Ministria e Drejtësisë në Maqedoni kontakte me qeverinë e Peter Magyar për ekstradimin e Gruevskit nga Hungaria…
Periudha e paqes për ish-kryeministrin maqedonas Nikola Gruevski duket se po merr fund.
Pasi fitoi zgjedhjet në Hungari, Peter Magyar paralajmëroi fundin e praktikës së dhënies së azilit për politikanë të akuzuar apo të dënuar, duke kritikuar drejtpërdrejt vendimet e qeverisë së mëparshme të Viktor Orban. Ai paralajmëroi kthimin e tyre në vendin e origjinës, përfshirë edhe Nikola Gruevskin.
Por pas paralajmërimeve nga ana e Magyar, qeveria maqedonase është vënë në lëvizje për ekstradimin e tij, edhe pse në pushtet është VMRO, ish-partia e Gruevskit.
Sipas mediave maqedonase, Ministria e Drejtësisë ka kërkuar nga gjyqësori të gjitha dokumentet për ekstradimin e ish-kryeministrit, duke nisur nga e para procedurat.
Nga ana e tij, ministri i Drejtësisë Igor Filkov konfirmoi se po pritet formimi i qeverisë së re në Hungari, në mënyrë që institucionet atje të njoftohen se Maqedonia është e interesuar për kthimin e Gruevskit në vend. Qeveria në Hungari duhet të formohet më 9 maj, Ditën e Evropës.
Por kjo lëvizje e qeverisë ka acaruar Gruevskin, pasi ai është “tradhtuar” nga partia e tij. Ai ka reaguar me një letër publike duke sulmuar ministrin Filkov.
“Sot dëgjova deklaratën e ministrit të Drejtësisë së Maqedonisë, i cili u shpjegonte mediave dhe opinionit publik se si me zell kishte mbledhur informacione nga gjykatat dhe si kishte pritur ndryshimet politike në Hungari për t’u informuar mbi statusin tim dhe për të nisur procedurë ekstradimi. Duke e dëgjuar, shtrohet pyetja: kush është realisht në pushtet në Maqedoni? Nga jashtë duket sikur LSDM-ja e Zoran Zaevit, me metodat e saj të kontestuara, nuk është larguar asnjëherë nga pushteti. I sugjeroj ministrit që me të njëjtin përkushtim të hetojë edhe keqpërdorimet dhe shkeljet ligjore gjatë periudhës së përndjekjeve politike në kohën e Zaevit, proceset e montuara gjyqësore dhe padrejtësitë që u bënë për të lehtësuar sundimin e tij”, shprehej Gruevski.
Ish-kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Nikola Gruevski, u shpall fajtor në vitin 2020 për rastin “Dhuna në Qendër”, gjatë së cilës u dënua me një vit e gjashtë muaj burg. Gjithashtu, në maj 2018, ai u dënua me dy vjet burg në rastin “Tanku”, lidhur me makinën luksoze “Mercedes”. Në vitin 2022, ai u dënua me 7 vite burg nga Gjykata Penale e Shkupit për rastin “Parcelat në Vodno”. Ai u dënua për pastrim parash pasi kishte shfrytëzuar paratë e donacioneve për partinë e tij për të blerë prona të patundshme për vete, por duke i regjistruar në emra të personave të tjerë.
Në Hungari ai arriti në vitin 2018 në mënyrë të dyshimtë, duke kaluar në Shqipëri, Mal të Zi e Serbi, me makina me targa hungareze, përpara se të fluturonte për në Budapest nga aeroporti i Beogradit me një aeroplan qeveritar. Në vitin 2019, gjykata në Hungari zyrtarisht e hodhi poshtë kërkesën për ekstradim nga autoritetet e Maqedonisë. /Pamfleti