje edhe në veprimtari të tjera. Poezia e Jaho Margjekës është botuar gjithandej në hapësirat shqiptare në Ballkan por edhe më gjerë, edhe e përkthyer në anglisht në SHBA apo në rumanisht nga revista “Hemus” në Bukuresht, etj.

Ky, Jaho ynë i sotëm, poeti i përjetshëm, ka ecë me vargun e hapin poetik si të gjithë poetët e piedestalit, prej atëherit kur në shkollë të mesme në Kuçovë botonte të parat cikle me poezi në “Zëri i Rinisë” (shkurt, 1981) apo në “Nëntori” (1988) kur ishte student i gjuhë-letërsisë shqipe në Shkodër, apo mësues në Llugaj të Lugut të Malësisë së Gjakovës, e në të gjitha kohët, është në kërkim të pranverës… Po, para së gjithash, sipas këndvështrimit tim, poeti margjekian lëshon kumtin e tij: “Na duhet të jemi gjallë lum’ miku!” I dashuruar në vetvehte s’qesh’ kurrë miku im, / Se pak kohë më lanë për të lakmuar vetvehten./ Po ta shkruaj / Në rrasë të gurit këtë kumt’ miku im ! / Nëse andej të bie udha ti gjegjen po ma kthen ! / Se në ditën e amshueme / njësoj të dy do të jemi, / E deri atëherë…/ Po na duhet të jemi gjallë lum’ miku !

Ramiz LUSHAJ.

NE NUK KISHIM SHUMË, POR KISHIM NJËRI-TJETRIN…- Nga MSc. Albert HABAZAJ, poet, studiues

 

 

Dy fjalë për librin me ese: “Kur bota u lodh nga vetja: reflektim mbi jetën dhe shoqërinë” të shkrimtares Nertila VRUZHAJ

 

 

 

Shkrimtaren Nertila Vruzhaj, lindur në Vlorë, nuk e kam njohur më parë. Ishin dy telefonata të autoreve në zë të qytetit, mikeshave të mia Laureta Petoshati dhe Anila Toto, të cilat më mundësuan fatin, që unë të kem në bibliotekën time një libër të ri me vlera qytetare, të njoh një shkrimtare serioze të letërsisë bashkëkohore, zonjën dinjitoze Nertila Vruzhaj, që na dhuron këtë prozë të bukur me një temë të ndjeshme, të dhembshme, të prekshme, të vërtetë, me mesazhe për nesër mbi universin e DASHURISË SË HUMBUR TË NJERIUT.

Para se të shpreh dy fjalë për librin e Nertilës, vlerësoj vëmendjen e Qendrës Kulturore, Bashkia Vlorë në realizimin e kësaj veprimtarie cilësore, jo vetëm letraro – kulturore, por veçmas për ndihmesën që jep libri që përurojmë sot në edukimin moral e qytetar, nëpërmjet fjalës së çmuar si filigran shpirti në mbi 170 faqe libër që na dhuron autorja.

Seç ka një trini mistike kjo botë e lodhur që na sjell Nertila: 3 breza, 3 këndvështrime, 3 etapa, 3 psikologji e shumësi mikrobotësh, raporte kontrastesh, dashuri – dhembje, plotmëri – boshësi, ideal – para, vlerësim – shpërfillje, nderim – poshtërim, respekt – fyerje, dëlirësi si dëbora, hipokrizi si varaka, besimi – dyshimi, shëndeti – lëndimi, mirësia – ligësia, optimizmi – pesimizmi, bota  e shëndetshme – bota e dobët, bota e gjallë – bota e tharë.

Nertila nuk na vjen thjesht si një shkrimtare e mirë, por patjetër si misionare e vërtetë e Mirësisë Njerëzore, ardhur në këtë libër me një gjuhë të pastër, të pasur, të thjeshtë, të kulturuar dhe të bukur.

Ky libër është një vlerë e shtuar në letërsinë socio – psikologjike të kohës që jetojmë, i domosdoshëm edhe si manual edukimi nëpërmjet reflektimit mbi jetën dhe shoqërinë e kohës.

Nuk është aspak moralizues ky libër, por kam të drejtën ta quaj një manifest të filozofisë së moralit, aq të domosdoshëm, sidomos sot, kur busullës magnetike të shoqërisë sonë demokratikisht ende të brishtë, i është çorientuar gjilpëra e drejtimit. Sot, kur virtytin e rreh heq era; sot, kur dashurinë e qëllon egër furtuna; sot, kur bota e lodhur nga veset e saj; sot, kur ndihet kompleksi i inferioritetit të paqes ndaj luftës, i dashurisë ndaj urrejtjes, i nderit ndaj turpit, i të së vërtetës ndaj gënjeshtrës, i idealit ndaj interest – shkrimtarja jonë, e brumosur shëndetshëm me filozofinë e jetës, e matur dhe e pjekur në komunikimin e shkruar me njerëzit, e saktë në fjalë, sepse është armatosur me normat, ligjet, të drejtën zakonore prurë natyrshëm në kohë, që mban ekuilibrat, më saktë që duhet të mbajë barazpeshat e shoqërisë njerëzore dhe natyrës, e pajisur, e plotësuar me peshoren e drejtësisë, falë jo vetëm arsimit universitar për Jurisprudencë, shprehet qartë, shkurt dhe saktë në optikën e saj: “Ne nuk kishim shumë, por kishim njëri-tjetrin”… Kjo shprehje e thjeshtë është e vërteta e këtij libri, që nuk bërtet, por dhemb. Kjo fjali e pabujshme është filozofia e këtij libri interesant me 6 kre, që vijnë si ese argumentuese (bindëse), duke tejkaluar, falë përvojës jetësore, diturisë akademike dhe talentit letrar, esetë shpjeguese (informative), ato përshkruese, si dhe ato treguese (narrative), ndërsa jo pak herë vërejmë kërleshje të esesë argumentuese me atë krahasuese, ç’ka na bën me dije, se autorja ka vizion, synime dhe njohuri të thella. Parë sipas stilit, shpesh herë ngjizet në një trup shkrimor eseja letrare me atë filozofike, kritike jo thjesht për të vëzhguar jetën e përditshme apo për të bërë krahasimet midis mënyrës së jetesës deri në imtësi në të tre kohët e udhëtimit jetësor të autores Vruzhaj, e cila shkruan: “Kishim një botë që ecte me ritmin e njerëzve, jo të internetit, me botën e ëndrrave, jo të interesit”. Kjo është koha e parë. Ne e njohëm. Me të mirat dhe të ligat e saj. Nuk duam që të kthehet, assesi. Përvoja e gabuar duhet të ishte kthyer në mësim të vyer për udhëtimin e jetës. Nuk ndodhi kështu. Një egërsi e shfrenuar u shfaq mbi dhè, si mushkonjat e mizat në thatësirë. Autorja e vogël ka qenë, 6 vjeçe, por kujtesën e ka të freskët. Dhe reflektimin të duhur. Iku koha e parë. Pastaj erdhi koha e ikjes së madhe. Kjo është koha e dytë. Tani ndodhemi në kohën e tretë – paraqet tablonë autorja – koha e zbrazjes, e boshatisjes së vendit, të shtëpive, të shpirtit, zemrës e mendjes. Lagje të heshtura. Nëna e baballarë me sytë nga porta presin në heshtje bijtë e bijat. Bijat dhe bijtë kanë ikur. Ikin. Do të ikin… Mërgojnë lulet. Nuk pritet dot mërgata e luleve. Po thahen burimet, krojet, gurrat… Vetëm, vetëm, vetëm – ooo, oh!… Edhe unë vetëm me gruan. E sa e sa si unë a më të mëdhenj se unë, presin, presin, presin… Po kush s’duket kund.

Ka shkuar asfalti përkundrejt me malin e Çikës, në Tërbaç, por fshati është bosh. Vetmia është bërë bashkudhëtare e pak plakave dhe pleqve të pamundur fizikisht, që shpirti i tyre e di ç’ heq e ç’ vuan në këtë realitet verbues, por tej fasadës “nuk është vetëm mungesa e njerëzve ajo që dhemb. Është mungesa e shpirtit” – operon bisturia shkrimore e autores sonë. Mërgata e luleve e ka tharë kopshtin aq të lulëzuar shqiptar. Dikur pesha e fjalës ishte kushtetutë, sot kotësia ëshë bërë superfuqi e zhurmës frymëfikur.

Ka shumë pak banorë fshati. Dhe qyteti po rrallohet, po thinjet, po kërruset, po tkurret. Hemorragjia e ikjes s’paska të ndalur. Kaq keq po mendojnë, punojnë dhe veprojnë djajtë me brirë…Po shthuret familja, djepi ku përkundet jeta që mban shoqërinë, shtetet, kombet, qytetërimin, njerëzimin. Edhe kafshët, gjallesat e tjera, falë instikteve të jetës së tyre, bëjnë ritet dhe ritualet, duke vepruar, ndërvepruar a duke u sjellur në mënyrë të pavetëdijshme për t’ju përshtatur mjedisit ku jetojnë etj., saqë shpesh herë ngelen shembull për t’u marrë edhe nga ne, njerëzit. Ka një shprehje Artur Shopenhauer: “Ngjajmë, por jemi ndryshe”. Përse e përdora këtë thënie pikërisht tani, që e kam përfunduar së lexuari “Botën e lodhur nga vetja” të shkrimtares Nertila Vrazhaj. Kujtoj që kur isha refugjat, pastaj emigrant në Itali, në vitet 1998-2001, bërë edhe këtë vjershëz të hidhur:

Për veset e rracës njerëzore

Kokën poshtë duhet ta ul,

Shyqyr që kafshët s’janë si ne, mizore

Se natyrës katastrofa iu vërsul…

San Lorenzo, Itali, 01.07.1999

Dhembshurisht vërtet, por ndihem mirë që ndjenjat dhe mendimet e mia dhe të Nertilës, pa u njohur kurrë më parë, pa u parë asnjëherë, rezonojnë, se, si duket kanë një burim energjie: Dritën e Mirësisë.

Kuptojmë që shkrimtarja Vruzhaj, si të ishte një frymë drite e Diogjenit në sotmëri, kërkon njeriun jo vetëm në mesditë, por në të 24 orët e ditënatës, me një qiri në dorë. Druaj, se jo vetëm njeriun nuk do ta gjejë, por, po vijuan kështu turbullirat, tramaundant e rrebeshet morale, me gjasë, edhe drita mund të fiket, ngadalë… Autorja përdor edhe mjete stilistike, metafora, kontraste, antiteza dhe një gjuhë alegorike, kuptohet me pikatore dhe kur nevojitet në tekst. Zakonisht botën e mërzisin të tjerët, të tjerën e lodhin botën, ndërsa Nertila, lëshon kushtrimin shkrimor të shpirtit njerëzor “Kur bota u lodh nga vetja”.

Dritëroi i madh lëshoi klithmën epike me vargjet:

“Ku të futem, s’gjej vend tjetër

Ku të qesh e ku të qaj,

Majtas vrap më dalin dreqër

Djathtas vijnë e presin djaj”.

Atë që as Zoti s’e bën, e bëka njeriu. Zoti fal. Njeriu shkatërron. Njeriu i vetmuar, shpirtlodhur, botëboshatisur është i shkatërruar në qenie, në shpirt e shpesh zgjedh të shkatërrojë. Shkatërrimi apo vetëshkatërrimi nuk janë më raste spontane, mjerisht për fatin e keq të shoqërisë në kohën që po jetojmë janë bërë fenomene negative tepër shqetësuese.

Një temë e veçantë që trajton autorja është dashuria. Nuk mund ta duash tjetrin, po s’deshe veten. Vërtet që nuk ka receta për të mësuar universin e dashurisë, se nuk mund të jepen a shpërndahen receta dashurie, pasi këndvështrimet mbi këtë ndjenjë kaq të madhe, kaq të bukur, të mirë e të dobishme për njerëzimin dhe natyrën janë aq sa banorë ka bota. Nuk mund të jesh atdhetar i devotshëm, nëse nuk je familjar i përsosur, nëse nuk vlerëson e nuk do veten. Unë jam atdhetar, jo me deklarata, por me të vërtetë, me shpirt e tërë qenien time, sepse dua veten, dua familjen, dua vendin ku linda, vendin ku u rrita, ku mësova, ku u edukova, ku jetoj, ku qesh shpesh herë me lot dielli, ku qaj po aq a më shumë me ujëvara furtune. Po nuk desha veten… kot, nuk mund t’i dua të tjerët. Është hipokrizi çdo shprehje tej kësaj të vërtete njerëzore, ardhur tejtëhu, jo vetëm këtyre hënave ku e kam dëgjuar dhe vërejtur unë, por në çdo shtet e kontinent të botës.

Pasiguria, depresioni, vetmia, mungesa e kuptimit të jetës, humbja e identitetit vetiak e kolektiv, fatkeqësisht po ngjiten në statujat e rreme, iluzive të vetëshkatërrimit të Njeriut dhe të Tokës. Por “shpresa ende frymon” – na ndez dritën jeshile të besimit shkrimtarja intelektuale dhe qytetare e angazhuar.

Në libër trajtohen me qartësi, kthjelltësi e vëmendje problemet e brendshme të njeriut, që mbush botën, ndërkohë që bota u lodh nga vetja. Vetëlodhjen e botës, autorja e trajton në 4 rrafshe:

  1. Në planin shoqëror: kemi një botë të mbingarkuar nga ritmi i shpejtë, gati i pakontrollueshëm dot, konflikte, egoizmin dhe marrëdhëniet e dobëta e të ftohta apo fare të ngrira njerëzore, deri në armiqësore.
  2. Në planin psikologjik: kemi lodhjen e individit nga vetvetja, nga përditshmëria e trazuar dhe nga pamundësia për të gjetur qetësi, si pasojë e streseve të pafundme, të papritura.

III. Në planin ekzistencial e shikojmë veprën nëpërmjet pyetjes se çfarë kuptimi ka ekzistenca kur njeriu humbet lidhjen me veten dhe me të tjerët.

Me kohë ka dalur shprehja: “Interneti, celulari na largon të afërmit, na afron të largëtit”. Jo vetëm si mungesë shpirtërore ndihet kjo e vërtetë e hidhur, por edhe si mungesë fizike. Shqetësimi më i madh është se si po rritet dhe po edukohet brezi i ri, ai që do të marrë stafetën nesër. Përveç të mirave që mund e duhet të marrim nga familja tradicionale përshtatur në kohën e vrullshme e të zhurmshme që po jetojmë, patjetër me shembullin qytetar të familjes së re, psikiatri, shkrimtari dhe psikanalisti grek Nikos Sideris na kujton me thënien e qartë: “Fëmijët nuk duan psikolog, duan prindër”.

  1. Në rrafshin moral kemi një reflektim mbi atë se çfarë thagmash tragjike i ka bërë njeriu vetes dhe botës që ka ndërtuar.

Parë në këto katër plane, autorja jo vetëm shtron pyetjen themelore: A është bota e lodhur nga rrethanat që ka krijuar, apo nga vetë mënyra si si njerëzit po jetojnë? Nuk e ka fajin koha, jo. Ajo kalon pa ndërprerje. Njeriu. Ne jemi fajtorë. Ne, jo kafshët…

Vërejmë në libër një veçori interesante, të cilën e ceka shkurt, se vetë titulli ka edhe një paradoks poetik: zakonisht themi se njeriu lodhet nga bota, këtu ndodh e kundërta, bota lodhet nga vetja. Kjo, pra, e zhvendos vështrimin nga individi te një botë e personifikuar, e lustruar me varakë që të ngjajë si e artë. Bota sillet sikur të ishte një qenie njerëzore që ka ardhur në një pikë ngopjeje, zhgënjimi ose reflektimi.

Falë zhvillimit koherent të lëndës dhe plotësimit kulturor të autores, të gjashtë kapitujt e këtij libri, pa harruar hyrjen e domosdoshme, forca e kohezionit moral e qytetar i bën të shqueshëm e të dashur për lexuesin, sidomos për nxënësit dhe studentët tanë, sepse “bota nuk ndryshon vetiu” – ka thënë historiani britanik Eric Hobsbawm (1917-2012).

E, së fundmi, themi se ndoshta do të ishte mirë që ky libër të këshillohej si literaturë plotësuese në shkollat e mesme dhe të larta në lëndët përkatëse të edukimit qytetar, të psikologjisë sociale dhe si reflekse etnopedagogjike.

Fituesi i Booker Prize Georgi Gospodinov mbështet Flamingot gjatë festivalit Sintrak në Tiranë

Edicioni i parë i festivalit eklektik të artit SINTRAK solli javën e kaluar në Tiranë si të ftuar nderi shkrimtarin Georgi Gospodinov, fitues i çmimit International Booker Prize, me një mesazh për domosdoshmërinë për unitet në aktualitetin kompleks politik e shoqëror.

Në fjalën e shkrimtarit më të përkthyer bashkëkohor bullgar, nuk mungoi as mbështetja e hapur për Revolucionin e Flamingove.

“Çfarë mund të bëjmë në këtë muzg që po bie mbi botë, në errësirën që zbret dhe mes së cilës shkruajmë librat tanë? Çfarë tjetër na mbetet, përveçse të thërrasim me zërin e një tjetër poeti të madh, Dylan Thomas-it: “Rage, rage against the dying of the light”. Me këtë thirrje dua ta përfundoj fjalën time për festivalin “SINTRAK”, që nis sot këtu, në zemër të Tiranës, e cila rreh me pulsin e një flamingoje rozë,” u shpreh Gospodinov-i në fjalën hapëse të festivalit.

Nën temën “Kohëstrehim” (Time Shelter) që i referohet si romanit të tij fitues të Booker-it, ashtu edhe nevojës për të forcuar lidhjen njerëzore në kohë të këtilla, organizatorët nga qendra librit dhe artit “Zgjoi” krijuan një hapësirë ku veprat e autorëve shqiptarë e evropianë u riinterpretuan përmes gjuhës së trupit. Kjo u realizua përmes koreografive origjinale të studentëve dhe pedagogëve të Shkollës Perandorake të Baletit në Tiranë.

“Letërsia është një antidot natyror ndaj helmit të propagandës. Historitë tona, bisedat mes nesh, janë i vetmi mjet që mund të na ngjitë e të na bëjë bashkë sërisht. Për sa kohë njerëzit flasin me njëri-tjetrin, për sa kohë janë ende të aftë të mblidhen rreth një poezie dhe një kërcimi, të merren me përmasat më të larta të njerëzores, jo gjithçka ka humbur,” u shpreh gjithashtu Gospodinov-i.

Koncepti i pazakontë i festivalit bëri bashkë emra të njohur si dhe shkrimtarë e poetë të rinj premtues. Dinçer Guçyeter, Todor P. Todorov, Rita Petro, Manjola Nasi, Gabriela Mujaj, Arti Lushi, Enxhi Naum dhe Ivana Trajanoska diskutuan gjatë mbi eksplorimin e ndërlikuar të krijimtarisë njerëzore në periudha polarizimi e lufte.

Përkthimi gjithashtu zuri një vend qendror në disa punëtori arti, duke nënvizuar edhe më tej rëndësinë e ndërtimit të urave përmes komunikimit.

“Ky festival është i rëndësishëm edhe sepse është themeluar nga një përkthyese dhe bën bashkë shkrimtarë nga skaje të ndryshme të Evropës. Ka diçka thellësisht njerëzore dhe të vërtetë në dëshirën për të dëgjuar zërat e të tjerëve dhe historitë e tyre,” tha Gospodinov-i.

“Sintrak është vija e thyer ku poezia dhe koreografia bashkëkohore ndërpresin rrjedhën e zakonshme të sistemit. Pa ndjekur rrugët e rrahura SINTRAK krijon një trak të ri, një hapësirë ku zëri merr peshë fizike dhe trupi kthehet në varg. Sintrak është ndërhyrja që çmonton strukturat e vjetra për të lëshuar në skenë një energji të papërpunuar,” tha Milena Selimi, përkthyese e një sërë veprave të Gospodinov-it, ideatore e festivalit.

 

BUJAR SKËNDO VJEN NË VLORË ME TRILOGJINË ROMANORE TË LETËRSISË PSIKOLOGJIKE DHE EKZISTENCIALE- Nga Albert HABAZAJ

 

 

Rikthimi në gjimnazin Halim Xhelo, ku shkëlqeu si nxënës

 

 

 

Tufëz me lule shkrimore

 

Rikthim në gjimnazin “Halim Xhelo” me emocionet e krijimit letrar dhe emocionin poetik

 

Në mesditën e mërkurë të datës 23 shtator 2026, në mjediset e gjimnazit “Halim Xhelo” u zhvillua veprimtaria letrare kushtuar krijimtarisë së autorit Bujar Skëndo.

Për të nderuar krijimtarinë e autorit dhe, njëkohësisht, për të bërë vlerësimin e saj, ishin të pranishëm me diskutimet e tyre: prof.dr. Bardhosh Gaçe, pedagog i Universitetit “Ismail Qemali”, Vlorë; dr. Sadik Bejko, poet i njohur, pedagog, estet dhe studiues; z. Çerçiz Loloçi, gazetar dhe studiues; z. Eqerem Canaj, poet dhe shkrimtar vlonjat; z. Ahmet Demaj, mësues në pension, publicist, kryetar i Shoqatës Kulturore-Atdhetare “Labëria”, dega Vlorë; z. Albert Habazaj, kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve “Petro Marko” Vlorë,  poet, mik i gjimnazit “Halim Xhelo”; z. Delo Isufi, poet, përkthyes; z. Luto Memokondi, fabulist dhe studiues; znj. Shqiponja Pazaj, poete; z. Çlirim Hoxha, shkrimtar; z. Nuredin Veshaj, poet, etj.

Veprimtaria u zhvillua në mjediset e bibliotekës së shkollës, me pjesëmarrjen dhe diskutimet e maturantëve të kësaj shkolle.

Përshëndetjen e rastit e mbajtën drejtoresha e shkollës, znj. Sonila Banushaj, dhe mësuesja e letërsisë, znj. Adelina Ibrahimi.

Maturanti Kristi Merkuri bëri një vështrim të shkurtër mbi jetën dhe krijimtarinë e autorit, ndërsa nxënësja Franceska Bufaj drejtoi veprimtarinë, duke ua dhënë fjalën për diskutim të gjithë të pranishmëve.

Diskutantët bënë vlerësime për krijimtarinë e autorit, duke bërë një analizë të plotë strukturore dhe ideore të tre romaneve të autorit: “Psherëtima e humbjes”, “Flijimi i maskave” dhe “Dëshmitari i rremë”.

Aktiviteti vijoi me përshëndetjen e autorit Bujar Skëndo, i cili nuk i fshehu dot emocionet e rikthimit në gjimnazin ku u formua si nxënës me formim të plotë kulturor dhe letrar. Ai tregoi nostalgjinë e atyre viteve dhe vlerën që ka një edukim i mirë për nxënësit.

Mesazhe të forta autori përcolli për rolin e procesit krijues, leximit dhe zgjerimit të fushës së njohjes nga të rinjtë.

Nga ana tjetër, nxënëset Franceska Bufaj dhe Megi Ahmeti kishin përgatitur një analizë të plotë letrare për dy romane të autorit, “Psherëtima e humbjes” dhe “Dëshmitari i rremë”.

Nxënësja Emi Kapo përshëndeti me një vlerësim për krijimtarinë e prof. Bardhosh Gaçes mbi letërsinë arbëreshe dhe mbi një monografi të tij kushtuar lirikut të madh Ali Asllani.

Një bashkëbisedim i ngrohtë, me pyetje nga gjimnazistët, u zhvillua mes tyre dhe autorit.

Nxënëset Kleida Sinaj, Samanta Brahimaj dhe Losana Nela interpretuan fragmente nga romanet.

Kjo ditë e bukur e përurimit letrar u mbyll me një numër artistik kërcimi, interpretuar nga nxënësja Lorena Zenelaj, nën melodinë e këngës “Se kënduam Let It Be” të këngëtarit Sherif Merdani, personazh i një prej romaneve të autorit Bujar Skëndo.

Kjo ditë ishte dhe do të mbetet një kujtim i bukur për të gjithë nxënësit e gjimnazit “Halim Xhelo”, por edhe një emocion i bukur për autorin.

 

Fjala ime:  KËMBANË ROMANORE E LIRISË SË KULTURËS

 

Shkurtore

Së pari, në rrafshin e shkollimit, gjimnazin “Halim Xhelo” e kam ndër gjimnazet më në zemër, ndoshta më për zemër në republikë, për arsye se mësuesi atdhetar dhe demokrat Halim Xhelo, emrin e të cilit mban shkolla, ishte andej, nga anët e mia, nga Tërbaçi.

Faleminderit Sonilës, drejtoreshës së shkollës së mesme “Halim Xhelo”, Vlorë! Faleminderit Adelinës, mësueses së letërsisë, mikeshës sime të vjetër, aq të dashuruar me letërsinë, si dhe gjithë stafit të kësaj lënde të bukur, sidomos nxënësve, këtyre filizave të mrekullueshëm, tek të cilët unë kam besim se do të jenë jo vetëm më të mirët në Vlorë, por në republikë.

Së dyti, kam mendimin që Bujar Skëndo është i emocionuar, krenar dhe i kënaqur në kub, sepse, 1: si nxënës i shkëlqyer i shkollës “Halim Xhelo”; 2. Me rrënjë nga Tërbaçi, nga fshati i Halim Xhelos dhe 3. Si pinjoll gjenetik i Halimit, direkt nga fisi i tij. Bujari është kushëri i parë i të ndritshmit Kujtim Mici – Dragoit të këngës labe, mësuesit shembullor dhe drejtorit historik e kryelartë të shkollës 8-vjeçare “Halim Xhelo”, Tërbaç (përmbi 20 vjet), sepse babai i Bujarit, Sulejman Dervishi dheë babai i Kujtimit Musa Dervishi ishin vëllezër. Kaq për biografinë…, po ka ca gjëra që duhet t’i themi: gjenetikisht, nuk vijnë nga hiçi personalitete të tilla të letrave shqipe, si Bujar Skëndo, i cili ka një gjenezë fisnike: nga dera e madhe e Skëndojve. Ndërkohë, letrarisht, hap një tjetër derë të madhe bujare në letërsinë bashkëkohore shqiptare në rrafshin e zhanrit ekzistenciale, në rrafshin e letërsisë psikologjike – nga individi te shoqëria, te liria, jo thjesht në rrafshin universial, porse nga qiliza nis e buron gjithçka. Do ta quaja këmbanë e lirisë së kulturës fjalën time, duke bërë një analizë të voçkël për veprën e tij të madhe, që nga “Psherëtima e humbjes”, “Maskat…” dhe “Dëshmitari…”.

 

Individi, shoqëria dhe historia në 3 romanet e Bujar Skëndos

Bujar Skëndo është një figurë e njohur në gazetarinë kulturore, në diplomaci dhe në letërsinë shqiptare. Nuk do të merrem me arsimin e tij universitar, me studimet pasuniversitare, as me ndihmesën e tij për gjuhësinë, historinë, politikën, diplomacinë e në fusha të tjera, ku ai u dallua, sepse nuk është objket i kësaj veprimtarie, veçse kujtoj që është vlerësuar “Personalitet i Shquar i Qarkut të Vlorës” në vitin 2020.

Skëndo shquan për një veprimtari të gjatë në gazetari, kritikë letrare dhe artistike dhe, nga viti 2023 e në vijim, spikat në prozën e gjatë. Ka bashkëpunuar me revistën “Nëntori”, ka punuar si redaktor në gazetën “Drita”, ku është marrë veçanërisht me kritikën pa “buzëkuq” të prozës, filmit dhe të teatrit, duke qenë aktiv në mendimin eseisitik, estetik e letrar shqiptar.

Si shkrimtar, ai ka lëvruar sidomos prozën e gjatë dhe ndër të tjera ka botuar dhe 3 romanet, që përurojmë sot në Vlorë, pikërsisht në mjediset e bibliotekës së gjimnazit “Halim Xhelo”, në bankat e së cilit ai kreu shkollën e mesme në vitet 1962-’66.

Botimet e shkrimtarit Bujar Skëndo janë:

  1. “Psherëtima e humbjes”: roman; Tiranë, Onufri, 2022, red. Kadia Dedja, 254 f.
  2. “Flijimi i maskave”: roman; Tiranë, Onufri, 2024, red. Kadia Dedja, 256 f.
  3. “Dëshmitari i rremë”: roman; Tiranë, Onufri, 2025, red. Kadia Dedja, 136 f.

 

  1. Në qendër të romanit “Psherëtima e humbjes” është drama shpirtërore e një familjeje dhe kriza e marrëdhënieve njerëzore. Duke qenë se autori i njeh mirë dy botët, edhe këtë shqiptaro-ballkanike, si bir i këtyre trojeve; por njeh po aq mirë e më thellë botën dhe psikologjinë sociale përtej atlantike, pesimizmi për qelizën e shoqërisë, për djepin ku tundet jeta, është i trishtueshëm, ndjen dhembje në kockë edhe porta e shtëpisë së vjetër. Psherëtima e zgjatur, psherëtima e humbjes përfundimtare (nëse fatkeqësisht vijon kjo gjendje e shkon rrokopujë bota), psherëtima e humbjes së pakthyeshme është ngritur lartësisht në art, por jo vetëm kaq; dëshpërimi për mëkatarët e sotëm jo vetëm në Manhatanin verbues nga llamburitjet e shkëlqimit të rremë nuk është duf veç i Skëndos si shkrimtar, si njeri, si qytetar i universit, por është edhe yni, është imi, yti, i të gjithëve, kudo ku jetojnë e banojnë njerëz me vlera e virtyte, me dinjitet e familje nga Tirana në Nju Jork, nga Vlora në Londër, nga Shkodra në Berlin, kudo ku ka njerëz, që e duan, e vlerësojnë, e besojnë dhe e mirëmbajnë familjen dhe shenjtërinë e bekimit të jetës nga ajo.

Prandaj “Psherëtima e humbjes” u mirëprit nga lexuesi shqiptar dhe lexohet me endje, se na duket si balsam për shërimin e plagëve sociale, si një kushtrim i dëlirë qytetar për të mos shkarë në humnerat e humbjes së dinjitetit, të vetë jetës.

  1. Romani tjetër “Flijimi i maskave”, në të cilin maska bëhet gati fytyra e vërtetë e gënjeshtrës, trajton shoqërinë shqiptare të tranzicionit (që ende mjerisht nuk paska të sosur). Romani rrok temën e korrupsionit, të krimit, pushtetin e inkriminuar dhe marrëdhëniet e tij me botën e nëndheshme.

III. Romani “Dëshmitari i rremë”, i cili na paraqitet me një parathënie nga dy autoritete të letrave shqipe, dr. Sadik Bejko, poet, pedagog dhe Çerçiz Loloçi, studiues, gazetar, është një roman i lidhur artistikisht me Festivalin e 11- të të Këngës në Radiotelevizion, (22-25.12.1972), që siç e dimë, u prezantua nga Edi Luarasi dhe Bujar Kapexhiu, me regjisor Mihal Luarasin dhe redaktor të teksteve hallemadhin e paepur të “Rrënjëve”, Sadik Bejkon [Tiranë: “Naim Frashëri”; 1972, red. Pandeli Koçi, 136 f.]. Ai festival aq i bukur, i freskët e aq i dashur për njerëzit e këngës u nxi, u hodh baltë mbi të pafund dhe pasojat që pati Festival i Artë dhe artistët e Brezit të Artë si Sherif Merdani jepen me përshkrime rrëqethëse në roman. Veçse autori Skëndo nuk rrëfen thjesht këtë ngjarje tronditëse. Ai, si një kirurg i përkryer i klinikës shkrimore, operon në kapilarët e absurdit të kohës. Ndoshta gazetari Sandër Baraj, vërvitur si mësues letërsie në një fshat të humbur të Librazhdit, bëhet një figurë komplekse, që paraqet interes për lexuesin, sepse është mjeshtëria njohëse, shkrimore dhe artistike e shkrimtarit të na paraqes një personazh tipologjik në zhvillim si Sandri, emrin real të personit që është futur në lëkurën e këtij personazhi, për fat të keq të ndodhisë dhe për fat të mirë të letërsisë, shkrimtari e ka njohur mirë, nga afër. Atmosfera e rëndë, shtypja psikologjike, psikoza e frikës dhe ndrrydhja nga ankthi, siç na e paraqet autori, është tërësisht situatë traume, të cilën e theksojnë dhe dy autorët e tekstit shtesë, në parathënien e romanit, është situata e murme që i zë frymën jetës dhe zotëron keq në qytetin provincial të viteve 1972-’75.

Ç’ka duket veçanërisht interesante te profili i autorit Bujar Skëndo nuk është fabula e kalimit të ylberit (në rrafshin mitologjik, se s’ ndodh, as ajo që ndodhi në rrafshin gjeografik të kalimit të hapësirave Tiranë – Nju Jork), por kalimi i suksesshëm nga kritiku cilësor me frymë të re të vërtetë kritike tek shkrimtari, më saktë, tek romancieri me emër. Klas. Ca përvoja negative kanë qenë ndër shkrimtarë dështakë, nga që e shuan me ujë në letërsinë artistike, deshën të bënin emër si kritikë, por koha vërtetoi se shtinë në hi…

Skëndo përbën një fenomen në letërsinë shqiptare, sepse përveç talentit, besimit, vullnetit, këmbënguljes, njohjes së njerëzve e trevave, dokeve, traditave, mënyrës së jetesës së banorëve, ekspeditave me vëzhgim në terren, diturisë dhe thjeshtësisë, ishte përvoja e gjatë si kritik që e bëri të ndërtojë një prozë ku vëmendje të veçantë marrin psikologjia e personazheve, morali familjar dhe shoqëror, si dhe marrëdhëniet e individit në raport me kohën historike.

Nëse i shohim të tre romanet e autorit: “Psherëtimën…”, “Maskat…” dhe  “Dëshmitarin…” si një tërësi, mendojmë se ato kanë një vend interesant, të tyren në prozën bashkëkohore shqiptare, sidomos sepse trajtojnë tri shtresa të ndryshme të përvojës shqiptare: dramën intime, deformimin shoqëror të tranzicionit dhe traumën historike të diktaturës. Duke vlerësuar me objektivitet se çfarë prurjeje kanë dhe në çfarë drejtimi e zhvillojnë romanet prozën e Skëndos, mund të shprehemi:

  1. “Psherëtima e humbjes” është ndërtesa romanore që na fut labirintveve të jetës, nga drama familjare tek drama ekzistenciale. Romani i parë bëhet kështu pika e nisjes së kësaj trilogjie krijuese. Në qendër është humbja e marrëdhënieve njerëzore, vetmia, mungesa e dashurisë së dëlirë dhe kriza e individit brenda guackës së familjes. Një fragment i romanit e vendos protagonistin përballë një ndarjeje të papritur familjare dhe ndjesisë se ka humbur kontrollin mbi jetën e vet. Kritika e botuar për romanin e ka lexuar atë si roman psikologjik dhe ekzistencial, duke vënë në dukje kontrastet, ftohtësinë emocionale dhe vetminë e personazheve me një kolorit të pasur e të ri gjuhësor, me figura stilistike e mjeshtëri artistike. Këtu shfaqet një tipar që do të jetë i rëndësishëm edhe në dy romanet vijues: Skëndo nuk interesohet vetëm për atë që ndodh, por për atë që ngjarja i bën shpirtit të njeriut.
  2. “Flijimi i maskave” mund të quhet romani i tranzicionit shqiptar, në të cilin shkrimtari e zgjeron dukshëm hapësirën e prozës së tij. Nga familja kalon tek shoqëria. “Flijimi…” ndërton një realitet ku ndërthuret krimi, pushteti, politika, media dhe marrëdhëniet njerëzore. Romani është ndërtuar në dy linja rrëfimore dhe përdor figurën e maskës si metaforë qendrore të identitetit të rremë, të krisur keq dhe të hipokrizisë sociale. Kjo është prurja më e drejtpërdrejtë e Skëndos në prozën e tranzicionit: përpjekja për ta kthyer realitetin shoqëror të Shqipërisë postkomuniste në material romanor, jo thjesht në kronikë arkivi. Dhe këtu qëndron një nga dallimet e tij: ai nujk mjaftohet me të ashtuquajturin “roman i realitetit”, por përpiqet ta metaforizojë reliatetin, për ta bërë më të ndjeshëm shpirtin njerëzor për reflektim. “Maska” bëhet këtu mekanizëm artistik, jo vetëm objket përshkrimi.
  3. “Dëshmitari i rremë”, i cili është romani mbyllës i kësaj trilogjie, operon imtësisht me kthimin tek kujtesa dhe diktatura. Romani i tretë bën kështu një lëvizje tjetër shumë të rëndësishme: kthehet nga e tashmja turbullake tek e kaluara e frikshme diktatoriale, përmes Festivalit të 11 – të të Këngës dhe fatit të këngëtarit Sherif Merdani, i shndërruar në roman në figurën e Seran Mejdanit. Operativi i asaj kohe ishte makthi i kujtdo dhe detyrimisht që do të ishte në modë edhe prodhimi i fajtorëve pafaj, fabrikimi i fajtorëve artificialë, dënimi i njerëzve të pafajshëm, të zot, që bënin emër, por ndërkohë do të ishte më me theks në modë fabrikimi i dëshmive të rreme, që mori në qafë sa njerëz, sa jetë…

Por Skëndo nuk e ndërton “Dëshmitarin…” vetëm si roman për një këngëtar, sado i famshëm që ishte ai. Në qendër vendos përpjasjen midis artistit dhe mekanizmit repersiv të shtetit, nëpërmjet shtypjes, frenimit me dhunë dhe përndjekjes së kundërshtarëve, sidomos atyre shkëlqimtarëve. Në roman, figura e “dëshmitarit të rremë” shndërrohet në simbol të një sistemi që kërkonte jo vetëm të dënonte njerëzit, por, siç u shprehëm, edhe të prodhonte dëshminë kundër tyre. Kritikat për romanin kanë vënë në dukje atmosferën e frikës, ankthit dhe shtypjes psikologjike, si dhe skenat e pakonceptueshme të gjyqit.

Këtu romani fiton edhe një përmasë kujtesore: ai rikthen në vëmendje fatin e artistëve të dënuar pas Festivalit të 11 – të. Po çfarë i bashkon tre romanet? Cili është çelësi për të kuptuar vendin e Skëndos në Letërsisë Bashkëkohore Shqiptare? “Psherëtima e humbjes” operon me individin, “Flijimi i maskave” plugon shoqërinë, “Dëshmitari i rremë” i përvishet fort historisë së të kaluarës së afërt. Pra hapësira e romanit zgjerohet: familja, shoqëria, historia kombëtare. Por, në të tre rastet mbetet i njëjti problem themelor: çfarë ndodh me njeriun kur humbet të vërtetën, dashurinë, dinjitetin, lirinë e tij.

Në këtë trilogji romanore vërehet një dukuri e vlertë: Kritiku letrar dhe eseisti i bën mirë romancierit për një prirje të dukshme në analizën psikologjike, reflektimin, simbolin dhe nëntekstin krahas rrëfimit dramatik të ngjarjes. Skëndo nuk është një romancier që “tregon histori”, as të bëjë art për art. Ai synon ta përdorë historinë për të ngritur një problem moral, psikologjik ose social, gjithëherët prurë me nivel të lartë artistik dhe estetik. Nga humbja personale, neriu kalon tek humbja shoqërore dhe më pas, larg qoftë, tek humbja e lirisë dhe e së vërtetës historike.

Kështu i lexoj unë të tre romanet e shkrimtarit Bujar Skëndo, si një projekt i vetëm letraro-qytetar, që tingëllon si këmbanë e lirisë së kulturës.

MAESTRO- Esé nga Neki Lulaj

Një kujtim për akademik Gjelosh Gjokajn në dhjetë vjetorin e amshimit
Ka mëngjese shtatori që nuk zbardhin si të tjerët.
Edhe kur dielli ngrihet në horizont dhe dita nis udhën e zakonshme, në kujtesën e njeriut mbetet një hije që nuk largohet. Disa data nuk janë thjesht numra në kalendar; ato bëhen porta përmes të cilave kthehemi te njerëzit që koha nuk ka mundur t’i largojë prej nesh.
Për mua, një datë e tillë është 25 shtatori.
Mëngjesi i së dielës, 25 shtator 2016, solli lajmin e hidhur se kishte pushuar së rrahuri zemra e atdhetarit, akademikut dhe piktorit dhe shqiptarit të madh, Gjelosh Gjokaj.
Ishte një nga ato lajme që, edhe kur i dëgjon, mendja për një çast  nga dhimbja nuk pranon t’i besojë. Njeriu kërkon ta shtyjë të vërtetën, sikur fjala vdekje të mos mund të hyjë në jetën e e njeriu aq tinëzisht që ende e ndien të gjallë në kujtesë.
Gjelosh Gjokaj  lindi më 25 07 1933 në fshatin Milesh të Malësisë së Tuzit. Nga ajo trevë  malësije,e pasur me histori, kujtesë e dhimbje shqiptare, ai do të merrte me vete jo vetëm kujtimet e fëmijërisë, por edhe një botë të tërë shpirtërore, të cilën më vonë pa hezitim do ta shndërronte në art.
Gjeloshi ishte anëtar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës dhe një nga emrat më të afirmuar të artit pamor shqiptar në Evropë. Ishte profesor Universiteti në Prishtinë atje edhe i lindi muza për art  i cili njihej si “ babai i artit grafik” më vonë jetoj 15 vite Romë të Italisë dhe 25 vite në Gjermani.
Për artistin nuk jeton vetëm në data e lindjes dhe të vdekjes. Ai jeton në veprën që lë pas.
Dhe Gjelosh Gjokaj kishte shumë për të lënë pas.
Në vitin 1983 ai u vendos në Augsburg të Gjermanisë. Ishte larguar nga vendlindja, por jo nga ajo. Njeriu mund të ndërrojë vendin ku jeton, por është më e vështirë të ndërrojë vendin ku i ka rrënjët .Mileshi ishte djepi i thellë qe i mbeti  gjithëmonë në shpirt.
Augsburgu u bë vendi i jetës dhe i punës së tij, me mbi 50 ekspozita individuale dhe 80 ekspozita të tjera në grupe është opusi i tij krijues, ndërsa kujtesa e vendlindjes mbeti një nga burimet e pashtershme të botës së tij krijuese.
Në këtë udhëtim mes dy botësh, Gjokaj nuk ishte thjesht një artist shqiptar që jetonte në Romë dhe Gjermani. Ai ishte një njeri që e sillte me vete një kujtesë dhe e përkthente atë në gjuhën universale të artit. Ngjyrat nuk kanë autorësi as kufij ato janë të te gjithëve.
Por edhe as arti.Ndoshta pikërisht këtu qëndron një nga madhështitë e tij: ai nuk u mbyll në kufijtë e një vendi, por e mori vendlindjen me vete dhe e la të fliste përmes veprës se tij artistike.
E kam takuar Gjelosh Gjokajn.
Dhe ky takim, edhe pse i largët në kohë, vazhdon të jetojë në kujtesën time i freskët
Ka njerëz që i takojmë dhe harrojmë sapo ndahemi. Ka të tjerë që, edhe pas shumë vitesh, vazhdojnë të na shfaqen në mendje me zërin, mënyrën e të folurit, qëndrimin, buzëqeshjen apo thjesht me atë ndjesinë që lanë pas.
Gjokaj ishte nga këta të dytët, takimi me të ishte i ngrohtë. Në praninë e tij ndjeje kulturën e një akademiku, por edhe thjeshtësinë e një njeriu që nuk kishte nevojë ta shpallte veten të madh. Ishte i kulturuar, komunikues, i afërt.
Dhe  në mbrendin e shpirtit të tij kishte diçka të rrallë: një ngrohtësi njerëzore që nuk vinte nga fjalët e mëdha, por nga mënyra se si të dëgjonte e si të fliste.
Ndoshta madhështia e vërtetë e njeriut nuk matet me titujt që mban, por me mënyrën se si i bën të tjerët të ndihen pranë tij pranë Gjeloshit ndiheshe mirë.
Sot, kur mendoj për të, më duket sikur ai ende qëndron përballë një pikture grafike.
Ndoshta ende kërkon një ngjyrë një dritë apo një hije.
Dhe pikërisht këtu kujtesa bëhet më e fortë se vdekja, sepse një artist i madh nuk largohet plotësisht. Ai vazhdon të jetojë në veprën e tij.
Pikturat e tij nuk janë thjesht sipërfaqe të mbuluara me ngjyra. Ato janë gjurmë të një shpirti që ka kërkuar, diçka te madhe,ka vuajtur, ka ëndërruar dhe ka parë botën ndryshe nga ne.
Prandaj, kur një artist ikën,  vepra nuk mbetet bosh ajo  bëhet dëshmi, bëhet kujtim bëhët frymëzim për gjeneratat qe vijnë.
Bëhet një lloj fjalori i heshtur ku brezat e ardhshëm do të kërkojnë gjurmët e atij që e krijoi.
Maestro…
Kështu do të doja ta thërrisja edhe sot, jo për titullin akademik, jo për emrin që kishte fituar në botën e artit por për atë që ishte. Një maestro i ngjyrës. Njeriu, që dinte ta kthente heshtjen në figurë dhe ngjyrën në mendim. Sot më mungon ngjyra, më mungon fjala. Më mungon ajo prani e qetë që e bënte bisedën më të ngrohtë. Pa ty, disa telajo duket sikur kanë mbetur jetime. Por ndoshta kjo është vetëm ndjenja ime. Sepse tela jot e tua nuk janë jetime. Ato kanë mbetur me ty.
Dhe tani janë ato që flasin. Flasin në vend të autorit.
Kur një njeri vdes, kujtimet fillojnë të marrin një tjetër dritë. Detajet që dikur na dukeshin të zakonshme bëhen të çmuara.
Një takim i shkurtër bëhet një kapitull. Një shtrëngim duarsh bëhet kujtim i përjetshëm.
Një bisedë që dikur e mendonim të zakonshme, pas shumë vitesh bëhet diçka që do të donim ta dëgjonim edhe një herë.
Kështu ndodh edhe me njerëzit e artit. Ata nuk na lënë vetëm veprat.
Na lënë edhe një mënyrë tjetër për ta parë botën. Gjelosh Gjokaj na la ngjyrat e tij.
Na la heshtjen na la një pjesë të Mileshit. Na la një pjesë të Augsburgut. Na la një urë mes vendlindjes dhe botës. Dhe mbi të gjitha, na la një vepër që vazhdon të jetojë përtej tij.
Gjelosh Gjokaj — Maestro.
Një emër i shkruar jo vetëm në historinë e artit, por edhe në kujtesën e atyre që patën fatin ta njohin.

Doli nga shtypi libri “Si shihet atdheu nga larg” i Skënder Karaçicës

 

 

Ka dalë nga shtypi libri “Si shihet atdheu nga larg” i autorit, publicistit dhe veprimtarit Skënder Karaçica, një vepër që ndërthur kujtesën personale me përvojën e mërgimit dhe historinë e shqiptarëve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës

 

Në faqet e librit rikthehen Drenica, Kosova, mërgimi, njerëzit dhe ngjarjet që kanë lënë gjurmë në jetën e autorit. Përmes rrëfimeve, dëshmive, kujtimeve dhe reflektimeve, Karaçica sjell një pamje të gjerë të lidhjes së mërgimtarit me atdheun dhe të përpjekjeve për ta ruajtur identitetin, gjuhën dhe kujtesën shqiptare ndër breza.

 

Libri nuk mbetet vetëm në rrafshin autobiografik. Në të trajtohen edhe përvoja e diasporës shqiptare, veprimtaria atdhetare, marrëdhënia me vendlindjen, lufta dhe sakrifica, kultura, familja dhe përgjegjësia për të mos lejuar që përjetimet e një kohe të humbasin.

 

“Si shihet atdheu nga larg” mund të lexohet edhe si një pasaportë e mërgatës shqiptare në Amerikë, sepse në të pasqyrohet një shekull veprimtarie atdhetare, përkushtimi dhe qëndrimi në krah të atdheut dhe kombit shqiptar.

 

Në vlerësimin e tij për librin, Avni Spahiu, në recensionin “Autori shpirtërisht i pashkëputur”, vë në pah lidhjen e vazhdueshme të autorit me atdheun, pavarësisht largësisë, si dhe përkushtimin e tij ndaj Kosovës dhe jetës shqiptare.

 

Ndërkaq, Begzad Baliu, në recensionin “Skënder Karaçica: Kujtesa si detyrë”, shkruan: “Historia nuk ruhet vetëm në dokumente institucionale dhe vendime politike. Ajo jeton edhe në kujtime, rrëfime, anekdota, fjalë e përjetime që kalojnë nga një brez te tjetri. Skënder Karaçica ka mbledhur një pjesë të tyre dhe, duke i hedhur në letër, i ka ruajtur nga harresa.”

 

Pikërisht kujtesa është një nga boshtet kryesore të veprës. Ajo paraqitet jo vetëm si mall për të kaluarën, por si dëshmi dhe përgjegjësi ndaj brezave që vijnë.

 

Skënder Karaçica prej vitesh jeton dhe vepron në Çikago dhe është i angazhuar në jetën publicistike, kulturore dhe shoqërore të komunitetit shqiptar. Në këtë libër ai ka përmbledhur një pjesë të shkrimeve, kujtimeve dhe dëshmive të tij, duke krijuar një vepër që lidh përvojën personale me kujtesën më të gjerë të mërgatës shqiptare.

 

Botimi është realizuar nga Botimet Drini, ndërsa libri tashmë ka dalë nga shtypi dhe pritet të arrijë te lexuesit në Kosovë, në diasporë dhe më gjerë.

 

Frymën e librit e përmbledh edhe kjo porosi: “Atdheu nuk matet me largësi, por me dashurinë që nuk shuhet kurrë.”

“ZËRAT E GJAKOVËS” NJË PROJEKT I VEÇANT E ME VLERË PËR GJAKOVËN- Nga TAHIR BEZHANI

 

Këto ditë, pikërisht me 17. shtator,2026 SHI” Jakova” në Gjakovë, organizoi një tryeze të veçantë e me rëndësi  për qytetarët e këtij qytetit, me tematikë poaq të mirëpritur për luftën dhe pasojat e saj gjatë dhe pas saj.

Organizimi i kësaj tryeze u  bë në Bibliotekën e qytetit, ”Ibrahim Rugova”, ne sallën përuruese “Taki Dervishi”, me ç’ rast, kryetari i SHI.”Jakova” z. Ruzhdi Sefa, shpalosi momentet dhe iniciativat e takimit me z. Arsim Kalabria, autorë i kësaj teze shkencore, për të mirën e qytetarëve të Gjakovës e jo vetëm, si një trashëgimi me vlerë historike për ne dhe brezat pas nesh.

Pr .Dr. Ruzhdi Sefa,kryetar i SHI.”Jakova”

 

Shpesh kemi biseduar se sa e çuditshme ishte që një qytet me një histori kaq të pasur dhe njëkohësisht kaq të dhimbshme, nuk kishte një dokument të tillë ku të ruheshin zërat dhe rrëfimet e vet njerëzve për një përudhe të rëndë të historisë, tha z. Ruzhdi Sefa, kryetar i SHI. “Jakova”. Pikërisht për këtë fakt të kësaj rëndësie, ”Zërat e Gjakovës” të mos mbetet vetëm një material i dorëzuar ,por të trajtohet si një aktivitet i veçantë i Shoqatës ,tha Sefa ne vazhdim. Bazuar në tezen analitike nga autori Kalabria, vërejmë se është një përpjekje e jashtëzakonshme për t’i dhënë kujtesës së qytetarëve një formë të dokumentuar dhe një kuadër psikologjik e sociologjik nga periudha e viteve 1998-2001,priudhë që njerëzit kanë përjetuar ngjarje dhe tmerre të papara. Lufta vazhdon edhe me kujtesën njerëzore.

Këtë teze shkencore të autorit Kalabria, e bene të rëndësishme mënyra e qasjes  analitike për të shfaqë qëllimin ideor të analizës. Për këtë studim, Kalabria  përzgjedhë për intervistime me  kategori qytetaresh të ndryshëm për nga mosha dhe profesionet që kanë përjetuar luftën. Një vajzë 14 vjeçare,një veteran lufte, një të burgosur lufte, një nënë gjakovare, një grua dhe aktiviste humanitare. Si dhe një pensioner. Këto kategori njerëzish  përfaqësojnë këndvështrime dhe përvoja të ndryshme në periudhën e luftës e pasluftës.

Referuesi i temës “Zërat e Gjakovës”,z. Arsim Kalabria

 

 

Autori i tezes së trajtuar “Zërat e Gjakovës”, është z. Arsim Kalabria, një qytetarë nga Gjakova i cili jeton dhe vepron në  Suedinë e largët. Në Suedi z. Kalabria  vepron si trajtues dhe psikoterapeut, duke punuar me njërës që përballen me sfida dhe vështirësi të ndryshme jetësore. Me profesion është sociolog dhe ka të mbaruar disa kurse specialistike. Studim dhe specializim të mëtejmë ka fushën e psikoterapisë.

 

Autori i tezës shkencore “Zërat e Gjakovës” ,z. Arsim Kalabria, para audiencës së tubuar, dha sqarime për mënyrën dhe qëllimin e tij për të mirën e qytetarëve dhe respektin e dashurinë ndaj qytetit të tij të dashur, Gjakovës heroike. Ne testin e gjatë ai bënë përshkrimin historik të Gjakovës në shumë aspekte të jetës dhe kulturës,të dhunës nga të huajt. Mbijetesa e qytetarëve të Gjakovës edhe pas luftës, ishte një simbol i ringjalljes dhe solidaritetit qytetarë, rrëfeu autori. Pasi bëri sqarime në disa aspekte, nisur nga motive ,arsye, qëllimin e shume aspekte tjera, me oratori akademike që “hijeshojnë” prezencën një intelektuali si ky, u mirëprit me duartrokitje të gjata nga audienca në sallë.

Dëgjim me vëmendje nga audienca në sallën “Teki Dervishi” Gjakovë.

 

Në pjesën përfundimtare të kësaj tryeze, pati edhe bashkëbisedime me autorin, pati edhe pyetje të ndryshme nga disa intelektual gjakovarë.

Më zëshmit ishin në bashkëbisedim Dr. Gazmend Xharra ,Berat Pazhari, Dr. Gëzim Lupaveci, Bejtush Isufi (avokat nga Gjilani) ,Ganimete Tolaj dhe poeti Mal Haziri. Diskutimet (pyetjet) e të cilëve jo vetës se ishin interesante, por i dhanë kuptim tryezës, një seriozitet dhe rëndësi të plotë aktivitetit intelektual, siç i ka hije këtij qyteti flamurtarë i kulturës dhe dijes shqiptare.

 

Gjakovë,

Shtator,2026

Hi(s)ja e palëshuar e Diellit…- Nga Prof Dr Fatmir Terziu

Sot, kur shkollat në Shqipëri hapin përsëri dyert dhe oborret mbushen me hapa të vegjël, çanta të reja, zëra fëmijësh dhe atë emocionin e papërsëritshëm të një fillimi, Dielli duket sikur ka një tjetër hise për të lëshuar. Nuk është vetëm një ditë e re mësimi. Është një fillim i ri i asaj që do të bëhet kujtesë nesër. Në klasat ku sot hapen librat e parë, fëmijët nuk marrin vetëm shkronja, numra e rregulla; ata marrin nga dora e mësuesit një pjesë të dritës me të cilën do të matin botën. Dhe ndoshta pikërisht aty duhet kërkuar “hiseja e Diellit”, te një fëmijë që mëson të lexojë, te një fjalë që merr kuptim, te një libër që hapet dhe e bën errësirën pak më të vogël.

Kjo, sepse ne shqiptarët, sot jemi këndej, jemi andej, jemi gjithkund dhe, çuditërisht, po aq edhe askund. Kjo është ndoshta gjendja më e saktë e njeriut të sotëm, lëvizim shumë, por jo gjithmonë mbërrijmë, flasim shumë, por jo gjithmonë themi, shkruajmë shumë, por jo gjithmonë lëmë pas vetes një gjurmë drite. Ndoshta prandaj çdo fund na shfaqet si fillim dhe çdo fillim mbart brenda vetes hijen e një fundi. Në këtë qarkullim të çuditshëm të kohës, fjala herë bëhet dritë, herë mjegull. Herë ngrihet si një dëshmi, herë zbret në baltën e ditës. Ajo mund të jetë një heshtë e mprehur kundër harresës, por mund të bëhet edhe një matrapik që shpon kujtesën vetëm për të nxjerrë prej saj atë që i leverdis dikujt.

Dhe aty nis problemi, ngaqë errësira nuk është gjithmonë mungesë e Diellit. Ka raste kur errësira është një zgjedhje. Dikush e mbyll dritaren. Dikush e ul perden. Dikush nuk do ta shohë atë që është përpara syve. Dhe dikush tjetër, më i rrezikshmi, na bind se ajo që shohim nuk ekziston. Dhe Ai e di…

E di politikani që e ka kthyer fjalën në llogari. E di zyrtari që e ka harruar kuptimin e përgjegjësisë. E di shkronjërenditësi që i vendos fjalët njëra pas tjetrës pa pyetur më nëse ato mbajnë ende peshën e së vërtetës. E di edhe ai që shkruan vetëm për të mos mbetur jashtë zhurmës së kohës.

Por letërsia nuk është zhurmë. Letërsia është ajo pjesë e heshtjes që vazhdon të flasë edhe pasi zhurma ka pushuar. Këtë e ndjeva përsëri duke u kthyer te shkrimet e Adem Istrefit. Duke rilexuar “Lëshoma hisen e diellit”, nuk më dukej sikur po rilexoja vetëm një titull apo një vepër. Më dukej sikur po kthehesha te një pyetje e vjetër, e cila nuk është plakur aspak: Sa Diell i takon njeriut dhe kush ia mban peng hisen?

Hiseja e Diellit nuk është vetëm drita që bie mbi fytyrë. Është e drejta për të parë, për të kujtuar, për të folur, për të mos u fshirë. Është ajo pjesë e vogël e së vërtetës që secili brez duhet t’ia dorëzojë brezit tjetër. Por historia jonë letrare ka njohur shumë hise të humbura. Ka pasur njerëz që kanë shkruar në dritë dhe janë lexuar në errësirë. Ka pasur libra që kanë pritur vite për lexuesin e tyre. Ka pasur zëra që janë dëgjuar vetëm pasi koha kishte kaluar mbi ta si një natë e gjatë. Dhe prapë, libri ka mbetur. Kjo është mrekullia e letërsisë.

Ajo mund të humbasë autorin, por jo domosdoshmërisht zërin. Mund të humbasë kohën, por jo kujtesën. Mund të kalojë nëpër errësirë, por gjithmonë ruan diku një shkëndijë që pret një sy për ta parë. Dhe Ai e di…

Errësira vendoset shpejt pas perëndimit të Diellit. Por nuk është nata ajo që duhet të na trembë. Nata është pjesë e natyrës. Ajo që duhet të na trembë është errësira që ndërtohet me vetëdije brenda njeriut. Ajo errësirë që i bën fjalët të humbin kuptimin, që e kthen gjuhën në dekor, që e shndërron historinë në një fjali të papikësuar, që i mëson kujtesës të heshtë.

Prandaj edhe gjuha, në një pikë të caktuar, bëhet vetë një vend beteje. Gjuha në një fund. Gjuha në një fillim. Gjuha mes të dyjave. Morfologjia e kohës ndryshon. Sintaksa e kujtesës këputet. Fjalët mbeten, por marrëdhëniet mes tyre lëkunden. Dhe kur një gjuhë fillon të humbasë kuptimin e fjalëve të veta, ajo nuk humbet vetëm gramatikën; humbet një pjesë të vetvetes.

Ndoshta për këtë arsye stilolapsi vazhdon të punojë edhe kur dora lodhet. Dhe tastiera vazhdon të goditet nga gishta të padukshëm edhe kur bota ka mbyllur dritat.

Dikush duhet të dëshmojë. Dikush duhet të shkruajë atë që nesër do të kërkojë një lexues. Dikush duhet të ruajë një fjalë nga zhdukja. Dikush duhet të mbajë ndezur një dritë. Kujtime të hidhura. Kujtime të pavdekshme. Dy anë të së njëjtës faqe. Dhe ndoshta këtu qëndron edhe fuqia e letërsisë. Ajo nuk na premton se do ta mundë errësirën. Ajo na premton vetëm se nuk do ta pranojë atë si fat.

Duke rilexuar “Net Kosovare”, duke u ndalur te “Mëngjesi i së nesërmes”, ndjeva se leximi nuk ishte më thjesht kthim te një autor. Ishte një kthim te vetja. Te ajo pjesë e kujtesës që nuk pranon të plaket. Sytë u ndjenë të lagësht. A e kishin fajin sytë?

Ndoshta jo. Ndoshta fajin e kishte leximi. Ndoshta ishte ajo dritë e vogël që një libër ndez në një vend ku mendon se gjithçka është mbyllur, sepse çdo cikël përfundon, por asnjë fund nuk është absolut. Agimi vjen edhe kur nata duket e pafund. Drita nuk pyet nëse errësira është gati të largohet. Ajo thjesht vjen. Dhe kur vjen, zbulon edhe atë që nata kishte fshehur. Prandaj sot, pas kaq kohe, “Hisen e Diellit” nuk do ta lexoja vetëm si një kërkesë për dritë. Do ta lexoja si një kërkesë për drejtësi ndaj kujtesës, ndaj fjalës, ndaj librit dhe ndaj njeriut.

E theksoj, askush nuk duhet ta marrë të gjithë Diellin. As politikani, as zyrtari, as kritiku, as shkrimtari, as koha. Dielli nuk është pronë. Dhe secili brez duhet të ketë hisen e vet. Le ta lëmë, pra, një hise drite për ata që vijnë pas nesh. Për ata që do të lexojnë këto faqe kur emrat tanë të jenë bërë kujtime. Për ata që do të kërkojnë nëpër arkivat e kohës të dinë se çfarë kemi menduar, çfarë kemi ndier dhe çfarë kemi refuzuar të harrojmë.

Le të kemi më shumë Diell për letrat shqipe. Më shumë dritë për librin. Më shumë kujtesë për fjalën. Dhe më shumë njerëz që, kur u jepet një hise Dielli, nuk e mbajnë për vete. Adem Istrefi, faleminderit për atë hise drite që na e ke lënë në faqe, sepse disa libra nuk mbarojnë kur mbyllet kopertina. Ata vazhdojnë të lexojnë edhe lexuesin. Dhe ndoshta kjo është hiseja më e bukur e Diellit, ajo që nuk lëshohet kurrë. Ndoshta kjo është arsyeja pse, në një ditë si kjo, kur një brez i ri nis udhëtimin e tij drejt dijes, fjala “Diell” merr një kuptim edhe më të thellë. Çdo klasë është një dritare. Çdo libër është një dritë e mundshme. Çdo mësues është dikush që mund t’ia zgjasë një fëmije hisen e vet të Diellit, jo për një ditë, por për gjithë jetën. Nëse një shoqëri dëshiron të mos mbetet në errësirë, ajo duhet të fillojë pikërisht aty: duke i mësuar fëmijët të lexojnë, jo vetëm fjalët, por edhe botën; jo vetëm atë që u thuhet, por edhe atë që fshihet mes rreshtave.

Prandaj, në këtë mëngjes të ri shkollor, le ta kujtojmë edhe një herë se hiseja e Diellit nuk është diçka që duhet mbajtur peng. Ajo duhet dhënë. Nga mësuesi te nxënësi, nga libri te lexuesi, nga një brez te tjetri. Le të ketë dritë në klasat e Shqipërisë, dritë në gjuhën shqipe, dritë në librat që fëmijët do të hapin sot dhe në ëndrrat që do të shkruajnë nesër. Sepse një vend mund të ndërtojë shumë gjëra me duar, por të ardhmen e ndërton vetëm kur i jep fëmijës së vet hisen e plotë të Diellit.

(Londër, 2019 – 2026)


Send this to a friend