Sigurisht, Republika e Shqipërisë do të ketë reaguar në rrugë zyrtare ndaj veprimit të papërgjegjshëm të kryer nga Republika e Kosovës, e cila dëboi një qytetar të saj me motivacione absolutisht flagrante dhe absolutisht të pabazuara. Dhe, sigurisht, Republika e Shqipërisë ka nxjerrë mësimet e radhës nga sjelljet debile dhe joshqiptare të kryera në emër të Republikës së Kosovës nga ana e pushtetarëve të kësaj. Dhe i ka të gjitha mundësitë ta bëjë presidentin e saj në ardhje të pendohet rëndë për këtë akt.
Dje, më 16 mars, Boiken Abazi, qytetar i RSH, është arrestuar, shoqëruar në polici dhe pastaj dëbuar për në RSH. Siç citon Insajder, në urdhrin për largim me forcë, Abazi pos që ngarkohet me përgjegjësi penale, ngarkohet edhe me përgjegjësi të “kërcënimit të rendit dhe sigurisë shtetërore të Republikës së Kosovës”. Megjithatë, thekson Insajder, me asnjë fjali nuk arsyetohet se si e shkakton këtë rrezik, ndonëse Policia e Kosovës e ka ngarkuar me pesë vepra penale, Boiken Abazit si arsyetim për ta dëbuar nga Kosova.
Sot Policia e Kosovës është detyruar të pohojë se Boiken Abazi nuk ka kryer asnjë vepër penale në Kosovë dhe nuk është fare nën hetime. Kjo polici është arsyetuar se në Urdhrin për largim me forcë është përvjedhur një gabim teknik kur ka shkruar se Abazi ka kryer pesë vepra penale, madje edhe për “kërcënim të rendit dhe sigurisë shtetërore të Republikës së Kosovës”. Megjithatë, thekson më tej Insajder, me asnjë fjali nuk arsyetohet se si e shkakton këtë rrezik.
Mësimi i parë që nxjerrim ne qytetarët e Republikës së Shqipërisë është se, automatikisht, sapo të kemi shkelur në territorin e Republikës së Shqipërisë, ne i nënshtrohemi Ligjit për të Huajt Nr. 04/L-129. Në bazë të këtij ligji, edhe policit më të thjeshtë, edhe urdhëruesit më të thjeshtë, që nga tetari të deri tek Presidenti i Republikës mund të të dëbojnë nga ky vend.
Mësimi i dytë është se ne qytetarët e Republikës së Shqipërisë, për shkak të kësaj përkatësie, jemi rrezik jo vetëm i mundshëm por edhe real ndaj “rendit dhe sigurisë shtetërore të Republikës së Kosovës”.
Ne automatikisht konsiderohemi anëtarë të opozitës së Kosovës dhe, sapo të kemi prekur territorin e Republikës së Kosovës, jemi të mbikqyrur nga organet e rendit dhe të sigurisë së këtij vendi.
Rasti i Boiken Abazit i nxjerr zbuluar të gjithë qytetarët e Republikës së Shqipërisë me qëndrim në Republikën e Kosovës.
Boiken Abazi është Sekretar për Marrëdhëniet me Jashtë i Lëvizjes Vetëvendosje. Republika e Kosovës nuk ka asnjë ligj ku ia pamundëson ndonjë force politike të anëtarësojë apo të zgjedhë në organet e saj qytetarë të huaj. Përkundrazi, disa parti të Kosovës kanë në radhët e tyre, në kreun e tyre, në postet qeveritare qytetarë të huaj që nuk e njohin fare Republikën e Kosovës.
Rasti Boiken Abazi përbën precedent në marrëdhëniet ndërshqiptare, një precedent nga më të padëshiruarit.
Për të ilustruar këto shënime sjell edhe dokumentin e Policisë së Kosovës, botuar nga Insajder dhe ribotuar nga VOAL:

Komentet