VOAL

VOAL

Dokumente: Pasuria e veteranit Nasim Haradinaj

January 21, 2018

Komentet

Protestat në Shqipëri- 12 eurodeputetë kërkojnë sqarime nga Kaja Kallas: Hetoni veprimet e policisë kundër protestuesve

STRASBURG- 12 eurodeputetë të Parlamentit Evropian, kryesisht të djathtë të Partisë Popullore Europiane, i kanë dërguar disa pyetje komisioneres Kaja Kallas për protestat në Shqipëri. Mes eurodeputetëve, të cilët i përkasin Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Europian është dhe Fredi Beleri.

Ata kërkojnë sqarime lidhur me masat që do të merren për shqetësimet për përdorim jo proporcional të forcës së policisë, për garancitë ligjore në favor të të arrestuarve dhe evidentimin e mangësive të autoriteteve ligjzbatuese për të parandaluar shkelje të mëtejshme.

Letra e plotë:

Me iniciativën e kreut të Delegacionit Austriak të PPE-së, Reinhold LOPATKA Demonstratat në Shqipëri kundër korrupsionit, kostove të arsimit dhe pakënaqësive socio-ekonomike janë përshkallëzuar, duke ngritur shqetësime serioze lidhur me sjelljen e policisë.

Raportimet tregojnë se plumbat prej gome të qëlluar nga policia kanë plagosur protestues dhe gazetarë, ndërsa Avokati i Popullit në Shqipëri po heton domosdoshmërinë dhe proporcionalitetin e përdorimit të forcës nga policia. Ekzistojnë gjithashtu shqetësime lidhur me mungesën e garancive të përshtatshme për të miturit e ndaluar.

Deklarata e Komisionit e datës 18 tetor e dënoi me të drejtë dhunën dhe bëri thirrje për proporcionalitet, por nuk trajtoi në mënyrë të mjaftueshme çështjen e llogaridhënies. Të drejtat themelore dhe përgjegjësia për shkeljet e pretenduara duhet të mbeten në qendër të procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në BE.

Çfarë masash do të ndërmarrë Përfaqësuesja e Lartë, përmes Shërbimit Evropian të Veprimit të Jashtëm (EEAS), për të:

1. Ngritur drejtpërdrejt këto akuza pranë autoriteteve shqiptare dhe për të kërkuar hetime të pavarura, të paanshme dhe efektive mbi përdorimin e forcës nga policia, pengimin e gazetarëve dhe shkeljet e të drejtave të personave të ndaluar, përfshirë përgjegjësinë e drejtuesve të operacioneve policore, me publikimin e rezultateve dhe marrjen e masave të duhura gjyqësore ose disiplinore në vijim?

2. Kërkuar garanci, në bashkëpunim me Avokatin e Popullit në Shqipëri dhe përmes monitorimit të pavarur, që të gjithë personat e ndaluar, veçanërisht të miturit, të përfitojnë nga garancitë ligjore të kërkuara nga legjislacioni shqiptar dhe standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut?

3. Siguruar që angazhimet në kuadër të Grupkapitullit 1 – Themeloret, veçanërisht ato që lidhen me llogaridhënien e policisë dhe të drejtat themelore, të ndiqen në mënyrë të qartë aty ku vazhdojnë të evidentohen mangësi, duke përcaktuar angazhime të matshme për parandalimin e shkeljeve të mëtejshme?

Federata Ndërkombëtare e Gazetarëve: Policia shkeli të drejtat dhe liritë themelore gjatë protestave

Federata Ndërkombëtare e Gazetarëve (IFJ) dhe 44 organizata të tjera bëjnë thirrje për llogaridhënie urgjente dhe mbrojtjen e të drejtave themelore

Federata Ndërkombëtare e Gazetarëve (IFJ), së bashku me 44 organizata të tjera ndërkombëtare, evropiane, rajonale dhe shqiptare, publikoi një deklaratë të përbashkët ku shpreh shqetësime serioze lidhur me shkeljet e raportuara të të drejtave themelore pas protestave të udhëhequra nga studentët, të cilat nisën më 13 tetor në Shqipëri. Ne u bëjmë thirrje autoriteteve shqiptare të sigurojnë llogaridhënie, të mbrojnë gazetarët dhe punonjësit e medias, si dhe të garantojnë të drejtat themelore dhe liritë demokratike mes përshkallëzimit të tensioneve.

Deklarata, me titullin “Shqipëri: Të drejtat themelore dhe liritë qytetare nën kërcënim serioz – Nevojiten llogaridhënie dhe veprime urgjente”, nxjerr në pah raportimet për përdorim të tepruar të forcës nga policia, keqtrajtim, ndalime arbitrare, shkelje të të drejtave të fëmijëve, sulme ndaj gazetarëve dhe punonjësve të medias, si dhe retorikë politike kërcënuese. Organizatat theksojnë se, ndonëse dhuna ndaj punonjësve të policisë dhe dëmtimi i pronës duhet të dënohen, veprime të tilla nuk mund të justifikojnë reagime joproporcionale të policisë, ndalime arbitrare apo ndëshkim kolektiv.

Nënshkruesit u bëjnë thirrje autoriteteve shqiptare të nisin hetime të menjëhershme, të paanshme dhe efektive për shkeljet e pretenduara, të garantojnë të drejtën për tubim paqësor, të mbrojnë gazetarët dhe fëmijët, si dhe të sigurojnë llogaridhënie në të gjitha nivelet. Ata bëjnë gjithashtu thirrje për mbikëqyrje urgjente parlamentare, përgjigje kuptimplota ndaj ankesave të qytetarëve dhe veprime konkrete nga institucionet evropiane dhe ndërkombëtare.

Organizatat nënvizojnë se rruga e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian duhet të mbështetet në mbrojtjen efektive të të drejtave themelore, lirive demokratike dhe shtetit të së drejtës. Incidentet dhe zhvillimet e përmendura në deklaratë pasqyrojnë informacionet e dokumentuara dhe të disponueshme deri në mëngjesin e 21 tetorit 2026.

here.

https://www.ifj.org/media-centre/news/detail/category/press-releases/article/albania-ifj-and-44-others-organisations-call-for-urgent-accountability-and-protection-of-fundamental-rights

Organizatat nënshkruese

1. Rrjeti i Zhvillimit të Shoqërisë Civile në Ballkan (BCSDN) – Maqedonia e Veriut

2. Qendra për Vullnetarizmin Evropian (CEV) – Belgjikë

3. Qendra për Ligjin dhe Demokracinë (CLD) – Kanada

4. Bashkëpunimi për Zhvillimin e Vendeve në Zhvillim (COSPE) – Itali

5. Qendra Evropiane për Lirinë e Shtypit dhe Medias (ECPMF) – Gjermani

6. Këshilli Evropian për Refugjatët dhe Mërgimtarët (ECRE) – Belgjikë

7. Federata Evropiane e Gazetarëve (EFJ) – Belgjikë

8. Shtypi i Lirë për Evropën Lindore (FPEE) – Çeki

9. Free Press Unlimited (FPU) – Holandë

10. Federata Ndërkombëtare e Gazetarëve (IFJ) – Belgjikë

11. Observatori Ballkani, Kaukazi, Transeuropa (OBCT) – Itali

12. Reporterët pa Kufij (RSF) – Francë

13. Rrjeti SafeJournalists (SJN) – Ballkani Perëndimor

14. Organizata Mediatike e Evropës Juglindore (SEEMO) – Austri

15. Aleanca Botërore për Pjesëmarrjen e Qytetarëve (CIVICUS) – Afrika e Jugut

16. Qendra “Durrësi Aktiv” – Shqipëri

17. Shoqata e Krijuesve dhe Aktivistëve të Pavarur “Geto” – Bosnjë dhe Hercegovinë

18. Shoqata e Gazetarëve të Shqipërisë (AJA) – Shqipëri

19. Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AJK) – Kosovë

20. Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë (AJM) – Maqedonia e Veriut

21. Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Investigative (BIRN) – Bosnjë dhe Hercegovinë

22. Qendra për Zhvillimin e Organizatave Joqeveritare (CRNVO) – Mali i Zi

23. Qendra për Promovimin e Shoqërisë Civile (CPCD) – Bosnjë dhe Hercegovinë

24. Qendra për Shkencë dhe Inovacion për Zhvillim (SCiDEV) – Shqipëri

25. Qëndresa Qytetare – Shqipëri

26. Shoqata e Gazetarëve Kroatë (HND) – Kroaci

27. OJQ humanitare Dignity – Armeni

28. Qendra Don Bosko – Mali i Zi

29. ESD Albania – Shqipëri

30. Faktoje – Shqipëri

31. Qendra e Aleancës Gjinore për Zhvillim (GADC) – Shqipëri

32. Shoqata e Pavarur e Gazetarëve të Serbisë (NUNS) – Serbi

33. Fondacioni i Shoqërisë Civile të Kosovës (KCSF) – Kosovë

34. Instituti i së Drejtës i Kosovës (KLI) – Kosovë

35. Shoqata e Ndihmës Juridike e Moldavisë – Moldavi

36. Qendra Ligjore – Mali i Zi

37. Agjencia e Demokracisë Vendore në Mal të Zi (LDA Montenegro) – Mali i Zi

38. Qendra Maqedonase për Bashkëpunim Ndërkombëtar (MCIC) – Maqedonia e Veriut

39. Qendra Mediatike e Ukrainës – Ukrainë

40. OJQ Active Zone – Mali i Zi

41. OJQ “Veprimi Ynë” – Mali i Zi

42. Partners Albania për Ndryshim dhe Zhvillim – Shqipëri

43. Sindikata e Medias e Malit të Zi (SMCG) – Mali i Zi

44. Transparency International Bosnjë dhe Hercegovinë (TI BiH) – Bosnjë dhe Hercegovinë

45. Turkey Recap – Turqi

Protestat në Tiranë, kongresmeni demokrat amerikan: Të dëgjohet zëri i qytetarëve

Kongresmeni demokrat amerikan Jim McGovern ka reaguar për protestat në Shqipëri, duke i bërë thirrje qeverisë t’i japë fund dhunës ndaj studentëve dhe protestuesve.

Në një postim në rrjetet sociale, ai shprehet i shqetësuar për përshkallëzimin e protestave. McGovern thekson se njerëzit dalin në rrugë, kur qeveria nuk u përgjigjet nevojave të tyre.

Ai kujton se e drejta për të protestuar paqësisht mbrohet nga e drejta ndërkombëtare. Kongresmeni u bën thirrje autoriteteve të dëgjojnë aspiratat e popullit.

Postimi i kongresmenit demokrat amerikan Jim Mc Govern

Po i ndjek me shqetësim protestat që po përshkallëzohen në Shqipëri. Njerëzit dalin në rrugë kur qeveria e tyre nuk u përgjigjet nevojave të qytetarëve.

E drejta për të protestuar paqësisht mbrohet nga e drejta ndërkombëtare. Qeveria duhet t’i japë fund dhunës ndaj protestuesve, të garantojë sundimin e ligjit dhe të dëgjojë aspiratat e popullit. gsh

Dita e 12 e protestës së studentëve- Sot tubim kombëtar! Në Tiranë bashkohen pedagogë, mjekë, artistë dhe studentë nga rrethet

Protesta e studentëve shënon sot ditën e 12-të, ndërsa vijojnë përgatitjet për tubimin kombëtar të paralajmëruar në kryeqytet. Me protestën janë solidarizuar pedagogë, mjekë dhe sindikata e biznesit të vogël, ndërsa pjesëmarrje pritet edhe nga studentët e rretheve.

Pedagogët pritet të mblidhen në orën 10:00 pranë Universitetit Politeknik.

Sindikata e Pavarur e Artit, Kulturës dhe Medias e Shqipërisë ka njoftuar se do t’i bashkohet protestës kombëtare të 24 tetorit, në solidaritet me studentët, të rinjtë dhe qytetarët. Përmes një thirrjeje publike, sindikata fton anëtarët e saj, artistët dhe punonjësit e kulturës e medias të mblidhen sot në orën 11:00 përpara Kryeministrisë. Në njoftim theksohet se pjesëmarrja në protestë lidhet me përgjegjësinë qytetare për të ardhmen e vendit, por edhe me mbrojtjen e të drejtave të punëmarrësve.

Ndërkohë, Partia Demokratike u ka bërë thirrje aktivistëve dhe forumeve të saj që në orën 12:00 të dalin në mbështetje të protestës së studentëve.

Në orën 14:00 është paralajmëruar bashkimi i grupeve të studentëve në tubimin përpara Kryeministrisë.

Mobilizimi për protestën kombëtare po zhvillohet edhe jashtë Tiranës. Studentët e rretheve, të cilët gjatë javës kanë protestuar në qytetet ku ndodhen universitetet e tyre, pritet të udhëtojnë nesër drejt kryeqytetit për t’iu bashkuar tubimit.

Grupet studentore të Tiranës janë në komunikim me studentët e qyteteve të tjera për të koordinuar pjesëmarrjen në protestën përpara Kryeministrisë. bw

UGSHPD: SPAK TË THËRRASË ME URGJENCË KRYEMINISTRIN (Të barabartë përpara ligjit)

UGSHPD (Unioni I Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës), ka ndjekur me vëmendje zhvillimet e protestës në Shqipëri. Ai ka mbështetur kërkesat e drejta që janë parashtruar në këto zhvillime gati pesë mujore që kanë të bëjnë me keq qeverisjen, mosfunksionimin e parlamentit, cenimin e sigurisë kombëtare, shitjen dhe dhënien për përdorim pronave publike klientëve të kryeministrit, kontrollin propagandistik dhe censurimin e informacionit përmes medias, moslejimin dhe ushtrimin e lirisë dhe të drejtave themelore të qytetarëve deri tek vota e lirë dhe mes shumë të tjerave ndarjen përfundimtare të shoqërisë shqiptare në dy familje kundër njëra-tjetrës, atë të “Shqipërisë së shqiptarëve që janë pjesë e Evropës” dhe “Familjen e narkotrafikut në pushtet” që po përdor dhunën verbale dhe fizike mbi popullsinë, Familjet Shqiptare.

Pa humbur kohë në dobi të parandalimit të kaosit dhe acarimit të situatës për shkak të emergjencës dhe afrimit të mbajtjes së një proteste masive të përgjithshme të paralajmëruar nga Lëvizja Studentore në Ditën e 12-të saj (24 Tetor 2026), që i shtohet si qëndresë protestës paqësore 135 ditore të njohur “Revolucioni i Flamingove” dhe që e ka forcuar kërkesën kryesore dorëheqjen e kryeministrit(!), bëjmë të ditur se mekanizmi ligjor i nevojshëm është ushtrimi i ligjit. Neni 84 në Kodin e Procedurës Penale shpjegon se çfarë është  Kanosja  (Kërcënimi) dhe masa e dënimit.
Në Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë, ai trajtohet kryesisht nën dispozitat e kanosjes dhe përndjekjes: [1, 2]

1. Kanosja (Neni 84)Përkufizimi: Kanosja serioze për vrasje ose për plagosje të rëndë që i bëhet një personi.
Lloji i veprës: Përbën kundërvajtje penale.
Dënimi: Dënohet me gjobë ose me burgim deri në 1 vit. [1]
2. Kanosja për hakmarrje ose gjakmarrje (Neni 83/a)
Përkufizimi: Kanosja serioze për hakmarrje ose gjakmarrje që i bëhet një personi ose të mituri për t’u ngujuar.
Dënimi: Dënohet me gjobë ose me burgim deri në 3 vjet. [1]
3. Kanosja me motive racizmi dhe ksenofobie nëpërmjet sistemit kompjuterik (Neni 84/a)
Përkufizimi: Kanosja serioze për vrasje ose plagosje të rëndë përmes sistemeve kompjuterike, për shkak të përkatësisë etnike, kombësisë, race apo feje.
Dënimi: Dënohet me gjobë ose me burgim deri në 3 vjet. [1]
4. Përndjekja (Neni 121/a)
Përkufizimi: Kërcënimi ose ngacmimi i një personi me anë të veprimeve të përsëritura, me qëllim për t’i shkaktuar gjendje të rëndë ankthi/frike për sigurinë vetjake (ose të një të afërmi/lidhje shpirtërore), apo për ta detyruar të ndryshojë mënyrën e jetesës. [1]
Dënimi: Dënohet me burgim nga 6 muaj deri në 4 vjet. [1]
Rrethana rënduese: Dënimi rritet nëse vepra kryhet nga ish-bashkëshorti/ish-bashkëjetuesi (+1/3 e dënimit), ose ndaj të miturve, grave shtatzëna apo personave të pazotë për mbrojtje (deri në +1/2 e dënimit).

Janë të shkruara.

Le të mbajmë mend mend se pas gjithë retorikës e demagogjisë me daljen e sotme në tërësinë e përmbajtjes që ka pikërisht ky nen, kryeministri ka depozituar dëshminë dhe ka kallxuar veten kur thotë se :-“… ka një orë për të folur për të gjitha, ora për të folur ishte kjo. Nesër do t’ju ekspozojmë të tjera gjëra për të ndarë me të gjithë bindje Të rrënjosur tek informacioni, të rrënjosur tek funksionimi i institucioneve. Bindje se askush nuk do të mbetet pa u ekspozuar. Shumë faleminderit.” (Minuta 23-25 e depozitës).

Është rasti që drejtësia të veprojë si një institucion i pavarur dhe me integritet.

Dhuna e ushtruar, e dokumentuar kryesisht nga persona të paidentifikuar në rradhët e policisë të kujton “Los Collectivos” (Venezuelë prej 1960- ndalimin e Maduros), të narko regjimit në Venezuelë me shtrirje të krimit në politikë dhe qeverisje, në territor dhe pushtet lokal si dhe në dëmtimin e veprimtarive të organizimeve joqeveritare në veprimtarinë civile.

Ky parashtrim kërkon ndërgjegjësim dhe veprim për t’u parandaluar pasojat e papritura mbi protestuesit në ditët që vijnë pavarësisht dorëheqjes së kryeministrit.

UGSHPD herë pas here* në qëndrimet e veta ka analizuar dhe argumentuar rrënimin gradual të demokracisë dhe përqendrimin e të gjitha pushteteve në duart e kryeministrit dhe kryetarit të elitës së Rilindjes Socialiste (gabimisht në emër të PS).
Koha që drejtësia të veprojë për mbrojtjen e jetës dhe paqes sociale.
_________

*https://www.voal.ch/ugshpd-presioni-perpara-krimit-elektoral-hakmarrja-e-rames-sheshi-skenderbej-perjeton-disa-ore-nenshtrim-kolektiv/aktuale/fokus/

*https://www.voal.ch/ugshpd-rama-ka-konsumuar-cdo-akt-kunder-opozites-neser-nje-diktator/aktuale/fokus/
*https://www.voal.ch/ugshpd-a-do-te-kemi-ne-5-10-vitet-e-ardheshme-nje-shtatore-te-rames-ne-sheshe-pas-piramides-edhe-froni-virtual/aktuale/fokus/

* https://www.voal.ch/ugshpd-rama-veliaj-krize-e-rrezikshme-ne-shperthim/aktuale/fokus/

23 Tetor, 2026

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD)
Verband Albanischer Berufsjournalisten der Diaspora (VABD)
Union of Professional Albanian Journalists of Diaspora (UPAJD)
L’Union des journalistes professionnels albanais de la diaspora (UJPAD)
Unione dei Giornalisti Professionisti Albanesi della Diaspora (UGPAD)

Protestat e studentëve, Marjana Koçeku për CNN International: Institucionet shqiptare t’u përgjigjen kërkesave legjitime të të rinjve

Deputetja e pavarur e Kuvendit të Shqipërisë, Marjana Koçeku, ishte e ftuar në CNN International, në një intervistë me Christiane Amanpour, një prej figurave më të njohura dhe më me ndikim të gazetarisë ndërkombëtare, dhe Catherine Bennhold, gazetare e prestigjiozes The New York Times.

Intervista, e zhvilluar në kuadër të programit të njohur ndërkombëtar të Amanpour, trajtoi valën e protestave studentore dhe të të rinjve, duke i kushtuar vëmendje edhe zhvillimeve të fundit në Shqipëri.

Koçeku solli në vëmendjen e publikut ndërkombëtar protestat që po zhvillohen në vend, kërkesat e të rinjve dhe domosdoshmërinë që institucionet shqiptare t’u përgjigjen me seriozitet shqetësimeve të tyre.

Deputetja e pavarur, e cila u largua nga Partia Socialiste gjatë verës së këtij viti për t’iu bashkuar protestave qytetare, shpjegoi edhe arsyet e vendimit të saj politik, duke theksuar se mbështetja për protestuesit buron nga bindja se përmes këtij angazhimi mund të kontribuojë në mënyrë më të ndershme dhe më të drejtpërdrejtë.

Koçeku mbrojti legjitimitetin e kërkesave të protestuesve dhe theksoi se ato meritojnë vëmendjen e plotë të qeverisë, si dhe llogaridhënie institucionale.

Pjesëmarrja e Marjana Koçekut në një intervistë të drejtuar nga Christiane Amanpour në CNN International përbën një moment të rëndësishëm të pasqyrimit ndërkombëtar të zhvillimeve në Shqipëri, duke sjellë qëndrimet e një deputeteje të pavarur shqiptare dhe zërin e protestave të të rinjve përpara një audience globale.

Intervista e vendos situatën në Shqipëri në kontekstin më të gjerë të mobilizimit të brezit të ri dhe të sfidave me të cilat përballen qeveritë për t’iu përgjigjur kërkesave për ndryshim, përfaqësim dhe përgjegjshmëri demokratike.

E pyetur nga Christiane Amanpour mbi zhvillimet politike dhe protestat studentore në Serbi, Koçeku u shpreh se një fitore e listës së studentëve përballë presidentit Aleksandar Vuçiç do të përbënte një fitore jo vetëm për të rinjtë serbë, por për të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor. bw

Eurodeputetja Anna Strolenberg përgënjeshtron paralajmërimet e Ramës për protestuesit: Nuk ju ndalohet hyrja në BE! Është e rreme!

Eurodeputetja Anna Strolenberg ka reaguar ndaj paralajmërimeve që, sipas saj, u janë bërë qytetarëve shqiptarë lidhur me pjesëmarrjen në protestat kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama.

Përmes një mesazhi publik, Strolenberg ka hedhur poshtë pretendimin se qytetarëve që marrin pjesë në protesta mund t’u ndalohet hyrja në vendet e Bashkimit Evropian, duke e cilësuar këtë informacion si të pavërtetë.

  • foto galeri

Eurodeputetja theksoi se ishte informuar për paralajmërime që i atribuohen kryeministrit Rama, sipas të cilave pjesëmarrja në protesta mund të sillte pasoja për lëvizjen e qytetarëve drejt BE-së.

“Më është thënë se shqiptarët po paralajmërohen nga Edi Rama se, nëse marrin pjesë në protesta, do t’u refuzohet hyrja në BE. Ky pretendim është i RREMË!”, deklaroi Strolenberg.

Ajo u bëri thirrje shqiptarëve që të mos ndikohen nga paralajmërime të tilla dhe të mos heqin dorë nga ushtrimi i së drejtës së tyre për tubim paqësor.

“Ju lutem, mos lejoni që pretendimet e rreme t’ju dekurajojnë nga ushtrimi i së drejtës suaj për tubim paqësor. E di që këto janë kohë të vështira dhe shqetësuese. Ruani veten!”, përfundoi eurodeputetja. bw

Thirrje kundër Ramës dhe qeverisë- Mjekët dhe Studentët e Mjekësisë zhvendosen përballë Kryeministrisë

TIRANË- Studentët e Mjekësisë dhe Mjekët janë zhvendosur përballë Kryeministrisë, me thirrjet kundër Kryeministrit Edi Rama dhe qeverisë. Protestuesit kërkojnë dorëheqjen e Ramës dhe largimin e kabinetit të drejtuar prej tij.

Të rinjtë dhe qytetarët shprehin pakënaqësitë e tyre dhe kërkojnë ndryshime gjatë revoltës së tyre.

Pjesëmarrja e mjekëve dhe studentëve të Mjekësisë i shtohet zërave që po kërkojnë të dëgjohen nga institucionet, në një klimë protestash dhe tensionesh politike./Dosja.al 

Kongresmeni amerikan Mike Lawler kundër Ramës për protestat: Të ndalet përdorimi i forcës ndaj qytetarëve

Kongresmeni amerikan Mike Lawler ka reaguar për protestat në Shqipëri, duke shprehur shqetësimin e shqiptarëve të komunitetit shqiptaro-amerikan për gjendjen e demokracisë në vend. Ai i bëb thirrje qeverisë shqiptare të ndalë përdorimin e forcës ndaj protestuesve.

Në reagim të tij në rrjetin social ‘X’, Lawler thekson se ka marrë shqetësime nga zgjedhësit shqiptaro-amerikanë të distriktit NY-17, të cilët janë të alarmuar për zhvillimet e fundit në Shqipëri dhe pasojat që ato mund të kenë për të ardhmen demokratike të vendit.

Në mesazhin e tij, kongresmeni amerikan i bën thirrje drejtpërdrejt qeverisë shqiptare që të ulë menjëherë tensionet dhe t’i japë fund përdorimit të forcës ndaj protestuesve paqësorë.

Sipas tij, ky standard duhet të zbatohet nga çdo qeveri, veçanërisht nga vendet demokratike dhe aleatët e NATO-s.

Reagimi i kongresmenit Mike Lawler:

Kam dëgjuar nga zgjedhësit e mi shqiptaro-amerikanë në distriktin NY-17, të cilët janë thellësisht të shqetësuar për protestat që po zhvillohen në Shqipëri dhe për atë që kjo do të thotë për të ardhmen e demokracisë në vend.

Unë qëndroj në krah të zgjedhësve të mi dhe të popullit shqiptar.

Çdo qeveri, veçanërisht qeveritë e vendeve demokratike dhe aleatët e NATO-s, duhet të respektojë të drejtën e qytetarëve të saj për të protestuar në mënyrë paqësore dhe për të shprehur pikëpamjet e tyre.

I bëj thirrje qeverisë shqiptare të ulë menjëherë tensionet dhe t’i japë fund përdorimit të forcës kundër protestuesve paqësorë. sn

 

 

 

Revolta e të rinjve kundër Ramës- Pedagogët sërish protestojnë në orën 10:00, marshim në mbështetje të studentëve

Pedagogët vazhdojnë të mbështesin studentët në protestën e tyre, të cilët kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe shpërndarjen e Parlamentit.

Edhe sot në orën 10:00 sërish pedagogët do të mblidhen përpara Universitetit Polteknik, nga ku do te marshojnë drejt kryeministrisë.

Pedagogët kanë njoftuar për bojkot mësimor, deri ne plotesimin e kerkesave të studentëve.

Nje dite me parë njëri prej pedagogëve, Aleksandër Biberaj, i kërkoi Presidentit të vendit, Bajram Begajt, të shpërndajë Parlamentin, pasi sipas tij, ky institucion nuk përfaqëson më interesin e tyre.

“Do t’i bëja thirrje Presidentit të Republikës që të shohë mundësinë që të shkrijë këtë Parlament, se nuk po e kryen misionin e vet. Pasuritë e shqiptarëve kanë përfunduar në xhepat e hajdutëve. Unë kam qenë deputet vetë. Kur deputeti shkon aty, bën një betim, por këta janë njerëz pa karakter. I bëj thirrje Presidentit që të shkrijë këtë Parlament!”, tha ai.

Protesta u zvillua në të njëtën kohë që po zhvillohej seanca plenare. Parlamenti mbylli punimet me urgjencë, pas tensioneve dhe përplasjeve mes deputetëve të PD dhe PS, ndërsa qytetarët qëndruan tek hyrjet e Kuvendit. Pas disa orësh protestë përpara Kuvendit, të rinj, pedagogë dhe qytetarë marshuan drejt Rrugës së Elbasanit. Marshimi u zhvillua paqësisht, ndërsa pjesëmarrësit lëshuan thirrje kundër qeverisë. Protestuesit u zhvendosën nga Parlamenti para Kryeministrisë, ndërsa shprehen të vendosur për të vazhduar kauzën e tyre. Panorama

UGSHPD: DIALOGU APO VAKIA (Gurosja në Tiranë dhe Questions or no Questions (?!) në Mal të Zi)

Kur shumë opinione nisën të reagonin me vendosjen e karrigeve me mbi shënimin ‘dialog’ nga ana e kryeministrit në trotuarin e bulevardit poshtë zyrës së tij, Besa, Pasqyra e Flamingove, Prania Besnike e të tjera manovra të çastit e humbën kuptimin në publik përveç parlamentit ku bëhen ligje të njëanshme. Ky mosfunksionim shtoi  përshkallëzimin e protestës studentore dhe tronditi seriozisht situatën në gjithë vendin duke e bërë më të theksuar kërkesën për dorëheqjen.

Por asgjë nuk mbetet pa u shpikur kur vjen fjala për të mbrojtur pushtetin.

Një tjetër pasqyrë ose mungesa e vendosjes për herë të tretë të karrigeve-dialog nga ana e kryeministrit u shpërngul në Miloçer të Malit të Zi për Samitin e Procesit të Berlinit mbi bashkëpunimin ekonomik, sigurinë rajonale dhe integrimin evropian me liderët e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Ky “pushim” nuk ndikoi në situatën e rënduar brenda parlamentit dhe protestat në rrugë ku Sindikata e punonjësve të Universiteteve i është bashkuar protestave studentore në ditën e dhjetë të tyre nën masa të rrepta dhe ushtrim dhune nga forcat e policisë te urdhëruara nga kryeministri.

Ky është një agresion i gjerë policor jo vetëm si shprehje e forcës dhe e dhunës kundrejt brezit të ri e qytetarëve protestues për lëndimet shoqërimet dhe trjajtimet në burgje e spitale, por është më tej një fyerje e gjithë frymës së ëndrrës evropiane që popullsia shqiptare në mbi 90% të saj aspiron. Pushteti dhe politika ndërkohë propagandojnë dhe përvetësojnë pasurite kombetare.

Pikërisht për këto kushte kjo revoltë “ngriti edhe gurët” për të shprehur urrejtjen dhe mposhtur pabarazinë dhe u ndesh me armatimin dhe jo profesionalizmin policor. Ujë hedhës, plumba gome, gaz lotsjellës, shkopinj gome, automjete që me shpejtësi ndiqnin njerëz në sheshe dhe rrugica, policë që ‘trembnin” duke rrahur mburojat plastike me shkopinjtë e gomës arrestime, shoqërime dhe shtrime në spitalin e traumës, pasqyrim mediatik vendor dhe ndërkombëtar si dhe rrjetet sociale e gjithë kjo revoltë e mijëra qytetarëve shqiptarë në dhjete ditë që nuk i ndahen kërkesës për dorëheqjen e pa negociueshme të kryeministrit i cili jeton ne planet e sulmit nga armiq te bashkuar kundër tij në një ‘luftë hibride’.

Me këto arritjet kryeministri e përfaqëson ndërkombëtarisht vendin dhe nuk ka se ç’të thotë.*

Besim-i…… u thye

Empati-a…. u bë moskokëçarje

Shërbim-i…. kryhet me ujë, gaz lotsjellës, shkop dhe plumba gome

Angazhim-i…patronazhim dhe policim i plotë i shtetit kundër qytetarit dhe çdo biznesi

_________

*Mbyllje-Depresion-Izolim

(Prezantuesja e fton në ceremoninë e hapjes)

Edi Rama… Kryeministër

KM- Çfarë duhet të bëj?
A duhet të këndoj ndonjë këngë, apo thjesht të them sa i lumtur jam që ndodhem në  të bukurin  Malin e Zi,  vendi i vetëm ku mund të kesh një helikopter mbi kokë në çdo moment? Gjithashtu, është mirë që jam këtu për t’iu bashkuar sërish Procesit të Berlinit, një ritual i përvitshëm që këtë herë zhvillohet në këtë vend të mrekullueshëm.
Çfarë tjetër duhet të them?
Jam këtu dhe i lumtur që do të vazhdoj takimet me miqtë që më presin.
A ka pyetje, apo jo?
Në rregull.
Mirë.
Faleminderit shumë.

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD)
Verband Albanischer Berufsjournalisten der Diaspora (VABD)
Union of Professional Albanian Journalists of Diaspora (UPAJD)
L’Union des journalistes professionnels albanais de la diaspora (UJPAD)
Unione dei Giornalisti Professionisti Albanesi della Diaspora (UGPAD)

22 Tetor, 2026

 

Krahasimi i Ramës me protestat në Europë, Marjana Koçeku: Municion për militantët! Një qeveri demokratike i jep llogari rinisë, s’e mbulon dhunën me statistika

Deputetja e pavarur Marjana Koçeku ka zbërthyer krahasimin dhe shifrat e Ramës për bilancin e lëndimeve nga protestat studentore në Shqipëri dhe vendet e BE.

Në një tabelë Rama tregonte se në Be në protesta ka më shumë të lënduar protestues se sa policë, ndërkohë që ndodh e kundërta në protestat e studentëve këto ditë në vendin tonë, ku sipas statistikave të Ramës ka më shumë policë të dëmtuar sesa protestues.

Megjithatë Koçeku shkruan se këto shifra janë dhënë pa ndonjë kontekst dhe se protestat për të cilat jep shifra Rama nga vendet e BE janë të viteve 2010-2019 pa ndonjë specifikë me studentët ashtu siç po ndodh në vendin tonë.

Reagimi i Marjana Koçekut:

Kryeministri, në samitin e sotëm në Mal të Zi, nuk dha fakte kur foli për protestën e studentëve. Por u dha municion militantëve të tij.
Shikojeni tabelën e tij. I krahason protestat e sotme me ngjarje të viteve 2010–2019 në Europë, pa kontekst, pa periudha të sakta, pa thanë çka ka ndodhë realisht. Tu sjellë shifra të së kaluemes sikur të ishin të ngjarjeve të fundit.
Nji numër pa kontekst nuk ka si me qenë argument, por spekulim.
Studentët nuk kërkojnë shumë. Thjesht kërkojnë nji qeveri që nuk i gënjen. Nji qeveri që nuk i rrah. Nji qeveri që paratë e dijes nuk i çon për me shpërblye ata që i rrahin.
Nji qeveri demokratike i jep llogari rinisë. Nuk e mbulon dhunën me statistika.

Panorama


Send this to a friend