Zef Deda, Enver Hyseni e të tjerë figura që i dhanë shkëlqim teatrit janë thërritur përmes homazhit në faqet sociale të “Migjenit”. Duan t’i nderojnë, apo të nderohen përmes tyre, veçmas në këto ditë që teatrin e ka rethuar një vorbull melankolie.
T’i duam heronjtë e vdekur (fizikisht) të artit, për të harruar si “i vrasim” të gjallët. Vladimir Doda dhe Simon Shkreli u lanë jashtë dyerve të Teatrit, trupa heshtë. Deda dhe Hyseni nuk mund të protestojnë…, pasardhësit e tyre nuk guxojnë.
“Vullnete të ndrydhuna ndër grushta të çelikta!
O vullnete të shtypuna me thembra të ngurta!
Shkundni prangat e mbrapshta”.
Nuk jemi në luftë, por paqe s’po gjejmë. Shpirti i qytetit është goditur, dhe sërisht qyteti nuk bëzan. Artistët vihen në kandarin politik: T’i vlen kaq sa unë them! Zyrtari është gjykatësi, është kritiku. Zyrtari është bërë fuqiplotë.
Por kjo nuk është luftë për bukën, po për shpirtin… Kush do të jetë i radhës, në mos vet teatri?
“O si nuk kam nji grusht të fuqishëm!
Malit që hesht m’u në zemër me i’a njeshë!
Ta shof si dridhet nga grusht’ i paligjshëm…
E unë të kënaqem, të kënaqem tu’u qeshë”.
Heshtja i shtyn artistët një stacion më tej deri në lajmin e radhës. Kështu nis kontrolli mbi ta, pastaj mbi artin e tyre.
“Vendimi i parisë së shtetit X ishte ky: Me anë të artit të çdollojshëm të nënshtypen ndjenjat e të gjithë nënshtetasve të shtetit X, si të varfënvet ashtu edhe të pasunvet…”.
Për fat Ata nuk njohin dramaturgjinë e re, punët mund të kishin shkuar më keq. Të paktë ata që vrasin frikën, artistë apo gazetarë qofshin.
“Asht e rrezikshme politika- i përsëritshin shoqi shojit tue ia pohue me krye. (…) Sidomos! Se ndërgjegja kombëtare flen, flen, e flen, dhe duhet një katërdhet e dysh…”.