VOAL

VOAL

Dukesha e Sussex-it: Jam krenare që jam grua dhe feministe

May 21, 2018

Komentet

Kuzhinieri rus Zimin gjendet i vdekur në Beograd

Kuzhinieri rus Aleksey Zimin, i cili drejtonte një restorant në qendër të Londrës dhe ishte kritik i luftës ruse në Ukrainë, është gjetur i vdekur në Beograd në moshën 53-vjeçare.

Prokuroria e Lartë Publike në Beograd ka thënë për Radion Evropa e Lirë (REL) se është njoftuar nga policia për vdekjen e Aleksej Zimin.

“Është urdhëruar autopsi me toksikologji për të përcaktuar shkakun e vdekjes”, tha prokuroria për REL-in.

Vdekjen e Zimin e ka konfirmuar edhe restoranti i tij në Londër, Zima.

Zimin jetoi në Londër viteve të fundit dhe nuk pajtohej me politikën zyrtare të Rusisë.

Postimi i fundit i Ziminit në Instagram ishte i datës 4 nëntor, në të cilin ai njoftoi se më 7 nëntor do të përgatiste një darkë speciale në një klub në Beograd dhe do ta paraqiste projektin e publikuar së fundmi Anglomania – një vështrim personal mbi historinë kulturore të Britanisë së Madhe.

Ai drejtoi një emision gatimi në kanalin rus NTV, i cili u ndërpre pasi ai postoi mesazhe kundër luftës në mediat sociale kur Moska e nisi pushtimin e Ukrainës në shkurt 2022.

“Njëmbëdhjetë vjet. Gjatë 22 sezoneve televizive kam pasur një program të shtunën në mëngjes në prime time në NTV. Që nga maji s’është më… Nuk do të ketë episode të reja për shkak të qëndrimit kundër luftës të drejtuesit të tij. A jam penduar? Jo, më vjen keq që përfunduam duke marrë pjesë në luftë”, shkroi ai në Instagram asokohe.

Portali i pavarur rus Meduza e citoi gazetarit Mihail Fishman, i cili tha se Zimin ishte shumë më shumë se një kuzhinier dhe letrar i talentuar.

“Ai gatuante, këndonte, shkruante, fliste dhe mishëroi vetë jetën. I zgjuar, qesharak, i hareshëm. E njoh për rreth 30 vjet, ndoshta më shumë, dhe ndoshta nuk njoh shumë njerëz të tjerë si ai me të cilët ishte shumë e këndshme”, tha Fishman.

Në Londër, Zimin drejtonte restorantin rus Zima dhe botoi një revistë me të njëjtin emër.

Zimin qenë zëvendëskryeredaktor i revistës gastronomike Afisha, dhe kryeredaktor i Afisha Food.

Ai hapi disa restorante të famshme në Moskë dhe shkroi për gazetat Komersant dhe Vedomosti.

Zimin u lind në Dubna në vitin 1971. REL

Irani thotë se “ende ekzistojnë” kanale të komunikimit me SHBA-në

Kryediplomati i Iranit tha se kanalet e komunikimit me Shtetet e Bashkuara janë ende të hapura.

Këtë deklaratë Abbas Araghchi e bëri një javë pasi republikani, Donald Trump, fitoi zgjedhjet presidenciale në SHBA.

“Kanalet e komunikimit mes nesh dhe amerikanëve ende ekzistojnë”, tha ai, pas takimit javor të Qeverisë iraniane.

“Ne kemi dallime me amerikanët, që nganjëherë janë shumë thelbësore dhe nuk mund të zgjidhen, por ne kemi arritur t’i menaxhojmë ato për të ulur kostot e tyre dhe për të ulur tensionet”, shtoi ai.

Muajin e kaluar, Araghchi tha se nuk ka bazë për mbajtjen e bisedimeve indirekte me SHBA-në për çështjet bërthamore.

“Nuk shohim se ka ndonjë bazë për bisedime të tilla, derisa ta kalojmë krizën aktuale”, tha Araghchi më 14 tetor gjatë një vizite në Oman.

Omani për një kohë të gjatë ka ndërmjetësuar mes Iranit dhe SHBA-së, që shkëputën raportet pas revolucionit islamik të vitit 1979, që rrëzoi nga pushteti shahun e mbështetur nga Perëndimi, Mohammed Reza Pahlavi.

Këto deklarata të kryediplomatit iranian u përsëritën të martën edhe nga presidenti i vendit.

“Sa i përket Amerikës, na pëlqeu ose jo, ne dikur do të përballemi me këtë shtet në skenën rajonale dhe ndërkombëtare dhe është më mirë që ta menaxhojmë vetë këtë çështje”, tha presidenti Masoud Pezeshkian.

Irani, subjekt i sanksioneve të ashpra ndërkombëtare, më 2015 kishte arritur një marrëveshje me fuqitë botërore, përfshirë SHBA-në, për të frenuar programin e tij bërthamor në këmbim të heqjes graduale të sanksioneve.

Por pakti u zhbë tre vjet më vonë, pasi Trumpi tërhoqi shtetin e tij nga marrëveshja dhe rivendosi sanksionet ndaj Teheranit.

Më 13 nëntor, në Teheran do të qëndrojë shefi i Agjencisë Ndërkombëtare për Energji Bërthamore, Rafael Grossi, i cili do të zhvillojë bisedime me zyrtarët e lartë iranianë lidhur me programin bërthamor të Teheranit.

“Ka probleme dhe mospajtime se si duhet të bashkëpunojmë” me agjencinë, tha Araghchi.

Ai shtoi se shpreson se gjatë kësaj vizite të Grossit, të dyja palët “mund të arrijnë marrëveshje sa i përket disa dallimeve që janë dhe si të bashkëpunohet në të ardhmen”. REL

Trumpi zgjedh ish-guvernatorin e Arkansasit për ambasador në Izrael

Presidenti i zgjedhur amerikan, Donald Trump, do të nominojë ish-guvernatorin e Arkansasit, Mike Huckabee, për postin e ambasadorit të Izraelit.

Huckabee është një mbrojtës i vendosur i Izraelit dhe nominimi i tij për këtë post vjen pasi Trump ka premtuar se do të rreshtojë politikën e jashtme të SHBA-së më afër me interesat e Izraelit.

Izraeli aktualisht është duke zhvilluar luftëra në Gazë dhe Liban kundër dy grupeve të shpallura organizatë terroriste nga SHBA-ja.

“Mike ka qenë një shërbyes i mrekullueshëm publik, guvernator dhe udhëheqës për shumë vite të tëra”, tha Trump në njoftimin e publikuar më 12 nëntor.

“Ai e do Izraelin, popullin e Izraelit dhe po ashtu populli i Izraelit e do atë. Mike do të punojë pa pushim për të sjellë paqe në Lindjen e Mesme”, shtoi republikani Trump.

Për vite të tëra, Huckabee ka udhëhequr vizitat e grupeve turistike në Izrael, duke i reklamuar shpesh këto udhëtime në mediat me prirje konservatore.

David Friedman, i cili kishte shërbyer ambasador i SHBA-së në Izrael gjatë mandatit të parë presidencial të Trumpit, tha se është i gëzuar me zgjedhjen e Huckabee për postin e ambasadorit në Izrael.

Trump, i cili fitoi zgjedhjet presidenciale të 5 nëntorit, do të marrë detyrën e presidentit më 20 janar 2025. REL

U denoncua nga një paciente për komente kundër luftës, mjekja në Moskë dënohet me mbi 5 vjet burg

Një gjykatë ruse ka dënuar një pediatre nga Moska me 5 vjet e 6 muaj burgim, pasi një prej pacientëve të saj e denoncoi publikisht për komentet që dyshohet se bëri për ushtarët rusë në Ukrainë gjatë një konsultimi privat.

Nadezhda Buyanova, 68 vjeçe, u akuzua në janar nga e veja e një ushtari të vrarë në Ukrainë. Sipas denoncueses, mjekja e moshuar e konsideroi ushtarin e vrarë si një “shënjestër legjitime të Ukrainës” dhe se Rusia ishte “fajtore” për luftën në vazhdim.

Buyanova u burgos me akuzën e “përhapjes së informacionit të rremë” në lidhje me fushatën ushtarake të Rusisë në Ukrainë. Që nga fillimi i pushtimit të plotë të Ukrainës nga Vladimir Putin në shkurt 2022, Moska ka përdorur një ligj të miratuar me nxitim kundër përhapjes së gjerë të informacionit “të rremë”.

Images

Çështja e profilit të lartë kundër Bujanovës, e lindur në Lviv, Ukrainë, por një banore e Rusisë prej shumë vitesh, nxjerr në pah represionin në rritje nga regjimi i Putin, ndërsa trupat e tij vazhdojnë luftën në Ukrainë.

Në deklaratën përfundimtare, Buyanova e përlotur, këmbënguli në pafajësinë e saj, duke pohuar se ajo nuk kishte diskutuar për luftën me askënd.

Mbrojtja e Bujanovës argumentoi se ajo ishte vënë në shënjestër për shkak të origjinës së saj ukrainase, duke vënë në dukje se prokurorët nuk kishin prova të forta për të provuar se ajo kishte folur kundër luftës.

Nuk ka asnjë regjistrim audio nga dhoma e konsultimit dhe prokurorët u mbështetën në dëshminë e djalit shtatëvjeçar dhe nënës së tij, Anastasia Akinshina.

Akinshina bëri fillimisht denoncimet kundër Bujanovës në një video që u kap shpejt nga mediat pro-Kremlinit.

Çështja fitoi shpejt rëndësi, pas së cilës Alexander Bastrykin, kreu i linjës së ashpër të Komitetit Hetues të Rusisë, u zotua ta merrte atë nën kontrollin e tij personal.

20241112081136 20241112081136 673359e6472ac208ebc12d2fjpeg

Vëzhguesit thonë se presioni i shtetit ka krijuar një atmosferë frike dhe denoncimi – me fqinjët, miqtë dhe madje edhe anëtarët e familjes që raportojnë për njëri-tjetrin, shpesh në mënyrë anonime – që të kujton represionet më të errëta të Jozef Stalinit. Një sondazh i fundit tregoi se deri 30% e rusëve kishin frikë të shprehnin mendimet e tyre për luftën, madje edhe te miqtë dhe familjarët.

Rasti ka tërhequr një dënim të gjerë nga grupet e të drejtave të njeriut, me Memorial, organizata e shquar ruse për të drejtat e njeriut, e cila liston Bujanovën si të burgosur politike. Një grup mjekësh rusë shkroi një letër të hapur në mbrojtje të Bujanovës duke e quajtur denoncimin një turp.

Memorial, tashmë i ndaluar në Rusi, liston rreth 800 të burgosur politikë, shumë prej të cilëve kanë kritikuar pushtimin e Rusisë. Organizata beson se numri aktual është shumë më i lartë pasi numërimi përjashton ata që përballen me gjyqe sekrete.

Gazeta investigative e lajmeve Proekt ka vlerësuar se autoritetet ruse kanë ndjekur penalisht më shumë se 116,000 aktivistë në gjashtë vitet e fundit, duke tejkaluar nivelet e represionit politik të parë gjatë sundimit të liderëve sovjetikë Nikita Hrushov dhe Leonid Brezhnev. bw

Shefi i NATO-s ngre alarmin gjatë takimit me Macronin: Lidhjet e Rusisë me Korenë e Veriut, Iranin dhe Kinën kërcënojnë paqen në botë

Lidhjet e Rusisë me Korenë e Veriut, Iranin dhe Kinën “kërcënojnë paqen” në mbarë botën, ka thënë shefi i NATO-s, Mark Rutte.

Sipas mediave të huaja, komentet Rutte i bëri në një konferencë shtypi me presidentin francez Emmanuel Macron.

Sekretari i Përgjithshëm tha se Rusia po vazhdonte “sulmin e saj kundër Ukrainës”, ndërkohë që është “duke u afruar gjithnjë e më shumë me aleatët e saj – Kinën, Iranin dhe Korenë e Veriut”.

“Pas dorëzimit të municioneve dhe raketave, Koreja e Veriut tani ka dërguar trupa për të luftuar dhe për të vdekur përkrah Rusisë në luftën e saj të paligjshme”, tha ai.

“Në këmbim, Rusia i siguron Koresë së Veriut financim dhe teknologji raketore. Kjo është shumë shqetësuese”, shtoi shefi i NATO-s.

“Këto raketa paraqesin një kërcënim të drejtpërdrejtë për SHBA-të, Evropën, rajonin Indo-Paqësor dhe për gjithë Euro-Atlantikun”, tha Rutte.

Rutte tha gjithashtu se ukrainasit plagosen dhe vriten çdo ditë nga dronët Shahed “të siguruar nga Irani”.

“Në të njëjtën kohë, Kina mbështet ekonominë e Rusisë, mundëson industrinë e saj të mbrojtjes dhe përforcon narrativën e saj në skenën botërore,” shtoi ai.

“Rusia duke punuar së bashku me Korenë e Veriut, Iranin dhe Kinën jo vetëm që kërcënon Evropën, ajo kërcënon paqen dhe sigurinë edhe në Indo-Paqësor dhe në Amerikën e Veriut”.

Ai vazhdoi duke thënë se mbështetja për Kievin duhet të vazhdojë pasi “Ukraina përgatitet të përballet me atë që mund të jetë dimri i tyre më i ashpër që nga viti 2022” sn

Zelensky thotë se Rusia i ka 50.000 ushtarë në Kursk

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka thënë se inkursioni i ushtrisë së tij në rajonin rus, Kursk, është duke zmbrapsur 50.000 ushtarë rusë.

Në adresimin e tij ditor para kombit, Zelensky ka thënë se operacioni është duke zvogëluar kapacitetet e Moskës për të kryer sulme brenda Ukrainës.

Presidenti ukrainas ka thënë që një kohë se ky është synimi kryesor i ofensivës, pavarësisht skepticizmit të disa aleatëve perëndimorë.

Sipas Institutit për Studime të Luftës, organizatë joqeveritare me seli në Shtetet e Bashkuara, Rusia i ka pasur rreth 11.000 ushtarë në Kursk kur Ukraina e ka nisur inkursionin e befasishëm në fillim të gushtit.

Megjithatë, në raportimet e të përditshmes amerikane New York Times, sugjerohet se Moska ka arritur të pozicionojë ushtarë në Kursk, pa pasur nevojë që t’i lëvizë ushtarët që ka në Ukrainë.

Sipas atyre raportimeve, ushtarët koreanoveriorë janë të angazhuar në Kursk, në kuadër të kundërofensivës ruse.

Në fjalimin e tij, Zelensky ka thënë se është informuar të hënën edhe nga komandantë të lartë ushtarakë për situatën në Kursk dhe njësitet ukrainase që janë pozicionuar aty.

“Burrat tanë kanë bllokuar 50.000 ushtarë të pushtuesit, i cili, për shkak të operacionit në Kursk, nuk mund të kryejë ofensiva tjera ruse në territorin tonë”, ka thënë Zelensky.

Komandanti i ushtrisë ukrainase, Oleksandr Syrskiy, ka thënë ndaras se, nëse nuk do të ishin forcat ushtarake ukrainase në Kursk, “dhjetëra mijëra armiq do të niseshin” në pozicionet ukrainase në rajonin e Donjeckut, zonë konflikti në të cilën luftohet që një dekadë.

Ukraina dhe Shtetet e Bashkuara vlerësojnë që më shumë se 10.000 ushtarë koreanoveriorë janë dërguar në Rusi.

Moska, as nuk e konfirmon, dhe as mohon që trupat ushtarake prej Koresë së Veriut janë në Kursk.

Në Korenë e Veriut, lideri i shtetit, Kim Jong Un, është thënë të ketë nënshkruar një dekret për të ratifikuar një traktat të mbrojtjes me Rusinë.

Koreja e Veriut dhe Rusia janë afruar shumë prej nisjes së luftës së Rusisë në Ukrainë, më 2022.

SHBA-ja e ka akuzuar vazhdimisht Phenianin se po i dërgon armatim Rusisë, përfshirë raketa balistike dhe lansuese raketash.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte ka sugjeruar se Pheniani është duke pranuar teknologji ushtarake dhe mbështetje tjetër ushtarake prej Moskës, duke i ndihmuar që t’iu shmanget sanksioneve. REL

Ministri izraelit premton aneksim në Bregun Perëndimor më 2025

Ministri i Financave i Izraelit, Bezalel Smotrich, u zotua se më 2025 do të aneksohen vendbanimet izraelite në Bregun e pushtuar Perëndimor, duke e cilësuar rikthimin në pushtet në Shtetet e Bashkuara të Donald Trumpit si “mundësi e rëndësishme”.

“Viti 2025, me ndihmën e Zotit, do të jetë vit i sovranitetit në Judea dhe Samaria”, tha ministri i ekstremit të djathtë, duke përdorur emrat biblik për Bregun Perëndimor.

Izraeli ka pushtuar Bregun Perëndimor më 1967 dhe ka ndërtuar vendbanime për të çimentuar kontrollin e zonës. Por, Izraeli nuk e ka aneksuar asnjëherë këtë territor. Palestinezët pretendojnë se territori është pjesë e shtetit të tyre të ardhshëm dhe vazhdimisht kanë paralajmëruar se vendbanimet izraelite atje janë pengesë për paqen.

Smotrich, i cili përveç financave mbulon edhe disa pjesë të punës së Ministrisë së Mbrojtjes, tha se ka urdhëruar që të nisin përgatitjet për “vendosjen e sovranitetit” mbi vendbanimet izraelite.

Duke folur në një seancë të Parlamentit më 11 nëntor, ai tha se “kam instruktuar drejtorin e çështjeve të vendbanimeve në Ministrinë e Mbrojtjes dhe Administratën Civile…. për të përgatitur infrastrukturën e nevojshme për vendosjen e sovranitetit”.

Smotrich po ashtu uroi presidentin e zgjedhur amerikan, Donald Trump, për fitoren në zgjedhjet presidenciale, fitore, që sipas tij, “sjell po ashtu një mundësi të rëndësishme për shtetin e Izraelit”.

“Gjatë mandatit të parë, Trump udhëhoqi lëvizje dramatike”, tha Smotrich.

Në mesin e tyre ishte edhe njohja e sovranitetit të Izraelit mbi Lartësitë e pushtuara të Golanit, zhvendosja e Ambasadës amerikane në Jerusalem dhe ndërmjetësimi i marrëveshjeve për normalizim raportesh mes Izraelit dhe disa shteteve arabe.

Para marrëveshjeve për normalizim, që njihen si Akordet e Abrahamit, Qeveria izraelite kishte thënë se do të aneksonte pjesë të mëdha të vendbanimeve izraelite në Bregun Perëndimor, por hoqi dorë nga ky plan pasi u arritën marrëveshjet.

“Ne jemi në prag të vendosjes së sovranitetit mbi vendbanimet në Judea dhe Samaria. Tani është koha që të bëhet kjo”, tha ai.

Ai po ashtu tha se do ta shtyjë Qeverinë që të punojë së bashku me administratën e re amerikane për këtë çështje.

Më herët gjatë së hënës, ministri i ri i Jashtëm izraelit, Gideon Saar, tha se shtetësia palestineze nuk është diçka “realiste”, pasi presidenti i Autoritetit Palestinez, Mahmmud Abbas, përsëriti kërkesën për një shtet “të pavarur”.

Duke përjashtuar Jerusalemin Lindor, në Bregun Perëndimor jetojnë 3 milionë palestinezë së bashku me afër 500.000 izraelitë që jetojnë në vendbanime, të cilat konsiderohen të paligjshme sipas ligjit ndërkombëtar. REL

Samiti në Riad- Deklarata e përbashkët: Palestina, shtet i pavarur dhe sovran në kufijtë e 4 janar 1967!

Pjesëmarrësit në Samitin e Ligës Arabe dhe vendeve islamike në Riad, theksuan rëndësinë e çështjes palestineze dhe mbështetjen vendimtare për popullin e këtij vendi për të arritur të drejtat e tyre kombëtare dhe legjitime.

Sipas rrjetit të lajmeve Al-Mayadeen, pjesëmarrësit në samitin e Riadit lëshuan një deklaratë të hënën, gjatë së cilës ata theksuan mbështetjen e të drejtave të kombit palestinez, duke përfshirë të drejtën për të gëzuar lirinë dhe një shtet të pavarur dhe sovran në kufijtë e 4 janar 1967, me kryeqytet Kudsin e Shenjtë Lindor.

Në këtë deklaratë janë theksuar të drejtat e refugjatëve palestinezë për t’u kthyer dhe për t’u paguar kompensim refugjatëve, sipas rezolutave përkatëse ndërkombëtare, veçanërisht Rezolutës 194.

Në deklaratë thuhej gjithashtu se çështja palestineze është si të gjitha çështjet e drejta të kombeve, që luftojnë për t’u çliruar nga pushtimi dhe çdo vendim apo veprim izraelit për të judaizuar Kudsin Lindor të pushtuar dhe për të konsoliduar pushtimin e tij refuzohet.

Në këtë deklaratë u dënuan krimet e ushtrisë izraelite dhe gjenocidi në Gaza.

Përveç kësaj, të pranishmit në samitin e Riadit kërkuan një armëpushim të menjëhershëm në Liban dhe zbatimin e plotë të Rezolutës 1701.

Deklarata paralajmëroi komunitetin ndërkombëtar për rreziqet e cenimit të sovranitetit të Sirisë dhe Iranit, për shkak të indiferencës së bashkësisë ndërkombëtare.

Pjesëmarrësit në këtë samit theksuan gjithashtu sovranitetin e plotë të Autoritetit Palestinez mbi Kudsin Lindor, si kryeqytet i përjetshëm i Palestinës.

Në deklaratën e përmendur thuhet se Kudsi i Shenjtë është vija e kuqe e ummetit arab dhe islam, dhe solidariteti absolut është i nevojshëm për të mbështetur identitetin arab dhe islam të Kudsit të pushtuar Lindor, për të mbrojtur shenjtërinë e vendeve të shenjta myslimane dhe të krishtera në Kuds./ IRNA. sn

Deklarata e parë publike nga një zyrtar saudit që nga fillimi i luftës- Princi Mohammed bin Salman: Izraeli po kryen ‘gjenocid’ në Gaza

Princi saudit i kurorës Mohammed bin Salman ka dënuar veprimet e Izraelit në Gaza si “gjenocid” në disa nga kritikat më të ashpra publike ndaj vendit nga një zyrtar saudit që nga fillimi i luftës.

Duke folur në një samit të liderëve myslimanë dhe arabë, princi kritikoi gjithashtu sulmet izraelite ndaj Libanit dhe Iranit.
Në shenjë të përmirësimit të lidhjeve midis rivalëve Riad dhe Teheran, ai paralajmëroi Izraelin kundër nisjes së sulmeve në tokën iraniane.

Udhëheqësit de fakto të Arabisë Saudite iu bashkuan udhëheqës të tjerë të pranishëm në thirrjen për një tërheqje totale të Izraelit nga Bregu Perëndimor dhe Gaza.

Ndërkohë, ministri i jashtëm i Arabisë Saudite tha se ishte një “dështim i komunitetit ndërkombëtar” që lufta në Gaza nuk ishte ndalur, duke akuzuar Izraelin për shkaktimin e urisë në territor.

Princi Faisal Bin Farhan Al-Saud tha: “Aty ku komuniteti ndërkombëtar kryesisht ka dështuar është përfundimi i konfliktit të menjëhershëm dhe fundi i agresionit të Izraelit”.

Lufta në Gaza u shkaktua nga sulmi i Hamasit më 7 tetor 2023, ku qindra persona të armatosur hynë në Izraelin jugor. Rreth 1200 njerëz u vranë dhe 251 të tjerë u morën peng.

Izraeli u hakmor duke nisur një fushatë ushtarake për të shkatërruar Hamasin, gjatë së cilës më shumë se 43,400 njerëz janë vrarë në Gaza, sipas ministrisë së shëndetësisë të drejtuar nga Hamasi.
Një raport nga Zyra e OKB-së për të Drejtat e Njeriut zbuloi se afër 70% e viktimave të verifikuara gjatë një periudhe gjashtëmujore në Gaza ishin gra dhe fëmijë.

Udhëheqësit në samit dënuan gjithashtu ato që ata i përshkruan si “sulmet e vazhdueshme” të Izraelit kundër stafit dhe objekteve të OKB-së në Gaza.

Muajin e kaluar, Knesset miratoi një projekt-ligj për të ndaluar Unrwa, agjencinë palestineze të OKB-së për refugjatët, të operojë në Izrael dhe Jerusalemin Lindor të pushtuar, duke e akuzuar organizatën për bashkëpunim me Hamasin.

Disa vende, duke përfshirë SHBA-në dhe Britaninë e Madhe, kanë shprehur shqetësim serioz në lidhje me lëvizjen që kufizon aftësinë e agjencisë për të transferuar ndihma në Gaza.

Në sfondin e samitit, është kthimi i Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë. Udhëheqësit e Gjirit janë të vetëdijshëm për afërsinë e tij me Izraelin, por ata gjithashtu kanë marrëdhënie të mira me të dhe duan që ai të përdorë ndikimin e tij dhe dashurinë e tij për të bërë marrëveshje për të siguruar fundin e konflikteve në këtë rajon.

Në Arabinë Saudite, Trump shihet shumë më favorizues se Joe Biden, por historia e tij në Lindjen e Mesme është e përzier.

Ai e kënaqi Izraelin dhe zemëroi botën myslimane duke njohur Jerusalemin si kryeqytetin e Izraelit si dhe aneksimin e Lartësive të Golanit të pushtuara. Ai gjithashtu siguroi Marrëveshjet e Abrahamit në vitin 2020, ku Emiratet e Bashkuara Arabe, Bahreini dhe Maroku u pajtuan të vendosin marrëdhënie të plota diplomatike me Izraelin dhe Sudanin.

Një editorial në një gazetë kryesore saudite sot titullohet: “Një epokë e re shprese. Kthimi i Trump dhe premtimi për stabilitet.”bw

Kremlini: Të pavërteta raportimet për bisedë telefonike mes Trumpit dhe Putinit

Kremlini i ka hedhur poshtë raportimet në media se është zhvilluar një bisedë telefonike mes presidentit të zgjedhur amerikan, Donald Trump, dhe presidentit rus, Vladimir Putin, duke thënë se raportimet janë “krejtësisht të rreme”.

E përditshmja amerikane, Washington Post, duke cituar burime të afërta me Trumpin, ka raportuar më 10 nëntor se Trump ka folur me Putinin në telefon, më 7 nëntor, dhe kanë diskutuar për luftën në Ukrainë.

Sipas saj, Trump e ka zhvilluar bisedën nga Florida, një ditë pasi ka folur me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky.

Burime anonime, të cituara nga gazeta, kanë thënë se Trump i ka thënë Putinit të mos përshkallëzojë luftën në Ukrainë, dhe ka shprehur interesim për bisedime të mëtejme për “të zgjidhur çështjen e luftës në Ukrainë shpejt”.

Edhe agjencia e lajmeve Reuters ka raportuar për këtë thirrje telefonike.

“Është plotësisht e pavërtetë. Është gjë plotësisht e shpikur, është informacion i rremë”, ka thënë zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov për media, më 11 nëntor.

“Nuk është zhvilluar asnjë bisedë”.

Fillimisht, Putin është treguar i ftohtë ndaj fitores së Trumpit në zgjedhje, ndërsa më 7 nëntor e ka uruar publikisht.

Ai e ka lavdëruar “kurajën” e Trumpit kur i ka mbijetuar tentim-vrasjes ndaj tij, në korrik, dhe ka thënë se është “gati” të flasë me të.

“Ky është shembulli më i pastër i kualitetit të informacionit që është duke u publikuar në ditët e sotme, ndonjëherë edhe nga media me nam”, ka thënë Peskov.

Sipas tij, nuk ekzistojnë “plane konkrete” për një thirrje të tillë.

Ai ka thënë, gjithashtu, se Kremlini ka vërejtur “një dozë nervozizmi” në Evropë, pas rizgjedhjes së Trumpit.

Sa ka qenë duke bërë fushatë për zgjedhjet e 5 nëntorit, Trump ka pretenduar se do t’i japë fund luftës në Ukrainë, pa ofruar hollësi se si planifikon të arrijë deri aty.

Trump ka dhënë sinjale që Ukrainës mund t’i duhet të pajtohet për të dhënë territor, në mënyrë që të arrijë paqe me Rusinë.

Njerëz që kanë njohuri për thirrjen telefonike, kanë thënë për gazetën amerikane, Washington Post, se Kievi është informuar për thirrjen e Trumpit me Putinin dhe nuk ka kundërshtuar.

Megjithatë, zëdhënësi i ministrisë së Jashtme të Ukrainës, Heorhiy Tikhiy, ka thënë më 10 nëntor për Reutersin se Kievi nuk ka qenë në dijeni për këtë thirrje telefonike.

Presidenti rus, Vladimir Putin, e quan luftën “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre. REL

Raportohet se Trumpi i ka kërkuar Putinit të mos e përshkallëzojë luftën në Ukrainë

Presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, bisedoi në telefon me presidentin rus, Vladimir Putin, për luftën në Ukrainë, raportoi Washington Post të dielën, duke cituar burime të afërta me Trumpin.

Trumpi bisedoi me Putinin më 7 nëntor, një ditë pasi kishte biseduar me presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky, sipas gazetës amerikane.

Washington Post citoi burimet të kenë thënë se Trumpi i kërkoi Putinit të mos e përshkallëzojë luftën në Ukrainë dhe shprehu interesim për bisedime shtesë për “zgjidhjen e luftës në Ukrainë shpejt”.

Putini fillimisht kishte reaguar me ftohtësi ndaj fitores së madhe të Trumpit, para se ta uronte joformalisht presidentin e zgjedhur më 7 nëntor.

Ai e lartësoi “guximin” e Trumpit për t’i mbijetuar një atentati në korrik dhe tha se është i “gatshëm” për të folur me të.

Burime e Washington Post thanë se Kievi ishte njoftuar për telefonatën e Putinit dhe nuk kishte kundërshtuar.

Zyrtarët amerikanë, rusë dhe ukrainas nuk e kanë komentuar lajmin.

Në fushatën përpara zgjedhjeve të 5 nëntorit, Trumpi pretendoi se do t’i jepte fund luftës në Ukrainë, por nuk dha hollësi se si do ta arrinte këtë.

Putin tha në shtator se do të dëshironte që nënpresidentja e SHBA-së, Kamala Harris, ta mundte Trumpin në zgjedhje, por vëzhguesit argumentojnë se kjo ndoshta ishte pjesë e përpjekjeve të Kremlinit për të shmangur përshtypjen se Putin po shpresonte që Trumpi të fitonte.

Trump ka thënë në të kaluarën se Ukrainës mund t’i duhet të pajtohet të dorëzojë territor për të arritur një marrëveshje paqeje me Rusinë.

Në të njëjtën linjë, aleati i Trumpit, Bryan Lanza, i tha BBC-së më 9 nëntor se fokusi i qeverisë së Trumpit do të jetë arritja e paqes në Ukrainë dhe jo t’ia mundësojë Kievit për të rifituar territorin e pushtuar nga Rusia.

Raporti i Washington Postit për bisedën telefonike mes tyre erdhi disa orë pasi Zelensky tha se Rusia i lëshoi 145 dronë mbi Ukrainë gjatë natës, duke e kryer sulmin më të madh ajror gjatë natës që nga fillimi i pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia në shkurt 2022.

Edhe Ukraina i lëshoi dhjetëra dronë në drejtim të kryeqytetit rus, Moskë, duke detyruar mbylljen e përkohshme të tri aeroporteve më 10 nëntor. REL

Udhëheqësit arabë dhe myslimanë udhëtojnë drejt Arabisë Saudite për bisedime mbi luftërat e Izraelit në Gaza dhe Liban

Udhëheqësit arabë dhe myslimanë kanë filluar të mbërrijnë në Arabinë Saudite për një samit të planifikuar për të hënën, që do të fokusohet në luftërat e Izraelit në Gaza dhe Liban, thanë media shtetërore saudite.

Ministria e jashtme saudite njoftoi samitin në fund të tetorit, gjatë takimit të parë të një ‘aleance ndërkombëtare’, që shtynte për një zgjidhje me dy shtete të konfliktit izraelito-palestinez.

Të pranishmit do të “diskutojnë agresionin e vazhdueshëm izraelit në territoret palestineze dhe Republikën Libaneze, dhe zhvillimet aktuale në rajon”, tha të dielën Agjencia zyrtare e Shtypit Saudite (SPA).

Ai vjen një vit pas një mbledhjeje të ngjashme në Riad të Lidhjes Arabe me bazë në Kajro dhe Organizatës së Bashkëpunimit Islamik (OIC) me bazë në Jeddah, gjatë së cilës udhëheqësit dënuan veprimet e forcave izraelite në Gaza si “barbare”.

Kanali i lajmeve al-Ekhbariya, i lidhur me shtetin saudit, transmetoi të dielën pamjet e presidentit nigerian Bola Tinubu dhe kryeministrit të përkohshëm libanez Najib Mikati duke zbritur në Riad.

Kryeministri pakistanez Shehbaz Sharif gjithashtu ishte planifikuar të merrte pjesë, tha ministria e jashtme pakistaneze javën e kaluar, duke shtuar se ai planifikoi të bënte thirrje për “një fund të menjëhershëm të gjenocidit në Gaza” dhe “ndërprerjen e menjëhershme të aventurizmit të vazhdueshëm izraelit në rajon. ”

Të dielën pasdite, Ministri i Jashtëm saudit, Princi Faisal bin Farhan kryesoi takimin përgatitor ministror për samitin e jashtëzakonshëm arab dhe islamik, përpara seancës së të hënës.

Lufta në Gaza shpërtheu me sulmin e pashembullt të Hamasit në Izraelin jugor më 7 tetor të vitit të kaluar, i cili rezultoi në 1206 të vdekur, kryesisht civilë, sipas një raporti të AFP-së të shifrave zyrtare izraelite.

Fushata hakmarrëse e Izraelit ka vrarë më shumë se 43,600 njerëz në Gaza, shumica prej tyre civilë, sipas të dhënave nga ministria e shëndetësisë e territorit që Kombet e Bashkuara i konsiderojnë të besueshme.

Hezbollahu me bazë në Liban, i cili ashtu si Hamasi mbështetet nga Irani, filloi të qëllonte kundër Izraelit pas sulmit të 7 tetorit.

Shkëmbimet e rregullta ndërkufitare u përshkallëzuan në fund të shtatorit kur Izraeli intensifikoi sulmet e tij ajrore, përpara se të dërgonte trupa tokësore në Libanin jugor kundër Hezbollahut./ Al Arabiya. sn


Send this to a friend