VOAL

VOAL

FOTOT: Për 2022, këta janë pesë shqiptarët e biznesit, zyrtarisht miliarderë

January 4, 2023

Komentet

Disa mendime për “ Kuvendin Kombëtar Qytetar” (KKQ) Nga Maestro Bujar Llapaj

“Këta të rinj rriten natyrshëm me ide të ndryshme nga tonat, sepse ata lindin për kohë kur ne nuk do të jemi më këtu.” Emile Zola

Qofsha i gabuar por :
.
1. Mbledhja për organizimin e KKQ më duket një hap i nxituar pa vënë në dyshim dëshirën apo qëllimin e mirë të organizatorëve.
.
2. Historikisht Shqiptarët janë përçarë nga protagonizmi kur kanë ndjerë erën e pushtetit.
.
3. Protesta paqësore edhe pse pa ‘Kryetar” , pa “kokë” po vazhdon të tërheqë vemendjen dhe përkrahjen e shqiptarëve dhe komunitetit ndërkombëtar për nga qartësia, vendosmëria dhe bukuria e saj, ashtu si statujat e përkryera antike mijëravjeçare pa kokë që vazhdojnë të admirohen edhe sot, ndërsa arkeologët vazhdojnë të gërmojnë për të gjetur kokat e tyre…
.
4. Mendoj se Protesta duhet të bashkojë sinqerisht të gjithë ata që mendojnë dhe ndjejnë se ky regjim klepto-autokratik duhet të çmontohet dhe të gjitha energjitë duhet të përqëndrohen në realizimin e pikës parë: Dorëheqja e panegociueshme e E-DRamës.
.
5. Natyrisht që duhet të jeni të përgatitur për alternativat, por këto mund të paraqiten në fazën e dytë, tretë etj.
.
6. Mendoj se për momentin çdo organizim tjetër nuk mund të anashkalojë organizatorët e protestës.
BASHKIM – BASHKËPUNIM – BASHKËRENDIM

Rubrika:T’i shpjegojmë Kryeministrit ekonominë- Shqipëria nuk ka çfarë të shesë, sepse nën drejtimin e tij nuk prodhon më asgjë!- Nga IRENA BEQIRAJ

Shumë i inatosur, i pa qetë, Kryeministri pyet çfarë mund të shesë Shqipëria për të siguruar mirëqënie……
Ka të drejtë të inatoset e të çirret, madje edhe të tallet, se përveç qelesheve ,shqiponjave , e flamurëve nuk kemi asgjë për të shitur veç vendit sepse ekonomia që krijoi ky Kryeministër nuk prodhon asgjë.
E ndërsa në 13 vite që drejton na ka siguruar “mirëqënie” për lloj e soj manovrash ekonomike si PPP, investimet strategjike , amnisti fiskale, Rilindja 1.0 e më pas 2.0, e deri për rrogat e larta edhe të krahasueshme me Greqinë të kamarierëve dhe pastruesve, asnjëherë nuk e gjeti as guxim e as forcë të flasë për motorrin e zhvillimit, prodhimin.
Ka të drejtë që nxehet. Sot nuk kemi çfarë të shesim se nuk prodhojmë.Jemi të varur nga importi se nuk prodhojmë . Nuk ofrojmë dot punësim cilësor se nuk prodhojmë . Madje nuk krijojmë e nuk shpërndajmë as njohuri se nuk prodhojmë. Nuk kemi ekonomi të qëndrueshme e si rrjedhim as mirëqënie , se nuk prodhojmë .
“Qëndrueshëria” nënkupton aftësinë për të përmbushur nevojat e tanishme pa kompromentuar aftësinë e brezave të ardhshëm për të përmbushur nevojat e tyre.
Edhe sektori prodhues është thelbësor në sigurimin e “qëndrueshmërisë” Prodhimi industrial jo vetëm është një motorr rritjeje për vendet në zhvillim, por për më tepër, është vërtetuar se ai është shtylla e nevojshme për të siguruar rritje ekonomike në kohët e vështira.
Prodhimi përveçse, rrit nivelet e konkurrencës, rrit produktivitetin, siguron punësim cilësor me paga të larta, ai siguron lidhje të ngushta me segmentet e tjerë të ekonomisë. Por prodhimi është e rëndësishme edhe në një aspekt tjetër. Proçeset e prodhimit shpeshherë mbështeten në inputet e sektorëve të tjerë, të cilët përparojnë me përparimin e industrisë prodhuese. Në këtë mënyrë prodhimi ofron funksionin e bartësit të shërbimeve të cilat nuk mund të shiten ose të eksportohen pa u inkorporuar në një produkt përfundimtar. Ndërkohë prodhimi është burimi kryesor i aktiviteteve të kërkimit, zhvillimit dhe inovacioneve kaq të rëndësishme në kohën e trasformiesh teknologjike. Për më tepër pa një industri të shëndetshme prodhuese, është e vështirë të balancohet bilanci tregtar; është e pamundur të krijohen vende pune me pagë të lartë për për nivele të ndryshme të aftësive; ndërkohë që me zhvillimet teknologjike industria prodhuese dhe shërbimet do të bëhenë gjithënjë e më shumë të pandashme dhe komplementare .
Ndërkohë, më shumë se pesë dekadat e liberalizimit të tregëtisë botërore treguan qartësisht se vendet që mbetën mbrapa në industrializim, apo për më keq përjetuan deindustrializim të vazhdueshëm edhe që larguan burimet, tokën, punën, kapitalin nga sektori prodhues, mbetën të pazhvilluara .
E pra sot që të mos shesim Shqipërinë, nuk na duhet makiazhi i fasadave, na nevojiten politika funksionale te mbështetura nga fonde të qënësishme buxhetore që adresojnë rritjen e ofertës në ekonomi nëpërmjet përmbushjes së 4 objektivave :
1) Fuqimzimit të sektorit ekzistues të prodhimit duke : neutralizuar efektet të mbivlersimit të lekut; duke zhvilluar drejtime të reja, siç është zhvillimi i zinxhirit të vlerave, në tekstile, agropërpunim , edhe industrinë e lehtë . Ndërkohë është e nevojshëm krijimi i Fondit të Investimeve të Ndërmjetme i cili duhet të shërbejë si bashkëfinancues për përgatitjen edhe realizimin e projekteve për zhvillim teknologjik.
2) Nxitjes së eksporteve, duke të përfshijë jo vetëm mudnësinë për zgjerimin e bazës aktutale eksportuese por në të njëjtën kohë zgjerimin e investimeve për tregje te reja dhe produkte të reja. Përvetësimi i tregjeve të reja, rritja e shitjes, rritja e konkurrencës në tregjet e reja, rritja e numrit të ndërmarrjeve me orientim eksporti, mbështetja edhe ndërkombëtarizimi përmes arritjes së standardeve, si dhe integrimi i burimeve të informacioneve eksportuese edhe shpërndarja e tyre janë kyce për sitimulimin e eksportuesve.
3) Rritjes së produkivitetit, trasferimit të tekonolgjive dhe inovacionit. Kjo kërkon krijimin e Zyrës Kombëtare për trasferimit të teknologjive e cila duhet të shërbërjë si nyje e ndërlidhjes midis firmave, universiteteve, laboratorëve të kërkimin publikë, agjencive qeveritare dhe institucione financiare . Mungesa e këtij ndërveprimi largon ose rrit distancën e bashkëpunimit midis këtyre aktorëve, duke i lënë ata të izoluar dhe jo bashkëpunues duke penguar trasformimin teknologjik dhe inovacionin.
4) Krijimi e një sektori prodhues që krijon dhe shpërndan njohuri. Dështimi në krijimin dhe shpërndarjen e njohurive ndodh për shkak se ne nuk e kemi kuptuar që njohuria prodhohet në ekonomi ( shpërndahet edhe përmirësohet në universitete) dhe për më tëper nuk e kemi konsideruar asnjëhërë njohurinë si e e mirë publike . Ndaj është e rëndësishme mbështetja e qeverisë në gritjen dhe fuqizimin e sektorëve të teknologjikë dhe të kërkimit, aftësimi pofesional dhe praktikë i të personave të rinj të sapo punësuar, si dhe sigurimi i ekspertizës teknike ndërkombëtare për kompanitë vendase.
Patjetër ky është ushtrim i vështirë për këdo qeveri por më e keqja eshtë e se për QEVERINË E ” rilindjes së fasadave kazinove e koncerteve është i pamundur .
Ndaj i bindur edhe i inatosur për këtë pamundësi ai çirret se nuk ka ç’të shesë përveç Shqipërisë

Uashington, takimi i nivelit të lartë mbi ringjalljen e terrorizmit politik – Nga Kastriot Haxhiaj Washington DC

​Më 16 korrik 2026, Shtetet e Bashkuara organizuan në Uashington, D.C., takimin historik në nivel ministror mbi ringjalljen e terrorizmit politik (Ministerial on the Resurgence of Political Terrorism).
I thirrur dhe i kryesuar nga Sekretari i Shtetit Marco Rubio, në takim morën pjesë kryediplomatë, zyrtarë të zbatimit të ligjit dhe ekspertë të kundërterrorizmit nga 67 vende për të trajtuar atë që organizatorët e cilësojnë si një “pikë të verbër” kritike në sigurinë globale: rritjen e dhunës në shkallë ndërkombëtare të së majtës ekstreme.
​Konferenca përcaktoi se, ndërsa 25 vitet e fundit u fokusuan kryesisht në luftën kundër ekstremizmit radikal islamik—një kërcënim që administrata e sotme e sheh si të zvogëluar ndjeshëm—tani nevojitet një arkitekturë e re ndërkombëtare për të çmontuar një valë të re, një rrjet global të terrorizmit politik të së majtës ekstreme.
Konteksti Historik
​Duke hapur takimin, Zëvendëssekretari i Shtetit, George Landau, vuri në dukje se për ata që u rritën në vitet 1970, ky kërcënim është “tepër i njohur”. Ai hoqi paralele të drejtpërdrejta midis rrjeteve moderne të decentralizuara dhe grupeve militante famëkeqe të fundit të shekullit të 20-të, si Brigadat e Kuqe në Evropë dhe Grupi Baader-Meinhof (Fraksioni i Ushtrisë së Kuqe), Tupamaros dhe Montoneros në Amerikën e Jugut, si dhe Weather Underground dhe Ushtria Çlirimtare e Zezë në Shtetet e Bashkuara.
​Sekretari Rubio nënvizoi ashpërsinë e asaj epoke historike, duke vënë në dukje se “Në një periudhë 18-mujore midis viteve 1971 dhe 1972, FBI-ja numëroi rreth 2,500 sulme me bombë në Shtetet e Bashkuara — një mesatare prej gati pesë në ditë. Pjesa dërrmuese e kësaj dhune erdhi nga ekstremistët e majtë. Midis viteve 1970 dhe 1980, 93 për qind e sulmeve terroriste në Perëndim e kishin origjinën tek e majta ekstreme”.
Zoti Landau theksoi se, ndërsa këto lëvizje u mposhtën në të kaluarën, ato mund të mposhten përsëri përmes një “udhëheqjeje të qartë” dhe një veprimi të përbashkët ndërkombëtar.
“Pika e Verbër” Amerikane dhe Anshmëria Institucionale
​Një temë qendrore ishte “paragjykimi i jashtëzakonshëm ideologjik”, i cili, sipas zyrtarëve të lartë, historikisht ka shfajësuar ose minimizuar dhunën e së majtës. Sekretari Rubio akuzoi se shumë institucione, universitete dhe mediume e trajtojnë terrorin e së majtës ekstreme si një “sajesë partiake” ose si një tepricë “të virtytshme” idealizmi, ndërsa dënojnë me të drejtë dhunën e së djathtës ekstreme.
​Për të kundërshtuar këtë narrativë, Sekretari Rubio vuri në dukje disa “realitete të pamohueshme” të kohëve të fundit në Amerikë. Ai theksoi trazirat e vitit 2020 ku u dogjën dhe plaçkitën qytete të tëra, ndërsa mediat kryesore i cilësuan këto ngjarje si “gjerësisht paqësore”, madje edhe kur ndërtesat digjeshin në sfondin nga ku raportonin gazetarët, tha ai.
Dhuna ndaj zbatuesve të ligjit
Një përshkallëzim i rëndë i sulmeve të dhunshme ndaj zbatuesve të ligjit dhe objekteve të Emigracionit (ICE), duke përfshirë sulme me snajper dhe prita të armatosura.
Atentate dhe komplote të nivelit të lartë
SHBA-ja ësvhtë përballur me përpjekje të shumta për atentat ndaj Presidentit Trump, vrasjen e stilit të ekzekutimit të CEO-s të UnitedHealthcare, Brian Thompson, dhe vrasjen e aktivistit të njohur konservator Charlie Kirk.
Natyra dhe taktikat e së majtës ekstreme
​Këshilltari i Shtëpisë së Bardhë, Stephen Miller, e cilësoi terrorizmin e së majtës ekstreme si një kërcënim ekzistencial që synon përmbysjen e formës republikane të qeverisjes në Shtetet e Bashkuara. Ai argumentoi se këto lëvizje udhëhiqen thelbësisht nga një “urrejtje e brendshme” dhe zili ndaj qytetërimit, familjes tradicionale dhe jetës së rregullt.
Folësit identifikuan disa nga taktikat kryesore të përdorura nga këto rrjete. Zoti Miller pohoi se një tipar dallues i dhunës së të majtës është “thirrja krejtësisht e rremë dhe e pasinqertë për liritë civile”, në një përpjekje mashtruese për t’i shpëtuar ndëshkimit penal dhe për të manipuluar simpatinë publike.
Pengimi institucional
Aktivistë lokalë dhe fushata presioni kanë tentuar gjithnjë e më shumë të mbrojnë nga ndjekja penale aktet e qarta të dhunës kundër oficerëve federalë.
Koordinimi ndërkombëtar
Rrjete si Antifa nuk njohin kufij. Militantët udhëtojnë aktivisht midis Europës dhe Amerikës për të marrë pjesë në aksione të përbashkëta, duke përdorur kanale të koduara komunikimi për të ndarë manuale taktike, për të koordinuar logjistikën dhe për të lëvizur fonde të paligjshme përmes bazave të fshehta, thanë zyrtarët.
Sekretari Rubio paralajmëroi se këto rrjete shpesh veprojnë së bashku ose mbështeten nga shtete të huaja armiqësore si Kuba dhe Irani.
​Përgjigja Strategjike: NSPM-7 dhe Ndërprerja Financiare
​Për të luftuar këtë kërcënim, SHBA-ja ka mobilizuar zbatimin e ligjit federal nën Memorandumin Presidencial të Sigurisë Kombëtare 7 (NSPM-7), të nënshkruar nga Presidenti Trump, i cili udhëzon të gjitha agjencitë e zbulimit, thesarit dhe zbatimit të ligjit të bashkëpunojnë për identifikimin, arrestimin dhe bllokimin e llogarive bankare të këtyre terroristëve politikë, sipas zyrtarëve.
Departamenti i Thesarit po udhëheq përpjekjet për të ndërprerë burimet financiare të këtyre grupeve. Sekretari i Thesarit, Scott Bessent—i cili ishte objektivi i një atentati nga një aktivist i së majtës—nënvizoi se si strukturat legjitime jofitimprurëse, akademike dhe bamirëse po shfrytëzohen sistematikisht për të pastruar dhe transferuar fonde të paligjshme në shërbim të së majtës ekstreme.
Takimi u mbyll me një thirrje të prerë që “bota e qytetëruar” të qëndrojë e bashkuar. Zoti Stephen Miller paralajmëroi se nëse shoqëritë e lira tregohen “më të buta se ato që kërkojnë zhbërjen tonë,” një pakicë radikale dhe e organizuar do t’ia dalë mbanë të destabilizojë rendin demokratik.
Vendet pjesëmarrëse ranë dakord të rrisin shkëmbimin e të dhënave të zbulimit dhe të çmontojnë sistematikisht këto rrjete armiqësore, duke garantuar sigurinë e institucioneve të lira përballë errësirës kërcënuese të terrorizmit politik

Media prestigjioze amerikane: Protestat 6-javore në Shqipëri po e çojnë Ramën drejt rrëzimit. Lëvizja ka edhe mbështetjen e Dua Lipës

“Protestat në Shqipëri kanë hyrë në javën e tyre të gjashtë”, shkruan media amerikane, duke përmendur gjithashtu se revolta qytetare ka marrë  edhe mbështetjen e yllit shqiptar me famë botërore, Dua Lipa.

Ajo që filloi si një “revolucion flamingo”, për të ruajtur jetën e egër bregdetare të mbrojtur nga një zhvillim turistik prej 1.4 miliardë dollarësh në ishullin e Sazanit, u shndërrua në protesta masive kundër qeverisë shqiptare.“, shkruan media.

Artikulli i plote: 

Protestat në Shqipëri të shkaktuara nga një sipërmarrje pasurish të patundshme me vlerë shumëmiliardë dollarësh e mbështetur nga Ivanka Trump dhe Jared Kushner kanë hyrë në javën e tyre të gjashtë, duke marrë mbështetje nga ylli i popit Dua Lipa, prindërit e së cilës janë shqiptarë të Kosovës.

Në qershor, WIRED raportoi se si ajo që filloi si një “revolucion flamingo”, për të ruajtur jetën e egër bregdetare të mbrojtur nga një zhvillim turistik prej 1.4 miliardë dollarësh në ishullin e Sazanit, u shndërrua në protesta masive kundër qeverisë shqiptare.

Më 23 maj u përhap fjala për një zhvillim të propozuar në zonën e Zvërnecit – rreth 9 milje larg ishullit të Sazanit – i cili është i lidhur me kompaninë e Kushnerit, Affinity Partners. Lajmi u prit me një reagim të fortë për shkak të ekosistemit Vjosa-Narta, një nga sistemet e fundit bregdetare të egra të Evropës. Përplasjet midis vendasve dhe sigurisë së vendit të zhvillimit sollën vëmendjen kombëtare ndaj një projekti që kritikët thonë se ishte diskutuar më parë me transparencë të kufizuar.

Protestat shpejt u përhapën në kryeqytet, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit dhe shfuqizimin e legjislacionit që shumë thonë se mundëson investime të pakontrolluara. Flamingot – speciet e shpendëve që banojnë në zonën e propozuar të zhvillimit – u bënë simbole të rezistencës kundër asaj që protestuesit e përshkruajnë si privatizim të tokës bregdetare dhe natyrës publike. Panorama

Me besim në Zot dhe elektorat për ringritjen e partisë!- Nga Florim Zeqa

 

 

LDK dikur ishte krenaria, shpresa dhe besimi i qytetarëve të Kosovës, tani është kthyer në farsë politike të cilës nuk i beson më askush në Kosovë! Si t’i besohet një subjekti politik që mbahet peng nga klanet dhe grupet e interesit, të cilat po e dëmtojnë të ardhmen e shtetit!

 

Iniciatorët e ‘votëbesimit’ janë mbështetësit më besnik të kryetarit dështak të partisë

 

Pengmbajtësit, të ndarë dhe përqarë për ambicie personale po e rrënojnë pamëshirshëm në themelet e saj LDK-në e liderit historik, Ibrahim Rugova!

LDK-ja përveqse amanet i Rugovës, është amanet politik i mijëra aktivistëve dhe veprimtarëve të orëve të para që sakrifikuan në kohët më të vështira për Kosovën.

Mirëpo, drejtuesit post-rugovian, po e trajtojnë LDK-në si plaçkë lufte dhe si mjet për arritjen interesave personale.

Garën e ndershme dhe demokratike e kanë kthyer në maskaradë zgjedhore brenda partisë!

Votën e lirë e kanë kthyer në aklamacion, kurse rivalitetin politik e kanë kthyer në luftë klasash brenda partisë!

Degradimi e arriti kulmin kur dorëheqja e kryetarit humbës të zgjedhjeve u kthye në ‘votëbesim’ (uzurpim të partisë)!

Klanorët gjedhjet e brendshme i kanë zëvendësuar me ‘mocione votëbesimi’ për kryetarin sa për të justifikuar pazaret politike për poste të larta në parti!

Iniciatorët e ‘votëbesimit’ janë mbështetësit më besnik të kryetarit të partisë!

‘Votëbesimi’ është loja më e pandershme që ka ndodhur ndonjëherë në LDK nga themelimi e deri në ditët e sotme!

Kjo lojë është e organizuar nga klani i Isa Mustafës për ta mbrojtur produktin e tij-Lumir Abdixhiku!

Në fakt, që pas vdekjes së liderit historik, LDK është në kërkim të një lideri karizmatik, por ndodhet shumë largë atij qëllimi, për shkak të largimit të figurave markante dhe themeltarët nga klanorët aktualë!

Beteja politike mes klaneve për kapjen e partisë e ka dobësuar aq shumë LDK-në, saqë vetëm një figurë e re mund ta bëjë kthesën e madhe në këtë subjekt politik!

Liderët lindin, ata nuk krijohen me stimulime dhe ndarje të partisë!

Partia nuk bashkohet me fjalë por më vepra!

Aktivistët dhe veprimtarët që i qëndruan besnik idealit të tyre, që dhanë gjithçka për LDK-në, nuk iu besojnë më klaneve dhe grupeve të interesit që e ndanë dhe përqanë partinë!

Ata që i dhanë shtëpisë emër nuk janë më pjesë e saj, vendet e tyre i zunë matrapazët dhe mercenarët, parashutistët dhe të ricikluarit politikë! Ata që sot e kërkojnë besimin në LDK janë njerëz pa themel dhe pa asnjë gjurmë rugoviane në LDK!

 

Ka ardhur koha që Lidhjen Demokratike të Kosovës ta udhëheqë një intelektual i kalibrit nga mërgata. Lideri i LDK-së duhet të jetë i vendosur dhe i guximshëm, përbashkues dhe unifikues i vlerave rugoviane i cili nuk është pjesë e klaneve dhe grupeve të interesit në LDK.

 

I tillë jam unë, e kam dijen, dëshirën, vullnetin, vendosmërinë dhe guximin për reformimin e thellë të LDK-së pa asnjë ambicie personale, me forcën dhe qëllimin hyjnor, me besim në Zot dhe elektorat për ringritjen e partisë.

 

 

Florim Zeqa, kandidat për kryetar të LDK-së!

Orsago (Itali), 17.07.2026

BIRN: Konventa e Bernës kritikon qeverinë për mungesë informacioni mbi Vjosë-Nartën

Byroja e Konventës së Bernës ka ashpërsuar tonet ndaj qeverisë shqiptare lidhur me zhvillimet infrastrukturore dhe turistike në peizazhin e mbrojtur të Vjosa-Nartës, një zonë e propozuar si pjesë e Rrjetit Emerald.

Në një letër të fundit të 15 korrikut 2026, drejtuar Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit dhe organizatave mjedisore në Shqipëri, Byroja shpreh “keqardhje” për mungesën e informacionit gjithëpërfshirës mbi projektet dhe kërkon me ngulm paraqitjen e një Vlerësimi të Ndikimit në Mjedis që të llogarisë ndikimin kumulativ të Aeroportit të Vlorës dhe atyre që i quan “projekte të reja të zhvillimit turistik”, që duket se lidhen me planet për resorte me pesë apo më shumë yje në zonë.

Dokumenti i publikuar nga EcoAlbania, që bashkë me PPNEA është regjistruar si ankues në kërkesat drejtuar Konventës, konfirmon se Konventa e Bernës mori në shqyrtim situatën në mbledhjen e qershorit, pas ankesave nga organizatat mjedisore dhe njoftimeve shqetësuese nga qytetarët. Në letër përshëndetet pezullimi i përkohshëm i punimeve dhe premtimi i qeverisë për një VNM të re të thelluar.

“Byroja shqyrtoi informacionin e marra mbi projektet e reja të zhvillimit turistik brenda zonës kandidate Emerald të Vjosa-Nartës dhe përshëndeti pezullimin e punimeve të ndërtimit në këtë zonë si dhe angazhimin e autoriteteve shqiptare për të kryer një Vlerësim të Ndikimit në Mjedis,” thuhet në letër.

Por nga ana tjetër, Byroja thekson se institucionet shqiptare po tregohen hermetike dhe se informacioni i ndarë ishte i paplotë.

“Megjithatë, ajo shprehu keqardhje që autoritetet nuk kishin ofruar informacion të detajuar mbi zonën kandidate Emerald të Vjosa-Nartës dhe ende nuk kishin dorëzuar një Formular të përditësuar të të Dhënave Standarde për zonat Emerald në Shqipëri”, thuhet në reagim.

Përfaqësuesit e Konventës paralajmërojnë gjithashtu se “qasja e ndjekur nga autoritetet shqiptare mund të paraqesë rreziqe të ngjashme për site të tjera kandidate Emerald në vend.”

Organizata EcoAlbania e cilësoi letrën e Konventës së Bernës si një mesazh të fortë ndaj Qeverisë Shqiptare lidhur me kërcënimet e vazhdueshme ndaj sitit Emerald Vjosa-Nartë dhe bëri me dije se konventa ishte njoftuar edhe për punimet e kryera tashmë në zonë.

“Konventa e Bernës nuk mund të kishte qenë më e qartë. Qeveria Shqiptare nuk mund të vazhdojë të sillet sikur detyrimet ndërkombëtare janë çështje zgjedhjeje, ndërkohë që u hap rrugën investitorëve brenda zonave të mbrojtura,” citohet Olsi Nika, Drejtor Ekzekutiv i EcoAlbania, në deklaratën për shtyp të organizatës mbi letrën.

“Vjosa-Narta është një zonë me vlera të jashtëzakonshme natyrore, e njohur ndërkombëtarisht, jo një kantier ndërtimi… Qeveria duhet të ndalojë së kërkuari mënyra për t’iu shmangur vendimeve të Konventës së Bernës dhe të nisë zbatimin e tyre”, citohet mëtej Nika.

Në letrën e Sekretariatit të Konventës, kujtohet edhe kërkesa e parealizuar e Komitetit të Përhershëm nga dhjetori 2025 për pezullimin e ndërtimit të Aeroportit të Vlorës deri në përfundimin e një VNM-je të re e të saktë, kusht ky që, sipas tyre, lidhet drejtpërdrejt me procesin e integrimit evropian të Shqipërisë.

Byroja i ka lënë afat qeverisë deri më 15 gusht 2026 për të dorëzuar detaje mbi “lejet e dhëna dhe hapat proceduralë”, si dhe harta të mbivendosjes mes zonave të mbrojtura dhe projekteve zhvillimore. Më pas, në shtator, do të vendoset nëse Konventa do të dërgojë një mision vlerësues në terren./BIRN

Aeroplanët Rafale, hapi i Ukrainës drejt një flote perëndimore

Një pilot i ushtrisë së Indisë duke u ngjitur në aeroplanin Rafale. India është ndër vendet që ka flotën më të madhe në botë me këto fluturake franceze.

 

Amos Chapple

Nëse Franca e mban fjalën që e dha më 14 korrik që aeroplanët luftarakë Rafale do t’i dërgohen Ukrainës në një të ardhme të afërt, forcat ajrore të Kievit së shpejti do të operonin me tetë modele të ndryshme të aeroplanëve luftarakë, të dizajnuara në katër shtete të ndryshme.

Parisi njoftoi më 14 korrik se katër nga 16 aeroplanët e llojit Dassault Rafale do t’i dërgohen Ukrainës sapo pilotët e vendit dhe ekipet e mirëmbajtjes të trajnohen për të operuar me këtë fluturake franceze. Trajnimet mund të nisin “po më 2026”, sipas një deklarate të përbashkët të lëshuar nga Franca dhe Ukraina.

Pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik, forcat ajrore të Ukrainës trashëguan dhjetëra aeroplanë të epokës sovjetike, të cilët ende janë shtylla kryesore e flotës sulmuese ajrore. Por, që nga nisja e pushtimit rus të Ukrainës më 2022, aleatët perëndimorë e kanë furnizuar Kievin me aeroplanë të prodhimit amerikan F-16, por edhe me disa fluturake franceze Mirage 2000. Disa aeroplanë Gripen të Suedisë pritet të operohen nga pilotët ukrainas në fillim të vitit të ardhshëm, dhe Rafalet pritet të jenë fluturaket e radhës.

Operimi i një flote kaq të larmishme të fluturakeve luftarake zakonisht nuk preferohet nga ushtritë “për shkak të humbjes së përfitimeve ekonomike dhe për shkak të nevojës për të krijuar sisteme trajnimi, mbështetjeje dhe mirëmbajtjeje për secilin lloj aeroplani”, tha për Radion Evropa e Lirë, Christoph Bergs, analist për fuqinë ajrore në Institutin Mbretëror të Shërbimeve të Bashkuara (RUSI).

Disa shtete të NATO-s operojnë me flota të përbëra vetëm nga një model i aeroplanëve luftarakë, ndërsa edhe forcat ajrore të mëdha, si ato të Gjermanisë dhe Francës, aktualisht përdorin vetëm dy lloje të fluturakeve sulmuese.

Bergs tha se rritja e kompleksitetit të flotës ajrore luftarake të Ukrainës ka të ngjarë të jetë një hap drejt synimit afatgjatë të vendit për të hequr dorë plotësisht nga aeroplanët e epokës sovjetike. Mirëmbajtja e këtyre aeroplanëve po bëhet gjithnjë e më e vështirë për Kievin, pasi zinxhirët e furnizimeve me pjesë kyç janë ndërprerë për shkak të armiqësive pasi Rusia aneksoi Krimenë më 2014.

“Ukraina do të synojë të zëvendësojë flotën e trashëguar sovjetiko-ruse me aeroplanë krejtësisht perëndimorë”, parashikoi eksperti i fuqisë ajrore. “Prandaj, numri relativisht i vogël i aeroplanëve Gripen dhe Rafale, që do të futen gradualisht gjatë viteve të ardhshme, fillimisht do të shërbejë për një periudhë kalimtare, me gjasë të përshpejtuar, të trajnimit dhe integrimit taktik në skuadrilje”, thotë ai.

Aeroplani Rafale hyri për herë të parë në shërbim të forcave të armatosura franceze më 2001 dhe mori pjesë në operacionet e para luftarake vitin pasues, gjatë inavazionit të Afganistanit, të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara. Kjo fluturake me dy motorë është dizajnuar që të luftojë aeroplanë të tjerë apo të shënjestrojë caqe në tokë, ditën dhe natën.

Rafale ka pasur sukses në tregun e eksporteve pjesërisht për shkak të faktit se shoqërohet me më pak kushte gjeopolitike sesa aeroplanët luftarakë të tjerë të ngjashëm me të të prodhuar nga Rusia, Shtetet e Bashkuara apo Kina.

Dy aeroplanë luftarakë Rafale të ushtrisë franceze.

Dy aeroplanë luftarakë Rafale të ushtrisë franceze.

Egjipti, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe India aktualisht kanë flotat më të mëdha me Rafale franceze. Emri i këtij aeroplani në shqip mund të përkthehet si stuhi, erë e fuqishme apo shpërthim zjarri.

Kritika kryesore ndaj aeroplanit Rafale lidhet me koston e tij. Varësisht nga paketa e pajisjeve dhe mbështetjes, çmimi i një fluturakeje të vetëm mund të arrijë deri në rreth 250 milionë dollarë.

Edhe kostot e operimit janë të mëdha. Vlerësohet se fluturimi me një Rafale kushton nga 16.000 deri në 31.000 dollarë për një orë fluturim.

Ukraina planifikon që në fund të blejë 100 aeroplanë luftarakë Rafale, ndërsa financimi për këtë blerje do të sigurohet nga një kredi e Bashkimit Evropian prej 90 miliardë eurosh “si dhe nga çdo burim tjetër financimi”, kanë bërë të ditur Kievi dhe Parisi.

Përgatiti: Mimoza Sadiku

BIRN: Brukseli rrit presionin për ligjin e Zonave të Mbrojtura dhe Investimeve Strategjike, por maxhoranca bllokon nismat në Kuvend për shfuqizimin e tyre

Komisioni Europian kërkoi nga qeveria shqiptare anulimin e ndryshimeve ligjore të vitit 2024 që prekin Zonat e Mbrojtura dhe shfuqizimin e ligjit për Investimet Strategjike, ndërkohë që në Kuvend, mazhoranca bllokon nismat e opozitës për shfuqizimin e tyre.

Komisionerja Europiane për Zgjerimin, Marta Kos i kërkoi të martën kryeministrit Edi Rama që të shfuqizojë ligjin për Investimet Strategjike dhe amendimet e vitit 2024 të ligjit për Zonat e Mbrojtura, duke rritur presionin ndaj qeverisë shqiptare për të qenë në linjë me standardet europiane, ndërkohë që protestat e përditshme në Shqipëri kanë hyrë në muajin e dytë të tyre.

E pyetur për projektin specifik në zonën e mbrojtur të Zvërnecit që ndezi protestat popullore, komisionerja Kos tha se: “mbrojtja mjedisore është pjesë e kritereve të anëtarësimit në BE, kritere shumë të rëndësishme dhe aktualisht ka një sërë ligjesh që duhen ndryshuar për të përmbushur këtë kriter”.

“Po edhe përpara sesa të nisnin këto protesta, kishim rënë dakord me Shqipërinë që gjatë këtij viti do të shfuqizoheshin amendamentet e vitit 2024 të ligjit për Zonat e Mbrojtura,” theksoi ajo.

Kos i bëri deklaratat në një konferencë për shtyp me kryeministrin Edi Rama pas konferencës së IX ndërqeveritare Shqipëri- BE, ku u zyrtarizua mbyllja e tre kapitujve negociues. Vetë Rama dha një përgjigje të paqartë për kërkesën që lidhet me ligjin për Zonat e Mbrojtura, ndërsa përsëriti se projekti turistik në Zvërnec do të bëhet.

“Shfuqizimi nënkupton anulim dhe ligji për Investimet Strategjike do të shfuqizohet dhe anulohet, ndërkohë që ligji për Zonat e Mbrojtura, që është një nga ligjet më të mira që kemi, do të përshtatet derisa të arrijë 100% standardet europiane,” tha Rama.

Ligji kontrovers për Investimet Strategjike, i miratuar në vitin 2015 si një ligj i përkohshëm për të nxitur investimet e huaja në sektorë strategjikë të ekonomisë, shërbeu në fakt si një mekanizëm për të lehtësuar ndërtimet në bregdet të biznesmenëve të afërt me qeverinë. Mazhoranca socialiste votoi shtyrjen e efekteve të tij gjashtë herë, edhe pse ishte zotuar për hartimin e një ligji të ri për investimet si pjesë e dokumentit negociues me Bashkimin Europian.

Nga ana tjetër, ligji për Zonat e Mbrojtura i vitit 2017 u ndryshua në vitin 2024 nëpërmjet një procesi jotransparent, pa konsultim të mirëfilltë dhe me kundërshtimin e organizatave mjedisore dhe kritikave të BE-së, duke hequr barrierat ligjore mbrojtëse për zonat e mbrojtura natyrore për t’i hapur rrugë betonizimit të tyre me projekte ndërtimesh si ai i Zvërnecit.

Prej fillimit të protestave, Partia Demokratike ka depozituar në Kuvend dy nisma ligjore për shfuqizimin e ndryshimeve të vitit 2024 në ligjin për Zonat e Mbrojtura, por asnjëra prej tyre nuk është futur në shqyrtim.

Të martën, mazhoranca socialiste kundërshtoi futjen në rendin e ditës të komisionit parlamentar për Turizmin një nismë ligjore të deputetes Ina Zhupa që propozonte shfuqizimin e ndryshimeve ligjore të bëra në vitin 2024 në ligjin për Zonat e Mbrojtura. Si kryetare e komisionit, ajo propozoi futjen në kalendar të nismës së saj të depozituar që në datën 14 maj në Kuvend, por nënkryetari socialist i Komisionit, Erjon Malaj tha se mazhoranca ishte kundër dhe që nismat duhej të përfshiheshin në kalendar pas vendimit të Konferencës së Kryetarëve.

Edhe deputeti i Lëvizjes Bashkë, Redi Muçi, ka depozituar po ashtu nisma të ngjashme që kërkojnë shfuqizimin e atyre që konsiderohen si “ligje me porosi”, mes të cilave dhe dispozitat e ligjit për Zonat e Mbrojtura.

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku vuri në dukje të mërkurën gjatë mbledhjes së komisionit parlamentar për të Drejtat e Njeriut se asnjë prej ‘zotimeve’ të Ramës nuk ishte reflektuar në kalendarin e punës së Kuvendit për javët e fundit të këtij sesioni parlamentar.

“Nuk janë harresa dhe as gabime të qeverisë, janë mënyra se si këta kanë funksionuar, si i kanë ndarë asetet publike,” tha Tabaku për BIRN, ndërsa solli në kujtesë përpjekjet e vazhdueshme të opozitës kundër këtyre ligjeve.

Sipas Tabakut, ligji për Investimet Strategjike është shtyrë gjashtë herë dhe përgjatë këtyre viteve, ajo thotë se ka të paktën 15 komunikime me Komisionin Europian, me delegacionin dhe Parlamentin Europian, ku theksohet se ky ligj është kundër marrëveshjes së Asocim-Stabilizimit dhe që prek kapitullin 27 të integrimit.

Për këtë arsye, Tabaku i sheh deklaratat e Ramës jo si premtime serioze, por si një “kalim radhe”.

“Ky është një shqetësim jo vetëm i BE, por për garën në vend, sepse këto ligje kanë cënuar konkurrencën, kanë cënuar asestet publike duke i ndarë pa konkurs dhe ka krijuar një precedent të rrezikshëm dhe për të ardhmen, sepse këto ligje nuk vijnë ndaras, janë pjesë e një pakete të ligjeve me porosi,” tha Tabaku.

Edhe deputeti Redi Muçi e pret me mosbesim deklaratën e Ramës, ndërkohë që nismat e tij për shfuqizimin e këtyre dispozitave ligjore që kërkohen nga BE rrinë në sirtarët e Kuvendit dhe nuk futen në shqyrtim.

“Nuk fakt më duket se Rama është detyruar t’i përshtatet narrativës së Marta Kos, si dhe rezolutës së PE, por nuk besoj se do t’i shfuqizojë këto ndryshime ligjore, sepse dhe më parë ka pasur kërkesa nga Brukseli për këto ligje problematike,” tha Muçi.

Sipas tij, strategjia e qeverisë shqiptare është ajo e ‘faktit të kryer’, siç ndodhi me investimin e Zvërnecit, “ku u rrethua hapësira e parashikuar për ndërtime dhe nisën punët pa pasur asnjë dokument shtetëror që të justifikonte gjithë këtë ndërhyrje”.

Muçi paralajmëron se presioni për të shfuqizuar këto dispozita ligjore mund të sjellë efektin e kundërt.

“Ka për të përshpejtuar ndërhyrjet në Zonat e Mbrojtura, por besoj se do t’a ketë të vështirë nga reagimi i njerëzve,” tha ai, duke konsideruar protestat si pengesë për planet e qeverisë, siç ndodhi me Zvërnecin./BIRN

Revolta në Tiranë në ditën e 47, Sky News: Dua Lipa mbështet shqiptarët që protestojnë, i cilësoi frymëzues

Mbështetja që këngëtarja Dua Lipa ka shprehur për protestat që po vijojnë prej 47 ditë tashmë në Tiranë, ka rrëmbyer titujt kryesorë të mediave më të mëdha në botë.


Së fundmi edhe Sky News, i ka kushtuar një artikull vendimit të këngëtares shqiptare.

“Dua Lipa ka shprehur mbështetjen e saj për shqiptarët që protestojnë kundër planeve për një vendpushim luksoz të lidhur me dhëndrin e Donald Trump, Jared Kushner.

Screenshot
Screenshot

Ylli i popit, e cila ka prindër shqiptarë të Kosovës, i përshkroi protestat si “frymëzuese” në podkastin ku mori pjesë.

Demonstratat kanë parë përleshje të policisë me protestuesit për më shumë se një muaj”, shkruan SkyNews. gsh

Gazetari Gjergj Erebara e ironizoi në rrjetet sociale, Balla i kundërvihet BIRN-it dhe u kërkon llogari ambasadave e donatorëve, mes tyre edhe Sorosit

Kreu i Grupit të PS, Taulant Balla është përfshirë në një replikë në distancë me gazetarin e BIRN, ekspertin e ekonomisë, Gjergj Erebara. Shkak është bërë një postim ironik që gazetari ka hedhur në rrjetin e privat Facebook.

Gazetari Erebara postoi një fotografi të modifikuar me AI, në të cilën ironizohej emri i Ballës dhe fotografitë nga droni që ky i fundit poston për të sulmuar protestën e qytetarëve që kërkojnë dorëheqjen e Edi Ramës.

 

 

“Urgjent të mblidhen 30 patronazhistë ta bëjnë P-në B. Pranohen edhe trafikantë droge nga Elbasani. Kjo foto është krijim artistik dhe nuk reflekton postim real,” shkruan Erebara.

Erebara
Erebara

Pas këtij postimi, kreu i Grupit të PS sulmoi jo vetëm gazetarin, por edhe BIRN. Balla i kërkoi llogari ambasadave dhe donatorit Soros, i cili përmes Fondacionit për Shoqërinë e Hapur, jep fonde për këtë media.

Auto Sorosi11784116366
Auto Sorosi11784116366

“Ky “falsifikator” qenka redaktor/bashkëpunëtor i BIRN Albania, një organizatë që u merrka me gazetari investigative si dhe me trajnimin e gazetarëve dhe projekte për forcimin e transparencës dhe llogaridhënies. Hajde mision hajde. Hajde gazetari investigative hajde. TURP!

Organizata u financoka nga donatorë ndërkombëtarë, përfshirë programe të Bashkimit Evropian, ambasada, fondacione dhe organizata ndërkombëtare, sipas projekteve që zbaton. Madje deklaron se misioni i saj është promovimi i gazetarisë cilësore, transparencës, llogaridhënies dhe vlerave demokratike.

Kam një pyetje për këto donatorët: Fondacioni Shoqëria e Hapur në Shqipëri (OSFA), Agjencinë Suedeze për Bashkëpunim Ndërkombëtar për Zhvillim (SIDA) dhe ambasadat e disa vendeve (nuk po i përmend këtu sepse do t’i drejtohem direkt), a është kjo në foto ajo gazetaria cilësore, transparente, që ju keni financuar? A mendoni se në vendet tuaja mund të lejohet që redaktori i një mediaje të financuar me para publike të falsifikojë dhe fyejë deri në këtë nivel?” shkruan Balla.

“Kjo racë autokratësh kalëron mbi varfërinë dhe papunësinë e njerëzve” – Deklarata e Ramës si opozitar që po bën xhiron e rrjetit

Në kohën kur fliste nga pozitat e opozitarit, Edi Rama artikulonte një të vërtetë të hidhur mbi natyrën e pushtetit në Shqipëri.

“Për këtë racë autokratësh njerëzit duhet të jenë të varfër sepse janë më të kollajshëm si zgjedhës… këta kalërojnë mbi dëshpërimin e njerëzve që t’i gënjejnë me një thes miell, t’u shtrojnë një rrugicë apo t’u marrin kartën e identitetit për 50 mijë lekë”, shprehej Rama për qeverinë asokohe.

 

 

Sot, pas më shumë se një dekade në pushtet, kjo deklaratë nuk tingëllon më si një akuzë ndaj paraardhësve, por si një diagnozë e saktë e qeverisjes së tij aktuale.

Prej më shumë se një muaji e gjysmë, Shqipëria po përballet me protesta masive popullore. Sheshet dhe rrugët e vendit janë mbushur nga qytetarë që nuk kërkojnë thjesht ndryshim emrash në zyra, por fundin e një sistemi që i ka varfëruar dhe i ka detyruar të emigrojnë.

Ironikisht, revolta e sotme ushqehet pikërisht nga ato fenomene që Rama denonconte dikur: varfëria ekstreme, përdorimi i ndihmave selektive, premtimet e ricikluara për “asfalt e ujë” dhe kontrolli i votës përmes patronazhistëve apo presionit ekonomik. bw

Nga rruga në Google: Si u kthyen vlerësimet online në armë proteste në Shqipëri?

Pamje nga një plazh në Shëngjin, 30 qershor 2026.

 

Jetmira Delia-Kaci

Dhjetëra biznese të mëdha në Shqipëri u bënë objekt i një forme të pazakontë proteste.

Nuk u sulmuan me gurë apo me ngjyrë, por me mijëra vlerësime negative në Google, të shoqëruara me thirrje për bojkotim në rrjetet sociale.

Brenda pak ditësh, profilet online të restoranteve, kompanive dhe mediave u mbushën me komente me një yll, duke ulur ndjeshëm vlerësimet e tyre publike.

Për bizneset, kjo përkthehet në një goditje të drejtpërdrejtë ndaj reputacionit dhe besimit të klientëve.

Për protestuesit, është një mënyrë për të ushtruar presion ndaj kompanive që, sipas tyre, kanë përfituar nga afërsia me pushtetin.

Fushata nisi në kuadër të protestave të njohura si Revolucioni i Flamingove.

Revolucioni i Flamingove është emri që iu dha një lëvizjeje qytetare protestash në Shqipëri, e cila nisi në fund të majit, si reagim ndaj një projekti për ndërtimin e një resorti luksoz në zonën e mbrojtur të Zvërnecit dhe ishullit të Sazanit.

Flamingoja u bë simboli i protestës, sepse Laguna e Nartës është një nga habitatet më të rëndësishme të flamingove në Shqipëri, dhe protestuesit argumentojnë se projekti rrezikon këtë ekosistem.

Me kalimin e javëve, protesta u zgjerua përtej çështjes mjedisore.

Ajo u shndërrua në një lëvizje më të gjerë kundër Qeverisë së kryeministrit Edi Rama, me kërkesa për dorëheqjen e tij, hetimin e korrupsionit, më shumë transparencë e të tjera.

Fillimisht, kishte në shënjestër artistë, këngëtarë dhe figura të njohura të showbiz-it, të cilat protestuesit i akuzonin se mbështesnin pushtetin ose kishin zgjedhur të heshtnin përballë zhvillimeve politike në vend.

Shpejt, ajo ndryshoi drejtimin. Objektiv u bënë edhe kompani të mëdha që, sipas protestuesve, kanë përfituar nga vendimmarrjet e Qeverisë ose kanë ndërtuar marrëdhënie të privilegjuara me pushtetin.

Thirrjet për bojkot u shfaqën fillimisht në platformën sociale, Reddit, dhe më pas u përhapën në Facebook, Instagram dhe platforma të tjera, ku përdoruesit u nxitën të linin vlerësime me një yll në Google Reviews për dhjetëra kompani dhe media.

Google Reviews është një nga platformat më të përdorura për vlerësimin e bizneseve dhe, për shumë kompani, reputacioni online ndikon drejtpërdrejt në besimin e klientëve.

Për këtë arsye, një numër i tyre iu drejtuan autoriteteve me kallëzime.

Policia e Shtetit tha se ka identifikuar rreth 10 mijë llogari që dyshohen se janë përfshirë në këtë aktivitet të koordinuar online dhe shtoi se verifikimet janë në proces.

Kryeministri Edi Rama i bëri thirrje Prokurorisë të veprojë ndaj atyre që i cilësoi si “dhunues të pronës publike e private” dhe “shantazhues të qytetarëve”.

Nga kontratat “1 euro” te fushata në Google

Mes bizneseve që u gjendën në qendër të kësaj fushate është edhe ai i sipërmarrësit Gjergj Luca, i njohur për aktivitetin në industrinë e përpunimit të peshkut dhe për kompleksin “Rozafa Fish City” në Elbasan.

Protestuesit e vendosën atë në shënjestër, duke pretenduar se është një nga biznesmenët që ka përfituar nga afërsia me pushtetin.

Ata u referohen, mes tjerash, vendimeve të Këshillit të Ministrave, sipas të cilave, prej vitit 2015, kompania e tij ka marrë në përdorim pesë pasuri shtetërore me tarifën simbolike prej një euroje, në kuadër të skemës shtetërore për nxitjen e investimeve dhe punësimit.

Vetë kompania thotë se kontratat janë dhënë në përputhje me këtë skemë shtetërore dhe se investimet kanë sjellë zhvillim ekonomik dhe vende pune.

Brenda një periudhe të shkurtër, profilet e bizneseve të Lucës në Google Reviews u përballën me një valë komentesh negative dhe, sipas të dhënave publike në platformë, disa prej tyre ranë nga rreth 4.5 yje në afro 2.

Luca e përshkroi fushatën si sulm ndaj punës së ndërtuar ndër vite.

“Nuk dëmtohem unë, por hidhet baltë mbi njerëz që kanë punuar me sakrificë”, u shpreh ai publikisht, ndërsa në reagimet në rrjetet sociale, protestuesit i quajti “fashistë”.

Radio Evropa e Lirë e pyeti Lucën nëse bizneset e tij kanë pësuar dëme konkrete nga kjo fushatë, por ai nuk pranoi të japë komente shtesë, duke thënë se qëndrimi i tij mbetet ai që ka shprehur tashmë publikisht.

Pamje nga një protestë në Tiranë.

Pamje nga një protestë në Tiranë.

Për organizatorët e protestës, Luca është vetëm një nga shembujt.

Gent Progni, pjesë e grupit koordinator të “Revolucionit të Flamingove”, thotë se fushata nuk synon të godasë biznesin privat si të tillë, por kompanitë që, sipas tij, janë pasuruar falë privilegjeve të krijuara nga pushteti.

“Qytetarëve u ka ardhur në majë të hundës me njerëz që, vetëm sepse janë afër me pushtetin, marrin prona me një euro për t’u pasuruar… Kushdo është i lirë të reagojë dhe të shprehë mendimin e tij”, thotë Progni.

Ai shton se fushata është frymëzuar nga nisma të ngjashme në vende të tjera, ku rrjetet sociale janë përdorur si mjet presioni ndaj kompanive ose figurave publike.

Liri e shprehjes apo sulm i koordinuar?

Për autoritetet shqiptare, nuk bëhet fjalë vetëm për komente negative në internet.

Drejtori i Policisë së Shtetit, Skënder Hitaj, tha në fund të javës së kaluar se rreth 10 mijë llogari në rrjetet sociale dyshohen se janë përfshirë në këtë aktivitet.

Sipas tij, janë identifikuar raste kur e njëjta llogari ka publikuar, brenda një kohe shumë të shkurtër, vlerësime negative për biznese në qytete të ndryshme të vendit – një model që, sipas policisë, ngre dyshime për një veprimtari të koordinuar.

Hitaj tha se autoritetet po bashkëpunojnë me platformat online dhe partnerët ndërkombëtarë për të siguruar prova dhe për të identifikuar personat që qëndrojnë pas këtyre veprimeve.

“Çdo person që do të rezultojë i përfshirë në këtë aktivitet të kundërligjshëm, pavarësisht vendndodhjes së tij, do të përballet me forcën e ligjit”, deklaroi ai.

Deklaratat e policisë u kundërshtuan menjëherë nga organizatorët e protestës, të cilët i cilësuan ato si përpjekje për të frikësuar qytetarët.

Gent Progni thotë se askush nuk mund të hetohet vetëm pse ka lënë një vlerësim negativ në një platformë online.

“Nuk ka asnjë bazë ligjore të hetosh apo ndalosh dikë për një ‘review’ negativ. Qytetarët po shprehin mendimin e tyre për bizneset. Kjo fushatë shkon edhe në të mirë të bizneseve të tjera, që ndoshta punojnë ndershmërisht dhe jo si biznesmenët e lidhur me pushtetin”, thotë ai.

Debatit iu bashkua edhe opozita.

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, tha se çdo qytetar ka të drejtë të shprehë mendimin për një shërbim privat apo publik.

Megjithatë, ai bëri dallim mes kritikës së sinqertë dhe përdorimit të llogarive të rreme për të publikuar vlerësime për shërbime që nuk janë marrë kurrë, duke thënë se kjo dëmton konkurrencën e ndershme.

Njëkohësisht, ai akuzoi Qeverinë se po përgatit kufizimin e rrjeteve sociale.

Në anën tjetër, kryeministri Rama e cilësoi këtë formë proteste si një “skemë kriminale” dhe tha se, me ndihmën e kompanisë Google, profileve të bizneseve po u rikthehen vlerësimet që, sipas tij, janë fituar “me punë e mund”.

Ai argumentoi se sulmet online nuk dëmtojnë vetëm kompanitë e prekura, por edhe imazhin e Shqipërisë si një vend i sigurt për investime dhe turizëm.

“Protesta ushqen perceptimin negativ e të pavërtetë të një vendi jomiqësor ndaj mjedisit, jomikpritës për investimet e huaja dhe të pasigurt për turistët”, tha Rama në një adresim për mediat këtë javë.

Radio Evropa e Lirë kontaktoi kompaninë Google për ta pyetur nëse ka vërejtur ndonjë aktivitet të pazakonshëm në Shqipëri dhe, nëse po, çfarë masash ka marrë, por nuk mori përgjigje.

Kushtetuta e Shqipërisë garanton lirinë e shprehjes dhe të mendimit.

Nëse provohet mashtrimi ose aktiviteti i koordinuar, atëherë çështja mund të mos trajtohet më si liri e shprehjes, por si vepër penale, në varësi të fakteve konkrete.

Vetë Kodi Penal nuk ka një nen specifik për “review bombing”.

Si është trajtuar “review bombing” në vende të tjera?

Fushatat e koordinuara me vlerësime negative në internet nuk janë një fenomen i ri.

Ato njihen ndërkombëtarisht si “review bombing” dhe, viteve të fundit, janë përdorur si formë proteste, presioni politik, por edhe shantazhi ndaj bizneseve.

Një nga rastet më të njohura u regjistrua gjatë luftës mes Izraelit dhe Hamasit – grup i shpallur terrorist nga SHBA-ja dhe fuqi të tjera – në vitet 2023-2024.

Restorante, kafene dhe biznese të vogla në vende të ndryshme u përballën me mijëra komente me një ose pesë yje nga përdorues që, në shumë raste, nuk kishin qenë kurrë klientë të tyre.

Google ndërhyri duke hequr një pjesë të vlerësimeve, pasi i konsideroi të rreme ose rezultat të aktivitetit të pazakontë dhe të koordinuar.

Në shumicën e rasteve të ngjashme, reagimi i parë nuk ka ardhur nga policia, por nga vetë platformat online.

Ato kanë hequr vlerësimet që kanë konsideruar të rreme ose të koordinuara dhe kanë pezulluar llogaritë që kanë shkelur rregullat e përdorimit.


Send this to a friend