VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Dita e Falenderimeve, miliona amerikanë udhëtojnë megjithë paralajmërimet për COVID-in

By | November 26, 2020

Komentet

Emocione në Presidencë, Dhimitër e Roza Anagnosti marrin dekoratën e lartë, artistja: Me fat që kam pasur në krah një bashkëshort të tillë, për mua është 20 vjeç

Dhimitër Anagnosti mund të jetë 85 vjeç, por zëri i tij mbetet i njëjtë dhe po aq i fortë sa për të dhuruar emocione. Ai është vlerësuar sot nga Presidenti i Republikës Ilir Meta me Dekoratën “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, teksa së bashku me bashkëshorten, artisten e madhe të skenës shqiptare Roza Anagnosti kanë ndarë një mesazh.
Regjisori e quajti një ditë të veçantë duke falënderuar njerëzit me të cilët ka punuar në vite dhe presidentin Meta.

“Sot është një ditë e veçantë për mua. Falenderoj të gjithë njerëzit me të cilët kam punuar vite të tëra dhe bashkë kemi lëvizur në vendin tonë dhe bëmë ato vepra të filmit.
Vepra e kineastëve jeton në çdo brez. Falenderoj Presidentin e Republikës, z.Meta që më nderon me një titull të lartë”, tha regjisori Dhimitër Anagnosti.

Ndërsa bashkëshortja e tij, u ndal më gjatë për të lexuar mesazhin e tij, me shumë emocione dhe shikime dashurie ndaj kineastit 85-vjeçar, për të cilin tha se i duket ende si 20.

“Ky shkruan unë po ia lexoj dhe shpesh ia interpretoj. Diku dikur kam shkruar, në pleqëri njeriut i dobësohet shikimi sepse nis të shoh brenda vetes se sa jashtë saj. Juridikisht jam i pavdekshëm sepse ADN. ime udhëton në përjetësi përmes brezave në vijim. I them këto rreshta që të bisedoj me fëmijët e mi, më fëmijët e tyre me breza më tej e më tej, për të kuptuar çfarë i jep jetës nxitje, energji e kuptim.

Si të jetohet ajo më mirë në kuptimin material, intelektual, moral dhe emocional. Duhet të bëjmë kujdes në ndërtimin e jetës, ta ngremë kokën hera herës nga problemet e përditshme dhe të shikojmë yllin polar për të mos humbur drejtimin e rrugëtimit.
Në këtë vend, në këtë truall ku brezat kanë derdhur energji fizike, intelektuale, morale, shpirtërore, rrezatohet një energji misterioze e shumëllojshme, që ta bënë jetën më të lehtë, më të plotë, më me kuptim, energjia e memories historike.
Përshëndes në mënyrë të veçantë që na dha një surprizë në këtë gëzim, në 85-vjetorin e Dhimitrit, se për mua ngel 40 vjeç gjithmonë. Zotin President të Republikës e falënderoj pa masë dhe të gjithë iniciatorët.
Falënderoj pa masë të gjithë miqtë dhe artistë të shquar që janë sot në këtë sallë, se as Dhimitri nuk do të bënte ato vlera, artistë në të gjitha fushat, që kanë punuar dhe kanë bërë vlera të jashtëzakonshme, qoftë në art, në skenë dhe ekran, në pikturë. Këtu kam edhe një nga bregu gazetari, i cili është i biri i të famëshit, i yllit të polifonisë Lefter Çipës.
Pra ju falënderoj dy herë që në këtë kohë pandemie ju keni dhënë bashkë me Dhimitrin siç e tha kaq bukur Presidenti, sa mi shteroi ato fjalë me thënë të drejtën sepse është një titull shumë kuptimplotë për artistin ‘Gjergj Kastriot Skënderbeu’.
Siç tha Presidenti emblemë e kombit tonë dhe të gjithë ju bashkë dhe të gjithë artistët që edhe këtu nuk janë të gjithë, por ju jeni përfaqësuesit më të denjë të tyre, keni mbështetur dhe i keni forcuar dhe jeni në vazhdimësi të integritetit tonë.
Pra ju keni dhënë dashuri, emocion, po këtë asnjëherë nuk e bën pa publikun tonë të dashur që në çdo hap e në çdo moment ne na nderon. Unë jam me fat që kam pasur në krah një bashkëshort të tillë që bashkë kemi mbështetur njëri-tjetrin, në vështirësi dhe në të mirë, në gëzime dhe hidhërime.
Bashkë me fëmijët tanë të cilët, Junën e kam këtu bashkë me bashkëshortin Tonin edhe dua të përmend edhe vajzën tonë Era, e cila është larg, por me zemër dhe shpirt është këtu. Na kanë lënë mundësi me mbarëvajtjen e tyre që ne të punojmë mirë dhe të vazhdojmë për popullin tonë me emocione, me një popull të mrekullueshëm që kemi.
Ju falënderoj për herë të dytë të gjithëve sepse kjo pandemi na krijoi një jetë tjetër dhe shpresoj që shumë shpejt të kalojë, që arti të marrë atë energji, se ky popull energjik nuk duron dot, nuk i mjafton vetëm buka, po do dhe emocionin, do dhe artin, do dhe kulturën edhe të gjithë këto.
Edhe njëherë Zoti President faleminderit shumë!”, tha aktorja.

Dënohet gjuha e PDK-së dhe LDK-së ndaj RTV Dukagjini

VOA

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës dënoi të enjten siç tha gjuhën linçuese të dy subjekteve politike, Partisë Demokratike dhe Lidhjes Demokratike ndaj Radio televizionit Dukagjini, pasi që ky i fundit në një emision debatues publikoi një anketë lidhur me rezultatet e pritshme të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare që do të mbahen më 14 shkurt.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës tha se gjuha linçuese është tërësisht e papranueshme dhe përbën trysni të drejtpërdrejtë në politikat redaktoriale.

“Duke i akuzuar mediet se po favorizojnë një subjekt politik, i bëjnë ato target të sulmeve. AGK-ja u bënë thirrje partive politike që nëse kanë ankesa në drejtim të ndonjë mediumi, t’i drejtojnë ato tek organet kompetente. Kjo mënyrë e qasjes së subjekteve politike ndaj medieve, për AGK-në përbën sulm ndaj lirisë së shprehjes”, thuhet në reagimin e këtij Asociacioni.

Të dy subjektet politike thanë se do të ndërpresin bashkëpunimin me këtë televizion, të cilin e akuzojnë për mbështetje të lëvizjes Vetëvendosje dhe për përhapje të siç thanë, lajmeve të rreme.

Partia Demokratike e Kosovës që ka qenë më e zëshmja në reagimet ndaj Radiotelevizionit Dukagjini. Të enjten në një konference për gazetarë, shefi i shtabit të kësaj partie, Betim Gjoshi, tha se subjekti i tyre ka shkëputur çdo komunikim me TV Dukagjinin .

“Nga sot, asnjë përfaqësues i PDK-së nuk do të marrë pjesë në asnjë debat politik apo çfarëdo emisioni tjetër në këtë televizion propagandues dhe manipulues. Përjashtim bëjnë vetëm ato debate që tashmë janë xhiruar gjatë ditëve të kaluara. Radiotelevizioni Dukagjini ka kohë që është shndërruar në zyre të propagandës së Lëvizjes Vetëvendosje dhe të Albin Kurtit, por kjo gjë tashmë e ka arritur kulmin”, tha zoti Gjoshi.

Ndërsa, Lidhja Demokratike e Kosovës përmes një komunikate për opinion tha se RTV Dukagjini po përdorë të gjithë potencialin e vet mediatik në shërbim të Lëvizjes Vetëvendosje duke publikuar siç thuhet sondazhe të porositura për të çuar përpara një bindje politike.

“Ndërlidhja e ngushtë e RTV Dukagjini me “Lëvizjen Vetëvendosje!” shpërfaqet në secilën natë nëpërmjet të ashtuquajturave sondazhe online, që sërish, ndonëse s’kanë asnjë saktësi, asnjë profesionalizëm e së këndejmi asnjë vlerë për të ndërtuar opinion, paraqiten si fakte mbi të cilat ndërtohet lajmi. Ky prezantim sistematik dëshmon jo vetëm joprofesionalizmin e një medium në vend, por edhe keqpërdorimin e hapësirës publike në kohë fushate e para saj”, thuhet në reagimin e Lidhjes Demokratike duke nënvizuar se me këtë nuk synon të ndërhyjë në pavarësinë redaktoriale të mediave, por as nuk do të tolerojë fushatën fake news ndaj saj”.

Drejtori i Radiotelevizonit Dukagjini, Ermal Panduri që njëherësh edhe udhëheq debatin politik në këtë televizion, tha se këto sulme po rrezikojnë punën e 150 punonjësve të këtij mediumi dhe se pret nga subjektet politike të tërhiqen nga kjo gjuhë dhe të kërkojnë falje.

Zoti Panduri tha se “RTV Dukagjini në sondazhin të cilit po i referohen subjektet politike, që po kërcënojnë me mospjesëmarrje, ka respektuar me përpikmëri të gjitha kriteret që kërkohen nga Komisioni i Pavarura i Mediave. Bazuar në Rregulloren e KPM-së, mediat janë të obliguara të bëjnë të ditur se kush është: Porositësi, Kryerësi, Numri i Respodentëve dhe Margjina e Gabimit”, tha ai duke nënvizuar se debatet politike gjatë gjithë̈ kohës në RTV Dukagjini kanë qenë të balancuara politikisht dhe do të vazhdojnë̈ të jenë të tilla.

Raporti i fundit i organizatës ndërkombëtare, Human Rights Watch, i publikuar në fillim të këtij viti nxori në pah se gazetarët në Kosovë vazhdojnë të jenë shënjestra të frikësimit, kërcënimeve në rrjetet sociale dhe sulmeve fizike, ndërsa hetimet dhe ndjekjet penale për këto vepra janë të ngadalshme.

RTV Dukagjini: Gazetarët ndihen të rrezikuar nga LDK-ja dhe PDK-ja

Luljeta Krasniqi – Veseli

Një sondazh i bërë për zgjedhjet e parakohshme parlamentare nga RTV Dukagjini ka nxitur dy partitë politike, Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe Partinë Demokratike të Kosovës, që të ndërpresin bashkëpunimin me këtë medium, duke e akuzuar që në kohë fushate po mbështet një parti politike, në këtë rast Lëvizjen Vetevendosje, dhe po përhap lajme të rreme.

Por, sipas drejtorit të këtij televizioni, Ermal Panduri, gjuha e përdorur nga këto dy parti është linçuese dhe po rrezikon punonjësit e kësaj medie.

“Përmes kësaj gjuhe që po e përdorin partitë politike po rrezikojnë qindra gazetarë që punojnë në terren. Ne ndihemi të rrezikuar që të kryejmë punën tonë. Gjuha që është përdorur sot na demotivon për të vazhduar punën që bëjmë dhe na demotivon të themi atë që e shohim me sy”, thotë Panduri për Radion Evropa e Lirë.

Në sondazhin e bërë nga RTV Dukagjini, të cilit po i referohen subjektet politike, e që po kërcënojnë me mospjesëmarrje në debate, Panduri thotë se televizoni që ai udhëheq, i ka respektuar të gjitha kriteret që kërkohen nga Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM).

Bazuar në Rregulloren e KPM-së, mediat për një sondazh janë të obliguara të bëjnë të ditur se kush është: porositësi, kryerësi, numri i respodentëve dhe margjina e gabimit, që, sipas Pandurit, të gjitha këto janë respektuar.

“Debatet politike gjatë gjithë kohës në RTV Dukagjini, kanë qenë të balancuara politikisht dhe do të vazhdojnë̈ të jenë të tilla. Ne nuk mund të shërbejmë si platformë për të qëruar hesapet politike dhe nuk i shërbejmë frustrimit politik të ndonjë individi nga ndonjë subjekt politik”, thotë Panduri.

Në anën tjetër, juristja e së drejtës së mediave, Flutura Kusari, thotë për Radion Evropa e Lirë se gjuha e përdorur nga partitë politike përbën një rrezik për gazetarët në Kosovë.

“Fushata denigruese e lansuar sot(e enjte) nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Partia Demokratike e Kosovës kundër RTV Dukagjini është e rrezikshme dhe përbën sulm ndaj lirisë së medieve. Gjuha e përdorur sot duke i quajtur fake news (lajme të rreme) dhe duke e ndërlidhur aktivitetin e gazetarëve me Serbinë është thirrje për dhunë dhe i bën target të sulmeve gazetarët e këtij mediumi”, thotë Kusari.

Në këtë kohë të fushatës parazgjedhore, shton Kusari, “militantët e partive politike janë aktivizuar dhe partitë politike duhet të kenë kujdes me gjuhën që përdorin pasi që, sipas saj, me lehtësi mund të nxisin veprime kriminale ndaj gazetarëve”.

“Nëse një parti politike i denoncon publikisht mediat, atëherë përkthyer në praktikë, kjo i bie që një militant i kësaj partie apo ndonjë partie tjetër mendon që është në rregull që t’i sulmojë mediat dhe ajo do të përkthehet edhe në dhunë fizike”, thotë Kusari.

Partitë politike që janë të pakënaqura me përmbajtjen e televizioneve, shton Kusari, duhet t’i ndjekin rrugët ligjore dhe jo t’i linçojnë gazetarët.

Të enjten, Partia Demokratike e Kosovës ka mbajtur një konferencë për media ku është njoftuar që Partia Demokratike e Kosovës shkëput çdo komunikim me RTV Dukagjinin.

Kjo parti emisionet në RTV Dukagjin i ka quajtur propaganduese dhe manipuluese.

“Radiotelevizioni Dukagjini ka kohë që është shndërruar në zyre të propagandës së Lëvizjes Vetëvendosje dhe të Albin Kurtit, por kjo gjë tashmë e ka arritur kulmin. Ekrem Lluka (pronar i RTV Dukagjini) dhe Albin Kurti janë bërë bashkë, krejt e njëjtë, të pandashëm dhe të bashkuar krejtësisht për qëllime të pista dhe biznesore”, tha shefi i shtabit të kësaj partie, Betim Gjoshi.

Sipas PDK-së, llogaritë e Lëvizjes Vetëvendosje dhe të RTV Dukagjinit menaxhohen nga i njëjti person, i njëjti ekip, nga e njëjta zyre dhe me të njëjtat pajisje.

Ndërkaq, Lidhja Demokratike e Kosovës nëpërmjet një komunikatë për media thotë se RTV Dukagjini, po përdor të gjithë potencialin e vet mediatik për t’i shërbyer një partie politike, përkatësisht, siç thotë LDK-ja, “në shërbim të Lëvizjes Vetëvendosje”.

“LDK-ja nuk synon të ndërhyjë në pavarësinë redaktoriale të mediave, por as nuk toleron fushatën fake neës (lajme të rreme) ndaj saj. Prandaj, paralajmëron se në qoftëse RTV Dukagjini vazhdon me propagandë të tillë, që duket sheshazi se ka për qëllim të ndikojë dhe orientojë votat e qytetarëve për një parti të caktuar, LDK-ja do ta rikonsiderojë bashkëpunimin me RTV Dukagjini, në mënyrë që mos të bëhemi pjesë e abuzimit informativ me pasoja për votuesit tanë dhe për qytetarët e Kosovës”, thuhet në një komunikatë të kësaj partie.

Edhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka reguar lidhur me deklaratat e këtyre dy partive. AGK-ja vlerëson se ky është presion i drejtpërdrejtë në politikat redaktoriale dhe formë direkte e presionit publik.

“Duke i akuzuar mediet se po favorizojnë një subjekt politik, i bëjnë ato target të sulmeve. AGK-ja u bën thirrje partive politike që nëse kanë ankesa në drejtim të ndonjë mediumi, t’i drejtojnë ato tek organet kompetente. Kjo mënyrë e qasjes së subjekteve politike ndaj medieve, për AGK-në, përbën sulm ndaj lirisë së shprehjes”, thuhet në reagimin e AGK-së.

Ndryshe raporti më i ri i Human Rights Watch, i publikuar më 13 janar ka vlerësuar se gazetarët në Kosovë kanë vazhduar të jenë caqe të frikësimit dhe kërcënimeve në mediat sociale, si dhe të sulmeve fizike.

“Midis janarit dhe shtatorit, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka regjistruar 18 raste të kërcënimeve dhe dhunës kundër gazetarëve dhe mediave, përfshirë pesë sulme fizike kundër gazetarëve dhe dhjetë kërcënime. Policia ka qenë duke hetuar katër raste të regjistruara në kohën e shkrimit [të raportit]”, thekson Human Rights Watch.

Vjosa Osmani: Ibrahim Rugova mbetet përjetësisht themeltari i shtetit të Kosovës

VOAL – Në 15 vjetorin e ndarjes së liderit Ibrahim Rugovës nga jeta, sot në mesditë kryetarja e Kuvendit dhe ushtruese e detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës Vjosa Osmani dhe ish kryeministri i Republikës së Kosovës, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti bënë vizitë tek varri i ish Presidentit të Republikës së Kosovës. Zonja Vjosa Osmani posti këtë status në faqen e saj në facebook:
Sot, në 15-vjetorin e ndarjes nga ne, e rikujtojmë presidentin Rugova, njeriun i cili na mësoi se çfarë është liria, se si duhet kërkuar ajo e si duhet ngulur këmbë për të, deri në arritjen e plotë të saj. Ai na mësoi se synimet politike e shtetërore thjesht janë të mundura, nëse ekziston këmbëngulja për to.
Duke na mësuar se si ta duam lirinë, ai na e dha shembullin se si ta refuzojmë të keqen, ideologjinë, dhe ta krijojmë solidaritetin e papërsëritshëm ndërmjet nesh. Me të ne u çliruam përfundimisht nga frika dhe u mbështetëm në besimin e përbashkët duke u bashkuar rreth kauzës së lirisë e pavarësisë.
Ibrahim Rugova mbetet përjetësisht themeltari i shtetit të Kosovës, intelektuali i cili e humanizoi politikën dhe i hapi udhë vendit dhe gjithë rajonit që të shkëputej nga ideologjia komuniste e nga regjimi shtypës i Millosheviçit.
I përjetshëm kujtimi për të.

Vjosa Osmani: Në krye të SHBA-së prej sot është miku i Kosovës

Ushtruesja e detyrës së presidentit të Kosovës, Vjosa Osmani, uroi presidentin e ri të Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, me, siç tha, “besimin e fuqishëm se amerikanët kanë bërë zgjedhjen e duhur”.

Biden u inaugurua të mërkurën si presidenti i 46-të amerikan.

“Në krye të shtetit tonë aleat, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, prej sot është miku i Kosovës, presidenti Joe Biden. Amerika është sinonim i demokracisë dhe promovimit të vlerave. Raportet e shkëlqyeshme të Kosovës me SHBA-në janë jo vetëm miqësore, por ekzistenciale”, tha Osmani.

Biden ka vizituar Kosovën për herë të fundit në vitin 2016, derisa ka qenë duke shërbyer si nënpresident i Shteteve të Bashkuara.

Ai vazhdimisht ka shprehur mbështetje për pavarësinë e Kosovës, duke thënë se shtetësia e saj është e pakthyeshme.

Në vitin 1999, Biden, atëbotë senator, i ka mbështetur edhe sulmet e NATO-s kundër caqeve të ushtrisë serbe, për ndaljen e dhunës në Kosovë. rel

Joe Biden bëhet presidenti i 46 i Shteteve të Bashkuara

Biden u betua duke përdorur një Bibël që ka qenë në familjen e tij që nga viti 1893


Joe Biden duke u betuar.

Biden: Kjo është dita e demokracisë

“Kjo është dita e Amerikës. Kjo është dita e demokracisë. Një ditë e historisë dhe shpresës”, tha presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, pasi bëri betimin në platformën e Kongresit amerikan.

“Amerika është provuar dhe është ngritur ndaj sfidave. Sot, ne festojmë jo fitoren e një kandidati, por të një kauze, një kauze të demokracisë”.

“Ne mësuam përsëri se demokracia është e çmuar. Demokracia është e brishtë dhe, në këtë moment, miqtë e mi, demokracia ka mbizotëruar”, tha Biden, duke u zotuar se do të jetë president i të gjithë amerikanëve.

Biden u inaugurua dy javë pasi mbështetës të presidentit të deritashëm, Donald Trump, sulmuan ndërtesën e Kongresit amerikan, në përpjekje për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve.

Pesë njerëz kanë mbetur të vdekur në trazira.

Demokrati Joe Biden bëri betimin e presidentit të Shteteve të Bashkuara.

“Betohem solemnisht se do ta përmbush me besnikëri detyrën time si president i Shteteve të Bashkuara dhe se do ta ruaj dhe mbroj më së miri Kushtetutën e Shteteve të Bashkuara. Me ndihmo, Zot”, tha Biden, teksa u betua para gjykatësit të Gjykatës Supreme, John Roberts.

Dita e inaugurimit të presidentit amerikan

  • Amerikanët mirëpresin sot një president të ri në Shtëpinë e Bardhë. Joe Biden bën betimin si presidenti i 46-të i Shteteve të Bashkuara.
  • Demokrati Joe Biden inaugurohet sot si presidenti i 46-të i Shteteve të Bashkuara. Kamala Harris po ashtu bën betimin si nënpresidente.
  • Biden, 78 vjeç, është presidenti më i vjetër amerikan që merr detyrën.
  • Ai i ka fituar zgjedhjet presidenciale të 3 nëntorit, 2020, kundrejt presidentit të deritanishëm, Donald Trump. Kongresi e ka miratuar fitoren e tij më 6 janar.
  • Inaugurimi është një ceremoni zyrtare që shënon fillimin e një presidence të re në Shtetet e Bashkuara dhe, sipas ligjit, zhvillohet më 20 janar në Uashington.
  • Presidenti bën betimin me fjalët: “Betohem solemnisht se do ta përmbush me besnikëri detyrën time si president i Shteteve të Bashkuara dhe se do ta ruaj dhe mbroj më së miri Kushtetutën e Shteteve të Bashkuara”.
  • Ceremonia e inaugurimit sivjet është ndër më të pazakonshmet në historinë e Shteteve të Bashkuara. Ajo zhvillohet nën masa të pashembullta të sigurisë, të cilat pasojnë dhunën e 6 janarit në ndërtesën e Kongresit.
  • Presidenti në largim, Donald Trump, nuk do të marrë pjesë në ceremoni.
  • Pjesëmarrja e publikut në inaugurim është po ashtu rreptësisht e kufizuar për shkak të pandemisë së koronavirusit.

Donald dhe Melania Trump duke u larguar nga Shtëpia e Bardhë

Presidenti në largim është i pari në 152 vjet që nuk merr pjesë në ceremoninë e inaugurimit të presidentit të zgjedhur, Joe Biden.

Trump nuk e ka pranuar kurrë publikisht humbjen në zgjedhje.

 

Obama uron Bidenin

Ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, uroi presidentin e zgjedhur, Joe Biden, i cili pas pak orësh do të bëjë betimin.

“Urime mikut tim, presidentit Joe Biden! Kjo është koha juaj”, shkroi Obama në Twitter.

Biden ka qenë zëvendës i Obamës, kur ky i fundit ka qenë president, nga viti 2009 deri më 2017.

Trump i lë letër Bidenit

Shtëpia e Bardhë tha se presidenti në largim, Donald Trump, i ka lënë një letër pasardhësit të tij, Joe Biden.

Zëvendësi i sekretarit për media, Judd Deere, refuzoi të zbulojë se çfarë i ka shkruar Trump Bidenit, duke u thirrur në privatësinë e komunikimit midis dy presidentëve, shkruan AP.

Trump ka refuzuar të pranojë publikusht humbjen kundrejt Bidenit në zgjedhje dhe në fjalimet e tij lamtumirëse, ai nuk e ka përmendur me emër presidentin e zgjedhur.

Lënia e letrës është një traditë që e ndjekin presidentët amerikanë.

Trump, megjithatë, i ka thyer disa tradita të tjera.

Ai nuk merr pjesë në inaugurimin e Bidenit, duke u bërë presidenti i parë në 152 vjet që bën një gjë të tillë.

Trump po ashtu nuk e ka ftuar Bidenin për takim në Shtëpinë e Bardhë, pasi Biden është shpallur fitues i zgjedhjeve të 3 nëntorit.

Joe Biden, gati për të kryer betimin si president i 46 i SHBA-së

Pas një prej proceseve zgjedhore më të diskutuara në historinë amerikane, demokrati Joe Biden do të betohet në mesditën e 20 janarit si president i Shteteve të Bashkuara, ndërkohë që i tërë Uashingtoni mbetet i rrethuar me sigurim të madh.

Kur të vendosë dorën në Bibël, 78-vjeçari Biden do të bëhet personi më i vjetër që do të betohet si president amerikan dhe do të niset drejt Shtëpisë së Bardhë pak më vonë, për të zëvendësuar Donald Trumpin, dhe për t’u kthyer në presidentin e 46-të të kombit amerikan.

Për herë të parë në 152 vjet, presidenti në shkuarje nuk pritet të marrë pjesë në ceremoninë e inaugurimit, ndonëse ish-presidentët George W. Bush, Bill Clinton dhe Barack Obama pritet të jenë aty kur gjyqtari kryesor i Gjykatës Supreme, John Roberts të drejtojë Bidenin në procesin e betimit.

Ish-presidenti amerikan, Jimmy Carter është 96 vjeç dhe ka thënë se nuk do të ketë mundësi të marrë pjesë në ceremoni.

Nënpresidenti i Trumpit, Mike Pence, ka thënë se do të jetë aty, ashtu sikurse shumë ligjvënës republikanë.

Historia do të bëhet edhe kur 56-vjeçarja, Kamala Harris do të betohet si nënpresidente, duke u bërë gruaja e parë dhe personi i parë me ngjyrë që mban këtë pozitë.

Sikurse e do tradita, Biden ka kaluar natën para inaugurimit në Shtëpinë Blair, shtëpinë e mysafirëve të presidentit, e cila gjendet afër Shtëpisë së Bardhë, në qendër të Uashingtonit.

Shtëpia e Bardhë.

Shtëpia e Bardhë.

Para ceremonisë së inaugurimit, Biden dhe Harris kanë nderuar 400,000 personat që kanë vdekur me koronavirus.

“Për t’u shëruar, ne duhet të kujtojmë”, ka thënë Biden në një ceremoni para qendrës përkujtimore Lincoln.

Katërqind drita që përfaqësojnë viktimat, kanë ndriçuar mbrapa tij dhe qendrës përkujtimore.

“Në mes të perëndimit të diellit dhe muzgut, le të ndriçojmë dritat në errësirë dhe të kujtojmë ata që i kemi humbur”, ka thënë Biden.

Tensionet kanë qenë të larta në Uashington, pas sulmit të 6 janarit në ndërtesën e Kongresit nga mbështetës të Trumpit.

Si pasojë e sulmit kanë mbetur të vdekur pesë persona.

Mbështetësit e Trumpit janë zemëruar pasi presidenti ka pretenduar disa herë – ndonëse pa ofruar të dhëna – se ka fituar zgjedhjet e 3 nëntorit dhe se procesi ka qenë i manipuluar.

Pretendimet e tij janë kundërshtuar dhjetëra herë në disa gjykata amerikane, duke përfshirë gjyqtarët e nominuar nga vetë Trump.

Në situatë normale, qindra mijëra mbështetës dhe vëzhgues tjerë do të mblidheshin afër ndërtesës së Kongresit për të dëgjuar presidentin duke kryer betimin.

Megjithatë, pas sulmit në Kongres, autoritetet kanë angazhuar rreth 25,000 trupa të Gardës Kombëtare dhe kanë vendosur kufizime për të parandaluar kalimtarët e rastit që t’i afrohen zonës.

Edhe para se dhuna e turmës të raportohej në Kongres, ceremonia e inaugurimit ishte planifikuar të zhvillohej pa shumë zhurmë, për shkak të pandemisë së koronavirusit dhe dëshirës për të shmangur turmat që mund të përhapnin virusin.

Pas ceremonisë së betimit, Biden do të marrë pjesë në një ceremoni me pjesëtarë të ushtrisë në pjesën lindore të Kongresit.

Biden, Harris, bashkëshortët e tyre, më pas, Obama, Bush, Clinton dhe gratë e tyre do të marrin pjesë në një ceremoni në Varrezat Kombëtare në Arlington.

Biden më pas do të dërgohet në Shtëpinë e Bardhë.

Trump në anën tjetër pritet të largohet nga Uashigtoni për në shtëpinë e tij në Florida më 20 janar.

Në një video-mesazh lamtumirës nga Shtëpia e Bardhë, Trump ka thënë se do të “lutet” për suksesin e administratës së re, ndonëse nuk ka përmendur emrin e Bidenit gjatë adresimit të tij 20-minutësh.

Përgatiti: Krenare Cubolli

Joe Biden, gati të inaugurohet si presidenti i 46-të i Shteteve të Bashkuara

Të mërkurën, amerikanët mirëpresin një president të ri në Shtëpinë e Bardhë. Muajt e fundit janë shoqëruar me raste tensionesh dhe dhune, sepse shumë amerikanë e kanë të pamundur të pranojnë fitoren e presidentit të zgjedhur Joe Biden. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Carolyn Presutti na njeh me 78-vjeçarin që do të drejtojë Shtetet e Bashkuara për katër vitet e ardhshme.

U deshën katër ditë, me rezultate të pasigurta të zgjedhjeve, që Joe Bideni të mund të shpallte fitoren

“Njerëzit e këtij vendi kanë folur. Ata na dhanë një fitore të qartë dhe bindëse,” tha ai.

Megjithatë presidenti Donald Trump do të vazhdonte të vinte në dyshim rezultatin, duke bashkuar mbështetësit e tij, në atë që çoi përfundimisht në trazirën në ndërtesën e Kongresit.

Kapitoli i ngjan tani një fortese. Skena e inaugurimit është larg çdo spektatori.

Një prani masive e policisë përfshin 25,000 anëtarë të Gardës Kombëtare.

Në ndryshim nga presidenti Trump, një biznesmen para se të merrte detyrën, presidenti i zgjedhur Biden është një politikan me përvojë.

“Një gjë nuk duhet t’ju çudisë. Unë di si ta bëj qeverinë funksionale.”

Biden ka shërbyer në politikë prej gati 50 vjetësh. Për dy mandate ai shërbeu si nënpresident i Presidentit Barack Obama.

Para kësaj, votuesit e Delauerit e zgjodhën atë gjashtë herë në senatin amerikan.

Një muaj pas zgjedhjes së tij për herë të parë, gruaja dhe vajza e tij humbën jetën në një aksident me makinë që la dy djemtë e tij të vegjël të plagosur rëndë.

Senatori Biden udhëtonte me trenin Amtrak për 90 minuta çdo natë nga Uashingtoni për në Delauer për të qenë pranë djemve. Stacioni i trenit Amtrak në Uillmington mban emrin e tij.

Biden ka bërë dy operacione në tru për shkak të aneurizmit. Në vitin 2015, kur ishte nënpresident, djali i tij i madh Bo vdiq nga kanceri në tru.

Biden dhe gruaja e tij, Jill, profesore kolegji, jetojnë në Uillmington të Delauerit, një qytet me 70,000 banorë, që tani është shtëpia e presidentit të zgjedhur.

Autokolona makinash dhe snajperë janë tani kudo në rrugët e qytetit. Buck Simpers është një banor i vjetër në Uillmington.

“Nuk po shkaktojnë fare vonesa. Njerëzit thjesht duhet të jenë pak të durueshëm. Ata duhet ta kenë për nder, duke e ditur se përse këto forca sigurie janë këtu”.

Banorët këtu e quajnë presidentin e zgjedhur djalin e tyre, i cili pëlqen bozën dhe hamburgerat. Miku i tij i vjetër Bob Byrd është mësuar ta shohë Bidenin pas timonit të makinës së tij sportive të vitit 1967.

“Ka një Corvette klasike, dhe e shoh ta ngasë atë herë pas here. Po, atij i pëlqen të ngasë makinat”, thotë Bob.

Tani në moshën 78 vjeç, presidenti më i vjetër i zgjedhur ndonjëherë, po përgatitet për sfidën e tij më të vështirë politike – udhëheqjen e një vendi të ndarë drejt së ardhmes.

Ekspozita “Spastrimi etnik i Çamërisë po bëhet me shqiptarët e Serbisë”

Spastrimi etnik i Çamërisë po vazhdon në Luginën e Preshevës. Ky ka qenë mesazhi i një ekspozite çelur në Tiranë, me synim ndërgjegjësimin e faktorit vendas e të huaj për shpopullimin e Medvegjës nga serbët.

Është çelur në Tiranë ekspozita “Spastrimi etnik i shqitarwve: Çamëria e Lugina e Preshevës”. Në kuadër të javës çame, fotografitë e dy kohëve treguan dy mënyra të ndryshme të shpopullimit të tokave ku kanë jetuar e jetojnë shqiptarë, nën kufijtë shtetërorë të fqinjëve.

“Dramë e jashtëzakonshme, fqinjët na i moren të tëra”, tha kreu i shoqatës Çamëria, Hektor Sejko i cili shtoi se “Drama e Çamërisë përsëritet në Medvegjë”.

Ekspozita u çel nga Partia për Drejtësi, Integrim dhe Unitet, dhe shoqata patriotike Çamëria, si perpjekje për të ndërgjegjësuar se ajo që ndodhi në Çamëri shekullin e shkuar po përsëritet në Luginën e Preshevës në ditët tona.

“Lugina e Preshevës po shpopullohet nga spastrimi etnik.

Serbia po i detyron shqiptarët të ikin nga shtëpitë e tyre” tha Alket Veliu, kryetar i fondacionit “Hasan Tahsini”.

Së fundmi ka pasur disa nisma dhe deklarata publike për shpopullimin e Medvegjës përmes një procesi që njihet si pasivizimi i adresave. News24 ka qenë në Medvegjë për dokumentimin dhe ngritjen e shqetësimit mbi këtë fenomen dhe ka biseduar me Muharrem Salihun, anëtar I këshillit komunal që po angazhohet për çështjen.

Një inaugurim si asnjë tjetër

Me përjashtim të rasteve të rralla, inaugurimi i një presidenti të ri simbolizon traditën amerikane të një transferimi paqësor të pushtetit. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Steve Redisch shpjegon se si dhe pse inaugurimi të mërkurën i Joe Biden-it do të jetë i pashoq në histori.

Gjatë historisë së Shteteve të Bashkuara, inaugurimi i një presidenti të ri paraqet një cilësi të rrallë të demokracisë së Amerikës, transferimin paqësor të pushtetit, shpesh nga një parti politike në tjetrën …edhe pas një fushatë të hidhur elektorale.

Më 20 janar, Joe Biden do të bëjë betimin si president në shkallët e Kapitolit, gërvishtur nga sulmi i dy javëve më parë nga mbështetësit e Presidentit Donald Trump.

Nuk kam frikë të bëj betimin jashtë“, thotë zoti Biden.

Incidenti tkurri më tej përmasën e festimeve me këtë rast, rrudhur gjithsesi për shkak të pandemisë.

Mendoj se gjithçka që përmban një inaugurim për shumicën e amerikanëve do të jetë në gjendje të realizohet e do të jetë e pranishme në ditën e Inaugurimit“, thotë Lara Brown drejtoreshë e shkollës pasuniversitare të Menaxhimit Politik në Universitetin George Washington.

Numri i të ftuarve do të jetë i kufizuar dhe ata do të qëndrojnë të shpërndarë gjatë ceremonisë së betimit. Pas fjalimit të tij me rastin e inaugurimit, zoti Biden do të kryesoje një vargan ushtarak për të forcuar konceptimin e një transferimi paqësor të pushtetit.

Më pas ai dhe ish-presidentët Barack Obama, George W. Bush dhe Bill Clinton do të shkojnë në Varrezat Kombëtare të Arlingtonit për të vendosur kurora me lule në Varrin e Ushtarit të Panjohur.

Mendoj se nuk do të ketë një paradë gjigante inauguruese në bulevardin Pensilvania“, thotë zoti Biden.

Në vend të saj, një transmetim televiziv i “paradës në të gjithë Amerikën” do të sigurojë atë që komiteti i inaugurimit thotë se është një “shfaqje ndryshe e dinamike për komunitetet në të gjithë vendin”.

Ballot tradicionale të inaugurimit që zhvillohen në mbrëmje do të zëvendësohen nga një program 90 minutësh drejtuar nga aktori Tom Hanks me pjesëmarrjen e një grupi muzikantësh duke filluar nga Bruce Springsteen tek Demi Lovato.

Për ata që nuk e kanë marrë ende mesazhin për të qëndruar në shtëpi, ai po përforcohet me trupa të armatosura.

Kjo është gjithashtu një shenjë shqetësuese që ne duhet të dërgojmë 25,000 trupa të Gardës Kombëtare për të mbrojtur kryeqytetin në një vend demokratik përpara një inaugurimi dalë nga zgjedhje legjitime. Kjo nuk është gjë e mirë”, thotë Lisa Barton-Short e Universitetit George Washington.

Lisa Barton-Short kryeson departamentin e gjeografisë në Universitetin George Washington dhe është autore e një libri mbi parkun kombëtar…i cili do të qëndrojë i mbyllur gjatë inaugurimin, rrethuar nga gardhe hekuri të vendosura njëra pas tjetrës, për të penguar përsëritjen e sulmit të 6 janarit në Kapitol.

Më pëlqen të jem në anën e pasme të Kapitolit, duke parë përtej hapësirës së madhe të parkut. Eshtë një nga ato pamje që thotë se ky është një peizazh ku mund të shohësh se kush jemi ne si amerikanë. Inaugurimi do të jetë më i varfër. Do të varfërohet për shkak të mungesës së njerëzve. Dhe kjo është vërtet e trishtueshme”, thotë ajo.

Me inagurimin e zotit Biden mesditën e së mërkurës, ai do të bëhet presidenti i 46-të i Shteteve të Bashkuara.

Presidenti i zgjedhur Biden me vizion “pozitiv e optimist” për vendin

Ken Bredemeier

Presidenti i zgjedhur Joe Biden ka në plan të përcjellë një vizion “pozitiv e optimist” për vendin në fjalimin e inaugurimit të mërkurën dhe do të përpiqet “të kthejë një faqe të re, përkundrejt përçarjeve dhe urrejtjes së katër viteve të fundit,” gjatë presidencës Trump, tha të dielën një ndihmëse e zotit Biden.

Kate Bedingfield, drejtoreshë për komunikimet për administratën e ardhshme Biden, tha në intervistë me rrjetin ABC se presidenti i ardhshëm do të prezantojë “një rrugë përpara që na fton të gjithëve të bashkohemi”.

Ajo shtoi “Mendoj se këtë duan amerikanët në të gjithë vendin. Ata duan një qeveri që përsëri është e përqëndruar tek ato që duhen dhe për të ndihmuar njerëzit për jetën e përditshme”.

“81 milionë amerikanë votuan për Presidentin e zgjedhur Biden pjesërisht sepse po parashtronte një vizion që na çon në një pikë ku të punojmë së bashku,” tha zonja Bedingfield.

Presidenti i zgjedhur Biden do të bëjë betimin në shkallët perëndimore të Kapitolit më 20 janar në një ceremoni që mishëron një traditë të gjatë të demokracisë amerikane. Këtë radhë ceremonia zhvillohet në një klimë tensionesh pas sulmit të dhunshëm nga protestuesit pro-Presidentit Trump në Kapitol më 6 janar.

Zona përreth Kapitolit ku Joe Bideni do të bëjë betimin është kthyer në një zonë të militarizuar, e rrethuar me gardhe e barriera mbrojtëse, e bllokuar për këmbësorë e makina dhe e mbrojtur nga mijëra forca të armatosura të Gardës Kombëtare.


Send this to a friend