290 faqe të Fjalorit i zënë fjalët, ndër të cilat janë përfshirë edhe variantet e ndryshme. Mund të duket se variantet janë të panevojshme, por kjo ka vlerë vetëm kur kërkojmë zbatimin e normës, ndërsa nga ana historike është e domosdoshme së pari, t’i njohim variantet, dhe së dyti, pas kësaj të vëmë re se cili variant ka fituar të drejtën e normës dhe të përpiqemi të japim një shpjegim nga ana e gjuhësisë. Më duket se kjo ka rëndësi edhe për të zbuluar prirjet që ka ndjekur gjuha e, ndoshta, do të na ndihmonte për të kapur edhe prirjet në ditët tona. Për këtë do të merrja si shembull ndajshtesaat e shqipes. Kemi mjaft shkrime për prapashtesat e shqipes dhe për praninë e tyre te autorë të ndryshëm, por mungon trajtimi i tyre nga pikëpamja e ecurisë, domethënë përse formimet me një prapashtesë fituan vendin në gjuhën e shkruar dhe përse të tjerat u mënjanuan. Me një krahasim pak të largët, do të pohoja se për ndajshtesat jemi ende në kohën e klasifikimeve të K. Lineut në botanikë dhe nuk kemi ecur drejt gjenetikës së sotme.
Autori i këtij Fjalori e thekson, se që përpara vitit 1956 kishte bërë një punë jo të vogël krahasuese të gjuhës së Naimit me atë të autorëve bashkëkohës dhe të autorëve të tjerë më të largët. Duke ndjekur këtë hulli, unë do të dëshiroja të bëhej krahasimi me fjalorët e sotëm të shqipes. Sigurisht, edhe po të bëhej kjo, nuk mund ta paraqisja këtu, prandaj më lejoni të marr vetëm një shkronjë me sasi të paktë njësish, shkronjën DH. Janë gjithsej 39 njësi. Kundrejt fjalësit të Fjalorit të gjuhës së sotme shqipe dalin këto konstatime. 26 janë në Fjalorin e vitit 1980. Prej atyre që nuk dalin janë 4 neologjizmat e pafat: dhemasje, dheshkronjë, dheshkronjës, dhetregonjë; dy janë emërtime etnike: dhanajtë dhe dhorinjtë. Ky i fundit është për dorët, të cilët në Fjalorin 1980 nuk dalin si leksemë më vete, ndërsa në ribotimin më 2006 është hequr nga shpjegimi përmendja si një nga fiset kryesore në Greqinë e vjetër, kështu shpjegimi ka mbetur “që ka të bëjë me dorët”, domethënë një fjalë shpjegohet me një fjalë tjetër të panjohur që nuk e ka fjalori. Besoj se Naimi na mëson, që nëse vëmë mbiemrin ‘dorik’, duhet ta vëmë edhe emërtimin e dorëve, ndërsa redaktimet e tipit të vitit 2006 janë jo përmirësuese, po përkeqësuese.
Pesë njësi janë emërtime të metaleve. Fjalën e parë Shuteriqi e ka shënuar ‘dhal’ si metali ‘dalium’, në të vërtetë Naimi e ka ‘thal’ dhe është taliumi, të cilin Fjalori më 1980 nuk e ka. Ma merr mendja se në një fjalor duhen emrat e tabelës së Mendelejevit, aq më tepër kur Naimi e paska që më 1888 për shkollat. ‘Dhori’ te Naimi është për toriumin, Shuteriqi e shpjegon vetëm si një lloj metali, po edhe këtë Fjalori i vitit 1980 nuk e ka. Dhidhym është për didimin, i cili kujtohej se ishte element kimik (Di), por doli se ishte pëzierje e praseodimit, që është element i thjeshtë, me lantanin, kështu që është i përbërë prej dy pjesësh, domethënë është binjak dhe ky është kuptimi i greq. didymos dhe lat. didymium. Edhe në botanikë përdoret për një lloj rrënje të dyfishtë. Dy emra metalesh: ‘dhimitër’ dhe ‘dhjan’ Shuteriqi nuk i ka përcaktuar dhe nga ana ime gjithashtu ka qenë e pamundur ta gjeja se cilëve elementë u përgjigjen.
Dy janë neologjizma të Naimit: darovëshumë dhe i dhenjtë. I pari është i një tipi të njohur te Naimi, si: fjalëshumë, gjumëshumë. I dyti është një mbiemër nga emri “dheu”, të cilin nuk e ka pasur shqipja e folur, por që ka dalë si i nevojshëm. Neologjizmi i Naimit nuk ka zënë vend, ndërsa nuk kanë munguar përpjekje të tjera. Jani Vretoja e kishte bërë i toktë, po neologjizmat e tij kanë qenë përgjithësisht jo të goditur. Petro Nini Luarasi e ka rikrijuar për kuptimin tokësor: jetën e dhenjtë (1911), sot me këtë kuptim Fjalori 1980 e ka në trajtën i dheshëm, ndërsa “Elçija” e kishte më 1905 me kuptimin konkret “tokësor” (rrjeta të dheshme dhe të ajrshme). Nevojën e mbiemrit sipas kuptimit të Naimit e ka ndier Mati Logoreci në vitet tridhjetë dhe ka krijuar i dhertë (enë të dherta). Ky variant i Logorecit ka më shumë gjasa të gjejë vend.
Së fundi, dhallanik është te Fjalori 1980, por quhet ‘lakror’, ndërsa po ky fjalor lakrorin e quan byrek me lakra etj., domethënë Shuteriqi e ka më drejt, që e quan byrek.
Më duket se edhe nga vështrimi i një shkronje me fare pak fjalë dalin një varg çështjesh kureshtare, të cilat e mbështesin pohimin e mësipërm, se një vepër e tillë shërben edhe si pikënisje për kërkime të tjera të domosdoshme për leksikun e shqipes.
Pas korpusit të fjalorit vijojnë nëntë sytha më vete. Pesë të parët janë për fjalët e rralla në shkrime, fjalë me kuptim të ri, fjalë të prejardhura, fjalë të përbëra dhe huazime ndërkombëtare. Në të gjitha këto drejtime ka nevojë për hulumtime të gjera dhe prandaj mund t’i quajmë një fillesë të mbarë te Shuteriqi, e cila po ashtu shtron, do të thosha, detyrën e vështirë për të çmpleksur jo pak nyja të korkolepsura. Po sjell edhe këtu ndonjë shembull. Është e saktë, që mbiemrin i dëlirë e ka J. G. Von Hahni më 1854, porse ajo dëshmohet 300 vjet më parë te Buzuku dhe po ashtu haset aty emri i gjuhës gërqishtja, ndërsa është në kapakun e përkthimit të Ungjillit të Mateut më 1824. Grykë nuk besoj se është marrë me kuptim të ri në gjeografi, sepse po atë kuptim ka në gjuhën e përditshme, kur themi për shembull: Gryka e Këlcyrës. Dritare natyrisht është neologjizëm i Naimit; ndërkaq nuk ka lidhje me dritarin e Kristoforidhit, sepse ky e ka sipas greq. fostir me kuptimin e yllit, trupit qiellor ndriçues.
Te fjalët ndërkombëtare të huazuara do të ndalesha përsëri për të përcaktuar metalet. Janë edhe 20 terma të tjerë, veç atyre që përmenda më sipër. Pjesën më të madhe të tyre i kam përcaktuar në trajtën e sotme, domethënë: banad është vanadi, bolfram është volframi e kështu më tej: erv = erbiumi, gal = galiumi, iridh = iridiumi, kadhëm = kadmiumi, kall = kaliumi, kovalt = kobalti, llandan = lantani, magnis = magnezi, niqel = nikeli, osëm = osmiumi, ruthin = ruteni, ruvid = rubidi, silisiym = silici, thelnium = taliumi, ytër = itriumi. Bie në sy që trajtat e Naimit janë marrë kryesisht prej greqishtes dhe vetëm ndonjë prej frëngjishtes.
Vijojnë më pas fjalët e urta. Janë me interes të padyshimtë dhe e vlen që emri i Naimit të përfshihet në gjurmuesit e proverba shqipe. Ndërkaq, edhe këtu nëpërmjet gjurmimeve mund të ndahen fjalët e urta popullore prej krijimeve të vetë Naimit, domethënë fjalët e mençura, aforizmat ose maksimat e tij. Për shembull Besë e fe ki urtësinë, të drejtënë, mirësinë; Fëmijët mos i bëni të qajnë, të meken e të ndehen; Njeriun e lartëson mendja dhe njerëzia më tepër se mbarim i trupit etj. janë padyshim formulime të tijat. Këto të mbledhura së bashku hyjnë në punë për të dëshmuar parimet e tij morale dhe atdhetare, me të cilat dëshironte të mbrunte ndërgjegjen e shqiptarëve, duke nisur që nga fëmijët.
Së fundi vijnë tre sytha me emra personash e vendesh. Ma merr mendja se i ka kërkuar shumë kohë e mund Shuteriqit për ta plotësuar atë listë të gjatë emrash të personave të huaj, veçse kjo është një dritare, nga ku shohim horizontin e gjerë të Naimit.
Duke i përmbledhur të gjitha këto anë që i preka, krijohet një bindje e argumentuar, se vepra e Dhimitër Shuteriqit “Fjalori i Naim Frashërit” është jo një libër për ta lexuar, por një mjet pune i pazëvendësueshëm për cilindo, që dëshiron të punojë në fushën e filologjisë shqipe. Prandaj meritojnë përgëzime të ngrohta gjithë ata që punuan për ta nxjerrë në dritë dhe, pa dyshim e para, Mira Shuteriqi.
Tiranë, 12 nëntor 2018. XHEVAT LLOSHI