“300 ditëshi i dytë i një qeverie përcakton fatin e asaj qeverie gjatë gjithë mandatit”. Ministri i Ekonomisë, Arben Ahmetaj e kishte përzgjedhur këtë fjali për hapjen e fjalimit të tij në prezantimin e raportit publik për 300 ditët e para të qeverisë në fund të muajit Korrik. Arsyeja? Ishte një fjali që Ahmetaj e vlerësonte shumë, pasi këtë mendim ndante kryeministri Rama me të gjithë anëtarët e kabinetit, apo bashkëpunëtorë të tij. Ahmetaj e shpjegoi këtë “aksiomë” me argumentin se kjo do të thoshte se sfida e qeverisë për 300 ditët që vinin është që ministrat të shkojnë në punë si ditën e parë të punës së tyre, për të filluar një ndryshim të ri. “Ky është çelësi i suksesit individual dhe ky duhet të jetë çelësi i suksesit të një ministrie, e cila ka fatin dhe sfidën, përgjegjësinë, të qëndrojë mbrapa çdo politike ekonomike që qeveria e Shqipërisë ka ndërmarrë apo do të ndërmarrë”, do të shprehej Ahmetaj, i dehur nga avujt parë të pushtetit, të cilat tashmë kur kanë kaluar 300 ditët e dyta, e kanë zhveshur lakuriq qeverinë “Rama”.
Sipas projeksionit qeveritar, 300 ditëshi i dytë do të niste me 14 Korrik dhe të përfundonte me 10 Maj 2015. Teksa ndodhemi afërsisht në mes të muaji Nëntor, kryeministri Rama duhet të kishte dalë prej kohësh në konferencën e tij të përbashkët me ministrat për të paraqitur rezultatet e këtij objektivi vendimtar për vazhdimin e qeverisjes, siç e ka cilësuar ai vetë. Por nuk e ka bërë këtë dhe nuk dihet nëse do ta bëjë. Situata ekonomike, për të cilën ai ishte betuar e përbetuar se do ta nxirrte nga bataku ku e kishte katandisur Berisha, jo vetëm që nuk është aspak e favorshme, por po rrezikon seriozisht t’ia kalojë në të gjithë parametrat e mundshëm kohës së Berishës. Raportet zyrtare nga vendi apo bota flasin qartë për një dështim me sukses për këtë periudhë qeverisjeje, të paktën në fushën ekonomike.
Rezultatet sipas objektivave
Në planin e punës së qeverisë për 300 ditët e dyta Ministria e Ekonomisë dhe ajo e Financave kishin planifikuar disa projekte për zhvillimin ekonomik. “Projekt për përmirësimin e klimës së biznesit, projekt për nxitjen e investimeve të huaja, projekt për futjen e inovacioneve në bizneset shqiptare, projekt për përmirësimin e nivelit të sigurisë së konsumatorëve, projekt për fuqizimin e rritjes ekonomike, projekt për përmirësimin e lehtësirave të të bërit biznes, projekt për promovimin e Shqipërisë në tregjet ndërkombëtare të turizmit, projekt për zhvillimin e qëndrueshëm të turizmit, projekt për reduktimin e borxhit publik, projekt për përmirësimin e cilësisë së shërbimit ndaj tatimpagueseve nëpërmjet administrimit tatimor të mirëmanxhuar, projekt për fuqizimin e rritjes ekonomike, projekt për transparencën e financave publike ndaj qytetarëve”, janë këto projektet e parashikuara nga qeveria për t’u zbatuar në 300 ditëshin e dytë qeverisës. Sa janë zbatuar dhe cilat kanë qenë rezultatet e këtyre projekteve, na e kanë bërë të ditur raportet e muajve të fundit me të dhënat përkatëse për gjendjen ekonomike në vend. “Më shumë se gjysma e kompanive të huaja në vend, 51% mendojnë se kushtet e të bërit biznes në Shqipëri nuk janë të favorshme”, do të raportonte Shoqata e Investitorëve të Huaj, në fillim të muajit Tetor.
Sa i përket përmirësimit të klimës së biznesit, kreu i Dhomës Amerikane të Tregtisë, Mark Crawford do të replikonte publikisht me kryeministrin Rama: “Kemi qenë të parët që kemi kërkuar luftë kundër informalitetit, por jo me represion, sepse biznesi nuk duhet të dalë në punë me frikën se do futet në burg. Duhet klimë e ngrohtë për të”, është shprehur pak ditë më parë shprehet kreu i dhomës amerikane të Tregtisë. Në raportin më të fundit “Doing Business 2016”, publikuar vetëm pak ditë më parë, Shqipëria ka zbritur 35 vende duke shënuar rezultatin më negativ të viteve të fundit, ose ndryshe, pozicionim në vendin më të fundit në rajon. INSTAT raporton rënie të eksporteve dhe importeve krahasuar me vitin e kaluar, dëshmuar rënie të konkurrueshmërisë së ekonomisë sonë, por edhe të konsumit në vend, Banka e Shqipërisë raporton se konsumi është në rënie, ndërsa bizneset kanë frikë të investojnë. Banka e Shqipërisë uli po ashtu parashikimin për rritjen ekonomike në 2.5 % nga 2.7% që vazhdon ta mbajë qeveria. BERZH e uli edhe më tej, në vetëm 2.3%. e si për t’u vënë kapak të gjithave, Ministria e Financave ka raportuar se në buxhet mungojnë plot 61 miliardë USD për 9-mujorin. Si përgjigje për këtë, FMN dha versionin e rritjes së kontrabandës dhe evazionit fiskal. Këto janë vetëm disa nga rezultatet që kanë pasuar 300 ditëshin e dytë të qeverisë, çka do të shpjegonte më së miri heshtjen e kryeministrit dhe ministrave të tij për këtë periudhë qeverisëse, e cila në një farë mënyre mund të shërbejë dhe si tregues për pritshmërinë ekonomike deri në fund të vitit e pse jo dhe të mandatit të kësaj qeverie.
8 projektet e Financave dhe Ekonomisë
Projekt për përmirësimin e klimës së biznesit.
Projekt për nxitjen e investimeve të huaja.
Projekt për futjen e inovacioneve në bizneset shqiptare.
Projekt për fuqizimin e rritjes ekonomike.
Projekt për përmirësimin e lehtësirave të të bërit biznes.
Projekt për reduktimin e borxhit publik.
Projekt për përmirësimin e cilësisë së shërbimit ndaj tatimpagueseve nëpërmjet administrimit tatimor të mirëmanxhuar.
Projekt për fuqizimin e rritjes ekonomike.
8 dështimet e Financave dhe Ekonomisë
Shoqata e Investitorëve të Huaj: “Më shumë se gjysma e kompanive të huaja në vend, 51% mendojnë se kushtet e të bërit biznes në Shqipëri nuk janë të favorshme.
Kreu i Dhomës Amerikane të Tregtisë: “Kemi qenë të parët që kemi kërkuar luftë kundër informalitetit, por jo me represion, sepse biznesi nuk duhet të dalë në punë me frikën se do futet në burg”.
Raporti “Doing Business 2016”: Shqipëria ka zbritur 35 vende. E fundit në rajon për të bërë biznes. INSTAT: Eksportet dhe importet në rënie krahasuar me vitin e kaluar.
Banka e Shqipërisë: Konsumi në rënie, bizneset frikë nga investimet.
Banka e Shqipërisë: Rritja ekonomike 2.5 % për 2015.
BERZH: Rritja ekonomike 2.3 % për 2015.
Ministria e Financave: Në buxhet mungojnë plot 61 miliardë USD për 9-mujorin.
FMN: Mungesa e të ardhurave në buxhet, nga kontrabanda dhe evazioni fiskal.
Komentet