Kamarieri Leo qe një djalë me shtat të fortë, me ca flokë ngjyrë gështënjë të thellë e paksa me onde, dhëmbë të bukur, një lëkurë që dy motrat ia kishin zili dhe një buzëqeshje të natyrshme e pa mistere. Qe mjaft i shkathët, punën e bënte mirë e i donte të motrat, të cilat i dukeshin të bukura, por pak të ngatërruara. E donte edhe Tiranën, aq sa ende i dukej e pabesueshme që ndodhej aty, siç e donte edhe atë punë që bënte, e cila i dukej sa e bukur aq edhe romantike, ashtu mes dritash të shndritshme, mbulesa tryezash të pastra, e njerëzish të veshur me rroba të shtrenjta dhe ku ai mund të vente në kuzhinë e të hante sa të donte.
Punën ia kishte gjetur një jurist, gati dy herë më i madh se ai në moshë, i cili bënte pushimet verore në fshatin e tij malor, me një klimë të freskët e të shëndetshme, po me një varfëri e prapambetje të skajshme. Pas nja dy vjetësh pune si kamarier në hotelin luksoz, nga më madhështorët në kryeqytet, kishte fituar simpatinë dhe respektin e pronarëve si djalë i ndershëm e punëtor. Nga ky nam i mirë ai mundi të punësonte dhe motrat e tij në Tiranë, më të madhen në hotelin ku punonte vetë dhe më të voglën në një hotel tjetër. Me namin që kishte fituar, ai mund të punësonte gjithë fshatin në lokalet e kryeqytetit.
Në kohën për të cilën po flasim, kamarieri Leo ishte afruar e miqësuar me një deputet, që më herët kishte qënë i modës, por që vinte tepër i shkurtër e zeshkan. Ai, përgjithësisht, ulej vetëm në një tavolinë të fiksuar. Nuk kishte dëshirë as ta ftonte dikush e as të ftonte dike. Kush ia gjente vetë tavolinën, e priste me përzemërsi. Në pamje të parë dukej njeri i ngrysur, por mund të kalonte papritur nga hijerëndësia e tij në patuta komike, sidomos kur ftonte ndonjëherë në tryezë kamarierin simpatik, Leo. Qe nga një qytet ku njerëzit janë mjaft seriozë, por edhe si politikan mbahej mjaft i zoti. Ndonëse stili i tij ishte i vjetëruar, në sajë të virtyteve të tij, që qenë guximi e zotësia plot gjakftohtësi në dialogjet e hapura, kishte arritur t’i hynte në zemër publikut.
Atë mbrëmje, ndër klientët e përhershëm të hotelit më luksoz e më të shtrenjtë të kryeqytetit, vetëm miku i Leos ishte larguar nga salla e grënies para orës njëmbëdhjetë. Ai e lëshoi herët tavolinën, i la një bakçish të majmë kamarierit dhe i tha se do të largohej, pasi ishte pa qejf. E kundërta ndodhte me klientët e tjerë, tryezat s’po boshatiseshin, që s’boshatiseshin as pas orës njëmbëdhjetë. Tre kamarierët e shërbimit po rrinin në fund të sallës, ku duhej të rrinin deri sa të boshatiseshin të gjitha tavolinat ku ata shërbenin. Kjo llupësi e sojlinjve të kryeqytetit, kryesisht politikanë, biznesmenë të mëdhenj, prokurorë e gjykatës, po e nervozonte kamarierin më të gjatë, pasi, sipas tij, duhej të gjëndej në një takim të rëndësishëm, i cili fillonte në orën dhjetë e kushedi kur do të mbaronte pas mesnate.
– Shikoni ata derrat e zinj si po hanë e pinë, – tha kamarieri më i gjatë.
– S’është mirë të flasësh kështu, – tha kamarieri i dytë. Ata janë klientë të sjellshëm, edhe nuk pinë shumë.
– Për mua kështu duhet folur, – tha gjatoshi. – Tre mallkimet e Shqipërisë për mua janë politikanët, njerëzit e drejtësisë dhe klerikët e feve tona të shumta.
– Por veç jo çdo politikan, çdo gjyqtar e çdo prift apo hoxhë si individ, – tha i dyti, i cili qe një burrë rreth të pesëdhjetave.
– Po, – tha gjatoshi, – veçse vetëm nëpërmjet individit mund të sulmosh një klasë të tërë. Të shpëtoje misrin nga kopeja e derrave, bagëtinë nga kopeja e ujqërve dhe pulat nga kopeja e dhelprave në fshatin tim, ishte e nevojshme ta vrisje secilin individ, që të gjithë, sa të mos kishte mbetur më këmbë prej tyre.
– Ruaj t’i thuash këto në mbledhje, – tha kamarieri i moshuar.
– Shikoni barbarinë e babëzinë e Tiranës, – tha gjatoshi. – Vajti ora njëmbëdhjetë e gjysmë e këta akoma vazhdojnë të përtypen.
– Po ata në orën dhjetë filluan të hanin, – tha i moshuari. – Pastaj ajo vera është e dashur, vjen nga Normandia e Francës dhe ata e paguajnë me çmim të kripur, plus që lënë edhe bakçish për ne . Le që ajo verë s’është shumë e fortë.
– Eh, eja fol pastaj për unitet të qytetarëve e të punëtorëve budallenj si ti, – ia bëri kamarieri i gjatë.
– Shiko këtu, – ndërhyri kamarieri i moshuar. – Unë kam gjithë jetën që punoj, në të dy sistemet. Dhe sa më ka mbetur jetë, prapë duhet të punoj. Nuk qahem nga puna, të punosh është gjë normale.
– Ashtu është, ama mungesa e punës të vret, mos është gjë normale kjo?
– Unë gjithë jetën kam punuar, s’e kam provuar apunësinë, – foli më i moshuari. – Shko, pra, në mbledhje tani, s’ke pse të rrish këtu.
– Je shok i mirë, – tha kamarieri i gjatë, – Po s’ke fare formim ideologjik.
– Më mirë të të mungojë kjo se puna, – tha kamarieri i moshuar.
Kamarieri i tretë, domethënë Leo, s’kishte folur fare. Ai s’merrte vesh nga politika, por sa herë dëgjonte kamarierin e gjatë të fliste për nevojën e vrasjes së politikanëve, gjyqtarëve dhe barinjve të grigjave fetare, ndiente si mornica në trup. Për të kamarieri i gjatë ishte revolucionar dhe revolucionarët ishin romantikë. Kamarieri Leo donte të ishte edhe një fetar i mirë, edhe revolucionar , edhe të kishte një punë të rregullt dhe, në të njëjtën kohë, të ishte edhe politikan, si çdonjëri nga ata që hanin e pinin në atë lokal, ku ai shërbente, pse jo edhe sportist apo artist.
– Shko në mbledhje, Guxim, – tha Leo. – E bëj unë punën tënde.
– Jemi ne të dy këtu, – tha kamarieri më i moshuar. – Atëherë, po iki, – tha kamarieri gjatosh.
Një kat më sipër deputeti pa qejf, miku i Leos, qe shtrirë mbi shtrat përmbys në një dhomë teke dhe priste një porosi nga menaxheri i hotelit. Sa dëgjoi të hapej dera dhe pa një bukuroshe brune me uniformën e hotelit, që mbante dy çarçafë e një kllëf jastëku të bardhë borë e të hekurosur me kujdes, varur në parakrahun e saj të çveshur, brofi nga shtrati dhe vajti te dritarja, nga bënte sikur vështronte korpusin kryesor të Universitetit, ku edhe jepte disa orë si pedagog i jashtëm. Kur vajza u përkul të shtronte çarçafët, ai u kthye dhe rrekej ta kandiste vajzën të bënte diçka që ajo s’pranonte ta bënte.
– Eja tani egërsirë e vogël mali, – po i thoshte ai.
– Jo, të lutem hiqi duart, – i thoshte vajza.
– Vetëm një herë, ç’të keqe ka?
– Më ler rehat. Pa më ler rehat, po të them.
– S’është hiçgjë.
– Më lër rehat, të themë.
Pas përpjekjesh vajza i kishte shpëtuar përqafimit të deputetit, me po atë zotësi me të cilën një mundës i rrëshqet kapjes së kundërshtarit, e po i shfrynte tërë inat:
– Njeri i babëzitur. Deputet i dështuar. Një tonelatë me flliqësi e frikë ke në bark. Kur je kaq trim i madh, tregoje atje në Parlament. – Kështu vetëm zuskat flasin.
– Edhe ato vjaza e gra janë, por unë s’jam e atillë.
– Ashtu ke për t’u bërë.
– Me ty jo njëherë.
– Ik, – i tha deputeti, që tani, i shporrur dhe i refuzuar, e ndiente fyerjen dhe rrënimin e krenarisë së tij në tërë lakuriqësinë e saj.
– Të iki? Po ty çfarë të ka mbetur pa ikur? – tha vajza. – Nuk do ta shtroj krevatin? Mua për këtë më dërgoi përgjegjësi im dhe unë për këtë paguhem.
– Më lër, – tha deputeti dhe fytyra e tij e gjerë, u shtrembërua, si të qe gati për të qarë, – Zuskë. Zuskë e keqe.
– Deputet, – tha ajo duke mbyllur portën. – O deputeti ynë!
Ndërkohë që kamarieri gjatosh kishte hequr bluzën e bardhë të punës dhe ishte veshur për mbledhje, duke dalë, dëgjoi në sallën e recepsionit menaxherin e hotelit që po i thoshte recepsionistit:
– Zotëria 115, – sigurisht ky ishte numri i dhomës ,- nuk i do të freskëta, i do nga ato me përvojë, vejusha, lënesha…
– Ha-ha-ha, – qeshi recepsionisti , pastaj pyeti se si ishte puna.
-Sapo më tha në telefon: “Ç’ma dërgon këtë dhi të egër këtu? Më dërgo një nga ato që e di ti.
– Ia dërgove?
– Në vënd, ore, as bëhej llaf të mos ia dërgoja.
Kur dëgjoi këtë dialog midis menaxherit dhe recepsionistit, kamarieri gjatosh i ngjiti shkallët me tërë vrullin e tij. Ne korridorin e gjatë pa motrën e Leos duke ikur drejt dhomës së hekurosjes. Vajza s’arriti ta hapte derën, se kamarieri gjatosh hyri brenda vrullshëm si bishë e tërbuar.
– Ti ishe te dhoma 115, – pyeti ai tërë zemërim.
– Po, ndërrova çarçafët e krevatit, – iu përgjigj ajo.
– Deputeti ishte brenda?
– Po, brenda ishte.
– E çfarë po bënte ai?
– Gjatë kohës që unë ndërroja çarçafët, shikonte nga dritarja.
– Po pasi i ndërrove çarçafët, çfarë bënte.
– S’e di, unë mbarova punë e dola.
Por kamarieri i gjatë dinte ta lexonte shumë mirë fytyrën e saj .
– Ai foli me menaxherin në sallën e recepsionit dhe tregoi për një “dhi të egër” , gjithashtu kërkoi një porosi tjetër “me përvojë”. Ti ishe dhia e egër?
Vajza e kuptoi se i dashuri i saj kishte marrë vesh gjihtçka, u përskuq e tëra dhe kokulur i tregoi gjithçka kishte ndodhur. Ai u zverdh në fytyrë sikur do t’i binte të fikët dhe iu drejtua dhomës 115. Atje u ndesh me një femër të pispillosur, që me siguri duhej të ishte porosia “me përvojë”, por ai e shtyu derën para saj.
Në dhomë deputeti kishte mbetur i ulur në shtrat, siç e kishte hedhur “dhia e egër”, në pritje të dhisë “me përvojë”. Në fytyrë i kishte mbetur ende ajo ngërdheshje, që në terren ai dinte ta shndërronte në buzëqeshje. “Edhe kjo”, po thoshte me zë të lartë, “Edhe kjo. Edhe kjo”.
Kur dera e dhomës u hap me tërsëllimë, ai mendoi se po hynte ajo dhe e shndërroi në buzëqeshje ngërdheshjen e akullt. Kamarieri gjatosh i drejtoi gishtin tregues, duke i thënë:
– Turp të kesh! Je dhe i vjetër në moshë, pa qënke dhe deputet, dy herë prindi i asaj vajzës pa mbrojtje!
Dhe ishte gati ta kapte nga fyti, por e dinte mirë se çfarë ndodhte më tej.
– Çfarë po flet, je në terezi se çfarë po thua, o kamarier? – I tha me përbuzje deputeti.
– Jam shumë në vete dhe po themë ato që ju i dini më mirë se unë.
– Po ti pse nuk je në krye të detyrës, ndërkohë që pronari të paguan për atje poshtë në sallën e ngrënies?
– Se ajo vajza që ti deshe ta dhunoje, është e motra e shokut tim dhe mikut tuaj. E morëm vesh dhe miqësinë tuaj me kamarierin Leo.
Deputeti u përpoq ta qetësonte situatën. Kur e pa se kamarieri gjatosh nuk po i hapte rrugë, shtypi një buton të telefonit me dorën e majtë. Duke dëgjuar gjurmët, që po ngjiteshin me shpejtësi shkallëve, i tha kamarierit me mllef:
– Atë zuskën, që shërben në hoteleri, unë e njoh për të fejuarën tënde, jo motrën e Leos.
Kamarieri gjatosh u ndez aq shumë sa humbi kontrollin dhe e shtyu drejt krevatit, ku deputeti ra sikur u ul me vrull. Ndërkohë dera u hap dhe rojet e sigurisë ia paralizuan krahët kamarierit. Ai vazhdonte të vështronte i ndërkryer e tërë urrejtje njeriun e ulur në krevat, i cili po tregonte me shprehjen përbuzëse të fytyrës epërsinë e tij ndaj kamarierit të thjeshtë.
Në dhomën e hetimit kamarieri tregonte variantin e ngjarjes reale. Hetuesit i kundërpërgjigjeshin me arrogancë:
– S’është e vërtetë. S’keni prova.
– Keni vajzën, dëshmitare të gjallë. Pyeteni, – tha djaloshi gjatosh.
– Vajza ka mohuar gjithçka nga ato që thoni ju…
Në të vërtetë, vajzën s’e kishte pyetur askush nga organet kompetente. Atë vetëm e kishin kërcënuar e frikësuar njerëz të panjohur me jetën e vëllait Leo.
Komentet