VOAL

VOAL

Detajet tronditëse: 32-vjeçarit i pushoi zemra në Komisariat, në spital u dërgua i vdekur, çfarë ndodhi në “Don Bosko”

October 20, 2022

Komentet

(Intervista – Video) Daniel Serwer: Diplomaci e keqe e SHBA & BE- Kosova i përmbushi kushtet duhet të anëtarësohet në KiE

Daniel Serwer tek A2CNN

Nga Rosalba Bejdo

S’është e drejtë mosfutja e Kosovës në agjendën e Këshillit të Ministrave të KiE. Vuçiç nuk është vetëm përfaqësues i Putinit në Ballkanin perëndimor, por ka ambiciet e tij në rajon.. bota serbe nuk është gjë tjetër veçse Serbia e madhe në një terminologji të re. Asosacioni pasi Serbia të njohë Kosovën – SHBA të çojnë dronë në Kosovë.

 

Kushtëzimin e anëtarësimit në Këshillin e Europës me krijimin e asociacionit, Profesori në universitetin amerikan Johns Hopkins dhe njohësi i zhvillimeve në Ballkanin Perëndimor, Daniel Serwer, e sheh si të padrejtë.

Duke kritikuar atë që e sheh diplomaci të keqe, nga SHBA dhe BE, ai mbështet qëndrimin e Kurtit dhe thotë se asociacioni duhet të krijohet vetëm pasi Serbia të njohë pavarësinë e Kosovës.

“Kosova”, – thotë ai – “duhet të jetë gati për një përshkallëzim të situatës me Serbinë, dhe i bën thirrje SHBA që përveç raketave t’i sigurojë vendit edhe dronë”.

Profesor Serwer, ju falënderoj shumë që na bashkoheni sot, është një nder për ne… Fillimisht dua t’ju pyes për çështjen e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës. Edhe pse u tha se Kosova është e kualifikuar për t’iu bashkuar kësaj organizate, tani po vendoset një kusht tjetër, Asociacioni… Franca dhe Gjermania kërkuan që çështja të mos futet në agjenden e Këshillit të ministrave. A mendoni se kjo është e drejtë?

Jo, nuk është e drejtë. Mendoj se asociacioni i komunave me shumicë serbe është diçka për të cilën është rënë dakord në vitin 2013 në këmbim të gjërave që Serbia duhej të bënte, duke përfshirë pjesëmarrjen e plotë të serbëve në institucionet qeverisëse, shtrirja e autoriteti ligjor kushtetues të Prishtinës në veri të Kosovës dhe një sërë gjërash që Serbia nuk i ka bërë. Pra, të kërkohet nga Kosova që të përmbushë detyrimet e Marrëveshjes së vitit 2013 pa marrë asgjë nga në këmbim të kuid pro quo-së që u ra dakord, është një gabim i rëndë. Është diplomaci e keqe.

Nuk është hera e parë që Kosovës i premtohet diçka për integrimin;  kërkohet plotësimi i kushteve dhe kur Kosova e bën këtë, diçka tjetër vihet në tryezë dhe premtimi nuk mbahet. A e cenon kjo kredibilitetin e bashkësisë ndërkombëtare? Çfarë do të thotë një qëndrim i tillë?

Kjo definitivisht që minon besueshmërinë tek bashkësia ndërkombëtare. Kjo ofendon njerëzit në Kosovë dhe në vende të tjera të cilët po kuptojnë se bashkësia ndërkombëtare nuk i përbush angazhimet e veta, diçka që kufizon levën e saj të ndikimit. Mendoj se është koha të kuptohet se Këshilli i Evropës është një hap i nevojshëm për Kosovën që do të përmirësonte kushtet për serbët në Kosovë. Prishtina ka bërë gjithçka që i është kërkuar, përfshirë zbatimin e marrëveshjes për pronën e manastirit të Deçanit. Mendoj se kjo ishte një lëvizje shumë e mirë nga ana e Prishtinës.

Kryeministri Albin Kurti nuk pranon krijimin e Asociacionit si kusht për anëtarësim në KiE, me argumentin se nuk ka asnjë lidhje mes dy gjërave. A po bën mirë, sepse po bëhet gjithnjë e më e qartë se një qëndrim i tillë mund të bllokojë integrimin?

Shiko, ai ka absolutisht të drejtë se ky nuk është një kusht i duhur për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Por unë do të shkoja edhe më tej. Unë do të thosha se asociacioni është diçka që duhet të arrihet vetëm kur Serbia të jetë e përgatitur të njohë plotësisht sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës. E dini, evropianët tregojnë për shoqatat e shumta që tashmë ekzistojnë brenda BE-së, të cilat janë të krahasueshme me asociacionin e komunave me shumice serbe. Por të gjitha ato shoqata ekzistojnë në vendet që e njohin njëri-tjetrin. Është shumë e qartë se çfarë po përpiqet të arrijë Beogradi me Asociacionin. Ata e thanë qartë, publikisht, se po përpiqen të mundësojnë një qeverisje të veçantë të popullatës serbe, të paktën në veri. Dhe ky është një objektiv që duhet të refuzohet nga komuniteti ndërkombëtar.

Kosova flet për një qasje të pabalancuar, ku Prishtina përballet me presion dhe Serbia po tolerohet për shkeljen e marrëveshjes së Ohrit. Serbia po lufton hapur anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, akuzon Perëndimin se po sulmon serbët dhe kërkon mbështetjen e Rusisë dhe Kinës. Si duhet t’i lexojmë të gjitha këto?

Duhet ta lexoni pikërisht ashtu siç e lexuat ju. Perëndimi po përpiqet të zbusë Serbinë dhe po përpiqet të vendosë kushte strikte ndaj Kosovës. Kjo për shkak se Serbia ka një politikë të mbrojtjes në çështjet ndërkombëtare ndërmjet lindjes dhe perëndimit, ndërsa Kosova ndjek politikën e ‘Bandwagoning’, pra kur shtetet me të dobëta vendosin se kosto e kundërshtimit të vendeve me të fuqishme I tejkalon përfitimet. Është tërësisht e përkushtuar ndaj perëndimit, NATO-s dhe objektivit të BE-së. Dhe është thjesht një gabim serioz për ne që të mos mbështesim njerëzit që vërtet duan të jenë në perëndim dhe të kënaqim  ata që nuk duan vërtet të jenë në perëndim. Dhe presidenti Vuçiç e ka bërë të qartë këtë. Me marrëveshjet e tij strategjike me Kinën dhe Rusinë…

Beogradi ka zgjedhur një qeveri të re, ku  pjesë e saj janë individë të sanksionuar nga SHBA, por kjo nuk është dënuar sa duhet nga bashkësia ndërkombëtare. Cili është komenti juaj për këtë?

Epo, unë nuk pres që komuniteti ndërkombëtar domosdoshmërisht të dënojë njerëzit sepse ata janë të sanksionuar nga SHBA, por më e pakta që duhet bërë është që SHBA duhet të flasë me zë të lartë dhe qartë dhe nuk e ka bërë këtë. Komuniteti ndërkombëtar duhet t’i sanksionojë këta individë dhe nuk e ka bërë. BE-ja nuk e ka bërë këtë. Kështu që unë e konsideroj të gjithë këtë një tregues domethënës të dështimit të politikës së SHBA-së dhe BE-së në tre-katër vitet e fundit për t’u përballur efektivisht me një Serbi që po kthehet gjithnjë e më shumë drejt lindjes në çështjet ndërkombëtare dhe drejt autokracisë në mënyrën se si qeveris në shtëpi.

Kosova po pretendon se armatimi i Serbisë me armë nga Rusia dhe Irani është kërcënim për sigurinë dhe po paralajmëron sulme të reja si ai në Banjskë. Diçka e tillë përforcohet nga zbulimi i armëve të reja në veri të martën… Mendoni se ka rrezik përshkallëzimi?

Unë definitivisht mendoj se ekziston rreziku i përshkallëzimit dhe mendoj se është e rëndësishme që Kosova të përgatitet për të. Një nga gjërat e mira që kanë bërë amerikanët është autorizimi i shitjes së raketave antitank Javelin në Kosovë. Do të doja të shihja që edhe disa dronë të shkojnë në Kosovë. Unë mendoj se forcat e sigurisë së Kosovës kanë nevojë për pajisjet, trajnimin, organizimin e nevojshëm për të penguar çdo përpjekje të Serbisë për të pushtuar territorin, veçanërisht në veri.

Si e shihni ju rolin e Rusisë, rolin e Putinit për gjithçka po ndodh në Ballkan?

Rusia është një mundësues i destabilitetit në Ballkan,  por nuk mendoj se duhet të gënjejmë veten. Vuçiç nuk është vetëm përfaqësues i Putinit në Ballkanin perëndimor , por ka ambiciet e tij në rajon. Ai i ka bërë të qarta ato. Ka folur për botën serbe dhe bota serbe nuk është gjë tjetër veçse Serbia e madhe në një terminologji të re. Ai do të donte të arrinte këtë fillimisht de facto. Ai ka bërë një rrugë të gjatë për ta bërë këtë në Mal të Zi. Është munduar shumë ta bëjë në Republikën Sërpska, dhe tani do të përpiqet ta bëjë këtë në Kosovë me komunitetin serb atje. Ai ka qenë tejet e qartë lidhur me këtë temë. Pra, po, lidhja me Rusinë e ndihmon, ja mundëson një qëllim të tillë, por ai ka ambiciet e veta, dhe ato ambicie janë shumë të qarta dhe duhet të shuhen.

Osmani s’u konsultua dhe s’e përkrah letrën e Qeverisë dërguar KiE-së

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, nuk u konsultua nga Qeveria e Kosovës për një letër të cilën ajo ia dërgoi Këshillit të Evropës (KiE) të mërkurën, ku e njoftoi për qëllimet e Qeverisë për ta hartuar dhe dërguar në Kushtetuese një draft-statut për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, tha këshilltari i saj Bekim Kupina.

Kupina tha për Radion Evropa e Lirë (REL) se presidentja “nuk e përkrah këtë letër”.

“Presidentja Osmani përkrah vetëm qëndrime dhe veprime paraprakisht të konsultuara, të koordinuara dhe të dakorduara me institucionin e Presidencës… Kjo letër nuk është e tillë”, tha Kupina për REL të enjten.

Ministrja për Punë të Jashtme dhe Diasporë e Kosovës, Donika Gërvalla, tha të enjten në mëngjes se Qeveria ia ka dërguar një letër Këshillit të Evropës për ta njoftuar se Kosova do ta përgatisë draft-statutin për Asociacionin, dhe se pret nga ai ta pranojë Kosovën si anëtaren më të re këtë javë.

Gërvalla vjen nga partia Guxo, të cilën e kishte udhëhequr Osmani për disa muaj, deri në prill 2021, kur u emërua presidente dhe u largua nga partia, siç kërkon Kushtetuta e vendit.

Kupina theksoi se letra “mund të jetë konsultuar e koordinuar me individë jashtë institucioneve që sot e kanë publikuar këtë letër, por jo me Presidencën”.

“Çdo derivat i letrës së zotimeve të nënshkruar nga tre institucionet duhet paraprakisht po ashtu të koordinohet dhe miratohet nga po këto tre institucione”, tha ai.

Njoftimi i Gërvallës për zotimin e Kosovës për ta hartuar dhe dërguar në Kushtetuese një statut për Asociacionin vjen pasi disa vende, si Gjermania dhe Franca, kanë kërkuar nga Kosova që të bëjë hapa konkretë drejt themelimit të Asociacionit, për t’i bindur qeveritë skeptike që të votojnë në favor të saj për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

Qeveria e Kosovës, fillimisht, e ka refuzuar Asociacionin si kusht.

Asambleja Parlamentare e KiE-së ka votuar për pranimin e Kosovës më 16 prill dhe vendimi përfundimtar ka kaluar te Komiteti i Ministrave, i cili mblidhet më 16 dhe 17 maj.

Kosova nuk pritet të jetë në agjendën e Komitetit të Ministrave të KiE-së më 17 maj, ku do të mund të votohej për pranimin e saj në këtë organizatë.

Kupina shtoi se Osmani “gjatë gjithë ditës po vazhdon konsultimet” me aleatët rreth çështjes së anëtarësimit të Kosovës në KiE.

“Prandaj edhe po bën përpjekje që shtetet anëtare të binden që sa më parë që të jetë e mundur të thirret një seancë e jashtëzakonshme ku do të votohet pro anëtarësimit të Kosovës në këtë organizatë”, nënvizoi ai.

Ndërkohë, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e quajti “mashtrim dhe përpjekje joserioze” nga Kosova njoftimin se ajo synon ta hartojë një draft-statut për themelimin e Asociacionit dhe tha se ajo nuk mund ta bëjë një gjë të tillë pa pëlqimin e Serbisë. REL

Ambasador Paolo Foresti: Falenderoj të gjithë ata që e bënë prezantimin shqip të “Tryezat e Ambasadorit” të paharruar për mua!

Diplomati i shquar italian Paolo Foresti që ka shërbyer në Shqipëri si Ambasador i Italisë në Tiranë gjatë periudhës prej 1993-1997 ka dalë me një libër të ri, i titulluar “Tryezat e Ambasadorit”.

Ambasador Foresti ka një lidhje shumë të fortë me Shqipërinë dhe me shqiptarët dhe anasjelltas edhe shqiptarët ndajnë një dashuri, respekt dhe vlerësim për kontributin aq të rëndësishëm të diplomatit të lartë italian.

Libri i përkthyer në shqip posa është promovuar në Tiranë dhe ka dalë nëpër libraritë dhe me këtë rast Ambasadori i Shqiptarëve, Z.Foresti falenderon përmes rrjetit social si më poshtë:

Dëshiroj të falënderoj të gjithë ata të kontribuan që prezantimi i librit tim në versionin shqip TRYEZAT E AMBASADORIT të jetë i paharruar për mua.

Një falenderim i veçantë për Rotary Albania, për televizionet dhe gazetarët që më pritën, për universitetet themele për formimin e lidershipit të ardhshëm të Tokës së Shqiponjave!

Nuk do të përmend emra, por të gjithë janë të regjistruar në zemrën time.

FALEMINDERIT”

 

Samiti i BE-së në Kotor: Kurti i kërkon Vuçiçit dorëzimin e Radoiçiçit në Kosovë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në samitin BE-Ballkani Perëndimor që po mbahet në Kotor, i ka kërkuar presidentit serb, Aleksandar Vuçiç, që t’ia dorëzojë autoriteteve të Kosovës terroristin Milan Radoiçiç.

Kurti tha se marrëdhëniet e mira fqinjësore në Ballkanin Perëndimor me njohje reciproke janë të domosdoshme për paqen, sigurinë dhe integrimin.

“Për këtë arsye, kërkoë nga Serbia që ta dorëzojë Milan Radioçiçin në Kosovë dhe grupin e tij paramilitar që e ka vrarë rreshterin tonë, Afrim Bunjakun më 24 shtator”, tha Kurti.

Më tej, Kurti e porositi BE-në që të kontrollojë progresin demokratik dhe reformat në rajon, e më pas t’i bazojë politikat e saj në ato të dhëna.

“Tani më lejoni të flas për përparimin e bërë me Planin Zhvillimor. Për Kosovën Plani Zhvillimor i BE-së paraqet një mundësi për ta cuar përpara integrimin tonë në tregun unik evropian duke përshpejtuar reformat që kanë të bëjnë me demokratizimin, sundimin e ligjit dhe të drejtat e njeriut”.

“Mirëpresim punën në tregun unik për vitin 2025-28 dhe të miratojmë këtë në Procesin e Berlinit. Ky duhet të jetë një plan ambicioz i cili e integron rajonin tonë dhe e lidh me tregun e brendshëm të BE-së”, tha Kurti. sn

Shpallet platforma ‘Made in Kosova’ – MiK

Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës shpalli dy ditë më parë, platformën “Made in Kosova“- (MiK), qëllimi kryesor i së cilës është që t’i mundësojë bizneseve kosovare të zgjerohen në tregje të reja ndërkombëtare dhe gjithashtu të promovojë investime direkte të huaja në Kosovë.

Në ceremoninë kryesore të prezantimit të platformës morë pjesë Kryeministri i Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti, Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës, znj. Donika Gërvalla, Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Republikën e Kosovës, Jeffrey M. Hovenier, Zëvendësministrat e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, znj. Liza Gashi dhe z. Kreshnik Ahmeti, përfaqësues të shoqatave nga sektorë të ndryshëm të biznesit si dhe mysafirë të tjerë.

Ministrja Gërvalla në fjalën e saj hyrëse tha se kjo platformë ka për qëllim të promovojë jashtë vendit potencialin e jashtëzakonshëm kulturor, ekonomik, por edhe turistik të Republikës së Kosovës.

MiK-u, tha ministrja Gërvalla do të jetë një dritare virtuale fillimisht nëpër misionet diplomatike të Kosovës, duke paraqitur në skenën ndërkombëtare dhe para gjithë botës prodhimet vendase dhe kulturën e vendit tonë.

Duke folur për platformën, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, tha se MiK përmban informata të detajuara mbi dhjetë sektorët kyç të vendit tonë, me shifra që jo vetëm i shërbejnë investitorëve potencialë, por që tregojnë transparencën me të cilën qeveriset shteti ynë.

“Ajo është dritare digjitale institucionale për shumë miq jashtë vendit, që janë të interesuar të mësojnë më shumë për realitetin e potencialin tonë ekonomik, kulturor e turistik”, u shpreh Kryeministri Kurti.

Përderisa e uroi Kosovën për krijimin e një platformë të tillë, Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, z. Jeffrey Hovenier, u shpreh se kjo platformë do ta përmirësojë imazhin global të biznesit të Kosovës, duke shfaqur cilësinë, diversitetin dhe konkurrencën e produkteve kosovare për investitorët dhe blerësit potencial.

Në vazhdim, Zëvendësministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Liza Gashi, prezantoi konceptin e platformës dhe këndit „Made in Kosova“ dhe i shprehi falënderime të veçanta për bashkëpunimin e të gjithë hisedarëve dhe për kontributin që ata kanë dhënë për realizimin e MiK-ut, duke përfshirë këtu Odat Ekonomike, festivalet dhe OJQ të ndryshme, të cilat edhe e kanë bërë të mundur këtë projekt.

Pas prezantimit zyrtar të kësaj platforme nga z. Leart Zogjani nga Skins Agency, u mbajt edhe paneli i diskutimit i titulluar: „Bashkëpunimi me sektorin privat për promovimin e potencialit ekonomik të Kosovës: Roli i Misioneve Diplomatike dhe Konsullore“ dhe ku morën pjesë Drejtorja Ekzekutive e Shoqatës së Përpunuesve të Drurit të Kosovës/SHPDK, Arjeta Pozhegu, Drejtori Ekzekutiv i Shoqatës së Përpunuesve të Pemëve dhe Perimeve të Kosovës (PePeKo), z. Hartim Gashi, Drejtoresha Ekzekutive e Kllasterit Prefab Kosova, znj Sytrime Dërvisholli, Menaxheri i Shoqatës së Verëtarëve të Kosovës “ENOLOGJIA”, z. Hamez Rama dhe Shefi i Projektit “USAID Kosovo Compete Activity”, z. Skender Rama.

Në fund të kësaj ngjarje, Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, znj Donika Gërvalla dhe Drejtorja Ekzekutive e Shoqatës së Përpunuesve të Drurit të Kosovës/SHPDK, Arjeta Pozhegu, nënshkruan Memorandumin e Mirëkuptimit për krijimin e këndit të veçantë brenda Misioneve Diplomatike dhe Konsullore të Republikës së Kosovës.

Kosova njofton Këshillin e Evropës se po përgatit draft-statut për Asociacionin

Ministrja për Punë të Jashtme dhe Diasporë e Kosovës, Donika Gërvalla, tha se përmes një letre ka njoftuar Këshillin e Evropës, se Kosova po përgatit një draft-statut për themelimin “një mekanizmi për vetëmenaxhim, koordinim dhe bashkëpunim të komunave me shumicë serbe në Kosovë”.

Ky draft, do të dërgohet për interpretim në Gjykatën Kushtetuese deri në fund të muajit maj.

Qeveria ka pranuar më herët se themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe është vendosur si kusht për pranimin e shtetit në organizatën e Këshillit të Evropës.

Sipas Gërvallës, ky draft-statut, plotëson nevojat e qytetarëve të komunitetit serb dhe njëkohësisht respekton Kushtetutën e Kosovës dhe parimet e Këshillit të Evropës.

“Drafti siguron jo vetëm respektimin e plotë të Kushtetutës dhe ligjeve të Republikës së Kosovës, por në të njejtën kohë pamundësimon ndërhyrjet e palejueshme nga jashtë, si në komunat e Kosovës, ashtu edhe në të gjithë vendin”, shkroi ajo në Facebook.

Ministrja Gërvalla tha se me konkretizimin e zotimit për themelimin e Asociaiconit, Kosova pret që Këshilli i Evropës të përmbushë pjesën e vet ” të detyrimit dhe të ftojë Kosovën për t’iu bashkuar pa vonesë Këshillit të Evropës, si vendi të cilit jo vetëm që i janë vendosur më së shumti kushte për anëtarësim në këtë organizatë, por i cili i ka përmbushur të gjitha këto kushte”.

Më 16-17 maj, Komiteti i Ministrave të Këshillit të Evropës takohet në Strasburg Ky organ jep fjalën për pranimin e një shteti apo jo. Më 14 maj, zëvendësministri për Punë të Jashtme, Kreshnik Ahmeti, tha se çështja e pranimit të Kosovës në këtë organizatë për të drejtat e njeriut, nuk është përfshirë në agjendë.

Gerald Knaus, nga Iniciativa Evropiane për Stabilitet, ka publikuar në X, që më herët njihej si Twitter, letrën e plotë që Gërvalla i ka dërguar presidentit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, ligjvënësit grek Theodoros Rousopoulos.

Në letër, autenticitetin e të cilit, Qeveria e Kosovës e konfirmoi për Radion Evropa e Lirë, thuhet se draft-statuti që po përgatit Kosova do t’i dërgohet për intepretim Gjykatës Kushtetuese të Kosovës deri në fund të majit.

“Në këtë drejtim, Qeveria e Kosovës po përgatit draft-statutin për Asociacionin e komunave me shumicë serbe [në kuadër të obligimeve të neneve 7 dhe 10] të frymëzuar nga organizata Friedrich Ebert, do të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese për shqyrtim deri në fund të majit të vitit 2024″, thuhet në letër.

Breakthrough 🇽🇰🇪🇺“In this regard, the Government of Kosova is preparing a draft Statute on the Association of Serb Majority Municipalities (in the context of obligations envisaged in articles 7 and 10), inspired by the Friedrich Ebert Foundation, which will be submitted to the… pic.twitter.com/EOROLUsDSa

— Gerald Knaus (@rumeliobserver) May 16, 2024

Nenet, që janë referuar në këtë letër, kanë të bëjnë me Marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit të raporteve dhe Aneksin për zbatimin e marrëveshjes, që Kosova dhe Serbia arritën vitin e kaluar në dialogun që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

Neni 7 i kësaj marrëveshjeje, parasheh sigurimin e një niveli “të përshtatshëm të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë”. Aty po ashtu përfshihet edhe zyrtarizimi i statusit për Kishën Ortodokse Serbe në Kosovë.

Ndërkaq, neni 10, thotë se Kosova dhe Serbia konfirmojnë detyrimet e tyre që të zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura në dialog.

Nga Qeveria e Kosovës thanë se është në dorën e bashkësisë ndërkombëtare që të pranojë “ofertën” për themelimin e Asociacionit, duke u zotuar se janë të gatshëm të zbatojnë këtë, në kuadër të Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimin e raporteve.

“Nëse bashkësia ndërkombëtare e pranon tash, një vit pas, një oferte të tillë ne jemi të gatshëm ta zbatojmë në kuadër të zbatimit të plotë të Marrëveshjes Bazike dhe në kontekst të anëtarësimit në Këshillin e Evropës. Por kjo varet nga bashkësia ndërkombëtare, jo nga Qeveria jonë”, shkroi në Facebook zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu.

Deri më tani, për themelimin e Asociacionit janë prezantuar disa draft-statute, përfshirë një të Bashkimit Evropian fundvitin e kaluar, por edhe nga organizata gjermane Friedrich-Ebert-Stiftung (FES).

Çfarë parasheh draft-statuti për Asociacionin i hartuar nga FES?

Në fund të janarit të vitit 2023, FES publikoi një draft-statut për themelimin e Asociacionit në përputhje me Kushtetutën dhe sistemin juridik të Kosovës, ashtu siç insiston edhe Qeveria e kryeministrit Albin Kurti.

I përbërë nga shtatë kapituj dhe 18 nene, ky draft-statut i hartuar nga FES, parasheh mënyrën e themelimit, strukturën organizative, marrëdhëniet me autoritetet qendrore, rregullimin ligjor, buxhetin, si dhe aspekte të tjera të funksionimit të Asociacionit, përfshirë simbolet.

Sipas FES-it, Asociacioni mund të ushtrojë edhe kompetenca shtesë, të cilat mund të delegohen nga autoritetet qendrore të Kosovës.

Sa i përket strukturës, ky draft-statut ka paraparë që Asociacioni të ketë: Kuvendin, kryetarin, nënkryetarin, Këshillin dhe Bordin e Asociacionit.

FES-i ka paraparë disa objektiva të këtij organi, sikurse forcimi i demokracisë lokale, duke lehtësuar, financuar ose promovuar aktivitete që avancojnë pjesëmarrjen qytetare dhe praktikat demokratike, si dhe përfaqësimin e interesave të rëndësishme për demokracinë lokale.

Dokumenti i FES-it parasheh që Asociacioni të ketë statusin e subjektit juridik, të cilin thuhet se duhet t’ia japë Qeveria e Kosovës përmes një akti juridik.

Sipas dokumentit në organizatës gjermane, Asociacioni do të financohet nga kontributet e anëtarëve të tij, të ardhurat nga shërbimet e ofruara nga Asociacioni, pasuritë e tij të luajtshme ose të paluajtshme, transferet nga autoritetet qendrore, grantet, donacionet, si dhe nga mbështetja financiare e shoqatave dhe organizatave të tjera, vendase dhe ndërkombëtare, duke përfshirë Republikën e Serbisë.

Ndërkaq, sa i përket buxhetit, në këtë draft-statut është paraparë që Asociacioni të financohet nga kontributet e komunave pjesëmarrëse, nga të ardhurat e shërbimeve që ofron ky organ, pasuritë e luajtshme apo të paluajtshme, transferet nga autoritetet qendrore, grantet, donacionet, si dhe nga mbështetja financiare e organizata vendore dhe ndërkombëtare, përfshirë Serbinë.

Gjatë rishikimit të buxhetit, sipas dokumentit, Qeveria e Kosovës dhe Auditori i Përgjithshëm mund të kenë qasje. Auditori po ashtu është paraparë të bëjë kontrollet për shpenzimet e këtij organi.

Sipas draft-statutit të FES-it, Asociacioni do të përjashtohet nga detyrimet dhe taksat në arritjen e objektivave të tij, në të njëjtën mënyrë sikurse komunat pjesëmarrëse.

Në kuadër të dialogut që ndërmjetësohet nga BE-ja, Kosova dhe Serbia kanë arritur dy marrëveshje për Asociacionin: më 2013 dhe 2015.

Por, Gjykata Kushtetuese tha më 2015 se Marrëveshja mbi parimet për themelimin e Asociacionin nuk ishte në harmoni të plotë me aktin më të lartë juridik të shtetit. Harmonizimi, sipas Kushtetueses, mund të bëhet përmes akteve nënligjore.

Megjithatë, Kosova deri më tani nuk kishte ndërmarrë hapa drejt themelimit të tij.

Qeveria e Kosovës është shprehur kundër një asociacioni njëetnik. REL

‘Nuk durohet më o njerëz, duhet të veprojmë!’- Aktori: Të mbushim xhepat me gurë…Rroftë guri

Aktori i mirënjohur Mehdi Malka i ka bërë thirrje qytetarëve të Tiranës dhe jo vetëm që në protestat e radhës duhet të mbushin xhepat me gurë dhe të veprojnë, pasi nuk durohet më.

‘Secili sipas mënyrës së tij, por duhet të veprojmë! Por që të mbushim xhepat me gurë o njerëz duhet ti mbushim xhepat me gurë’, u shpreh aktori në protestën maratonë që zhvillohet te ‘Rruga e Shpresës’ në mbështetje të liderit të opozitës Sali Berisha.

Malka: Nuk durohet më o njerëz. Këta grabis çdo gjë dhe të gjitha të ligat i kanë demokratët, po përse i kanë demokratët?Jo më fjalë njerëz, duhet të veprojmë. Secili sipas mënyrës së tij, por duhet të veprojmë. Mua po më dhatë një molotov në dorë vras veten sepse nuk e hedh dot. Por që të mbushim xhepat me gurë o njerëz duhet ti mbushim xhepat me gurë. Nuk kushton asnjëgjë dhe nuk të akuzojnë për prishje të bulevardit se i thua i mora te ana e lumit. Duhen gurë, do vemi me gurë? Ok! Rroftë guri.

Osmani flet me homologun gjerman për anëtarësimin e Kosovës në KiE

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka biseduar me homologun e saj gjerman, Frank-Walter Steinmeier.

Në një postim në X, Osmani njoftoi se me presidentin gjerman folën për anëtarësimin e Kosovës në KiE.

“Dje fola me presidentin gjerman Frank-Walter Steinmeier për të diskutuar anëtarësimin e Kosovës në KiE.

Theksova rëndësinë kritike për përfundimin me sukses të këtij procesi, për të siguruar që të gjithë qytetarët tanë të përfitojnë sa më shpejt nga instrumentet e Këshillit.

Anëtarësimi ynë nuk do të ishte vetëm një fitore për të drejtat e njeriut në Kosovë, por edhe një fitore për kontinentin tonë dhe vlerat mbi të cilat ai qëndron fuqishëm”, shkruan Osmani.

Gjermania e Franca kanë qenë dy prej vendeve që kanë kushtëzuar anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës me dërgimin në Kushtetuese të drafstatutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe. sn

Dielli lëshon valën magnetike më të madhe të zjarrtë në afro një dekadë

VOA/Marrë nga Associated Press

Administrata Kombëtare për Oqeanet dhe Atmosferën, NOAA, thotë se dielli lëshoi të martën valën më të madhe të flakës së zjarrtë në afro një dekadë, vetëm pak ditë pasi stuhitë e forta diellore goditën Tokën duke krijuar fenomenin që njihet si “Aurora Borealis” ose dritat veriore, të pazakonta në shumë pjesë të botës.

Vala e flakës diellore shkaktohet nga një shpërthim intensiv rrezatimi që vjen nga çlirimi i energjisë magnetike që lidhet me ato që njihen si njolla në sipërfaqen diellore.

Ky është shpërthimi më i madh i këtij cikli 11-vjeçar të diellit, që po i afrohet kulmit, sipas NOAA-s. Lajmi i mirë është se kësaj here planeti ynë është jashtë trajektores së valës magnetike, sepse shpërthimi ndodhi në një pjesë të sipërfaqes së diellit në drejtim të kundërt të Tokës.

Observatori i Dinamikave Diellore, i NASA-s, e vlerësoi shpërthimin e ndritshëm të rrezeve X, si më të fuqishmin që nga viti 2005.

Bryan Brasher me Qendrën e Parashikimit të Motit Hapësinor në Boulder të Kolorados, pjesë e NOAA-s, tha se ka mundësi që kur shkencëtarët të mbledhin të dhënat edhe nga burime të tjera, të rezultojë që vala e zjarrtë magnetike të ketë qenë edhe më e fortë.

Kjo vjen pas gati një jave çlirimesh të valëve magnetike masive nga atmosfera e jashtme e diellit, që njihet si Korona. Korona çliron kryesisht dritë në formë rrezesh X dhe ultra vjollcë. Vala magnetike përbënte rrezik për rrjetin e komunikimit në tokë dhe orbitë si dhe për sistemin energjetik.

Dritat verirore në Boise, Idaho, 11 maj 2024

Dritat verirore në Boise, Idaho, 11 maj 2024

NASA tha se stuhia gjeomagnetike e fundjavës bëri që një nga satelitët e saj mjedisorë të rrotullohej papritur për shkak të uljes së lartësisë si rezultat i stuhisë hapësinore dhe të aktivizonte sistemin e vetëmbrojtjes për rrethana të tilla. Shtatë astronautët në bordin e Stacionit Ndërkombëtar të Hapësirës u këshilluan të qëndronin brenda zonave që ofrojnë mbrojte të fortë nga rrezatimi. NASA tha se ekuipazhi nuk ishte në ndonjë rrezik.

Historiani Malcolm: Përgjegjësia bie mbi Beogradin, që mendoj se në vazhdimësi ka treguar qëllime të këqija

VOA/Burim Goxhuli

Një ditë më parë në Konsullatën e Kosovës në Nju Jork u shfaq filmi dokumentar “Mirënjohje” kushtuar kontributit të historianit britanik Noel Malcolm për ndërgjegjësimin e botës mbi të vërtetën e historisë së Kosovës.

Autori i librit të botuar më 1998 “Kosova: Një histori e shkurtër” ishte i pranishëm në këtë tubim.

Në një intervistë me gazetarin Burim Goxhuli, historiani i njohur britanik komentoi procesin e normalizimit të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë, krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe kushtet e reja të disa vendeve perëndimore për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.


Historiani i njohur britanik, Sir Noel Malcolm kritikoi përfaqësuesit e Bashkimit Evropian për trysninë ndaj Kosovës dhe, siç u shpreh ai, lëshimet e vazhdueshme ndaj Serbisë në procesin e normalizimit të marrëdhënieve midis dy vendeve.

“Përgjegjësia kryesore bie mbi Beogradin, që mendoj se në vazhdimësi ka treguar qëllime të këqija. Përgjegjësi i dytë është Bashkimi Evropian, përfaqësuesit e tij dhe ndërmjetësit, të cilët vazhdimisht kanë bërë lëshime për palën serbe në një mënyrë të pashembullt, që nganjëherë mendoj se ngre pikëpyetje serioze mbi jo vetëm paanshmërinë e këtij procesi, por edhe vlefshmërinë e tij bazuar në ligjin ndërkombëtar”, thotë zoti Malcolm për Zërin e Amerikës.

Sipas zotit Malcolm, kushtëzimi i anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës me Asociacionin e Komunave me shumicë serbe është një qasje e padrejtë që ndërlikon edhe më shumë pajtimin mes Prishtinës dhe Beogradit.

“Mënyra se si përfaqësuesit e BE-së janë përpjekur të ndryshojnë kushtet e tyre, duke pranuar kushtet në rritje të Serbisë, nuk është një histori suksesi e diplomacisë ndërkombëtare, nga mënyra se si janë munduar ta keqpërdorin këtë çështje. Qeveria e Kosovës, nga fillimi, nga Plani i Ahtisarit, që është themeli i pavarësisë së Kosovës, është pajtuar që të ketë një asociacion të komunave me shumicë serbe. Por janë kushtet që janë shtuar përgjatë viteve ato që e kanë bërë këtë çështje gjithnjë e më problematike”, thotë zoti Malcolm.

Çështja e Asociacionit është një nga pikat më të nxehta në bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë.

Përfaqësuesit e vendeve perëndimore e kanë kritikuar në mënyrë të vazhdueshme qeverinë e Kosovës për mospërmbushje të detyrimeve ligjore që dalin nga procesi i bisedimeve.

Një marrëveshje e arritur vitin e kaluar ndërmjet palëve parashihte mes tjerash që Prishtina të fillonte punën për themelimin e Asociacionit, ndërsa Serbia të mos e kundërshtonte anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare.

Beogradi ka bërë fushatë aktive për ta penguar anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës duke vënë theksin tek Asociacioni.

Disa vende evropiane si Franca dhe Gjermania i kërkuan qeverisë së Kosovës të ndërmerte hapa konkretë për themelimin e Asociacionit para anëtarësimit.

Por kryeministri i Kosovës Albin Kurti e cilësoi si të papranueshëm një kushtëzim të tillë.

Historiani Malcolm thotë se ky ngërç krijon mundësi për Moskën që të destabilizojë Ballkanin, në veçanti pas sulmit rus në Ukrainë.

“Lufta në Ukrainë e ka përkeqësuar aspektin gjeopolitik të Evropës dhe ka ndikuar negativisht edhe në Kosovë. Jam i sigurt se njerëzit janë më të shqetësuar se Serbia mund të jetë një lloj kali i Trojës në Ballkan, që punon për Moskën. Kjo është e kuptueshme. Por në aspektin afatgjatë, mendoj se lufta në Ukrainë do të ndikojë që Perëndimi të kuptojë se kush janë miqtë e vërtetë të tij. Dhe ne e dimë se Kosova dhe Shqipëria janë vendet më pro-perëndimore, pro-NATO, pro shoqërisë amerikane në të gjithë rajonin. Këta janë miqtë e vërtetë, ndërsa Serbia po tregon vazhdimisht se nuk është fare mike”, thotë për Zërin e Amerikës historiani britanik.

Serbia aspiron anëtarësimin në Bashkimin Evropian por ruan lidhjet e forta me Rusinë dhe Kinën. Sipas historianit Malcolm veprimet e Beogradit janë një tregues se ky vend është më afër që t’i bashkohet grupit ‘BRICS’ të përbërë nga Rusia, Kina, India, Brazili dhe Afrika e Jugut, sesa Bashkimit Evropian.

“Do të ishte e lehtë për të thënë se ( presidenti serb Aleksandar) Vuçiç po luan një lojë të mençur. Ai e di se çfarë e shqetëson Berlinin, Parisin, Uashingtonin dhe kështu ndaj tij do të bëhen lëshime të tjera. Por nuk është thjesht një taktikë. Shihni rezultatet e sondazheve në Serbi. Ekziston një ndjenjë e gjerë publike se ata duan më shumë Putinin sesa çdo politikan perëndimor. Mbështetja për Putinin në sondazhet serbe është trodnitëse”, thotë ai.

Këto komente, zoti Malcolm i bëri gjatë një aktiviteti në Konsullatën e Kosovës në Nju Jork, ku u shfaq dokumentari “Mirënjohje” kushtuar kontributit të tij për Kosovën, një film me tre pjesë i realizuar nga ish ambasadori i Shqipërisë në Britani, Mal Berisha.

Sir Noel Malcolm është autor i librit “Kosova: Një histori e shkurtër”, i cili u botua në vitin 1998 dhe ishte një nga librat e paktë që tregoi historinë e Kosovës, në një kohë kur ajo nuk njihej nga vendet e tjera.

“Mendova ta bëj këtu edhe si një shenjë shumë e rëndësishme e asaj çfarë është Kosova. Një Kosovë, që para aq vitesh, para luftës, këtu ishte pothuajse e panjohur, ndërsa sot është një vend i cili ka përfaqësi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe të bësh një aktivitet me Sir Noelin këtu, i cili ka luajtur një rol shumë të madh në ndërgjegjësimin e faktorit ndërkombëtar për ndërhyrjen në Kosovë, për t’i shpëtuar kosovarët nga thundra sebre, për mua është diçka shumë kuptimplotë“, thotë autori Berisha.

Konsulli i Kosovës në Nju Jork, Blerim Reka thotë se libri i historianit Malcolm ndihmoi në ndërgjegjësimin e diplomacisë botërore mbi çështjen e Kosovës edhe pas çlirimit dhe pavarësisë së vendit.

“Në vitin kur e publikoi, kishte filluar lufta çlirimtare e Kosovës dhe ky libër ndryshoi tërësisht historiografinë deri atëherë spekuluese dhe propaganduese të Serbisë, sepse me fakte zhveshi mitet false të Serbisë për Kosovën. Nga libri i tij, për këto 24-25 vite, çerek shekulli, jo vetëm historia botërore por edhe diplomacia botërore gjeti referenca, argumente të bollshme për të dëshmuar se pse ishte e domosdoshme lufta çlirimtare në vitin 1998”, thotë Ambasadori Reka.

Autori Berisha thotë se çështja e Kosovës nuk është një kapitull i mbyllur dhe se duhet angazhimi i të gjithë veprimtarëve shqiptarë kudo në botë.

“Të punojmë së bashku që ta mbajmë Kosovën të fortë ashtu siç e duam. Sepse ajo në fakt, rënia e Kosovës është rënie për çdo shqiptar. Nuk është rënie për qytetarët e Kosovës. Ajo është një dështim për të gjithë botën shqiptare”, thotë zoti Berisha.

Më 2016 Sir Noel Malcolm është nderuar nga shteti i Kosovës me dekoratën ”Medalja e Artë e Lidhjes së Prizrenit”.

Kurti përkujton masakrat në Pejë: Serbia duhet të japë përgjegjësi

Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se Serbia duhet të japë përgjegjësi për krimet e kryera në fshatrat Qyshk, Zahaq, Pavlan dhe Llabjan të Pejës, pasi sipas tij, para se të vriteshin 120 civilë në 1999-n, një ushtar kishte thirrur “në emër të Serbisë”.

Kurti ka thënë të martën se rruga drejt drejtësisë është e gjatë duke shtuar se për këto vrasje të akuzuarit janë dënuar me 56 vjet burgim.

“Sot kujtojmë mbi 120 civilë të vrarë në Qyshk, Zahaq, Pavlan dhe Llabjan. Para se të gjuante, një ushtar bërtiti: ‘në emër të Serbisë’…Kjo masakër është kryer në emër të Serbisë. Andaj Serbia duhet të japë përgjegjësi. Rruga drejt drejtësisë mbetet e gjatë”, ka deklaruar Kurti.

Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Agim Çeku, ka thënë se Qyshku vazhdon të jetë i fortë dhe krenar pasi qëllimi i fshatit “ishte vetëm të shikohej përpara”.

Çeku, që një pjesë e familjes i ishte vrarë në këtë masakër, ka shtuar se familjarët e bëjnë këtë fshat pjesë të historisë.

“Lufta sjell plagë, plagë të mëdha…të kujdesemi që plagë të tilla mos i marrim kurrë. Duhet të shikojmë përpara që ta kemi një shtet i fortë, shtet stabil dhe të bëhemi pjesë e NATO-s, BE-së… Ai gjak kurrë nuk do të falet, kurrë nuk do të harrohet…”, ka theksuar ai.

Ndërsa, kreu i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxhiri, ka thënë se gjashtë masakra janë kryer në këtë zonë brenda 100 vjetëve, e “duhet të punojmë që kjo të mos ndodh më kurrë”.

E, deputeti Xhavit Haliti, ka deklaruar se ka qenë i lidhur me Qyshkun dhe se kjo masakër duhet të dënohet e të dokumentohet.sn

Shqipëria po tkurret- Lindjet në nivelin më të ulët historik që nga viti 1990, më shumë vdekje në 2024

Popullsia e Shqipërisë po tkurret me shpejtësi nga rënia e lindjeve dhe emigracioni i lartë.

Të dhënat zyrtare të INSTAT referojnë se në 3-mujorin e parë të vitit 2024 numri i lindjeve ishte 5,056, duke shënuar një rënie me 6,8%, krahasuar me tremujorin e parë 2023. Lindjet në tremujorin e parë 2024 shënuan nivelin më të ulët historik me bazë tremujore së paku që nga viti 1990.

Ndërsa numri i vdekjeve është 5,537, duke shënuar një rënie prej 5,2%, krahasuar me tremujorin e parë 2023.

Shtesa natyrore e popullsisë, në tremujorin e parë 2024 regjistron 481 vdekje më shumë se sa lindje.

Në tremujorin e parë 2024, katër qarqe të vendit regjistrojnë shtesë natyrore pozitive të popullsisë, ndërsa në tetë qarqet e tjera, shtesa natyrore e popullsisë është negative.

Në tremujorin e parë 2024, qarku me shtesën natyrore më të lartë është Tirana, me 475 lindje më shumë sesa vdekje, ndërsa qarku me shtesën natyrore më të ulët është Korça, me 217 vdekje më shumë se sa lindje.

Lindjet, Korça me rritjen më të madhe, Kukësi më të ultën

Gjatë vitit 2023, tre qarqe të vendit shënuan rritje të numrit të lindjeve, ndërsa nëntë qarqe të tjera shënuan ulje, në krahasim me vitin 2022.

Qarku me numrin më të lartë të lindjeve ishte Tirana me 8.893 lindje, ndërsa qarku me numrin më të ulët ishte Gjirokastra me 393 lindje. Rritjen më të madhe në përqindje të lindjeve, gjatë vitit 2023 krahasuar me vitin 2022 e kishte qarku i Korçës me 2,3%, ndërsa rënien më të madhe e kishte qarku i Kukësit me 14,5%.

Në tremujorin e parë 2024, të gjitha qarqet e vendit shënojnë ulje të numrit të lindjeve, në krahasim me tremujorin e parë 2023. Qarku me numrin më të lartë të lindjeve është Tirana me 1.929 lindje, ndërsa qarku me numrin më të ulët është Gjirokastra me 74 lindje. Rënien më të vogël në përqindje të lindjeve, gjatë tremujorit të parë 2024, krahasuar me tremujorin e parë 2023 e ka qarku i Elbasanit me 2,0%, ndërsa rënien më të madhe e ka qarku i Vlorës me 21,1%.

Vdekjet, më rënia në të gjitha qarqet

Gjatë vitit 2023, të gjitha qarqet e vendit shënuan ulje të numrit të vdekjeve, në krahasim me vitin 2022. Qarku me numrin më të lartë të vdekjeve ishte Tirana me 5.345 vdekje, ndërsa qarku me numrin më të ulët ishte Kukësi me 521 vdekje. Rënien më të madhe në përqindje të vdekjeve, gjatë vitit 2023, krahasuar me vitin 2022 e kishte qarku i Fierit me 15,4%, ndërsa rënien më të vogël e kishte qarku i Kukësit me 3,7%.

Në tremujorin e parë 2024, një qark i vendit shënoi rritje të numrit të vdekjeve, në një qark nuk kishte ndryshim, ndërsa dhjetë qarqe të tjera shënuan ulje, në krahasim me tremujorin e parë 2023. Qarku me numrin më të lartë të vdekjeve është Tirana me 1.454 vdekje, ndërsa qarku me numrin më të ulët është Kukësi me 139 vdekje.

Rënien më të madhe në përqindje të vdekjeve, gjatë tremujorit të parë 2024, krahasuar me tremujorin e parë 2023 e ka qarku i Gjirokastrës me 21,4%, ndërsa rënien më të vogël e ka qarku i Tiranës me 2,6%.

Në vitin 2023, shtesa natyrore e popullsisë rezulton pozitive me 2.331 lindje më shumë se sa vdekje, duke shënuar rritje krahasuar me vitin 2022, i cili regjistronte 690 lindje më shumë se sa vdekje. Gjatë vitit 2023 lindën 23.617 foshnja, duke shënuar një rënie me 4,3%, krahasuar me një vit më parë, ndërsa numri i vdekjeve ishte 21.286 persona, duke shënuar një rënie me 11,3%, krahasuar me një vit më parë.

Gjashtë qarqe të vendit shënuan shtesë natyrore pozitive të popullsisë, ndërsa në gjashtë qarqet e tjera shtesa natyrore e popullsisë ishte negative. Qarku me shtesën natyrore më të lartë ishte Tirana, me 3.548 lindje më shumë sesa vdekje, ndërsa qarku me shtesën natyrore më të ulët ishte Korça, me 760 vdekje më shumë se sa lindje./ Monitor/


Send this to a friend