Mirënjohje Komunës “Limone sul Garda”, vendit aq të bukur në Veri të Italisë, në brigjet e një liqenit mes malesh, për dhuratën që më dha, Emblemën e Qytetit.
Ishim mbledhur në Galerinë e Artit pranë Pallatit të Kongreseve, mes pikturave plot ngjyra të gjalla jete të Maestro Gjergj Kola, i cili kishte organizuar dhe drejtonte këtë takim. Më kishin ftuar për një bisedë për poezinë, fatin e shkrimtarit në diktaturë dhe në liri dhe lidhjet shpirtërore mes njerëzve si kulturë e dashurisë.
Kishin ardhur vendas, italianë, por dhe gjermanë, edhe nga Uruguaji, është vend turistik ky, kishin ardhur shqiptarë nga Kosova, që jetojnë këtu, por nga të Shqipërisë s’kishte, – na thanë, ata vetëm punojnë dhe…
Pyetjet ishin të shumta dhe të bukura. Ndërkaq znj. Vjollca Kola bashkë me urimet e mirëseardhjes nga Bashkia e qytetit, më sjell dhuratën nga Kryetari i Bashkisë.
E hapim pakon bashkë me time shoqe, Edën. Ja, Emblema e Qytetit.
Stema me mbishkrimin “Limone sul Garda”, rrethuar me një degë me gjethe dhe një kurorë sipër, që përfaqëson simbolin e qytetit. Dekorimet anësore: limona të verdhë, prodhimi më i njohur i zonës (qyteti është i famshëm për limona dhe limonaia – serra për kultivimin e tyre). Figura qendrore në emblemë: shenjti i qytetit, Shën Daniele Comboni. Sfondi: peizazhi arkitektonik dhe elemente që paraqesin jetën tradicionale të qytetit, ndërtesa tipike dhe struktura kultivuesr të agrumeve, pra të punës me art.
Por unë pashë se emblemë e këtij qyteti është bërë dhe piktori ynë, i njohur gjerẽsisht, Gjergj Kola. Ai ka atelienë dhe galerinë, e do i gjithë qyteti, veprat e tij i sheh kudo, në mure rrugës dhe në holle e kate hotelesh, në etiketa limonçelosh e verërash e në gazeta, në guida, muzeumeve, shtëpive e në plot vende të Europës, Gjermani, Francë, Greqi, Poloni, Hungari, Belgjikë, Kroaci, Austri etj, e deri në metropolet e Amerikës.
Maestro Gjergj Kola – emblemë e arritjeve me talentin dhe pasionin e tij, por dhe me sakrifica e vështirësi si çdo artist i madh, ndërkaq shqiptari nga Limone sul Garda, që ka mbetur i thjeshtë dhe mik, dinjitoz dhe i gjendur, por tashmë piktor me njohje ndërkombëtare…