VOAL

VOAL

Fëmijëria – Prozë nga ARTHUR RIMBAUD – Përktheu SKËNDER BUÇPAPAJ

October 31, 2015

Komentet

MURMURIMË DUKAGJINI (REQUIEM PËR DIN MEHMETIN) Nga SKËNDER BUÇPAPAJ

 

Me Din Mehmetin jemi takuar vetëm një herë. Ishte viti 1991 kur ai u shfaq në redaksinë e gazetës “Drita”. Sapo u shfaq te dera e zyrës, i vetmuar, unë thirra “Baca Din! Mirësevjen, baca Din!” E takova unë, e takuan kolegët e mi dhe u ul pranë meje.

Kishte ardhur në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe të Artistëve të Shqipërisë vetëm për të më takuar mua, për të më falënderuar- edhe në emër të Kosovës,- për gjithçka që unë kisha bërë deri atëherë për Kosovën, kishte ardhur për të folur e për t’u shmallur për vite e vite të tëra që nuk ishim takuar asnjëherë, që nuk ishim takuar kurrë. Ardhja e befasishme e bacës Din nuk mund të mos ishte ngjarje. Ia behu Xhevahir Spahiu, me zërin e tij sokëllitës. Pastaj erdhi poeti Vehbi Skënderi. I rridhnin lotët pa pushim dhe, ndërsa fliste, nuk bënte asnjë përpjekje që t’i ndalte apo t’i fshihte lotët. Kureshtarë nga zyrat e tjera kalonin, disa zgjatnin kokën deri te zyra jonë dhe largoheshin.

Ne biseduam ngeshëm atë ditë, unë i ndërpreva të gjitha punët e mia, natyrisht, dhe vetëm folëm e folëm. Unë kisha lexuar gjithçka që kishte shkruar Din Mehmeti dhe gjithçka që ishte shkruar për Din Mehmetin. Për më tepër, poezitë e Dinit i kisha dëgjuar të recituara në Radio Gjakova nga aktori gjakovar Hadi Shehu në një emision jubilar të transmetuar dhe ritransmetuar disa herë. Njëzet vjet më parë, kur takoheshim, Dini kishte përafërsisht moshën që kam unë sot. Ishte ende plot energji. Më kishin folur për jetën e Din Mehmetit, pra për jetën e tij jashtë shkrimeve, edhe profesorët e mi të Fakultetit Filologjik, edhe kolegë shkrimtarë që e kishin njohur dhe unë dija shumë për jetën e tij.

Ishte një bisedë midis të njohurish pa u takuar kurrë, midis dy bijësh fshati të të njëjtës zonë, por me kufi shtetëror në mes. Ishim lindur e rritur, ai kishte filluar dhe të plakej duke parë Shkëlzenin, malin e shenjtë të përbashkët. Vetëm se unë e kisha Shkëlzenin nga Lindja, ndërsa Dini e kishte Shkëlzenin nga Perëndimi. Dy bij të të njëjtës anë, dy poetë, me të njëjtin shpirt, me të njëjtën Kibël. Dy të rritur mes livadheve me lisa e plepa, mes arave me misër e grurë, mes lejlekëve dhe bulkthave të natës. Më pyeti shumë dhe e pyeta shumë, folëm sa folëm dhe u ndamë pa lënë takim.

Në fundi ai që qëndronte pas kësaj befasie të bukur, poeti Adem Istrefi, redaktor i poezisë në revistën “Nëntori”. Unë i ftova të zbresim poshtë në klubin e Lidhjes të pinim kafe dhe të bisedonim. Dini kishte punët e tij në Tiranë dhe ne do të takoheshim prapë aty, në redaksinë e gazetës “Drita”. Kështu e lamë fjalën bashkë, por nuk u takuam kurrë më.

Në pranverën e vitit 1999, e kam qajtur Dinin për të parën e për të fundit herë. Unë në Zvicër, Dini në Kosovë, në Dukagjin, në Gjakovën tonë, në Gjocajt e tij. Ai pa lëvizur kurrë nga vendlindja e tij. Unë me një pjesë të rrënjëve me vete në anën tjetër të Alpeve të Evropës, ai gjithnjë pranë Alpeve Shqiptare, gjithnjë pranë rrënjëve të tij, i patundur. Atë kohë u përhap lajmi se ndër personalitetet e Kosovës që makineria serbe i kishte grirë ishte edhe Din Mehmeti. Vetëm shumë ditë më vonë u muar vesh se Din Mehmeti ishte gjallë. Din Mehmeti atëbotë nuk kishte shkuar as në Shqipëri, as në Maqedoni, as diku tjetër, kishte qëndruar diku pranë vendlindjes së tij, duke mbetur edhe në rrethanat më të jashtëzakonshme besnik i vatrës së tij, duke mbetur në historinë e poetëve shqiptarë i vetmi që nuk e ka tradhtuar as përkohësisht vatrën e vet, duke jetuar vetëm në fshatin e tij Gjocaj dhe në qytetin e tij Gjakovë. Duke qenë Din Mehmeti i Mehmet Dinës, aq sa Din Mehmeti i madh i poezisë shqipe.

Ashtu siç pritej, pas çlirimit të Kosovës, Din Mehmeti do të bëhej objekt pelegrinazhi i poetëve të anëve tona këndej Shkëlzenit. Nuk do të mbetej poet nga Tropoja, Kukësi e Hasi, si dhe nga veriu i Republikës së Shqipërisë që nuk do të bujtte në shtëpinë e Din Mehmetit, që nuk do të pritej me bujarinë karakteristike të anëve tona, që nuk do të ishte së bashku me Dinin, krushk nëpër dasma e filozof nëpër oda të junikasve dhe gjithandej Dukagjinit. Mbiemri malësor “Bacaloku” do të lakohej më shumë se kurrë tashmë për Din Mehmetin, bardin e pashpallur të Dukagjinit, bredharakun me “tupan të plakur pas shpine”, njeriun që e ka krismë emrin, krismë jetën, krismë vdekjen, siç thotë ai tek kryevepra e tij dhe e poezisë shqipe, poema “Krismë është emri im”.

Qëkur e kisha lexuar për herë të parë këtë poezi, e ndiej jehonën e të vetmes zanore të emrit të tij njërrokësh, “i”-së, që nuk ka prâ kurrë as nuk do të prâjë kurrë që nga pagëzimi i tij me këtë emër, një “i” e pafundme që sikur ka dalë nga të gjitha grykat e armëve shqiptare për të jehuar nëpër të gjitha grykat e maleve shqiptare dhe të gjithë planetit.

E mora me dhimbje e pikëllim lajmin për vdekjen e Dinit. Me dhimbje e pikëllim të veçantë, natyrisht, ngaqë nuk arritëm të takohemi më bashkë. Dhe duke e ditur se për Dinin vdekja nuk mund të ketë qenë diçka më shumë se një metaforë, nga ato metafora që Dinit i buronin aq vetvetishëm dhe aq pashtershëm. Aq më tepër kur Dini në poezinë e tij kishte luajtur aq shumë me vdekjen, po aq fisnikërisht si edhe me jetën, madje më mirësjellshëm se me jetën. Për së gjalli Dini ishte bërë sinonim me jetën dhe me vdekjen, me pandashmërinë e tyre. Ishte shndërruar në një murmurimë toke dhe qielli të Dukagjinit, atij qielli dhe asaj toke që, po ashtu shndërrohen në njeri tjetrin krejt lehtësisht, atij qielli dhe asaj toke ku murmurimat nuk paraprihen domosdo prej vetëtimave, ku vetëtimat nuk pasohen domosdo prej murmurimave.

Prandaj Din Mehmeti mbetet përjetësisht në poezinë shqipe dhe letërsinë shqipe në tërësi si bardi i Dukagjinit. Sepse ai ishte murmurimë e Dukagjinit. Ishte murmurimë e tokës dhe qiellit të Dukagjinit. Ishte zëri gjëmues, zëri klithës, zëri piskatës, zëri rrënqethës, zëri sokëllitës i Dukagjinit. Atë zë që Dukagjini e kishte mbajtur me shekuj dhe shekuj të ndryrë në shpirtin e tij, të tokës së tij, të shkëmbit të tij, të reve të tij dhe të kaltërsisë sipër tij, e shprehte tashmë për herë të parë pas shekujsh Din Mehmeti. Prandaj në poezinë e Din Mehmetit ngjyrat flisnin gjuhën e njëra tjetrës aq rrjedhshëm e aq pa ngurim. Prandaj simbolika e ngjyrave kuq e zi ishte aq e natyrshme dhe aq e shpeshtë sa në fushat, sa në spitalet, sa në bjeshkët, prandaj lumenjtë qani zi dhe këndonin kuq, si në flamurin tonë kombëtar, prandaj sëmundjet çmëndeshin kuq dhe qeshnin zi në pavionet e spitaleve, prandaj në poezinë e Din Mehmetit regjistrat ndërroheshin aq lehtësisht e aq natyrshëm sa ndoshta tek asnjë poet tjetër shqiptar.

Kam vizituar mauzolé të ngritur nga brezat e mëvonshëm në adhurim të poetëve të mëdhenj gjithandej nëpër botë. Disave prej atyre poetëve nuk iu kanë zënë këmbët dhé, nuk i ka errur nata kurrë aty ku i ka çelur dita. Por në fund të fundit janë kthyer në prehrin e vendlindjes. Disa prej poetëve nuk e kanë braktisur kurrë vendlindjen. Ka qenë punë muzash, punë zanash frymëzuese. Ato i kanë marrë me vete kudo ose i kanë mbajtur gjithmonë në një vend. Din Mehmeti iu përket këtyre të fundit. Dhe kështu e ka lehtësuar edhe ndërtimin e mauzoleut në nderim të tij dhe të vendlindjes e të atdheut. Edhe ne shqiptarët s’ka pse të mos e bëjmë traditë ndërtimin e mauzoleve për poetët tanë.

(Botuar në Bota Sot më 14 nëntor 2010, ribotuar më 15 dhjetor 2010 në Voal-online.ch, ribotohet te Voal.ch me pak ripunim)

 

Thomas Mann: gjermanët, ky popull i lënduar dhe shpesh i keqkuptuar

VOAL- Nga libri “Tregim i një shekulli- burrat dhe gratë protagonistë të Shekullit XX” të gazetarit të madh italian Enzo Biagi (Enco Biaxhi), kemi shkëputur shënime për nobelistin gjerman Thomas Mann (Tomas Man):

Kishte lindur në kohën e kancelarit Bismark, e himnizoi luftën e parë botërore, të cilën e quante “thellësisht të drejtë”, por nuk mori pjesë në të. Mjeku ushtarak ia vuri dorën në sup dhe i tha: “Ti duhet të rrish në paqe.”

Nuk e kuptoi menjëherë rrezikun e Hitlerit, madje i dukej se nazizmi ishte një mjet “për të mos e mbajtur rendin ekonomik dhe shoqëror në duart e socialistëve”, pastaj zgjodhi mërgimin, e “kushedi sa e vështirë ka qenë të largohem nga Atdheu im, nga lexuesit, peizazhet dhe kënaqësitë e rinisë”. “Atje ku jam unë, – i shkruante vëllait Heinrich Mann,- aty është kultura gjermane.”

“Një popull i madh, i bekuar gjermanët. Kush e mohon. Ndoshta janë dielli i tokës. Por si komb politik janë të papranueshëm! Një herë e përgjithmonë nuk dua të kem të bëj fare me ata, si të tillë,”- shkruante Thomas Mann.

“Nuk është e lehtë të jesh biri i një gjeniu,” shkruante i biri Klaus.

Thomas nuk kishte fare besim fetar, e kishte braktisur kishën protestante, por kishte një forcë stoike, e dëshmoi në shumë trishtime të jetës.

Si Sokrati e quante ekzistencën një sëmundje që duhej pranuar, ndonëse përplasjet, sulmet, humbjet e njerëzve të dashur e bënin të vuante.

LAMTUMIRË, NËNA SHQIPE! – Esé nga Xhemail Peci

1.
Në Londër binte një rigë e projshme shiu, sikur donte të thoshte diçka, sikur donte të kujtonte diçka, sikur donte të më thoshte diçka! Dhe sa më shumë që binte shiu aq më shumë më bënte përshtypje ritmi i tij gjithnjë e më i shpeshtuar!

Me të dalë nga shtëpia, mengadalë hapë pëllëmbët dhe shtrijë duart që të preku pikat e shiut, sikur pres një zë prej tyre!

Ishte një mëngjes sa i hershëm po aq edhe i freskët. Pastaj, dalëngadalë qielli filloi të bëhej më i zymtë, e më tej edhe më i ngrysur, madje deri në ato përmasa sa filloja të pyesja veten pse është kaq i ngrysur ky qiell sot, vallë pse duket kaq i mërzitshëm?!

Doja të hidhja hapin më tutje e dilja në rrugë, kur sakaq një telefonatë e atij mëngjesi të hershëm ma theku zemrën. Para se ta hapja celularin, diçka më therrte mu në zemër, më sëmbonte fort sepse me të parë numrin, druaja shumë se do të merrja lajmin që nuk e prisja kurrë, që nuk do të doja ta merrja kurrë, që nuk do të dëshiroja ta dija kurrë!

Zëri i ndrojtur i mikut tim, me të cilin sa herë që shkoj në Prishtinë, pi kafenë e mëngjesit thuajse gjithmonë në të njëjtin vend, më shtrëngon zemrën edhe më shumë!

Befas marr një kumt, një lajm të trishtë, të hidhur, nga i cili kuptoj se Nëna Shqipe ka ndërruar jetë!

Tepër e vështirë për ta mësuar, tepër e vështirë për ta dëgjuar një lajm si ky. Gati-gati e pamundshme për ta besuar! Edhe vetë gazetari veteran, mezi ma tha një kumt të tillë. Në zërin e tij kishte emocione, dhembje por edhe nderim dhe respekt të thellë, dëshmi e një konsiderate të veçantë që një Njeri Kulture, në kuptimin e plotë të fjalës (epitet të cilin me aq dinjitet Ernest Koliqi ia fali Mustafa Krujës), po shprehte në fjalët e tij të dhembjes.

Sa e sa vite kishim folur me mikun tim të nderuar, një ikonë e gjallë dhe një dritërrëfyes i fletorarizmës së mirëfilltë, sa e sa herë kishim shuar atë që vetë Koliqi e kishte quajtur ‘malli i shtampës’ (pra malli i shfletimit të gazetave herët në mëngjes), sa e sa herë kishim folur për kulturën, për artin, për letërsinë për gazetarinë, për lajmin por kurrë nuk na kishte vajtur ndërmend, se një ditë do të ndanim mes nesh një kumt të tillë!

Kohëve të fundit, si në një parandjenjë të çuditshme, duke folur me shumë pietet dhe me respekt të veçantë, që të dy e kishim përmendur gjithnjë e më shpesh Nënën Shqipe, madje deri në ato përmasa sa vetë emri i saj përhapte një përmasë drite, të cilin që të dy kishim privilegjin ta gëzonim.

Me të marrë lajmin e hidhur, thellësisht prekës dhe po aq pikëllues, shiu po binte gjithnjë e më shumë, sa më dukej si një violinë me tone të përmallshme! Shiu i Londrës më kujtonte shiun që bie në Prishtinë, kalldrëmeve të gurta e përmbi gjethet e blirëve! Atë ditë kumti, shiu në Londër po binte si në kalldrëme kujtimesh. Vazhdonte të binte ai shi si vetë një pikëllim qielli, sikur donte edhe ai ta thoshte dhembjen e tij, mallin e tij. Në të vërtetë, shiu sa flet me dhembje flet edhe me mëshirë! Pikat e shiut binin duke lidhur kështu tokën me qiellin. Atë ditë pikat e shiut ishin dëshmitare të dhembjes që nuk thuhet, të pikëllimit që nuk përshkruhet!

Butësia e tyre ngjante me një refkëtimë zemre, me një kith malli ku shumëçka ndalet për një çast të vetëm, ndalet dhe përqëndrohet vetëm në një pikë duke dashur të shpalos kujtimet që si thërmia buke bien në sofrën e kohës.

Befas, më kujtohej vargu: Sa herë kam kaluar mbi qiellin tënd Kosovë, i shkrimtarit Ismail Kadare!

Në një ngashërim të thellë, përzier me përdëllim dhe dënesje, befas më kujtohej kur sa herë që kaloja mbi qiellin e Kosovës, poshtë shikoja gjithmonë me mall tokën bujare të gjakut, të cilën Zoti e pagëzoi me epitetin ‘Toka e Shqipeve’, kurse poetët e lartësuan gjithmonë si të tillë!

Atë ditë, epiteti për tokën e shqiponjave sa më ngjallte mall, dhembje, pikëllim, po aq edhe më kujtonte shumëçka!…

Për një çast m’u kujtua një varg tjetër i gurrës popullore: Sa dhemb gjaku, nuk dhemb deti!

Por dhembja ishte më shumë se kaq! Ishte një dhembje e rrallë që përjeton njeriu, kurse largësia e shton atë edhe më shumë!…

Kumti i dhënë na i preu fjalët, mua dhe mikut tim të dashur, korifeut të gazetarisë së njëmendtë. Një ngashërim në fyt nuk na lente të thoshim më shumë. Ishim mësuar të flisnim më gjatë por atë ditë fjalët sikur nuk na dilnin dot. Edhe shiu binte gjithnjë e më i ndrojtur, si një përshpërimë qielli, si një zë i heshtur që vazhdonte përplot dhembje!

Atë ditë shiu më dukej si një urë e psherëtimave mes qiellit dhe tokës. Mes pikave të shiut si lot prej qiellit, sakaq më shfaqej portreti i një nënë sa bujare po aq edhe fisnike, portreti i Nënës Shqipe! Një nënë sa punëtore po aq edhe stoike, një nënë e cila përplot dinjitet dhe krenari përballoi sfidat e shumta të jetës duke triumfuar mbi të.

Nëna Shqipe vinte nga një derë e fisme dhe fati e deshti që të shkonte po në një derë fisnike, ku iu bë një krah i fortë burrit dhe familjes, rriti fëmijët si një nënë e denjë dhe frymëzoi nipa dhe mbesa, duke lënë gjurmë të pashlyera e duke qenë gjithmonë e nderuar nga rrethi i saj dhe shoqëria ku jetoi e punoi.

Ajo ishte një shembëlltyrë e papërsëritshme fisnikërie, bujarie dhe shpirtbardhësie.

Nëna Shqipe kishte tiparet dhe virtytet më të larta me të cilat Zoti ka bekuar kombin tonë, sepse siç ka thënë Napoleoni, në prehër të nënave lindin kombet!

Vetë portreti i saj rrezaton tiparet dhe virytet e tilla, një portret drite dhe përjetësie. Gjihmonë ballëlartë dhe krenare, gjithmonë një lartësi që në modesti shfaqte madhështi. Vetë emri i saj si një ogur i bardhë e kishte përcaktuar një përmasë të tillë nderimi e përjetësimi, përpara së cilës gjithmonë përulen breznitë orëmira.

Vetë emri i saj ishte mishërim i qenies së saj, sepse siç thoshin latinët e moçëm, çka ka në emër ka edhe në zemër!

E pa dyshim se ajo ishte një zemër sa e madhe po aq edhe e bardhë, një shpirt drite dhe bardhësie, një emër që pikërisht për shkak të simbolikës që ka, në trashëgiminë dhe krenarinë tonë kombëtare, për herë të parë u shkrua dhe mbeti si i tillë brez pas brezi: në mermerin më monumental!
2.
Në tokën që po e merrte në gjirin e saj, e thënë me fjalët e Lasgushit, binte diell. Nëna Shqipe shkoi nga kjo botë në një ditë me diell, në ditën e parë të javës, ditën e hënë. Ç’koincidencë e rrallë, me vargun e mermertë: Veshur me diell, mbathur me hënë!

Ajo është përcjellur me dhembje e mallëngjim, por edhe me mirënjohjen e thellë, në radhë të parë të familjes, por gjithsesi edhe të të gjithë atyre që patën rastin ta njihnin, ta takonin e të punonin me të. Nga ndjenja e dhembjes së thellë por edhe nga ndjenja e respektit të veçantë, mes tyre ka pasur edhe njerëz që kanë shkuar këmbë, vetëm e vetëm për t’i shprehur nderimet e fundit, ashtu siç meritonte ajo.

Një nderim të dillë të denjë e të përmasave të veçanta, e meritojnë vetëm ata njerëz që me shembëlltyrën e virtytit të tyre të madh si dhe me bujarinë e sjelljes së tyre të rrallë, i bëjnë për vete zemrat e njerëzve dhe mbesin përjetësisht në kujtesën e brezave.

Dhembja dhe mallëngjimi e kanë shoqëruar kortezhin, por pa munguar edhe ndenja e krenarisë së ligjshme për një Nënë Krenare që patëm në mesin tonë, pa munguar lutjet e pafundshme që Zoti ta shpërblejë me Parajsë e të prehet në paqe, si dhe ngushëllimet më të sinqerta për familjen dhe për farefisin e nderuar, që dhembja të kthehet në forcë! Kurora lulesh e kurora fjalësh deri në përjetësi!

Të nesërmen, diën e martë, lutjeve të panumërta iu shtuan edhe pikat e shiut. Viktor Hygoi me të drejtë ka shkruar se lutja është lidhja më e fortë mes tokës dhe qiellit. Lutjet e shiut u janë shtuar gjithnjë e më shumë lutjeve të njerëzve. Fjalën e mund vetëm loti, dhembjen vetëm shiu. Prandaj, në Prishtinë vazhdimisht binte shi. Pikat e shiut, që binin përmbi kurorat e luleve, mbi kalldrëmet, mbi gurët, rrugët, sheshet, bulevardet dhe përmbi xhamat e dritareve, kryenin edhe ato ritualin e tyre, nga dhembja dhe pikëllimi, dëshmi se për njeriun e mirë qanë edhe vetë qielli. Butësia e shiut lagte tokën, shoqëruar me lutje zemrash e me dhembje shpirti!

Përcjellja – një përulje e thellë dhe një shprehje e madhe e falenderimit: dita e hënë ka folur me gjuhë dhembshurie, kurse dita e martë është lutur me shi, dëshmi kur dikush meriton përjetësi!

Ka shekuj të tërë që bie shi, por ditën e martë ka rënë përplot butësi, vetëm e vetëm për të nderuar një Nënë!

E toka foli me fjalë drite. Foli me flatrat e fjalës shqipe për Nënën Shqipe! Gatoi e poqi edhe dheu fjalë dhembjeje e mallëngjimi. Foli e tha:
Një Qienie Qielli në Mbretërinë e Zotit!
Në ndërkohë, që shiu binte siç binin dhe pikat e lotit!…
Të hënën në Londër binte shi!
Të martën binte në Prishtinë!

Se ç’më ngjall mall ky shi e seç më kujton titullin e veprës së Aleksandër Stavri Drenovës-Asdrenit (autorit të himin kombëtar shqiptar) dhe pa dyshim një prej kryeveprave të letërsisë shqipe, Pika Lot’!
Seç m’i kujton ky shi, vargjet e tij, të cilat sikur i ka shkruar pikërisht për një ditë si kjo:
Ëndrra dhe lotët s’venë kot në erë,
Kanë dhe ato gjuhë të flasin një herë!

Më bëhet sikur pikat e shiut me gjuhën e tyre shkruajnë vetë vargjet e Asdrenit, mbi fletët e luleve, përmbi gjethet e bilrëve, përmbi parmakët e dritareve!

Seç ma kujton ky shi, njërën prej strofave më të bukura e më të dhembshme njëkohësisht, të poetit kombëtar Gjergj Fishta (i treti dhe i fundit pas De Radës e Naimit), të elegjisë së tij të famshme, Peng Nderimi:
Oh! Po: ajo fjalë ngushllimit
N’zemër njashtu m’ka ardhë
Si voesa prej agimit,
Qi bien m’nji lil të bardhë:
E atbotë, si kahë prendvera
Bijn vjollca e lule tjera,
Njashtu mendimet-paten n’mue
burimet.

Seç ma kujton ky shi thënien e madhe e monumentale të Stefan Cvajgut: Është e madhërishme të jesh njeri!

Sa bekim i rrallë, të kesh në jetë një shkëlqim me një rrezatim dielli, dhe të përcillesh nga kjo jetë me vargun e mermertë: ‘Veshur me diell, mbathur me hënë’, e të nesërmen-pra ditën e martë, të bie shi si një përgjërim i pafund dëshmi për përjetësi!

Sa shumë ma kujton ky shi, një him nga më të rrallët që miku im i dashur kishte shkruar pikërisht për këtë madhështi – të qenunit njeri, e qoftë edhe vetëm për këtë çdo Akademi veten do ta nderonte me emrin e ti (j):

‘Me qenë njeri është normale, mos me qenë njeri, është vështirë!
Njeriu i mirë është ai që udhëhiqet nga ndershmëria, dashuria për të tjerët dhe ndjenja e përgjegjësisë!
Ai nuk e mat vlerën e vet me pasurinë apo pozitën, por me mënyrën se si sillet ndaj të tjerëve dhe ndikimit pozitiv që lë në shoqëri.
Cilësia e parë që e dallon një njeri të mirë është ndershmëria.
Ai është i aftë, të ndjejë dhe të kuptojë vuajtjen e të tjerëve dhe gjithmonë përpiqet të ndihmojë sa herë ka mundësi.
Njeriu i mirë nuk pret shpërblim, sepse ndihma për të është një detyrim moral dhe jo një mjet për përfitim personal.
Njeriu i mirë është i drejtë, i sjellshëm, nuk fyen, është i urtë, i durueshëm dhe respektues.
Ai nuk nxiton të gjykojë, por dëgjon, kupton dhe flet me maturi. Sjellja e tij gjithmonë është e bazuar në edukatë, tolerancë e mirëkuptim.
Njeriu i mirë, është një shembull i gjallë për të tjerët.
Me veprat e tij ai frymëzon dhe ndihmon në ndërtimin e një shoqërie të drejtë dhe më të bashkuar.
Ai nuk e sheh të mirën si një zgjedhje, por si një mënyrë jetese!
P. S. Sa shumë ka nevojë Kosova për njerëz të tillë (të mirë)!
Po kam dëshirë me menduar se, shumë nga këto kushte, tashmë i kam plotësuar) !!!’

Sa shumë e kishim komentuar së bashku këtë himn për njeriun dhe njerëzoren me mikun tim, që përpos se gazetar është edhe vjershëtar. Pra, Korifeu dhe Prometheu tek ai shkrihen në një, duke ma kujtuar gjithmonë thënien e Pashko Vasës se poet dhe mbret janë gjithmonë dy gjëra të papajtueshme!

Shpesh, edhe nga larg e kujtoj vendin ku takohemi me mikun tim. E nga larg më kujtohet shumë shpesh thënja e Gëtes: Sa ëmbël tingëllon gjuha e nënës në dhe të huaj!

Pastaj, kujtoj Firdusin e madh, tek po gdhendte vargjet e kryeveprës së tij Shahnameja (Libri i Mbretërve), plot 30 vjet! Duke shkuar për të shkruar në të njëjtin vend, i kishte bërë të tjerët të thoshin: Vetëm një njeri rri i vetmuar. I menduar dhe duke pirë çaj!…

Edhe Nestori i urtë gjithmonë shikon drejt ardhmërisë përmes mençurisë së shekujve, prandaj sa shumë flet mermeri i këtyre fjalëve të mikut tim të dashur, shkruar në një shqipe me tone fisnike, edhe një dëshmi se njerëzit si Nëna Shqipe më shumë i duhen tokës se qiellit!

Dhe sa më shumë që bie ky shi aq më shumë m’i kujton perlat e poetit të thelpinjve të hollë lirik, Lasgush Poradecit:

O Zot i madh e plotfuqishëm merri, merri në kujdestari shpirtat e shërbëtorëve të tu dhe mbaji në parajsë! Të lutem o Zot! Dëgjoma lutjen time! Ndjesi, o Zot i plotfquishëm për shpirtat e tyre!’

Në historinë e letërsisë shqipe, Lasgush Poradeci e ka epitetin nga më të bukurit por dhe nga më të rrallët: Princi i Poezisë Shqipe!

Dhe kush më bukur se Lasgush Poradeci ka ditur t’i lutet Zotin në një shqipe të qëruar fjalësh, siç do të thoshte Princi i Gjuhës Shqipe Faik Konica, për fjalimet e zjarrta të atdhedashurisë së Abdyl Frashërit?

Është thënë me të drejtë për Lassgushin se në një vetmi kozmike vetëm Zoti ia di shqipen!

Dhe cili prej nesh, në një mënyrë ose në një tjetër, nuk është i është lutur Zotit njëlloj si Lasgush Poradeci, në ditën kur Nëna Shqipe u nda prej nesh?!

Cili prej nesh nuk tha nga thellësitë e zemrës fjalë plot dhembje e mall të valë? Cili prej nesh nuk do ta kujtojë e nderojë përjetësisht si të tillë?

Flamurtarja Nëna Shqipe!

Ballëndritura Nëna Shqipe!

Zemërmadhja Nëna Shqipe!

Shpirtbardha Nëna Shqipe!

Mëshirëmadhja Nëna Shqipe!

Shambibardha Nëna Shqipe!

Lokemadhja Nëna Shqipe!

Nënëmadhja Nëna Shqipe!

3.
Nëna nuk ka moshë, sepse siç e tha poeti, atdheu fillon tek zemra e nënës. Në kuvendimin e saj të heshtur, Nëna foli gjithmonë me atdheun. Gjuha e zemrës foli me gjuhën e gjakut. Në modestinë saj, Nëna Shqipe shpalosi vetë madhështinë e saj. Sa fisnike po aq edhe bujare, sa punëtore po aq edhe krenare, sa njerëzore po aq edhe parimore, sa kosovare po aq edhe ilire – po aq edhe arbërore. Ajo gjithmonë vuri krenarinë përmbi lumturinë. Ajo e deshti gjuhën dhe kulturën, traditën dhe atdheun, prandaj nuk është thjesht një koincidencë që në votrën e saj dhe në sofrën e saj bujare ka aq shumë pagëzime me shkronjën A.

Vetë portreti i saj na e kujton thënien e moçme e tejet domethënëse me të cilën Arbëreshët matanë brigjeve të Adriatikut, kujtonin, lartësonin dhe nderonin atdheun e tyre të dashur, thënien emblematike: Zonja Mëmë!
Që nga Jeronim De Rada e deri tek Vorea Ujko, e hasim këtë shprehje të krenarisë dhe të madhështisë, me të cilën sot e mot gjaku i arbërit nderon atdheut e të parëve të vet, shprehjen: Zonja Mëmë!

Në mënyrë të veçantë, tiparet dalluese të portretit të saj, na e përkujtojnë thënien e madhe të shkodranit të mençur të të shqiptarit të madh, poetit të pushkëve të bardha, Pashko Vasa (në poemën O Moj Shqypni!): ‘Ti ke pas qenë nji Zonjë e ran’/ burrat e dheut të thirrnin Nanë!’

Në gjuhën e Pashko Vasës, shprehja Zonjë e ran do të thotë Zonjë e Madhe, epitet ky të cilit Fan Noli në përshkrimin që i bëri nënës së Gjergj Kastriotit-Skëndërtbeut, pas kthimi të tij në Krujë, i shtoi pjesën më të bukur: ‘Si nonjë e Shenjt’ Madhështore’, duke e mishëruar kështu në një, Nënën me Mëmëdheun!…

Vetë portreti i Nënës Shqipe me ballin e gjerë e me qëndrimin sa stoik po aq edhe krenar, flet dhe dëshmon se ajo ishte mishërim i një emri tejet fisnik, që u trashëgua brez pas brezi.

Vetë emri i saj Shqipe, është mishërim i gjuhës dhe i dashurisë për atdheun, për krenarinë e një kombi të lashtë e të përvuajtur, që gjatë gjithë historisë së tij shumëshekullore dëshmoi se shqiponjat fluturojnë lart!

E them me krenari të ligjshme se Nëna Shqipe ka pasur një dashuri proverbiale, në radhë të parë për gjuhën, për kulturën, për Atdheun dhe për kombin, njëlloj sikurse edhe bashkëshorti i saj (DRITË U BËFTË SHPIRTI!) gjithashtu, në prizmin erenestkoliqian: Njeri i Kulturës.

Dëshmi e kësaj dashurie proverbiale si edhe e një bashkëbisedimi në heshtje me atdheun e vet, janë katër emra të nderuar në kulturën tonë kombëtare, dy prej të cilave janë epitete nga më të bukurat dhe nga më domethënëset.

Këtu e më shumë se njëqind vjet më parë, Shqipëria nxori gjithashtu tre emra të shquar nga një familje atdhetare e iluminste, të cilës në rrokullisje të moteve do t’i shtohej edhe emri i katërt: Abdyl Frashëri, Sami Frashëri, Naim Frashëri, dhe Mithat Frashëri.

Është thënë me vend se ky është një rast unik në historinë e Europës dhe shqiptarët kanë pse të krenohen me ta.

Përmasën e ardhjes së tyre, poeti K. Petriti e ka gdhendur me një penë të rrallë:
Tre vëllezër Frashëri,
Sa për tre Tomorr,
Tre kontinente shkelin
Për një Vlorë.

Ndërkaq, poeti Sylejman Mato u ka kushtuar atyre poezinë më të bukur që dikush ka shkruar ndonjëherë për ta:

Balli i trimërisë,
Balli i poezisë,
Dhe balli i mençurisë,
Tek balli i Shqipërisë.

Pra, balli i Abdylit, i Naimit dhe i Samiut. Nuk ka si të përmblidhet në mënyrë më lakonike sesa kështu madhështia e Frashëllinjve, trima e të mençur, atdhetarë e vizionarë, luftëtarë të paepur të bërjes së Shqipërisë me hir o me pahir!

Njëlloj sikurse Nëna Emine (emrin e së cilës Abdyl Frashëri e trashëgoi tek e bija e tij – Emineja, e cila u martua me Tajar Zavalanin-gazetar në BBC, të birin e Fehim Zavalanit, në shtëpinë e të cilit u mbajt Kongresi i Manastirit), pra ashtu sikurse Nëna e Frashëllinjve, edhe Nëna Shqipe ia fali kulturës shqiptare (për të herë të dytë), pas më shumë se njëqind vjetëve: Parashqevinë dhe Sevastinë.

Po nga kjo dashuri, po nga kjo dhunti e genit iliro-arbëror, ajo gjithashtu ia fali po kësaj culture, Kanarinën e saj!

Përmbi të gjitha, nga dashuria e saj e madhe proverbiale për gjuhën shqipe, me të cilën edhe mishërohej aq shumë emri i saj i madh, ajo ia fali gjuhës sonë të bukur, gjuhës sonë të dashur edhe Princeshën e saj.

Pra, katër emra, katër shtylla të një kulture të lashtë mijëvjeçare. Pa dyshim edhe një dëshmi, se edhe emri Shqipe, e që në të vërtetë është rrënja e emrit të atdhuet tonë të shenjtë, ka hyrë në urdhrat e bekimit hyjnor mijëra vjet më parë, pikërisht ashtu siç vjershëroi aq bukur Mitrush Kuteli në Poemthin Kosovar:
Se jam këtu kur s’kish njeri,
kur s’kish kufi
as fqinjësi,
as shka të zi
se jam këtu kur Mali I Zi
ish Iliri;
Kur nga një det në tjatrin det
isha Zot vet!

Ndërkaq, Ernest Koliqi në melodramën Ora e Shqypnisë, do të shkruante:

E n’kje se n’at krahinë n’ato gërmadhe
Ku i foli botës nji Dodonë zamadhe
Tingllat e pyllës hyjnore kanë heshtue;
Po Ora e Shqypnis nuk ka marue!
Ku Dodona Europës s’hutueme
i mbulonte ajo fatin e vet:
ku gjaku s’di m’u ba ujë, pse a gjak Ilirësh,
e gjaku i asaj Shqipes pellazge, e cila dikur:
Flatrat e veta i rrifte
kur as Athina e as Roma nuk u njifte!

Në të vërtetë, në historinë e saj të fragmentuar qëllimisht sa dhe padrejtësisht, gjuha jonë e bukur shqipe e mëpastaj edhe letërsia shqipe, kishin kërkuar dhe kishin gjetur më në fund dritërrëfenjësit e vet: Konstantin Nelko Kristoforidhin (Babai i Gjuhës Shqipe), Naim Frashërin (Bilbili i Gjuhës Shqipe), Faik Konicën (Princi i Gjuhës Shqipe), Zef Seremben (Princi Tragjik i Poezisë Shqipe, Lasgush Poradecin (Princi i Ërgjendtë i Poezisë Shqipe)…

Vetëm njëra mungonte, në aq shumë shekuj, vetëm ajo nuk po vinte dot: Princesha e Gjuhës Shqipe!

Ishte pikërisht Nëna Shqipe ajo që ia dha atdheut të saj, gjuhës së saj, kulturës së saj: Princeshën e Gjuhës Shqipe!…

Prandaj, sa herë të lexojmë e recitojmë vjershat dhe vargjet e mermerta të poetëve që shkruan himne të papërsëritshme për gjuhën shqipe, duke e quajtuar atë madje edhe si gjuhë hyjnore, do ta kujtojmë edhe Nënën Shqipe.

Sa herë të kujtojmë thënien e albanologut të madh Holger Pedersenit se gjuha shqipe të finsikëron shpirtin, do të kujtojmë Nënën Shqipe.

Sa herë që të kujtojmë thënien e madhe të albanologut hungarez Ishtan Shfyc, se gjuha shqipe është zonja e Ballkanit, do të kujtojmë me krenari Nënën Shqipe!

Sa herë që kujtojmë fjalët lapidare të publicistit dhe iluministit shqiptar K. Gurakuqit për gjuhën e bukur shqipe (shkruar më 1942 nën titullin Dashunija për Gjuhën Shqipe): ‘Do ta duam gjuhën shqipe, sepse kjo gjuhë për mijëra vjet shprehu mendimin e sa e sa miliona njerëzve të një gjaku me ne, sepse fati i saj qe fati i Shqipërisë, jeta e saj historia jonë, mbretërimi i saj madhështia jonë. Ta duam, sepse fjala e saj na del nga fundi i shpirtit bashkë me çdo njësi tonën, trazohet me mendimet tona që prej burimit të tyre e më thellë, dhe nuk është vetëm trajtë, kumbim, ngjyrë, por krejt jeta e mendimit tonë. Do ta duam, sepse është ushqim mendor yni, fryma e mendjes dhe e shpirtit tonë, sepse është shprehja e vetisë më të madhe të cilësive të veçanta të kombit tonë, fytyra më e gjallë dhe më fisnikja, gati-gati natyra vetë e racës sonë. Do ta duam, sepse është lidhja më e fortë e njësisë sonë si popull, ushtima e së kaluarës sonë, zëri i ardhmërisë sonë, jo vetëm fjala por qenësia e shpirtit të Atdheut. Do ta duam gjuhën shqipe, sepse është e bukur, shumë e vjetër dhe shumë e fuqishme.’ do ta kujtojmë edhe Nënën Shqipe.

Sa herë të kujtojmë thënien lapidare të Ernest Koliqit për gjuhën shqipe: O gjuhë e folun, tre mijë pranvera!, do të kujtojmë dhe do të nderojmë edhe Nënën Shqipe.

Në historinë, në traditën, në trashëgiminë tonë kombëtare mijëravjeçare, në artin tonë, në kulturën tonë shpirtërore, në letërsinë dhe në gjuhën tonë, në jetën tonë dhe në qëndresën tonë, në epikën tonë legjendare dhe historike, emri Shqipe ka një simbolikë dhe një domethënie të veçantë.

Emri Shqipe është mishërim më sublim i të gjitha idealeve kombëtare, është mishërimi më i bukur i të gjitha viryteve dhe tipareve iliro-daradne, është pagëzim dhe përjetësim të cilin brezat e shqiptarëve atdhetare e kanë bartur dhe do ta bartin brez pas brezi, me krenari dhe me dinjitet.

Emri Shqipe, në parafrazim të poetit të madh francez Lui Aragon, është një emër ku mblidhen shekujt, është një zemër ku zgjohen ardhmëritë.

Vetë emri Shqipe, prej të cilit edhe buron emri i atdheut tonë Shqipëri, është një emër me diellin në zemër, dhe si i tillë ai nuk shuhet kurrë!

Në hartën e prerë egërsisht të Ilirisë, si dhe në hartën e tkurrur skajshmërisht të Shqipërisë, emri Shqipe qëndron në ballë, qëndron si një emblemë e lashtë ilire, qëndron siç qëndruan edhe vetë shqipet në kreshtat e larta të tokës mëmë e në kështjellat e pamposhtura të atdheut tonë.

Në simbolikën e një emri të tillë edhe vetë gjuha jonë e bukur shqipe, është kryekështjella e kombit, është vetë shpirti i kombit.

Të vish nga një qytet tjetër në kryeqendër, të vish nga një shumë e fisme e të hysh me këmbë të mbarë në një derë tjetër njëlloj fisnike, t’i përvishesh punës me aq përkushtim e të kontribosh pa u ndalur në një familje që kishte aq shumë nevojë për një dorë të vyer, t’i bëhesh asaj krah dhe dalëngadalë të bëhesh edhe shtylla e saj vertebrale, të ngresh familje e të rrisësh, të edukosh dhe të shkollosh fëmijë të mrekullueshëm me një shembëlltyrë të pashoqe, të bëhesh rreze shprese dhe burim drite – si për familjen ashtu edhe për rrethin e shoqërinë, të ndikosh aq shumë me shembëlltyrën tënde të rrallë, të frymëzosh aq shumë me tiparet dhe virtytet më dalluese të genit të kombit, të mbjellësh aq fort ndjenjën ndaj gjuhës, ndaj kulturës, ndaj lirisë dhe ndaj atdheut; të jesh pastaj e rrethuar me përmasën e theksuar sa edhe të merituar të nderimit e të respektit, të mbledhësh rreth votrës njëlloj sikurse edhe rreth sofrës nipa dhe mbesa të shumtë, të lesh një trashëgimi për lakmi e cila sot e mot rrezaton dritë dhe mirësi, bujari dhe fisnikëri, mbarësi dhe bardhësi, t’u falësh me aq përkushtim, me aq zotim, me aq dinjitet dhe me po aq krenari breznive orëmira fjalën tënde të ëmbël e të dashur si dhe shembëlltyrën tënde të lartë, don të thotë se e ke përmbushur një mision tepër human që jeta të ngarkuar mbi supe, don të thotë se ke përballuar aq shumë sfida dhe ke sakrifikuar aq shumë për të triumfuar përmbi vështirësitë dhe për të ngadhënjyer me aq meritë në valët e jetës, gjithmonë duke pasur parim të parë parimin e së drejtës dhe të së vërtetës; don të thotë se e ke fituar përjetësisht nderimin dhe mirënjohjen e të gjithë atyre, tek të cilët ke lënë gjurmë të pashlyeshme me krenarinë tënde të ligjshme prej Nëne.

Përmbi të gjitha, t’ia falësh kulturës së kombit tënd, pra t’ia falësh atdhuet tënd të dashur Shqipërisë, sërish pas më shumë se njëqind vjetësh, si Sevastinë ashtu edhe Parashqevinë – pa dyshim krenaria jote më e madhe dhe krenaria e jonë e përbashkët, t’ia falësh sërish pas mijëra vjetësh në tokën bujare të Dardanisë, Tempullit të lashtë të Dodonës – Kanarinën, dhe t’ia falësh aq bujarisht gjuhës sonë të bukur e të ëmbël, pas aq shumë mijëvjeçarëve, Princeshën e saj të pritur aq shumë dhe aq gjatë, don të thotë se në modestinë tënde ke shpalosur gjithmonë madhështinë, don të thotë se për stoli ke pasur një dhunti dhe bujari të rrallë, me të cilën veç Zoti ka ditë qysh me t’beku!

Duke nderuar kështu kaq denjësisht atdheun tënd dhe kombin tënd, ke nderuar njëkohësisht veten tënde dhe ke nderuar në mënyrën më të merituar të parët tu, të cilët duke të pagëzuar ashtu me aq krenari dhe me aq dinjitet me një emër sa të dashur po aq edhe epik, jo vetëm që kishin besuar por edhe kishin paralajmëruar një ogur tepër të bardhë!

Prandaj, është i nderuar një komb që ka një Nënë të tillë. Janë me fat ato brezni që kanë një Nënë të tillë në mesin e tyre, brezni të cilat Nëna Shqipe, me jetën dhe me punën e saj, i pa dhe i deshti gjithmonë si: Brezni Orëmira!

Duke shprehur sërish ngushëllimet tona më të sinqerta familjes dhe gjithë farefisit, duke ndarë dhembjen së bashku dhe gjithmonë duke u lutur që dhembja të kthehet në forcë, shprehim njëkohësisht respektin më të thellë si dhe mirënjohjen tonë pa kufi për Nënën Shqipe!…
4.
Një kumt si ky, gjithmonë e ndalë frymën!
Një kumt si ky gjithmonë është një trishtim i thellë!
Përballë një kumti të tillë është e pamundur të përmbahesh, sepse e tillë është dhembja!
Ajo e pret fjalën, e shtrydh lotin!
Në fillim ishte fjala!
Kështu shkruan në Librin e Shenjtë!
Edhe në fund, sërish fjala.
Por ky nuk është fundi!
Ky është fillimi.
Ky është amshimi!
Fjala, lulet dhe lotët bëhen një, sepse asgjë nuk arrin më shumë tek Zoti sesa vetë fjala që buron nga zemra, sesa vetë loti!
E sakaq fjala, lutjet dhe kërkim-falja bëhen një:
Sepse sado që u përpoqa fort, as nuk të pashë e as nuk erdha dot!…
Të paktën të venja një grusht dhe e një grusht lotësh, një tufë lulesh në ndërrim motesh!
Megjithatë, Nëna Shqipe do të nderohet nga ne dhe nga brezat që do të vijnë pas nesh, sot e mot e në jetë të jetëve!
Përmasa e një nderimi të tillë, sërish më kujton vargje poetësh!
Më kujton fate poetësh, si ajo e poetit të vargut të gjakut, kur e përcolli Kanarina me fjalët lapidare që nxori nga krahanori, këtu e trembëdhjetë vjet më parë:
‘Lamtumirë Poet! Të qoftë i lehtë dheu, dhe paqja: E Amshuar!’
Në trilogjinë e tij, Dante krijoi parajsën ku zotëron një dritë hyjnore.
Borhesi, në imagiinatën e tij të bujshme, krijoi një vizion të papërsëritshëm ku parajsës ia fali parafytyrimin e një biblioteke të rrallë!
Një dhembje si kjo, gjithsesi na shtynë të besojmë se parajsa në radhë të parë përbëhet nga shpirta të bardhë!
Një pikëllim si ky, një dhembje si kjo, më kujton vargjet e poetit të madh Naim Frashërit:
O forcë e shpirtit, ti qëndron sipër njerëzimit dhe i përket qiellit!
Nëna Shqipe, tani i përket qiellit!
Atje ku është Mbretëria e Zotit!
Atje ku është Amshimi vetë!
U preftë në paqe, Nëna Shqipe!
Asht siç tha vetë Kanarina:
‘TË QOFTË I LEHTË DHEU, DHE PAQJA: E AMSHUAR!’…
Sot si asnjëherë tjetër, sot si kurrënjëherë tjetër, lutem sa mundem, duke e vënë dorën në zemër dhe zemrën në letër:
Të qoftë i lehtë dheu, që të lindi e të rriti!
Ta paqim gjithmonë hua Nëna Shqipe, në jetë të jetëve!
T’i paqim të gjitha – gjithmonë hua, siç tha Asdreni:
Pika Lot!
Sa herë bie shi, sa herë që lutemi:
O Zot!
Sërish, siç na la trashëgim Naimi vetë:
LUM SI TI, SHPIRT I PAMORT!
Sa herë që themi:
NËNA SHQIPE!
Sa herë që shikojmë portretin tënd!
Sa herë që të kujtojmë e hedhim sytë kah përjetësia!
Sa herë që themi:
SHQIPE SHQIPËRIA!…

(Londër, fund nëntori – fillim dhjetori, 2025)

Kristaq Turtulli: Të nderuar dhe të respektuar Miq e dashamirës të krijimtarisë sime. Sot u botua në Amazon dhe Barne Noble romani im më i ri në gjuhën angleze:

  KISSES WITH THE SOUL
Për ju po hedh një fragment të shkurtër në shqip dhe anglisht:
Dikur, im atë më këshillonte:
“Biri im i dashur, mos harro kurrë atë që do të them:
Në jetë, njerëzit pasivë janë ata që nuk marrin pjesë në asgjë — ata thjesht vegjetojnë: hanë, pinë, shkojnë në banjë, flenë dhe presin meftësisht derisa vdekja të vijë t’i marrë. Por për të tjerët gjithçka është ndryshe; atyre u pëlqen të jenë njëkohësisht edhe aktorë, edhe regjisorë, por harrojnë se janë turmë — një masë amorfe, një skicë në miniaturë e forcave të mëdhenjve dhe të mashtruesve, e mjeshtërve të vjetër dhe të rinj. Marrëzisht, këta njerëz naivë këmbëngulin si bagëtia, me kokëfortësi të marrë; duan që të luajnë në vepra të mëdha dhe drama.
Me dinakëri djallëzore, hijet e djeshme dhe të sotme, mjeshtrat e së keqes e shtyjnë turmën në skenë për të interpretuar, por papritur dritat i verbojnë, dhe ata fillojnë të ngatërrojnë replikat; skenat dhe lëvizjet u përmbysen. Të fuqishmi tallen me turmën; të tërbuar, e përqeshin e nëpëkëmbin. Ne me naivitet fajësojmë dhe shikojmë njëri-tjetrin me urrejtje; spiunojmë dhe grushtohemi më keq se gladiatorët. Hm! O bir sigurisht të fuqishmit janë të pafajshëm ata nuk gabojnë kurrë; kanë qeshur gjithmonë dhe vazhdojnë të qeshin hidhur me ne, duke thënë: ‘Drama e turmës është brenda natyrës njerëzore. Zilia dhe çmenduria janë brenda nesh dhe kanë qenë për vite e vite — dekada e dekada, shekuj të tërë — duke qelbur si plagë gangrene.’
EH! Në fillim turma e pranoi zilinë si një lodër fëmije, një dhuratë të vogël simbolike por joshëse, dëshirën e marrë për të qenë dikush, e jo turmë. Por për të qenë dikush duhet të sprovohesh; duhet të ngjitesh mbi të tjerët, të shtypësh ata. Ne e gëlltitëm me lakmi të gjithë atë dëshirë bashkë me hijet e së kaluarës së largët dhe asaj të afërt, të cilat na ndjekin në çdo hap. Ata na shohin ne, e ne nuk i shohim ata por të dy palët jemi të pafuqishme…
Dhe pastaj të gjithë: pasivët, egoistët, trazovaçët, karrieristët, mjeshtrat, ardhacakët — u mbushëm me materien e qullët, helmuese të çmendurisë që u derdh me dhunë. E patretur mirë në stomakun bosh të çmendurisë, ajo nuk gjeti ushqim, por thartirë në bark; u trazua dhe u përhap shpejt në të gjithë qenien. Trupi e pranoi si normale dhe nuk e dëboi.
Me pak fjalë, biri im: ne jemi një turmë e mrekullueshme, por nëse na vënë zjarrin, nëse ndizet shkrepësja, bëhemi shkatërrues, vrastarë; përmbysim botën dhe mbjellim rrënoja.
—-
My father once used to advise me:
“My dear son, never forget what I’m about to tell you:
In life the calm ones are those who play no part, they merely vegetate: they eat, drink, go to the bathroom, sleep and wait passively for death to come and take them. But for others everything is different; they like to be both actors and directors at once, yet they forget they are a crowd, an amorphous mass, a miniature sketch of strongmen and charlatans, of old and new masters. Foolishly, these naive people persist like cattle, stubborn and foolish; they want us to perform great acts and dramas.
With devilish cunning the shadows of yesterday and today, the masters push the crowd onto the stage to perform, but suddenly the lights blind them, and they begin to tangle their lines, their scenes and movements are overturned. The powerful above us jeer at the crowd; enraged, they sneer and snarl. We blame and stare at one another with hatred; we spy and brawl worse than gladiators. The powerful are innocent, they never err; they have always laughed and continue to laugh wickedly, saying: ‘The crowd’s drama is inside human nature. Envy and madness lie within us and have for years and years, decades and decades, centuries, festering like a gangrenous wound.’
At first the crowd accepted envy as a child’s toy, a small symbolic gift but a tempting one, the mad desire to be somebody, not the crowd. Yet to be somebody you must be tested; you must climb over others. We greedily swallowed that whole desire along with the shadows of the distant and the near past, which follow us at every step. They see us and we do not see them, yet both sides are powerless…
And then, everyone: the passive, the selfish, the troublemakers, the careerists, the masters, the newcomers, the mushy, poisonous matter of madness poured in violently. Poorly digested in the empty stomach of madness, it found no nourishment but acidified the gut. It churned and quickly spread through the whole being. The body accepted it as normal and did not expel it.
In short, my son: we are a marvelous crowd, but if we are set alight, if the match is struck, we become destructive, murderous; we overturn the world and wreak havoc…”

Federico Garcia Lorca: Nuk jam interesuar kurrë për politikë, jam shumë frikës

VOAL- Nga libri “Tregim i një shekulli- burrat dhe gratë protagonistë të Shekullit XX” (1999) të gazetarit të madh italian Enzo Biagi (Enco Biaxhi) po shkëpusim këto shënime për poetin e famshëm spanjoll Federico Garcia Lorca (Federiko Garsia Lorka):

Lorka thoshte: “Nuk jam interesuar kurrë për politikën, jam shumë frikës. Për të mbajtur një qëndrim duhet të jesh guximtar, çka unë nuk jam.”

Nuk dihet ku është varrosur Federiko, nuk dihet me saktësi nëse ajo natë e verës së vitit 1936, në gusht, ishte pikërisht ajo që shkonte mes perëndimit të 18-ës dhe agimit të 19-ës, sepse ende sot janë shumë ata që heshtin, dikush prej tyre ka parapëlqyer të harrojë. Sepse, tekembramja, Garsia Lorka nuk i përkiste askujt. Fati i Lorkës ishte i lidhur me hakmarrjen.

“Por ka bërë më shumë dëm me librat e tij se të tjerët me armët e tyre,” shkruante Ruiz Alonso.

Lorka mbante mbi supe një mbulesë, sepse ishte ftohtë, kishte përballë tij ullinjtë dhe malet, në zemër kishte ankthin e atij që e ndjen kotësinë e jetës. S.B.

Nuk jam rrjedha që shkon kuturu- Esé nga FATBARDH AMURSI

S`besoj se shfaq ndonjë mburrje, nëse them se krijimtarinë e shkrimtarit Odise Kote: e njoh. Sikurse sterën, që gjirokastritët e mbushnin në kohë shirash, i mbushur jam edhe unë me përjetime, përgjatë leximit të poezive të tij dhe i erdhi radha t`i shkarkojë. Në botën e sotme i lexohet mosha shtresave të dheut, pemëve, mbetjeve arkeologjike, sikurse maten largësitë e yjeve, por, artit nuk i duhen: as mosha dhe as largësia, veçse shpirti dhe idetë. Natyrisht, ajo që ka rëndësi: mënyra se si ato janë shprehur. Kur dëgjon ekspertët e ekonomisë apo të ligjeve, përfshi dhe emërtimet latinisht të mjekëve, për t`u bërë të kuptueshëm për publikun, u këshillohet që t`i shmangin ato. Dihet që metafora është mbretëresha e gjuhës figurative, dhe asnjëherë s`është e lehtë të bëhesh mbret i mrekullisë, pasi shumë syresh gënjehen nga magjia e saj, duke përngjarë me zanatxhinjë, që më shumë prishin se sa ndreqin.
Të gjithë shkrimtarët kanë disa parime, që ia vendosin vetes, të cilat i gjen të shprehuar në vargje, sikur dhe një i tillë: “Mos ik, o njeri, nëpër shtigje të rrahura!”, duke shfaqur devizën:
Dua psalm të ri
që ngre në këmbë të pamundurin.
Ky ngulmim i autorit Odise Kote për shtigje dhe psalm të ri më kujtoi udhëtimin e Robert Kukut në eksplorimin e Antarktidës. Në momentin, kur ai kujtoi se ishte i parë që zbuloi kontinentin e bardhë, pa një vendbanim të braktisur. Një ekspeditë kish qenë para tij. Ndryshe nga eksploruesit e tokës, që s`kanë lënë vend pa zbuluar, bota krijuese ka vend për të gjithë, nëse ecën në rrugën tënde. Askush nuk e sheh me sy të lirë trafikun e avionëve në qiell, por nëse rastis ta shohësh monitorimin e tyre nga satelitët habitesh se si ata nuk përplasen. Ndërsa Pegasi, kali fluturues i muzës, e humbet rrugën nëse ecën kuturu. Pa harruar se “Shtigjet e rrahura” janë të zëna me profilet fallco, ndaj poeti ngre shqetësimin qytetar, se shoqëria e konsumit po bie në flamën e verbimit, ku përqafimi ka humbur afshin njerëzor:
“Po vijnë manekinët, ushtria memece,
si flamë kolektive po bie verbimi.
A ka më kuptim ajo pikëza e lotit,
a ka më afsh njerëzor përqafimi?”
Si të gjithë ata me vetëdijë të kalitur, i pret të mirat nga përballjet: “Unë e di, gjërat e mira i gjen pas furtune”, sikurse: “Nuk jam rrjedha që shkon kuturu.”, duke mos ia lejuar vetes të harxhohet pa kriter. Në këto rrethana duhet të ketë marrë spunto dhe titulli i librit të fundit poetik “Vetëdija ime mban meshë”, sikurse na e përligjin dhe vargjet:
Askush nuk të thotë sa i trashë është mëkati,
sa i zi tundimi, që ngjitet kat më kat.
Mëkatin e shkakton herezia e ndjenjave, të cilat janë mëse të falshme krahasuar me tundimin e një kariere që “ngjitet kat më kat”, por që mund ta ketë daljen tek dera e qelisë. E gjithë kjo atmosferë përjetimesh lartësohet me vargjet:
Dimrin vetmitar që po vjen në shpirt,
me mungesën e gjatë të trokitjes tek dera.
Më shumë se Njeriu apo dhe një prift,
e ndjeu një degëz e thyer nga era.
Më tepër nga njerëzit dhe kleriku dimrin vetmitar e ndjen “degëza e thyer nga era”. Kjo finesë të shprehuri më ngjalli atë emocion, që më ka dhënë vargu i poetit libanezo-amerikan Kahil Gibran: “Për degën e tharë mban përgjegjësi e gjithë pema”.
Askush tjetër veç poetit, nuk duhet lënë vetëm dhe, që, t`i gjendet pranë, s`ia kërkon askujt, por, nuk e kursen mirënjohjen për “pazhin” sikurse i gëzohej Bajroni apo “mikeshës”, sikurse i drejtohej Esenini.
Të gjithë ikën, ti më mbete,
mike moj, e paqortueshme.
Ti më shpure ku s’më qasnin.
Ndërsa për ata që lëndojnë nuk mungojnë vargje si këto, të cilëve u ndihet stoicizmi: “Dhimbja nuk ndalet duke u ankuar” dhe se “Hiri i dhimbjes është polen.” Për më shumë, ofron vargjet:
Kam dashur të harroj, nuk dija sesi,
s’gjeta asnjë lutje, mesazh apo psalm.
Shkenca e dorëzuar krejt në pafuqi,
mahnitja nuk shpjegohet dot me fjalë.
I bindur se rruga e vështirë për tek arti, ka dhe dështime, shkruan: “Jo gjithmonë burrat e mirë kthehen ngadhnjimtarë.” Ka dhe më keq: “fitimtarët e mjerë që si të humbur ngjajnë.” Nuk mund t`mos më tërhiqte vëmendje vargu: “Në Gjirokastër duhen vite për t’i besuar dikujt.” Kjo ndjenjë mosbesimi, në shoqërinë e sotme të interesit sa vjen e thellohet. (Postimet nga Nju Jorku i hedh zakonisht në orë të vona, duke llogaritur që të lexohen në atdhe në të gdhirë, por, dy shkrimtarë më ndodh t`i gjej zgjuar: Odise Koten dhe Bashkim Hoxhën.)
Fatbardh Amursi

MAGNETOFONI Tregim nga Dino Buzzati (16 tetor 1906- 28 janar 1972) Perktheu Saimir Kadiu

Ai i pat thënë asaj (me zë fare të ulët), i qe përgjëruar, mos bëj zhurmë, të lutem, magnetofoni po regjistron nga radioja, mos qit zë, ti e di që unë kam merak, po regjistroj “Mbretin Artur” të Parselit, një gjë e mrekullueshme, një kryevepër. Po ajo kërma, si për inat, sillu lart e poshtë, ec e përpiq takat, vetëm e vetëm që atij t’i hipnin xhindët, pastaj kollitej (enkas) dhe më pas ia shkrepte gazit me vete dhe ndizte shkrepsen paf-puf, për të bërë sa më shumë zhurmë. E ndërkaq Parseli, Moxarti, Bahu, Palestrina, mjeshtrit e muzikës së përkryer, qiellore shkonin dëm. Ajo maskaresha, grerëza, tartabiqja, brenga e vazhdueshme e jetës… Kështu nuk shtyhej më.

Tani, pas kaq vitesh, ai ka vënë e po dëgjon atë të shkretë shirit, ka vënë bobinën me mjeshtërit, me majat, me Parselin, Moxartin, Bahun, Palestrinën.

Ajo nuk është më aty, ka ikur. Ajo e ka braktisur. Ajo e gjeti zgjidhjen, e la. Ai nuk e ka idenë se ku ka përfunduar ajo.

Ja tani Parseli, Moxarti, Bahu, Palestrina tingëllojnë si pa shije, të vjen për të vjellë, katrahurë, të mallkuarit…

Ja, ja ai trokthi lart e poshtë, ja trokitja e takave, ja të qeshurat (e dyta sidomos), ja kruajtja e fytit, kolla. Kjo po, kjo është muzikë qiellore.

Ai ka vënë veshin e dëgjon. Nën dritën e abazhurit është ulur e dëgjon. Si i ngurosur në kolltuk, katandisur keq e më keq, ai dëgjon. Pa lëvizur as edhe muskujt më të vegjël të gjymtyrëve, ai rri me veshin nga magnetofoni: ja zhurmat, ja pëshpëshet, ja kolla! Këta tinguj të adhuruar, madhështorë. Që nuk i ka më, që nuk do t’i ketë kurrë më.

 

Bertolt Brechti në Amerikë, një njeri pa atdhe, pa dokumente që kërkonte strehim dhe punë

VOAL- Nga libri i gazetarit të madh italian Enzo Biagi “Tregim i një shekulli- burrat dhe gratë protagonistë të Shekullit XX” (1999), po sjelim shënime për shkrimtarin Bretolt Brecht:

Edhe ai, kur u strehua në SHBA, gjeti hidhërim dhe mosbesim. “Si shkruhet emri juaj?”- e pyesnin. Ishte praktikisht një i panjohur: një njeri pa atdhe, pa dokumente, që kërkonte strehim dhe punë.

Edhe Brechti e kuptoi se regjimi komunist në BRSS ishte një diktaturë jo e proletaritatit por kundër proletariatit, e konsideroi gjithsesi të nevojshëm për të pajtuar interesat e ndryshme të punëtorëve dhe të fshatarëve.

Brechti shkruante:
“Mos kini iluzione, zotërinj,/ vetëm nëse bën keq, njeriu jeton.”
“Paqja nuk është gjë tjetër veçse një armëpushim.”
“Komunizmi është një gjë e lehtë që është e vështirë të realizohet.”
“Të japësh mësim pa nxënës dhe të shkruash pa lexues është e vështirë.”

Në raftet e Bibliotekës së Brechtit ishte një “Kapital” i Marksit, por brenda ballinave ishte një roman i shkrimtarit amerikan Wallace. S.B.

Mesazhe universale nga “Flladi i Orientit”! Poezia perse si urë kulturore, nga lindja te lexuesi shqiptar- Nga SEJDO HARKA

 

Shpata është e verbër, kur sytë janë të mbyllur-

(T.Saffazadeh)

Lexon poezitë moderne perse, të shqipëruara me mjeshtëri nga poeti dhe përkthyesi i mirënjohur, Perikli Jorgoni dhe nuk mund të qëndrosh indiferent për vlerat universale, që vijnë nga thellësitë e Orientit. Edhe pse ato vërshojnë nga kohëra dhe vise të largëta të botës, bëhen shpejt pjesë e trurit dhe e mendjes, e shpirtit dhe e zemrës së lexuesit shqiptar. Universaliteti dhe kohezioni shpirtëror e psikologjik e bën “Simurgun” poetik iranian, që jo vetëm të shëtisë në të katër anët e botës, por edhe të depërtojë thellë në zemrat e të gjithë njerëzimit. Poezia moderne perse, duke qenë e hapur, jo vetëm ndaj letërsisë së vjetër dhe asaj klasike iraniane, por dhe asaj europiane, ka krijuar një stil vjershërimi të pëlqyeshëm edhe nga bota perëndimore.

DY MAJAT E POEZISË PERSE

Dy nga majat kryesore të poezisë moderne perse janë poeti dhe piktori i madh, Sorhab Sepehri (1928-1980) dhe poetja e përkthyesja e rrallë, Tahereh Saffazadeh (1936-2008). Me penën e tyre të rrallë, ata kanë krijuar dhe përçuar bukurinë dhe ngrohtësinë e papërsëritshme të flladit të Orientit. Janë 8 vëllime poetike, që e kanë bërë të njohur poetin iranian S. Sepehri. Por ai, që s’e fshin kurrë nga kujtesa e mijëra e mijëra lexuesve të botës, është vëllimi me titull “Gjurmët e ujit”. Poezitë e këtij vëllimi janë sintezë e biografisë dhe shpirtit poetik të autorit, aq sa shumë lexues, figurën e tij e identifikojnë me brendinë e kësaj poezie. Sorhab Sepehrin, poeti Xhevahir Spahiu e ka thirrur me epitetin “Simurgu” poetik i qiejve të sotëm iranianë, sepse është ky “zog i mendjes” dhe i zemrës, që i ka rrëmbyer “buzëqeshjen e hutuar” dhe me të në mendje, “fluturon larg” drejt lartësive të pafund.

Fantazia poetike e Sepehrit e ka burimin te shushurimat dhe freskia e ujit të pastër, te bukuria e luleve të brishta, te “trokëllimat e kuajve të shpejtë”, te “virgjëria” e vetmisë së rrallë, te vrapi i kujtimeve fëminore, te ëmbëlsia e tingujve të barit, që “këndon” nën kosë. Në filozofinë poetike të këtij vjershëtari të madh, ndërthuret koncepsioni metafizik me atë materialist. Thelbi i filozofisë së tij, për raportin ndërmjet trupit dhe shpirtit, është sentenca filozofike e Rumiut: “Trupi është shtrati i lumit, ndërsa shpirti, rrjedha që rend”. Thelbi i këtij botëkuptimi metafizik, i ka rrënjët tek misticizmi budist.

FORCA E MESAZHEVE

Poezitë e tij e marrin bukurinë dhe forcën e mesazheve nga dielli dhe drita, nga uji dhe dashuria. Drita në poezinë e tij “vërshon si lumë lartësish”, nga një burim i padukshëm, që është frymëzimi. Prandaj ai i “sharton sytë me diellin, zemrën me dashurinë, hijet me ujin dhe degët me erën”. Uji, në poezinë e S.Seperhit është bërë simbol i jetës dhe freskisë, i pastërtisë shpirtërore dhe kthjelltësisë së mendimit e veprimit. Prandaj, ai i bën thirrje njerëzimit, që të mos e “bëj pis rrëkenë”, sepse “ndoshta, një pëllumb më tej po pi ujë”. Uji e tremb vdekjen, por e ripërtërin jetën. Poeti e ndjen veten përherë mes dritës dhe luleve, mes diellit dhe ujërave, mbi lumenj dhe ura, mbi dallgë dhe furtuna. Mes tyre, ai ekzaltohet, kur sheh” një tren, që transporton dritë e drejtësi” dhe dëshpërohet thellë, kur sheh një plehaxhi, që lutet për lëkurën e pjeprit”(45). Kudo që shkela, deklaron ai poetikisht, pashë ujë dhe tokë, drejtësi dhe padrejtësi, urrejtje dhe dashuri. Si njohës i thellë i realitetit të djeshëm dhe të sotëm, ai ka mundur ta pasqyrojë qartë thelbin konfliktual të shoqërisë njerëzore. -Unë, deklaron ai poetikisht, nuk kam parë dy plepa armiq”. E kundërta ndodh me njerëzit. Ata bëhen armiq me njeri-tjetrin, edhe “për ngjyrën e lëngut të supës”. Poetin e tronditin “makinat e blinduara, kur ato shkelin mbi ëndrrat e fëmijëve”. Objekt i poezive më të bukura të S.Seperhit janë bërë dukuri thelbësore të ekzistencës njerëzore, si jeta dhe vdekja, liria dhe skllavëria, urrejtja dhe dashuria. Vargjet, për këto dukuri, shpesh janë përkufizime poetike e sentenca filozofike, me vlera universale, kohore dhe hapësinore.

JETA DHE VDEKJA

Për poetin S.Seperh, “jeta dhe vdekja” mbartin flatra të gjera” dhe “burojnë nga përmasat e dashurisë”(57). Jeta është “fiku i parë i zi në gojën e athët të verës”, “fëshfërima e sirenës së trenit”, “lulja e shumuar në përjetësi”, “përsëritje e jetës së lagur, që noton në pellgun e së tashmes”(59). Jeta dhe vdekja janë vazhdim i njëratjetrës. Vdekja nuk është “fundi i pëllumbave”, prandaj më poshtë shkruan: “Le të mos i frikësohemi vdekjes”, sepse ajo “banon në klimën e këndshme të mendjes” dhe “këndon në laringun e skuqur të fytit”(62). Një nga poezitë më të bukura të poetit të madh iranian S.Sepeheri është ajo me titull “Shtegtari”. Në këtë poezi ai shpreh mendimin poetiko-filozofik, se “bukuria është dashuri dhe dashuria është jetë e mrekulli”. Të dashurosh, do të thotë “të udhëtosh drejt ndriçimit të vetmisë”. Dora e dashurisë është “…si grepi i vogël i minutave,/Dashuria dhe minutat flenë mbi dritën” (70). Uni poetik i Sepeherit përçon te lexuesit mesazhe të forta morale dhe shpirtërore, filozofike dhe shoqërore, për pastërtinë shpirtërore dhe bukurinë, për lirinë dhe skllavërinë, për humanizmin dhe egërsinë, për dritën dhe errësirën, për urrejtjen dhe dashurinë, për turbullirën dhe kthjelltësinë. Në poezinë “Një mesazh në udhë” ai shkruan: “Unë do të hedh çdo fëlliqësi nga buzët, /unë do të shemb çdo mur nga themelet, /unë do t’u them hajdutëve: “Ka arritur një karvan i ngarkuar me buzëqeshje”. Duke e ndjerë veten misionar të shoqërisë ai tërë jetën ka luftuar “të grisë retë”, “të shartojë sytë me diellin dhe zemrën me dashurinë”, hijet me ujin dhe degën me erën”(95).

TAHEREH SAFFAZADEH DHE GROTESKU POETIK

Poezia moderne perse nuk mund të kuptohet pa emrin e poetes dhe përkthyeses së rrallë, Tahereh Saffarzadeh. Figura e saj lartësohet, jo vetëm brenda hartës së poezisë iraniane, por dhe të asaj botërore. Origjinaliteti dhe vetëdija, imagjinata dhe kthjelltësia, guximi dhe çiltërsia, vetëdija shoqërore dhe mjeshtëria e rrallë vjershëruese, e bëjnë atë të papërsëritshme. Problematika e krijimtarisë së saj është, sa e gjerë, aq dhe e larmishme. Objekt i poezive të saj janë bërë: jeta dhe vdekja, dashuria dhe urrejtja, e kaluara dhe e tashmja, historia dhe e ardhshmja. Zotin dhe lirinë, poezinë dhe dashurinë, ajo i koncepton hallkat e përjetshme të ekzistencës së saj. Për të, njeriu duhet të jetë i lirë, jo vetëm nga të tjerët, por edhe nga vetvetja, sepse, sipas saj: “Skllavi i vetvetes është skllav i të tjerëve”. Nëpërmjet humorit, ironisë dhe sarkazmës, ajo godet despotët dhe ambiciozët, egoistët dhe frikacakët, mburravecët dhe përtacët, lakmitarët e parasë dhe të seksit, qeveritarët dhe pseudo-intelektualët. Me groteskun e saj të mprehtë, ajo fshikullon, jo vetëm plagët e shoqërisë së kaluar, por dhe asaj të sotshme. T. Saffarzadeh dëshpërohet thellë, kur vë re se edhe njerëzit e sotshëm, ashtu si dhe të djeshmit, vuajnë nga disa plagë të pashërueshme, si varfëria dhe padija, shtypja dhe padrejtësia, mungesa e lirisë dhe egërsia, kur sheh se si pushtetarëve të sotëm u “rriten kthetrat”, ashtu si dhe sulltanëve të djeshëm.

“UDHËTIM NË MIJËVJEÇAR”

Nëpërmjet vargjeve të poemës “Udhëtim në mijëvjeçar”, ajo shpreh protestën e saj qytetare, kur sheh se edhe njeriu i shoqërisë moderne “përulet para padronëve për të marrë një monedhë. Atë e trishton fakti që edhe në kohërat moderne “çmimi i mallrave rritet, ndërsa çmimi i gjakut bëhet gjithnjë e më i lirë”. Është kjo arsyeja, që siç shkruan ajo: “Vajtimi dhe mjerimi i njerëzimit,/rri varur si një vëth në veshin e botës”. Shkaktarët e vërtetë të varfërisë dhe urrejtjes janë “fytyrat e dhjamosura të zengjinëve, që kanë ngjyrën e njerëzve të vdekur”(120). Prandaj, ajo rend kudo në botë, “të blejë në tregun e zi pak dashuri”, për të shëruar urrejtjen dhe varfërinë, shtypjen dhe egërsinë. Në poezitë e saj bashkëjetojnë mistikja me realen, e zakonshmja me të jashtëzakonshmen, tonet e ulëta me ato të larta. Edhe për poeten Saffarzadeh, trupi i njeriut është i përkohshëm, ndërsa shpirti është i përjetshëm. Për të, “babai është qielli”, “nëna është toka”, ndërsa “unë”, shkruan ajo, “jam horizonti(137). Kur sheh se “Dikush fle nën thundrën e tiranëve”, “rëmon muret e natës”, që t’i gremisë për t’ia lënë vendin ditës, sepse ajo, “s’lejon askënd, që të ngrejë një mur të gurtë, mes saj dhe diellit”. Janë të shumta vargjet e saj, që kanë peshën e sentencave të bukura filozofike me vlera universale, si: “Shpata është e verbër, kur sytë janë të mbyllur”, “Skllavi i vetvetes është skllavi i të tjerëve”(221). Dritën dhe duart e pastra i gjen te “duart e gjetheve” dhe te dishepulli i Profetit Muhamet, i cili sipas saj, nuk ka as lëkurë, as ngjyrë, por frymë dhe shpirt të bardhë(240). Në poezinë moderne perse, lexuesi gjen edhe magjinë e fjalës edhe melodinë e simfonisë më të bukur, edhe vrullin e shpirtit, edhe mrekullinë, edhe vargun e gdhendur, edhe ëmbëlsinë, edhe freskinë e flladit të ngrohtë të Orientit, edhe bukurinë. Është kjo arsyeja, që mesazhet e poezisë moderne perse, janë bërë pjesë e shpirtit të njerëzimit të botës së të gjitha kohërave.

/Gazeta Panorama

ROMANI „ë“ nga Jehonë Kicaj – SHTËPIA BOTUESE„WALLSTEIN” GÖTTINGEN, 2025 – QASJE DHE MBRESA Nga Seveme Fetiqi

Kështu fillon romani „ë“ i autores Jehonë Kicaj, i cili roman u nominua për librin më të mirë të vitit 2025 (DEUTSCHE BUCHPREIS) në mes gjashtë romanave të tjerë.

Pas leximit të romanit „ë“ të Jehonë Kicaj që u botua 2025 nga Shtëpia Botuese gjermane „WALLSTEIN“ në Göttingen të Gjermanisë, prita një kohë të gjatë, që ndoshta dikush nga kritikët letrar shqiptarë të cilët jetojnë në Gjermani, të shkruajnë diç rreth këtij romanit, i cili ka zgjuar interesim të hatashëm në qarqet e letërsisë gjermane si dhe ka arritur suksese deri aty sa edhe është nominuar në mesin e gjashtë romaneve më të mirë të vitit 2025 për çmimin „Deutsche Buchpreis 2025“ (Çmimin e Librit Gjerman 2025). Mirëpo, deri më tani, përveç mikut Driton Gashi, askush nuk reagoi për këtë sukses të madh të një shkrimtareje që rrënjët i ka në Kosovë, gjegjësisht në Suharekë dhe se romani i saj është një vepër që në gjuhën gjermane shtjellon kohën e para luftës, gjatë luftës së Kosovës në veten e parë.

Narracioni dhe rrëfimi i personazhit në veten e parë për ndjenjat e saj si fëmijë mërgimtarësh është një pasqyrim i shumë fëmijëve shqiptarë që atëbotë e kishin fatin të migrojnë në Gjermani duke i bartur dhembjet e mëdha në zemrat e tyre të vogla dhe aq sa kishin mundësi të integrohen në çerdhet dhe shkollat gjermane. Sa i vështirë dhe i dhimbshëm ishte ai fillim.

Në këtë roman autorja në mënyrë profesionale me shprehjet e saj gjuhësore dhe gramatikore ia arrinë që lexuesin ta përvetësojë sa që lexuesi nuk mund të ndahet nga ky roman derisa ta përfundojë atë. Parasëgjithash ky roman dhe ky tregim është një pasqyrim i vuajtjeve të shumë familjeve që e humbën atdheun, familjarët, vatrat e veta dhe shpresat se ende një ditë do t´i gjejnë familjarët e zhdukur.

Me një titull jo të zakonshëm, autorja e titullon librin me zanoren „ ë“ të alfabetit shqip. Si edhe ka shkruar edhe një kritike letrare, gazetare dhe shkrimtare gjermane Ronya Ottmann „ Ky roman rrëfen për një heshtje që thehet në copëza, por mbetet e shurdhët. Romani „ë“ është një roman kujtimesh dhe harresash në shuarje për luftën. Gjatë leximit jam pyetur disa herë mbase gjuha paska sy. Kjo gjuhë e mrekulluar, çuditërisht e dhimbshme dhe e qartë i sheh gjërat dhe të sheh edhe ty. Ka shumëçka për të folur për këtë libër, por së pari ju këshilloj ta lexoni“

Romani si në heshtje pa ndonjë imponim të caktuar ndahet në tri pjesë: 1.në atë të ndjenjave personale të personazhit paemër, në tentim të gjurmimeve të fakteve qoftë përmes familjes, qoftë përmes dokumentarëve të ndryshëm si dhe rrëfimi i ndjenjave të fëmijërisë së vet protagonistes por edhe qoftë nga tregimet e familjarëve; 2.në atë të bisedave emocionuese me shokun Eliasin si dhe 3. përmes kontrollimeve të nofullave te mjeku ortoped i dhëmbëve gjegjësisht të nofullave. Këto tri pjesë gërshetohen në mes vete dhe krijojnë një tërësi narrative emocionuese që e bëjnë këtë roman të veçantë. Pasi që protagonistja pa emër e këtij romani, në mënyrë të paimponuar por me një dhembje të madhe i rrëfen ditët e para të kaluara në çerdhe në mesin e fëmijëve që flasin gjermanisht, kurse ajo hesht, përjeton dhembjen në heshtje dhe i gravuron të gjitha në kujtimet dhe në zemrën e saj të brishtë prej fëmije. Më emocionuese është ai çasti kur mësuesja kërkon nga nxënësit ta sjellin nga një foto nga koha kur ata ishin foshnje dhe protagonistja e sjellë foton e saj kur ishte katër vjeçe. Të gjithë nxënësit qeshin me foton e saj. Mësuesja ia spjegon se është dashur ta sjellë një foto nga foshnjëria e saj dhe ajo nuk e din t´ia spjegojë se secila foto e foshnjërisë së saj është djegur nga lufta në shtëpinë e djegur nga e cila ka migruar me familje në Gjermani. Një dhimbje, një arsyetim, një rrëfim, një gjë që një fëmijë s´mund ta spjegojë, mbetet heshtje në fyt, një kafshatë që nuk kapërdihet dhe e cila mbetet enigmë vetëm në një zanore „ë“ dhe që me kohën kjo zanore shndërrohet në problem të nofullave, të cilat ky fëmijë nga shtypjet e ndjenjave dhe të pathënave çdo natë në gjumë i shtrëngon ato, derisa i shkakton vetes pezmatim të nofullave, i cili pezmatim edhe pas shumë vitesh shndërrohet në sëmundje kronike të nofullave të saj dhe nuk shërohet edhe pas çdo tentimi të shërimit me protezat speciale të natës.

Bisedat me Eliasin, shokun e saj, janë biseda kryesisht rrëfime të saj të cilat ajo i shfaqë nga çdo skenë, ndodhi, ngjarje të tmerrshme, vrasjet, helmimet, lufta e pamëshirshme, vdekja e familjarëve në luftë, përjetimet e familjes së saj në Gjermani gjatë luftës dhe të gjitha ndodhitë që kanë ndodhur prej viteve 92 e deri pas luftës. Dhe, Eliasi është një shok i saj i ngushtë që i përjeton dhe bashkëndjen me personazhin.

Në kërkim të gjyshit të saj i cili gjendej në mesin e zhdukurëve gjatë luftës, ajo merrë pjesë në një ligjeratë që mbante zonja Korner, e cila përmes NATO-s kishte qenë disa hërë në varrmihjen e varrezave masive në Kosovë dhe spjegonte skena të trishtueshme të zbulimit dhe identifikimit të eshtrave sipas ADN-it të tyre. Edhe kjo pjesë e rrëfyer nga këto ligjërata mund të merrët si pjesa e katërtë që zgjon interesim të madh te lexuesi. Me qëllim, nuk do të kisha hy në spjegimin më të gjërë të situatave shumë interesante që përbën ky roman, sepse shpresoj se shumë shpejt ky roman i autores Jehona Kicaj, do të përkthehet në gjuhën shqipe, në gjuhën amtare të saj. Atëherë shpresoj se lexuesit shqiptarë do të binden se sa vlerë ka sjellur ky roman jo vetëm në letërsinë gjermane, por edhe në letërsinë tonë shqipe. Parasëgjithash vlera e këtij romani qëndron në atë se në gjuhën origjinale gjermane është shkruar një monument i vërtetë i luftës së Kosovës, një temë dhe një rrëfim që shumë qarqe intelektuale dhe letrare gjermane kanë qenë pak të informuara ose nuk kanë qenë fare të informuara për kohën para lufte, apartheidin që kanë ushtruar serbët, vrasjet, helmimet, perjashtimi nga puna i të gjithë punëtorëve, si dhe gjatë luftës së fundit në Kosovë, ndjekja e mbi pesëqind mijë njerëzve nga vatrat e tyre si dhe katrahurat, vrasjet, masakrimet, deportimi i shqiptarëve të masakruar në Serbi, djegëja e shtëpiave e shumë e shumë tmerre tjera, të cilat në këtë roman janë përshkruar, janë shkruar me emocione të larta dhe me fakte, janë shkruar me një gjuhë të rrjedhshme, me tregime të strukturuara në fjali gjuhësore të përsosura.

Ky roman ka zgjuar një interesim të madh në tërë Gjermaninë dhe nuk ndalon që t´i pushtojë skenat letrare kudo në këtë shtet, nuk ndalon edhe pas disa muajsh që ta zgjojë kurreshtjen dhe interesimin e lexuesve gjerman të çdo moshe, e sidomos të të rinjve nga prindërit mërgimtarë shqiptarë që janë rritur e shkolluar në Gjermani. Mirëpo, vazhdon interesimi edhe te kritikët letrar gjerman që e vlerësojnë këtë vepër me të gjitha atributet e një romani të suksesshëm, edhepse ky libër është romani i parë i Jehona Kicaj.

Shpresoj se edhe kritika letrare shqiptare do të merret më me interesim me çasjen e këtij romani që mendoj se është një libër – ambasador i letërsisë shqipe i shkruar në gjuhën gjermane.

Ne jemi të mësuar të krenohemi me yjet të cilët rrënjët i kanë në Kosovë si Majlinda Kelmendi, Dua Lipa, Rita Ora, Mira Murati e të tjerë të cilët me sukses i zotërojnë skenat botërore. Unë pa dyshim them se ka lindur edhe një yll shqiptar në letërsi i cili na përfaqëson tash e tutje edhe në letërsinë gjermane dhe i cili yll ka pas sukses t’ i tejkalojë kufinjt e Kosovës duke rrëfyer të vërtetën e saj. Për këto suksese do të flitet edhe shumë gjatë.

Mua më mbetet që shkrimtares së re Jehonë Kicaj t´i uroj edhe shumë suksese tjera e besoj se do t´ia arrijë herën tjetër të jetë fituese e çmimit të parë në mesin e gjashtë romaneve të nominuar për çmimin DEUTSCHE BUCHPREIS. Te ne shqiptarët themi se fituesi i dytë gjithmonë është i pari. Për ne shqiptarët ky roman është vlerë dhe ne presim edhe shumë romane tjera nga Jehona jonë, krenaria e Kosovës.

JETËSHKRIMI

Jehonë Kicaj është e lindur në vitin 1991 në Suharekë, Kosovë. Pas mërgimit me familjen e saj në Göttingen të Gjermanisë aty rritet dhe shkollohet. Ka studjuar Filozofinë dhe Germanistikën me temën Shkencat Letrare Gjermane në Hannover. Pas publikimeve dhe botimeve shkencore, në vitin 2020 fillon të botojë edhe shkrime letrare dhe lirike. Është bashkëautore e Antologjisë „Und so blieb man eben für immer-Gastarbeiter:innen und ihre Kinder“ ( „Dhe kështu mbetën gjithmonë – mysafirë-punëtorë dhe fëmijët e tyre“):

Romani „ë“ është romani i saj i parë.

 

 

Tri poezi nga RUZHDI GOLE

.
E PËRVEÇME
1.
Një mëmë e re më fanitet ende …
.
Mua më bëhet sikur ajo shkund
përhera një qilim fluturues,
afër meje përqark meje
shkund dimrat syborë
me vetulla të ngrira
dallgët e jugut
me kësulë
gulçesh.
.
Shpendët e tezgjahut gjithandej
sikur fluturojnë nga ai qilim
i madh, akoma më i vjetër,
bishti i tyre vetëtimthi
shkund nga çatia
qiellore re, re, re
unë shkund
zënka huqe
nga një
pemë
tjetër.
2.
Fluturakët çmerit’ shpup’risin krahët
gjer në kupë të këtij qielli me fe
shplarë epik …ky qiell
hiç hakmarrës
qilim fluturues
për tek ne
përvëlues
hirtë.
.
I vogëlth atëhere, ndrojtur çapkën
i sinqertë plot hile qysh atëhere
mua lart më fluturonin duart,
.
përhera, guxoj t’kqyr qiellin
më duket sikur sot një
ëndërr e re fluturuese
zbret q’andej të më
mbuloj më shpejt
sytë e dëborës
brigje gulçet
s’më mbulon dot
është tjetër qilim
janë të tjerë
shpendë
nga vise
që s’më njohim mua.
.
Zonjë më fanitet…mëma ime…
.
VEÇMAS
1.
Si mund
të dhembshurohem
qeshur ende i përlotur ?
.
Dikur,
një grua e re
nuse e padukshme
një mëmë dhembshurie buzëve
shkundtte th’rrimet e saj jetënatës
brenga huqe brenga sa pafajshëm.
.
Shorti i saj i hidhur dehej natë,
kur vinte në shtëpi lëkundej
andej-këndej k’putur degët,
degët e krahëve, sytë gjak
të ishte ati im … njësoj
tjetër at nga të tjerët?
2.
Kjo grua e thinjur, e pathinjur
dikur nuse e padukshme
tani jeton shumë larg
larg afër mëma ime
e perëndishme,
.
Fjala e saj buiste lutje,
veç lutje … për hir
të fëmijve.
.
Ndërsa deg’këputuri
tani veç parafytyrim
ati im ka qenë
.
dikur
ka qenë ati im …
.
VEÇ … SËBASHKU
.
Përsëmbari, përsëprapthi
rrallë i ndatë ngatërresat,
veç qeshët, së bashku
veç ndonjë çasti
i jetuat brengat.
.
Për hit t’asaj që duhej
ju përtëriheshit
me ngut
për pasardhësit tuaj,
.
rrallë bashkë
i përcjollët humbjet
përveçëm ndjetë gjithçka
harlisje pak, shumë këputje…
.
Në botën e përtejmë aty
mbështetur jeni
shpinë – shpinë
.
A shiheni sy ndër sy ?
.
Veç e veç qeshni … sëbashku..?!.

Send this to a friend