BBC raporton se Andrew Mountbatten-Windsor është arrestuar nën dyshimin për sjellje të keqe në detyrën publike.
Kujtojmë se princi doli në dosjet e Epstein.
Ish-princi britanik, Andrew Mountbatten Windsor është arrestuar nën dyshimin për shpërdorim detyre.
Ngjarja vjen pasi “Thames Valley Police” njoftoi se po shqyrton një ankesë lidhur me pretendimet për shpërndarjen e materialeve konfidenciale nga ish-princi te i ndjeri, i dënuar për krime seksuale, Jeffrey Epstein.
Policia thotë se ai është në paraburgim dhe oficerët po kryejnë kërkime në adresa në Berkshire dhe Norfolk.
“Si pjesë e hetimit, sot (19/2) kemi arrestuar një burrë rreth të gjashtëdhjetave nga Norfolk, nën dyshimin për shpërdorim të detyrës në zyrë, dhe po kryejmë kontrollime në adresa në Berkshire dhe Norfolk. Burri mbetet në paraburgim policor në këtë moment.
Ne nuk do të zbulojmë emrin e të arrestuarit, sipas udhëzimeve kombëtare. Ju lutemi gjithashtu mbani mend që ky rast është aktualisht aktiv, prandaj duhet kujdes me çdo publikim për të shmangur shkeljen e gjykatës”, thuhet në njoftimin e policisë britanike, Thames Valley Police, sipas BBC.
Policia në fermën Wood në pronën Sandringham në Norfolk
Ndërkohë, zëvendësi i Shefi i Policisë, Oliver Wright, shtoi: Pas një vlerësimi të kujdesshëm, kemi hapur një hetim mbi këtë pretendim për shpërdorim detyre në zyrë. Është e rëndësishme të mbrojmë integritetin dhe objektivitetin e hetimit tonë ndërsa punojmë me partnerët për të hetuar këtë shkelje të pretenduar. E kuptojmë interesin e madh publik në këtë rast dhe do të japim përditësime në kohën e duhur.”
Është Policia e “Thames Valley” ajo që ka qenë duke hetuar akuzat për sjellje të keqe në detyrën publike dhe akuzat se një grua u dërgua në Mbretërinë e Bashkuar nga Jeffrey Epstein për një takim seksual me Andrew Mountbatten-Windsor.
BBC shkruan se ky arrestim ka të bëjë vetëm me akuzën e “sjelljes së keqe në detyrën publike” dhe padyshim një moment shumë domethënës që ish-Princi Andrew është arrestuar. Ai më parë ka mohuar me forcë çdo shkelje në ndonjë nga këto çështje që lidhen me Epstein.
Imazhe të publikuara si pjesë e dosjeve të Epstein, të cilat tregojnë Andrew Mountbatten-Windsor mbi një grua të shtrirë në dysheme
PJESË NGA DOSJA EPSTEIN
Kujtojmë se sipas dokumenteve të publikuara nga autoritetet amerikane, Andrew ka rezultuar se dërgonte raporte mbi vizitat jashtë vendit që kryente si përfaqësues tregtar i Mbretërisë së Bashkuar tek Jeffrey Epstein.
Më 30 nëntor 2010, ish-princi mori një email nga asistenti i tij i veçantë me titullin “Raporte vizitash në Azinë Juglindore”.
Në email, dërguar “Dukës”, Amit Patel shkruante se kishte bashkëngjitur “raporte vizitash për Vietnamin, Singaporin, Hong Kongun dhe Shenzhenin në lidhje me vizitën tuaj të fundit në Azinë Juglindore”.
Pesë minuta më vonë, Andrew dërgoi më tej detajet pa koment shtesë në një adresë që dihet se përdorej nga Epstein.
Ish-princi ishte përfaqësues i Mbretërisë së Bashkuar për tregtinë dhe investimet nga viti 2001 deri në korrik 2011. Në këtë rol, ai shpesh promovonte interesat britanike në biznes jashtë vendit. Ende nuk është e qartë se çfarë detajesh përfshiheshin në raportet e dërguara.
Email-et janë dërguar dy vite pas se Epstein u shpall fajtor si kriminal seksual dhe kaloi kohë në burg. Ai pranoi fajësinë në 2008 për nxitje në prostitucion dhe nxitje në prostitucion të personave nën 18 vjeç dhe u dënua me 18 muaj burg.
Ghislaine Maxwell, Princin Andrew dhe Virginia Giuffre
MESAZHET PËR KRISJEN E MIQËSISË
Udhëtimi në Nju Jork që Andrew Mountbatten-Windsor këmbëngulte se ishte vetëm për të “ndërprerë marrëdhëniet” me Jeffrey Epstein, në fakt rezulton të ketë qenë një fundjavë pesëditore e mbushur me darka luksoze, takime me të famshëm dhe diskutime për biznese, sipas dokumenteve të publikuara nga hetuesit amerikanë. Ish-princi kishte deklaruar se udhëtoi vetëm për t’i thënë ballë për ballë financierit të dënuar për abuzim seksual me të mitur se miqësia e tyre kishte marrë fund.
Por dokumente komprometuese tregojnë një axhendë të ngjeshur, me të ftuar të shumtë, përfshirë modelen letoneze Lana Zakocela, atëherë 21 vjeçe.
Epstein organizoi madje një darkë madhështore në rezidencën e tij në Manhattan, me vlerë 60 milionë paund, në nder të Andrew.
Mes të pranishmëve ishin regjisori Woody Allen me bashkëshorten Soon Yi Previn, komediania Chelsea Handler, prezantuesi Charlie Rose, gazetarja Katie Couric dhe ish-drejtori i komunikimit i Shtëpisë së Bardhë, George Stephanopoulos.
Modelja Lana Zakocela
Andrew dhe Epstein u fotografuan së bashku gjatë një shëtitjeje në Central Park dhe, sipas dokumenteve, diskutuan edhe për mundësi të ardhshme biznesi.
Në intervistën famëkeqe për BBC Newsnight në vitin 2019, Andrew (sot 65 vjeç) këmbënguli se vizita e dhjetorit 2010 kishte vetëm një qëllim: t’i thoshte lamtumirë Epstein-it. Por email-e të sapo zbuluara tregojnë një histori tjetër. Darka VIP u mbajt më 2 dhjetor.
Mesazhet mes Epstein dhe publicistes Peggy Siegal tregon përgatitje luksoze, përfshirë karrige “gold ballroom” dhe aranzhime me lule. Më 3 dhjetor, Siegal e quajti mbrëmjen “sensacionale” dhe bëri shaka për veshjen e Andrew në dasmën e Princit William dhe Kate.
Andrew më vonë e përshkroi takimin si “një darkë e vogël”, por po atë ditë, Ghislaine Maxwell, tashmë e dënuar me 20 vjet burg, konfirmoi se do të kalonte “pas darkës”.
Më 4 dhjetor, një ditë para shëtitjes në Central Park, Epstein duket se kërkoi “vajza të reja” për mbrëmjen, sipas një emaili enigmatik drejtuar një gruaje të quajtur Irina.
Po atë ditë, Andrew dhe Epstein shkuan bashkë për pazar në Barneys dhe u takuan për drekë me themeluesen e NEXT Model Management, Faith Kates.
Epstein dërgoi shofer për të marrë modelen Lana Zakocela nga aeroporti JFK dhe organizoi video-thirrje për diskutime biznesi në Afrikë.
Nga Epstein te ‘Irina’
Dokumentet tregojnë gjithashtu për tentativa të Epstein për të organizuar takime të Andrew me figura të mëdha të biznesit dhe filantropisë, duke u mburrur se ish-princi po qëndronte në shtëpinë e tij. Më 5 dhjetor, Epstein ftoi Woody Allen dhe Soon Yi Previn për “bagels të së dielës” përpara një shëtitjeje me Andrew.
Në Newsnight, Andrew tha se darka dhe shëtitja në park ishin të vetmet raste që pa Epstein gjatë udhëtimit.
Por email-e të tjera tregojnë se Epstein planifikonte takime të reja me Andrew edhe më 6 dhjetor, përfshirë një drekë dhe një darkë ku përmendeshin emra si Naomi Campbell dhe Bill Gates.
Emailet tregojnë Epstein duke ftuar një nga bashkëpunëtorët e tij, Valerie Post, për drekë me Andrew të nesërmen, më 6 dhjetor. “Dëshironi të vini për drekë në orën 1-2. Andrew dhe vajza e kryeministrit australian, ose në orën 5:30 për një përsëritje të së djeshmes”, ka shkruar ai.
Më vonë atë ditë, Epstein shkëmbeu një email me Staley në të cilin shkruante: “Naiomi dhe i dashuri do të vijnë për darkë në orën 9 nëse do”, që kuptohet të jetë një referencë për supermodelen Naomi Campbell.
Një email nga Epstein drejtuar një bashkëpunëtori thoshte se “Bill Gates do të jetë këtu” gjithashtu atë mbrëmje. Andrew besohet se u kthye në Britani vonë më 6 dhjetor.
Megjithatë, dy javë më vonë, ai i dërgoi Epstein-it një email duke i uruar “Krishtlindje të mrekullueshme”, duke iu referuar atij dhe rrethit të tij si “familja ime amerikane” dhe duke shprehur dëshirën për t’u ribashkuar së shpejti.
Në qendër të dosjes ndaj Andrw ndodhet edhe pretendimi i një balerine, e cila kërkon dëmshpërblim prej 250 mijë dollarësh, duke pohuar se është detyruar të kryejë akte seksuale gjatë një feste në rezidencën e financierit në Palm Beach në vitin 2006.
Sipas dokumenteve ligjore të zbuluara nga Daily Mail, gruaja pretendon se është transportuar me shofer në vilën e Epstein në Florida, ku ka kërcyer përpara një grupi burrash të ftuar, mes të cilëve ndodhej edhe princi i atëhershëm Andrew.
Në një letër me datë 23 mars 2011, avokati i saj, William K. Vogeler, shkruan se Epstein ka shkelur një marrëveshje verbale, pasi nuk ka paguar 10 mijë dollarët që i kishte premtuar për pjesëmarrjen në festë. Gruaja përshkruhet si një “balerinë e njohur në klubin Rachel’s Strip Club” dhe një nga disa gra që, sipas pretendimeve, janë ftuar me të njëjtën marrëveshje financiare.
Vajza që dukeshin “edhe 14 vjeçe”
Sipas asaj që thuhet në letër, balerina ka vënë re gjatë festës edhe vajza të tjera të reja me pamje provokuese, disa prej të cilave dukeshin “edhe 14 vjeçe”. Më pas, ajo është shoqëruar në një dhomë gjumi në katin e sipërm, ku Epstein ia ka prezantuar princin Andrew.
Avokati i saj pretendon se klientja e tij ka kërcyer për dy burrat, duke hequr rrobat deri sa ka mbetur vetëm me të brendshme, përpara se ata t’i kërkonin të merrte pjesë në një akt seksual me të dy. Sipas padisë, gruaja u ka thënë se ishte punësuar vetëm për të kërcyer dhe jo për seks, por Epstein dyshohet se e ka ushtruar presion, duke i thënë se do të paguhej më vonë.
“Klientja ime kërcente dhe u zhvesh deri sa mbeti vetëm me të brendshme. Epstein dhe princi Andrew i thanë se dëshironin të bënin seks në treshe. Ajo u përgjigj se ishte punësuar për të kërcyer, jo për të kryer marrëdhënie seksuale. Epstein i tha se do ta paguanin më vonë për kërcimin dhe e bindën të merrte pjesë në akte të ndryshme seksuale”, thuhet në letër.
Pas përfundimit të akteve, sipas avokatit, dy burrat i propozuan asaj të udhëtonte me ta drejt Ishujve të Virgjër, ofertë që ajo e refuzoi. “Mund të ketë punuar si balerinë ekzotike, por u trajtua si prostitutë”, theksohet në dokument.
Imazhe të reja të publikuara si pjesë e dosjeve të Epstein ku tregojnë Andrew Mountbatten-Windsor mbi një grua të shtrirë në dysheme
Vogeler thekson se klientja e tij dëshironte të ruante anonimitetin në kuadër të një marrëveshjeje jashtëgjyqësore, por ishte e gatshme t’i drejtohej drejtësisë nëse kërkesa e saj nuk plotësohej. Ai argumenton se pretendimet përbëjnë “shkelje të marrëveshjes verbale, pasurim të pajustifikuar dhe një sërë veprash të tjera civile”, duke kërkuar pagesën e 250 mijë dollarëve brenda nëntë ditëve, në këmbim të ruajtjes së konfidencialitetit.
Nuk dihet nëse Epstein e ka paguar ndonjëherë këtë shumë. Megjithatë, çështja duket se ka dalë në pah vetëm disa javë pas publikimit, në shkurt 2011, të fotos së famshme ku princi Andrew shfaqej me krahun rreth Virginia Giuffre.
Këto zbulime rikthejnë në vëmendje edhe akuza të tjera. Në vitin 2019, një ish-balerinë tjetër kishte deklaruar se princi Andrew kishte pasur marrëdhënie seksuale me të gjatë një feste në shtëpinë e Epstein në Nju Jork në vitet ’90, duke pretenduar se financieri punësonte gra “sipas shijeve të Andrew”.
Ghislaine Maxwell, Princin Andrew dhe Virginia Giuffre
Ndërkohë, Andrew përballet me presion të ri ligjor pas akuzave të një gruaje të dytë, e cila pohon se Epstein e kishte transportuar me avion drejt Britanisë për të kryer marrëdhënie seksuale me princin. Sipas saj, më pas kishte pasuar edhe një vizitë për çaj në Pallatin Buckingham.
Gruaja deklaron se ishte rreth 20 vjeçe kur, me kërkesë të Epstein, kaloi natën me Andrew në Royal Lodge në vitin 2010. Avokati i saj amerikan i ka dërguar një ultimatum princit Andrew dhe familjes mbretërore, duke kërkuar bisedime për akuzat, në të kundërt do të ndjekë rrugën gjyqësore. Panorama