VOAL- Zonja Donika Gërvalla, zëvendëskryeministre dhe ministre e Drejtësisë e Republikës së Kosovës, në një reagim bën të ditur se faqja e saj në facebook është sulmuar nga disa mijëra profile të rreme. “Sulmet e tilla nuk na lëkundin, nuk na frikësojnë e as nuk na ndalin, sepse e vërteta nuk blihet me profile fallso dhe as nuk rrëzohet nga klikime patetike e të fabrikuara. Ne vazhdojmë. Edhe më të fortë. Edhe më të vendosur. Edhe më të palëkundur. Bashkë!”, shkruan në reagimin e saj onja Gërvalla.
Më poshtë teksti i plotë i reagimit:
Të nderuar miq,
ma paskan sulmuar sot faqen e Facebook-ut me disa mijëra profile të rreme.
Me „zemra“ fallso po përpiqen të cënojnë reputacionin tim dhe të krijojnë përshtypjen edhe në raport me vizitorët e faqes sime, por edhe me vet Facebook-un, sikur qenkemi shërbyer me këto profile fallso.
Profilet e rreme janë bllokuar, Facebook-u është informuar dhe po presim marrjen e masave adekuate nga ana e tyre.
Nëse keni faqe me shtrirje të gjerë në Facebook, ndoshta nuk është keq të kontrolloni edhe ju „zemrat“ në postimet tuaja. Profilet fallso dallohen sepse kanë emra, të cilët nuk përputhen me vizitorët dhe lexuesit e zakonshëm të postimeve tuaja.
Sulmet e tilla nuk na lëkundin, nuk na frikësojnë e as nuk na ndalin, sepse e vërteta nuk blihet me profile fallso dhe as nuk rrëzohet nga klikime patetike e të fabrikuara.
Ne vazhdojmë. Edhe më të fortë. Edhe më të vendosur. Edhe më të palëkundur. Bashkë!