Helmut Kol – nga sot kthehet në pjesë të lavdishme të historisë gjermane, por edhe asaj evropiane me epitetet e merituara kancelar i bashkimit gjerman dhe arkitekti i Europës së bashkuar, projekt ky që ndonëse nuk ka përfunduar dhe ballafaqohet me sfida të ndryshme, megjithatë edhe si i tillë, në masë të madhe, i atribuohet vizionit të tij politik dhe punës në të.
Por, Kancelari Kol, do të mbetet i njohur dhe i rëndësishëm edhe për qëndrimin ndaj shqiptarëve në përgjithësi dhe Kosovën në veçanti. Sa i përket shtetit shqiptar, ishte ndër të parët, që me misionin Shtraus në vitet e tetëdhjeta, bërë përpjekje që Shqipërinë ta kthejë nga Perëndimi, siç bëri përpjekje të mëdha që tranzicioni i viteve të nëntëdhjta atje të mos kthehet në model rumun, por në një proces, ku demokracia do ta çrrenjosë mendësinë e diktaturës më të egër në kontinentin tonë. Edhe pse u zhgënjye me ato që ndodhën në pranverën e vitit 1997, kancelari Kol, ishte ndër liderët e paktë evropianë, që ato i quajti “hakmarrje komuniste”, që duhet parandaluar që shteti shqiptarë, me anën e “revolucionit demokatik” dhe luftës qytetari që polli ajo, të vetëshkatërrohet. Për këtë arsye ai kërkoi që në rast nevoje, NATO të garantojë paprekshmërinë e shtetit shqiptar nga çfarëdo nëdrhyrje e jashtme.
Por, sa i përket çështjes së Kosovës si dhe problematikës së saj, mund të thuhet se roli i tij ishte historik, ngaqë ishte ndër të parët që e futi në agjendën e trajtimit politik si pjesë të çështjeve evropiane, që duhet dhënë një zgjidhje në përputhje me rolin dhe rëndësinë e saj në rrethanat e reja , veçmas ato që solli rrënimi i Murit të Berlinit, në vitin 1989, që për pasoj patën bashkimin e Gjermanisë, me ç’rast kjo ngjarje, pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik dhe shpërbërjes së Paktit të Varshavës, ndryshoi në themel raportet e deriatëhershme gjeopolitike dhe gjeostrategjike në dobi të Perëndimit.
Në këtë agjendë, me një dinamikë të jashtëzakonshme të një burrë-shteti, thuajse “kryenëvete”, kancelari Helmut Kol bashkë me arkitektin e diplomacisë gjermane, Hans Ditrih-Gensher, mori përsipër drejtimin e disa proceseve që i duheshin këtij zhvillimi epokal, ndër të cilat e një rëndësie të veçantë shfaqej çështja e krizës së ish Jugosllavisë e drejtuar nga politika ekspansioniste e Beogradit, duke mos lejuar që ajo të kthehej në një Jugosllavi serbe, siç pretendonte Millosheviqi dhe aleatët e tij në lindje, por të marrë kahun e shpërbërjen së saj në përputhje me të drejtën e njësive federative që të pavarësohen, me çka ato shkëputeshin nga çatia jugosllave dhe ktheheshin në shtete të pavarura.
Për Gjermaninë e bashkuar, asokohe, që të vihej ky proces në binarët e duhur historik, me rëndësi të veçantë ishte njohja e shtetit të pavarur kroat dhe atij slloven, të cilat, jo rastësisht, u sulmuan nga soldateska e Beogradit. Në saje të angazhimit të jashtëzakonshëm të kancelarit Kol qoftë edhe të mos pritej deri në fund të procedurave të komisionit të Badinterit si dhe afatet e saj, Gjermania njohi shtetin e pavarur kroat.
Ngjashëm veproi edhe me Slloveninë me çka parterët evropianë dhe vetë NATO-n e solli para aktit të kryer. Me këtë veprim, Millosheviqit iu morën të gjitha “atutë” se gjoja, me veprimet ushtarake, vepronte “në mbrojtje të Jugosllavisë”, gjë që përkundër disa vendeve evropiane që kërkonin ta “arsyetonin” me dogmën e “mbrojtjes së sovranitetit shtetëror”, Beogradin e ktheu në agresor, ndaj të cilit, siç do të tregojnë ngjarjet në vazhdim, veçmas ato të marsit 1999, u desh të përdoret edhe diplomacia e luftës, pra ndërhyrja ushtarake e NATO-s, për t’i dhënë fund politikës disavjeçare të luftës që Millosheviqi ushtroi nga Sllovenia, në Kroaci, Bosnje dhe Hercegovinë e deri në Kosovë.
Në politikën e ultima ratios në Bosnje dhe Hercegovinë në verën e vitit 1995 dhe në atë në Kosovë katër vite me vonë, roli i Helmut Kolit ishte thuajse vendimtar. Ndonëse ai, pas pranimit të Kroacisë dhe të Sllovenisë, dukej i kënaqur e me këtë paksa edhe “më i përmbajtur”, megjithatë, de fakton siguroi dy rrethana që do të krijojnë kushtet për ndërhyrjen ushtarake të NATO-s në Kosovë.
E para, kishte të bënte me hapjen dyerve mbi treqind mijë refugjatëve nga Kosov. Me këtë u dha alarmi ndërkombëtar se Millosheviqi po zhvillonte politikën e pastrimit etnik të Kosovës nga Shqiptarët, pra një gjenocid “të bardhë” ndaj një popullate etnike.
Dhe e dyta, duke përkrahur pa rezervë lëvizjes institucionale paqësore të shqiptarëve që kishin shpallur shtetin e tyre të pavarur nga vitit 1992 në përputhje me infrastrukturën legjitime demokratike, siç ishte Deklarata kushtetuese e dy korrikut 1990, shpallja e Kosovës Republikë në Kuvendin e Kaçanikut më shtatë shtator të atij viti dhe veçmas me referendumin për pavarësi në vjeshtën e vitit 1991, Gjermania mundësoi që prania serbe në Kosovë të zhvishet në një prani ushtarako-policore, pra në një regjim pushtues që vepronte jashtë vullnetit të popullatës që tashmë me referendum, siç ishte ai i vetëvendosjes, kishte shpallur pavarësinë.
Ndonëse, pa ndonjë deklarim të hapur se përkrahet “shteti paralel i shqiptarëve”, me çka do të stimulonte soldateskën serbe për ndërhyrje të drejtpërdrejt atje, me strehimin e Qeverisë në Ekzil si dhe lejimin e veprimtarisë së saj (vjeljen e tre përqindëshit si dhe fondeve të tjera të solidaritetit), praktikisht e mbrojti shtetin paralel të shqiptarëve të Kosovës. Në përputhje me këtë koncept ishin edhe takimet (dy sosh) zyrtare, që ai pati me Presidentit Ibrahim Rugova, të cilin jo rastësisht, në takimin e Hamburgut në vitin 1998, e quajti “lider legjitim të shqiptarëve të Kosovës”. Kjo madje, u pa edhe në fazën e fundit – të shfaqjes së rezistencës së armatosur, kur nga Gjermania, krahas fondeve për luftën, ajo u lejua edhe u ndihmua në forma të ndryshme profesionalë pa u përjashtua edhe organizimi si dhe trajnimi i vullnetarëve për luftë.
Por, ajo që kancelarin Kol dhe pasardhësin e tij kancelarin Shrëder bashkë me stafin e përgjithshëm diplomatik dhe atë ushtarak e ktheu në gjenerator të politikës së ultima ratos ndaj Beogradit, ishte dinamika që politika gjermane ia imponoi asaj perëndimore në planin diplomatik, por edhe ushtarak, në mënyrë që Kosovën ta shpëtoj nga gjenocidi i Beogradit, që ishte në prag si dhe procesi që do të çonte te nxjerrja përfundimtare e Serbisë nga Kosova, fillimisht me një protektorat ndërkombëtar, siç ndodhi me rezolutën e Këshillit të Sigurimit 1244 të 10 qershorit 1999 dhe më vonë edhe me krijimin e rrethanave që do të çojnë të pavarësia e Kosovës më 17 shkurt 2008.
Edhe pse në fazën e fundit, atë të vitit 1998/1999 dhe ato të vitit 2008, Helmut Kol nuk ishte më kancelar (ngaqë në zgjedhjet e vitit 1998 në atë post erdhi socialdemokrati Shrëdër), megjithatë, sa i përket Kosovës dhe kahut të çlirimit nga Serbia, pra ajo e shkëputjes shkallë -shkallë të saj nga Serbia me çka krijoheshin rrethanat për shpalljen e saj shtet i pavarur, në fuqi mbeti kauza e Helmut Kolit.
Andaj, shteti i Kosovës si dhe shqiptarët në përgjithësi, krahas Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Kancelarit Helmut Kol, i detyrohen një mirënjohje të përhershme, pa angazhimin dhe punën e të cilit, nuk do të ishim ku jemi…
Komentet