VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Dështon misioni në Hënë i anijes hapësinore izraelite

By | April 12, 2019

Komentet

Fjalimi i fundit i kryeministres May

Kryeministrja Theresa May kritikoi të mërkurën intolerancën dhe absolutizmin në rritje në politikën botërore, në një mesazh që shumë e shohin si të adresuar ndaj pasardhësit të saj si dhe Presidentit Donald Trump.

Kryeministrja May, e cila do të largohet nga posti brenda një jave, pas një mandati trevjeçar të dominuar nga Brexit-i, dënoi “politikën ndarëse” dhe tha: “disa po humbasin aftësinë për të mos u pajtuar pa dëmtuar pikëpamjet e të tjerëve”.

Zonja May njoftoi dorëheqjen e saj muajin e kaluar pasi Parlamenti hodhi poshtë marrëveshjen e saj të ndarjes me Bashkimin Evropian, e cila kishte për qëllim të siguronte një largim të rregullt të Britanisë nga blloku. Plani u hodh poshtë pjesërisht nga anëtarët pro-Brexit-it të Partisë Konservatore të zonjës May, të cilët dënuan kompromiset me BE-në.

Në fjalimin e saj të fundit si udhëheqëse e vendit, zonja May dënoi politikën populiste të ‘fituesve dhe humbësve, të cilët e shohin kompromisin dhe bashkëpunimin përmes institucioneve ndërkombëtare si shenja të dobësisë, e jo të forcës’.

Ajo mbrojti bashkëpunimin ndërkombëtar dhe theksoi nevojën për të ruajtur marrëveshjen e klimës së Parisit dhe marrëveshjen ndërkombëtare bërthamore me Iranin, të cilat Presidenti Trump i ka hedhur poshtë.

Zonja May ka pasur një marrëdhënie nganjëherë të tensionuar me presidentin amerikan, i cili e ka quajtur qasjen e saj ndaj Brexit-it “naive” dhe ka thënë se ajo duhet të kishte dëgjuar këshillat e tij për të paditur BE-në. Javën e kaluar, ambasadori britanik në Uashington dha dorëheqjen pasi presidenti Trump u përgjigj me zemërim ndaj kabllogrameve diplomatike të bëra publike ku ai e përshkruante Shtëpinë e Bardhë si “kaotike ” dhe ”jofunksionale”. za

Rreth 40 milionë njerëz në botë janë robër të skllavërisë moderne

Dhjetë mijë njerëz do të duhet të lirohen çdo ditë për të eleminuar skllavërinë moderne gjatë dekadës së ardhshme, thuhet në një hulumtim, që tregon vendet të cilat bëjnë pak, ose aspak përparim në përpjekjet për t’i dhënë fund punës së detyruar.

Më pak se gjysma e vendeve të botës e rendisin punën e detyruar si një krim dhe shumica nuk e konsiderojnë martesën e detyruar si një krim, tha raporti i organizatës me bazë në Australi, Walk Free Foundation.

Më shumë se 40 milionë njerëz janë vlerësuar të jenë robër në skllavërinë moderne, që përfshin punën e detyruar dhe martesën e detyruar.

Përfundimi i skllavërisë moderne deri në vitin 2030 ishte një nga qëllimet botërore të miratuara unanimisht nga anëtarët e Kombeve të Bashkuara, katër vjet më parë.

Por, në situatën e sotme, arritja e këtij qëllimi është “e pamundur”, tha raporti.

“Në bazë të përparimin aktual, ne nuk do të jemi në gjendje të zhdukim skllavërinë moderne deri në vitin 2030”, tha Fondacionin Reuters, Katharine Bryant, drejtuese e hulumtimeve në Walk Free.

Ministrat e G7-s do të diskutojnë rreziqet e monedhës së Facebook-ut

Ministrat e Financave të Kanadasë, Francës, Gjermanisë, Italisë, Japonisë, Britanisë së Madhe dhe Shteteve të Bashkuara, do të vendosin si prioritet të tyre, çështjen e monedhës digjitale të Facebook-ut, të quajtur Libra.

Ministrat e vendeve me ekonomitë më të fuqishme në botë, do të takohen gjatë kësaj jave në Francë.

Ata pritet të trajtojnë rreziqet që mund të paraqiten nga planet e Facebook-ut për të vënë në qarkullim monedhën digjitale.

“Linja e kuqe për ne është se Libra nuk duhet të transformohet në një monedhë sovrane”, ka thënë ministri francez i Financave, Bruno Le Maire.

Kompania e mediave sociale Facebook, në muajin qershor, zbuloi planet për të lëshuar në qarkullim, vitin e ardhshëm, një monedhë të re digjitale, të quajtur Libra.

Facebook tha se njerëzit do të jenë në gjendje të bëjnë pagesa me monedhën nëpërmjet aplikacioneve të tyre, si dhe përmes shërbimit të mesazheve WhatsApp.

Kompanitë e pagesave Uber dhe Visa gjithashtu kanë të ngjarë të pranojnë atë në të ardhmen, njoftoi kompania.

Dështon misioni për nisjen në Hënë i anijes hapësinore të Indisë

India ka shtyrë misionin e saj të dytë në hënë, për shkak të asaj që agjencia hapësinore e vendit e përshkroi si një “pengesë teknike”.

Misioni Chandrayaan-2 u ndërpre më pak se një orë përpara nisjes.

Një zëdhënës i Organizatës për Hulumtime Hapësinore indiane, tha se një problem teknik i paspecifikuar ishte vërejtur në sistemin e nisjes së raketës.

Agjencia tha se do të njoftojë një datë të e re të nisjes.

Chandrayaan, është projektuar për të eksploruar depozitat e ujit të konfirmuara nga një mision i mëparshëm hapësinor indian.

Nëse India do të menaxhonte uljen në Hënë, do të ishte vendi i katërt që do ta bënte këtë, pas Shteteve të Bashkuara, Rusisë dhe Kinës.

Misioni i parë në Hënë nuk realizoi ulje, por bëri kërkimin e parë dhe më të detajuar për ujin atje.

Rudy Giuliani, Avokati i Presidentit Trump, Senatori Joseph Lieberman, Sekretari Tom Ridge në konferencën e muxhahedinëve 30 km larg Tiranës

Rreth 3 mijë muxhahedinë që ndodhen në Shqipëri kanë mbajtur një konferencë në ‘qytetin’ e tyre në vendin tonë që ndodhe në në afërsi të Manzës, 30 km larg Tiranës dhe që quhet ‘Ashraf 3’.

Në këtë konferencë është shfaqur 3D lufta 120-vjeçare e popullit iranian për liri e demokraci. Ky ishte evenimenti i parë i këtij lloji në Ashraf-3, i cili është ndërtuar gjatë 18 muajve të shkuar nga opozita iraniane duke përdorur burimet e veta.

Udhëheqësja e opozitës iraniane, Maryam Rajavi, u zotua të premten se Irani ndodhet pranë një kthese historike dhe fitorja e popullit dhe rezistencës iraniane kundër regjimit teokratik është e sigurtë.

Maryam Rajavi, e cila është Presidentja e zgjedhur e Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit (NCRI), ishte folësja më e spikatur në një konferencë në Ashraf-3, ku banojnë mijëra anëtarë të grupit kryesor opozitar iranian, Mujahedin-e Khalq (MEK).

Disa dhjetëra ish-zyrtarë të lartë nga të dyja anët e Atlantikut, duke përfshirë Kryebashkiakun Rudy Giuliani që është avokati personal i Presidentit Trump, Senatorin Joseph Lieberman, Sekretarin Tom Ridge, Drejtorin Louis Freeh, Gjeneralin George Casey, Gjeneralin James Conëay, Michelle Alliot Marie, ish-Ministre e Jashtme dhe e Mbrojtjes e Francës, Ingrid Betancourt, ish-kandidate presidenciale në Kolumbi, e cila ka qenë e mbajtur peng; nga SHBA dhe Europa morën pjesë në konferencë.

Në një pjesë të fjalimit të saj, Znj. Rajavi tha, “Sot në Ashraf 3, jemi mbledhur në një Ekspozitë ku shfaqen 120 vite të luftës së popullit iranian për liri. Një luftë me ulje e ngritje të panumërta, me shumë disfata e triumfe, së cilës i kanë dhënë jetë lotët dhe buzëqeshjet e një kombi të lidhur me zinxhirë e të shtypur nga dy diktatura, monarkia e mëparshme dhe pas saj një regjim fetar e tiranik. Por ne jemi duke çarë përpara në rrugën drejt fitores së sigurtë.”

“Një nga hallkat që mungonte në lëvizjet e mëparshme të popullit iranian ishte organizimi koherent dhe përpjekja e organizuar, së bashku me një forcë të vendosur e të rexhur nga betejat, e cila të ishte e përgatitur për të bërë çfarëdo sakrifice që të nevojitej. Si rezultat, përpjekjet e mëparshme të popullit nuk kanë patur sukses pavarësisht gjithë sakrificave. Dhe sot, Ashraf 3 mishëron rezistencën e organizuar të popullit të Iranit për liri,” shtoi ajo.

Duke iu referuar përparimeve të bëra nga Rezistenca Iraniane, znj. Rajavi theksoi, “Sot, kemi arritur një pikë kthese historike. Një Ashraf i cili është ngritur edhe një herë, krenar dhe i fuqishëm, duke shdritur në zenitin e kësaj Rezistence. Ky Ashraf është riprodhuar 1000 herë në formën e njësive të rezistencës në mbarë Iranin. Dhe një shoqëri shpërthyese e cila nuk ka ndërmend t’i durojë më mullahët, me dëshirën për t’i përmbysur ata…. Populli iranian dhe historia e tyre po çajnë përpara në rrugën drejt fitores së sigurtë.”

Duke iu referuar ekspozitës së 120 viteve të Luftës për Liri, Kryebashkiaku Giuliani tha, “Është një gjë të dëgjosh emrat dhe numrat, por është krejt ndryshe të shohësh fytyrat e 120,000 njerëzve të vrarë—martirë që kanë humbur jetën sepse gjithçka që donin ishte ajo që na takon të gjithëve si qenie njerëzore: Liria.

Senatori Lieberman shtoi, “Ju na keni dhënë mundësinë të jemi besnikë ndaj parimeve tona kombëtare, siç thotë deklarata jonë e pavarësisë, ‘të gjithë njerëzit janë krijuar të barabartë nën Zotin.’ Po këto të drejta i janë dhënë çdo fëmije e çdo të riu jeta e të cilit është këputur nga ky regjim brutal.”

Gjatë konferencës, personalitetet dëgjuan dëshmi nga anëtarë të MEK të cilët kanë duruar personalisht disa vite torture në burgjet e regjimit, duke përfshirë të mbijetuarit e masakrës së 30,000 të burgosurve politikë në 1988-ën në Iran, apo kanë qenë viktima të sulmeve terroriste nga proksit irakenë të regjimit iranian.







Dhjetëra të lënduar në fluturimin e kompanisë Air Canada

Së paku 35 njerëz u lënduan pasi një fluturim i kompanisë Air Canada kaloi nëpër një turbulencë të rëndë ajri.

Aeroplani, me 284 njerëz në bord, po udhëtonte nga Vankuver për në Sidnej, por u desh të devijonte në Havaji.

“Avioni Beoing 777-200 hasi në turbulencë të papritur ajri, rreth dy orë larg Havajit”, tha kompania ajrore.

Turbulenca e ajrit ndodh në qiej të kthjellët, pa ndonjë indikacion vizual si retë.

Ajo shkaktohet kur masat e ajrit, që lëvizin me shpejtësi të ndryshme, takohen.

Ajo nuk mund të identifikohet me sy të lirë ose radar konvencional.

Kompania Air Canada tha se stafi mjekësor i ka kontrolluar të lënduarit me të arritur në aeroportin Honolulu.

Jep dorëheqjen ambasadori britanik në SHBA

Ambasadori britanik në Shtetet e Bashkuara, Kim Darroch, njoftoi të mërkurën dorëheqjen, duke shtuar se e kishte të pamundur të vazhdonte rolin e tij pas rrjedhjes së informacionit të kabllogrameve diplomatike në të cilat ai kritikonte Presidentin amerikan Donald Trump.

Edhe pse mandati im nuk përfundon deri në fund të këtij viti, besoj se në rrethanat aktuale qëndrimi i përgjegjshëm do të ishte lejimi i emërimit të një ambasadori të ri“, tha zoti Darroch në një deklaratë.

Kim Darroch ka qenë diplomati kryesor i Britanisë në Uashington që prej vitit 2016.

Sipas kabllogrameve të bëra tashmë publike zoti Darroch e karakterizonte Presidentit Trump si një udhëheqës “të ngathët”, “të pasigurtë” e “të paaftë” dhe administratën e tij si “jofunksionale”.

Pas publikimi të tyre Presidenti Trump reagoi me një postim në Twitter duke e quajtur zotin Darroch “shumë budalla” dhe një “një njeri të trashë e pompoz”. Ai shkruante gjithashtu se “nuk do të merrej më” me të.

Kabllogramet e publikuara, u dërgoheshin ministrave të lartë britanikë dhe nëpunësve civilë, por zyrtarët besojnë se personi që ia ka dhënë ato shtypit, është politikan apo zyrtar britanik dhe nuk i takon një qeverie të huaj.

SHBA synon krijimin e një force ndërkombëtare në ujërat rreth Iranit dhe Jemenit

Një gjeneral i lartë amerikan ka thënë se Shtetet e Bashkuara dëshirojnë që të krijojnë një koalicion ushtarak ndërkombëtar për të mbrojtur ujërat rreth Iranit dhe Jemenit.

Gjenerali i marinës, Joseph Dunford, tha se iniciativa ka për qëllim të “sigurojë lirinë e lundrimit” në rajon, përmes të cilit sigurohen rrugë të rëndësishme tregtare.

Muajin e kaluar, SHBA-ja akuzoi Iranin për sulme ndaj cisternave të naftës.

Gjenerali Joseph Dunford.

Gjenerali Joseph Dunford.

Gjenerali Dunford tha se SHBA-ja është në bisedime me një numër vendesh të cilat kanë “vullnet politik” për të mbështetur këtë plan.

Sipas planit, SHBA-ja do të siguronte anije “komanduese dhe kontrolluese”, tha ai. Megjithatë, qëllimi do të ishte që vendet e tjera të ofrojnë anije për të ngritur patrullat afër dhe për të shoqëruar anijet tregtare nëpër zonë.

Gjenerali Dunford po ashtu tha se SHBA-ja do të “punonte drejtpërdrejt me ushtarakët për të identifikuar aftësitë specifike” të çdo vendi që duhet ta mbështesë iniciativën.

Çfarë po ndodh në këtë rajon?

Ngushtica e Hormuzit dhe Bab al-Mandab janë lokacionet strategjike detare, që sigurojnë qasje nga oqeani në Gjirin Persik dhe Detin e Kuq.

Gjenerali tha se madhësia e iniciativës varet nga numri i vendeve që vendosin të marrin pjesë.

“Me një numër të vogël të kontribuuesve, mund të kemi një mision të vogël. Ne do të zgjerojmë atë, krahas numrit të vendeve që janë të gatshëm të marrin pjesë “, tha ai.

Çdo ditë, afro katër milionë fuçi nafte kalojnë nëpër Mandab Bab-al për pjesën tjetër të botës.

SHBA akuzuan Iranin për sulmin ndaj dy cisternave të naftës në qershor, në ngushticën e Hormuzit – një akuzë e mohuar nga Irani.

Disa ditë më vonë, një fluturake amerikane pa pilot u rrëzua nga forcat iraniane në Gjirin Persik.

Irani tha se droni kishte shkelur hapësirën ajrore iraniane dhe përmes rrëzimit të tij po dërgonte një “mesazh të qartë në Amerikë”.

SHBA-ja këmbënguli se avioni kishte qenë mbi ujërat ndërkombëtare.

Presidenti amerikan, Donald Trump shkroi më pas se “Irani bëri një gabim shumë të madh!”.

Irani ka thënë se do të mbyllë Ngushticën e Hormuzit nëse nuk do të jetë jetë në gjendje që të eksportojë naftë.

Pse kjo sjellje e Iranit?

SHBA-ja ka vendosur sanksione ndaj eksporteve të naftës iraniane, pasi dëshiron që Irani të rinegociojë një marrëveshje bërthamore.

“Irani nuk po kërkon luftë me asnjë vend, por ne jemi plotësisht të përgatitur për të mbrojtur Iranin”, tha gjenerali Hossein Salami, kreu i Gardës Revolucionare Islamike e Iranit, pas rrëzimit të dronit.

Ndërkohë tensionet midis Mbretërisë së Bashkuar dhe Iranit po rriten, pasi Britania tha se regjimi iranian ishte “pothuajse me siguri” përgjegjës për sulmet ndaj dy cisternave të naftës në qershor.

Ndërkohë, Teherani ka njoftuar se ka rritur nivelet e uraniumit të pasuruar, i cili shërben për krijimin e armës bërthamore.

Ky veprim ka alarmuar vendet perëndimore, të cilat i kanë kërkuar Iranit të respektojë marrëveshjen bërthamore të vitit 2015, të cilën e ka nënshkruar me disa vende evropiane, Rusinë, Kinën dhe SHBA-në.

Me marrëveshjen e vitit 2015, Irani ka kufizuar aktivitetin bërthamor në këmbim të lehtësimit të sanksioneve ndërkombëtare.

Por, vitin e kaluar, SHBA-ja është tërhequr nga kjo marrëveshje duke thënë se ajo nuk kufizon mjaftueshëm kapacitetet e Iranit për zhvillimin e armës bërthamore.

SHBA-ja ka thënë se Irani paraqet rrezik për rajonin dhe botën dhe se kurrë nuk do ta lejojë të posedojë armë bërthamore.

Zyrtarët iranianë janë ankuar se palët e mbetura në marrëveshje – Britania, Franca, Gjermania, Kina dhe Rusia – nuk kanë arritur t’i zbusin efektet e sanksioneve të SHBA-së mbi ekonominë e Iranit.

Por, pas informacioneve për rritjen e nivelit të uraniumit të pasuruar nga ana e Iranit, fuqitë evropiane i bën thirrje Teheranit të tërhiqet nga hapat e fundit për të rritur nivelin e uraniumit të pasuruar.

Në një deklaratë të përbashkët të lëshuar më 9 korrik, Gjermania, Britania, Franca dhe Bashkimi Evropian shprehën “shqetësim të thellë se Irani nuk po përmbush disa nga angazhimet e tij, sipas marrëveshjes bërthamore të vitit 2015”.

Përgatiti: Kestrin Kumnova

Izraeli zbulon rrugën ku ‘shkeli’ Jezusi për të mbërritur në Jeruzalem

“Rruga Pilgrim” 2,000 vjeçare, e cila shërbeu si rrugë kryesore për vizitorët në tempullin e lashtë hebre, thuhet se është rruga të cilën Jezusi e përdori për të mbërritur në Jerusalem.

Ky zbulim i izraelitëve i cili shërbeu si rrugë kryesore për vizitorët në tempullin e lashtë hebre, u zbulua rastësisht në vitin 2004 nga punëtorët që ndreqnin një tub të thyer në një fushën me patate, ndërsa u punua shumë këto vit në të.

Rruga prej 350 oborresh çoi në tempull nga një burim i njohur si Pishina e Siloamit, ku pelegrinët do të pastroheshin para se të vizitonin tempullin.

Projekti shumëvjeçar për të gërmuar nën lagjen më së shumti palestineze të Silwanit u financua nga donatorët, duke përfshirë miliarderin Rus Roman Abramovitch, republikanët megadonor Sheldon Adelson dhe themeluesin e Oracle Larry Ellison.

Anulohet një takim i zyrtarëve të lartë britanikë dhe amerikanë

Sekretari i Jashtëm britanik, Jeremy Hunt tha se presidenti amerikan, Donald Trump, nuk ka treguar respekt ndaj kryeministres dhe Britanisë së Madhe.

1/2 @realDonaldTrump friends speak frankly so I will: these comments are disrespectful and wrong to our Prime Minister and my country. Your diplomats give their private opinions to @SecPompeo and so do ours! You said the UK/US alliance was the greatest in history and I agree… https://t.co/hNeBWmyyVN
— Jeremy Hunt (@Jeremy_Hunt) July 9, 2019

Komentet vijnë pasi presidenti Trump e quajti ambasadorin britanik në SHBA, Kim Darroch si një njeri “shumë budalla”.

Presidenti, kritikoi edhe kryeministren në largim, Theresa May, duke thënë se ajo kishte injoruar këshillën e tij për Brexit-in.

The wacky Ambassador that the U.K. foisted upon the United States is not someone we are thrilled with, a very stupid guy. He should speak to his country, and Prime Minister May, about their failed Brexit negotiation, and not be upset with my criticism of how badly it was…
— Donald J. Trump (@realDonaldTrump) July 9, 2019

Ndërkohë, është anuluar një takim i planifikuar i sekretarit britanik të Tregtisë ndërkombëtare, Liam Fox me sekretarin amerikan të Tregtisë, Wilbur Ross në SHBA.

E gjithë kjo përplasje mes zyrtarëve amerikanë dhe britanikë vjen pasi të dielën u publikuan dokumente të fshehta, në të cilat ambasadori britanik në SHBA, e quante administratën e Trumpit, të “paaftë”.

Ndërkohë qeveria britanike ka nisur një hetim për rastin.

Megjithatë, qeveria britanike deklaroi se e mbështet ambasadorin e Britanisë së Madhe në SHBA, dhe nuk dha shenja se do ta zëvëndësojë atë.

Thellohen përplasjet diplomatike mes SHBA-së dhe Britanisë së Madhe

Ambasadori britanik në SHBA, Kim Darroch

Presidenti amerikan, Donald Trump, e ka quajtur ambasadorin britanik në SHBA si njeri “shumë budalla”, menjeherë pasi qeveria britanike, tregoi mbështetjen e plotë për ambasadorin, Kim Darroch.

The wacky Ambassador that the U.K. foisted upon the United States is not someone we are thrilled with, a very stupid guy. He should speak to his country, and Prime Minister May, about their failed Brexit negotiation, and not be upset with my criticism of how badly it was…
— Donald J. Trump (@realDonaldTrump) July 9, 2019

Të hënën, presidenti Trump tha se më “nuk do të punojë” me ambasadorin britanik në Uashington, pas rrjedhës së dokumenteve të fshehta, në të cilat diplomati britanik, citohet të ketë thënë se administrata e Trumpit është “e paaftë”.

Qeveria britanike ka nisur një hetim për rastin.

Zbulimin e dokumenteve të fshehta, qeveria britanike e quajti si “fatkeqësi”
dhe tha se Britania e Madhe dhe SHBA-ja ende kanë një marrëdhënie “të veçantë dhe të qëndrueshme”.

Vdes në aksident trafiku afrikani i parë me ngjyrë që do të udhëtonte në hapësirë

Afrikani i parë me ngjyrë i cili kishte fituar shansin për të udhëtuar në hapësirë ka humbur jetën në një aksident me motoçikletë pa arritur të realizojë ëndrrën e tij.

Transmetuesi britanik BBC, duke cituar familjen e të ndjerit, raportoi se Mandla Maseko, anëtar i Forcave Ajrore të Afrikës së Jugut, ka humbur jetën gjatë fundjavës pasi më herët kishte fituar mundësinë në një konkurs në vitin 2013 me një milion aplikues për të udhëtuar në hapësirë në një kontingjent prej 23 personash në një akademi hapësinore në SHBA.

I njohur me nofkat “Afronaut” dhe “Spaceboy” (Djaloshi i hapësirës), 30-vjeçari Maseko kishte kaluar një javë në Qendrën Hapësinore Kennedy në Florida duke bërë teste përgatitore për një fluturim nën-orbitar, që ishte planifikuar fillimisht të realizohej në vitin 2015.

Maseko, i lindur si fëmija i një auto-mekaniku në afërsi të kryeqytetit Pretoria, kishte theksuar se dëshiron të bëjë gjëra për të frymëzuar të rinjtë e Afrikës dhe për të dëshmuar se ata mund të arrijnë çdo gjë pavarësisht se nga vijnë. aa