Voal – ELVIS AARON PRESLEY, djali i Vernon dhe Gladys Presley u lind në një shtëpi dy-dhomëshe në Tupelo të shtetit Mississippi më 8 Janar 1935. Vëllai i tij binjak Jessie Garon lindi i vdekur, duke bërë që Elvis të rritet si fëmijë i vetëm. Bashkë me prindërit, të tre më 1948 ata vendosen në Memphis, Tennessee, ku më 1953 Elvis u laurua në shkollën Humes High School.
Fëmijëria e tij ishte e vështirë: vetëm tetë vjeç – rrëfen legjenda – Elvis u zhurit në shpirt për t’ia blerë një biçikletë. Por, mjerisht (dhe për fat), biçikleta kushtonte shumë shtrenjtë, prandaj nëna Gladys vendosi t’ia dhurojë për ditëlindjen një kitarë të cilën e kishte gjetur në një dyqan sendesh të përdorura. Kitara kushtonte 12 dollari e 95 centë. Këtu do të kishte pikënisjen lindja te Elvis Presley e pasionit për gjashtë telat dhe për muzikën, saqë ai rrinte për orë të tërë duke i dëgjuar këngët gospel e përshpirtjet e kënduara në kishën e vogël pranë shtëpisë së tij.
Elvis ishte 13 vjeç kur familja u transferua në Memfis, ku ai frekuentoi mjediset e kulturës zezake të qytetit, një ndër kulturat më të zhvilluara të këtij lloji në atë kohë. Por askush nuk mund të vinte bast qoftë edhe një cent të vetëm për të ardhmen e djaloshit i cili filloi të punonte si kamionist duke mbajtur me merak të madh një balluke të stërmadhe flokësh, të përdredhur e të brilantuar.
Në Shtetet e Bashkuara përjetohej ndjesia se diçka kishte për të ndodhur, konformizmi dhe morali i breznive të vjera filluan të plasariteshin. Kjo favorizonte në mënyrën më optimale një djalosh të bardhë që paraqitej ndaj Amerikës me muzikën dhe shpirtin ekscentrik (përpjekjen për të qenë sa më ndryshe nga të tjerët) prej zezaku.
Tek Elvis ndikoi më së shumti muzika pop, cantri (country) dhe muzika gospel, pasi këngët gospel i dëgjonte me endje deri në netët e vona në kishë. Po ashtu ai absorboi edhe muzikën R&B (Ritëm dhe Bluz, Melodi) që këndonin zezakët. Nuk thonë më kot se fenomeni Elvis ua rrëmbeu këngën nga goja zezakëve, duke u bërë vetë Mbreti i Rok’en’Rollit ( The King of Rock’n’Roll). Më 1954 ai filloi karierën muzikore si këngëtar. Më 1956 ai ishte shndërruar në një fenomen, në një mit, në një sensacion botëror. Ai krijoi shkollën e tij, me mënyrën e tij të të kënduarit dhe muzikën e tij, duke bërë një epokë të re në kulturën dhe në muzikën Amerikane.
Sam Phillips, i shtëpisë së regjistrimeve muzikore Sun Records, dëgjoi një pjesë muzikore të Elvis Presley rastësisht tek po ngjitej në studio, dhe mbeti i shtangur; nxori nga xhepi 4 dollarë dhe firmosi kontratën e parë me këngëtarin Presley: një investim i vogël për të ushqyer një pulë që bënte vezë të arta. Këngët e tij të para do ta dëshmonin këtë gjë menjëherë. Në fillimet e karrierës së tij, më 3 prill 1956, Elvis muar pjesë një prej shfaqjeve televizive më të shikuara të kohës, The Milton Berle Show; 40 milionë shikues mbeten tejet të entusiazmuar nga interpretimet e tij. Filluan fitimet e para milionëshe nga shitja e albumeve të tij të para muzikore.
Elvis Presley interpretoi në 33 filma, duke bërë histori në shfaqjet dhe specialet televizive si dhe në koncertet live në Las Vegas. Në të gjithë globin ai ka shitur më tepër se një 1 miliard disqe, më tepër se çdo këngëtar tjetër. Prej shitjeve fantastike të disqeve të tij në Amerikë, ai ka fituar çmimet e disqeve të arta, platinium dhe multi-platinium për 131 albumet dhe singlet e ndryshme, më tepër se çdo këngëtar tjetër. Ai ka marrë 14 kandidatura të Çmimit Grammy, ku ka fituar 3 herë nga Akademia Kombëtare e Shkencave dhe Arteve të Regjistrimeve Muzikore (Akademia që akordon çmimet Grammy). Më 1970 ai është shpallur Njëri nga Dhjetë të Rinjtë më të shquar të Kombit Amerikan. Pa dashur që t’ia dijë prej famës të tij, ai i i ka shërbyer me nder vendit të tij në Ushtrinë e SHBA.
Fama e tij gjithsesi ka pikënisjen vendimtare nga një kulm i tillë siç ishte e paharrueshmja “Love Me Tender” që bëri të adhurohet Presley për zërin e tij të thellë dhe tmerrësisht romantik. Elvis “the Pelvis” (Beli), siç e thërrisnin fansat (adhuruesit) e tij për shkak të përdredhjeve fantastike të belit, në lartësinë e hatashme të karrierës së tij dukej tashmë një mit i paperëndueshëm: kudo vajzat e njoma ishin në dehje, të gatshme për të lëshuar klithje histerike dhe shenja të bujshme intime. Kronikat e atyre viteve rrëfejnë se policia ishte gjithnjë në vështirësi për të siguruar paprekshmërinë e këngëtarit Elvis Presley pas çdo koncerti, në mënyrë që t’ia garantonin atij kthimin shëndosh e mirë në shtëpinë e tij në Graceland, një ndërtesë e kohës koloniale në Memfis rrethuar nga njëra anë e saj prej një parku të madh. Nga një kishë e vogël gati e harruar Graceland ishte transformuar në mbretërinë e tij: arkitektët, me disa miliona dollarë kishin krijuar një pallat mbretëror, të denjë për çdo mbret, edhe sot e kësaj dite objekt tejet i vizituar turistik.
Talenti i tij, hijeshia, sensualiteti, popullariteti dhe humori i shkëlqyer e bëri atë që të fitojë zemrat e miliona-e-miliona adhuruesve, nga njëra gjeneratë tek tjetra, nga njëri shekull tek tjetri. Elvis Presley si u dallua për talentin, u shqua edhe për gjestet humanitare, për mirësinë shpirtërore të cilën e ka dëshmuar duke kryer vepra bamirëse gjatë gjithë jetës së tij të shkurtër. I njohur në të gjithë botën, Elvis Presley i takon njërës prej figurave më të rëndësishme të kulturës në shekullin e XX. Mbreti i Rok’en’rollit, Legjenda e gjallë, që vazhdon vazhdon të mbetet Legjendë edhe postmortum, vdiq në moshën 42 vjeçare në shtëpinë e tij në Memfis (Memphis) në Grejsland (Graceland), më 16 Gusht 1977.
Elvis nuk fshehu kurrë anën e tij më të pafajshme prej djaloshi që nuk u rrit kurrë, aq sa njëherë thoshte: “kur isha fëmijë isha ëndërrues; lexoja një libër vizatimor dhe bëhesha hero i atij libri, shihja një film e bëhesha hero i atij filmi; çdo gjë që kam ëndërruar është bërë 100 herë më e vërtetë”. Më 24 mars 1958 u rekrutua dhe u dërgua në një qendër stërvitjeje në Teksas me numrin e rekuritimit US53310761; një shërbim ushtarak në vemendjen absolute të gazetarëve, fotografëve dhe adhuruesve të cilët e shoqëronin çdo dalje të tij nga reparti. Lirohet më 5 mars 1960, kthehet në skenë dhe dueton me Frank Sinatra në këngën “Welcome Home Elvis”.
Vdekja e nënës Gladys është një goditje e fortë për ekuilibrin shpirtëror: lidhja e fortë me nënën shndërrohet në shkak për depresione dhe ankthe. Por Mbreti nuk dorëzohej; një ditë takon një vajzë të njomë 14-vjeçare, Priscilla, bija e një kapiteni aviacioni në përbërje të forcave të NATO-s, vendosur në Gjermani. Ishte dashuri me shikim të parë. Dhe më 1 maj 1967 ndodhte martesa. Saktësisht 9 muaj më vonë, më 1 shkurt 1968, lindi Lisa Marie (e cila do të martohej me Mbretin e Popit, Michael Jackson). Pas tetë vitesh mungese në skenë, më 1968 Elvis bëhet prapë protagonist i koncerteve të drejtpërdrejta në skenë “Elvis The Special Comeback”: kthehet i veshur me veshje të zezë lëkure, me të njëjtën magji dhe me të njëjtën energji, të cilat e kanë karakterizuar dhe kanë magnetizuar brezni të tëra për dhjetëra vjet të mëvonshme. Më 1973 hyn në historinë e televizionit dhe shfaqjebe me “Aloha From Hawaii Via Satellite”, një program special që u transmetua në 40 vende duke arritur në më shumë se një miliard shikues. Më 12 shkurt 1977 filloi një turne të ri që u përmbyll më 26 qershor. Vendosi të marrë pushim dhe u kthye në shtëpi në Memfis. Ishte një ditë e bukur vere kur u shtrua me urgjencë në Baptist Memorial Hospital; mjekët e deklaruan të vdekur për çrregullim të rrahjeve të zemrës (aritmi kardiake) – ishte ora 15:30 e 16 gushtit 1977.
Pas vdekjes së tij,siç dihet shtëpia e tij në Graceland është kthyer në një qendër pelegrinazhi që fton me miliona vizitorë. Në dhomën e trofeve, ku janë vendosur albumet e arta dhe të platinta, gjenden edhe çmimet që Mbreti i Rok’en’Rollit i ka fituar nga e gjithë bota ku po përmendim shtetet: Norvegji, Japoni, Australi, Afrika e Jugut, Angli, Suedi, Gjermani, Francë, Kanada, Belgjikë, Hollandë etj. Një fakt interesant është se Elvis Presley ka pushtuar zemrat e të gjithë botës, duke i kënduar këngët vetëm në anglisht si dhe duke dhënë vetëm 5 koncerte jashtë SHBA, në tre qytete të Kanadasë më 1957, pra duke mos ndërmarë turne botërore.
Duke qendruar vetëm në SHBA, ai ka bërë që rreth tij t’i rrotullohet i gjithë Planeti Tokë, atij, që i mjafton t’i shqiptohet vetëm emri “Elvis”, për ta kuptuar se bëhet fjalë për legjendën, ka fituar famë dhe popullaritet, duke u shndërruar në idol për të gjithë globin, pa dallime race, gjuhe apo besimi. Vetëm ateizmi komunist, fara më e keqe e këaj bote, që nuk e ka njohur dhe nuk e njeh Zotin, e ka pasur urryer dhe ka pasur frikë nga Elvis Presley. E megjithatë zëri i Elvis Presley i ka kaluar të gjitha barrierat e kufijve, dogmave duke u bërë i dashur për breza të tërë, duke e bërë anglishten gjuhën më të dashur dhe më të kënduar të botës, duke i bërë gjenerata të tëra që ta mësojnë anglishten duke kënduar këngët e Mbretit të pavdekshëm të Rokut, Elvis Presley./ELIDA BUÇPAPAJ
Komentet