VOAL

VOAL

Dy Manchesterat, Juventusi, Bayerni sigurojnë 1/8 e finales në Ligën e Kampionëve

November 28, 2018

Komentet

VIDEO- Skandali në Bosnje, momenti kur Egnatia braktisi ndeshjen pas thirrjeve “Kosova është Serbi”

Egnatia pësoi disfatë 1-0 ndaj Borac Banja Luka, ndeshja e parë e turit të parë të Champions League. Në Gradski stadion Banja Luka (Banja Luka), tensioni ishte i pranishëm që nga fillimi i ndeshjes, deri në vërshëllimën përfundimtare të arbitrit polak, Stefanski.

Gjatë sfidës, u shfaq harta e Kosovës me flamurin serb, ndërsa s’munguan thirrjet “Kosova është Serbi”. Futbollistët e Egnatias protestuan duke kërkuar ndërprerjen e takimit, çka bëri që delegati i UEFA-s të zbresë në fushë për të sqaruar gjithçka.

Gjithsesi, ndeshja filloi përsëri, pas disa minutash. Egnatia-Borac Banja Luka, “beteja” e kthimit, luhet pas disa ditësh. bw

Jaan Roose kalon ngushticën e Mesinës duke ecur në një litar të hollë

Ai eci në një litar vetëm 1.9 cm të gjerë, të mbajtur pezull 200 metra mbi nivelin e detit

Megjithatë, atleti i ekipit Red Bull nuk ishte në gjendje të mposhtte rekordin botëror

VOAL- Atleti i Red Bull Jaan Roose kaloi ngushticën e Mesinës duke mbërritur në shtyllën e Messina-s pasi u nis nga shtylla e Santa Trada në Villa San Giovanni, e mbërthyer në 250 metra mbi nivelin e detit, drejt një vepre të paprovuar më parë: Messina Crossing (Kalimi i Mesinës), d.m.th. duke përshkuar 3600 metrat e ngushticës në një fill litari të gjerë 1.9 centimetra.

Roose pas mbërritjes së tij, tha se ishte “shumë i lumtur me arritjen”.

Jaan Roose përfundoi teknikisht kalimin e ngushticës së Mesinës në një litar, por bëma e tij nuk mund të futet në Librin e Rekordeve Guinness. Atleti në fakt theu rekordin aktual botëror, i cili ishte 800 metra distancë, por ra para përfundimit, me rreth 80 metra të mbetura.

Më pas Roose rifilloi testin, duke e çuar atë në një përfundim, por rregulloret kërkojnë që një rrugë e qartë të përfundojë deri në fund. ATS/ANSA/RSI

Lionel Messi me foshnjen Lamine Yamal- BBC: Fillimi i dy legjendave

Nga George Wright, BBC

Në vitin 2007, Lionel Messi i ri pozonte me një fëmijë në dhomën e zhveshjes së Camp Nou në Barcelonë për një fotosesion bamirësie.

Messi, i cili ishte 20 vjeç, tashmë po bënte emër dhe do të vazhdonte të bëhej ndoshta më i madhi i të gjitha kohërave.

Por fotografi nuk e dinte se foshnja do të bënte bujë edhe në futbollin ndërkombëtar më pak se 17 vjet më vonë.

Messi ishte duke larë Lamine Yamal – 16-vjeçarin që ka mahnitur botën në kampionatin evropian.

Goli i tij kundër Francës në gjysmëfinalen e së martës është ai për të cilin do të flitet me dekada.

Në moshën 16 vjeç e 362 ditë, gjuajtja spektakolare e bëri atë njeriun më të ri që ka shënuar në historinë e turneut.

Fotoja e harruar prej kohësh e Messit dhe Yamal u rishfaq pasi babai i Yamal e postoi atë në Instagram javën e kaluar me tekstin: “Fillimi i dy legjendave”.

Fotot janë realizuar nga Joan Monfort, që punon si fotograf i pavarur për Associated Press.

Xhirimi erdhi pasi Unicef ​​bëri një lotari në qytetin Mataró ku jetonte familja e Lamine, tha ai.

“Ata u regjistruan për lotarinë për të bërë foto në Camp Nou me një lojtar të Barçës. Dhe ata fituan shorteun,” tha zoti Monfort.

Detyra nuk ishte e thjeshtë, tha fotografi.

“Messi është një djalë mjaft introvert, ai është i turpshëm”, tha ai.

“Ai po dilte nga dhoma e zhveshjes dhe befas e gjen veten në një dhomë tjetër të zhveshjes me një vaskë plastike të mbushur me ujë dhe një fëmijë në të. Ishte e ndërlikuar. Ai as nuk dinte si ta mbante në fillim”.

Ashtu si Messi, Yamal vazhdoi të luajë për Barcelonën, ku u bë titullari dhe golashënuesi më i ri i klubit ndonjëherë, si dhe golashënuesi më i ri në ligën spanjolle.

Monfort tha se vetëm kur fotografia filloi të bëhej virale në internet javën e kaluar ai kuptoi se foshnja ishte Yamal.

“Është shumë emocionuese të shoqërohesh me diçka që ka shkaktuar një ndjesi të tillë,” tha ai.

“Të them të vërtetën është një ndjenjë shumë e bukur.”

Image

Katër skuadra shqiptare në… Champions League, në Greqi i bëjnë jehonë

Skuadrat shqiptare kanë treguar rritje në nivel loje dhe për këtë fakt, vlen të përmendet fakti se katër prej tyre do të luajnë në Europë.

Mediat greke i kanë bërë jehonë këtij lajmi, duke shkruar se Deçiç i Tuzit (Mali i Zi), Egnatia e Shqipërisë, Ballkani (Kosova) dhe Struga (Maqedonia) do të përfaqësojnë shqiptarët në arenën ndërkombëtare.

Deçiç do të sfidojë TNS në Champions League, skuadër kjo nga Uellsi.

Ballkani i Ilir Dajës përballet me Santa Colomën e Andorrës.

Egnatia mat forcat me boshnjakët e Banja Luca, kundërshtar ky mjaft i fortë. Ndërsa Struga “gjen” sllovakët e Slovan Bratislava.

(BalkanWeb)

Kompletohet katërshja e më të mirëve, ja kur luhen dy sfidat gjysmëfinale të Europianit

Me kualifikimin e Anglisë dhe Holandës janë mësuar kështu dhe katër skuadrat që do të synojnë fitimin e trofeut në Berlin.

Gjysmëfinalja e parë është ajo mes Spanjës dhe Francës që do të luhet në Mynih, të martën e 9 korrikut në orën 21:00.

“La Roja” vjen pas një fitoreje kundër organizatorëve të Gjermanisë vetëm në kohën shtesë, ndërsa “Gjelat” kaluan vetëm falë penalltive kundër Portugalisë.

Gjysmëfinalja e dytë do të luhet në Dortmund mes Holandës dhe Anglisë, të mërkurën e 10 korrikut po në orën 21:00. “Tulipanët” mundën me përmbysje Turqinë, ndërsa “Tre Luanëve” iu deshën penalltitë për të kaluar Zvicrën.

PANORAMASPORT.AL

Një finale e parakohshme, Spanjë-Gjermani “ndez” Evropianin, ja si vijnë dy përfaqësueset në këtë përballje epike

Spanjë-Gjermani mund të konsiderohet pa frikë një finale e parakohshme, një super sfidë mes dy pretendentëve kryesorë për të triumfuar në këtë Evropian. Të flasësh për favoritë në këtë përballje është shumë e vështirë, e kanë shumë të vështirë edhe kompanitë e basteve ku një sukses i mundshëm i dy ekipeve kuotohet me të njëjtin koeficient 2,75.

Spanja vjen pas një rrugëtimi prefekt, 4 ndeshje 4 fitore, ndërsa kapet fort pas talenteve si Yamal dhe Nico Williamas, por pas tyre ndodhen lojtarë ekspert si Rodri, Fabian Ruiz apo Pedri.

Me tifozët në krah, Gjermania synon t’i shkojë deri në fund këtij turneu në shtëpinë e tyre. Nagelsmann ka ndërthurur një ekip të veçantë me talente si Musiala, Wirtz, Havertz etj, por pas tyre ndodhen dy veteranë si Toni Kroos dhe Gyndogan. “Panzerat” vijnë në këtë çerekfinale me 3 fitore dhe 1 barazim, por në këtë fazë çdo gjë zerohet.

Dy përfaqësueset kanë fituar nga 3 herë Evropianin, si askush tjetër më parë. Spanja është kthyer në një tabu e madhe për Gjermaninë, për herë të fundit, “panzerat” kanë fituar një ndeshje zyrtare në 1988 e largët, por ekipi i Nagelsmann beson, në futboll, statistikat janë bërë për t’u thyer.

(BalkanWeb)

Gjesti i futbollistit turk shkakton fërkim diplomatik mes Turqisë dhe Gjermanisë

Një veprim kontrovers i futbollistit turk, Merih Demiral, gjatë Kampionatit Evropian të futbollit, e ka shkaktuar një fërkim diplomatik mes Turqisë dhe vendit nikoqir, Gjermanisë.

Turqia e thirri në takim ambasadorin gjerman të mërkurën, për ta kritikuar ministren e Brendshme të Gjermanisë, Nancy Faeser, e cila e dënoi festimin e golit nga Demirali një natë më parë. Demiral e bëri një shenjë me dorë e cila është e lidhur me një grup ultranacionalist.

Demirali i shënoi të dy golat e Turqisë në fitoren 2:1 kundër Austrisë të martën, duke ia siguruar kombëtares turke një vend në çerekfinale të Euro 2024.

Pasi e shënoi golin e dytë, ai e bëri një shenjë me të dy duart, e cila përdoret nga nacionalistët turq dhe është e lidhur me organizatën ultranacionaliste turke, Ulku Ocaklari, që njihet më mirë si Ujqit e Hirtë.

Faeser i bëri thirrje UEFA-s ta ndëshkojë Demiralin për këtë gjest.

“Simbolet e së djathtës ekstremiste turke nuk kanë vend në stadiumet tona. Është plotësisht i papranueshëm përdorimi i Kampionatit Evropian si platformë për racizëm”, shkroi Faeser.

Ministri federal Cem Ozdemir, politikan gjerman me prejardhje turke, tha se gjesti i Demiralit ka të bëjë me “ekstremizëm, terror dhe fashizëm”.

UEFA njoftoi se e ka nisur një hetim për dyshimet për “sjelljen e pahijshme” të Demiralit.

Omer Celik, zëdhënësi i partisë së presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, tha se komentet e Faeserit dhe hetimi i UEFA-s janë “të papranueshme”.

Pas ndeshjes të martën, Demiral tha se gjesti i tij ishte një shprehje e pafajshme e krenarisë së tij kombëtare dhe se ai “nuk përmban mesazhe të fshehta apo diçka të tillë”.

“Gjesti ka të bëjë me identitetin turk, sepse unë jam krenar që jam turk. Dhe këtë e ndjeva plotësisht kur e shënova golin e dytë. Prandaj, edhe e bëra këtë gjest”, tha ai.

Demiral tha se shpreson se do të ketë edhe “mundësi të tjera për ta bërë këtë gjest përsëri”.

Grupi Ujqit e Hirtë u themelua si dega e të rinjve e partisë të së djathtës ekstreme të Turqisë, Lëvizja Nacionale, apo MHP, e cila është në koalicion me partinë e Erdoganit në pushtet, Partia për Drejtësi dhe Zhvillim.

Agjencia federale e Gjermanisë i vëzhgon aktivitetet e grupit Ujqit e Hirtë. Autoritetet vlerësojnë se ajo ka rreth 12.100 anëtarë në vend.

Ky grup është i ndaluar në Francë, ndërsa Austria e ka ndaluar përdorimin e gjestit të Ujqve të Hirtë. REL

Kosova me nëntë sportistë në Olimpiadën e Parisit

Kosova do të përfaqësohet nga nëntë atletë në katër sporte të ndryshme në Lojërat Olimpike Verore Parisi 2024, të cilat do të mbahen prej 26 korrikut deri më 11 gusht në kryeqytetin francez.

Ekipi olimpik i Kosovës mbizotërohet nga sporti i xhudos si zakonisht, pasi pesë xhudistë janë pjesë e ekipit, njoftoi Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK).

Listës i prijnë kampionet olimpike, xhudistet Distria Krasniqi e Nora Gjakova, pastaj tre xhudistët tjerë, Laura Fazliu, Akil Gjakova e Loriana Kuka.

Kjo është Olimpiada e tretë radhazi që Kosova synon të fitojë medalje të artë, pas debutimit historik të Majlinda Kelmendit në Rio 2016 në Brazil, kur u shpall kampione olimpike dhe medaljeve të arta të Distria Krasniqit dhe Nora Gjakovës në Tokio 2020.

Krasniqi, bashkë me Kelmendin dhe Nora Gjakovën, janë atletet e vetme, qoftë në sportin e grave apo burrave, që kanë fituar medalje të arta olimpike në historinë e sportit kosovar.

Sportistët e tjerë që do ta përfaqësojnë Kosovën në Paris janë, Donjeta Sadiku në boks, Gresa Bakraqi në atletikë, dhe Hana Beiqi dhe Adell Saboviq në not.

Që të gjithë xhudistët dhe Sadiku nga boksi e siguruan pjesëmarrjen pasi përmbushën normën olimpike, ndërsa tre sportistët e tjerë morën ftesë.

Hana Beiqi, 14-vjeçare nga Prishtina, ka katër vjet që përgatitet për pjesëmarrjen debutuese në Lojërat Olimpike. Ajo tha për Radion Evropa e Lirë vite më parë se ëndërronte pjesëmarrjen në Olimpiadë.

Lojërat Olimpike Verore mbahen çdo katër vjet dhe vlerësohen si gara më e shquar me shumë sporte individuale dhe ekipore në botë.

Kosova e shënoi debutimin në vitin 2016 në Olimpiadën e Rios në Brazil. REL

Rudi Völler i trembet dyshes Williams-Yamal: Janë shumë të shpejtë, Spanja në nivel maksimal

Spanjë-Gjemani është një nga super sfidat që ofron faza çerekfinale në “Euro2024”, një duel mes dy përfaqësueseve më në formë të turneut. Rudi Völler, drejtori sportiv i përfaqësueses Gjermane, vlerësoi rivalin e tyre, Spanjën, mbi të gjithë dy sulmuesit e krahut, Nico Willimas dhe Yamal:

“Historikisht, Spanja ka pasur lojtarë të mirë, por tani është kthyer në nivelin e tyre maksimal. Tani kanë në dispozicion edhe dy sulmues jashtëzakonisht të shpejtë të cilët i janë përshtatur stilit të tyre klasik. Kjo e bën edhe më të rrezikshme këtë skuadër, por dhe ne kemi lojtarë të shkëlqyer, futbollist me cilësi të njëjta si ata, Sane, Beiet, Chris Fuhrich, të tre janë shumë të shpejtë. Ata janë shumë të çmuar për ne kur futen në fushë, mund t’i bëjnë keq çdo ekipi”, u shpreh ndër të tjera drejtori sportiv i përfaqësueses gjermane.

(BalkanWeb)

‘Ky është Evropiani im i fundit’- Ronaldo zyrtarizon largimin mes emocioneve

Në fund, Cristiano Ronaldo festoi fitoren ndaj Sllovenisë, por e gjithë ndeshja ishte një makth i vërtetë për të, pasi portieri kundërshtar Jan Oblak e përloti atë.

Ronaldo u përpoq të shënonte gjatë gjithë ndeshjes, por nuk shkoi siç ishte planifikuar. Katër herë ka goditur nga gjuajtja e lirë, ka dalë i vetëm ndaj portierit slloven, por Oblak ka qenë më i suksesshëm në çdo rast.

Goditja e fundit erdhi në të pjesën e parë të vazhdimeve kur gjyqtari Daniele Orsato i dha Portugalisë një penallti. Ronaldo mori përgjegjësinë, por Oblak edhe një herë bëri një pritje fantastike. Pas penalltisë së humbur, portugezi i famshëm u pushtua nga emocionet dhe nuk i fshehu dot lotët në mes të fushës në Frankfurt.

Megjithatë, gjatë gjuajtjes së penalltive, që në fund vendosi kalimin për në çerekfinale të Kampionatit Evropian, Ronaldo mori sërish përgjegjësinë dhe në fund mposhti Oblak. Pas golit ai u kërkoi falje tifozëve portugez.

Ai bëri të ditur gjithçka pas ndeshjes dhe zyrtarizoi se po i jep lamtumirë Kampionateve Evropiane këtë verë. Ronaldo konfirmoi se këto janë paraqitjet e tij të fundit në Evropian.

‘Ky do të jetë kampionati im i fundit evropian sigurisht. Por, nuk jam i prekur nga kjo, por nga entuziazmi. Më erdhi keq për tifozët’, ka thënë fillimisht Ronaldo.

‘Do të jap gjithmonë maksimumin për këtë fanellë, pavarësisht nëse më dështoj apo jo. Dhe unë do ta bëj këtë gjatë gjithë jetës sime, sepse ju duhet ta merrni atë përgjegjësi’, përfundoi ylli portugez.

Portugezët do të kenë një detyrë shumë më të vështirë në çerekfinale, pasi i pret një nga favoritët për titullin evropian, Franca, e cila dje ishte më e mirë se Belgjika duke fituar me rezultat 1-0. sn

Siguri për të ardhmen, një brez i ri po “pushton” Kombëtaren

Broja, Muçi, Hoxha, Mitaj, Medon Berisha, Asllani dhe Bajrami. Një gjeneratë e re futbollistësh që garanton të ardhmen e Kombëtares shqiptare, edhe pse ka edhe shumë lojtarë të tjerë me potencial që mund t’iu bashkohen emrave më sipër. Kushdo trajner që do të jetë, diçka e ka të sigurt: një brez lojtarësh të cilët premtojnë shumë dhe mund të japin garanci për të arritur gjëra të mëdha me ekipin kombëtar në ardhmen e afërt.

ARMANDO BROJA- Një “bishë” që duhet çliruar dhe është vetëm 22-vjeç. Ka shënuar 5 gola me kuqezinjtë deri tani dhe është sulmuesi potencial për të udhëhequr këtë repart dhe për shumë vite, gjithmonë nëse menaxhon mirë veten dhe menaxhohet mirë nga trajneri dhe drejtuesit. Nëse ka një sulmues që mund të thyejë rekordin e Bogdanit me 18 gola, ai është Armando Broja. I nevojitet edhe një ekip stabël për të kapur formën dhe për të luajtur rregullisht, edhe pse mund të jetë një ekip jo aq i njohur sa Çelsi.

ERNEST MUÇI- Të gjithë do të donim ta shikonim më shumë Muçin me fanellën e Kombëtares. Silvinjo e ka preferuar vetëm disa minuta, si në Europian apo edhe më parë në kualifikuese. Ndërkohë, fantazisti i cili ka në rolin e tij Nedim Bajramin, ka provuar të luajë edhe në krah apo mbrapa sulmuesve. Një trajner i guximshëm do ta aktivizonte më shumë Ernestin, për të cilin shpenzuan 10 milionë euro në Turqi. Në total 12 ndeshje me fanellën kuqezi, vetëm dy miqësore si titullar dhe ka shënuar 3 gola. Mbetet një element i rëndësishëm për të ardhmen.

MARIO MITAJ- Nëse flasim për krahun e majtë të mbrojtjes, Mario Mitaj po tregon se askush nuk duhet të merakoset për këtë pjesë. Paraqitje si një lojtar me shumë eksperiencë, i karakterizuar nga qetësia kur topi është në këmbët e tij, edhe pse në aspektin mbrojtës ka vend për tu përmirësuar, Mario, në moshën 20 vjeçare do t’i vlejë për shumë kohë Shqipërisë.

KRISTJAN ASLLANI- I njëjti brez me Muçin dhe Brojën, Kristjan Asllani është 22 vjeç dhe ka luajtur 23 ndeshje me Kombëtaren, madje ka shënuar edhe dy herë. Një nga mesfushorët më premtues që mund të ketë ekipi përfaqësues. I sistemuar te kampionët e Interit dhe duke luftuar për më shumë minuta, diçka e cila është e vështirë, Asllani mbetet pika e referimit në lojën që kuqezinjtë kanë. Pasime dhe vertikalizime të sakta, një teknikë e nivelit të lartë, Shqipërisë kishte kohë që i mungonte një mesfushor si elbasanasi.

MEDON BERISHA- Debutoi në miqësoren me Lihtenshtejnin dhe po ashtu luajti 20 minuta me Spanjën. Kapiteni i Shpresave Medon Berisha është po ashtu një lojtar me potencial të jashtëzakonshëm i cili do të shtojë bindshëm konkurrencën në mesfushën e Kombëtares. Medoni luan me Leçen në Serinë A dhe është 20 vjeç.

HOXHA DHE BAJRAMI- Arbër Hoxha, me paraqitjet e fundit në Europian, tregoi se shumë shpejt do të kërkojë edhe vendin e titullarit për ndeshjet e Ligës së Kombeve. Kur u shprehëm se kemi një gjeneratë të re lojtarësh që garanton shumë të ardhmen, këtu mund të përfshijmë edhe 25-vjeçarin Hoxha i cili kaloi nga Kosova te Shqipëria. Pa harruar te kjo pjesë edhe Nedim Bajramin, në të njëjtën moshë me Hoxhën dhe një nga lojtarët kryesorë të ekipit, ku me fantazinë e tij, golat nga distanca, i jep një tjetër bukuri ekipit kombëtar. Një tjetër lojtar që duhet përmendur është Marash Kumbulla, vetëm 24-vjeç. Por jo vetëm, pasi vëllezërit Shpendi apo të tjerë janë “mbrapa derës”. Panorama Sport

Lamtumirë legjendë, i jepet lamtumira e fundit Bejkush Birçes

Nga kjo e hënë, futbolli shqiptar është më i varfër, ndarja nga jeta e një legjende si Bejkush Birçe është një humbje e madhe.

Ish trajneri i Kombëtares u nderua në ambientin e stadiumit ‘Air Albania’, dikur ‘Qemal Stafa’, aty ku Birçe zhvilloi shumë beteja, duke udhëhequr ekipin përfaqësues në një periudhë shumë të vështirë, në vitet 90’, ndërsa më herët kishte shkruar historinë edhe me klubin e Partizanit, skuadër që i dhuroi dhe dy tituj kampion.

Me qindra sportdashës, figura të futbollit shqiptar, ish kolege dhe personalitet të ndryshme, i bënë homazhet Bejkush Birçes duke e përcjell me nderim për të botën e përtejme.

Përfaqësues të Federatës Shqiptare të Futbollit, institucion ku mbajti edhe postin e zëvendës presidentit, treguan mirënjohjen ndaj një figure kaq të madhe si Bejkush Birçe.

Bejkush Birçe u nda nga jeta në moshën 81 vjeçare pas disa problemeve shëndetësore.


Send this to a friend