VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

DËSHMITARI DARDAN I MANASTIRIT TË DEÇANIT – Studim nga Fatbardha Demi

By | January 9, 2019

Komentet

Telegrami për Koçi Xoxen: 50 matjanë kërkojnë faljen e Xhemal Vatës, por ai meriton vdekjen!

“Ardhja e tyre ka qenë e organizuar, por inisjatorët nuk mundëm ti nxirrnim megjithëse u munduam shumë në këtë drejtim. Ne u treguam me qartësi që Xhemal Vata meriton vdekjen dhe se ata po bëjnë një faj duke mbrojtur një kriminel…”

Ajo çka i xhindoste më shumë komunistët gjatë operacioneve për të nënshtruar popullsinë e veriut të vendit e për të instaluar komunizmin aty, ishte rezistenca e popullit dhe mbështjetja pa kushte që ata ju jepnin nacionalistëve që regjimi i quante “reaksionarë”. Por, kur popullsia organizohej e bëhej një grupim për një qëndrim të caktuar regjimi, haste në vështirësi për t’i bindur.

Telegrami i mëposhtëm që Gaqi Nesha i dërgon Koçi Xoxes, në 10 tetor 1945, zbulon një ngjarje të rrallë në Mat, ku 50 banorë të 4 fshatrave të Matit kishin kërkuan anullimin e dënimit me vdekje që ishte dhënë për Xhemal Vatën. Edhe pse komunistët ishin munduar me çdo mënyrë për t’i bindur të heqin dorë nga kërkesa e tyre dhe të zbulonin se kush i kishte shtyrë për këtë kërkesë, ata nuk ishin bindur dhe më këmbëngulje kërkonin të dërgonin kërkesën e tyre në Gjykatën e Lartë, për ta shpëtuar nga dënimi me vdekje, njeriun që ata e vlerësonin. Në fund, Gaqi Nesha nënvizon, se “Xhemal Vata e meriton dënimin me vdekje”. Duket se pas këtij telegrami, përpjekja e 50 matjanëve për ta shpëtuar nga dënimi me vdekje, kishte rezultuar pa sukses, pasi Xhemal Vata rezulton në listën e gjatë të të ekzekutuarve nga regjimi komunist.

Më poshtë, e sjellim të plotë dokumentin ku flitet për këtë ngjarje:

10 Tetor 1945

Koçi Xoxe

Sot në katundet e Matit: Macukull, Gjoçaj, Dukagjin dhe Shtjefëll ardhën pesëdhjetë katundarë për të kërkuar faljen  nga vdekja të Xhemal Vatës.Unë bashkë me Jordanin  biseduam me ta katër orë duke i sqaruar mbi situatën dhe detyrën për t’i dënuar kriminelat. U treguam tradhëtinë e parisë së Matit dhe rrjedhimisht të Xhemal Vatës  meriton vdekjen duke dekllaruar për të se e njohin për njeri të mirë dhe që ato çka bërë nga budallallëku. Ardhja e tyre ka qenë e organizuar por inisjatorët  nuk mundëm ti nxirrnim me gjithëse u munduam shumë në këtë drejtim. Ne u treguam me qartësi që Xhemal Vata meriton vdekjen dhe se ata po bëjnë një faj duke mbrojtur një kriminelë. U folëm gjatë për të mos u tërhequr për hunde prej të tjerëve  si përfundim ata qëndruan në fjalën e tyre dhe kërkuan që kërkesa të bëhet në gjyqin e naltë. Na mendojmë që Xhemal Vata  meriton vdekje. Tarafi i Xhemal Vatës në macukull patjetë e mbronë se e don dhe se kanë ambicjen që Bilal Kola kryetar tjetër në Macullu është i pa kapur.

Gaqi Nesha.

Kujto.al

NUK HARROHET 26 marsi 1999! Nuk jemi për hakmarrje – jemi për drejtësi! – Nga Ma. sc. Besnik F. Hoti

 

IN MEMORIAM

Në përkujtim dhe në nderim të atyre burrave, grave dhe fëmijëve nga Krusha e Madhe, që dhanë jetën për çlirimin e Kosovës, duke rënë në altarin e LIRISË.

26.03.1999 – 26.03.2019 bëhen 20 vjet nga gjenocidi dhe masakra më e madhe në Kosovë në Krushë të Madhe, fshat në Komunën e Rahovecit. Ky shkrimi vjen në 20 vjetorin e masakrës, në përkujtim dhe në nderim të atyre burrave, grave dhe fëmijëve nga Krusha e Madhe, që dhanë jetën për çlirimin e Kosovës, duke rënë në altarin e LIRISË. Sot e 20 vite me radhë, me të drejtë krushjanët kërkojnë që përgjegjësit e këtyre masakrave të dalin para drejtësisë dhe të marrin dënimin e merituar.

Marsi i vitit 1999 për krushjanët, ishte një ngjarje që do të mbahet përjetë e paharruar në kujtesën e atyre që arritën të dalin të gjallë nga ajo luftë. Në natën e 24 marsit të vitit 1999, kur avionët e NATO-së filluan bombardimet mbi caqet serbe, kriminelët serbë në pamundësi për t’u përballur me forcat  e NATO-së dhe UÇK-së, mprehën thikat e tyre të krimit për të masakruar popullin e pambrojtur të Kosovës.

Fshati Krushë e Madhe dhe njerëzit e tij patën fatin e keq, me  25 dhe 26 mars, forca të mëdha ushtarake ia mësynë fshatit për të shfarosur  njerëzit e tij. Qindra ushtarë të armatosur deri në dhëmbë, të udhëhequr nga eprorët e tyre, djegin Krushën dhe fshatrat përreth shtëpi për shtëpi, nxjerrin banorët në rrugë duke i dërguar herë në një vend dhe herë në tjetrin, për të kërkuar vendin se ku ishte më mirë t’i pushkatonin dhe masakronin.

Kriminelë të tjerë, të organizuar në formacione të ndryshme ushtarake dhe paramilitare ishin në ndihmesë të tyre. Serbët lokalë ishin bërë kryekriminelët dhe u prinin kriminelëve të tjerë serbë të ardhur nga Serbia. Këta kriminelë ishin të tmerrshëm në dukje, me fytyra të ngjyrosura dhe me shamia ngjyrash të ndryshme të lidhura në kokë.

Ndodhi ajo me e keqja për banorët e Krushës dhe fshatrave përreth: forcat paramilitare, policore, ushtarake të ndihmuar nga serbët lokal  vranë dhe masakruan, 242 persona.  Prej tyre: 207 janë të vrarë dhe të pagjetur nga Krusha e Madhe, ndërsa 35 nga të strehuarit në fshat, prej tyre 142 të identifikuar, 65 të pagjetur, në mesin e tw vrarëve janë 7 fëmijë, si dhe 5 femra.

Nga Tribunali i Hagës u gjetën: 8 varreza masive,  2 krematoriume, si dhe shumë varreza personale. Si pasojë e luftës janë plagosur 25 veta, ndërsa janë djegur 793 shtëpi, xhamia e fshatit, si dhe janë bërë shumë dëme të tjera materiale dhe teknike, pas largimit të forcave serb. Shumë shtëpi mbetën pa asnjë mashkull, 140 gra të veja dhe 548 fëmijë bonjakë. Sot Krusha e Madhe është jetimorja më e madhe në Evropë.

Ish-ministri i jashtëm gjerman Joschka Fischer, pas vizitës së tij në kontingjentin e ushtarëve gjerman në Prizren bashkë me ish-ministrin e mbrojtjes Rudolph Scharping, me 23 qershor të vitit 1999 vizituan fshatin Krushë e Madhe, Joschka Fischer u shpreh: ”Kjo vizitë në Krushë të Madhe sërish më qartësoi se për çka kishim luftuar dhe se  kishim vepruar drejt me vendimin, që Milosheviqin këtë herë ta konfrontonim ushtarakisht dhe me vendosmëri”

Po ashtu edhe ish-ministri i jashtëm britanik Robin Cook gjatë vizitës në Krushë me 24 qershor të vitit 1999 u shpreh:  “Nuk do të mbyllim sytë para kësaj…kjo është e tmerrshme. Jam tepër i prekur dhe i emocionuar nga kjo…jemi duke i ndjekur ata  që kanë instruktuar këto krime dhe fushatën sistematike të krimeve“

Këto personalitete me ndikim e mbajtën fjalën e tyre, nga dëshmit e gjetura për masakrën e Krushës së Madhe, Tribunali i Hagës bëri fajtor drejtpërsëdrejti kriminelin Millosheviq dhe bashkëpunëtorët e tij si: Millan Millutinoviqin, Nikolla Shainoviqin, Dragolub Ojdaniqin, si planifikues, nxitës, që urdhëruan përgatitjen dhe kryerjen e veprimeve siç janë: vrasje, dëbim, shkatërrim kulturor i objekteve fetare të shqiptarëve kosovarë, krim kundër njerëzimit dhe shkelje e zakoneve të luftës.

Po ashtu shumë personalitete ndërkombëtare dhe vendore gjatë këtyre 20 viteve kanë vizituar Krushën e Madhe siç janë: ish-kongresisti republikan dhe lobuesi për çështjen shqiptare në Kongresin Amerikan Joseph J. DioGuardi, sot president i Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane, Shirli DioGuardi, Këshilltare për  Çështje Ballkanike pranë Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane, miku dhe heroi i gjallë i dëshmuar i shqiptarëve Ambasadori William Walker.  Ish-presidenti i Republikës së Kosovës Fatmir Sejdiu së bashku me zonjën e parë Nezafete Sejdiu. Ish-presidentja e Republikës së Kosovës Atifete Jahjaga.  Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë Ilir Meta. Ish-presidenti i Republikës së Shqipërisë Rexhep Mejdani, Ish-presidenti i Republikës Alfred Moisiu. Gazetarë ndërkombëtarë dhe shumë personalitete të ndryshe nga e gjithë bota.

Murat Jashari, anëtar i familjes emblematike Jashari, i cili gjatë vizitës në Krushë të Madhe u  shpreh “Askund nuk mund të ketë shembull më të mirë të gruas shqiptare sesa në Krushë të Madhe, ku gratë kanë sfiduar dhimbjen dhe mentalitetin dhe rrisin fëmijët e tyre e rindërtojnë jetën”

Tragjedia më madhe e Krushës vazhdon edhe 20 vite pas luftës, është fati i të PAGJETURVE. Krushës i mungojnë dhe 65 persona, në mesin e tyre edhe intelektuali i përmasave kombëtare dhe ndërkombëtare Mr. Ukshin HOTI. Zbardhja e fatit të këtij veprimtari të madh të çështjes kombëtare, është sprovë e ndërgjegjes sonë politike, intelektuale, kombëtare, njerëzore.  Për familjet e personave të pagjetur, fati i tyre është plagë e thellë që e mban ende të gjallë trishtimin e këtyre familjeve. Qeveria  së  bashku  me institucionet tjera mbajnë përgjegjësinë që të angazhohet në zbardhjen e fatit të tyre.

Serbia e ka përgjakur Ballkanin gjatë viteve ’90 dhe për këtë mban përgjegjësinë. Serbia dhe serbët mbajnë mbi kurrizin e tyre barrën e krimeve më të rënda kundër njerëzimit dhe spastrimit etnik në Kosovë. Krushjanët me të drejtë kërkojnë të dëmshpërblehen nga shteti serb. Është përfolur shumë herë nga krerët e institucioneve të Kosovës, për padi kundër shtetit serb, por edhe pse kanë kaluar 20 vite nga mbarimi i luftës, ende nuk ka asgjë konkrete.

Ajo që ndodhi në Krushë të Madhe dhe në Kosovë gjatë viteve 1998-1999 duhet të jetë në dosjen e Kosovës në bisedimet me Serbinë dhe në dosjen e faktorit ndërkombëtar. Normalizimi i marrëdhënieve fillon nga pendesa e shtetit që bëri krimet.

Lufta e UÇK-së ishte sakrifica e popullit që e solli lirinë, që e ndërgjegjësoi opinionin ndërkombëtar, që e bindi atë se në Kosovë po ndodhte terrori sistematik, depërtimi i dhunshëm i popullatës, se Serbia po bënte krime kundër njerëzimit dhe gjenocid. Lufta e UÇK-së ishte lufta e drejtë, lufta çlirimtare në mbrojtje të dinjitetit dhe identitetit kombëtar dhe njerëzor.
LAVDI E PËRJETSHME, LAVDI QËNDRESËS HEROIKE TË DËSHMORËVE TË KOMBIT DHE GJITHË TË RËNËVE PËR LIRI!

Shënime për autorin

Ma. Sc. Besnik F. Hoti – i lindur në Krushë të Madhe të Rahovecit, djali i dëshmorit të kombit Dr. spec. Fahredin Hotit, gjatë luftës humbi edhe vëllain Kreshniku 13 vjeçar, gjyshin Shemsedinin 70 vjeçar.

Ish-zëvendësministër i Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, nëntor 2017- shkurt 2019,  doktorant për Marrëdhënie Ndërkombëtare pranë Universitetit Evropian të Tiranës, ish- ligjërues për: Konfliktet dhe Siguria Ndërkombëtare në Kolegjin “VICTORY”, Prishtinë nga vitit 2010 deri në mars të 2016.

Mêndore mbi Shqipnín e Sipërme – Nga MUSTAFA KRUJA

Me notën-shtesë mbi kërkesat shqiptare të dhânë më 7 të Marsit të kaluem, kemi pasun edhe nji herë nderën të vërejmë se, në ndëgjimin e shkurtën qi na pat bâmun më 27 të Shkurtit komisia e ngarkueme me punët greke, na nuk patëm mundun me i zhvilluem mbas ândës s’onë të gjitha kërkesat t’ona të drejta, tue qênë qi mund të thomi se liria e fjalës na qe kufizuem vetëm në kundërshqyrtimin e rrëzimin e parandêmevet greke në Shqipní.
Po, në qoftë se na nuk kemi pasun rasën për me shkoqitun mbas ândës s’onë të gjithë argumentat qi provojnë të drejtën qi kemi mbi krahinën e Çamërís, e cila âsht nji krahinë tjesht shqiptare në qênësín e saj, nuk kemi mundun, në tjetër anë, kurrsesi të parashtrojmë kërkesat t’ona mi dhenat e Shqipnís së Sipërme të sakrifikueme më 1878 prej Kongresit të Berlinit e më 1913 prej Konferencës së Londrës për fitim të Malazezvet e të Serbvet.
Mbas si çâshtja e caktimit të kufinit serbo-shqiptar u la qi të shqyrtohej drejt për së drejti prej Këshillit të Naltë të Konferencës, na duket me detyrë qi t’i nênshtrojmë kujtimet e arsyet qi vijojnë, të cilat do të vlejnë për me formuem e me shndritun mâ mirë ligjsín e kërkesavet t’ona të përmbledhuna në Memorandum–in t’onë të 12 të Shkurtit si edhe në Parashtruemen t’onë më 24 t’atij mueji.
Për me u dalun zot parandêmevet të veta të padrejta mbi Shqipnín e Sipërme, Serbët e Malazezët këthejnë mbrapshtë argumentat qi përdorin Grekët për me mbështetun lakmít e veta mbi Shqipnín e Poshtme. Grekët, me gjithë qi njohin se populli i Epirit të Veriut âsht shqiptar me kombsí, mundohen me u kacarruem me të vetthânën vullëndesë t’atij populli qi me u bashkuem me Greqín; në vênd qi Serbët e Malazezët, tue mos mundun t’u mohojnë banorvet të Shqipnís së Sipërme kombsín shqiptare as deshirin e flaktë qi ata kanë për me këthyem në gjî të mâmës-atdhe, përpiqen me mprojtun tezën e tyne tue thânë se ata Shqiptarë rrjedhin prej gjinie serbe a malazeze; në këtê mënyrë parandêjnë nji të drejtë historike mbi dhenat e Shqipnís së Veriut e kërkojnë të mbështesin kërkesat e veta edhe mbi fqinín shekullore me Shqiptarët.
Na duket punë kreit e kotë qi të mundohemi me rrëzuem poshtë argumentat e bazuem mbi fqinín e qi Serbët e Malazezët përdorin për të mbështetun dëshirat e mbrapshta qi kanë përmbi Shqipnín, mbas si fqinía nuk mund të trajtojë të drejtë për as kênd.
Po na mund të thomi pa frigë përgënjeshtrimi se edhe të drejtat historike të parandeme prej Serbvet e Malazezvet mbi Shqipnín e Sipërme janë aqë të dyshimshme e aqë keq të themelueme sa qi nuk mund t’u apin as hijen e së drejtës kërkesavet të tyne të shtrêmbta, sidomos në këtê kohë kurë të gjithë Beslidhunit kanë njohun teorín e vetvêndimit, domethânë, të drejtën qi kanë popujt me vênduem ata vetë mbi fatin e vet.
E me të vërtetë âsht provuem kjarisht se Shqiptarët, qysh prej kohvet mâ të largta, janë banorët autoktonë të krahinavet të Shqipnís së Sipërme të pushtueme e të lakmueme prej Serbvet e prej Malazezvet. Në këto krahina Serbët janë dukun për të parën herë në të 7in shekull, po nuk kanë mundun kurrë të forcojnë atje zotnimin e vet nga shkaku i deshirit të kombit shqiptar për mëvetësí, qi nuk ka lânë kurrë me i shpëtuem as njê rasë pa ngritun krye kundër tyne për me rishfituem lirín e vet.
Luftat ndërmjet Serbvet pushtues e Shqiptarvet autoktonë e të pashtrueshëm kanë vijuem pa pushim në Shqipní të Sipërme deri në kohët të Stefan Dushanit (1331-1355) qi arrîni me pushtuem gadi të gjithë Shqipnín. Po zotnimi si edhe mbretnia e tij qenë tepër fort të shkurtën e të paqêndrueshëm; mbas vdekës së tij elementi shqiptar e dinastít kombtare u këcyen sipër elementit e dynastivet slave. Por edhe Stefan Dushani vetë e njihte rândësín e kombit shqiptar në mbretní të vet, mbas si e kishte për nderë me u thirrë: Romaniae, Slavoniae et Albaniae Imperator (mbret i Rumanís, i Slavonís e i Shqipnís).
Për mos me u zgjatun fort tue sjellun dokumenta në forcim të tezës s’onë, po kufizohemi të përshkruejmë sa thotë Encyclopedia Britannica për të drejtat historike të Shqiptarvet mbi dhenat e Shqipnís së Sipërme:
“Numri i madh i êmnavet slavonikë qi gjinden në viset e Shqipnís, edhe n’ato krahina ku nuk ka as nji gjurmë popujsh slavë, âsht njê provë e rrymës së madhe t’emigratës serbe e bullgare në nisje të Kohës së Mesme, po banorët e parë të vêndit (Shqiptarët) i kanë shpushtuem pak nga pak të mbrêndardhunit. Ashtu, mbas vdekës së Stefan Dushanit e mbas të shmisuemit të mbretnís serbe, Shqiptarët e atyne viseve u qeverisën prej krênësh të lindun në vênd”.
Argumenti qi u pëlqen mâ tepër Slavvet e qi përdorin mâ shpesh për me mprojtun të vetthânat të drejta historike mi Shqipnín e Sipërme e për me vûmun në dyshim shumicën e madhe shqiptare qi e banon, âsht ky qi vêndasit e asaj krahine kanë qênë përpara Serbë e se mâ vonë janë Shqiptarosun tue u bâmun muhamedanë.

Gabim i madh.
Turqit, në vênd qi t’i ndihmonin të përhapunit të kombsís shqiptare, kanë përdorun në ç’do kohë të gjithë fuqín e tyne për me e ndrydhun. Shqiptarvet u âsht dashun të luftojnë pa pushim për me ruejtun karakterin kombtar kundër mundimevet të bâmuna prej qeverís turke për me i shkombsuem; e kjo punë provohet kjarisht prej 54 kryengritjeve të mëdhaja shqiptare, qi regjistron historia turke, nga të cilat ajo e vjetit 1668 qe nji nga mâ të rândësishmet tue qênë se muerën pjesë në tê të gjithë Shqiptarët e Kosovës ( ).
Mjetet mâ të dobishmet t’ashëmllesës janë fuqia e qytetnimi; mirpo, shi këto dy mjete i kanë munguem popullit shqiptar. Si Serbët ashtu edhe Shqiptarët qenë shtruem nên sundimin e Turqvet, po me këtê ndryshim qi Shqiptarvet qeverria turke u ndalonte arësimin në gjuhët të vet në vênd qi Serbët ishin të lirë me mbajtun shkollat kombtare të tyne, punë kjo qi u jipte lêje me bâmun njê propagandë të gjallë ndërmjet Shqiptarvet ortodoksë të Shqipnís së Sipërme. Mbi këtê çâshtje i vlerti shkrimtar shqiptar, Emzot Bogdani, arqipeshkop katolik i Shkupit, në parathânën e veprës së vet të titullueme “Cuneus Prophetarum” e të botueme shqip e italisht në 1680 në Padovë, ku kishte hikun e zânë vênd, thotë me hidhënim të thellë se gjuha shqipe ishte në rrezik me u shdukun fare në krahinët të Kosovës nga shkaku i salvimevet të Turqís.
Në vênd pra qi të flasim për të vetthânin shqiptarim të popullit serb të Shqipnís së Sipërme prej elementit shqiptar të muhamedanizuem, duhej të thoshim se ka qênë nevojë për të gjithë fuqín e karakterit të popullit shqiptar, qi âsht aqë i lidhun me kujtimet e zakonevet kombtare të veta, për me i qêndruem veprës shkombsore të qeverís turke, mundimet e të cilës për këtê qëllim kishin ndihmën e Serbvet në veri ashtu si atê të Grekvet në jugë të Shqipnís.
Po nuk na duket me nevojë të ndalemi tepër mbi këto çâshtje, qi i përkasin kohës së shkueme, kur gjindemi përpara nji populli homogjen e të përmbledhun, qi ka ruejtun ndërmjet sa ngatërresash karakterin e tij kombtar e qi ka luftuem e po lufton gjithnji për lirín e mëvetesín e vet. Si mund të vêhet në dyshim ndiesia kombtare e popullit shqiptar e si mund të lêhet në njênën anë deshiri i flaktë i tij për me u bashkuem me mâmën-atdhe, Shqipnín, kur shohim se gjithë historia e tij, si e vjetër ashtu e re, âsht plot me luftime heroike e me psime të parrëfyeshme për të ruejtunit e vetësís kombtare e për dashunín e vêndit ku ka lindun, të cilit i ka truem e po i truen për ditë therore të panumrueshme?
Dhenat e Veriut e të Veri-Lindjes së Shqipnís, qi formojnë objektin e kërkesavet t’ona e qi shtrihen prej Tivari e deri në Mitrovicë për me zbritun n’Ohrí janë të banueme prej njê shumice të madhe Shqiptarësh, qi përbân gadi 80% të popullsís së tânë.
Shumica shqiptare në dhenat e sipërpërmênduna, shumicë të cilën Serbët e Malazezët mundohen me e vûmun në dyshim me disa argumenta dredhakë, dobsín e të cilvet e kemi shfaqun mirfillit, ka qênë njohun edhe prej Komisís së Rumelís Lindore, e cila pat qênë marrë edhe me zbatimin e reformavet në Shqipní.
Qe këtu se ç’ shkruente mbi këtê çâshtje në raportat e tij për Foreing Office të botueme në Librin Bruz te vjetit 1880 Lordi Fitzmaurice, delegat britanik në komisín e sipërêmnueme.
“…… Vilajeti i Kosovës, përveç nji rrypine serbe qi shtrihet nga lindja tue zânë fill prej Mitrovicës mund të numrohet shqiptar… Gjakova, Peja e Prishtina janë qêndra ku vlon gjallsia shqiptare qi lëshon rrezet e saj prej kufînit të Malit të Zi deri në kufît të Serbís… Vilajeti i vjetër i Prizrêndit, qi përmblidhte së gjithash Dibrën, Gjakovën, Pejën, Kosovën, Prizrêndin e Prishtinën, ishte dalluem prej visevet slave të Lindjes e të Jugës… Njê numër i madh Shqiptarësh gjindet edhe në Sanxhak të Novi-Pazarit e në Sanxhaqet e krijueme rishtas të Tashllixhes e të Senicës”.
Këtê shumicë e kanë vërtetuem edhe shumë e shumë shkrimtarë të huej, qi kanë veshtuem vêndin e për të cilët nuk mund të thuhet se mbajnë anën e kuj. Qe këtu disa copa të nxjerruna prej vepravet të tyne, të cilat kanë nji auktorí të pakundërshtueshme.
“…. Shqiptarët gegë rrojnë në shumicë të dêndun në viset e përmbledhuna ndërmjet Shkumbînit në jugë; të Malit-të-Zi, të Sanxhakut të Novi-Pazarit e të Serbís në veri; të malevet të Karadagut e të Sharit në lindje… Nga ana e Malit-të-Zi, Shqiptarët janë në shumicë në krahinat e Gucís, të Plavës e të Beranës”.

(BIANCONI: Cartes commerciales, 1888).

“… Serbia e sodshme, tue parandêmun kërkesat e veta mi Serbín e vjetër, ka qênë tërhekun mâ fort prej njê analogjie êmnash se prej njê vetësie fisi”.

(PAUL MARIN: Bulgares et Russes vis-à-vis la triple Alliance, 1891).

“…. Në krahinën e Dibrës së Sipërme gjinden 9.800 Bullgarë e mezi 8.000 Serbë kundër 35.000 Shqiptarësh, e në Rekë 700 Bullgarë kundër 17.000 Shqiptarësh”.

(GAETANI D’ARAGONA, Konsull i Italís ndë Monastir më 1902).

“Shqiptarët janë të zotnit e vêndit të pakundërshtueshëm në Gjakovë, në Prizrênd e në Pejë…. Gjakova âsht kreit shqiptare… Peja, i papërlyemi qytet shqiptar me nam… âsht e ka qênë mâ fort nën sundimin e vjetër qyteti shqiptar i madh i Veriut”.
Në viset e përshkueme prej hekurudhës nga Ferizoviku në Mitrovicë numri i Shqiptarvet âsht fort i madh e tepër i vogël ai i Serbvet… Në fushët të Kosovës, Shqiptari ka njê mizotnim absolut”.
“Mitrovica e Prishtina janë të banueme prej Shqiptarësh… Prej disa vjetsh Gostivari âsht bâmun njê qêndër me rândësië gadi fjesht shqiptare. Nândë të dhetat e banorvet janë Shqiptarë muhamedanë; teprica janë Bullgarë të përziem me disa Serbë e me disa Turq… Në Tetovë (Kallkandelen) ndër 5.000 shtëpia, përpara luftavet gadi 3.000 ishin shqiptare, 1.200 serbe e 800 bullgare. Mbas lajmevet të mbledhuna këtu, mi 100 fshatra, 68 janë Shqiptarë teprica Bullgarë e Serbë. Në krahinë të Gostivarit, mi 60 katunde, 40 janë Shqiptarë, të tierët Bullgarë e disa Serbë”.
(JARAY: L’Albanie inconnue, 1913).

“…. Udhtari qi vjen prej qêndrës së Shqipnís, prej Elbasani, e qi shkon për n’Ohrí i gjên vêndasit bullgarë t’ishulluem në mest të njê fushe shqiptare… Qyteti (Struga) dahet në mest të dy popullsivet (shqiptare e bullgare), të vorfna si njêna tjetra, po fusha për qark âsht fjesht shqiptare deri n’Ohrí”.

(JARAY: Au Jeune Royaume d’Albanie).

Shumica e madhe shqiptare në krahinat e Shqipnís, qi kemi kërkuem, vërtetohet edhe prej statistikavet qi po paraqesim këtu të lidhuna. Mâ e plota e këtyne statistikave âsht ajo qi ka pasë hartuem qeveria turke (1908-1909) e cila në krahinat ku elementi shqiptar ndodhet në shumicë absolute, regjistron 635.667 Shqiptarë, qi përbâjnë kështu 76,6% të popullsís së tânë të këtyne krahinave, qi përmbledh gjithsejt 829.933 banorë. Kjo përpjesí do të shtohej në fitim të Shqiptarvet e do të ngjitej në 80% po të zbriteshin pakicat e dênduna serbe e të përzieme të disa krahinave, nga të cilat nuk kemi kërkuem, për këtê arsye, veçse njê pjesë.
Statistika e bâmun prej auktorivet ushtarake austro-hungare kohën e pushtimit të tyne âsht mâ e reja e, ndonse me mungesa, mund të numrohet si mjaft e saktë. Po t’a krahasojmë me statistikën turke, del mâ pak e fitimshme për elementin shqiptar, të cilit nuk i njeh veçse njê shumicë 69,2% mbi shumën e përgjithëshme të popullsís; po kjo punë mund të mirret vesht fort lehtas kur të kujtojmë salvimet sistematike të Malazezvet e të Serbvet kundër Shqiptarvet, qi u panë të shtrënguem me hikun e me lânë atdheun e vet për me shpëtuem prej ndrydhjevet e prej masakravet. Emigrata mâ e madhja u bâ në krahinat e Vuçiternit e të Gjilanit, qi kanë humbun mâ tepër se gjymsën e popullsís shqiptare, në vênd qi numri i Serbvet ka mbetun gadi aqë sa ka qênë përpara luftavet balkanike.
Statistika bullgare e hartueme prej ishtitutës kartografike të Sofies, me gjithë ansín e saj tepër të dukshme, i ep edhe ajo të drejtë shumicës shqiptare. E me të vërtetë del nji me nji me statistikat turke e austro-hungare në të gjitha ato krahina, mbi të cilat nuk ndêheshin lakmít e Bullgarvet, në vênd qi e paraqit elementin shqiptar fare në pakicë në krahinat e tjera.
Në të gjitha këto statistika, mungojnë ato të krahinavet t’Ulqinit e të Tivarit e të fisevet të Hotit, të Grudës, të Triepshit, etj. qi nuk kemi dashun t’i paraqesim prej vetes s’onë mbasi kishim frigë se mund të numroheshin si të shtrêmbta tue mos qênë të themelueme mbi lajme zyrtare. Po kombsia e atyne krahinave nuk mund të vêhet në dyshim, mbasi dihet prej gjithkui se shumica gadi e plotë e banorvet të tyne përbâhet prej elementit shqiptar katolik e muhamedan. Qe se shka thotë mbi këtê pikë auktori i përmêndun Paul Marin në veprën e vet “Bullgarë e Rusë kundrejt Trilidhjes”: “Traktati (i Berlinit) i lëshon Malit-të-Zi dhena të banueme gadi së gjithash prej Shqiptarësh muhamedanë e katolikë, e parimi i kombsivet qe sakrifikuem edhe njê herë mâ tepër”.
Po parandemet slave mbi dhenat e Shqipnís së Sipërme, qi na kemi kërkuem, dalin edhe mâ të padrejta kur të vêhet re kundërshtimi i madh në të cilin gjinden me ndîesín kombtare shqiptare e me deshirin për mëvetesí të banorvet t’atyne dhenave, të cilët nuk kanë dijtun kurrë t’i shtrohen e t’i ulin kryet zotnimit të huej, e qi nuk lânë kurrë t’u shpëtojë as nji rasë për pa treguem vullëndesën e flaktë qi kanë për bashkimin me mâmën-atdhe të tyne qi âsht Shqipnia.
Kemi përmêndun sa herë, në dokumentat qi kemi paraqitun deri tash, si edhe në këtê mêndore, luftat kreshnike qi kanë bâmun Shqiptarët e Veriut gjithmonë kundra të mbrêndardhunvet të vêndit të tyne; nuk âsht pra nevoja qi t’i përsërisim prap këtu. Po nxitojmë me shtuem vetëm qi luftat e tyne të padame e qêndresa energjike kundra ç’do hapi të ndrydhësvet për me i shkombsuem, janë prova të gjalla qi dëftejnë dashunín e fortë të Shqiptarvet për tokën ku kanë lemun, shpirtin liridashës të tyne dhe se me sa besnikí janë të dhânë mbas ndîesís e gojdhânavet kombtare.
Por nuk po duem me u ndalun shumë mbi këto të ndodhuna historike e do të na mjaftojë me përmêndun të ndodhunat mâ të reja, nga të cilat Lidhja e Prizrêndit âsht mâ në sy se të tâna, mbasi i ka dhânë lëvizjes shqiptare nji karakter thjesht kombtar, Qysh at’here e këndej, veprimi i atdhetarvet shqiptarë ka pasun njê qëllim krejt të caktuem, mëvetesín e atdheut të tyne.
Besojmë se âsht njê e vërtetë e thjeshtë kurë thomi se Shqiptarët, me kryengritjen e fundit të tyne kundra Turqvet të Rij, kanë bâmun gadi fitoren e Shtetënvet balkanikë të lidhun më 1913.
Qe këtu, ç’thotë, për këtê rasë, Z. Jaray në përtëhymen e veprës së tij “Shqipnia e panjohme”.
“Prej 1908 deri më 1913 Shqipnia ka pasun pjesën mâ të parën në çâshtjen e Orientit: më 1908 ajo e bâni qeverín e vjetër me ramun; qyshë prej 1909 ajo ka qênë kazma e themelit të qeverís së Turqvet të Rij; në gushtin e motit 1912, triumfi i lumnueshëm i Shqiptarvet qi hynë në Shkup ka shënuem mbarimin e zotnimit të Portës së Naltë në Maqedhoní; kur, më 1912, Besatarët balkanikë kanë hymun në Tyrqí, kanë hymun në nji Turqí anarkike, due të them në nji Maqedhoní ku auktoritetet, prej disa muejve, faktas, kanë qênë bâmun të paqênë e diku edhe të dëbuem fare nga ana e Shqiptarvet; shkurt, çâshtja e Shqipnís âsht problema mâ e rânda qi mbetet për t’u zgidhun pas si u shtynë Tyrqit në Stamboll e n’Anadoll”.
Por mjerisht Shqiptarët nuk mundën të fitojnë as njê sênd prej mundimevet e sakrificavet të tyne. Konferenca e Londrës në vênd qi t’u njohë të drejtën e bukur e t’u japë atê qi deshirojshin, u dan krahinat mâ të bukurat në mest të fqijvet të tyne.
Të vuejtunat e të ndrydhunat mizore qi kanë hekun Shqiptarët e Veriut prej Serbvet e Malazezvet s’munden me u dëftyem. Për mos me u dukun pajambajtës, po i a lëshojmë fjalën Komisís së ngërkesës në Balkan prej Vakfit të Karnegiës (1913-14), e cila arrin në këtê përfundim të tmerrueshëm: “Të djegun shtëpiash e katundesh, vrasa të gjithmbarshme popullsísh të mituna pa armë, shnderime të pandîeme kurrë, grabitje e shnjerzime ç’do farësh: qe mjetet qi ushtrít serbe e malazeze kanë përdorun e po përdorin edhe, me qëllim qi t’i a ndërrojnë krejt fytyrën etnike të krahinavet të banueme thjesht prej Shqiptarësh”.
E shkretimet dhe masakrat po përsëriten edhe sod n’ato krahina fatzeza të Shqipnís së Veriut, punë qi na bân me pasun frigë se, pa as nji dyshim, gadi nji milion shpirtë prej vëllazënve t’anë, do të zhduken nga faqja e dheut, në qoftë se Fuqít e Mëdhaja Beslidhuna nuk marrin masa energjike për me i dhânë fund mënís mizore të Slavvet kundra farës s’onë.
Po e mbarojmë këtê mêndore tue përtrimun fjalët fatthâna të foluna në Dhomën italiane më 24 Nândor 1880 nga ana e deputetit Medoro Savini me rasën e Demostratës Navale t’Ulqinit, të cilat janë si me pasë qênë thânë mrekullisht për rasat e sodshme: “..E pse pra Frêngjit nuk e barin humbjen e Alsacë-Lorenës? E pse ju (Ministrat e Italiës) nuk do të guxojshit me hekun dorë prej visevet italiane qi gjinden edhe nên Austrín? Pse po i a pranojmë Polonís të drejtën me qênë mëvete? Përse i keni dalun zot Greqís kundra Turqís në Kuvêndin e Berlinit e në Konferencë? Për parimin e kombsivet! E atê pra qi po thomi në Paris, në Romë, n’Athinë e në Varsaví, më duket se, për me qênë koherentë, duhet t’a pranojmë edhe në çâshtjen shqiptare… Groti, në mos paça harruem, sikurse kam ndîemun tue thânë profesorët e mij, Groti ka qênë i mêndes qi munden me u lëshuem popujt: kjo âsht njê farë komunie zyrtare. Përkundras Gjion-Jaak Rousseau bërtet: Por pak së paku lypset t’i pyetni këta berra njerzorë!”
Besojmë se pas Francës, Italís, Polonís e Greqís qi po i shohin të gjitha deshiret e tyne, të numrueme prej deputatit Medoro Savini, krejt të çueme në vênd, edhe Shqipnia do të mund gëzohet për së shpejti tue pamun mâ në fund njêsín e vet kombtare të përnjohun e të proklamueme.

Paris, më 15 prill 1919

(Nënsh. TURHAN)

Marrë nga vëllimi “Mustafa Kruja në historinë shqiptare”
Kapitulli “Shqipnia përpara Konferencës së Paqes”

Konferenca e Tiranës që tronditi Enver Hoxhën pas Kongresit të XX-të në Moskë

Spartak Topollaj  – Hrushovi drejtmajës së pushtetit, pasi eliminon Berian. Ashtu si pa u ndjerë, Hrushovi filloi t’i lëvizë fijet e padukshme deri te kapilarët e partisë (që urrenin gjarpërinjtë e Sigurimit) për të hapur rrugën drejt majës së pushtetit. Kjo duhej bërë shpejt dhe pa humbur kohë, përpara se “Qeni i Kuq”, siç thirrej Beria, të mund të kafshonte. Dhe këtu ai s’kish sesi të mos siguronte përkrahjen e shumicës së Presidiumit 14-të anëtarësh e kandidatësh, përfshi dhe dy nga “kuajt” e Trojkës, Malenkovit dhe Molotovit, të cilët e njihnin mirë superkriminelin e djallëzuar dhe kryeintrigantin gjeorgjian, këtë kameleon të paklasifikueshëm. Për të realizuar skemën e tij, Hrushovi thirri në ndihmë Zhukovin, Marshallin “bonapartist”, siç e quajti më vonë dhe zëvëndësin e Berias, Serovin, që gjithashtu për 1001 arsye i trembej dhe e urrente shefin e tij. Beria arrestohet nga këta të dy, gjykohet dhe ekzekutohet në fshehtësi të plotë, siç kish bërë vetë më parë me një numër pa fund drejtuesish të të gjithë niveleve, pa mundur ta gëzojë Vitin e Ri 1954. Bashkë me atë, të njëjtin fat pësuan, tre nga bashkëpunëtorët më të ngushtë të tij Merkulov, Rjumin dhe Abakhumov.

Reformat dhe politika liberale pas Kongresit të XX-të
Tani udhëheqja e re, ku hynë edhe Zhukovi e Serovi, e pati më të lehtë marrjen e masave dhe reformave të guximshme në të gjithë sektorët, jo vetëm duke anuluar shumë nga vendimet dhe metodat represive e drastike të kohës së Stalinit, por edhe ndryshimet menjëhershme për përmirësimin e jetesës së popullit dhe fillimin gradual të liberalizimit të shoqërisë, si edhe u bënë ndryshime të dukshme në politikën e jashtme, si armëpushimi në Kore, shtensionimi i marrëdhënieve me Jugosllavinë e Titos, me vendet e Perëndimit e sidomos me SHBA-në. Në shtator 1953, Hrushovi zgjidhet edhe de jure Sekretar i Parë i KQ dhe nga kjo pozitë, sulmoi, kritikoi ashpër, e ngarkoi me përgjegjësi për gabime të rënda Malenkovin, duke emëruar Bulganinin në vend të tij në krye të Qeverisë Sovjetike. Shumë ministra të shkarkuar, mbetën megjithatë të kënaqur, teksa u dekretuan ambasadorë, ndërsa vetë Molotovi i shpëtoi përkohësisht kësaj dallge që po merrte përpara një kastë të tërë stalinistësh.

Në këto rrethana, nga 14-26 shkurt 1956, u mbajt në Kremlin i famshmi Kongres i XX-të i PKBS, me praninë e 1436 delegatëve të përzgjedhur me kujdes personalisht nga Hrushovi dhe bashkëpunëtorët më të besueshëm të tij (1356 me votë deliberative dhe 80 me votë konsultative). Ky Kongres, pa mëdyshje historik, me raportin sekret të Hrushovit, ku sundimi i Stalinit u quajt tirani dhe u denoncua ashpër e pa doreza kulti i tij i individit, tronditi rëndë komunizmin botëror dhe veçanërisht, vendet ku regjimet komuniste ishin në pushtet! Që në seancën inauguruese, çliruar nga fantazma e Stalinit, me fjalën hyrëse që zgjati 5 orë, Hrushovi nuk është se s’e befasoi dhe tronditi sallën, pavarësisht përzgjedhjes së delegatëve apo pjesëmarrjes së 55 delegacioneve të huaja komuniste, ku spikaste Mao Ce Duni, Ho Shi Mini, Kim Ir Seni, Dezhi, Vilhem Piku, Torezi, Toliati, Ibaruri, etj pa lënë mënjanë në fund Enver Hoxhën. Për të parën herë u pranua si alternativë fitorja e socializmit pa revolucion, me rrugë parlamentare, pra me votë demokratike dhe u hodh teza e bashkë-ekzistencës paqësore mes dy blloqeve të mëdha. Për shmangien e çdo situate jo normale dhe zbardhjen e ndonjë paqartësie, shërbeu ndërhyrja e Mikojanit, i cili foli hapur për gabimet e rënda të Stalinit në politikën e jashtme dhe përmendi shumë nga personalitetet e partisë dhe të shtetit të ekzekutuar pa asnjë faj në vitet ’30-të!

Raporti sekret në Kongres me krimet e përbindshme të Stalinit
Më datën 24 shkurt, u zgjodh K.Q. i ri me 133 anëtarë dhe 122 kandidatë, ndërkohë që delegatët u ftuan të marrin pjesë të nesërmen në një seancë me dyer të mbyllura, në të cilën u mbajt dhe i famshmi raport sekret i N. S. Hrushovit: Mbi kultin e individit dhe pasojat e tij. Që më 1955 ishte ngritur një Komision me në krye Sekretarin e K.Q., Pospjellov për verifikimin e të gjithë krimeve, fajeve, gabimeve dhe përgjegjësive të epokës staliniste. Më 9 Shkurt 1956, Komisioni paraqiti para Presidiumit materialin tronditës të përgatitur, me miratimin e Hrushovit dhe Shepilovit, material i cili, u vendos t’i paraqitej Kongresit, pavarësisht kundërshtimit të treshes Kaganoviç, Voroshillov, Molotov. Raporti sekret i paraqitur në Kongres mëngjesin e 25 Shkurtit nga Hrushovi, shokoi sallën e Madhe të Kremlinit. Stalini, denoncohej, fajësohej, akuzohej dhe dënohej rëndë, si shkaktar i të gjithë të këqijave, por jo vetë Partia?! Stalini u akuzua jo vetëm për eliminimet e tmerrshme të udhëheqësve të Partisë, Shtetit dhe Ushtrisë, në vitet ’30-të, por sidomos për mungesën e përgatitjes, përballimit dhe komandimit të Ushtrisë së Kuqe në dy vitet e para të Luftës së Dytë Botërore, kur edhe ajo pësoi humbjet më të rënda. E pafalshme për Hrushovin ishte mospërmendja e Masakrës së Katinit ndaj 22.000 oficerëve robër polakë në mars të 1940-të, kryer nga Beria pas urdhrit të Stalinit, zbuluar nga ushtria gjermane më 1943, që dhe ish akuzuar si autore e Masakrës, e fshehtë që u zbardh vetëm pas vitit 1990, e që nuk lehtëson dhe përgjegjësinë e aleatëve anglo-amerikanë, që ishin në dijeni të së vërtetës. Nga ana tjetër, Hrushovi heshti dhe për farsat gjyqësore dhe ekzekutimet, ndaj disa prej udhëheqësve në vendet e Demokracive Popullore, siç quheshin aso kohe, vendet e Europës Lindore. Kështu Slanski, Rajku, Kostovi dhe Xoxe u mashtruan për “interes” të Partisë dhe Socializmit, duke iu premtuar falja e jetës, edhe pse “pranonin” fajësinë si agjentë imperialisto-titistë, dhe u ekzekutuan pa mëshirë.(Natyrisht ata kishin bërë krime dhe e meritonin dënimin, por krimet e tyre u bënë me dijeninë, miratimin dhe urdhrat stalinistë të udhëheqësve në vendet e tyre respektive, siç qe rasti i Koçi Xoxes, i cili kur kuptoi mashtrimin në seancën e fundit farsë të gjyqit, deklaroi: “Qofsha bir kurve, po fola më, pasi çdo krim është bërë me dijeninë, miratimin dhe urdhrin e Komandantit”?! Si e përmendëm më sipër, mes 55 delegacioneve të huaja që morën pjesë në Kongresin e XX të PK të BS, ishte dhe ai i PPSH-së, kryesuar personalisht nga Enver Hoxha. Si e përjetoi ai këtë atmosferë të acartë të destalinizimit, në Moskën e Shkurtit 1956, ç’mendonte dhe ç’plane ogurzeza projektonte dhe thurte ai për të ruajtur, mbajtur, konsoliduar e përjetësuar sundimin despotik të tij? Hipokrit, kameleon, intrigant, prapaskenist klasi, siç edhe ishte ai, Enveri po përgatiste Kongresin e III të Partisë, por para saj ishte Konferenca e Tiranës (Prill 1956), por për këto dhe ngjarje të tjera të mëdha, si vizita e çuditshme, enigmatike e plot mistere e Hrushovit në Shqipëri, do të bëjmë fjalë në pjesën e tretë të këtij shkrimi.
Si e zbuloi raportin e fshehtë gazetari

hebreo-polak, Viktor Grajevski?!
Në një numër të reduktuar kopjesh, nën siglën TOP SECRET, të nesërmen e mbajtjes, Raporti me kapakë të kuq, iu shpërnda të gjithë krerëve të delegacioneve dhe Sekretarëve të Parë të të gjitha Partive Komuniste, pra kuptohet edhe Enver Hoxhës. Interesant mbetet fakti se si u bë e mundur që, në vend të shërbimeve të fuqishme inteligjente, aq të interesuara për ta shtënë në dorë atë, raporti u sigurua prej një gazetari të ri e mjaft të pashëm hebreo-polak, 32-vjeçarit Viktor Grajevski,(ndryshe Viktor Shpilman), kryeredaktor i PAP (Agjencia Polake e Lajmeve), e dashura e te cilit, Luçia Baranovski, sekretare e Eduard Ohabit, kreut të Partisë e Shtetit polak, në prag divorci me bashkëshortin, zv/kryeministrin e vendit, e pakujdesshme dhe e turbulluar nga pasioni, e kish lënë librin mbi tavolinën e zyrës ?! Ai iu lut asaj nëse mund t’i hidhte një sy raportit, por ajo për hir të dashurisë ia ofroi atë ta lexonte të tërin, me kusht që t’ia kthente deri në orën katër të pasdites, se duhej mbyllur në kasafortë. Pas një hezitimi të shkurtër, gazetari u nis drejt ambasadës izraelite, ku në fillim e pritën ftohtë, madje me skepticizëm dhe mosbesim, por shpejt e kuptuan se çfarë u kish rënë në dorë dhe sakaq e foto-filmuan. Më 5 qershor, raportin të plotë e publikoi The New York Times?! Duket e pabesueshme, por ky raport, për herë të parë u publikua i plotë në Bashkimin Sovjetik të Gorbaçovit, vetëm më 1989, nga gazeta Izvjestia!?

Tashmë që çdokush mund ta lexojë raportin, dalin në pah tmerret e regjimit të kuq stalinian me ekzekutimet, burgjet, gulagët e llahtarshëm, terrorin në masë, varfërinë ekstreme etj, përshkruar nga mijëra prej atyre që e vuajtën atë dhe mbijetuan, ndër të cilët shkëlqen nobelisti Sollzhenjicin me “Arkipelagun Gulag”. Nga ana tjetër, për paradoks, sado e pabesueshme por është e vërtetë se një profesor universitar amerikan (në fakt ai jep Letërsinë Angleze të Mesjetës), i quajtur Grover Carr Furr III, neostalinist paranojak, në disa prej librave të tij të viteve të fundit, si p.sh.”Hrushovi Gënjen”, justifikon krimet e tmerrshme të Stalinit, madje edhe e ekzalton figurën monstruoze të tij! Le ta ilustrojmë lajthitjen e këtij “profesori”, vetëm me një fakt: nga 139 anëtarët dhe kandidatët e K.Q. të PKBS, zgjedhur nga Kongresi i XVII, 98 prej tyre ose 70% u arrestuan dhe u ekzekutuan, ndërsa nga 1966 delegatët pjesëmarrës në Kongres, 1108 prej tyre patën të njëjtin fat të zi!

Konferenca e Tiranës që tronditi Enverin
Enver Hoxha që e përjetoi gjithçka ndodhi drejtëpërsëdrejti, madje dhe e përshëndeti Kongresin, kthehet në Tiranë plot dilema për vijën që tani e tutje do të ndiqte PPSH-ja, e cila po përgatitej për Kongresin e saj të Tretë. Ndërkohë në rrethe, para Kongresit pritej të zhvilloheshin edhe Konferencat e Partisë, nga të cilat ajo e Tiranës, prill 1956, jo vetëm befasoi por edhe e tronditi Politbyronë dhe vetë Enverin me frymën e saj të ngjashme me atë të Kongresit të XX. Enver Hoxha, ky mjeshtër i madh i lojës së dyfishtë, ende nuk e kish ndarë mendjen se me kë do të ishte: Me Stalinin e balsamosur në mauzoleum pranë Leninit në sarkofag xhami, poshtë mureve të Kremlinit në Sheshin e Kuq, apo me Hrushovin, liderin e gjallë sovjetik, zyra e të cilit ndodhej vetëm disa metra më tej…?! Po t’i referohemi kujtimeve të kryesekretarit personal të diktatorit tonë, apo si quhej ndryshe Shef i Sektorit të Përgjithshëm, Haxhi Kroit, këtij burokrati unikal, që mund ta quajmë edhe ROLEX-i i Enverit, Komandanti pushonte gjatë, sa në Karlovi Vari, aq edhe në Soçi e Sukhumi, sa në Drilon, aq edhe në Vlorë, apo Dajt(madje Nexhmije Hoxha nuk lejoi botimin e tyre, pasi dilte që Enveri, tërë jetën më shumë kishte pushuar se sa kish punuar)! Kështu, teksa pushonte për shtatë palë qejfe në rezidencën e tij në Ujë të Ftohtë, mori një telefonatë shumë shqetësuese nga Beqir Balluku, i deleguari i K.Q. në Konferencë, i cili e njoftoi mbi situatën e rëndë të krijuar nga diskutimet e forta dhe pyetjet e shumta drejtuar udhëheqjes, prej një numri të madh delegatësh, mbi shkeljet e abuzimet e Bllokut në luks, ndërsa populli vuante mungesën e ushqimeve, që ishin me triska, mungesën e vendeve të punës, strehimit, veshjeve dhe mallrave të domosdoshme, gjendjen e mjerueshme në fshat, burgosjet, internimet, etj. I kthyer me urgjencën më të madhe, ai hyri si i tërbuar në sallë, që me urdhër të tij tashmë ishte rrethuar nga forca të shumta të Sigurimit dhe Policisë. I informuar më së miri për zhvillimet në Konferencë, ai sulmoi egërsisht diskutantët disidentë, madje duke i etiketuar si të nxitur e frymëzuar nga Legata Jugosllave!? U arrestuan dhjetëra delegatë, disa prej të cilëve si Liri Gega ish-anëtare e Byrosë Politike, Gjeneral Dali Ndreu (bashkëshort i saj), kolonel Petro Bullati (kunat i Vasil Shantos), etj u dënuan me vdekje dhe u ekzekutuan me shpejtësi si agjentë të Beogradit!

Hrushovi i kërkoi Enverit të mos pushkatonte Liri Gegën
Hrushovi iu lut Enverit, të paktën t’i kursehej jeta Lirisë tetë muajshe shtatzënë por ai, si rëndom, nuk pati asnjë pikë mëshirë?! Kongresi i III-të i PPSH u mbajt nga 25 maj deri më 3 qershor 1956. Ai ishte kongres hipokrizie dhe dyfytyrësie i Hoxhës, çka vërtetohet nga fakti se materialet e tij, u botuan disa herë në versione të ndryshme dhe në varësi të koniukturave politike dhe kalkulimeve djallëzore të tij.
Revolta e parë e armatosur ndaj një regjimi komunist të pas Luftës së Dytë është ajo në Shqipëri, që njihet si Revolta e Koplikut e 1945, por Bota njeh si revolta të para ato të shpërthyera në RDGJ, më pas në Poznan, Poloni dhe si kulm Revolucionin Demokratik të Tetorit 1956 në Hungari, të shtypur me tanket sovjetike të Hrushovit, sipas një skenari të Juri Andropovit, ambasador sovjetik i kohës në Budapest, më pas Shef i KGB-së dhe në fund kreu i Partisë dhe Shtetit Sovjetik pas Brezhnjevit (1982-1984). Në këtë periudhë udhëheqja sovjetike përfshihet nga ethet e një gare, të ashtuquajtur paqësore, për ta arritur e madje edhe për t’ia kaluar SHBA në të gjitha fushat, ndërkohë që Lufta e Ftohtë vazhdonte, sovjetikët hodhën në orbitën e Tokës edhe satelitin e parë SPUTNIK (Bashkudhëtari) më 4 tetor 1957, i cili pasi përshkoi 70.000.000 km, ra i djegur. Në delirin e madhështisë deri te krijimi i njëriut të ri sovjetik, Hrushovi urdhëroi hedhjen në orbitë të SPUTNIK 2, kësaj here me një qenie të gjallë brenda, vetëm një muaj pas të parit, në prag të 40 Vjetorit të Revolucionit Bolshevik, më 3 nëntor 1957. Mes tre qenve u përzgjodh LAJKA, që mbijetoi vetëm shtatë ditë, ky program i sputnikëve, qe vepër e shkencëtarit Sergej Koreljev. Shkrimtari Jarosllav Gollovanov në Librin “Kozmonauti Nr.1”, tregon se në të vërtetë raketa e parë me dy qentë Dezik dhe Cigan ishte ngritur që më 1951 deri 100 km. dhe pas 15 minutash kishin bërë ulje me parashutë. Por njeriu i parë që fluturoi në orbitën e Tokës me VOSTOK 3 KA-3 dhe u kthye si hero, ishte Juri Gagarin më 12 prill 1961, i thirrur me humor “xhuxhi gjigand”, nga që ishte vetëm 157 cm i lartë, i cili pati një fund tragjik më 27 mars 1968, teksa avioni që pilotonte u rrëzua dhe u dogj bashkë me të. Pas tij, kozmonautë të shquar ishin German Titov dhe Valentina Tereshkova. Tani ishte rradha e amerikanëve që garën, si ata atletët e distancave të gjata, s’e nisën me sprint, por vrapuan të sigurtë drejt kozmosit duke ulur njeriun e parë në Hënë. Kjo ndodhi më 20 Korrik të 1969 kur “APOLLO 11” u ul pas 385.000 km. rrugë mbi sipërfaqen e të vetmit trup qiellor, satelit i Tokës, me astronautët Neil Armstrong, Michael Collins dhe Buzz Aldrin.

Kompromisi i Enverit me Hrushovin në 1957-ën
Në nëntor të 1957 në Moskë u mbajt Mbledhja e Partive Komuniste të Botës, në të cilën nuk mund të mungonte PPSH dhe kreu i saj Enver Hoxha. I ndodhur mes dilemash të shumta dhe pothuaj i vetëm (PKK dhe Mao Ce-Duni ende nuk dilnin haptazi kundër Hrushovit) ndjeu rrezikun e spostimit nga pushteti, si po ndodhte në shumë vende komuniste në frymën e Kongresit të XX-të të PKBS, me krerët e Partive apo Shteteve respektive, ai vendosi të bëjë një kompromis të përkohshëm me Hrushovin, nisur edhe nga gjendja reale shumë e rëndë ekonomike e vendit dhe nevoja jetike për ndihmat sovjetike dhe vendeve të tjera socialiste për realizimin e Planit të Dytë Pesëvjeçar. Deklarata përfundimtare e Mbledhjes së Moskës, vetëm sa e konfirmoi kompromisin, që zgjati de facto edhe tre vite dhe de jure edhe katër të tillë. Duhet thënë, se Hrushovi ishte i pari që bëri shkrirjen e akujve stalinistë dhe Informbyroistë të 1948-ës me Titon, teksa vizitoi Jugosllavinë e u takua me Titon më 1955 (me vete kishte edhe Bulganinin). Hoxhës nuk kish si t’i pëlqente kjo, pasi nga një servil i neveritshëm i Titos, deri më 1948-ën, ai ishte shndërruar në një armik i betuar i tij me nxitjen e më të fortit, Baba Stalinit! Në të vërtetë ishin të “deleguarit” e Titos, Miladini e Dushani, ata që e kishin sjellë Hoxhën në krye të Partisë e më pas edhe të Qeverisë. Në një akt të turpshëm, të paprecedent dhe të pafalshëm, në korrikun e 1946-ës, gjatë vizitës gati dy javore të Enverit në Jugosllavi, ky i fundit pranoi të poshtërohej nga Marshalli deri aty, saqë edhe pse brodhi e gjezdisi gjithë Federatën, nuk u lejua të vizitonte, as edhe një minutë të vetme Kosovën shqiptare! Nga ana tjetër, edhe vetë Tito, që s’la vend të Botës pa shëtitur, nuk denjoi kurrë ta vizitonte fqinjin jugor, Shqipërinë! Hrushovi bëri disa përpjekje ta pajtonte Enverin me Titon dhe arriti në një farë mënyre ta bënte përkohësisht këtë. Por aty nga fundi i ’57-ës e fillimi i ’58-ës, Hrushovi u ftoh me Titon, që nuk pranoi tërheqjen prapa nga qëndrimet e Kongresit të XX-të ndaj Stalinit në Deklaratën e Moskës. Kjo e detyroi Hrushovin të pohonte se paskësh patur të drejtë Stalini, madje ai, fill pas vizitës në Shqipëri e përcjelljes nga Hoxha e Shehu në aeroport, shkarkoi nga detyra e Ministrit të Mbrojtjes dhe anëtarit të fuqishëm të Byrosë Politike, Marshallin Zhukov, i vetmi i dekoruar katër herë, hero i Bashkimit Sovjetik. Në vitet 1956-’59-të Hoxha vizitoi gati të gjitha vendet e ashtuquajtura të demokracive popullore, e më së shumti vetë BS, ku pati rast që qëndroi edhe deri dy muaj, ashtu si dhe e kundërta që lider të shumtë komunistë vizituan Shqipërinë. Në këtë klimë të krijuar, Enveri mendoi se nuk duhej humbur rasti të realizohej vizita e premtuar disa herë e Liderit sovjetik, N S. Hrushovit në Shqipëri.
(vijon)

Të mbijetuarit e Qafë Barit: Edmond Caja dhunues sadist që rrihte, torturonte, gjymtonte e dënonte ish-të burgosurit e pambrojtur

ISH-KOMANDANTI I BURGUT TE QAFE-BARIT, EDMOND CAJA

Përmes një informacioni të mbledhur prej dëshmitarëve okularë, Instituti i Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit (ISKPK), ndërton jo vetëm ngjarjen e revoltës së Qafë Barit në vitin 1984, por edhe rolin e komandantit të kampit-burg në atë periudhë, Edmond Caja.

Punonjësi i këtij instituti, Kastriot Dervishi, ndërton kronologjinë e ngjarjeve. Ndërkaq, ka ende shumë dëshmitarë okularë, të cilët kanë rrëfyer nëpër libra dhe vazhdojnë të dëshmojnë për atë ngjarje dhe të tjera raste dhune të ushtruara ndaj të dënuarve. Një ndër to është edhe vrasja e të dënuarit Sandër Sokoli. Më poshtë, informacioni i mbledhur nga ISKPK.

REVOLTA

“Më 22.5.1984, ora 7:30, të dënuarit Ndue Pisha dhe Ndrek Nikolla u kthyen në fjetinë pa realizuar normën. Komanda urdhëroi kthimin e tyre në galeri për të realizuar normën e punës. Të dënuarit, Sokol Sokoli dhe Sokol Progri, porositën të dënuarit të mos shkonin në punë. Policët, Islam Doga dhe Fiqri Çakalli, thërrasin të dënuarit që do shkonin në punë në zyrat e Këshillit të Riedukimit. Këta i thanë dy të dënuarve që duhet të plotësonin normën ose duhej të shkonin në birucë, të izoloheshin. I dënuari Tom Ndoja ua merr nga duart policëve Ndue Pishën dhe e largon. Policën orvaten ta marrin, por me Tomën bashkohen edhe Sokol Sokoli dhe Sokol Progri dhe u kundërvihen policëve me gurë e tulla që kishin ndër duar. Në këto kushte, ndërhyn një togë e përbërë prej 6 policësh me në krye komandantin e Togës Edmond Caja, por këta thyhen nga një grup të dënuarish, ku bënin pjesë: Sokol Sokoli, Sokol Progri, Tom Ndoja, Martin Leka, Dedë Nimani, Bajram Vuthaj, Ndue Kola, Haxhi Baxhinovski, Lush Bushgjoka, Kostandin Gjordeni. Komandanti i Togës së Policisë, Edmond Caja, urdhëroi rreshtimin e të dënuarve në mencë. Komandanti i Repartit ndodhej me shërbim në Rrëshen. U njoftua kryetari i DPB, Edmond Çifligu. Nisi apeli emër për emër. Ata që kundërshtonin, kërcënoheshin se do futeshin në birucë. Kostandin Gjordeni refuzoi të dalë nga menca.

Po kështu refuzoi edhe Sokol Sokoli, i cili bashkë me grupin e tij çau rrethimin e policëve. Rreth 20-24 të dënuar, duke pasur në duar materiale të marra nga një godinë që po ndërtohej, qëndruan te sheshi mbi fjetore, duke përbërë një skuadër përballë forcave të regjimit. Pas kësaj, të burgosurit hyjnë në mencë sërish, pikërisht në kohën kur vijnë komandanti i repartit dhe kryetari i DPB. Thirrën emrat e të dënuarve për të dalë jashtë. I pari ishte Kostandin Gjordeni. Në raportin zyrtar pretendohet se i dënuari ka goditur murin me kokë, e pas këtij veprimi ka filluar përleshja midis të dënuarve e policëve, ndërsa në të vërtetë ai është goditur. Policët kanë marrë Gjordenin për ta çuar në izolim, por të dënuarit, nisur nga solidariteti ndaj njëri-tjetrit, i kanë sulmuar me çdo mjet. Pas daljes nga menca, të dënuarit kanë sulmuar policët me mjetet që kishin, duke iu afruar derës kryesore. Në këtë çast, kryetari i Degës së Punë të Brendshme Pukë urdhëroi të qëllohej. Këtu plagoset Gjordeni. Në kamp erdhën zëvendësministri i Punëve të Brendshme (nuk specifikohet qartë në është Agron Tafa apo Zylyftar Ramiz Mahmutaj) dhe drejtori i Drejtorisë Zbatim-Vendime Penale Kasem Kaçi. Pas dorëzimit, është përdorur dhuna në mënyrë masive”.

PAS SHTYPJES SË REVOLTËS

Në dosjen e revoltës së Qafë Barit, thuhet: “Qëllimi i kryerjes së kësaj vepre ka qenë që me anë të hapjes së veprimeve, shpërthimit të galerive, të realizonin arratisjen në mënyrë më të organizuar. Veprat penale të kryera nga të pandehurit paraqesin rrezikshmëri të theksuar shoqërore kundër rendit shoqëror socialist dhe shtetit të diktaturës së proletariatit…”

“Të dënuarit e kampit të Qafës së Barit Sokol Zef Sokoli, Sokol Zef Progri, Tom Kol Ndoja, Lush Prel Bushgjoka, Haxhi Shefqet Baxhinovski, Vllasi Llambi Koçi, Kostandin Sotir Gjordeni, Bajram Islam Vuthi, Martin Sokol Leka, Lazër Zef Shkëmbi, Hysen Halil Tabaku dhe Ndue Martin Pisha, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë kryer veprën penale të terrorit kundër përfaqësuesit të shtetit, parashikuar nga neni 50/1 e 13 i Kodit Penal.

I pandehuri Haxhi Baxhinovski shpjegon veprimet që ka kryer: Kur instruktori politik më pa thikën që mbaja në dorë, me tha ta dorëzoja atë, por unë nuk pranova dhe me të në dorë e sulmova, duke e qëlluar në bark. Vetëm kur dëgjuan krismat e plumbave të pushkëve, të pandehurit ndien frikën dhe forcën e madhe të diktaturës së proletariatit dhe filluan të tërhiqen…

PUSHKATIMET

Sokol Sokoli, i biri i Zefit, datëlindja 1952, nga fshati Gërni i rrethit Tropojë, i dënuar me vendim nr.3, datë 3.6.1984 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, me vdekje (pushkatim), mbasi Presidiumi i Kuvendit Popullor me shkresën nr.888, datë 7.6.1984, nuk i fali jetën. Tom Ndoja, i biri i Kolës, i datëlindjes 1952, lindur e banues në Kllogjen të rrethit Shkodër, dënuar me vendim nr.3, datë 3.6.1984 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, me vdekje (pushkatim), mbasi Presidiumi i Kuvendit Popullor me shkresën nr.888, datë 7.6.1984, nuk i fali jetën…

Mbi dokument janë shënuar me dorë rënkimet e fundit të të dy të dënuarve, pas mesnatës së 9 qershorit, para skuadrës së pushkatimit. Po kush i ka shkruar, pushkatarët? Ja:

Para ekzekutimit, të dënuarit Sokol Sokoli iu komunikua se nuk i falej jeta dhe në fjalën e fundit ai tha:

“Mos më vrisni mbrapa. Gropën e hap vetë. Presidiumi i Kuvendit Popullor mirë ka ba. Nuk i kemi ba gja kujt”. I dënuari Tomë Ndoja në fjalën e fundit tha: “Të rrojë drejtësia!”

Në fund firmat.

MASAKRA E SYVE

Shkresa që urdhëronte ekzekutimin e Sokol Sokolit dhe Tom Ndojës, nënshkruar nga ministri Hekuran Isai, 8 qershor 1984, në anë kishte një shënim të Drejtorisë së Zbatim Vendimeve Penale: “Me porosi të shokut ministër, dy të dënuarve që do të pushkatohen, sytë e tyre t’u jepen Ministrisë së Shëndetësisë për punë shkencore”.

ROLI I EDMOND CAJËS NË TERRORIN E USHTRUAR NË BURGUN E QAFË BARIT

Të gjithë dëshmitarët e mbijetuar nga burgu famëkeq politik i Qafë Barit (1982-1990) e paraqesin komandantin e Togës së Policisë së këtij burgu, Edmond Caja, si një dhunues sadist, që rrihte, torturonte, gjymtonte e dënonte ish-të burgosurit e pambrojtur. Ai s’i përmbahej aspak ligjit, sepse rrahja dhe terrori atë e argëtonin. Pas shtypjes së revoltës së të burgosurve me 22- 23 maj 1984, karriera e këtij polici sadist erdhi duke u ngritur.

DËSHMITË OKULARE PËR EDMOND CAJËN

Janë të shumtë, me dhjetëra, dëshmitarët okularë që rrëfejnë torturat e pashembullta mizore të komandantit të Togës së Policisë, Edmond Caja, në “Repartit 311”, ndryshe, kamp-burgu i minierës së Qafë Barit, Pukë. Të gjithë dëshmojnë realet e dhunës, rrahjet dhe gjymtimet.

Hysen Haxhia, ish-i burgosur i këtij kamp-burgu është i gatshëm të dëshmojë për terrorin policor gjatë revoltës dhe për episodin, se si gjatë shtypjes së revoltës, komandanti i Togës së Policisë së Burgut të Qafë Barit, Edmond Caja, torturoi për vdekjen të burgosurin Sandër Sokoli, të cilit i theu shtyllën kurrizore, duke e lënë të vdekur.

Bedri Blloshmi, ish-i burgosur politik i Burgut të Qafë Barit, është i gatshëm të dëshmojë me hollësi ditën e revoltës së të burgosurve, terrorin e ushtruar mbi ta, ardhjen e forcave speciale nga Ministria e Punëve të Brendshme.

Blloshmi rrëfen angazhimin direkt në tortura dhe gjymtime të komandantit të Togës së Policisë së Burgut, Edmond Caja, torturat dhe gjymtimet që bëri ai. Blloshmi në disa dëshmi, madje edhe “youTube”, thotë se i gjithë skenari i tmerrit qe vepër e Edmod Cajës. Ai vetë hyri në kamp dhe mori 14 të burgosurit e parë, i torturoi me policët e tij, duke u thyer duar e këmbë, pastaj i hodhën në një kamion (Zis) për t’i dërguar në DPB të Pukës. Gjithashtu, Blloshmi pohon se është dëshmitar okular se si të burgosurit Sandër Sokoli ia thyen shtyllën kurrizore në tortura dhe se në dokumentet që ai ka konsultuar, nuk del si i vdekur apo i masakruar.

Visar Zhiti, shkrimtar e poet, ish-i burgosur politik i këtij kampi, një ndër dëshmitarët kyç të jetës së rëndë të ish-të burgosurve nën terrorin e Ppolicisë së Edmond Cajës në Burgun e Qafë Barit. Libri i tij memuaristik “Ferri i çarë”, jep një panoramë të hollësishme, ndër to edhe të ditës së Revoltës më 22.5.1984.

Zhiti dëshmon: “Pasi kishte lexuar me gjithë gëzimin monstruoz listën e vdekjes dhe burgosjes, për ata fatkeqë që gjendshin aty pa bërë asnjë faj, xhelati Edmond Caja kishte lëshuar edhe ulërimën kërcënuese për të tjerët: A ka ndonjë trim tjetër që do matet me ne? Pas pak ditësh, në qershor të vitit 1984, dy të rinjtë e dënuar me pushkatim, do të ekzekutoheshin përmes gjymtimeve monstruoze të panjohura e të padëgjuara në gjithë përvojën monstruoze të xhelatëve e diktatorëve të regjimeve totalitare nëpër botë. Sipas dëshmisë së tij, Sokol Sokolit e Tom Ndojës, pasi u pushkatuan, ua nxorën edhe sytë për t’i për dorur gjoja për kërkim shkencor.

Konstandin Gjordeni: – ish-i burgosur politik i burgut të Qafë Barit. Një dëshmitar i rëndësishëm okular, i cili u qëllua me plumb gjatë revoltës. Para katër viteve, Kostandin Gjordeni ka nxjerrë nga shpatulla e tij plumbin e marrë në burgun e Qafë Barit nga policët e Edmond Cajës.

Ja një ekstrakt nga dëshmia e Gjordenit: “Isha në grupin e të burgosurve që po protestonim për të mbrojtur shokun tonë, që e kishin torturuar se nuk kishte plotësuar normën. Në atë kohë, shefi i Policisë së Burgut, Edmond Caja dha urdhër që policët të qëllonin. ‘Zjarr mbi armiqtë’ ishte parulla e tij dhe kaq mjaftoi që policët të lëshojnë breshërinë mbi ne. Mua më drejtoi pistoletën njëri prej policëve, e kishte emrin Asllan Kurti. Ma drejtoi armën për të më vrarë në lule të ballit, por zoti deshi që të më kapë në shpatull dhe u plagosa. Isha i ri në atë kohë, 24 vjeç. Ishte në burg me një doktor, ne i thoshim Drago, por s’ia mbaj mend mirë emrin. Më mjekoi me ato mjete rrethanore që kishte, sepse as që bëhej fjalë që të vinte një mjek që të më shpëtonte, sepse ky polici më qëlloi për të më vrarë dhe jo për të më plagosur.

Në atë kohë, kur policët morën kontrollin mbi ne të burgosurit, mbaj mend që një të burgosur, Sandër Sokolin, e morën e torturuan, e këputën në mes, e palosën dhe i këputën shtyllën kurrizore. Në krye të torturave ishin shefi i Policisë së Burgut, Edmond Caja dhe drejtori i burgut, Ludovik Cali… Ata gjuanin me majat e hekurta të çizmeve mbi ne të burgosurit e plagosur. Ky plumb që kam në dorë është plumbi që mora në Qafë Bari në revoltën e majit të vitit 1984. Plumbin e kam hequr me operacion disa vite pasi u lirova nga burgu. E ruaj si relike”.

DËSHMITARË TË TJERË OKULARË TË MASAKRAVE TË EDMOND CAJËS

Janë me dhjetëra dëshmitarë okularë të mbijetuar, që kanë dëshmitë e tyre rreth ngjarjeve tragjike të Burgut të Qafë Barit. Dëshmitë e tyre përputhen për terrorin policor të ushtruar në datat 22-23 maj 1984 dhe në këtë masakër policore mbi të burgosurit e pambrojtur spikat gjithnjë egërsia e pashembullt e komandantit të Togës së Policisë, Edmond Cajës, e cili merr pjesë aktive personalisht në torturimin dhe gjymtimin e të burgosurve.

Karriera e Edmond Cajës
Admond Ali Caja – Lindi më 1960, Gusmar, Tepelenë.
1974-1978 – Mbaron gjimnazin “Qemal Stafa”, Tiranë.
1978-1979 – Stazhier në Fabrikën e Bukës, Tiranë.
1979-1982 – Shkolla e Lartë e Ministrisë së Punëve të
Brendshme (MPB), profili – polic.
20.7.1982 – 16. 6. 1985 – Komandant i Togës së Policisë në Repartin 311, Qafë Bari, Pukë.
16.6. 1985-1.8.1089 – Komandant i Repartit-Burg 311, Qafë-Bari, Pukë.
1.8.1989 – 16.8.1990 – Oficer i parë Drejtimi në Drejtorinë e Zbatimit të Vendimeve Penale.
16.8.1990 – 16.5.1992 – Drejtor i Drejtorisë së Zbatimit të Vendimeve Penale (më 1991 kjo Drejtori ndryshon emër dhe bëhet Drejtoria e Administratës së Burgjeve të Shqipërisë).
16.5. 1992 – 5.7.2992 – Në dispozicion të Ministrisë së Rendit Publik.
5.7. 1992 – Del në Rezervë me Reformën dhe merr rrogën edhe për 1 vit.
1993 – Emigron dhe merr azil politik në RF të Gjermanisë

Bazat e bashkëpunimit ndërmjet Shqiptarëve Muhamedanë e të Krishtenë – Nga Luigj GURAKUQI*

 Arësyet ma të para e ma të forta që armiqtë e një Shqipnie të lirë e më vete kanë përdorë ma shpesh për me kundërshtue që nga fillimi Lëvizjen tonë Kombëtare, kanë kenë këto: “Shqiptarët nuk mund të lirohën, Shqiptarët nuk mund të ndërtojnë një Shtet që të kenë jetë të gjatë, që të organizohët e të përparojë, mbasi nuk kanë ndjesi kombëtare, tue kenë se janë të ndamë në tre besime të ndryshme.”

Këto fjalë përsëriteshin, kjo propagandë ngatrrestare lejohej si mbrenda, si jashtë Shqipnisë. Por, Prisat tonë, – ata që, nga ma të parët, rrokën Flamurin Kombëtar në dorë dhe nisën luftat për liri, – nuk u dobësuen as nuk u trembën fare prej kësaj profetije ogurzezë, tue kenë se njihnin thellë shpirtin e butë të vëllazënve të vet, e dinin mirë sësa janë të lidhun për gjuhën e, sësa kryelartë janë Shqiptarët për vend e kombësi të vet.

E, nuk u gënjyen; provat i kemi në shesh.

Idea e gjuhës dhe e kombësisë triumfoi mbi të gjitha pengesat.

E, me të vërtetë, lidhja e besimit me Shtetin që na sundonte, nuk i rudhi aspak Muhamedanët Atdhetarë me kërkue ndarjën e Shqipnisë nga Turqia. Edhe, të Krishtenët, ndonse e dinin mirë se Shqipnia Etnografike, që ata andërronin të lirë do të kishte një shumicë tepër të madhe Muhamedane, nuk e morën fare parasyshë këte punë e, as nuk i dhanë rendësi konseguencave të saja.

Vazhduen, pra, sëbashku, si vëllazën që ishin, e me zellë ditë përditë ma të ngrohtë e, me guxim herëpërherë ma të madh vëprimin dhe luftën për gjuhë, për kombësi, për liri; e disa prej tyne patën edhe fatin e bardhë me e pa të realizuem idealin e vet e me gëzue edhe frutët e teorive të veta.

Në kohët e para të Pavarësisë sonë, ndodhën me të vërtetë disa ngjarje të këqija, të cilat u dukën përnjëherë, se po u epëshin të drejtë profetëve ogurzezë. Kundërshtarët e Shqipnisë së lirë, të mbrendshëm e të jashtëm, u tërbuen prej gëzimit e besuen për një minut, në fitorën e mendimëve e qellimëve të veta; por veteranët tonë me gjithë mjerimin qe ju ndjeu zemra, nuk e humbën besimin as shpresën në fatin e Atdheut. E patën të drejtë. Mù në mes të trazimëve shpirti i butë i Popullit Shqiptar u shque ma shumë se kurrë; e, lidhjet e gjuhës, të gjakut dhe të kombsisë nuk vonuen me dalë ngallnjyese mbi lëvizjet e ngatërresat jetëshkurta.

Po të marrim parasyshë konditat e vështira e rrëthanat anormale ndërmjet të cilave lindi Shqipnia, nuk duhët të çuditemi aspak për këto ngatërresa e trazime, as t’ ia ngarkojmë të gjitha influencës së besimëve.

Kur ta mëndojmë Shqipninë, të cungueme nga pjesët e saja ma të mira, me kufinjë të përcaktuem e të çthurun, me tokët e pushtueme nga ushtritë e huaja e me një Komision kontrolli Ndërkombëtar mbi kokë, duhët të mbrekullohemi sësi Populli i sajë ka mundë ta mblidhte vetën e, sësi nuk ka vdekë përpara se të fillonte me rrojtë!

Përsa i përket, tashti, çeshtjës fetare e kundërshtimëve që mund të ngjajnë ndërmjet besimëve të ndryshme, mund ta thomi me krye lart se edhe në këte pikë nuk kemi arësye të kjajmë, pikërisht, ma shumë të gëzohemi e të shpresojmë në të mirën.

Që mos të duket se kënaqem vetëm me shpresa e, se, në mungesë argumentësh ma të sigurt jam tue u mundue me rreshtue vetëm fjalë të bukra për ti ba qejfin njenit apo tjetrit, kësaj herë do të sjelli një shembull tue e marrë prej Irlandës.

Po të krahasojmë gjendjën shoqnore t’ Irlandës me ate të Shqipnisë, e po të mbasim shkallën kulturore të Popullit të sajë me ate të Popullit tonë; e po të kujtojmë, mandej, se banorët e Ulster-it nuk duen të ndahën nga Ingilterra e të lidhën me shumicën e vëllazënve të vet Katolikë, për me kërkue sëbashku lirinë e plotë t’Atdheut, vetëm nga shkaku se janë Protestant, duhët të përfundojmë tue pohue pa frikë kundërshtimi, se ndryshimi i besimit sjellë pengesa shumë ma të mëdha në Irlandën e qytetnueme e të përparueme, sësa në vëndin tonë të mjerë.

Në këte pikëpamje, Kombi Shqiptar ep me të vërtetë një shëmbull të shkëlqyeshëm vëllaznimi e butësije shpirti, sa që rrallë se gjindët tjetërkund!

Përpara se të përfundojmë, po ju pyes: Si do të sillën, si do të rregullohën Shqiptarët që të mundën me bashpunue lirisht për të mirën e Atdheut, që të largojnë çdo shkak konflikti e të mos ndeshën në asnjë pengesë sado të vogël që mund të rrjedhë nga ndryshimi i besimëve?

Unë s’jam aspak me ata që mendojnë se në një mënyrë a në një tjetër, me të butë a me të fortë, duhet të shuhën besimet për me largue konfliktët që mund të shkaktojnë. Përveç, çeshtjes që feja i përket ndërgjegjës së njeriut, feja asht një gja e mirë se asht një ndihmë e madhe për jetën e kësaj bote.

Parimet e fesë të ndjekuna mirë i bajnë njerëzit qytetarë të ndershëm, i mësojnë që ti shërbejnë Atdheut, që t’ju shtrohën ligjëve të Shtetit. Unë besoj se qellimi i dëshruem, domethanë, nëse në mes  besimëve largojmë konfliktët, mund të arrihët lehtë e vetëm e vetëm tue sigurue me ligjë të drejta e të barabarta lirinë e nderimin e besimëve, e tue ndalue që Shteti të përzihët në punët e tyne.

Ndëhymja e Shtetit në çeshtjet fetare jo vetëm që asht e padrejtë por, sidomos, në Shqipni, mund të dalë edhe fort e rrezikëshme. Po të fillojë e të përzihet Shteti në punët e njenit apo të tjetrit besim, për të mirë a për të keq, sidoqë të jetë, do të prishet menjëherë ekujlibri ndërmjet tyne, do të shkaktohën hidhërime e pakënaqësi, do të sjellin si rrjedhim vështirësi e ngatërresa. Tue kenë kështu punët, arrijmë vetvetiu në këte përfundim, që bazat e bashpunimit ndërmjet Shqiptarëve Muhamedan e të Krishtenë duhët të mbetën gjithënjë ato të parat e duhët të jenë këto: Njësia e Atdheut, bashkimi i kombësisë, lidhja e gjakut dhe e gjuhës; ide këto, që janë përshkue nëpër provën e zjarrit dhe kanë dhanë frute të mira. Përsa i përket mandej çeshtjes Fetare, parimet që do të ndiqën janë këto: Besime të lira në Shtet të lirë, mosndërhymje e Shtetit në çeshtjet e besimëve, nderim i njenitjetrit për besimin e shoqi-shoqit.

Tue ushqye këto ide, tue ndjekë këto parime, tue vëprue mbi këto baza, mund të jemi të sigurtë se Shqipnia do të rrojë, se Shteti do të forcohët, se Populli i ynë do të vrapojë me hapa të shpejtë drejtë udhës së qytetnimit dhe të përparimit.

                                                                                                         Luigj Gurakuqi.

 

  • Shenim nga Fritz Radovani: Materiali asht marrë pa asnjë ndryshim nga Gazeta “Ora e Maleve” Shkoder, 10 Nandor 1923. Nr.32.

Melbourne, 23 Mars 2019.

Kush ishte Nikita Sergejeviç Hrushovi, nga roli i tij në luftë, deri te karriera politike si pasardhësi i diktatorit Josif Stalin

Spartak Topollaj  – Trocki kishte qenë një mbrojtës i flaktë i shqiptarëve në kohën e masakrave serbe, ndryshe nga “i madhi” Stalin, që i propozoi Titos në prani të Gjilasit në Kremlin, ta gëlltitnin Shqipërinë.

Të vendosura në një pozicion gjeografik dhe strategjik tejet të rëndësishëm, të favorshëm dhe të lakmuar, trojet tona, të bekuara edhe nga Zoti, që në kohët e lashta deri në ditët tona kanë tërhequr vëmendjen e të fuqishmëve, apo të mëdhenjve të kësaj bote. Herë si kalimtarë, herë si komandantë ushtarakë që u përplasën në fushëbeteja, e më së shumti si pushtues gjatë shekujve, ky truall ka parë më të mëdhenjtë e epokave, disa prej të cilëve erdhën si vizitorë, apo miq e të ftuar zyrtarisht, pa harruar se shumë prej tyre rridhnin nga prindër ilirë, arbërorë apo shqiptarë.
Le të paraqesim shkurt vetëm disa prej tyre: Leka i Madh (356-323 p.e.s) me nënë nga ilirët molosë, që luftoi në këto troje. Pirro (319-272 p.e.s), po ashtu molos, Qezari (100-44 p. e.s.) dhe Pompei (106-48 p. e.s), që u ndeshën mes tyre midis Tiranës e Durrësit, Oktavian Augusti (63 p.e.s – 14 e.s.), i cili ngriti në apogje Romën e që u shkollua në Apolloni bashkë me gjeneralin Agripa, Konstandini i Madh (274-337), që ligjëroi e përhapi krishterimin dhe ktheu bizantin në Konstandinopojë. Justiniani (482-565), i madhi i legjislacionit, mbretër bullgarë, udhëheqës kryqëzatash, sundimtarë serbë e frëngë, sulltanë turq si Murati, apo Mehmet Ngadhënjimtari, që u thye nga Skënderbeu, por mori Kostandinopojën dhe e bëri kryeqytet në maj 1453, duke e quajtur Stamboll, Papa Albani, ose Klementi i XI, Napoleoni (1769-1821), Benjamin Disraeli ose Lordi Beaconsfield (1804-18819), kryeministër britanik, vezirë të Perandorisë Otomane, Mehmet Ali Pasha i Madh, sundimtar i Egjiptit, themelues i Dinastisë shqiptare 150 vjeçare, deri te themeluesi i Turqisë moderne Mustafa Qemali, djali i Ali Rizait (1881-1938), udhëheqësit arvanitas të revolucionit, që solli pavarësinë e Greqisë etj., etj..
Le të vijmë tani në periudhën nga Lufta e Dytë Botërore deri në ditët tona, kur gjatë saj në Shqipëri erdhën Perandori Vitorio Emanueli III, diktatori fashist i Italisë, Musolini (në kohën e luftës italo-greke), pa harruar dhëndrin e tij ministër të Jashtëm, Kontin Çiano. Me vendosjen e regjimit komunist të diktatorit Hoxha, siç dihet Shqipërinë nuk e vizitoi asnjë lider perëndimor (përjashtuar vizitat dashamirëse të Kancelarit të Bavarisë Franc Jozef Shtraus, refuzuar turpshëm nga trojka filoruse Alia-Çami-Lazri, jo pa miratimin e Hoxhës). Për rreth 15 vjet, deri më 1959-ën, atë e vizituan vetëm disa prej sekretarëve të parë të Partive Komuniste të vendeve të Lindjes, apo presidentë e kryeministra të tyre, ndër të cilët, Ho Shi Min, Kim Ir Sen (Kim Il Sung), Çu En Lai, William Shiroki, Wilhelm Pik, Otto Grotevol, Teodor Zhivkov e ndonjë tjetër…?! Kështu, mbërriti deri te vizita më e rëndësishme, por plot enigma e paradokse e një lideri të një superfuqie (BRSS) në Shqipëri, ajo e Nikita Sergejeviç Hrushovit, në maj-qershor të 1959-ës, vizitë për të cilën do të ndalemi gjatë në pjesën e dytë të këtij shkrimi, ndërsa tani le të përpiqemi të përshkruajmë Hrushovin me dritëhijet e jetës së tij.

Kush ishte Nikita Hrushovi?
Shqiptarët para Hrushovit dinin plot gjëra për dy liderët e njohur, Leninin dhe Stalinin, sidomos për këtë të dytin, sundimi despotik i të cilit zgjati 30 vite, natyrisht kjo falë propagandës zhdanoviane si në BRSS, ashtu edhe në Shqipërinë e regjimit 48- vjeçar stalinist të Enver Hoxhës, madje paradoksalisht, udhëheqja komuniste shqiptare e mbajti si klasik të marksizëm-leninizmit Stalinin edhe për dekada të tëra, pasi atë dhe veprën kriminale të tij e kishin braktisur e dënuar vetë sovjetikët dhe të gjitha vendet e tjera të Europës Lindore! Për këtë, një rol të veçantë dhe meritë të madhe, pati N. S. Hrushovi. Po kush ishte ai?
I lindur më 15 prill të 1894, në Kalinovka të guvernatoratit të Kurskut, në perandorinë ruse, në kufi me Ukrainën, në një familje fshatare, të Sergei Hrushovit dhe Ksenjës, të cilët veç Nikitës kishin edhe një vajzë, të quajtur Irina. Familja e martoi fare të ri. Së pari më 1914 me Jefrosinian, martesë që zgjati deri më 1919-ën, pasi bashkëshortja e tij vdiq nga tifoja. Ata patën edhe dy fëmijë, Julian (1915-1981) dhe Leonidin (1917-1943), që u vra si pilot gjatë Luftës së Dytë Botërore. Martesën e dytë e bëri me Marusian, me të cilën s’patën fëmijë, çka me sa duket u bë shkak që dhe e çoi në divorc më 1922-in. Ajo, nga një lidhje e mëparshme kishte pasur një vajzë, e cila me gjithë ndihmën e Hrushovit, nuk mundi të shpëtonte duke humbur jetën nga një sëmundje e rëndë. Për herë të tretë dhe të fundit, Hrushovi u martua me Nina Kukharchuk Hrushchevën më 1923-in, martesë që zgjati deri në vdekjen e tij, më 11 shtator 1971. Me Ninën patën tre fëmijë: Radën (1929-2016), Sergein (1935) dhe Elenën (1937-1972).

Shkollimin e nisi në vendlindje, ku mësuesja e tij Lidia Shevçenko e kujtonte me konsideratë. Bëri punë të ndryshme në bujqësi, industri e miniera dhe studioi në një teknikum të industrisë, ndërkohë që lëvizte sa në Donbas, Donjeck e Juzovka. Luftës së Parë Botërore i shpëtoi, duke mos u mobilizuar, falë punës në industrinë e metaleve, aq e domosdoshme për prodhimin e armëve. Pas përmbysjes së Carit, Hrushovi u aktivizua me Sovjetin e punëtorëve në minierën Rutchenkovo. Biografi i tij, William Taubman tregon që në këtë periudhë Hrushovi u lëkund mes bolshevikëve dhe menshevikëve, por nga fundi i 1918 dhe fillimi i 1919, ai mobilizohet në Ushtrinë e Kuqe, ku i jepet funksioni i komisarit të një batalioni. Më 1921-in, lirohet nga ushtria pas emërimit si zv.drejtor për çështjet politike në minierën Rutchenkovo në Donbas, e ku njëkohësisht ndiqte një kurs intensiv me trajnim të programuar, që në Rusinë sovjetike të kohës quheshin RABFAK dhe njiheshin edhe si shkollë e lartë. Më 1922 zgjidhet sekretar partie në shkollë dhe rreshtohet përkrah mbështetësve të Trockit në debatet me mbështetësit e Stalinit, lidhur me demokracinë e brendshme në parti (është koha kur Lenini i sëmurë, nuk po e drejtonte dot më partinë).
Më 1925-ën emërohet sekretar rajoni në Petrovo-Marinskij.

Më 1925-ën emërohet sekretar rajoni në Petrovo-Marinskij dhe për të parën herë zgjidhet delegat për në Kongresin e XIV të Partisë Bolshevike në Moskë. Me mbështetjen e Llazar Kaganoviçit, udhëheqës bolshevik i Ukrainës, mik prej 1917, Hrushovi çan përpara si drejtues partie në Stalino, e më pas si shef organizimi në K.Q. të Partisë në Kharkov (1926-1927) dhe më 1928-ën si nr. 2 i Partisë në Kiev. Gjithnjë me ndihmën e Kaganoviçit, vjen në Akademinë e Industrisë në Moskë, ku plotëson studimet e larta dhe pas punës së mirë, më 1932-in emërohet nr.2 i Partisë për kryeqytetin dhe më 1934 bëhet nr.1 i saj dhe zgjidhet edhe në K.Q. të P.K. të B.S. Biografi tjetër i tij, William Tompson, shkruan se karriera e tij drejt hierarkisë partiake u ndihmua veç Kaganoviçit, edhe nga Nadjezhda Alillujeva, gruaja e mrekullueshme e Stalinit, studente e Akademisë së Industrisë, kur atje drejtonte Hrushovi (ende nuk është sqaruar përfundimisht, nëse ajo u vetëvra, apo e ‘vetëvranë’, siç do shprehej gjeniu ynë Kadare për Mehmet Shehun). Ai u dekorua me Urdhrin “Lenin”, për punën e madhe dhe rolin në ndërtimin e metrosë së famshme të Moskës. Tani ai është shndërruar në njeriun më të rëndësishëm të partisë dhe pushtetit për Moskën dhe rajonin e saj prej 12 milionë banorësh, kjo patjetër me miratimin e Stalinit, i cili gjithnjë e më shpesh po e fuste në anturazhin e atyre, me të cilët parapëlqente të argëtohej e shpesh të tallej deri në poshtërim e depersonalizim, në prijom-et e përditshme. Gjatë tyre, kurrë nuk merrej vesh ku niste dreka dhe ku mbaronte darka, si në Kremlin, ashtu dhe në daçat e shumta të tij në periferi të Moskës. Në to, veç të ngrënave e të pirave deri në gjysmë orgjira të orëve të vona, monstra gjeorgjiane po projektonte spastrimet e tmerrshme me ekzekutime, burgosje e internime në gulagët e llahtarshëm, pas farsave gjyqësore ‘show’, të inskenuara në Kremlin dhe ekzekutuara në bodrumet e errëta të Lubjankës (selia e KGB-së). Hrushovi i kësaj periudhe e idealizonte Stalinin, ndaj siç pranon edhe vetë në kujtimet e tij të publikuara vetëm një vit para vdekjes, jo vetëm i miratoi ato, por dhe i mbështeti fuqimisht spastrimet drastike në parti, pushtet, ekonomi, ushtri, policinë politike, e deri në letërsi e arte. Kështu Stalini, pasi kish përzënë rivalin kryesor, Trockin, nga Bashkimi Sovjetik qysh më 1927-ën, me ndihmën e Kamenievit dhe Zinovievit, iu kthye edhe vetë atyre duke i poshtëruar, sipas dëshmisë së Boris Bazhanovit, (sekretar personal i Stalinit, arratisur në Francë), deri aty, sa përbetimit të dy të shkretëve për besnikëri pa fund, iu përgjigj me kulmin e mosmirënjohjes cinike se: ‘ua njoh atë, por besnikëria është një zakon shumë i vjetër prej qeni’! Kështu kish bërë me Rikovin, (kryeministër i Rusisë sovjetike), më parë dhe Buharinin pas tyre, pa harruar Kirovin, vrasjen e pabesë të të cilit, pasi e ideoi vetë, ia ngarkoi Jagodës skenarin e regjinë, ndërsa një farë Nikollajevi u përzgjodh ta ekzekutonte fizikisht brenda në Smolni (1934), të dy këta të fundit dhe familjarët e tyre u ekzekutuan pak më vonë për të humbur gjurmët e krimit, sipas një rituali të përsëritur me qindra herë nga Stalini, edhe me shefat e NKVD-së (KGB) para dhe pas Jagodës, si Menzhinski apo Jezhovi! Në prag të Luftës së Dytë, në mënyrën më paradoksale, me akuza të stisura u eliminuan krerët e Ushtrisë së Kuqe, ajka e saj e sprovuar në dy dekada, përfshirë tre nga pesë marshallët e parë të graduar nga vetë Stalini më 1935, Tukaçevski, ministër i Mbrojtjes; Jegorovi shef i Shtatmadhorisë dhe Blyukher. Pas tyre, Stalini që nuk harronte kurrë, e zgjati dorën e tij kriminale përtej oqeanit, në Meksikën e largët, duke vrarë më 1940-ën Trockin (që aq shumë e urrente Stalini i vogël i Tiranës, paçka se Trocki kish qenë një mbrojtës i flaktë i shqiptarëve në kohën e masakrave serbe, ndryshe nga “i madhi” Stalin, që i propozoi Titos në prani të Gjilasit në Kremlin, ta gëlltitnin Shqipërinë).

Heshtja e Hrushovit ndaj krimeve të përbindshme të Stalinit
Heshtja ndaj krimeve të përbindshme të Stalinit e fajëson rëndë, madje e bën të pafalshëm Hrushovin për këtë periudhë, heshtje që rëndohet më shumë kur miliona njerëz vdiqën nga uria, veçanërisht gjatë HOLODOMOR-it në Ukrainën e drejtuar për vite të tëra nga ai vetë. Në mënyrë paradoksale dhe krejt papritur, në Moskë, më 23 gusht 1939 në prani të Stalinit, pra pothuaj një javë përpara se të shpërthente Lufta e Dytë Botërore, nënshkruhet Pakti i Mossulmimit mes B.S. stalinist dhe Gjermanisë hitleriane, që njihet gabimisht si Pakti Molotov-Ribentrop, por që në të vërtetë ishte Pakti Stalin-Hitler. Marrëveshja mbi bazën e një “Protokolli Sekret” përcaktonte edhe zonat e influencës për BS: Poloninë Lindore, Republikat Balltike dhe Besarabinë, kurse Gjermania hë për hë kënaqej me Poloninë Perëndimore, pasi kishte realizuar ANSCHLUS-in me Austrinë dhe marrjen e Sudeteve. Konferenca e Mynihut (29-30 shtator 1938) u diktua nga Hitleri, s’kish si të mos pëlqehej nga Musolini dhe u miratua pafalshmërisht nga Chamberleni dhe Daladie, që çuditshëm pranuan të mos thirrej Çekosllovakia! Nga ana tjetër, Moska bënte sehir dhe siç tregoi pakti, Stalini konsideronte rrezik më të madh Britaninë dhe Francën se sa Gjermaninë dhe Italinë, ndaj vetëm pak javë pas paktit, dërgoi në Poloninë Lindore ushtrinë, kryesisht nga Ukraina, madje edhe vetë Hrushovin, si komisar politik. Se si u zhvilluan ngjarjet me fillimin e Luftës së Dytë, vazhdimin dhe fundin e saj, këto janë të njohura dhe siç merret me mend, nuk janë objekt i këtij shkrimi. E vetmja gjë që do të duhej të theksohej është qëndrimi indiferent, për të mos thënë heshtja e turpshme e BRSS, kur Italia fashiste shpërtheu agresionin e 7 prillit 1939 ndaj Shqipërisë! Natyrshëm, s’mund të ndodhte ndryshe, kur vetëm gjashtë muaj më pas, Stalini do të nënshkruante me hitlerianët, aleatët më të mëdhenj të Duçes, paktin famëkeq të sipërpërmendur! Për turpin e historiografisë sonë (marksiste-leniniste), në rreth 50 vite, ky fakt u anashkalua se, ishte vetë diktatori Hoxha, që edhe pse bëri një libër të tërë për “Baba Stalinin”, idhullin e tij, e fshehu ose e shtrembëroi të vërtetën, ashtu siç iu fsheh shqiptarëve për dekada të tëra e vërteta tjetër e turpshme për Stalinin, që pas sulmit hitlerian të 22 qershorit 1941 ndaj B.S., për rreth 10 ditë, ai u mbyll në një nga daçat e tij në periferi të Moskës dhe në gjendje depresive, ndërpreu çdo kontakt me udhëheqjen e lartë të Partisë, shtetit dhe ushtrisë, deri sa me nxitjen dhe këmbënguljen e bashkëpunëtorëve më të afërt, mori mundimin të mbajë në radio fjalimin e njohur të 3 korrikut, drejtuar popujve të BS.

Nikita Hrushovi, në vitet e Luftës
Hrushovi, në vitet e luftës, më shumë se në Moskë, qëndronte në Front, si në Stalingrad e Kursk, ashtu edhe në Ukrainë, gjithnjë në funksione të larta politike, komisar (grada më e lartë që mbajti, ishte gjeneral leitnant), por duhet pranuar se në kujtimet e tij, ai mbetet objektiv dhe realist për sa u përket rolit që luajti dhe meritave që i takonin. Me mbarimin e luftës më 1945, N.S. Hrushovi u ftua nga Stalini në tribunën Qendrore të Paradës së Fitores, ku ndër të tjerë ishin të pranishëm edhe gjeneralët e mëdhenj aleatë Ajzenhauer dhe Montgomeri. Në këtë kohë, duhet theksuar se ende Hrushovi nuk është pjesë e udhëheqjes më të lartë sovjetike. Para tij në hierarkinë partiako-shtetërore, ishin Voroshillovi, Malenkovi, Bulganini, Molotovi, Zhdanovi, Beria, Zhukovi etj.. Në vitet 1947-1949, ai ishte sekretar i parë në Ukrainë, e më pas të rikthyer në Moskë, po me këtë funksion nga ku dhe nuk u largua më, deri sa ndërroi jetë. Më 1949-ën Stalini, i mbështetur nga Malenkovi, Beria e Hrushovi, goditi ashpërsisht grupin “antiparti” në aferën e Leningradit, duke dënuar me vdekje dhe ekzekutuar më 1950-ën, gati tërë udhëheqjen e Rajonit: Voznjesenskin, Kuznjecovin, Popkovin, Rodionovon, Lazutinin dhe Kapushtinin. Falë intuitës dhe pragmatizmit, mençurisë për të mos u shfaqur si karrierist, dëgjues kokë-ulur i udhëheqësit suprem, me një pamje prej babaxhani hokatar, çdo ditë e më tepër, ai po i hynte në zemër Stalinit dhe prania e tij në prijomet e famshme që përnatë shtroheshin nga gjeneralissimi, u bë e përhershme. As vetë Stalinit s’duhet t’i ketë shkuar ndonjëherë në mendje, se një ditë N.S. Hrushovi do të bëhej nr. 1 i BRSS, pra pasues i tij, por askush nuk mund të thotë, nëse këtij të fundit mund t’i ketë dalë ndonjëherë në ëndërr kjo. Ndryshe nga shumë të tjerë, edhe pse mund ta dëshironte një orë e më parë vdekjen e Stalinit, ai kurrë nuk shfaqi as më të voglën shenjë të dikujt, i cili mezi pret që kjo të ndodhë. E megjithatë, Stalini po plakej dhe sëmundjet, përfshi hipertensionin, paranojat dhe ideja fikse se ndaj tij komplotohej dhe mund ta eliminonin në shumë mënyra, shto dhe abuzimet me pijet, ushqimin dhe femrat, e bënë punën e tyre. Më 5 Mars 1953, duke mos përjashtuar dhe teori konspirative, si komploti i mjekëve të Kremlinit (Beria nuk mungonte kurrë, mes atyre, që e dinin mirë se ç’mund t’u ndodhte po të viheshin në shënjestrën e Shefit të Madh), Stalini vdiq. Ndoshta këtu është vendi të bëjmë një paralelizëm me Politbyronë tonë, anëtarët e së cilës, përfshi dhe Shehun e Kapon, që ikën nga kjo botë pa e mësuar kurrë se cili prej tyre ishte nr. 2 në mendjen e Diktatorit, pasi protokolli e ceremoniali ishte vetë Enveri, e urrenin për vdekje atë dhe prisnin në ankth e stres lajmin e madh, për t’u shfaqur para shqiptarëve me maskë, ashtu siç edhe ndodhi, në lot krokodili e plot ngashërim.

Hrushovi pas vdekjes së Stalinit
Pas vdekjes së Stalinit, në mungesë të një lideri autoritar, që do mund të zinte vendin e tij, pasi edhe vetë ai nuk është se kish lënë të kuptohej nëse kishte caktuar ndonjë pasardhës apo trashëgimtar për fronin e kuq të Kremlinit, Presidiumi i KQ të PKBS parapëlqeu udhëheqjen kolegjale, ngaqë ndoshta ishte shumë shpejt që i vetëm, dikush ta merrte mbi supe përgjegjësinë e rëndë të njëshit, ndërsa nga grindjet për fron, nuk dihej kush mund të fitonte. Megjithatë, edhe mes tyre dallonin tre: Malenkovi kryeministër, Beria ministër i Brendshëm e i Sigurimit dhe Molotovi ministër i Jashtëm, të cilët përbënë edhe Trojkën e parë. Kaganoviç, Beria dhe Molotov ishin njëkohësisht edhe zv.kryeministra të Parë, ndërsa vetëm zv.kryeministra, u caktuan Bulganin dhe Mikojan. Kryetar të Presidiumit bënë Voroshillovin. Hrushovi zgjodhi të luajë i tërhequr, teksa mbeti de facto nr. 1 i partisë, e cila duke pasur një aparat gjigand burokratik, që shtrihej në të gjitha institucionet qendrore, e shkonte deri në skajet më të largëta të shtetit më të madh të Botës me 22 milionë km. 2, ku në fakt, PK kishte potencial të fuqishëm njerëzor. Në fillim Trojka siç tregoi koha, me sa duket e nënvlerësoi atë.
(vijon)

Parashtruemja e Kërkesavet Shqiptare përpara Këshillit të të Dhetvet – Nga MUSTAFA KRUJA

Shqiptarët e mbështesin të tânë shpresën e tyne më drejtësín e kësaj Mbledhjeje të Naltë. Ata shpresojnë se parimi i kombsivet, qi âsht proklamuem aqë naltas e me aqë bujë si nga ana e kryetarit Wilson ashtu edhe prej shokvet të mëdhâj të tij, nuk ka me qênë nji fjalë e kotë e se të drejtat e Shqipnís qi kanë qênë marrë deri sod nëpër kâmbë kanë për t’u nderuem në këtê Kongres, i cili ka marrë mbi vete misionin e naltë për me begatun njerzín me nji paqë qi, për me qênë e qêndrueshme, duhet të jetë ngrehun vetëm mbi të drejtën e drejtësín.
Ay qi nuk i ka njohun mâ s’pari të drejtat e kombit shqiptar ka qênë Kuvêndi i Berlinit. Arsyet e kësaj mosnjohjeje shkoqiten me fatin qi Shqipnia s’ka pasun kurrë projtës ashtu si kombet e tjera të Balkanit. Shkoqiten edhe me situatën gjeografike të Shqipnís qi ka tërhekun gjithmonë lakmít e fqîjvet të vet.
Traktati i Berlinit i ka këputun Shqipniës Tivarin, Hotin, Grudën, Triepshin, Kuçin, Podgoricën, Plavën e Gucín për Malin e Zi, edhe nji pjesë nga ana e poshtme ndërmjet gjînit të Prevezës e lumit Kalamas për Greqín. Mbi këtê padrejtësí Shqiptarët formuen Lidhjen patriotike të Prizrêndit qi i u kundrështue me armë lëshimit të Plavës, Gucís, Hotit e Grudës. Fuqít e Mëdhaja i dhanë at’here Malit të Zi, si shpërblim të këtyne viseve, limanin e Ulqinit. Edhe ky shpërblim mundi të vêhet në veprim vetëm me njê “demostratë navale”, qi njihet mjaft mirë me êmnin “Demostrata Navale e Ulqinit”.
Nga ana e poshtme Lidhja qêndroi gjithashtu gallsisht. Komisioni ndërkombtar qi kishte vajtun në Prevezë për me i dhânë Greqís ato vise shqiptare, hasi në qêndrimin e popullsís e duel e shkoi pa qênë i zoti me e mbaruem misionin e vet. Mbi raportën e këtij komisioni Mbretnít e Mëdhaja u shtrënguen t’i a njohin karakterin shqiptar asaj krahine qi deshën t’i japin Greqís dhe e zbritën kufînin e kësaj te lumi i Nartës.
Me arsye të drejtë âsht thirrun traktati i Berlinit “traktati i vorrimit të Shqipnís”. Me gjithë këtê cungllimet q’i ka bâmun traktati i Berlinit Shqipnís munden me u quejtun gërvishtje, po të përkrahasohen me ato q’i ka bâmun Konferenca e Londrës më 1913. Kësaj Konference nuk i mjaftoi via e Kalamasit si kufî, të cilën Shqiptarët, sikur u pa, e kishin prishun e çuem në Nartë, por i dha Greqís gjith’ atê krahinë prej gjînit të Prevezës e deri në Kep Stilos. Kjo krahinë, qi shtrihet deri më 30-40 kilometra thellë, ka pasun, para luftës balkanike nji popullsí të përgjithëshme 63.000 shpirtësh, nga e cila 40.000 Shqiptarë musulmanë, 14.000 Shqiptarë të krishtênë e 9.000 Grekë.
Në Nord e n’Est i ka falun Malit të Zi e Serbís Krajen, Anën e Malit e bajrakët e Hotit e Grudës, Plavën, Gucín, Pejën, Gjakovën, Mitrovicën, Prishtinën, Gjilanin, Ferizovikun, Kaçanikun, Shkupin, Prizrêndin, Tetovën, Gostivarin, Kërçovën, Dibrën, Strugën e Ohrin. Në këto vise, qi gjinden në dy vilajetet e hershme të Kosovës e të Monastirit, popullsia shqiptare formon nji shumicë 80% mbi elementin slav. Kërkojmë pra të gjitha këto vise qi na janë këputun me Kuvêndin e Berlinit e me Konferencën e Londrës.
Kosova qi Serbvet u pëlqen t’a quejnë “Serbia e Vjetër” ka qênë heret e vonë vênd i populluem me Shqiptarë. Serbët kanë shkelun aty më të shtattin shekull, por s’kanë mundun kurrë të zânë vênd si prej kryengritjeve të Shqiptarvet si prej bashklakmís së Bullgarvet.
Mbipeshimi serb në krahinët e Kosovës kurrë ndo njê herë s’ka ngjatun; Shqiptarët kanë formuem gjithmonë shumicën e madhe të popullsís së saj, me gjithë të ndrydhunit e salvimet qi kanë psuem prej Serbvet. Popullsia serbe qi âsht futun mbasandej nuk formon mâ tepër se 15%.
Shqiptarët kanë bâmun në kohnat e fundme e sidomos më 1910, 1911 e 1912, sa kryengritje për me fituem lirín e tyne. Më 1912, 18.000 Shqiptarë prej Kosove, pas nji lufte të fortë kundra ushtrís turke, pushtuen qytetin e Shkupit, duke shtrënguem Turqín qi t’u bânte konqesina.
Qeveria turke qe gati për t’u njohun Shqiptarvet të drejtën për sa kishin kërkuem e për të formuem nji administratë autonome, e cila do të përmblidhte tre vilajetet e Kosovës, Shkodrës, Janinës edhe nji pjesë të vilajetit të Monastirit. Shtetënit e Balkanit duke kuptuem dobsín e Turqís qi s’po mundte me i shtruem Shqiptarët e duke pasun frigë se po formohej nji Shtet vetqeverimtar shqiptar n’ato vênde qi lakmojshin prej sa kohe, shpejtuen me i shpallun luftën Turqís e prandej Shqiptarët nuk mundën të nxjerrin ndo nji fitim nga konqesít qi kishin fituem me armë në dorë.
Në të damen e vêndevet të Balkanit më 1913, atdheu ynë u bâ flia e fqîjvet për me mos i u dhânë shkak njê lufte europiane. Por tashti qi kjo luftë u bâ edhe âsht tue marrë fund me triumfin e të drejtavet të gjithë popujvet, besojmë plotësisht se ato krahina të gratëshme thjesht shqiptare, pa të cilat Shqipnia as nuk mundet me jetuem, kanë për t’i u këthyem mâmës-atdhè.
Ndonse âsht e vërtetë qi do të hyjnë disa pakica të hueja në kufîjt e Shtetit shqiptar, do të ketë edhe grumbuj të mëdhâj Shqiptarësh qi kanë për të mbetun jashtë.
Konferenca do e mos do t’a shohë ndryshimin qi gjindet ndërmjet deshirit t’onë të drejtë për me futun vëllaznit t’anë në familjen shqiptare, e lakmivet të padrejta të fqîjvet t’anë, të cilët, duke mos u ngîmun me aqë vênde thjesht shqiptare qi na kanë këputun me përdhunë, vijnë përsëri me i kërkuem qi të na këputen të tjera.
Greqia kërkon nji pjesë të Shqipnís së Poshtme, të quejtun Epir i Veriut, duke prumun si argument se në këtê krahinë ka njê popullsië prej 120.000 Grekësh e 80.000 Shqiptarësh. Na i qesim të padrejtë këta numra e thomi qi popullsia greke në këtê krahinë nuk i kapërcen 20.000 shpirtë. Këta 20.000 shpirtë rrijnë në fushët të Dropullit e të Vurkut të Delvinës. Janë të gjithë bujqë, pa tokë e pa shtëpí, qi punojnë dhenat e Shqiptarve.
Thuhet edhe qi të tânë Shqiptarët ortodoksë duhet të quhen Grekë, pa u marrë para sŷsh kombsia e vërtetë e tyne.
Kjo davà e kotë e ka shtymun natyrisht priftnín greke me e bâmun fenë nji vegël të ndrydhuni e tiraníe.
Lidhja e Prizrêndit i pati këputun Turqís lêjën me hapun nji shkollë shqipe në Korçë. Priftnía greke mallkonte ata prindën ortodoksë qi dërgojshin fëmijët në këtê shkollë e i paditshin te qeveria turke si kospiratorë kundra njësís së Shtetit. Kjo manovër ka shkaktuem mërgimin e burgimin e shumë krenëve familjesh shqiptarë e mbërrîni deri në të mbyllunit e shkollës.
Nga ana tjetër, qeveria turke duke i shtrënguem gjithashtu prindnit musulmanë për me mos i lânë të dërgojnë fëmijët në shkollën shqipe, kishin, në këtê rasë, me priftnín greke njisí qëllimesh e bashkpunim të plotë ndërmjet tyne.
Tue i marrë Shqiptarët ortodoksë për Grekë, po qitet mêndimi qi s’do t’ishte punë e drejtë me i shtruem nji pakice mâ pak të qytetnueme nji shumicë me njê qytetní mâ të naltë. S’mundet me u bâmun fjalë për ndryshim qytetníe ndërmjet bijvet të nji fare qi jetojnë bashkë pa ndryshim konditash, qi flasin nji gjuhë pa ndryshim zakonesh. Në qoftë se Shqiptarët ortodoksë janë mësuem në shkolla greke, Shqiptarët musulmanë e katolikë, të cilvet u ishte ndaluem e drejta me u mësuem në gjuhë kombtare, kanë kënduem në shkolla turke, italiane, frênge, hinglize e amerikane.
Po merren për shkak ndîesít filogreke të Shqiptarvet ortodoksë. Këtij mêndimi i vêmë kundra atê të Lord Hobhouses qi ka shoqnuem Lord Byronin në Shqipní e qi shkruente në fillim të shekullit të nândëmbëdhetë mbi popullsít e Epirit otoman:
“Vetëm Shqiptarët e kanë ndîesín e kombsís; as nji prej popujvet tjerë të mbretnís otomane s’ndîen tjetër gjâ përveç fesë”.
Z. Abaret, delegat i Francës në Komisionin e Rumelís Lindore, në nji mêndore q’i ka paraqitun komisionit më 13 Gusht 1880, ka thânë:
“Shqiptarët rrojnë në nji harmoní të plotë; para ç’do sêndi tjetër janë Shqiptarë. N’âsht e vërtetë qi katolikët janë të lidhun me gjithë zêmër mbas fesë së tyne, s’âsht mâ pak e vërtetë prap se për ata, si edhe për bashkatdhetarët e tyne musulmanë, ndîesía kombtare, dashunia për vêndin e vet e nderimi i zakonevet të vjetra janë sênde qi kanë mâ të madhen rândësí e qi dalin përmbi të tâna tjerat”.
Qe edhe se çë shkruen Z. Vaucher, në “L’Ilustration” të 7 Prillit 1917, mbi kazán e Korçës:
“Shqipnia e Shqiptarvet, kjo âsht kryefjala e të tânë ndêjësvet të kësaj fushe pjellore të Korçës.
“Qyshë sod dy muej qi âsht formuem republika e Korçës, Shqiptarët po na e provojnë se janë të zott me jetuem në harmoní njêni me tjetrin. Ngatërresa fetare s’ka mâ, përse s’ka mâ se kush t’i nxisë”.
Anmiqt t’anë kërkojnë nga Shqipnia bash nj’atê krahinë qi çetat gjeritase të Zografit me ushtarë grekë të shndërruem, nên urdhën t’oficerve grekë, e kanë djegun vetë me dorë. Asht çudí me pamun qi Grekët të munden me i quejtun të tyne këto vise, mbas si i rrenuen e i rrafshuen krejt për tokë. Mbi këtê, Z. Vaucher, korrespondenti i Illustration-it shkruen:
“E gjithë kjo krahina e Kolonjës âsht rrenuem prej çetavet greke më 1913. Emnat qi gjinden mbi kartët s’janë mâ tjetër veçse kujtime. Mbi dhé s’kanë tjetër shêj veçse disa gërmadha të paforma qi dëftejnë vêndet e katundevet musulmane”.
Duket se tue kërkuem Epirin e Epër, Grekët s’kanë qëllim tjetër veçse me frigsuem Shqiptarët e me i bâmun të hekin dorë nga kërkesat e drejta të tyne n’Epirin e Poshtër e sidomos mi Çamërín qi âsht thjeshtë shqiptare.
Kur kundrëthânsit t’anë bâjnë davá se Shqiptarët ortodoksë t’Epirit t’Epër do të kishin dëshirë me u bashkuem me Greqín, Vëlleht e Pindit, qi e kanë njohun mirë administratën greke, po lypin bashkimin me Shqipnín.
E si munden me u pajtuem këto dy mêndime? Si mundet me u pranuem qi të ketë Shqiptarë me mohuem vëllaznit e vet, kur njê element i huej, si Vëlleht, s’po kërkon tjetër veçse bashkimin me Shqiptarët?
Shqipnia qi ka vuejtun shumë të këqia, po sa të jetë përngrehun, do t’a bâjë detyrë të veten me jetuem në bashkim të plotë e me nji shpirt tolerance sa mâ të gjânë, duke u dhânë pakicavet të hueja të gjitha të drejtat qi u njihen në vêndet mâ të përparuemet në qytetnim.
Kufîni i Shqipnís në Sud duket si me qênë caktuem prej natyre: âsht vargu i malevet të Gramozit e Pindit. Vetëm ky kufî mundet t’u përgjigjet nevojavet projtorake e ekonomike të nji vêndi kaqë të pafuqishëm si Shqipnía.
Po të kishte pasun Shqipnía lirië në veprimet e saj, do t’ishte vûmun do e mos në shërbim të Kuptimit me i ndihmuem me të tâna fuqít e veta. Deri ditën kur âsht pushtuem prej anmiqvet, të gjitha mjetet qi ka pasun në dorë, i ka vûmun në shërbim të Kuptimit, duke u dhânë ndihmë e ushqim ushtrivet serbe në të tërhekunit e tyne nëpër Shqipní.
Shërbimet e bâme ushtrivet serbe marrin njê rândësí mâ të madhe, kur të kujtohen barbarít e plojet sistematike të bâme po prej këtyne ushtrive serbe, sidomos kundra popullsivet shqiptare të Kosovës në luftat e pas luftash balkanike, si edhe të djegunit e shumë katundeve shqiptare të raportueme në kohët të vet nga ana e të tânë korrespondentavet të shtypit europian.
Shqiptarët u kanë bâmun mâ të mëdhajat shërbime ushtrivet italiane e frênge qyshë se ato kanë arrijtun në Shqipní, e, nga ana tjetër, s’kanë ndëgjuem me formuem trupa ndihmëtarë në Shqipní të Poshtëme, me gjithë zotimet qi Austriakët, bashkë me nji Shtet balkanik, nuk prâjshin tuke u bâmun.
Konferenca âsht duke u kujdesuem për me hudhun themelet e nji paqe të qêndrueshme. Kjo paqë s’mundet me u bâmun pa u marrë para sŷsh të drejtat e kombsivet.
Për sa i përket Shqipnís, në qoftë se Kongresi, kundra këtij parimi, kishte me i pëlqyem cungllimet e bâme aqë fatkeqsisht më 1878 e më 1913, vêndi i ynë kurrë ndo nji herë s’ka me e gëzuem atê qetësí q’i duhet për zhvillimin e tij ekonomik; ky do t’ishte edhe krijimi i krizave periodike në Greqí e në Serbí, të cilat s’janë aspak të zôjat me përtypun njê shumicë Shqiptarësh aqë madhështorë për mëvetësín e tyne e aqë të lidhun mbas gojdhânavet kombtare. Kjo situatë âsht e atillë natyre me shkaktuem turbullime të padame për të gjatë gjithë kufîjvet të Shqipnís.
Padrejtësít e plojet e bâme kundra popullsivet shqiptare qi banojnë krahinat e zaptueme nga ana e Shtetënvet të sipërêmnuem, bâjnë me pasun frigë prej fatit qi po i pret, këto popullsí, të cilat s’kanë me njohun paqë veçse në hikë ase në vdekë.
Kjo do të sjellë në kujtim fjalët e Taqitit: “Ubi solitu dinem faciunt, pacem appellant”.

Paris, më 24 Shkurt 1919

Marrë nga vëllimi “Mustafa Kruja në historinë shqiptare”
Kapitulli “Shqipnia përpara Konferencës së Paqes”

The Guardian: Më 23 mars 1989 Millosheviçi si ia hoqi autonominë Kosovës

Në mars 1989, presidenti i atëhershëm serb Sllobodan Millosheviç nisi ndryshimet kushtetuese për të krijuar “Serbinë e Madhe” dhe viktima e tij ishte Kosova.

Si pjesë e federatës jugosllave, në vitin 1974, Krahinës së Kosovës iu dha autonomi e plotë, duke i dhënë pothuajse të njëjtat të drejta si gjashtë republikat e Jugosllavisë. Pesëmbëdhjetë vjet më vonë, kryekrimineli serb Millosheviç propozoi ndryshime në Kushtetutën e Serbisë, të cilat do t’i merrnin pushtetin autonom Kosovës.

Gazeta britanike Guardian përkujton në një shkrim të sotëm se kjo shkaktoi protesta të dhunshme dhe më 3 mars 1989 u shpall një gjendje e jashtëzakonshme, duke imponuar sundimin e drejtpërdrejtë nga Beogradi mbi Kosovën. Më 23 mars 1989, Kuvendi i Kosovës votoi për të pranuar amendamentet e propozuara dhe pesë ditë më vonë, Kuvendi i Serbisë miratoi ndryshimet kushtetuese duke hequr në mënyrë efektive autonominë e dhënë në vitin 1974.

Millosheviç do të vazhdonte më tej nacionalizmin serb, i cili përfundimisht çoi në shpërbërjen e Jugosllavisë dhe luftërat pasuese të viteve 1990. Amendamentet kushtetuese u miratuan nga Partia Komuniste dhe Kosova tani ishte një krahinë e pushtuar, ku frika e Serbisë për luftën e armatosur shqiptare mund të bëhej vetëpërmbushëse, përkujton gazeta, e cila tregon për vendosjen e atëhershme të policisë federale në rrugët e Prishtinës, ndërkohë që të gjitha tubimet masive të shqiptarëve kundër suprimimit të autonomisë ishin ndaluar.

Ndërkohë që kishte shpërthyer greva e minatorëve të Trepçës, njësitë e ushtrisë federale – të dominuar nga serbët – po lëviznin. Shqiptarët e Kosovës kërkojnë që reforma kushtetuese, e cila kërcënon t’i privojë ata nga autonomia, duhet të dorëzohet në diskutim demokratik. Dhe ata bëjnë thirrje për t’i dhënë fund trajtimit të qytetarëve të klasës së dytë, shumë të vetëdijshëm për propagandën serbe, e cila nën udhëheqjen e Millosheviç kishte adoptuar një ton gjithnjë e më racist, shkruan Guardian. “Mund të simpatizohet lehtë me pakicën shqiptare – një shumicë brenda krahinës së tyre – por të kërcënuar si krahina tjetër autonome e Vojvodinës me nënshtrimin ndaj Serbisë. Për dy vitet e fundit ata kanë jetuar nën një siguri të ngushtë, me dënime të rënda për kundërvajtje dhe kufizime për blerjen e tokës dhe lëvizjen e lirë. Për shumë kohë ata kanë vuajtur nga ndarja e pabarabartë veri-jug e burimeve federale.

Por Millosheviç ka shfrytëzuar ashpër mitet e vjetër serbe, në mënyrë që të avancojë ofertën e tij për pushtet federal”, shkruan Guardian. Ndryshimet kushtetuese i dhanë Serbisë kontrollin e policisë, gjykatave dhe mbrojtjes civile, dhe një dorë të lirë për të ndryshuar statusin e Kosovës. Ato gjithashtu i dhanë Serbisë kontrollin e marrëdhënieve të Kosovës me vendet e tjera, përfshirë Shqipërinë fqinje, ndërkohë që rreth 100 tanke dhe 15,000 trupa ishin vendosur në Kosovë në një përpjekje për të trembur protestuesit në bindje.

Guardian përkujton se ndaj shqiptarëve që po protestonin në shenjë pakënaqësie ndaj suprimimit të autonomisë së Kosovës, ndërhynë forcat jugosllave, duke lënë 21 shqiptarë të vrarë dhe shumë të lënduar. Por kjo nuk pengoi kryekriminelin Millosheviç të aprovojë ndryshimet kushtetuese më 28 mars në Parlamentin e Serbisë Lidershipi jugosllav vendosi të dërgojë forca shtesë në Kosovë, për të shtypur “fanatizmin nacionalist”, siç e quanin ata kundërshtimin e shqiptarëve ndaj suprimimit të autonomisë, të vendosur nga ish-shefi i Jugosllavisë Tito në vitin 1974.

Serbia ndërkohë Kosovën e quajti pronë të saj dhe kryekrimineli Millosheviç nxori njësitë speciale dhe ato paramilitare të armatosura rëndë në rrugë si kundërpërgjigje ndaj pakënaqësisë së shqiptarëve. Serbët festuan ndryshimet kushtetuese në rrugët e Beogradit, duke e quajtur atë si një fitore të Serbisë, e cila më vonë do t’i ktheje asaj bumerang pas luftës së lavdishme të UÇK-së dhe ndërhyrjes së NATO-s, duke detyruar kryekriminelin Millosheviç të kapitullojë në qershor 1999 dhe Kosova të shpallej shtet i pavarur më 2008, duke vënë kështu drejtësinë në vend për popullin autokton shqiptar/KP

Kërkesat e Shqypnís – Nga MUSTAFA KRUJA (Dokumente nga Konferenca e Paqes, Paris 1919)

 

Kombi shqyptar po del përpara Kongresit të Paqës duke u mbështetun mbi nj’atê fuqi ideale qi ka bâmun të pamundshme ushtrít e kombevet liridashëse e qi ka shtrënguem anmiqt e tyne të lëshojnë armët prej dore; ay po shfaqet edhe plot me besim se parimet e kombsís, falë drejtësís së njerzvet të shquem qi janë mbledhun në Kongres, do të marrin zbatimin e plotë të tyne.
Fara shqyptare, mâ e vjetra në Balkan, ka mundun t’a ruej, kombsín, shpirtin e lirís e të mëvetësís së vet, me gjithë qi Shqypnia herë pas here, nëpër kalimt e shekujvet, âsht bâmun fushë pushtimesh të hueja.
Pas mâ se katër shekujve zotnimi të huej, po sa qe thirrun me jetuem si Shtet më vete e kur po përpiqej edhe ndër të vështira qi s’i dahen përlindjes së popujvet, Shqypnia pa prit’e pa kujtuem, u gjind përpara luftës botnore. Asnjansín e saj, qi Fuqít e Mëdhaja i kishin garantisun, i a prishën ushtrít luftare e, si Belgjika, Shqypnia ka pamun gjithë tmerrimet e pushtimit.
Populli shqyptar, as duke rënkuem nên thêmbrën e pushtuesit, nuk e harroi detyrën e vet kundrejt Kuptimit, i cili po ishte duke luftuem për parimet e kombsís dhe për të drejtën e popujvet.
Shqyptarët, tue harruem shnderimet e tmerrimet të bâme motmot mâ para në Shqypní, e bânë njê detyrë për veten e tyne t’u ndihmojnë tepricave t’ushtrivet serbe qi po hiqeshin nëper Shqypní. Me të vërtetë, këto, të lodhuna e të mbarueme, pa armë e pa ushqim, kurrë nuk do të kishin arrijtun n’Adriatik po t’ishte qi shqyptarët, dyke u vûmun veshin Austriakvet, të mos ishin sjellun pas dashunís qi ndienin për Kuptimin si edhe pas gojdhânavet burrnore të tyne.
Shqypnia, e pushtueme nên zgjedhë dhe e rrenueme, i mbështette shpresat e veta përmbi ushtrít mikesha të Kuptimit qi po shkelshin në Maqedhoní e në Shqypní të Poshtme; e rrjeshtat e tyne po shpejtojshin me zânë vênd pranë ushtrivet shpëtimtare për të marrë pjesë në luftat qi po bâheshin në sinisín balkanike kundra Mbretnivet Qêndrore. Sikur t’u ishin dhânë edhe shqyptarvet gjith’ajo mbështetje e gjith’ato lehtësina si kombevet tiera, do t’ishin drejtuem të tânë së bashku, si njê trup i vetëm, për të kapun armët, të gëzuem kreit nj’ashtu si vëllaznit e tyne të mbledhun nën flamurët e Kuptimit, nga të cilët shumë kanë mbetun në fushët të nderës. Por, edhe pa pasun ato ndihma e lehtësina, bânë gjithë ç’kishin në dorë për të vështirsuem punën e anmikut, duke i sjellun ndalime n’ushqimin e tij e duke mos e lânë, për nji periudhë të gjatë të marrë e t’apë me nji Shtet balkanik qi mundohej të merrej vesht nëpër Shqypní me Komandën anmike për dâmt të Kuptimit, e kur Besararët e mblodhën me marrë turrin në Balkan, shqyptarët u çuen peshë kundra ushtrivet austriake e lehtësuen përparimin e ushtrivet të Kuptimit në Shqypní gjithmonë me kontingjentet shqyptare në ballë.
Shqyptarët, të lumë për shërbimin e vogël qi kanë mundun t’i bâjnë çâshtjes së lirís, po vjinë sod, me besim të plotë, të shtrojnë përpara botës kërkesat e drejta të tyne. Çâshtjet toksore të sinisís balkanike nuk do të jenë zgidhun me të drejtë, në qoftë se çdo Shtet nuk do të ketë përmbledhun ndër kufijt e tij ato krahina ku elementet e farës së vet formojnë shumicën e popullsís. Bash në faktin qi s’ka qênë nderuem ky parim në Shqypní, e gjêjnë shqyptarët, e me arsye, shkakun e mjerivet e të vuejtjevet të tyne. Parimet e aqpeshimit e të statu quo-it qi formojshin bazën e kongresevet në kohnat e kalueme, s’mund, t’ishin veçse nji mynxyrë për Shqypnín, si vênd pa projtje e i lakmuem prej fqîjvet të vet grek e slav të mbështetun mbi projtës të fuqishëm.
Kështu pra qe qi Kongresi i Berlinit më 1878 përpara dhe Konferenca e Londrës më 1913 mbasandej vêndosën cungllimet e tokës kombtare të Shqypnís për fitimin e Malit të Zi, Serbís e Greqís, cungllime aqë mâ tepër të padrejta kur në viset e sakrifikueme lêjshin pa farë garantie grumbuj shqyptarësh qi formojshin nji shumicë të madhe.
Le të na ipet lêjë të vêmë n’oroe, këtu duke kaluem, se syproria e qytetnimit grek dhe slav, për të cilën fort shpesh âsht bâmun fjalë, rrin keq me salvimet sistematike, me rrenimet e të djegunat e sa tjera tmerrime të shkaktueme prej Grekvet e Serbvet kundra popullsivet paqtore të Shqypnís: fakte këto të njohuna prej Fuqivet të Mëdhaja, sa nuk lânë nevojë për me u treguem këtu hollë e gjatë.
Mbas si ky Kongres s’ka mâ në shpirt formula të thata, por parime të vërteta të drejtësís qi po kërkon gjithë bota, shpresa po përtrîhet me arsye të drejtë në zêmrat e shqyptarvet.
Kërkesat qi kombi shqyptar i paraqet Kongresit, përmblidhen në trí kategorí; do me thânë t’i këthehen Shtetit Shqyptar, mëvetesía e të cilit âsht njohun e garantisun prej Konferencës së Londrës më 1913:
1°) Viset shqyptare qi i janë dhânë Malit të Zi me vêndimet e Kongresit të Berlinit e me ato të Konferencës së Londrës 1913;
2°) Viset shqyptare qi i janë dhânë Serbís me vêndimet e Konferencës së Londrës 1913;
3°) Viset shqyptare qi i janë dhânë Greqís me vêndimet e Konferencës së Londrës 1913.
Kur Shqypnia po kërkon kështu të drejtën e bukur të saj, po vijnë për qark disa lajme, pak t’errta âsht e vërtetë, pas të cilavet disa nga këta Shtetën balkanas po nxjerrin pretesa të reja përmbi vise qi gjinden ndër kufîjt e Shtetit Shqyptar më vete, ndër nj’ata kufîj qi janë caktuem me aktet e Konferencavet të Londrës e Firencës, të cilat akte edhe kishin bâmun nji padrejtësí të sheshtë duke mos marrë para sŷsh të drejtat e ligjëshme të popullit shqyptar. Duket e tepër me dëftyem se sa të padrejta do t’ishin këto pretesa, por me gjithë këtê âsht edhe e nevojshme me shkuem për sŷsh pak argumentat, me të cilët’anmiqt t’anë kishin me dashun t’u provojnë drejtësín atyne pretesave.
Serbët kanë vûmun para, në kohnat e kalueme, nevojën për me dalun në det nëpër tokën Shqyptare. Tash kjo arsye s’âsht mâ sod, tue qênë se Serbia nuk do të jetë mâ pa limane n’Adriatik; por, si do me qênë, nji aso nevoje tregtare nuk do t’ishte e atillë natyre sa t’i epte të drejtë Serbís për nji grabitje si ajo qi thamë.
Të gjitha statistikat qi kanë paraqitun Grekët për me mbështetun kërkesat e tyne në Shqypní, kanë njê bazë të gabueme. N’aktet e lindjes të Qeverís Turke të gjithë të krishtênët ortodoksë të mbretnís ishin quejtun rumë (grekë). Ky gabim rridhte nga fakti qi të gjithë këta të krishtênë vareshin fetarisht te Patrikata e Stambollit. Por kjo nuk donte me thânë aspak se të gjithë këta të krishtênë ishin prej farës greke. Tuke qitun si Grekë të gjithë këta të krishtênë pra, e vetëm kështu, Qeveria Helenike po arrin me gjetun njê farë shumice në disa pjesë të Shqypnís. Por mbas atij hesapi duhej me besuem se nuk ka as nji Shqyptar ortodoks në Shqypní.
Nuk janë pra cungllime të reja ato qi kombi shqyptar pret, por, për kundras fare, ay pret të përtânsohet në kufîjt e tij etnikë, pret qi t’i këthehen në gjît të vet ata grumbuj qi i ishin këputun me përdhûnë në kohnat e shkrueme e qi t’i njihet e bukura e drejtë e tij; e, bash kjo çâshtje e shêjtë âsht qi ay do t’i vênë krahat përpara Kongresit të Paqës me anën e përfaqsuesvet të tij, të cilët as nji kongres në kohnat e shkueme s’ka dashun t’i a ndëgjojë.
Sikurse do të shihet nga karta gjeografike ngjitun këtu, kufini etnik i Shqipnís fillon prej gjînit të Spicës (në verit të Tivarit), këthehet drejt nord-estit duke marrë mbrênda Tuzin, Hotin, Grudën, Triepshin, Podgoricën, dhe, duke ndjekun kufinin e Malit të Zi qi ka pasun përpara motit 1912, përmbledh Pejën, Gjakovën, Mitrovicën (pjesën lindore), Prishtinën, Gjilanin, Ferizovikun, Kaçanikun, nji pjesë të kazás së Shkupit, Tetovës, Gostivarin, Kërçovën, Dibrën, për me arrijtun te “Mali i Thatë” ndërmjet liqêjvet t’Ohrís e të Prespës. Qy nga kjo pikë kufîni ndjek vijën e 1913-s deri te maja e malit Gramoz e vazhdon drejt sudit për me dalë afër gjînit të Prevezës. Të gjitha viset qi gjinden në Perëndim të këtij kufîni përbâjnë Shqypnán etnike e historike.
Mbrênda ndër këta kufîj qi caktuem mâ sipër, jetojnë afër 2.000.000 Shqyptarë, nga të cilët mâ pak se gjymsa ndër kufîjt e shënuem në Konferencën e Londrës dhe tjerët n’ato vise qi u ishin lânë, po n’atê Konferencë, Malit të Zi, Serbís e Greqís.
Pas rrokullimesh qi kanë ngjamun në Shqypní këto vjett e fundëm: vrasa të gjithmbarshme e shpërngulje e tjera, do t’ishte njê guxim me u çuem për me dhânë statistika të preme përmi gjinden e sodshme. Por mund të thuhet, pa u larguem prej së vërtetës, se në viset e lëshueme Shtetënvet qi u përmêndën mâ sipër, popullsia shqiptare përbân nji shumicë 80% mbi elementët slav e grek. Në disa nga këto vise, për shêmbëll në kazát e Pejës, Gjakovës e Prizrêndit në Nord e në Krahinën e Çamërís në Sud, elementet slav e grek formojnë nji pakicë fare të vogël.
Nuk po kërkojmë kurrgjâ qi s’âsht shqiptare. Kurrë s’kemi pasun në shpirt të përmbledhim në Shtetin shqiptar grumbuj qi u përkasin tjera kombsive, të cilët, për me qênë mandej të bashkuem me vëllaznit e tyne, do të mundeshin me na shkaktuem turbullime qi na kemi interesë me i larguem prej vetes me të tâna mënyrët.
Po kërkojmë me u bâmun të zott e vêndevet shqiptare qi na janë këputun me traktatin e Berlinit e me Konferencën e Londrës; po kërkojmë mëvetesín e tânsín toksore të Shqipnís e respektimin e të drejtavet syprane të kombit shqiptar. Po kërkojmë edhe shpërblime ekonomike për nji numër të madh katundesh të djeguna nga ana e Grekvet n’anën e poshtme të Shqypnís e për rrenimet qi kanë bâmun ushtrít e Mbretnivet Qêndrore sa kanë mbajtun vêndin nên pushtim të tyne. Tue pasë qênë vêndi i pushtuem, tue pasë mbetun pa qeverí, s’ka pasun deri sod se si me e çmuem në nji mënyrë të preme shumën e këtyne dâmeve. Qeveria e Përkohëshme Shqyptare, qi âsht zgjedhun me 25 dhetor 1918, âsht tue punuem për me bâmun gati listën, e cila ka me u paraqitun në Kongres sa mâ shpejt.
Kombi shqiptar deshiron të punojë në paqë për me zhvilluem pasunít e vêndit të vet; të bâhet nji element mbarsie në sinisín balkanike e të marrë radhën e tij ndër kombet e tjera të qytetnueme.
Vêndimet e padrejta të kohës së shkueme e kanë shtuem mâ tepër lakmín e guximin kundra të dobtëve edhe kështu janë bâmun shkaku i shumë mjerimeve e vuejtjeve. Kongresi i sodshëm, duke fshimun padrejtësít e kalueme e duke i dhânë secilit atê qi i përket, do të ketë hudhun themelët e nji paqe të qêndrueshme në sinisín balkanike, ku turbullina të herë-pasherëshme u kanë qitun gjithmonë punë të vështira e të mërzishme kanqellarivet të Fuqivet të Mëdhaja.

Paris, 12 Shkurt 1919

(Nênsh.) TURHAN
Marrë nga vëllimi “Mustafa Kruja në historinë shqiptare”
Kapitulli “Shqypnia përpara Konferencës së Paqes”

1990 – Letra që i dënuari Haxhi Baçinozi i dërgoi Nexhmije Hoxhës: Krimet tuaja s’ka sociolog dhe shkrimtar në botë që t’i përshkruajë

Haxhiu në hetuesi pas revoltës së Qafë Barit në vitin 1984 dhe letra e vitit 1990 dërguar Nexhmije Hoxhës

Nga Kastriot Dervishi

Haxhi Shefqet Baçinozi, lindur më 2.7.1957 në Fier, banues në Radostimë të Rrethit Fier, u nda dje nga jeta. Plumbat i morën jetën një prej të dënuarve politikë më qëndrestarë e më të papërkulur ndaj regjimit komunist. Në këtë çast të dhimbshëm për familjen e tij, kam dëshirë të kujtoj burgosjet dhe letrën e jashtëzakonshme drejtuar bashkëshortes së diktatorit komunist të Shqipërisë.

Haxhiu ishte efektiv i repartit ushtarak nr.4832, Poshnjë Berat, kur u arrestua më 11.8.1981. Me vendimin nr.7, datë 30.1.1982 në Kolegjit Ushtarak të Gjykatës së Rrethit Tiranë, u deklarua fajtor kryesisht në bazë të nenit 55 të Kodit Penal dhe u dënua me 10 burgim. Së bashku me të u dënuan edhe Agim Sula nga Tirana dhe Dashamir Lufta nga Elbasani. Gjatë vuajtjes së dënimit, për pjesëmarrje në revoltën e Qafë Barit, me vendimin nr.3, datë 3.6.1984 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, u dënua me 20 vjet burgim.

Më 18.2.1990 ai i dërgon një letër Nexhmije Hoxhës, asokohe drejtore e Institutit të Studimeve Marksiste-Leniniste dhe kryetare e Frontit Demokratik të Shqipërisë, në të cilët shkruan për krimet e regjimit ndaj shqiptarëve në përgjithësi dhe atyre të Kosovës në veçanti. Nexhmija nuk lë shënim në letër, por Leka Shkurti, ia përcjell më 5.3.1990 zëvendësministrit të Punëve të Brendshme, Zylyftar Ramizit. Ky i fundit kërkon të dhëna prej zëvendëskryetarit të Degës së 8-të (që mbulonte kampet dhe burgjet) të Drejtorisë së Parë të Sigurimit të Shtetit në MPB, Nazmi Domi. Në përgjigjen e datës 12.3.1990, Domi shkruan se qysh prej datës 17.6.1984, Baçinozi vuante dënimin në Burgun e Burrelit ku mbante “qëndrim shumë negativ”. Në fillim të vitit ishte takuar me të prokurori i përgjithshëm në burg, por edhe para tij kishte mbajtur “qëndrim të keq”. Më 23.2.1990 kishte qenë njëri prej 32 të burgosurve që shpallën grevën e urisë.

U lirua nga burgimi me dekretin nr.7471, datë 12.3.1991 të Presidiumit të Kuvendit Popullor (nr.149 i listës), kur i kishin ngelur edhe 3 vjet nga dënimet e dhëna. Vuajti gjithsej 9 vjet, 7 muaj e 18 ditë. Mbeti gjithnjë i kthjellët si antikomunist.

***

Letra drejtuar Nexhmije Hoxhës

Znj.kryetare!

Një kosovar i dënuar në Shqipëri me burg të përjetshëm kërkon përgjigje. Quhem Haxhi Baçinozi, pinjoll i një familje luftëtarësh që qëndruan në malet e Kosovës 15 vjet me radhë me armë në dorë, më hollësisht shih Enciklopedinë Shqiptare! Jam arrestuar në radhët e ushtrisë në vitin 1981 krimi agjitacion e propagandë, paragrafi nr.55 i Kodit Penal dhe duke vuajtur dënimin në burgun skëterrë të Qaf Barit. Në maj 1984 arrestohem përsëri, por kësaj radhe si pjesëtar i organizatës kundërrevolucionare, fantazia e bandës kriminale të Sigurimit të Shtetit nuk njeh kufi, imagjino organizatë kundërrevolucionare e krijuar brenda telave me gjemba e grykës së mitralozave dhe me këtë mora një dënim të përjetshëm e gjendem në burgun mesjetar të Burrelit, natyrisht mbas një torturimi fizik dhe psikik dhe një gjyqi me dyer të mbyllura dhe në mbarim të gjyqit më merret akt-akuza me dhunë nga inkuizitorët e mi, e të dhjetëra-mijëra të pafajshmëve si unë, këto ishin një e qindta e atyre që unë kam heq, e po heq aktualisht në burgun tuaj shfarosës të Burrelit.

Të përshkruhen krimet e gjenocidit që ushtrohet mbi popullin shqiptar nga regjimi juaj rreth një gjysëm shekulli me radhë, duhen penat e sociologëve e shkrimtarëve të të gjithë botës dhe zor se do të ishin në gjendje me e portretizuar realitetin tragjik të këtij populli të martirizuar. Por desha t’ju pyes ju çfarë i kam bërë unë shtetit konkretisht dhe kush jam unë? Një njeri krejt i thjeshtë me arsim fillor, pra kuptohet edhe aftësia ime për t’ju rrezikuar juve pushtetin.

Për të tilla “krime” asnjë lloj regjimi diktatorial as që do të merrte mundimin me më pyetur dhe jo më të më merrte rininë dhe krejt jetën time, përveçse regjimi juaj gjakatar.

Ku keni ju gojë të flitni për humanizëm apo për të drejtat e njeriut, kur ju keni 46 vjet që torturoni një popull 3 milionësh që Shqipërinë e keni kthyer në burg 28 mijë km2. Mbasi nuk njeh historia që një vend të quhet shtet e të jetë i rrethuar me tela me gjemba. Ju arritët t’i shpërfytyroni shqiptarët duke i shkaktuar dëme shqiptarëve, si mund të flitni në mbrojtje të kosovarëve kur me qindra kosovarë që erdhën në Shqipërinë e pas luftës vdiqën ose u gjymtuan përjetë në kampet e burgjet shfarosëse të çifligut të burrit tuaj. Kalaja e Gjirokastrës, Maliqi, Tërbufi, Thumana, Bedeni i Kavajas, Zadrima, Bulqiza, Spaçi, Batra dhe maja e ajsbergut të krimeve, Burreli, do të kujtohen brez pas brezi si varrezat e mijëra shqiptarëve të pafajshëm në këto vende pellgje gjaku kufomash e gjymtimesh. Ka arritur të hajë të vjellat e shokut i burgosuri juaj, atëherë me ç’të drejtë flet për kosovarët kur sot e kësaj dite dergjen prej 3 dekadash me dhjetëra kosovarë, një përqindje e vogël e atyre që janë shfarosur nga banda kriminale e sigurimit të shtetit, me sloganin e njohur “agjentë të UDB-së” jugosllave. E atëherë si mund të flitni për kosovarët që jetojnë në Jugosllavi, kur ju s’keni lanë krim as poshtërsi pa ju bërë e që me dhjetëra si unë na mbani hala në burg, kur në Jugosllavi asht demokracia amerikane nëse mund të bëhet krahasim me terrorin që ekziston në burgun tuaj 3 milionësh. Ju, me paturpësi arritët me i bë telegram Nelson Mandelës, duke e ngushëlluar për “vuajtjet” në burgjet raciste, kur ai bën burg me çokollata dhe është politikan i deklaruar dhe kur në burg takon gazetarë e personalitete nga e gjithë bota dhe në rast sëmundje, kurohet në klinika private. Kurse mua, e qindra si unë, njerëz të zakonshëm, nuk lejohet as shokë, as miq as farë e fis, vetëm familja në takim dhe ky takim vetëm 10 minuta në muaj nëpërmjet një sporteli të blinduar ku nënat tona nuk na shohin vetëm 1/3 e fytyrës. Po kufizimi i ushqimit në 2 kg në muaj. A ka krim më çnjerëzor se një trajtim I tillë dhe kundër kujt pa? kundër njerëzve të pafajshëm, a mendon se nënat e motrat shqiptare këtu në Kosovë i ke veshë në të zeza, sa gra i ke lanë të veja dhe sa mijë jetimë. Për këto gjana nuk do të ketë as sociolog, as shkrimtar në glob t’i përshkruajë apo portretizojë realisht një gjenocide të tillë, që nuk njeh asnjë periudhë e historisë njerëzore. Ju kujtoj një thënie shqiptare se “met nana pa djalë, se nuk met gjak pa marrë”!

Jua drejtoj këtë letër me qëllim përgjigje dhe përgjigjja juaj do të jetë ekzekutimi im. Por jam krenar t’i jap fund këtij poshtërimi dhe asgjësimi të ngadalshëm.

S’kam frikë nga vdekja, se jam pjellë e atyre që veç pushka i ka marrë dhe vdekjen e kanë përbuzë. Natyrisht që ju nuk do të keni kurajo me me ekzekutu direkt, por me metoda të stërholluara siç keni ba tash e 46 vjet, por dije se gjithë shqiptarët nuk do t’i shfarosësh.

I dënuari politik, Haxhi Baçinozi

18 shkurt 1990

1990/Letra që i dënuari Haxhi Baçinozi i dërgoi Nexhmije Hoxhës: Krimet tuaja s’ka sociolog dhe shkrimtar në botë që t’i përshkruajë

Yllka Mujo dhe Viktor Zhusti magjistarë të shpirtit njerëzor – Nga Vepror Hasani

Besoji testamentit të jetës dhe do të jesh i lumtur deri në vdekje

Dritat u fikën. Spektatori në sallë mbeti në errësirë të plotë. Një grimë më pas, skena u ndriçua nga një dritë e zbehtë. Kishte shumë errësirë, zor se dallohej gjë. Befas drita u bë më e plotë. Në skenë u shfaq figura e aktorit Viktor Zhusti. Luante rolin e doktorit të quajtur Zhan. Nuk donte ta thërrisnin doktor, i pëlqente emri i vet. Ndaj dhe ne do ta quajmë vazhdimisht Zhan. Ishte vetëm, duke ngrënë darkë. Ngriti kokën, vështroi nga salla dhe goditi me pirun gotën prej qelqi, sikur kërkonte të na tërhiqte vëmendjen. Miku im që ishte ulur përkrah meje, më vështroi paksa i çuditur sikur donte të më thoshte: “Me ne shikuesit e ka”? Nuk dija si t’i përgjigjesha, edhe mua ashtu m’u duk, sikur donte të na thoshte: “Më ndiqni, kam një histori për t’ju treguar, e kam quajtur Testament i Ri”. Ishte kaq mbresëlënës sa të habiste. Ishte hera e parë që bashkëpunonte me teatrin e Korçës. Njerëzit kishin shumë kërshëri. Dhe ja, ende nuk kishte thënë asgjë dhe në të njëjtën kohë kishte thënë shumë gjëra. Nuk e kishte me ne spektatorët, kërkonte shërbëtorin e tij. Deri atëherë kishte patur një shërbëtor tjetër, por tashmë e kishte zëvëndësuar, kishte marrë një tjetër.

Shërbëtori

Shërbëtori i ri, i luajtur nga aktori Sotiraq Bratko, hyri në skenë. Si hyri ashtu! Ç’magji bëri, që njerëzit vunë buzën në gaz, qeshën dhe nisën ta ndiqnin me kërshëri. Kur Zhani e pyeti si quhej. Ai u përgjigj: “Theofil”. Por jo, Zhani donte që ai të kishte një emër tjetër. Po pse një emër tjetër vallë”? Spektatori ishte bërë sy e veshë, përgjonte çdo fjalë që thuhej. Ah, të kuptosh është gjëja më e rëndësishme në këtë botë. Mos vallë Zhani donte të thoshte që njerëzit duhet të kenë dy emra, sepse ndryshe hiqen e ndryshe janë në të vërtetë? Ranë dakord, që shërbëtori të quhej Andrea. Edhe Sotiraq Bratkon tani e tutje do ta quajmë Andrea. Roli i tij të krijonte idenë e një njeriu të lehtë, të padjallëzuar, por në të vërtetë ai ishte krejt ndryshe. Dinte gjithçka që ndodhte në atë shtëpi. I njihte njerëzit edhe nga mënyra si i binin ziles. Ua dinte huqet dhe sillej siç e dëshironin ata. Vetëm kur largohej prej tyre pëshpëriste me zë të ulët gjithçka që atij si pëlqente. Kjo mënyrë komunikime sillte humor si me magji. Një shërbëtor i di të gjitha, ndaj duhet ndërruar ndonjëherë. Vënia në zbatim e planit “Testamenti i Ri” kishte filluar.

Zhani zbulon tradhtinë e bashkëshortes

Ndërsa shërbëtori vazhdonte të qëndronte para tij, e porositi: “Kur të vijë zonja Lysi, thuaji që po e pres”. Zonjën Lysi, (bashkëshorten e Zhanit) e luante aktorja Yllka Mujo. “Ajo sapo ka ardhur”, iu përgjigj shërbëtori. “Shumë mirë atëherë, po e pres”, ishte pak a shumë përgjigjja e tij. Sigurisht, ajo nuk erdhi që në çastin e parë, u vonua disi, ndoshta për ta bërë të shoqin të priste. Kishin një jetë të tërë bashkë. Mirëpo atë ditë Zhani kishte zbuluar se ajo e tradhtonte me një djalë të ri, shumë më të ri nga mosha e saj. I dashuri i bashkëshortes ishte djali i mikut të tij. Edhe ajo dyshonte se i shoqi e kishte kuptuar, por nuk ishte e bindur, ende shpresonte që ai të mos dinte gjë Zhani i kishte ndjekur me makinë, mundet të kishte qenë edhe rastësi. Diku automjetet e tyre ishin këmbyer. Ata e kishin parë njëri-tjetrin. Ishte një çast shumë i shkurtër. Ajo ishte përpjekur të mbulonte fytyrën me duar, për t’iu fshehur syve të të shoqit, uronte që ai të mos e kishte parë. Po a mund të fshihet njeriu vetëm pse mbyll sytë? Pas pak ajo u gjend para të shoqit. Përpiqej të ishte e qetë, e sigurtë për të treguar se çdo gjë ishte ashtu si më parë. Lysit i duhej të luante të pavërtetën, kurse atij njeriun që nuk di gjë. E pyeti edhe për djalin e mikut të tij. Ata që ishin të pranishëm në shfaqe mbetën të mahnitur nga dialogu i tyre. Batutat ishin magjepsëse: këmbehej ironia me humorin, e vërteta me gënjeshtrën, provokimi me qetësinë, nervi me durimin, mençuria me naivitetin. Ajo hiqej sikur s’kishte asgjë me djalin e mikut të tij, e çmonte vetëm për inteligjencën. S’mund të qëndroje dot pa qeshur. Ishte një e qeshur me shpirt. Rrallë të qëllon ta shohësh skena kaq të bukura nga dy aktorë të mëdhenj si Yllka Mujo dhe Viktor Zhusti.

Do të marr një sekretare të bukur!

Batutat me nënkuptime mes tij dhe bashkëshortes vazhdonin. I tha të shoqes që e kishte ndërruar sekretaren. Ajo që kishte patur deri tani ishte një vajzë e re, e sjellshme dhe e përmbajtur. E respektonte Zhanin. Edhe ai ishte sjellë mirë me të dhe e paguante mjaftueshëm. E shoqja kishte besim tek ajo. Rolin e sekretares e luante Lola Meta, ishte një rol i vogël, por regjisori Gëzim Kame ishte kujdesur që gjithçka të mbetej në mendjen e spektatorit. “Pse do ta ndërrosh sekretaren”? – pyeti e shoqja. “Do të marr një më të re, por edhe më të bukur, ishte përgjigjja e tij, që tua prezantoj edhe miqve të mi; kështu bëjnë në kohët e sotme me sekretaret e tyre. Çuditërisht, Lysi, bashkëshortja e Zhanit, nuk e priti mirë ndërrimin e sekretares. Mënyra si i foli për sekretaren e re, kuptoi se ai kishte ndërmend ta tradhtonte me të, por ajo nuk dëshironte të ishte e tradhtuar. Si mund ta tradhtonte me një sekretare të re. Nëse kjo do të ndodhte ajo do të ndihej e poshtëruar dhe e pavlerë. Ata ishin betuar t’i qëndronin besnik njëri-tjetrit deri në vdekje. Ky është testament i çdo martese. Kurse ajo ia lejonte vetes të shkonte me një djalë të ri, madje me djalin e mikut të bashkëshortit, me Fernandin. Të qenit e pëlqyer edhe nga djemtë e rinj, e shihte si vlerësim për vetveten. Madje tentoi ta dëbonte sekreteren, por ajo nuk iu bind. Kishte një arsye të fortë për të qëndruar. Të vërtetën do ta mësoni në fund të këtij shkrimi.
Të gjitha këto ndiheshin te loja e mrekullueshme e Yllka Mujos. Madje pati edhe një skenë mes saj dhe të dashurit. Kishte shumë zjarr dhe pasion. Nuk kuptohej mirë në ishte dashuri apo aventurë. Edhe pse rrethanat ishin të pafavorshme, pasi mund t’i kapnin në flagrancë, ai i lutej të bënin seks edhe të fshehur pas një perdeje, përpiqej ta bindte se mund ta bënin edhe për disa sekonda. Dhe Lysi, nën lutjet e tij të shumta, shpërthente si të ishte një vajzë e re. Të qeshurat e spektatorit ishin të papërmbajtshme. Rolin e të dashurit të saj e luante Kristian Koroveshi, fitues i çmimit aktori më i mirë, në festivalin kombëtar të teatrove në Tiranë. Jam me fat që pata rastin të luaj përkrah, aktores së mirënjohur Yllka Mujo, deklaroi ai pas përfundimit të shfaqjes.

Loja “Testamenti” në zbatim

Dikush trokiti në derë. Shërbëtori shkoi të shihte kush ishte. U kthye pas pak me xhaketën e Zhanit në dorë. Tha se e kishte harruar te rrobaqepsi dhe ai e dërgoi me dikë këtu. Në shtëpinë e Zhanit ndodheshin të gjithë: e shoqja, Lysi; i dashuri i saj, Fernandi; miku i tij, Adrieni, që luhej nga aktori Guri Koço, bashkë me gruan e vet, Margaret, që shkurt e thërisnin Geri, luajtur nga Zamira Kita. Fillimisht e shoqja e Zhanit mendoi për ndonjë tradhti, por kur kontrolluan xhepat e xhaketës panë se nuk i mungonte asgjë, as portofoli dhe të hollat. Atëherë e shoqja mendoi se ai ishte mbytur. Por pse duhej të mbytej vallë? Nuk duroi dot tradhtinë e së shoqes apo nga që e kishte dashur shumë? E shoqja u ndje e pikëlluar, ishte gati të shpërthente në lot. Shtirej apo ishte e vërtetë? Të gjithë ishin të dëshpëruar, madje edhe i dashuri i Lysit, Fernandi. Spektatori që dinte tradhtinë e saj, nuk përmbahej dot së qeshuri. Kontrolluan edhe një herë xhepat e xhaketës. Te xhepi i brendshëm gjetën një zarf. E hapen nxitimthi, të nxitur nga kureshtja çfarë shkruhej aty. Ishte një testament i ri, që anulonte testamentin e vjetër, firmosur dikur nga ai dhe e shoqja, Lysi. Testamenti ishte shkruar për avokatin e tij. Aty rrëfente se kishte edhe një vajzë, fryt i një dashurie të hershme në rininë e tij; rrëfente që kishte qenë i dashuruar edhe me Margaritën, me gruan e mikut të tij Adrien, ose me nënën e të dashurit të gruas së tij, Lysit. Adrieni, që e dëgjonte për herë të parë këtë të vërtetë, mbeti i befasuar. Të gjithë ishin të tradhtuar. Për ata situata ishte dramatike, kurse për spektatorin një komedi e vertetë.

Përballja

Të gjithë gjendeshin në pozicion të vështirë. Në shtëpi u kthye edhe Zhani. Ai i shikon miqtë e tij në sy, nuk ka droje. Zamira Kita, (Margarita) gruaja e Guri Koços (Adrienit), përmes lojës së saj, të një personazhi të veçantë, solli për spektatorin një grua që ka mënyrën e saj të të jetuarit, disi të hutuar, paksa të mefshtë, që përpiqet të flasë në çdo kohë, pa kuptuar që situata s’është në favor të saj; ajo flet edhe kur nuk ia kërkon kush mendimin, shpesh nuk e kupton as vetë çfarë është duke thenë. Situatat që krijoheshin prej saj e bënin spektatorin të shpërthente në të qeshura. Madje kur i shoqi, Adrieni, e kishte pyetur, a kishte patur mardhënie me Zhanin, ajo ndërsa kishte nisur t’ia pohonte, harroi që gjendej para të shoqit dhe e rrëfeu gjithçka me aq pasion detaje dhe imtësi, sa edhe vetë mbeti e çuditur, kur kuptoi se çfarë po bënte. “Paske hequr shumë”, – i tha Zhani. “Jo, i tha ajo, ai që hoqi shumë nga ato që dëgjoi, ishte im shoq”.
Sërish të qeshura pa fund. “Komedia Testamenti ri” është komedi franceze, e shkruar shumë-shumë vite më parë, por që tingëllon aktuale edhe sot. Është komedi me humor shumë elegant, therës, por shumë të bukur. Humori është i pranishëm edhe në situata edhe në batuta, kurse karakteret janë mjaft të spikatur.

Finalja

“Njerëzit, u tha Zhani të pranishmëve, edhe kur e marrin vesh tradhtinë e grave të tyre, nuk ndahen. Por nëse në një marrëdhënie bashkëshortore nuk ka më dashuri, nuk i pengon kush të ndahen, që të mos jenë modeli i keq për fëmijët (ndoshta kishte parasysh djalin e mikut të tij). Ai e prezantoi rolin e tij me shumë finesse dhe me shumë elegancë, simpatik nga fillimi në fund. U bë i dashur për spektatorin me rolin që krijoi. Dhe ndërsa batutat vazhdonin, ai vuri në dijeni miqtë e tij se të nesërmen, me ftesë të një Universiteti të dëgjuar, do të nisej në një turne ku do të vizitonin shumë vende të botës. Do të qëndronte për një kohë të gjatë. “Do ta marrësh edhe sekretaren”?- pyeti e shoqja. “Sigurisht”, ishte përgjigjja e tij. “Zhyljet”, thiri ai, sekretaran e tij. Në skenë u duk një vajzë e re, simpatike, luajtur nga aktorja Ilda Pepi. Atë çast dukej sikur gjithë miqtë e tij mendonin: “Pra edhe ky njeri që deri pak më parë na bënte moral, po shkon në turne bashkë me sekretaren e tij, ky njeri që edhe në rininë e tij paska patur edhe një fëmijë, ky njeri që para se të martohej me Lysin, paska dashur edhe një grua tjetër, Margaritën, bashkëshorten e mikut të vet. Ky njeri…Nisemi i tha, ai Zhyljetës. “Jo”! – ishte ndërhyrja e të shoqes. “Je gati, Zhyljetë”?- e pyeti sërish ai.
Po BABA, ishte përgjigjja e saj.

Në udhën e jetës

Mjaftoi fjala “baba” që gjithçka të bëhej e qartë. Nuk ishte ai që kishte tradhtuar nënën e së bijës, ndaj e bija ishte me të atin. Ndoshta ajo e kishte tradhtuar, ndoshta kishte vdekur, kjo pak rëndësi ka, ai vazhdonte të ishte babai i vajzës së tij. Por ai kishte dashuruar edhe Margaritën! Nuk ka dyshim, që edhe ajo grua e hutuar, që nuk kuptonte as vetë ato që thoshte, nuk e kishte të vështirë të gjendej në gabim, ashtu siç i ndodhi kur i rëfente të shoqit dashuritë e saj të rinisë.
Pas pak ata të dy, at e bijë, u nisën për udhë. Duartrokitje pa fund nga spektatorët.

“Dashuria është si një temperaturë që ikën edhe vjen në mënyrë të pavarur nga vullneti… dashuria nuk ka limite të moshës… (dashuria nuk njeh moshë).” – Stendhal