Një regjistrim i trafikantit seksual Jeffrey Epstein me ish-kryeministrin izraelite Ehud Barak, tregon se si ata janë të habitur me të ardhurat e ish-kryeministrit britanik Tony Blair dhe me miliona dollarë që sipas tyre ai po fitonte.
“Tony ka marrë një drejtim të çuditshëm. Nuk e di çfarë po bën Tony për të fituar para. Dëgjoj shifra gjigante që i atribuohen Tony-t. 5 milionë këtu, 10 milionë atje, edhe 5 milionë të tjera diku tjetër. Tani Tony po fiton 30 milionë dollarë në vit” – dëgjohet të thotë Epstein.
Biseda mbi ish-kryeministrin britanik besohet se është e vitit 2013, kur Epstein po fliste me ish-kryeministrin izraelit Ehud Barak për mënyrat se si mund të fitonin para pasi kishin lënë detyrat e tyre zyrtare.
Barak thotë se Blair po fitonte rreth 11 milionë dollarë në vit nga qeveria e Kazakistanit. Ai thotë se paratë kalonin përmes emrave të panjohur.
“Ai po fiton 10 milionë dollarë në vit?” – pyet Esptein.
“Po, me shumë mundësi. Ndoshta i merr paratë dhe u lë diçka edhe të tjerëve” – thotë Barak.
Pasi u largua nga posti i kryeministrit, Tony Blair u bë i dërguar për paqen dhe për iniciativa qeverisëse. Që nga viti 2002, ai shërbeu si i dërguar për Kuartetin e Lindjes së Mesme, një rol për të cilin u kritikua gjerësisht për favorizim ndaj Izraelit dhe për dështim në arritjen e ndonjë progresi për palestinezët.
Blair besohet se e ka takuar Epstein vetëm një herë, përpara se krimet e tij të bëheshin të njohura publikisht. Blair ka mohuar të ketë pasur ndonjë kontakt tjetër me Epstein.
Zyra e Blair tha se fondacioni i tij ishte paguar për punën e kryer në reformat në Kazakistan dhe se shifrat e përmendura në përgjimin e bisedës Epstein–Barak janë “broçkulla”.
Tony Blair ka bashkëpunuar prej vitesh edhe me qeverinë Rama, si këshilltar për reforma institucionale dhe qeverisje, një angazhim që është promovuar nga qeveria si mbështetje strategjike ndërkombëtare. Ky rol ka qenë i paqartë për sa i përket pagesave dhe kontratave, duke nxitur akuza për mungesë transparence dhe konflikt interesi, sidomos për shkak të lidhjeve të Blair me qeveri dhe regjime autoritare në vende të tjera.
Fakti që bashkëshortja e tij, Cherie Blair, përfitoi pagesa të konsiderueshme nga shteti shqiptar në çështje arbitrazhi, çka ka ushqyer dyshime se ndikimi i Blair ka shkuar përtej një këshillimi “pa pagesë”.