Me 15 prill 2018, Fatos Lubonja, çeli një ekspozitë të vjetër fotografike në mjediset e lokalit modern, Artkafe, në qytetin e Kukësit, me foto të shkrepura nga koha e krizës së Kosovës të vitit 1999.
Isha i ftuar por nuk munda të mbërrij pasi u vonova duke parë në Mitrovicë e Prekaz njerëz, fate e varre të asaj kohe të cilët edhe mund të jenë në fotografitë e Lubonjës.
Kam arritë në përfundimin se njeriu ka të drejtë të ndryshojë se nuk është i ndaluar ndryshimi për askënd, ose nuk i është ndaluar ndryshimi askujt.
Dikur Lubonja e quante Kukësin planeti Mars dhe Udhën e Kombit që po ndërtohej për bashkimin kombëtar, për ta siguruar më shumë pavarësinë e Kosovës, e quante udhë drejt planetit Mars.
Ato kohë ishte në tango me Edi Ramën i cili e quante Udhën e Kombit, udhë drejt asgjëkundit.
Ëndërroj që Lubonja të ketë reflektuar me vete kur ka parë galerinë në fjalë në lokalin Valdrin në qytetin e planetit Mars, Kukës.
Edhe kur ka mësuar se djemtë që zgjuan shoqërinë, me protestën e tyre kundër taksës Rama mbi Udhën e Kombit, ata barbarë e vandalë, janë nga ky planeti Mars, besoj se reflektimi e ndryshimi te Lubonja ka qenë më i thellë.
Unë shpesh jam kundër e pro Fatos Lubonjës, dhe natyrisht që kam të drejtë edhe unë të ndryshoj.
Përveç fyerjes së tij ndaj Udhës time dhe rrufeve që qëllonte ndaj heroit tim Ramush Haradinaj, unë nuk kam kundërshti me z. Lubonja.
Ndërsa duartrokitësit, lëpirësit që i neveritën edhe atij por ai i duron si elektorat, unë i neveris.
Shija e hidhur e keqe që më ka lënë z. Lubonja me kundërshtimin e tij ndaj Udhës së Kombit, krahëqafja e tij me Edi Ramën kundër ndërtimit të udhës së bashkimit kombëtar të shqiptarëve, nuk më është hequr ende që nga vera e 2010. Dhe zoti e di se kur do të më hiqet.
Ndoshta këto levizje të Lubonjës, këto ardhje në planetin Mars janë ndjesa e tij, por jo e artikuluar troç si kundërshtimi i tij ndaj Udhës së Kombit.
Ja si i shkruaja ato kohë z. Lubonja në librin tim Apologji për Udhën e Kombit: GËZOHU ME MUA PËR AUTOSTRADËN E KOMBIT Z. LUBONJA, (si një reagim për shkrimin “Autostrada Rrëshen – Mars – Kalimash” të Fatos Lubonjës, botuar me 7 korrik 2010, në të përditshmen “Panorama”)
Me zell të pandalshëm e të pashterrshëm, krejt i bindur se din gjithcka në këtë botë dhe se është ekspert i dorës së parë në e për gjithcka, Fatos Lubonja bën një ndër shkrimet më të shëmtuara e të pështira nga të gjitha shkrimet e bëra kundër udhës Durrës – Kukës – Prishtinë, me titull “Autostrada Rrëshen – Mars – Kalimash”, botuar në të përditshmen e Tiranës, “Panorama”, me 7 korrik, 2010.
Më duhet ta them që në krye, se në shumëcka e për shumëcka, unë e pëlqej dhe e dua Fatos Lubonjën, si një intelektual mjaft të angazhuar në jetën e vendit, si një intelektual serioz. Sidomos e respektoj për burgun që ka bërë në vitet e diktaturës, për vuajtjet çnjerzore që ka hequr atje, për zhgënjimet e llahtarshme që ka pësuar nga blloku i udhëheqjes së dikurshme politike të Shqipërisë, pjesë e të cilit ka qenë vetë z. Lubonja.
E ndjek shpesh në ekrane e faqe gazetash. Por kam kuptuar tashmë se është e njëjta gjë që thotë kudo, se thur gardh pa thupra, pavarësisht temave ku përfshihet, gjithmonë me shumë kompetencë, duke menduar se në këtë vend nuk ka asnjë tjetër të flasë dhe duhet ai që të mos mbeten të shkreta e memece ekranet apo faqet e shtypit dhe të mos mbetet pa u ndriçuar mendja e shqiptarëve. A nuk duhet kurrë të bëjë njeriu pak pushim?! Së paku sa për të dëgjuar se si përplasen në mal e si i kthen mbrapsht mali fjalët që thua…
Flet me kompetencë për gjithcka të kësaj bote. Si ekspert për rininë, për pleqërinë, për shkencën, për artin, për drogën, për doganat, për puthjen, për seksin, për aeroplanat, për të korrat, për të mbjellat, për shiun, për dëborën, për hënën, për diellin, për detin, lumenjtë, hidrocentralet… Fatos Lubonja sikur ta mbush mendjen se mundet me e puthë bërrylin e vet.
Për të na pohuar e diktuar gati gati dhunshëm se është, ai shqfaqet kurdo e kudo nëpër media, duke pretenduar me gjithë sjelljën e gjestet, kur shtrembërohet e lazdrohet kur flet, sikur gjithmonë bën vezë pate, duke na hutuar ne e vetën krejt qëllimshëm se objekt i intelektualitetit të tij është çdo temë, çdo fushë e aktivitetit dhe dijës njerzore, nga A-ja tek Zh-ja.
Mars e quan në shkrimin e tij vendin nga kalon autostrada Durrës – Fan – Kukës- Morin – Prishtinë ! Marsi, planet i kuq dhe pa pa jetë. Kështu e përfytyron Fatos Lubonja atë planet. Ne duhet që të pajtohemi detyrimisht me përfytyrimin e tij. Kështu e quan Fanin, Mirditën, Kukësin, autostradën. Të djegur, të shkretuar dhe të shëmtuar. Ani pse aty jetojnë njerëz dhe kalojnë mijëra udhëtarë me makina. Ja që shkokan njerëz dhe makina në Mars…
Vrer derdh në atë shkrim kundër autostradës. Po ç’të bëjmë ne tani që autostrada u bë. U bë nëpër atë rajon, në ato gryka të shkreta, të harruara, të kësaj treve, për të cilën disa albanologë që i shërbejnë “romantizmit nacional” shqiptar, siç ka qejf të shprehet i gjithëdijshmi Lubonja, kanë thënë mëse një herë se pikërisht kjo trevë nga kalon autostrada Durrës – Fanë – Kukës – Prishtinë, që lidh pjesët e kombit shqiptar, është djepi i formimit të kombit shqiptar.
Absolutisht, besoj e shpresoj se Fatos Lubonja nuk e ka mllefin me këtë djep.
Por ndoshta më lejohet t’i kujtoj shkruesit Lubonja se treva në fjalë, ku kalon autostrada, është e banuar prej mijëra vjetësh dhe ku ndoshta edhe për arsye natyrore është ruajtur më mirë se kudo toponimia shqiptare, në shkrepat e së cilës u thyen e shkërmoqën valët e huaja të pushtimeve ushtarake, kulturore etj.
E kam dëgjuar Lubonjën të flasë edhe për katolikët, për përfaqësuesit e këtij kleri. Mbase edhe për hatër të katolikëve, nëpër trevën e të cilëve kalon kjo udhë autostradë, duhej ta thoshte një fjalë të mirë, që mbase i del padashje. Psh: për cilësinë e rrugës e të asfaltit që lehtësojnë të arrihet Kukësi (Marsi) në një kohë shumë të shpejtë dhe pa tu troshitur kockat siç ndodhte në kthesat e pafundme të udhës së vjetër, e cila tashmë duket si udhë dhish. Shumë çudi në fakt, sepse për këtë autostradë, që Lubonja dhe ajo e huaja që ai shoqëroi dhe që e shpallën të keqe, gazetari gjerman Karl Peter Schwarz, në artikullin e tij për këtë autostradë, me titull, “Fuqia shëruese e një autostrade”, e quan “autostradën e re të rehatshme për të udhëtuar”. A s’duket paksa si çudi që një gazetar gjerman jep këtë konsideratë!!… Apo do të thuash se edhe gjermanët nuk janë mësuar me standarte…
- Lubonja, që s’besoj se është i huaj e jo shqiptar (të shkruajë gjithë ditën Sadik Bejko), dhe ajo e huaja që ai shoqëron, thonë se është kotësi funksionaliteti i autostradës. Është kotësi që rruga bëhët për dy orë nga 6 – 8 orë që bëhej dikur, është kotësi që ulet kostoja e transportit 30 dollarë për ton kilometër, është kotësi që një tregtar i Kukësit (Marsit), Prizrenit, Gjakovës, Pejës, Gjilanit, Ferizajit, Prishtinës, Kaçanikut etj etj, nuk paguan më 100 lekë të vjetra për çdo kilogram mall që i shkonte në Kukës (Mars), por paguan 20-30 lekë të vjetra. Është kotësi dhjetë e njëzet fishimi i numrit të udhëtarëve apo turistëve që vijnë në Shqipëri, qoftë edhe me pi një kafe në Durrës apo me fjetë një natë në Vlorë… Është kotësi taksa që paguan çdo makinë që hyn në vendin tonë për të kaluar tashmë përtej Marsit (Kukësit) në Kosovë apo në Maqedoni, makina e udhëtarë të shumtë që shkonin në Kosovë apo Maqedoni nga Greqia… Është kotësi funksionaliteti që mijëra gjimnazistë e nxënës nga Shqipëria shkojnë me deshirë të shohin e njohin Kosovën dhe dhjetra mijëra nxënës të Kosovës bredhin të njohin Shqipërinë… Kotësi funksionaliteti. Por prapë ai gazetari gjerman, Karl Peter Schëarz i gazetës Frankfurter…….. thotë pafajësisht se “në 2010 u numëruan vetëm një milion automjete” që udhëtuan nëpër këtë autostradë. Normal që pak janë për standartet gjermane.
Ndalem dhe flas me vete. A mos ka Lubonja junior ndonjë mllef apo inat me kuksianët- marsianët. Ndonjë gjë të trashëguar nga Lubonja plaku edhe mund ta ketë se Lubonja plaku duke qenë sekretar i parë i komitetit të partisë komuniste në Kukës edhe mund të ketë bërë mëkate ndaj kuksianëve – marsianëve. Edhe pse përfaqësoj vetëm veten time, pa e konsideruar të tepërt, do të kërkoja ndjesë, sepse për vuajtjet e të kaluarës jemi bashkëfajtorë. (Nuk ishte vetëm Zeusi…) Për të dënuar të djeshmen komuniste nuk kam ndonjë kuriozitet për të kërkuar në arkiva. Sepse i pari i rrethit, pra sekretari i parë i partisë komuniste, në përgjithësi, konsiderohej dorë e zgjatur e Zeusit që ishte në qendër. Nuk e di se ç’histori mund të ketë patur në burg z. Lubonja me ndonjë kuksian (marsian). Mund të jetë lënduar nga ndonjë marsian-kuksian. A mos duhet t’i kërkoj falje për episode apo dhunë të panjohur të ushtruar nga kuksianë-marsianë në ato institucione famëkëqia ku ka vuajtur dënimin z. Lubonja. Po ta dija se i kanë hyrë ndonjëherë në hak kuksianët, do t’i kërkoja ndjesë.
Për Kukësin (Marsin), ndoshta ka një farë detyrimi z. Lubonja junior, sepse Lubonja plaku ka qenë sekretar i parë i komitetit të partisë në Kukës në kohën kur hidheshin themelet e diktaturës komuniste.
Padyshim, për këtë nuk ka asnjë faj i biri, Lubonja junior, antikomunizmi i të cilit ngjan të jetë më tepër mllef përsonal për Zeusin (Enver Hoxhën) që e përzuri nga Olimpi, (blloku).
Komentet