Kohët ndërrojnë, por karakteret kaliten ose behen lloq nëpër to. Si guri apo dheu nëpër shekuj që ose ‘latohet’ ose behet balte.
Në librin antologjik të Petro Markos « Intervistë me vetvetën » ka margaritarë që të mahnitin me shkëlqimin dhe bukurinë e tyre.
Po e ndaj me ju pjesën ku shkrimtari e atdhetari i paepur përshkruan bashkëpunimin e tij me Branko Mërxhanin, njërin prej publicistëve e intelektualëve më të mëdhenj shqiptar të shekullit XX.
Marko dhe Mërxhani kishin filluar ta nxjerrin revistën “Përpjekja shqiptare”. Mirëpo, ministri i brendshëm i asaj kohe, Musa Juka i famshëm për të keq, përpiqej t’ua ngushtojë horizontin duke i kërcënuar e shantazhuar seriozisht.
Kohët ndryshojnë, por presioni mbi gazetarët e publicistët nuk ndalet kurrë.
Në kohën tonë, kur liria, shpeshherë, nuk ka kufij, e shohim, si në pëllëmbë të dorës, se si lagjja e gazetarëve dhe publicistëve është përplot mercenarë, horra e sharlatanë.
Këtij soji të argatëve të dreqit, rrjetet sociale, ua kanë mundësuar ta dëmtojnë gazetarinë dhe gazetarët më keq se murtaja.
Lexojeni përvojën e hidhur të
PETRO MARKOS DHE BRANKO MËRXHANIT
Brankoja, ç’është e vërteta, studionte. Ishte konfuz, por i kishte vënë vetes një qëllim:
t’i shërbente kulturës sonë, historisë sonë. Këtë e kishte me sinqeritet, pa asnjë pretendim. Ai pranonte bashkëpunime nga njerëz kompetentë për problemet që shtronte.
Bashkëpunonte me revistën edhe Mustafa Kruja, që ishte emigrant politik antizogist, por simpatizant i Musolinit. Ai artikujt albanalogjikë i nënshkruante me pseudonimin Shpend Bardhi.
Bashkëpunonin Krist Maloku, me pseudonimin Krisma, Eqrem Çabej, Tajar Zavalani, Perikli Mborja, Vangjel Koça, dhe shumë të tjerë, të gjithë ata që dikur bashkëpunonin me “Illyrian”.
Ra qeveria e Mehdi beut dhe erdhi përsëri Musa Juka, i cili na thirri në zyrë.
Ai nisi të na fliste turqisht, por Brankoja i tha se unë nuk e dija turqishten, prandaj të flisnim shqip. Pasi na dha cigare (unë nuk e pija), porositi dhe kafet.
Pastaj na tha:- Ju kam thirrë me ju thanë se naltmadhnia e tij më porositi t’ju them se, nëse vazhdoni botimin e revistës, duhet me ba nji deklaratë në faqen e parë që nuk jeni komunistë!
Unë iu përgjigja menjëherë:
– Nuk kam bërë gjer më sot ndonjë deklaratë ku të them se jam komunist! Fytyra e Musa Jukës u nxi dhe më hodhi një shikim të egër.
– Asht urdhni i naltmadhnisë së tij. Tanë bota ju njef si komunistë.
Brankoja, i qetë, foli: – Musa efendi, kjo punë duhet menduar mire, prandaj na jep një javë afat, sa të vendosim. Musa Juka ndërroi fytyrë duke dëgjuar Brankon:
– Mirë pra! Mbas nji jave due përgjigje!
U ndamë. Brankoja nuk fliste fare. Shkuam drejt e te dyqani i pijeve të Totos dhe Gjikurias, aty në hyrjen e Pazarit të Vjetër, ku shkonim e hanim me kredi.
U futëm në dhomën e fundit, ku ishin vozat dhe damixhanat. Totoja na solli meze; për Brankon uzo dhe mua verë, si gjithnjë.
Brankoja, pasi piu gotën e parë, më tha:- Dy janë rrugët: ose t’ia heq vetës, ose të bëjmë njëfarë kompromisi…
– Ai fliste me dashuri për revistën. Thoshte se ishte revista e parë ku mund të rrihej mendimi filozofik, ku mund të shtroheshin problemet e kohës. Ishte mjeti më i ndershëm për të nxjerrë kafshatën e gojës.
– Nuk mund të jetojmë me sadakara. Jemi njerëz apo jo? – gati po përlotej.
– E kam menduar mirë. Unë do të shkruaj artikullin “Pse nuk jam marksist” Me të do të tregoj një të vërtetë, se unë nuk jam marksist, po nuk e luftoj marksizmin, siç luftoj fashizmin dhe nazizmin.
Ta kam thënë se te ne gjer më sot nuk ka asnjë marksist, – dhe nisi nga filozofia e Platonit, e Hegelit, e Durkhaimit e të tjerë, e të tjerë.
– Jam një demokrat liberal, antifashist,- dhe pinte me ngadalë uzon “Omega.”
I thashë:- Po qe se ti boton një artikull të tillë, unë e heq emrin nga revista. Ti do të fitosh antipatinë e rinisë dhe të të gjithë intelektualëve të Shqipërisë. Punë e madhe se do të na e mbyllin revistën. Do të jetojmë duke bashkëpunuar me shtypin…
– Nuk e kam fjalën se do të vdesim nga uria, por më vjen shumë keq ta mbyllim këtë revistë që po bëhet “universiteti popullor”.
Pastaj ai u këshillua dhe me shokët e tij, si me Vangjel Koçën e të tjerë, dhe shkoi e i tha Musa Jukës se do të botonte një kryeartikull ku të tregonte se nuk ishte marksist.
Ishte numri i tretë i revistës, kur unë e hoqa emrin tim nga ajo.