Kryeministri Edi Rama në mbledhjen e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, ku u prezantua nisma që prek kodin e procedurës penale për mbrojtje të 7 institucioneve nga pezullimi i detyrës, tha se mandati i Belinda Ballukut do të trajtohet me përgjegjësi nga shumica qeverisëse.
Në fjalën e tij, kreu i qeverisë u shpreh se Belinda Balluku i ka paraqitur tre herë dorëheqjen, ndërsa theksoi se ndryshimet ligjore në kod nuk kanë lidhje rastin e Belinda Ballukut.
Kryeministri deklaroi se Parlamenti do të shprehet për imunitetin e Belinda Ballukut dhe më pas pas do të votohen ndryshimet ligjore.
Rama kishte edhe një mesazh drejtësinë: “Nuk duhet ti shkojë në mend askujt që me fuqinë e prokurorit dhe verbërinë e gjykatësit të marrë peng një funksion kushtetues”.
“Duke e mbyllur dua të them që nisma thjesht dhe vetëm adreson një…juristët e quajnë boshllëk, unë them një problem që nuk duhet të shfaqet më. Nuk duhet ti shkojë në mend askujt që me fuqinë e prokurorit dhe verbërinë e gjykatësit të marrë peng një funksion kushtetues.
Ndërsa rasti konkret është një proces në Kuvendin e Shqipërisë dhe do trajtohet me përgjegjësinë që ne kemi si shumicë qeverisëse. Kush i lidh këto të dyja edhe në aspektin kohor, nëse nuk gaboj në llogarinë e kohës, parlamenti do të shprehet më para për imunitetin dhe më pas do të kojë në votë ky ndryshim. Kështu që nuk ka lidhje me rastin konkret”, tha Rama.
Rama tha se nuk do ta pranojë dorëheqjen “deri kur të plotësohen kushtet”. Dhe kur të plotësohen kushtet, shtoi ai, “s’e përcakton dot as prokurori, as gjykatësi i seancës paraprake, as media dhe as gjyqi popullor.” Panorama