Fotografia e ripostuar sot nga Prof. Dr. Alush Gashi, më solli në kujtesë historinë e asaj dite kur është marrë e treguar në një libër botuar nga Prof. Sami Repishti dhe Harry Bajraktari, pak më shumë se 25 vjet më parë, në prill 2000.
Kosova nuk kishte bërë ende vitin që ishte çliruar dhe plagët ishin ende të hapura jo vetëm në kuptimin figurativ të fjalës.
Repishti dhe Bajraktari ishin miq e bashkëpunëtorë të vjetër të lobimit për Kosovën në Washington, tani kishin udhëtuar për të sjellë ndihma e për të parë zhvillimet, e për t’u takuar me miq.
Një ndër vendet ku ndaluan ishte edhe fshati Reçak, kur në 15 janar 1999 forcat serbe masakruan 47 fshatarë shqiptarë duke shkelur brutalisht marrëveshjen me komunitetin ndërkombëtar. Masakra nisi zinxhirin e ngjarjeve që sollën pastaj ndërhyrjen e NATO-s dhe çlirimin e Kosovës nga shtypja dhe kolonizimi serb.
Për Prof. Repishtin dhe Bajraktarin vizita në Reçak ishte emocionale. Kishte vetëm një vit e tre muaj që kishte ndodhur ngjarja. Varret e kishin baltën ende të njomë. Nuk ishte memoriali që ekziston sot, as infrastruktura për vizita të organizuara.
Dy shqiptarët nga Amerika shoqëroheshin nga Prof. Dr. Alush Gashi dhe David Philips studjuesi nga Columbia University në New York. Heshtja kishte mbuluar atë ditë pranvere varrezën e re. Mes varreve ndodhej vetëm ky djalë 12-vjeçar që është përjetësuar me ta në këtë fotografi.
Ai quhej Hashim Beqiri. Po rrinte i gjunjëzuar përpara varreve të babait të tij Riza (54 vjeç) dhe dy vëllezërve më të mëdhenj, Halimit (17) dhe Hasanit (15). Serbia edhe sot e kësaj dite pretendon se të vrarët ishin ushtarë të UÇK-së, por emrat dhe mosha e viktimave dëshmojnë se ishin vetëm fshatarë të thjeshtë që u vranë për hakmarrje dhe urrejtje nga kriminelët serbë.
Hashimi 12-vjeçar mund të kishte pësuar fatin e tyre. Kishte mbijetuar – si u tregoi vizitorëve që përpiqeshin të mos qanin në sy të tij – duke u fshehur mbas trupit të babës. Kur kishte rënë nata ishte ngritur dhe me gjakun e babait nëpër trup ishte zvarritur drejt shtëpisë aty afër, ku ende jetonte bashkë me nënën dhe vëllain 9-vjeçar.
Na dukej sikur po dëgjonim ndonjë legjendë të ndonjë kohe e bote tjetër, tregon Repishti, por në fakt nuk ishte ashtu. “Vendi asht Kosova! Treguesi asht nji fëmijë kosovar, dëshmia janë varrezat e rreshtueme para nesh, dhe na jemi aty, me pa, me ndëgjue, me prekë, me duert tona tokën e zezë e barin e njomë – e me derdhë lotë pa ndërpremje…”, shkruan profesori në libër.
Ata e përqafuan djalin dhe e pyetën nëse shkonte në shkollë. Ai i kishte marrë për dore dhe i kishte çuar në shkollën që ishte fare afër. Shkolla 8-vjeçare “Skënderbeu”. Nëse te varrezat flinte vdekja, këtu në oborrin e shkollës vizitorët panë jetën që gjallonte sfiduese.
Ishte pushimi i drekës. Fëmijët kishin dalë nga mësimi dhe një mësues i përshëndet me përzemërsi. Ai ka humbur katër anëtarë të familjes në masakër. U tregon vizitorëve për jetën në fshatin që ka parë tmerr me sy. Puna që bën nuk është e lehtë. Si mësues i duhet të mësojë e edukojë fëmijët, Si njeri, duhet t’i ndihmojë ata të përballen me traumën e tmerrshme të masakrës. Fizikisht i kanë mbijetuar luftës, mendërisht dhe emocionalisht janë plagosur rëndë.
Kudo rrugës vizitorët nga SHBA kanë parë tokën që punohet, shtëpitë që rindërtohen, dhe grupe fëmijësh që shkojnë në këmbë në shkollë duke ecur me kilometra. Këta fëmijë, janë të rriturit e sotëm nëpër Kosovë. Janë bërë vetë prindër e jetojnë në një vend që ngjan shumë pak me atë të 27 viteve më parë kur ndodhi masakra e Reçakut.