VOAL

VOAL

(Video) DUKE PIKTURUAR”NË UDHËN E PARAJSËS” (MEMORIAL PËR PIKTORIN E TALENTUAR AGIM MUJO) Nga Rudina Papajani

October 17, 2019

Komentet

Bregu i Diellit – bregu i pavdekësisë- Nga ARIF EJUPI

 

 

Me sy të zinj
si kokrra ulliri,
me vetulla
krah dallëndyshe,
me shpatulla luani,
me fjalën mjaltë,
me besën kala,
me hapin vetëtimë —

ndritën tokën e qiellin
në Prishtinë.

Me orë të tëra luftuan
me ushtri e polici,
hijena të natës
që donin me na lënë
emër shuar
në Dardani e Iliridë.

Nëntor qëndrese,
nëntor krenarie —

Afrim Zhitia
e Fahri Fazliu,
përjetësisht
simbol heroizmi dhe lirie –
rrufe mbi armiq.

Arif Ejupi
Gjenevë, 3 mars 2026

Idealist e guximtar- Nga ARIF EJUPI

 

Nata e ushqeu me gjak rinor,
dita e rriti si sokol.

Nga Orllani e në Prishtinë,
disa herë, nëpër shi e dëborë,
fusha e male këmbë i kaloi.

Edhe pse bënte acar e stuhi,
numëronte çdo varr të djemve të rinj,
të vrarë nga policët
dhe ushtarët e armikut.

Betohej në Flamurin e Arbërit
dhe në fjalën e burrave
të Kongresit të Manastirit,
se do të jetë krahu i djathtë
i Zahir Pajazitit.

Më 4 shtator 1994,
te diga e Liqenit të Batllavës,
shtinë ashtu siç godet rrufeja
mbi policët, xhelatë
dhe satrapë të armikut,
që terrorizonin Llapin e Gallapin.

Isak Shabani,
me guxim luani e zemrën kala,
asnjëherë nuk u ndal,
derisa, befas, u kap
nga xhandarët dhe zagarët e armikut.

Në burgun famëkeq të Sremit.
e torturuan
dhe e lanë në gjak.

Por vetes i kishte vënë kusht:
të vdiste
e të mos jetonte me nofkën
“tradhtar”
apo “i shitur te armiku”.

Edhe pse i lidhur
këmbë e duar,
si Prometeu në pranga,
mbijetoi Masakrën e Dubravës.

Në çdo bisedë
me familjarë, shokë e miq,
thotë:

“Zoti më bekoi
dhe më shpëtoi,
që të rrëfej netët e ferrit
që përjetuam nga egërsirat e Serbisë,
të cilat dalldiseshin
e entuziazmoheshin
kur shihnin lumenj
të përzier me gjakun tonë.”

Isak Shabani,
i rritur me ajrin e pastër
të maleve të Gallapit,
qysh i ri kujtonte
pranverën e përgjakshme
të vitit 1981.

Fare mirë e dinte
se qëllimi i armikut ishte
të vriste e të shkatërronte,
pastaj nga vatrat tona
të na dëbonte,
si dikur nga Sanxhaku i Nishit.

Me djemtë skifterë
të Gallapit e Llapit,
dha betimin
se, për së gjalli,
nuk do ta pranonte robërinë.

Krijuan njësi treshe e katërshe,
që dalëngadalë u shndërruan
në Ushtrinë e lavdishme
Çlirimtare të Kosovës.

Ditën që i rrokën armët,
të gjithë u betuan
se do të vdisnin në rezistencë,
ashtu siç ranë
në Bregun e Diellit, në Prishtinë,
Afrim Zhitia
e Fahri Fazliu.

ARIF EJUPI
Gjenevë, 27 korrik 2026

Një prej themeluesve të Akademisë së Shkencave, Luan Omari, i biri i Bahri Omarit, ndahet nga jeta në moshën 101-vjeçare

Është ndarë nga jeta në moshën 101-vjeçare akademiku Luan Omari, një prej figurave të njohura të shkencës dhe jurisprudencës shqiptare.

Lajmi u bë i ditur nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë, e cila shprehu ngushëllimet për humbjen e një prej personaliteteve të saj themeluese.

Mësohet se ceremonia e nderimeve për Omarin do të zhvillohet më 30 tetor 2026, në ambientet e Akademisë së Shkencave.

Kush ishte Luan Omari?

Konstitucionalisti Luan Omari ishte anëtar themelues i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, ku shërbeu edhe si sekretar shkencor dhe zëvendëskryetar. Për dekada me radhë, ai kontribuoi në studimin e së drejtës publike dhe kushtetuese, si dhe në zhvillimin e mendimit juridik në vend.

I lindur më 10 qershor 1925 në Tiranë, Omari kreu arsimin e hershëm në Bari të Italisë, ndërsa studimet e larta për drejtësi i vijoi në Beograd dhe Sofje, ku u diplomua në shkencat juridike.

Karriera e tij akademike është e lidhur ngushtë me Universitetin e Tiranës dhe zhvillimin e arsimit juridik në Shqipëri. Ai shërbeu si docent i së Drejtës Publike në Institutin e Lartë Juridik, ndërsa më pas drejtoi për gati dy dekada Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin e Tiranës. Gjatë kësaj periudhe, ai dha një kontribut të rëndësishëm në formimin e brezave të juristëve dhe studiuesve të së drejtës.

Ai ishte autor i dhjetëra studimeve dhe monografive mbi historinë e së drejtës në Shqipëri, të drejtën publike dhe kushtetuese, si dhe sistemin juridik shqiptar.

Po ashtu, mori pjesë në proceset dhe debatet kushtetuese për hartimin e Kushtetutës së Shqipërisë dhe të ligjeve kushtetuese pas viteve 1990.

Luan Omari është i biri i Bahri Omarit, (10 shkurt 1889, Gjirokastër – 14 prill 1945, Tiranë) publicist, veprimtar politik, botues dhe ministër i shtetit shqiptar. Ai njihet gjithashtu si kunati i diktatorit komunist Enver Hoxha (ishte i martuar me motrën e tij, Fahrijen), i cili më vonë firmosi dënimin e tij me vdekje. Në vitin 1915 u zhvendos në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku u bë një nga drejtuesit e Federatës “Vatra” dhe mori drejtimin e gazetës së njohur Dielli. U kthye në Shqipëri në vitin 1919. U zgjodh deputet në parlament (më 1921 dhe 1923) si pjesë e opozitës. Pas rrëzimit të Qeverisë së Fan Nolit në vitin 1924 nga Ahmet Zogu, Omari u largua në ekzil në Itali, ku qëndroi deri në vitin 1939. Gjatë kohës që Enver Hoxha ishte student në Francë (Toulouse) dhe më vonë kur qëndronte ilegalisht në Tiranë, Bahri Omari e ndihmoi jashtëzakonisht shumë nga ana financiare. Hoxha madje strehohej shpesh në shtëpinë me qira të Omarit në Tiranë. Në vitin 1942, Omari u bë anëtar i organizatës nacionaliste Balli Kombëtar, duke u rreshtuar politikisht kundër lëvizjes komuniste që udhëhiqej nga kunati i tij. Gjatë periudhës së pushtimit gjerman, ai pranoi postin e Ministrit të Punëve të Jashtme në qeverinë e Rexhep Mitrovicës (shkurt – qershor 1944). Me marrjen e pushtetit nga komunistët në nëntor 1944, Bahri Omari u arrestua menjëherë. Ai u nxor përpara të ashtuquajturit “Gjyqi Special” në fillim të vitit 1945, i cili u zhvillua në kinema “Kosova” (ish-Teatri Kombëtar). Me gjithë lutjet dhe lotët e motrës së tij, Fahrijes, Enver Hoxha refuzoi t’i falte jetën dhe firmosi pushkatimin e tij. Më 13 prill 1945 u dha vendimi me vdekje, dhe ai u ekzekutua me pushkatim të nesërmen, më 14 prill 1945, së bashku me një grup intelektualësh dhe politikanësh të tjerë. Trupat e tyre u hodhën në një gropë të përbashkët në vendin e quajtur “Kodra e Priftit” në Tiranë. Varri i tyre i saktë u zbulua dhe u identifikua vetëm pas rreth 60 vitesh nga rënia e komunizmit.

Njoftimi nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë

Akademia e Shkencave e Shqipërisë njofton me hidhërim të thellë se sot, më 29 tetor 2026, u nda nga jeta në moshën 101 vjeçare akademik Luan Omari, anëtar themelues i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, ish sekretar shkencor dhe zëvendëskryetar i saj.

Me largimin e tij, shkenca dhe kultura shqiptare humbasin një dijetar të përkushtuar, i cili për shumë dekada ia kushtoi jetën kërkimit shkencor, studimit dhe zhvillimit të së drejtës dhe shkencave juridike në Shqipëri. Jeta dhe vepra e tij janë të lidhura ngushtë me zhvillimin e mendimit juridik shqiptar dhe me përpjekjet për forcimin e institucioneve demokratike e të Shtetit të së Drejtës.

Akademik Luan Omari lindi më 10 qershor 1925 në Tiranë, në një familje me tradita të forta kulturore dhe arsimore. Arsimin e hershëm e kreu në Bari të Italisë, ndërsa diplomën e maturës e mori në gjimnazin e Tiranës. Studimet e larta për drejtësi i vijoi në Beograd dhe Sofje, ku u diplomua për shkencat juridike, duke shërbyer si një nga juristët më të përgatitur të vendit.

Karriera e tij është e lidhur ngushtë me zhvillimin e arsimit të lartë dhe institucioneve akademike në vend. Ka qenë docent i së drejtës Publike në Institutin e Lartë Juridik, dekan i Fakultetit të Drejtësisë në Universitetin e Tiranës për gati dy dekada, profesor i Teorisë së shtetit e të së drejtës dhe e i së Drejtës Publike në këtë Universitet.

Përtej kufijve të Shqipërisë, Profesor Omari ka përfaqësuar vendin në Komisionin e Venecias pranë Këshillit të Evropës, duke përcjellë perspektivën shqiptare në debatet europiane mbi demokracinë dhe të drejtën Kushtetuese, si një figurë e spikatur e mendimit akademik shqiptar dhe europian.

Ai është autor i dhjetëra studimeve dhe monografive mbi historinë e të drejtës në Shqipëri, të drejtën Publike e atë Kushtetuese, si dhe mbi sistemin juridik shqiptar. Akad. Omari ka marrë pjesë në të gjitha proceset e debatet kushtetuese për hartimin e Kushtetutës së Shqipërisë dhe ligjeve kushtetuese pas viteve ’90. Ai ka formuar breza të tërë juristësh e akademikësh që sot mbajnë përgjegjësi të larta në jetën juridike dhe akademike të vendit.

Për kontributin e tij të jashtëzakonshëm, në vitin 2020 Presidenti i Republikës e nderoi me Dekoratën “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, si shenjë mirënjohjeje për meritat e tij të veçanta në fushën e së drejtës dhe për rolin e tij si themelues i institucioneve të dijes në Shqipëri.

Ndërsa, Akademia e Shkencave e Shqipërisë e nderoi me Çmimin e Karrierës Akademike, në vitin 2016.

Akademia e Shkencave e Shqipërisë u shpreh ngushëllimet më të thella familjes, të afërmve, miqve, kolegëve dhe gjithë bashkësisë shkencore për këtë humbje.

I paharruar kujtimi i akademik Luan Omarit!

  • Nderimet për akademik Luan Omarin, datë 30 tetor 2026, në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë

 

KALUAN GJASHTË MUAJ PA TY, VËLLAI YNË I SHTRENJTË, BARDHI!- Nga Ylli dhe Eduard M. Dilo

Eh, ëndrrat… Ku nuk të çojnë! Një takim që ishte i mundur vetëm në ëndërr

Eh, ëndrrat… Ku nuk të çojnë!

Ka net kur shpirti hap dyer që dita nuk arrin t’i hapë. Ka çaste kur malli bëhet aq i fortë, sa duket sikur kapërcen kufijtë e kohës dhe të kësaj bote. E pikërisht në një çast të tillë, ëndrra na i ktheu pranë vëllanë tonë të shtrenjtë, Bardhin.

Sot mbushen plot gjashtë muaj që kur ai u largua nga kjo jetë. Gjashtë muaj pa zërin e tij, pa buzëqeshjen, pa praninë dhe ngrohtësinë që na falte. Gjashtë muaj mall e dhimbje, por edhe kujtime të çmuara që jetojnë brenda nesh dhe që as koha nuk mund t’i fshijë.

Shkova në Kishën e Shën Dhimitrit, në Bozaitika, ku kam kaluar një pjesë të madhe të jetës sime. Atje ndeza një lambadhe të madhe dhe e lashë të digjej për rreth një orë, në lutje për shpirtin e vëllait tonë të dashur.

Sot, në ditën e saktë kur mbushen gjashtë muaj nga largimi i tij, ndeza edhe një qiri në kishën pranë nesh, Kisha e Shën Kostandinit. U luta për shpirtin e tij, me atë mall që vetëm ata që kanë humbur një njeri të dashur mund ta kuptojnë plotësisht.

Dhe pikërisht sot, në mes të ditës, gjatë gjumit, ndodhi diçka që do të mbetet gjatë në zemrën time.

Bardhi erdhi pranë nesh!

Ishte aty, i qeshur dhe i lumtur, i drejtë si një lis i lartë, i veshur bukur dhe me atë hijeshinë e tij të zakonshme. Dukej sikur asgjë nuk kishte ndryshuar, sikur koha të ishte kthyer pas dhe ne të ishim përsëri bashkë, si dikur.

Na takoi të gjithëve.

Ndodheshim në një sallon plot dritë, ose ndoshta në një verandë të ndriçuar nga dielli. Gjithçka rreth nesh kishte një qetësi dhe një ngrohtësi të veçantë. Unë isha i fundit që e përqafova. E shtrëngova fort dhe nuk doja të ndahesha prej Tij. Sikur zemra ime të donte ta mbante përgjithmonë atë çast, të mos e linte të largohej më.

Ishte një takim i mbushur me dashuri, mall dhe lumturi. Një takim që në jetën e përditshme nuk mund të ndodhte më, por që ëndrra ma dhuroi si një çast të rrallë, të çmuar e të paharrueshëm.

Pastaj u zgjova.

Për disa sekonda, zemra ime donte të besonte se gjithçka kishte qenë e vërtetë. Nuk ndieja menjëherë atë boshllëkun e madh që më kujtonte mungesën e tij. Përkundrazi, isha i mbushur me një gëzim të brendshëm, me një buzëqeshje të ëmbël që sikur ma qetësonte shpirtin.

Vura dorën mbi jastëk. Ai ishte i lagur. Nuk e kuptova nëse ishte lagur nga lotët apo nga djersa…

E gjithë pasditja më kaloi nën ndikimin e atij përjetimi të mrekullueshëm. Ndihesha sikur Bardhi ishte ende pranë meje. Më dukej se ndieja praninë e tij pranë trupit tim, frymëmarrjen e tij dhe atë ëmbëlsi të papërshkrueshme të të qenit pranë një njeriu që e do me gjithë shpirt.

Dhe mendja më çoi te netët e ëndrrat e tjera, te kujtimet tona, te ditët e bukura të fëmijërisë, kur ishim bashkë, plot gëzim e shpresa.

Sa të bukura ishin ato ditë!

Me motrën dhe vëllezërit dilnim e luanim në livadhet plot lule e gjelbërim të fshatit tonë malor, aty ku natyra ishte e mrekullueshme. Mblidhnim lule, çaj mali, salep, trëndelinë e rigon. Shijonim mollët e qershitë, mblidhnim arra e lajthi dhe mbushnim ujë në krua.

Ishin ditë të thjeshta, por të mbushura me lumturi të pastër, me të qeshura, shaka dhe dashurinë e natyrshme që na lidhte si motër e vëllezër.

Në ëndrrat tona, ndonjëherë, livadhet e fshatit ja lënë vendin qytetit ku kaluam një pjesë të jetës sonë. Edhe atje ishim bashkë. Dilnim, takonim shokët e shoqet, bënim xhiro, uleshim diku për të ngrënë një akullore apo për të pirë diçka freskuese. 

Ishim të rregullt në sjellje, në veshje, në ecje, në miqësi dhe në gjithçka që bënim.

E mes nesh spikaste Bardhi.

Në dukje serioz, por mjaftonte të bisedoje me të që të zbuloje virtytet e tij të larta njerëzore, të harmonizuara aq bukur në qenien e tij. Kishte një mënyrë të veçantë të të qenit, një qetësi, një mirësi dhe një hijeshi që e bënin të paharrueshëm.

Për ne ai nuk ishte thjesht vëlla. Ishte njeriu ynë i dashur, pjesë e pandarë e jetës sonë, një prani që na jepte siguri dhe na bashkonte.

Sot, mungesa e tij lë një zbrazëti që nuk mbushet lehtë. Ka momente kur malli bëhet aq i fortë, sa fjalët nuk mjaftojnë për ta shprehur. Megjithatë, dua të besoj se Bardhi ka gjetur paqen në përjetësi dhe se dashuria që na lidh me të nuk është shuar.

Dhe, sikur ky përjetim të mos mjaftonte, sot ndodhi edhe diçka tjetër që më bëri të ndalesha e të mendoja gjatë.

Në drekë, në emisionin që ndjek zakonisht në YouTube, m’u shfaq prifti Samouil. Gjatë predikimit të tij, ndër të tjera, ai foli për vëllezërit që janë larguar nga kjo jetë dhe për kujdesin e tyre ndaj vëllezërve e motrave që kanë lënë pas.

Për ta ilustruar këtë, solli si shembull takimin e të pasurit me Llazarin, të përshkruar në Shkrimin e Shenjtë.

Në përfundim të predikimit, Prifti tha se këto janë punë të Zotit, por një gjë është e sigurt: ne duhet t’i kujtojmë të dashurit tanë që janë larguar nga kjo jetë, të ndezim qirinj dhe të lutemi për ta, sepse atje ku ne nuk mund të arrijmë, arrin Zoti.

Ai foli edhe për dashurinë që nuk shuhet nga vdekja, për lidhjen shpirtërore që mbetet mes njerëzve edhe kur ata ndahen fizikisht.

Dhe sa e vërtetë është kjo!

Nuk mund ta di me siguri se çfarë kuptimi ka ëndrra ime, as të pretendoj se i njoh misteret e botës përtej kësaj jete. Por e di se ajo që përjetova ishte e thellë, e gjallë dhe e mbushur me një dashuri që nuk mund ta përshkruaj plotësisht me fjalë.

Për mua, ishte më shumë se një ëndërr e zakonshme. Ishte një takim që ma qetësoi shpirtin, më mbushi zemrën me gëzim dhe ma bëri mallin, qoftë edhe për pak çaste, më të lehtë për t’u përballuar.

Bardhi ynë ka gjashtë muaj që është larguar fizikisht nga ne, por sot, në këtë ditë të shënuar, unë e përjetova praninë e tij me një forcë të veçantë. E pashë të qeshur, e përqafova, ndjeva ngrohtësinë e tij dhe nuk doja të ndahesha prej tij.

Ndoshta ëndrrat janë një mënyrë përmes së cilës zemra jonë gjen pak qetësi mes mallit dhe dhimbjes. Ndoshta janë kujtimet që marrin jetë për disa çaste, duke na dhuruar mundësinë të jemi sërish pranë atyre që duam. Misterin e tyre nuk mund ta shpjegojmë gjithmonë, por ndjenjat që na lënë pas janë të vërteta.

Vdekja mund të ndajë përkohësisht dy njerëz, por nuk mund ta shuajë dashurinë ndërmjet tyre.

Bardhi ynë i shtrenjtë, ti nuk je më pranë nesh si dikur, por je dhe do të mbetesh gjithmonë pjesë e pandarë e jetës sonë. Jeton në zemrat tona, në kujtimet e fëmijërisë, në çdo buzëqeshje që na kujton ty, në çdo lutje që bëjmë për shpirtin tënd dhe në çdo ëndërr që na lejon të të përqafojmë edhe një herë.

Gjashtë muaj pa ty, por jo gjashtë muaj pa dashurinë për ty.

Sepse dashuria nuk matet me ditët që kalojnë, as me largësinë që na ndan. Ajo jeton përtej kohës, në thellësinë e shpirtit dhe në kujtimet që nuk vdesin kurrë.

Eh, ëndrrat… Ku nuk të çojnë!

Sot, ëndrra ma ktheu vëllanë. Për pak çaste, më dhuroi atë që zemra ime dëshiron më shumë: ta kisha sërish pranë, ta përqafoja dhe të mos ndahesha prej tij.

U zgjova, por ndjenja e pranisë së tij mbeti me mua.

Dhe atë përqafim, atë buzëqeshje dhe atë ëmbëlsi do t’i ruaj gjatë në zemër.

 

Bardhi ynë i dashur, prehu në paqen e Zotit!

Ti jeton dhe do të jetosh gjithmonë mes nesh, sepse dashuria  jonë për ty nuk njeh ndarje.

LIDHJA E SHKRIMTARËVE DHE ARTISTËVE TË SHQIPËRISË NGUSHËLLON FAMILJEN E SHKRIMTARIT IZET DURAKU PËR NDARJEN E TIJ NGA JETA (1956–2026)

Me dhimbje të thellë mora lajmin për ndarjen nga jeta të Izet Durakut, poetit, prozatorit, studiuesit dhe publicistit të njohur, anëtarit të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, një personalitet i çmuar i jetës letrare, kulturore dhe intelektuale shqiptare.
Me ndarjen e tij të parakoshme nga jeta, letërsia dhe kultura shqiptare humbasin një prej atyre intelektualëve që e konceptuan fjalën jo thjesht si mjet të krijimit artistik, por si hapësirë të ndërgjegjes, të dijes, të kujtesës dhe të përgjegjësisë publike. Izet Duraku ishte një krijues i përkushtuar dhe një intelektual me interesa të gjera, i cili ia kushtoi jetën letërsisë, kulturës, dijes, fjalës së lirë dhe çështjes kombëtare. Nëpërmjet poezisë, prozës, publicistikës dhe veprimtarisë së tij institucionale e mediatike, ai ndërtoi një prani të qëndrueshme në jetën kulturore shqiptare, veçanërisht në Kukës dhe në hapësirën mbarëshqiptare.
I diplomuar për letërsi në Universitetin e Tiranës, pas disa vitesh pune si mësues në vendlindje, Duraku iu përkushtua gazetarisë, duke shërbyer si korrespondent i gazetës “Bashkimi” për trevat verilindore. Pas vitit 1990, ai drejtoi për disa vite Radio Kukësin, duke e shndërruar atë në një zë të rëndësishëm të komunikimit publik, veçanërisht në mbështetje të Kosovës dhe të çështjes kombëtare shqiptare. Më pas, ai punoi si redaktor në Radio Tirana, në redaksinë e bashkatdhetarëve, duke vijuar kështu veprimtarinë e tij në një prej fushave ku fjala e tij gjeti një nga misionet më të natyrshme: komunikimin me publikun dhe shërbimin ndaj kulturës.
Krahas gazetarisë, Izet Duraku ndërtoi një opus letrar të vazhdueshëm, duke dëshmuar një marrëdhënie të qëndrueshme me poezinë dhe prozën. Vëllimin e tij të parë poetik, “Drini i Bardhë”, e botoi në vitin 1985, ndërsa më pas botoi “Vezullim heshtash”, romanin “Libri i udhëtarit”, si dhe libra të tjerë letrarë e publicistikë. Në krijimtarinë e tij letrare, fjala shfaqet si kërkim i kuptimit, si përpjekje për të depërtuar përtej sipërfaqes së realitetit dhe për të ndërtuar një dialog të qëndrueshëm midis njeriut, kohës dhe kujtesës.
Veprimtaria e tij nuk u kufizua në letërsi dhe gazetari. Izet Duraku drejtoi Qendrën Kombëtare të Inventarizimit të Pasurive Kulturore në vitet 2005–2013, duke dhënë një kontribut të rëndësishëm në evidentimin, dokumentimin dhe mbrojtjen e trashëgimisë kulturore shqiptare. Në këtë funksion, ai iu përkushtua një dimensioni tjetër të kujtesës kombëtare: ruajtjes dhe institucionalizimit të gjurmëve materiale e shpirtërore të historisë sonë kulturore. Kështu, në veprimtarinë e tij publike u ndërthurën natyrshëm letërsia, gazetaria, kultura, trashëgimia dhe përgjegjësia institucionale.
Një vend të veçantë në këtë veprimtari zuri edhe kontributi i tij në shtypin dhe periodikun letrar. Ai bashkëdrejtoi revistat “Dy Drina”, “Kallz” dhe, së fundi, revistën “Illz”, duke krijuar hapësira komunikimi për autorë, ide dhe vepra të reja dhe duke kontribuar në ruajtjen e një jete letrare aktive e pluraliste.
Në Kukës, Izet Duraku ishte një prej figurave të rëndësishme të jetës letrare e kulturore. Drejtimi i degës së Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve në Kukës ishte një tjetër dëshmi e përkushtimit të tij ndaj institucionit të krijuesve dhe ndaj jetës kulturore të kësaj treve. Përmes kësaj veprimtarie, ai kontribuoi në gjallërimin e jetës letrare vendore dhe në forcimin e lidhjeve të saj me hapësirën më të gjerë kulturore shqiptare.
Edhe në muajt e fundit të jetës, ai mbeti i pranishëm në jetën institucionale të krijuesve shqiptarë. Në maj 2026, Izet Duraku ishte pjesë e Kuvendit të Riorganizimit të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, duke dëshmuar edhe një herë përkushtimin e tij ndaj këtij institucioni dhe ndaj së ardhmes së organizimit të shkrimtarëve dhe artistëve shqiptarë.
Për mua, si Kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, Izet Duraku ishte mik, bashkëbisedues dhe debatues i çmuar, me të cilin kam ndarë biseda, mendime dhe diskutime të shumta mbi letërsinë, kulturën, çështjet akademike, zhvillimet shoqërore dhe çështjen kombëtare.
E kujtoj si një bashkëbisedues të ditur, të kthjellët dhe të drejtpërdrejtë, që nuk i shmangej debatit dhe që kërkonte gjithmonë të depërtonte në thelbin e çështjes. Ai e mbronte mendimin e vet me argumente dhe, edhe kur mendimet tona përplaseshin në debate të forta, në themel të tyre qëndronte një përkushtim i përbashkët ndaj kulturës, letërsisë dhe fatit të saj në shoqërinë shqiptare.
Në komunikimin me Izetin ndjeje se përballë kishe një njeri që i kishte kushtuar jetën kulturës dhe letërsisë, një intelektual që e njihte traditën dhe historinë kulturore shqiptare dhe që besonte te fuqia e dijes, e fjalës së lirë dhe e krijimit artistik. Për të, kultura nuk ishte një dekor i jetës shoqërore, por një nga format më të larta të përgjegjësisë ndaj njeriut, shoqërisë dhe kombit.
Pikërisht për këtë arsye, jeta dhe veprimtaria e Izet Durakut mund të lexohen si një udhëtim i pandërprerë midis fjalës, kujtesës dhe shërbimit publik. Ai shkroi, botoi, hulumtoi, drejtoi institucione, punoi në media dhe u përpoq të mbante të gjallë hapësirën e komunikimit kulturor shqiptar. Në këtë kuptim, kontributi i tij merr vlerën e një veprimtarie tërësore intelektuale.
Izet Duraku dëshmoi gjatë gjithë jetës së tij publike se kultura nuk është vetëm krijim, por edhe mision, përgjegjësi dhe përkushtim ndaj shoqërisë dhe kombit. Ai i shërbeu kësaj bindjeje me seriozitet, dinjitet dhe një ndjenjë të theksuar të detyrës intelektuale.
Ndarja e tij nga jeta është një humbje e dhimbshme për familjen, miqtë dhe të afërmit, për kolegët e bashkëpunëtorët e tij, por edhe për komunitetin shqiptar të letrave, kulturës dhe dijes.
Vdekja e ndërpret praninë fizike të krijuesit, por nuk mund ta ndërpresë dialogun që vepra e tij vazhdon të zhvillojë me kohën. Librat, shkrimet, kontributi publicistik, puna në fushën e trashëgimisë kulturore, veprimtaria në shtypin letrar dhe, mbi të gjitha, gjurma njerëzore që la pas, do të mbeten pjesë e kujtesës sonë kulturore.
Në emër të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë dhe në emrin tim personal, i shpreh familjes, të afërmve, miqve dhe kolegëve të Izet Durakut ngushëllimet më të sinqerta, më të thella dhe më njerëzore për këtë humbje të rëndë.
Lamtumirë, Izet Duraku, mik, koleg dhe bashkëbisedues i çmuar!
Fjala jote mbetet; librat mbeten; kujtesa mbetet.
Dhe bashkë me to, mbetet edhe gjurma jote në jetën letrare e kulturore shqiptare.
Dr. Mujë Buçpapaj
Kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë

GAZETA e ALPEVE – Mesazh ngushëllimi për ndarjen nga jeta të Izet Durakut- Njeriu i mirë i fjalës, i familjes dhe i punëve të mira

 

 

Me dhimbje të thellë mësuam sot, më 22 tetor 2026, lajmin e ndarjes nga jeta të mikut tonë të mirë, Izet DURAKU, gazetarit, poetit, shkrimtarit, publicistit, botuesit dhe bashkëpunëtorit të shquar të “Gazeta e Alpeve”. Familjes së tij të dashur, të afërmve, miqve, kolegëve dhe lexuesve u përcjellim ngushëllimet tona më të sinqerta. Në këtë ditë të rëndë, jemi pranë tyre me respekt, dashuri dhe mirënjohje për njeriun që humbëm.

Izet Duraku i kushtoi afro gjysmë shekulli fjalës shqipe, gazetarisë, letërsisë dhe kulturës sonë. Pas tij mbeten librat, shkrimet, puna në institucionet mediatike e kulturore, autorët që mbështeti dhe kujtimet e njerëzve që e njohën. Në të gjitha këto, ne do të kërkojmë e do të gjejmë përsëri praninë e tij: mendimin e matur, fjalën e kujdesshme dhe përkushtimin ndaj punës së mirë.

Për mua, humbja e Izetit është edhe humbja e një miku prej dekadash. E kam njohur në vitet ’80, kur shkoja në Kukës si gazetar i gazetës “Shkëlzeni” të Tropojës, që shtypej në shtypshkronjën e atij qyteti. Izeti ishte gazetar i “Bashkimit” për Kukësin, Tropojën e Hasin dhe drejtues i Degës së Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve në Kukës. Aty nisën njohja dhe miqësia jonë, të cilat koha i bëri më të çmuara.

E njoha në punë e në krijimtari, në biseda për gazetarinë dhe letërsinë, në shqetësimet e përbashkëta për kulturën dhe njerëzit e trevave tona. Tek ai çmova thjeshtësinë, urtësinë, korrektësinë dhe besnikërinë ndaj miqve. Izeti dinte të dëgjonte dhe të thoshte fjalën e duhur. Bënte mirë pa zhurmë. Në kujtesën time mbetet një njeri me të cilin mund të ndaje një mendim, një merak dhe një gëzim, duke ndier sinqeritetin e miqësisë së tij.

I lindur më 1956 në Morin të Lumës, pranë kufirit me Kosovën, ai e mbarti vendlindjen në kujtesë dhe në krijimtari. Fëmijëria buzë telave me gjemba, Drini i Bardhë dhe jeta e njerëzve të Lumës e të Kukësit ushqyen ndjeshmërinë e tij. Pas studimeve për letërsi në Universitetin e Tiranës, punoi si mësues në një fshat të thellë të Kukësit. Ajo përvojë e afroi edhe më shumë me jetën, vështirësitë dhe botën shpirtërore të njerëzve të malit alpin.

Në gazetën “Bashkimi”, në drejtimin e Radio Kukësit dhe më pas në Radio Tirana, ai e pa gazetarinë si përgjegjësi ndaj faktit dhe ndaj njeriut. Në faqet e shtypit e në mikrofonin e radios përcolli jetën dhe shqetësimet e trevave verilindore. Me respekt kujtojmë veçanërisht punën e tij në Radio Kukësi, kur zëri i saj shërbeu si urë informacioni e solidariteti me Kosovën. Ky kontribut do të mbetet pjesë e rëndësishme e kujtesës sonë profesionale e kombëtare.

Letërsisë shqipe Izet Duraku i la një krijimtari në poezi, tregime, roman e publicistikë. Që me vëllimin “Drini i Bardhë”, të botuar më 1985, ai dëshmoi lidhjen e thellë me vendlindjen dhe ndjeshmërinë ndaj fatit njerëzor. Në romanin “Libri i udhëtarit” trajtoi kërkimin e drejtimit dhe të kuptimit në një realitet të pasigurt. Në shkrimet e tij, përvoja personale u bashkua me kujtesën e vendit dhe me vëmendjen ndaj njerëzve të zakonshëm.

Ai i shërbeu kulturës edhe si drejtues e botues, përmes angazhimeve në Ministrinë e Kulturës dhe në revistat “Dy Drina”, “Kallz” e “Illz” dhe në vitet e fundit si Drejtor i revistës “Illz” – revistë e Tiranës, revistë kombëtare. Mbështeti krijues, inkurajoi talente dhe ndihmoi që fjala letrare të mbërrinte te lexuesi. Për Izetin, botimi ishte punë që kërkonte kujdes e përgjegjësi. Këtë përvojë dhe këtë dashuri për fjalën i solli edhe në bashkëpunimin e tij të çmuar me “Gazeta e Alpeve”.

Gazeta jonë humbi një bashkëpunëtor të shquar dhe një mik të mirë. Shkrimet, mendimi dhe prania e tij na kanë nderuar. Në Konventën Euro-Ballkanike të Alpeve, të zhvilluar në Valbonë më 15–16 maj 2026, ai u nderua me Çmimin e Lartë “Pena Alpine”, për kontributin në pasqyrimin dhe lartësimin e jetës e të vlerave të trevave alpine shqiptare. Sot ky nderim merr për ne një peshë të veçantë: patëm mundësinë t’ia shprehnim mirënjohjen sa ishte mes nesh.

Në gusht të këtij viti i kushtuam shkrimin “Izet Duraku, Njeriu i mirë i fjalës, i familjes dhe i punëve të mira”. E botuam me dashurinë dhe respektin për mikun, në një kohë kur ai përballej me sëmundjen e rëndë. Na mbetet ngushëllim që ai e lexoi dhe u gëzua shumë prej tij. Ato fjalë ia thamë në kohën e duhur. Sot i rikthehemi atij shkrimi me lot në sy, por edhe me qetësinë se respektin tonë ia dëshmuam kur ai mund ta ndiente.

Mendimi ynë shkon te bashkëshortja e tij, dr. Kujtime Duraku, te vajza Eva, te djali Vetoni, te mbesa e vogël Edeni dhe te gjithë familja. E dimë sa vend të madh zinte familja në jetën e Izetit dhe sa gëzim i sillte të qenët gjysh. Asnjë fjalë nuk e zëvendëson praninë e njeriut të dashur. Urojmë që kujtimet e jetës së përbashkët, dashuria që ju la dhe respekti i njerëzve për të t’ju japin forcë në këto ditë të vështira.

I dashur Izet, do të na mungosh në bisedat tona, në punët e përbashkëta dhe në faqet e gazetës. Do të na mungojë fjala jote e matur dhe ajo mënyrë e thjeshtë me të cilën ishe pranë mikut. Do t’i ruajmë me kujdes kujtimet, shkrimet dhe shembullin Tënd. Në “Gazeta e Alpeve”, emri Yt do të ketë gjithmonë vendin e nderuar të bashkëpunëtorit dhe mikut tonë.

Lamtumirë, miku ynë i mirë, Izet DURAKU! Mirënjohje për jetën, veprën dhe miqësinë Tënde. Qoftë i paharruar kujtimi Yt!

Ramiz LUSHAJ

Botues dhe Kryeredaktor i Gazetës së Alpeve

Në emër të Gazetës së Alpeve dhe të miqve të saj

Tiranë, 22 tetor 2026

Ndahet nga jeta shkrimtari Izet Duraku

Ndahet nga jeta shkrimtari Izet Duraku, një pikëllim i madh dhe humbje e ndjeshme për familjen, miqtë, të afërmit, për kolegët shqiptarë të letrave. Lajmi i trishtë bëhet i ditur nga kryepleqnia e fshatit Kalis të Lumës (Kukës):
LAMTUMIRË, IZET DURAKU — IKONË E LETRAVE SHQIPTARE!
Me dhimbje të thellë dhe respekt të veçantë i japim lamtumirën Izet Durakut, ish-gazetar, shkrimtar, poet dhe një prej njerëzve të çmuar të letrave të Kukësit dhe mbarë trevave shqiptare.
Ikja e tij nga kjo jetë është një humbje e madhe për kulturën, letërsinë, gazetarinë dhe kujtesën tonë kombëtare. Izet Duraku nuk ishte thjesht një emër në botën e fjalës së shkruar; ai ishte një njeri që e jetoi dhe e nderoi fjalën, duke lënë gjurmë në mendjet dhe zemrat e atyre që e njohën, e lexuan dhe e vlerësuan.
Ai ishte një ikonë e papërfolur, një intelektual me dinjitet, një zë i kulturës dhe një pasuri shpirtërore e Kukësit. Njerëz të tillë nuk maten vetëm me veprat që lënë pas, por edhe me gjurmën njerëzore, me fisnikërinë dhe me respektin që fitojnë gjatë jetës.
Kukësi humbi një bir të letrave të veta. Trevat shqiptare humbën një njeri të kulturës, ndërsa fjala shqipe humbi një nga shërbyesit e saj të përkushtuar.
Por vdekja nuk mund ta shuajë atë që është shkruar me shpirt. Fjalët mbeten, veprat flasin dhe kujtimi i njerëzve të mirë bëhet pjesë e përjetësisë.
Ngushëllime të sinqerta familjes, miqve, kolegëve, komunitetit të gazetarëve dhe të gjithë njerëzve të kulturës që e njohën dhe e çmuan Izet Durakun.
U prehsh në paqe, mjeshtër i fjalës shqipe!
Kukësi dhe trevat shqiptare do të të kujtojnë me respektin që meriton një njeri i letrave, i kulturës dhe i dinjitetit njerëzor.
🕯️ I paharruar qoftë kujtimi i Izet Durakut!
Me respekt dhe dhimbje për humbjen e një vlere të çmuar të kulturës shqiptare.
Me Respekt e mirënjohje Shoqata Bashkimi Kryepleqnia e Kuvendit Kalis Lumë .
Hajredin Istrefi

DHIMITËR ORGOCKA (1936–2021), e para biografi bazuar në dokumentet e arkivit personal dhe në rrëfimet e atyre që e njohën

Me rastin e 90-vjetorit të lindjes dhe 5-vjetorit të ndarjes nga jeta

Sot, aktori dhe regjisori Dhimitër Orgocka, një nga figurat e shquara të teatrit dhe kinematografisë shqiptare, do të mbushte 90 vjeç. Ai u nda nga jeta më 1 janar 2021, duke lënë pas një veprimtari të pasur dhe të rëndësishme në artin, kulturën dhe shoqërinë shqiptare.

Dhimitër Orgocka ishte një personalitet i rrallë i skenës shqiptare, i cili, me talentin, përkushtimin dhe kontributin e tij të çmuar, u bë pjesë e rëndësishme e historisë së teatrit dhe kinematografisë shqiptare. Emri dhe vepra e tij janë të lidhura ngushtë edhe me skenën korçare, një hapësirë e rëndësishme e traditës dhe identitetit teatror shqiptar, ku ai la gjurmë të veçanta përmes veprimtarisë së tij artistike.

Përmes roleve të shumta në teatër e kinema, si dhe punës së tij si aktor dhe regjisor, Orgocka kontribuoi në pasurimin e jetës artistike dhe kulturore, duke fituar respektin e kolegëve dhe dashurinë e publikut. Kontributi i tij në jetën teatrore, veçanërisht në traditën e skenës korçare, përbën një pjesë të çmuar të trashëgimisë që ai i la artit shqiptar.

Në këtë përvjetor të veçantë, kujtimi i Dhimitër Orgockës përcillet jo vetëm përmes veprës së pasur që la pas, por edhe përmes botimit të këtij libri, që vjen si një amanet i tij, si dëshmi e respektit dhe mirënjohjes për jetën, punën dhe kontributin e tij të vyer.

I mbështetur në dokumentet e arkivit personal dhe në rrëfimet e njerëzve që e njohën dhe bashkëpunuan me të, ky botim synon të sjellë një portret sa më të plotë të artistit dhe njeriut Dhimitër Orgocka, duke ruajtur kujtesën për të dhe duke e përcjellë veprën e tij te brezat e ardhshëm.

Ky libër është një homazh për një artist që i kushtoi jetën skenës, për një emër që mbetet pjesë e historisë së teatrit shqiptar dhe për një personalitet që la gjurmë të pashlyera në kujtesën e skenës korçare dhe të kulturës sonë kombëtare.

I përjetshëm qoftë kujtimi i Dhimitër Orgockës!

SKIFTER NË SHKREPA- Nga ARIF EJUPI

 

(Kushtuar Ramadan Govorit, imamit atdhetar,udhëheqës i NDSH-së në rrethin e Llapit,
disaherë të dënuar me burgim të gjatë)

Ishte burrë
me shpirtin si granit,
në kokë çdoherë
mbante maramë dhe plis.

I rreptë,
me zemër çelik,
rrufe mbi armiqtë.

Me profesion
ishte imam,
por kudo që predikonte
thoshte:

“Pa atdhe e liri,
feja është vetëm mallkim.”

Si udhëheqës i NDSH-së
në rrethin e Llapit,
mobilizoi rininë
duke thënë:

“Derisa e kemi Shqipërinë,
pse të jetojmë
nën sundimin serbo-sllav?

Zgjohuni, zgjohuni,
o vëllezër shqiptarë,
se unë, për të gjallë,
s’pranoj të jetoj
nën Serbi,
që të parët e mi
i ka vrarë,
i ka grirë,
shtëpi e tokë
ua ka rrëmbyer
nga Nishi
deri në Sjenicë.”

Këta të pashpirt
e të pabesë,
edhe gjatë Luftës Antifashiste,
në gjak na kanë larë,
edhe pse eshtrat
deri në Srem
i kemi lënë.

Disa herë
e dënuan
me burgim të gjatë,
por deri në vdekje
mbeti skifter,
duke mbrojtur folenë
në shkrepat
dhe pllajat
e Sharrit
dhe Krajës.

Ushqehej
me grurin
dhe misrin
e Fushës së Kosovës,
kurse pushimin e bënte
dhe etjen e shuante
në krojet e Grykës së Rugovës.

Dyshek
e kishte
tokën e Llapit,
jastëk
gurët e Gallapit,
e jorgan
rrasat
e Malësisë së Gjakovës.

Çamërinë
dhe Tivarin
i kishte plagë
të pashëruara.

Mallkonte
Londër e Berlin
dhe të shiturit,
që për kolltuk
Shqipërisë
ia prenë degët
dhe e lanë
vetëm trung.

Arif Ejupi
Gjenevë, 28 Nëntor 1995

Çdo riprodhim, shpërndarje, publikim ose shfrytëzim i paautorizuar i këtij materiali, në çfarëdo forme apo mënyre, përbën shkelje të të drejtave të autorit dhe bie ndesh me dispozitat ligjore në fuqi. Shkelësit e këtyre të drejtave mund të përballen me masa ligjore përkatëse.

25 Shtator 2007 Si sot kaq vjet shuhej At Zef Pllumi në Romë. La nji popull jetim… Nga Keda Kaceli

25 Shtator 2007

Shtator vjeshte…si sot kaq vjet u ndave nga ne i dashtun e i paharruem Padër Zef… Vepra jote monument përcjell dëshminë e gjallë të shenjtënimit të vujtjes dhe përshpirtjes.

Me vokacionin e parajsës kristiane jetove për të na rrefy ferrin shqiptar që ende kullon gjak të pafajshem martirësh.

Kemi detyrën morale të përcjellim mesazhin e dashunisë sate. Kemi detyrën të mbajmë gjallë memorien.

Të faleminderit Padër Zef, për çdo ditë dashuni që më dhe e më fale.

“Superiori Át Marin Sirdani më thirri në odë të vet për dy fjalë. Ndigjo, more djalë,- më tha,- un e çmoj vendosmëninë tande, por çdo gjâ ka masë: shka del jashtë mase asht budallallek. E kupton? Ti ke ardhë këtu në kohën mâ t’keqe që ka pasë Katolicizmi ndonjiherë e sidomos na. Ktheu në katund, aty ku ishe, struku, mos fol, as mos i beso as këmishës sate. Na kemi nevojë për ty që të jetojsh e jo me dekë. Na pleqtë edhe na ardhtë puna me dekë, e kemi kositë livadhin, por ju të rijt duhet të jetoni. Zoti asht i Madh. I kjoshim falë atij të lumit që ka krijue vdekjen, se përndryshej njerzit do t’kishin me kenë gjithmonë skllav të tiranve. Edhe kta do t’desin nji ditë e ti duhet të jetojsh vetëm sa me tregue. Kurrgjâ në mos kjosh i zoti me bâ, rrno vetëm për me tregue. A e kupton shka due me t’thanë? Mbaruen të tjerët, mbarojmë na, mbaron edhe ti: të gjithë shkojmë si qeni në rrush po nuk kje dikush me kallxue se si kje puna. Kush të teprojë le të kallxojë! Nuk asht fjala që po mbarojmë sot. E dijmë këtë. Nuk duhet të mbarojmë për nesër e për shekujt e ardhshëm. E kupton këtë? Fra Zef, un jam sot për sot Superjor: po të jap urdhën: ik, rrno! Vetëm për me tregue!”

Libri i kushtohet

“Atyne që vdiqën njerz

atyne që qëndruen njerz[…]”

Lum kush kupton dhe qëndron njeri…

Si sot kaq vjet shuhej At Zef Pllumi në Romë.

La nji popull jetim…

Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë përkulet me respekt para kujtimit të Flora Brovinës: NGUSHËLLIM PËR NDARJEN NGA JETA TË POETES, MJEKES DHE VEPRIMTARES FLORA BROVINA

Me dhimbje të thellë morëm lajmin për ndarjen nga jeta të Flora Brovinës, poeteshës, mjekes pediatre, humanistes dhe veprimtares së shquar të jetës kulturore, shoqërore dhe kombëtare shqiptare.
Në emër të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, u shprehim ngushëllimet më të sinqerta familjes Brovina, të afërmve, miqve dhe bashkëpunëtorëve të saj, Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, si dhe komunitetit të gjerë të shkrimtarëve, artistëve dhe lexuesve në Kosovë, Shqipëri dhe në të gjitha hapësirat shqiptare.
Flora Brovina ishte një nga ato figura të rralla të kulturës shqiptare tek të cilat fjala poetike, profesioni, ndërgjegjja qytetare dhe përgjegjësia kombëtare u bashkuan në një jetë të vetme. Si mjeke, ajo iu kushtua jetës dhe shëndetit të fëmijëve; si humaniste, mbrojti dinjitetin e grave dhe të fëmijëve; si veprimtare, u përball me rrethanat më të vështira të historisë së Kosovës; ndërsa si poete, i dha dhimbjes, kujtesës, lirisë dhe qëndresës një gjuhë të veçantë artistike.
Në vitet e luftës në Kosovë, ajo u bë pjesë e drejtpërdrejtë e dramës së popullit shqiptar. Përmes veprimtarisë së saj humanitare dhe angazhimit në mbrojtje të viktimave të luftës, ajo dëshmoi se intelektuali nuk mund të qëndrojë indiferent përballë vuajtjes njerëzore. Arrestimi dhe burgosja e saj nga autoritetet serbe në vitin 1999 e shndërruan edhe më tej figurën e saj në një simbol të qëndresës dhe të lirisë së fjalës.
Por Flora Brovina ishte dhe mbeti poete. Në krijimtarinë e saj, historia nuk është vetëm një sfond i largët, por një përvojë e gjallë njerëzore. Poezia e saj mbart zërin e gruas, të nënës, të fëmijës, të viktimës dhe të një vendi që kërkonte të mbijetonte. Në vargjet e saj, dhimbja individuale ngrihet në kujtesë kolektive, ndërsa përvoja e Kosovës fiton një dimension universal.
Për këtë arsye, krijimtaria e Flora Brovinës duhet lexuar jo vetëm si një dëshmi poetike e një kohe historike, por edhe si pjesë e rëndësishme e letërsisë së angazhuar shqiptare, në të cilën fjala poetike merr përsipër të mbrojë lirinë, dinjitetin njerëzor dhe të drejtën për të kujtuar. Në këtë traditë, siç ka ndodhur me shumë poetë e shkrimtarë në historinë e letërsisë botërore, poeti nuk largohet nga koha e vet, por hyn në të me përgjegjësinë e fjalës.
Flora Brovina u nderua edhe ndërkombëtarisht për guximin e saj dhe për mbrojtjen e lirisë së shprehjes dhe të drejtave të njeriut, duke përfshirë Tucholsky Prize të Swedish PEN dhe PEN/Barbara Goldsmith Freedom to Write Award të PEN American Center, ndërsa gjatë jetës së saj mori edhe vlerësime të tjera të rëndësishme në Kosovë dhe jashtë saj.
.
NJË URË E PËRHERSHME MES SHQIPËRISË DHE KOSOVËS
.
Ndarja nga jeta e Flora Brovinës është një dhimbje për gjithë botën shqiptare. Shqipëria dhe Kosova janë të lidhura nga një hapësirë e përbashkët shpirtërore, gjuhësore dhe kulturore, e ndërtuar ndër breza nga shkrimtarët, poetët, studiuesit dhe artistët e të dyja anëve te kombit.
Në këtë kuadër, Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë e konsideron bashkëpunimin me Lidhjen e Shkrimtarëve të Kosovës një urë të rëndësishme të komunikimit kulturor kombëtar. Kujtimi i Flora Brovinës na bashkon edhe më fort rreth detyrimit për ta ruajtur dhe pasuruar këtë hapësirë të përbashkët të letërsisë shqipe, përmes botimeve, veprimtarive letrare, festivaleve, promovimeve dhe dialogut të pandërprerë midis krijuesve shqiptarë kudo që jetojnë.
Ajo që Flora Brovina la pas nuk është vetëm një trashëgimi poetike. Është edhe një dëshmi e fuqisë morale të intelektualit shqiptar, i cili në momente të vështira të historisë zgjodhi të qëndrojë pranë njeriut, pranë lirisë dhe pranë së vërtetës, prane kombit.
Me ndarjen e saj nga jeta, letërsia shqiptare humbi një zë të veçantë, Kosova humbi një intelektuale dhe humaniste të përkushtuar, ndërsa familja e madhe e kulturës shqiptare humbi një prej figurave të saj të respektuara.
Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë përkulet me respekt para kujtimit të Flora Brovinës.
Vepra e saj poetike, jeta e saj në shërbim të njeriut dhe qëndresa e saj do të mbeten pjesë e kujtesës sonë kulturore dhe njerëzore.
U prehtë në paqe!
Kujtimi i saj qoftë i përjetshëm!
Dr. Mujë Buçpapaj
Kryetar
Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë
Tiranë, 16 shtator 2026

KADRI ROSHI – Poezi nga Konstandin Dhamo

 

 

N’oborrin e Teatrit Kombëtar,

Kadri Roshi,mbështetur te bërrylat

Monumentalisht ulur qendronte,

Teksa pinte ngapak raki,

Duke ngjyer herë – herë gishtin tregues

Me piper speci djegës

Që t’i ndesheshin në fyt

Dy xixëllima !

 

Në moshë të shtyrë tashmë

I ndërmendet e s’i shuhet përfytyrimi

I Ali Pashë Tepelenës,

Sundimtarit,

Ashtu me atë mjekrën e kreshpëruar

Dhe taxhin bektashian në kokë ;

Në trup fustanella dhe jeleku fijear.

Pisqollat tinëzare në brez…

 

Eh, Kadri Roshi

Ikona rrezatuese e aktrimit

Dëshironte të luante

Ali Pashanë

Madhështorin e pafriguar ;

 

Mjeshtërisht ta luante,

Aqsa publiku,përnjëmend,

Të besonte se, ishte ngjallur

Mrekullisht

Pashai

I vëerteti !

 

Ah, piperi djegës i kuq zjarr,

Djegësja raki, ah !

Si ta përshkënditnin fytin,

Tek ndesheshin,

Mendjen,tek trazoheshin ,

Si ta përndiznin !

Kadri Roshi, sovran dhe ai,

Në skenë ,

Kish nevojë për Ali Pashanë,

Që të shmangte boshësinë e pleqërisë,

Squlljen që s‘e honepste ta shmangte

Dhe…

Zbritjen nga skena !

 

Do t’ia rrëmbente të paepurit

Bubullimat e zërit,

Dritën zhbiruese të syrit,

Urdhrat e thiktë,

Energjinë vullkanike …

Oh patjetër

Do të alipashëzohej !

 

2001

 


Send this to a friend