Më 16 korrik 2026, Shtetet e Bashkuara organizuan në Uashington, D.C., takimin historik në nivel ministror mbi ringjalljen e terrorizmit politik (Ministerial on the Resurgence of Political Terrorism).
I thirrur dhe i kryesuar nga Sekretari i Shtetit Marco Rubio, në takim morën pjesë kryediplomatë, zyrtarë të zbatimit të ligjit dhe ekspertë të kundërterrorizmit nga 67 vende për të trajtuar atë që organizatorët e cilësojnë si një “pikë të verbër” kritike në sigurinë globale: rritjen e dhunës në shkallë ndërkombëtare të së majtës ekstreme.
Konferenca përcaktoi se, ndërsa 25 vitet e fundit u fokusuan kryesisht në luftën kundër ekstremizmit radikal islamik—një kërcënim që administrata e sotme e sheh si të zvogëluar ndjeshëm—tani nevojitet një arkitekturë e re ndërkombëtare për të çmontuar një valë të re, një rrjet global të terrorizmit politik të së majtës ekstreme.
Duke hapur takimin, Zëvendëssekretari i Shtetit, George Landau, vuri në dukje se për ata që u rritën në vitet 1970, ky kërcënim është “tepër i njohur”. Ai hoqi paralele të drejtpërdrejta midis rrjeteve moderne të decentralizuara dhe grupeve militante famëkeqe të fundit të shekullit të 20-të, si Brigadat e Kuqe në Evropë dhe Grupi Baader-Meinhof (Fraksioni i Ushtrisë së Kuqe), Tupamaros dhe Montoneros në Amerikën e Jugut, si dhe Weather Underground dhe Ushtria Çlirimtare e Zezë në Shtetet e Bashkuara.
Sekretari Rubio nënvizoi ashpërsinë e asaj epoke historike, duke vënë në dukje se “Në një periudhë 18-mujore midis viteve 1971 dhe 1972, FBI-ja numëroi rreth 2,500 sulme me bombë në Shtetet e Bashkuara — një mesatare prej gati pesë në ditë. Pjesa dërrmuese e kësaj dhune erdhi nga ekstremistët e majtë. Midis viteve 1970 dhe 1980, 93 për qind e sulmeve terroriste në Perëndim e kishin origjinën tek e majta ekstreme”.
Zoti Landau theksoi se, ndërsa këto lëvizje u mposhtën në të kaluarën, ato mund të mposhten përsëri përmes një “udhëheqjeje të qartë” dhe një veprimi të përbashkët ndërkombëtar.
“Pika e Verbër” Amerikane dhe Anshmëria Institucionale
Një temë qendrore ishte “paragjykimi i jashtëzakonshëm ideologjik”, i cili, sipas zyrtarëve të lartë, historikisht ka shfajësuar ose minimizuar dhunën e së majtës. Sekretari Rubio akuzoi se shumë institucione, universitete dhe mediume e trajtojnë terrorin e së majtës ekstreme si një “sajesë partiake” ose si një tepricë “të virtytshme” idealizmi, ndërsa dënojnë me të drejtë dhunën e së djathtës ekstreme.
Për të kundërshtuar këtë narrativë, Sekretari Rubio vuri në dukje disa “realitete të pamohueshme” të kohëve të fundit në Amerikë. Ai theksoi trazirat e vitit 2020 ku u dogjën dhe plaçkitën qytete të tëra, ndërsa mediat kryesore i cilësuan këto ngjarje si “gjerësisht paqësore”, madje edhe kur ndërtesat digjeshin në sfondin nga ku raportonin gazetarët, tha ai.
Dhuna ndaj zbatuesve të ligjit
Një përshkallëzim i rëndë i sulmeve të dhunshme ndaj zbatuesve të ligjit dhe objekteve të Emigracionit (ICE), duke përfshirë sulme me snajper dhe prita të armatosura.
Atentate dhe komplote të nivelit të lartë
SHBA-ja ësvhtë përballur me përpjekje të shumta për atentat ndaj Presidentit Trump, vrasjen e stilit të ekzekutimit të CEO-s të UnitedHealthcare, Brian Thompson, dhe vrasjen e aktivistit të njohur konservator Charlie Kirk.
Natyra dhe taktikat e së majtës ekstreme
Këshilltari i Shtëpisë së Bardhë, Stephen Miller, e cilësoi terrorizmin e së majtës ekstreme si një kërcënim ekzistencial që synon përmbysjen e formës republikane të qeverisjes në Shtetet e Bashkuara. Ai argumentoi se këto lëvizje udhëhiqen thelbësisht nga një “urrejtje e brendshme” dhe zili ndaj qytetërimit, familjes tradicionale dhe jetës së rregullt.
Folësit identifikuan disa nga taktikat kryesore të përdorura nga këto rrjete. Zoti Miller pohoi se një tipar dallues i dhunës së të majtës është “thirrja krejtësisht e rremë dhe e pasinqertë për liritë civile”, në një përpjekje mashtruese për t’i shpëtuar ndëshkimit penal dhe për të manipuluar simpatinë publike.
Aktivistë lokalë dhe fushata presioni kanë tentuar gjithnjë e më shumë të mbrojnë nga ndjekja penale aktet e qarta të dhunës kundër oficerëve federalë.
Koordinimi ndërkombëtar
Rrjete si Antifa nuk njohin kufij. Militantët udhëtojnë aktivisht midis Europës dhe Amerikës për të marrë pjesë në aksione të përbashkëta, duke përdorur kanale të koduara komunikimi për të ndarë manuale taktike, për të koordinuar logjistikën dhe për të lëvizur fonde të paligjshme përmes bazave të fshehta, thanë zyrtarët.
Sekretari Rubio paralajmëroi se këto rrjete shpesh veprojnë së bashku ose mbështeten nga shtete të huaja armiqësore si Kuba dhe Irani.
Përgjigja Strategjike: NSPM-7 dhe Ndërprerja Financiare
Për të luftuar këtë kërcënim, SHBA-ja ka mobilizuar zbatimin e ligjit federal nën Memorandumin Presidencial të Sigurisë Kombëtare 7 (NSPM-7), të nënshkruar nga Presidenti Trump, i cili udhëzon të gjitha agjencitë e zbulimit, thesarit dhe zbatimit të ligjit të bashkëpunojnë për identifikimin, arrestimin dhe bllokimin e llogarive bankare të këtyre terroristëve politikë, sipas zyrtarëve.
Departamenti i Thesarit po udhëheq përpjekjet për të ndërprerë burimet financiare të këtyre grupeve. Sekretari i Thesarit, Scott Bessent—i cili ishte objektivi i një atentati nga një aktivist i së majtës—nënvizoi se si strukturat legjitime jofitimprurëse, akademike dhe bamirëse po shfrytëzohen sistematikisht për të pastruar dhe transferuar fonde të paligjshme në shërbim të së majtës ekstreme.
Takimi u mbyll me një thirrje të prerë që “bota e qytetëruar” të qëndrojë e bashkuar. Zoti Stephen Miller paralajmëroi se nëse shoqëritë e lira tregohen “më të buta se ato që kërkojnë zhbërjen tonë,” një pakicë radikale dhe e organizuar do t’ia dalë mbanë të destabilizojë rendin demokratik.
Vendet pjesëmarrëse ranë dakord të rrisin shkëmbimin e të dhënave të zbulimit dhe të çmontojnë sistematikisht këto rrjete armiqësore, duke garantuar sigurinë e institucioneve të lira përballë errësirës kërcënuese të terrorizmit politik