«Der Spiegel» shkruan se Bartetzko, sipas të dhënave të qarqeve të OKB-së në Prishtinë, ishte vrasës me porosi i UÇK-së dhe dyshohej të jetë fajtor për tri sulme terrori në Kosovë. Për sulmin kundër të ashtuquajturës «Qendër për Paqe dhe Tolerancë» në Prishtinë më 18 gusht 2000, me ç’rast u plagos një punëtore e Partisë Popullore Turke; për sulmin mbi rezidencën e përfaqësuesit të Beogradit në Kosovë më 22 nëntor 2000, me ç’rast u vra shoferi i tij; dhe «për masakrën ndaj burrave, grave dhe fëmijëve serbë, vargani i autobusëve të të cilëve më 16 shkurt 2001 ra në një kurth eksplozivi afër Podujevës».
Gjithnjë sipas «Der Spiegel» Bartetzko në vitin 1991 ishte përjashtuar nga Ushtria Gjermane për shkak të sjelljeve të tij të pandershme. Ai ishte parashutist dhe kishte marrë pjesë në kurse për shpërthime me eksploziv. Pas përjashtimit nga ushtria ai banoi në një konvikt studentësh në Belgjikë. Banorët e konviktit e përshkruanin si njeri të dhënë tepër pas armëve. Nga dokumentet e OKB-së rezulton se Bartetzko kishte luftuar në anën e kroatëve dhe njihej me emrin «Matthias». Më vonë pretendohet se ai ishte bashkuar me forcat e myslimanëve të Bosnjës.
Pas përfundimit të luftës në Bosnjë Bartetzko më 1996 u shfaq në Gjermani. Pas disa muajsh ai përfundoi në një burg në München për shkak të grabitjes së çantës së një personi; njëkohësisht atë e kërkonte edhe policia austriake për shkak të plaçkitjes. Pas daljes nga burgu Bartetzko duket se erdhi në Kosovë dhe pas stacionimit të trupave të NATO-s më 1999 ai u pa në Mitrovicë, ku, siç shkruan revista nga Hamburgu, ai themeloi një firmë sigurie dhe u martua me një shqiptare. Valbona M., shkruan «Der Spiegel», i kishte lënë përshtypje «ngrohtësia njerëzore» e Bartetzkos. Duket se ngrohtësi njerëzore ai gjeti edhe te UÇK, ku kishte marrë nofkën «Shabani». Revista gjermane aludonte atëbotë se firma e sigurisë e Bartetzkos në fakt ishte vetëm sinonim për «terror dhe haraç». Një zëdhënës i OKB-së e përshkruante Bartetzkon si «peshk të madh», si person «me pasaportë gjermane, mbiemër rus dhe grua shqiptare».
Kundër mercenarit gjerman në vitin 2001 zhvillonte hetimet prokurori nga Frankfurti, Peter Korneck, një specialist për krim të organizuar. «Ai dëshiron t’i kap urdhërdhënësit e tij (Bartetzkos), të cilët supozohet të gjenden në qarqet e udhëheqjes shqiptare (të Kosovës)», shkruante «Der Spiegel». Edhe sot në qarqet ndërkombëtare të sigurisë Bartetzko përshkruhet si «tejet i afërt» me strukturat e SHIK-ut, shërbimit sekret të Partisë Demokratike të Kosovës. Pas arrestimit të Bartetzkos hetuesit kishin marrë paralajmërime se «luftëtarë radikalë të UÇK-së» po planifikonin një aksion për nxjerrjen e tij nga burgu. Për këtë arsye Bartetzko ishte dërguar në kampin ushtarak amerikan «Bondsteel».
Biografia dhe bëmat e Roland Bartetzkos si dhe kontaktet e tij me struktura të UÇK-së, që sot kryesisht vegjetojnë në PDK, mund të ndihmojnë për të kuptuar se ku e ka gjenezën peticioni i tij kundër ambasadorit amerikan. Ky peticion disa mediumeve joprofesionale në Kosovë u shërbeu për të nisur një fushatë të pashembullt njollosjeje kundër Lëvizjes Vetëvendosje dhe shoqërisë civile.
(Artikulli i DER SPIEGEL mund të gjendet në këtë vegëz: http://magazin.spiegel.de/EpubDelivery/spiegel/pdf/19075702)
Komentet