Nga Boldnews.al
Pas viteve të gjata në pushtet, si në rastin e Edi Ramës, nuk përbën çudi që “kuajt e betejës” të ndryshohen herë pas here. Megjithatë, largimi i disa “kuajve” me spaleta gjenerali, siç mund të konsiderohet edhe Sekretari i tij i Përgjithshëm jetëgjatë, Ëngjëll Agaçi, është një lëvizje që nuk kalon lehtësisht.
Mesditën e kësaj të Premteje, kryeministri Edi Rama ka njoftuar kabinetin e tij se Agaçi ka dhënë dorëheqjen, pas më shumë se 12 vitesh në postin më të lartë administrativ shtetëror.
Për momentin, nuk janë të qarta arsyet e dorëheqjes së tij.
Burime qeveritare këmbëngulin se ai u largua nga detyra stresuese për shkak të sëmundjeve me zemrën, të njëjtat që i përdori kryeministri Rama rreth një vit më parë, kur opozita deklaroi se Agaçi ishte “zhdukur”, pasi po i rrotullohej rreth qafës “litari i Prokurorisë së Posaçme”.
Të tjerë, nga opozita dhe jo vetëm, e shohin “dorëheqjen” e Agaçit pikërisht me kusuret që i janë krijuar ose mund t’i krijohen nga hetimet e Strukturës së Posaçme Anti-Korrupsion (SPAK).
Të dyja variantet, në këtë moment të parë, mund të qëndrojnë. Ëngjëll Agaçi, si çdo qenie humane në këtë botë, mund të përballet me trillet e shëndetit.
Por, edhe ata që besojnë se “dorëheqja e Agaçit” lidhet me situata hetimore, kanë shumë argumenta. I konsideruar si “eminenca gri” e kryeministrit Edi Rama, Ëngjëll Agaçi konsiderohet si truri i disa prej aferave kryesore korruptive të qeverisë së “Rilindjes”.
Ai ka qenë “filtruesi” i procedurave qeveritare për inceneratorët fantazëm e koncesionet korruptive në Shëndetësi. Agaçi ka kaluar në duart e tij paketën ligjore të “investitorëve strategjikë”, parqet eolike, parqet teknologjike, “Diellën” e “Diellat” e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, e çështja të tjera që publikisht, por jo vetëm, janë shoqëruar me epitetin “korruptiv”.
Përtej arsyeve të “dorëheqjes”, të cilat mund të sqarohen shumë shpejt, largimi i Agaçit shënon edhe rrëzimin e “mburojës së fundit” të kryeministrit.
Rama ka përdorur shumë nga bashkëpunëtorët e tij të ngushtë si ‘siguresa”, të cilët duhet të digjenin për të ruajtur pushtetin e tij politik dhe ekonomik.
Rama ka kaluar shumë emra gjatë pushtetit të tij, por vetëm pak arritën të mbijetonin për shumë kohë pranë tij. Por, edhe këta “ujët e pakët”, tashmë janë larguar.
Rreth një vit më parë, nga Rama u largua shefja jetëgjatë e kabinetit të tij, Vali Bizhga. E shoqëruar për një kohë të gjatë nga një sëmundje që kërkonte kohë dhe energji, zonja Bizhga vendosi të largohej nga kabineti i kryeministrit pas më shumë se 10 vitesh në kryeministri.
Thuajse në të njëjtën kohë me Bizhgën, por për arsye të tjera, u largua nga Rama zëdhënësi i tij, Endri Fuga, i konsideruar si “miniaturë e Gëbelsit në kabinetin qeveritar shqiptar”. Fuga “e braktisi” Ramën në mënyrë të heshtur për publikun, duke lënë detyrën qeveritare për një angazhim profesional në Indonezinë e largët.
Një tjetër bashkëpunëtore që “e braktisi” Ramën së fundmi, jo me dëshirën e saj, por për shkak të hetimeve të Prokurorisë së Posaçme, është Belinda Balluku.
Zv. Kryeministre prej disa vitesh dhe “firmosëse” e çdo porosie miliona euro të kryeministrit Edi Rama, tashmë Balluku u detyrua me vendim gjyqësor që të qëndrojë e pezulluar jashtë zyrës së lartë qeveritare.
Pas rrëzimit të “mburojës së fundit”, Agaçit, tashmë Ramës i ka mbetur të mbështetet tek Zegjineja, Toni Gogu e Sara Mile. Të tjerët që janë sot rrotull tij, kanë shumë halle personale, të cilat i pengojnë që të luajnë rolin e “siguresës” për të mbrojtur pushtetin e dyshimtë të Edi Ramës.