Hënë e re vajzëronte përmbi metropol
në drurë e gjinj vajzash prillin prillëron.
I thoshte arixhiu, arixheshës së vet:
Sa të mbushet hëna, ty do ta bëj def
Por, po më tradhtove, për atë shpirt nëne
Në qiell do të var, në atë çengel hëne
Të të shohin njerëzia botës skaj më skaj
E bjeri defit të hënës pastaj.
Dhe flokëhëna ime që kisha në krah
M’u dridh si njomëza kur shpërthen në ah
Flokëhëna ime që e kisha çuar kahmos
Në Trojë, Paris e Los Anxhelos.
Nuk dua anije, tha, avionë nuk dua
Më merr e më ço në bjeshkët e tua
Më ço në Kasaj a në Valbonën tënde
Dhe më var një natë, në çëngel hëne
Më ço në viset ku ti je rritë
Ku njerëzit flasin më perënditë,
Tradhtomë, tradhtomë e fajet lermi mua
Më var në çengel hëne, me duart e tua
Më bëj, më bëj kurban dashurie
E qiellit ta dridh, si këmbanë t’i bie
Shtatë qiej të rrëzohen, kur këmbana të bjerë
Të nisë nga fillimi bota dhe një herë.
Tradhtomë, tradhtomë e fajet lërmi mua
Kryqëzomë në ata qiej të bjeshkëve tua
Se bota ka nevojë për një Krisht të ri
Dërguar nga perëndia me emrin Dashuri.