Flet Nesti Vako, ish-punonjës i Sigurimit të Shtetit dhe shef i teknikës operative në Shtëpinë me Gjethe
Intervistoi: Bujar Ferhati
Kjo intervistë lindi si domosdoshëri për shkak të një cikli emisionesh të një televizioni të transmetuar pak kohë më parë. Nesti Vako, ish punonjës i Sigurimit të Shtetit, thekson se këto janë absurditete djallëzore të sajuara për qëllime abuzive, çoroditëse, përçarëse që të njollosin role e figura dinjitoze të punonjësve dhe drejtueseve të Sigurimit të Shtetit, për të justifikuar dështimin e agjenturave të huaja nga loja inteligjente e sigurimit shqiptar. Ndonjë ish punonjës i dështuar i sigurimit të shtetit, për të krijuar alibira dhe çudira, përpiqet të damkosë të tjerët për paaftësinë dhe dështimet e veta. E vërteta ekziston, ndërsa trillimet sajohen, thotë Vako.

Nesti Vako
– Z. Vako! Ju keni qënë për gati 4 dekada deri sa dolët në pension, punonjës i Sigurimit të Shtetit, e më vonë i atij të Shërbimit Informativ Kombëtar. Përse dëshironi të flisni?
– Faleminderit për intervistën. Shkaku që po flas janë disa emisione televizive si: FAX NEWS, i cili ka disa kohë që ka filluar një emision për të injoruar e denigruar disa figura të rëndësishme të ish-kupolës së lartë të PPSH, se gjoja u inkriminuan dhe eleminuan nga ish-regjimi i Enver Hoxhës.
Pikërisht në këtë periudhë për të cilën flitet, përmendet njëri prej anëtarëve të Byrosë Politike, ish-ministër i Mbrojtjes, Beqir Balluku, e disa të tjerë. Unë nuk e njoh gazetarin që intervistonte, por njoh një ish kolegun tim, ish punonjës e drejtues i lartë i Sigurimit të Shtetit z. Kristofor Martiro, i cili në disa cikle emisionesh televizive, çuditërisht shpreh keqardhje për dënimin, torturimin dhe eleminimin e grupit të fundit “puçist” në ushtri. Z. Martiro ka qënë hetues i besuar, i përzgjedhur, i posaçëm pë hulumtimin e veprimtarisë puçiste të Beqir Ballukut.
Në grupin e posaçëm të hetimit ishin caktuar edhe dy kolegë të tjerë të rangut si Elham Gjika dhe Pelivan Luçi, që kishin edhe një përvojë të madhe në hetuesi në çështje shumë delikate! Sipas deklaratave z. Martiro, me aq sa kuptova unë, pashë se ai po përpiqet të shfajësojë punën dhe rolin e tij në hetimin ndaj ministrit të Mbrojtjes Beqir Balluku, ku u mundua të shfajësohej duke deklaruar se: ”Beqir Balluku, s’ka qënë armik, ai e ka dashur Partinë dhe shokun Enver Hoxha, se ai e donte kauzën socialiste-komuniste dhe pushtetin popullor, paçka se ishte një diktaturë e një lloji të veçantë.
Beqir Balluku ka qënë Ministër i Mbrojtjes afro 12 vjet, mjaft i suksesshëm. Ai ishte burrëror, operacional, ushtarak, i aftë që vinte nga radhët e luftës dhe që kishte drejtuar njësitet guerrile në Kryeqytet, por që në fund të karierës së vet ndryshoi qëndrimin!
-Të dalim direkt e në temë. Pse të bëri përshtypje deklarata e Kristofor Martiros?
– Unë si koleg e kam pasur afër në profesion dhe e di pse u caktua pikërisht ai për hetimin në detaje të kësaj çështjeje kaq delikate të Beqir Ballukut! Ai nuk u caktua ashtu kot, por u caktua sepse ishte i devotshëm dhe i besuari Nr 1 i Enver Hoxhës për këtë çështje delikate. Shtoj se ai s’ishte i besuar kot nga udhëheqësi, por sepse ishte i sprovuar në punën dhe rolin e tij.
Po të dali e të deklarojë se paska qenë i detyruar të veprojë në atë mënyrë , se Beqir Balluku nuk ka pasur asnjë faj, në atë kohë e në ato vite. Pse e pranoj rolin? Tani ai është bërë për rahmet, sepse ka pak kohë që ka vdekur (Kristofor Martiro), por kujtoj shikueseve të emisionit në TV dhe lexuesve se ai kishte leje të posaçme, i vetmi që mundet të kryente hetime, provokime, biseda, gjykime si dhe në fund të bënte konkluzione për ish-ministrin e Mbrojtjes Beqir Balluku.
A thua e kishin vënë rastësisht pikërisht Kristofor Martiron dhe jo një tjetër? Nuk po flas se lexuesi është në gjëndje të kuptojë logjikën e domethënies time…! Gjërat duhet thënë ashtu siç kanë ndodhur dhe të analizohen me objektivitet. Atë që ai ka përjetuar vetë në atë rol më të besuar të hierarkisë partiake dhe shtetërore por që populli poshtë e ka përjetuar me shumë trauma dhe shumë pasoja.

–Njerëzit si Kristofor Martiro e të tjerë, a ishin më të besuarit e sistemit për atë kohë, që duhet t’i bënin sintezën ish njeriut më të besuar të PPSH, ish anëtar i Byrosë Politike, ish Ministrit të Mbrojtjes, një nga njerëzit më të fuqishëm e më të afërt të Enver Hoxhës?
– Padyshim që po! Njëshi më kryesori në atë çështje, ku nga hetimi dhe konkluzionet e tij u përcaktua edhe fati i Beqirit në gjykimin që i bëri Partia dhe Enveri kësaj çështjeje, ishin materialet e Matiros që iu servirën Enver Hoxhës dhe udhëheqjes kryesore të PPSH që ishin të interesuar direkt për të zbardhur çdo gjë edhe më intime në punën, rolin dhe veprimtarinë e Beqir Ballukut.
Martiro ishte i vetmi që që ia transmetonte çdo gjë, edhe letrat, Enver Hoxhës. Kush hetues ishte më lart e më i besuar se Kristofor Martiro për Enver Hoxhën? Për ne si kolegë dhe padyshim edhe për udhëheqësin e Partisë ai ishte i besuari! U çudita kur e dëgjova pak javë më parë se si foli, krejt kundra asaj që vetë kishte përpiluar e konkluduar dhe që ia kish përcjellë udhëheqësit në lidhje me hetimin që i kishte bërë vetë Beqir Ballukut!
Tani po na shfaqen disa jo vetëm Martira, që shtiren si burra të mirë që dinë sekrete, të tjera veç atyre që kanë raportuar e sajuar vetë me ndërgjegjen e tyre dhe këta janë shumë. Ku dihet se nga manipulimet e tyre janë marrë shumë veta më qafë, duke u marrë edhe jetën! Ata para se të luajnë rolin e “shenjtorit” duhet të thonë të vërtetën.
Z. Martiro e disa të tjerë si ai çfarë i shtyn që të mos jenë të besueshëm, por abuziv në përpilimin e informacioneve, fakteve, dëshmive etj? E bënin nga presioni e dhuna që u bënte Partia apo për të justifikuar vetveten? Apo djallëzi?
– Të kuptosh të tjerët është mençuri, të kuptosh veten tënde është ndriçim. Gjyqi i ndërgjegjes është më i pamshirshëm, sepse ata kanë marrë më qafë shumë veta! E ndjej obligim të shfaq mendimet e mia për këtë çështje! Nesot kemi shumë nevojë për drejtësi e dinjitet moral nga çthurja e madhe që kemi pësuar keto vite. Kudo në çdo shoqëri njerëzit nuk janë njëlloj, domosdo edhe këtu tek ne.
Por ata qofshin! Dinjiteti, karakteri, burrëria nuk provohen me fjalë por maten e peshohen me vepra dhe gjykohen në dritën e diellit, në mejdan! Për ata që nuk i duan e nuk i njohin unë them: Mjerë ata vetë si persona, që i kujtonim si dinjitozë sepse role të tilla kanë të bëjnë me koka njerëzish. Justifikimi i vetes pa pikë dinjiteti mua më irriton, ashtu si edhe shumë shqiptarë të tjerë. Tek ne ndershmëria dhe dinjiteti duhej të ishin të parat ndryshe nuk pranoheshe te punoje ne këtë sektor!
– Ju keni punuar në shtëpinë e famshme misterioze “Shtëpia e gjetheve” siç e thërrasin sot , ose kryeqendra e dokumenteve të spiunazhit shqiptar. Si është e vërteta, ka patur shumë dosje, enigma, kontradikta, gjykime të vërteta, të sajuara, të manipuluara në ato letra që përbënin dhe sekretet më të mëdha të Shqipërisë dhe shqiptarëve?
– Domosdo çdo gjë e qartë, e mirëstudiuar, emërtuar, paketuar, e vulosur, e mbyllur, e siguruar me vite e dekada. Një punë e përpiktë, shumë rigoroze, shumë strikte, po aq e heshtur e kontrolluar në imtësinë më të vogël. Janë rregulla dhe forma pune të llojeve të veçanta, brenda ligjeve të shtetit. Nuk është abuzuar kurrë në dokumente, por dihet shteti “monist” të ndëshkonte për sabotim dhe e kishte të ndaluar kategorikisht agjitacionin e propagandën borgjeze e revizioniste.
Ishte e ndaluar futja e grindjes në gjirin e popullit, u luftua ndarja në gegë-toskë. Librat shkruheshin në gjuhën letrare kombëtare. Këto arritje ishin halë në sy asaj kohe për fqinjët që na rrethojnë. Kjo ishte e shpallur botërisht me ligj dhe dënoheshe maksimalisht po qe se do t’i kundërviheshe ose do të fusje përçarje në popull. Këto mendoj se nuk ishin gjëra të keqija!
– A je i penduar për punën, veprimtarinë e kategorisë suaj në vite në organet e sigurimit të shtetit!?
-Ti shërbesh Atdheut në kohën tonë ishte krenari. Të punoje në këto organe ishte privilegj dhe përgjegjësi shumë e madhe . Jo kushdo mundet të punojë në këtë sherbim. Që të pranoheshe këtu duhej të plotësoje disa kritere fizike, psikike, morale, politike dhe intelektuale që t’u përgjigjeshe rrethanave dhe kushteve në përputhje me Kushtetutën! Çdo njeri në jetë e zgjedh rolin, profesionin e tij! Unë i plotësoja kushtet dhe m’u dha mundësia të kem një rol në këto organe dhe e pranova me dëshirën time.
Në sigurimin e shtetit punonin njerëz të zgjedhur, duke sakrifikuar edhe jetën për mbrojtjen e Atdheut. Unë në pozicionin tim kam punuar me përkushtim dhe jam krenar se punova me ndershmëri pa iu përkulur askujt dhe pa i kthyer kurrizin askujt! Ashtu siç do ta bënte çdo bir i këtij populli për Atdheun. Dikush duhet ta bënte dhe ky të ishte bir i këtij populli jo të huajt.
Çdo shtet kështu e ka të organizuar këtë lloj shërbimi dhe pothuajse të njëjtat metoda e forma pune përdorin të gjithë, ndërsa sukseset varen nga shkalla e inteligjencës, përvoja, trashëgimia, teknika dhe njeriu mbi të gjitha. Kështu e kanë të organizuar edhe shtetet më të fuqishme si Amerika, e jo më një vend i vogël si Shqipëria i rrethuar nga fqinjë… Si thotë një fjalë e urtë popullore: ”Trimëria merr kala, vigjilenca fort e mba”!
– Flitet se shumë nga ish “sigurimsat” me ndryshimet demokratike kanë ndërruar rolin, janë kthyer brënda natës në “blu”, madje jo pak kanë braktisur vendin! Ç’mund të na thuash? A ka qarqe dhe individë brenda ose jashtë që duan hakmarrje ose të kenë ushtruar dhunë ndaj jush?
– Unë dua të jem vetvetja, ky që jam para jush! Padyshim që ka patur raste ku individë të veçantë kanë tentuar të hakmerren dhe të tillë do të ketë! Të jesh i qartë se po qe se ke bërë vetëm detyrën, pa tendencë e pa paramendim e qëllim të keq nuk të ngacmon kush! Këto i thonë edhe shumë të dënuar për faje ose gabime të cilat edhe vetë i kanë pranuar se i kanë merituar.
Secili i bënë gjyqin vetes! Domosdo do të ketë edhe dashakeqës, por shumica dinë të vlerësojnë dhe dinë të ndajnë gënjeshtrën nga e verteta, kjo ka të bëjë me karakterin e secilit! Unë dhe shumica e shokëve të mij kemi punuar me përkushtim me qëllim t’i ndihmojmë njerëzit që të mos gabonin.
T’u dilnim përpara e të parandalonim të keqen jo të rrinim sehirxhinj, apo të linim njerëzit të binin në kurthin e të këqijve! Askujt nuk i kam bërë keq me tendencë apo pa dashje! Prandaj zgjidheshin njerëzit që punonin në këtë organ! Ishim në mbrojtje të popullit dhe Atdheut për kohën (regjimin)!
– Para pak kohësh ndërroi jetë edhe një ish-lider i njohur i Sigurimit të Shtetit, Mark Dodani. Si e gjykoni sot, pas 27 vjetësh të ndryshimit të sistemit, a duhen respektuar apo denigruar figura të tilla?
-Për mua dhe çdo shqiptar, patriot e atdhetar, ky shërbim ka shumë rëndësi, po ashtu edhe njerëzit që punojnë në këtë shërbim. Nuk mundet t’u mohohet puna dhe kontributi atyre njerëzve që shërbyen me besnikëri e përkushtim në atë kohë. Edhe sot pse kohët kanë ndryshuar, kuptohet se në kushte e rrethanat e reja ky lloj shërbimi, ka rol tjetër. Atëhere… Dy sisteme të kundërta, ndërsa sot ne jemi vend anëtar të NATO-s, dhe jemi integruar në strukturat e NATO-s dhe BE.
Bota ka ndryshuar shumë dhe po ndryshon! Dikur SHBA dhe BS ishin cilesuar si dy armiqtë më të mëdhenj të popujve në botë, ndërsa sot SHBA është aelati ynë më i madh! Në rrethanat e kushtet e reja ka ndryshuar vlerësimi! Çdo gjë vlerësohet në kohë e në hapësirë.
Sot na duket absurditet qëndrimi i asaj kohe, por nga dokumentat që po zbulohen nga arkivat e huaja, qëndrimi i shtetit tonë atëhere ishte shumë i drejtë e i motivuar, pasi ka ruajtur pavarësine politike, ekonomike dhe Atdheun!
– Po sot në demokraci, qeveritë tona të majta e të djathta, ç’qëndrim mbajnë me ju? Ju denigrojnë, ju harrojnë, ju keqpërdorin për qëllime të tyre?
– Më keni vënë në një gjëndje emocionale shumë të fuqishme dhe sytë sikur duan të më lotojnë, por jo, kurrë zemra nuk më lëshon! Ne bëmë atë që kishim për detyrë, bëmë më të mirën e mundëshme për Atdheun, për popullin. Në punë ka edhe gabime të cilat vinin nga mungesa e eksperiencës dhe nga metodat e stërholluara që përdornin kundra vendit tonë agjenturat e huaja.
Këto janë gabime të rritjes dhe kanë shërbyer si mësim. Sot anatemohen këto punë nga naiviteti i kohës! Sa për qeveritë dua të përgëzoj këto dy të fundit të kryesuara nga Z. Rama që “shtëpinë e gjetheve” e kthyen në “Muze” të hapur për të gjithë publikun shqiptar dhe atë të huaj dhe secili mundet ta vizitojë shtëpinë misterioze të sekretit shtetëror mbi 50 vjeçar!
Besoj se është një gjë e rrallë. Shtëpia e gjetheve është atje ku ka qënë por ngjyrimet që duan t’i japin është punë e tyre. Individë të veçantë kërkojnë hakmarrje, dhunë por pa asnjë shkak ndaj nesh, madje dhe nga pozicionesh ngjyrash nxiten, thjesht kaos. Por gabimet e vogla nuk mundet ta errësojnë gjithë atë punë vetëmohuese të Sigurimit të Shtetit.
Do të ishte mirë sikur të arrihej të botohej një histori e plotë që nga fillimi, duke i rivlerësuar disa gjëra dhe duke theksuar disa dobësi, por sidomos të përshkruheshin përpjekjet e mëdha të njerzëve të sigurimit të shtetit që sot urrehen nga disa antishqiptarë! Do të ishte mirë që t’u bëhet anatomi e plotë e gjërave.

– Ke ndonjë peng, brerje ndërgjegje për vete si dhe të kolegëve të tu, për punën gjysmë shekullore në këtë institucion kaq të rëndësishëm!?
– Po burrërisht e them, flas edhe në emër të atyre shokëve që kemi punuar bashkë. Sot ndjehem disi i vrarë në shpirt, për një punë aq të mundimshme për vite e dekada e që sot duket si qesharake për ne. Mund, njerëz, fonde, orë, muaj, vite të humbura.
Ç’të bësh, po do të dëshiroja që qeveria e sotme, personalisht vetë kryeministri Z. Rama të na krijonte mundësinë e një takimi të madh e të gjerë që t’i shtrinim dorën denjësisht ambasadorëve të shteteve mike, ambasadorit amerikan Zotit Lu, Zonjës Vllahutin etj, etj, që të vënë në plan të parë integrimin e Shqipërisë për të mirën e kombit shqiptar, për nipat e mbesat tanë. Sot e kërkon jeta, e kërkon koha, zhvillimi dhe çelja e jetës nga kornizat është domosdoshmëri.
Komentet