1.
“Vetëleçitja”
Në takimin me
komandantin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, Gjenerali Chris McKinney, zëvendësdrejtor i Komandës Evropiane të SHBA-së (USEUCOM) tha:
“Përparimi që kemi arritur së bashku pasqyron forcën e angazhimit tonë për një Evropë Juglindore të sigurt, të qëndrueshme dhe të begatë”!
Do të ritheksohej veçanërisht mbështetja e vazhdueshme e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për modernizimin e mbrojtjes së Kosovës
E unë, në fund të këtyre rreshtave, i menduar thashë: sa e leçitur Kosova (për ç’murmuron ndonjëherë presidentja e rënë), sidomos nga dalëzotësi përtej Atllantikut!
2.
Orë hipokrizie
” Asambleistët e LDK-së janë janë ura kryesore e komunikimit mes popullit dhe institucioneve”…
(V. Osmani)
Gjeniale! Vërtet!
Rrjedhimisht, saherë klani i deputetëve lëdëkëistë gjendet në opozitë, këputet, si peri i hollë, fija që vegëzon popullin dhe shtetin.
Athua? Sa dramatike!
Por jo!
E para, kjo s’është veçse nië marrëzi e kulluar. Madje, keqkuptim shkollor i demokracisë. Në fakt, sikur bëhet thirrje për suspendimin real të saj. Sepse, kur një parti kultivon e vetme këtë përlidhje, aherë, pasojisht, instalohet autokracia, klasike ose e mbirë nga një farsë zgjedhore.
Pastaj, ky ftillim shpjen dhe në shfletimin e saj biografik.
A s’ishte vetë kryepare shteti në një kohë kur deputetët lëdëkistë ishin në opozitë? E pra, kur popull e institucione paskan qenë në ekskomunikim të plotë?
Çfarë agonie e këtij shteti të gjorë!
Por ajo ishte gjithë motin e heshtur deri në përvujtní. Dhe ka
vijuar të kryej punët kryeulur duke bërë shërbesë të bindur për institucionet qeveritare.
Ah, ç’hipokrizi aherë, e poshtërsi sot!
3. Kronikë mjerimi
a.) Survejimi etik
Në Gjermani ka një Këshill federal etike!
Pak i njohur. Madje, për dijen time, i rrallëgjendur rretherrotull..
Dhe cili është fushëveprimi i tij?
Interesant: pas një kohe, kur zgjedhjet mbarojnë e qeveritë konfirmohen apo ndryshojnë, dinjitarët e tij vëzhgojnë kujdesshëm realizimin e premtimeve parazgjedhore.
Kushedi sa punë do t’u dilte verdiktarëve moralë në Kosovë!
Abdixhiku, i dyti, i poshtëvënë, i lëdëkë-së thotë në Klinë: Zotimi ynë konkret – rritje e pagave dhe punësim i garantuar për të rinjtë!
Ashtu si dihet, në grupmoshën e të rinjëve aderojnë akademikë të diplomuar, shkollarë gjimnazesh, ndjekës profesionesh të veçanta e të tjerë.
Dhe, vini re, të gjithë, me të shfaqur interesin, fillojnë punë. Qenkësh e garantuar si ajri i athët mëngjesor…
Sa ideale!
E tillë që të kujton Schlaraffenlandin e ëndrrave mistike! Aty ku bollshmëria jetike është e pasosme…Apo, mbase, ka dëgjuar parathënien e Elon Musk-ut se, mbas 10 a 20 vjetësh, puna do të mbetet një opcion i lirë! Dhe, kështu, premtimi vjen i mbarë…
Epo ç’është Europa, ore, ku rinia bredh, shpesh mërzitshëm, tregjeve të punës. Madje, tani është ajo që do të rreshtohet pranë dyersh të ambasadave gjithandej, për një vizë të bekuar pune në Kosovë!
Por një Këshill etike, i largët si yjet, do të skandalizohej që në fill për gënjeshtrën e tejdukshme, të paftyrë e ordinare…
b.) Një mësim i rrallë
Pjesa dytësore e duo-s lëdëkëiste, Abdixhiku, në ngasjen edukative për profilim të lartë, do të veçonte dhe një moment të epërm familjar.
Nga nëna e vajzat mësova, pohon ai, për fuqinë e femrave në jetë…(Domethënë bashkëshortja e vet përjashtohet ftohtësisht nga një përvojë e tillë!)
Po referenca është krejt e mangët. Ai duhej të rr’fente më parë se ç’kanë për të mësuar ato prej tij?!
4.
Fushata elektorale fizike…
Lexova: Rrënohet pompa ku do të ndërtohet objekti i Ministrisë së Bujqësisë. Dhe arrestohet kandidati i PDK-së për deputet që pengoi punimet.
Tashmë retorika e pafat dhe premtimet e zjarrta, me gjasë, nuk mjaftojnë. Lënë pas zbratirë e mosbesim.
Elektorët i thërrasin kujtesës së largët…
Ndaj dhe nga frika e këtij dyshimi elektoral, do të vinin në përdorim metodën e përzier revolucionare: fjalën dhe kazmën!..
5.
Ju flet “Vllasti”
‘’Kurtit po i pëlqen qeverisja pa institucione. Boll e ka “Qeverinë në detyrë”, flet A. Vllasi.
E dini saherë është zgjedhur i parë, ky vetë, në procese të drejta, shumëpartiake dhe të lira?
Ishte vetë ylli i demokracisë!
Aq sa dhe mori nofkën fisnike A. “Vllasti” (pushteti) që i dorëzohej maturisht nga Serbia nënë.
(Një ish-nomenklaturës i kohëve autonomiste, A. Zatriqi, tani i ndjerë, njihej për humor të zi inteligjent.
Ishte një event rasti dhe, ndërsa shihte Vllasin të digjej për të marrë post ambasadori, i afrohet e i thotë: mos u bëj merak Azem se, nëse nuk do të jesh ambasador i Kosovës në Beograd, aherë do të vijsh ambasador i Serbisë në Prishtinë.)
Ndaj dhe duhet dëgjuar me respekt e mirënjohje fjalë e tij.
E Vllas(t)it të paharruar…
6. Mision i beftë
Tani, në mbarim, ikim pak nga Kosova për prehje. Dhe këtë flladitje ofron – kush tjetër pos marrëzisë!
Erazmo i Roterdamit i thurte odë madhërisë së saj. Sa e mërzitshme do bëhej bota nga mendimtarët, thoshte, pa ndërhyrjen e marrokërisë në jetën mjerëzore.
Ja, pra, një prurje e re: me sa lexova e pashë, presidenti shqiptar, B. Begaj, paska shkuar në Haxh.
Në të parë, mu duk se kishte veshur, për nostalgji, një mantel mjekësor. Pastaj nuk doli veçse një pelerinë e bardhë. Më e bukur se manteli apo kostumi civil presidencial.
Shqipëria është një shtet laik. Dhe raporti me fenë, ndaj, është krejtësisht privat.
Që këtej dalin dy përfundime të rënda: shkelja e kushtetutës, e para dhe, e dyta, çorientimi identitar shqiptar, si një mesazh i trishtë për Europën.
Dhe, për pasojë, ai duhet të zhveshë epoletat dhe nga president – të përfundojë në Haxhi Bajram Begaj.
Oh, ç’mjerim: uji (si do thoshte populli), soset e shqiptarët mbyten…
7.
Në mbyllje fare, evokim i një pene tehmprehtë:
“Pra, nji herë e pikë ma sʼparit
Po i diftoj rodit tʼShqiptarit
Se ktu sʼkndoj burrninʼe tʼParit,
As trimnit e ndoʼi luftarit,
Veç nji gaç, nji zog gomarit…!”
Është Fishta, ky klasik i Dritës dhe Rojës së atdheut…