VOAL

VOAL

Depresioni social, opinionistët dhe “mediat e shpifura”! – Nga Qamil Gjyrezi

December 6, 2016

Komentet

“Poshtë patronazhistët, s’i duam militantët”- Sheshi tejmbushet në ditën e nëntë: Opozitë e shitur, opozita jemi ne! Rama dorëhiqu, Atdheu është i yni, të bëhemi 1 milion në shesh

Dita e nëntë e ka gjetur protestën qytetare në bulevardin para kryeministrisë me një pjesëmarrje më masive nga ditët e tjera, ku kanë ardhur shqiptarë nga të gjitha trojet, duke iu bashkuar kauzës kundër qeverisë, politikës 35-vjeçare dhe kundër skandaleve abuzive.
Mes thirrjeve të shumta ranë në sy edhe ato për patronazhistët që kërkojnë përçarjen e qytetarëve në shesh, por edhe të opozitës që e cilësuan “të shitur”.


“Opozita jemi ne, opozita e shitur”, “Atdheu jemi ne”, “Rama jep dorëheqjen”, “Rama në burg, Berisha në burg”.

Organizatorët thanë se do kishte pak fjalime nga intelektualë dhe më shumë parulla dhe mesazhe me një kërkesë të vetme: Dorëheqje.

protesta sot3

“Pas fjalimeve të shkurtra sheshi është i qytetarëve, paqësisht marshoni, në paqe në të gjithë qytetet e rrugët. Të bëhemi 1 mln shqiptarë, të kërkojmë dorëheqjen e më antishqiptarit që ka njohur Shqipëria, Edi Rama. Nuk i duam militantët e partive këtu me ne, edhe pse edhe ata janë vëllezërit dhe motrat tona, por sheshi është i yni”, thanë ata.

Mijëra qytetarë u mblodhën fillimisht në Sheshin Skënderbej dhe më pas marshuan drejt godinës së Kryeministrisë, ku bulevardi u mbush me pankarta, flamuj dhe thirrje kundër qeverisë dhe klasës politike në tërësi.

protesta bulevard sot

Atmosfera para Kryeministrisë u karakterizua nga slogane të forta si “Rama jep dorëheqjen”, “Mos u përçani! Poshtë patronazhistët”, “Rama ik”, si dhe thirrje që kërkonin largimin e elitës politike që ka dominuar jetën publike shqiptare prej dekadash.

Ndërkohë, kryeministri Edi Rama dhe përfaqësues të mazhorancës kanë vijuar të minimizojnë protestën, duke e lidhur atë me dezinformimin, interesa politike apo ndikime të jashtme. Në deklaratat e fundit, Rama ka ironizuar protestuesit dhe ka sulmuar figura publike që kanë shprehur mbështetje për revoltën qytetare.

Ajo që nisi në Zvërnec si një kundërshtim ndaj një projekti të caktuar, tashmë po merr përmasa më të gjera, duke u shndërruar në një shprehje të pakënaqësisë ndaj të gjithë klasës politike.

Këtë e dëshmojnë edhe mesazhet që dominuan tubimin para Kryeministrisë. “Rama në burg, Berisha në burg”, “Poshtë kasta politike” dhe “Mos u përçani! Poshtë patronazhistët” ishin ndër thirrjet më të dëgjuara gjatë protestës, duke reflektuar zhgënjimin e një pjese të qytetarëve jo vetëm ndaj qeverisë aktuale, por ndaj gjithë sistemit politik.

protesta sot ne bulevard

Me thirrje kundër klasës politike dhe elemente të forta patriotike ka nisur protesta para Kryeministrisë. Në shesh janë dëgjuar Himni Kombëtar dhe kënga patriotike “Xhamadani Vija-Vija”, ndërsa protestuesit kanë valëvitur flamuj kombëtarë.

Protestuesit kanë shigjetuar me thirrje dhe ironi si kryeministrin Edi Rama, ashtu edhe kreun e PD-së Sali Berisha, duke kërkuar burgosjen e tyre. “Rama n’burg, Berisha n’burg”, kanë thirrur njëzëri pjesëmarrësit.

protesta reuters

Të rinj, të reja, fëmijë dhe të moshuar janë bërë bashkë në këtë protestë, e cila po tërheq vëmendje edhe ndërkombëtare përmes transmetimit live të Reuters. Sipas organizatorëve dhe pjesëmarrësve, kjo është një kauzë që nuk do të ndalet deri në dëgjimin e kërkesave të tyre. gsh

FOTOT- PS feston 35-vjetorin, kryeministri Rama pritet me protesta në Shkodër! Qytetarët i kërkojnë dorëheqjen!

Ndërsa pritej të festohej 35-vjetori i partisë Socialiste, në turin e shpallur në çdo qark, kryeministri Edi Rama është pritur me protesta ditën e sotme në Shkodër (8 qershor), teksa do të marrë pjesë në eventin e organizuar.


Dhjetëra qytetarë janë mbledhur poshtë Kalasë Rozafa duke protestuar kundër ndërtimit të resortit në Zvërnec të Vlorës, kundër ndërtimit të resortit në Rrjoll.

protesta shkoder rama

Ndërsa makinat e eskortës kalonin me sirena dhe Policia ishte vendosur në kordon, dhjetëra qytetarë me flamuj, thirrje e pankarta janë rreshtuar anash rrugës.

shkoder rama

shkoder rama1

Në vendin ku po zhvillohet protesta ndodhen të pranishme dhjetëra forca policie, në afërsi të kalasë Rozafa.

bw

E sulmoi në Elbasan- “Po afron dita e llogaridhënies”, deputeti i PD i kthehet Ramës: Fundi yt nuk do të jetë politik!

Deputeti i Partisë Demokratike, Tomor Alizoti, ka reaguar pas përmendjes së emrit të tij nga kryeministri Edi Rama gjatë aktivitetit të organizuar në Elbasan me rastin e 35-vjetorit të Partisë Socialiste.

Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Alizoti akuzoi Ramën për arrogancë politike dhe për përpjekje për ta lidhur fatin e tij politik me fatin e Shqipërisë, duke argumentuar se askush nuk mund të identifikohet me interesin e vendit apo të qytetarëve. Deputeti demokrat u shpreh se protestat dhe zhvillimet e fundit në vend janë rezultat i drejtpërdrejtë i mënyrës së qeverisjes së kryeministrit dhe jo pasojë e veprimtarisë së opozitës apo faktorëve të tjerë politikë.

Sipas Alizotit, pakënaqësia qytetare po bëhet gjithnjë e më e dukshme, ndërsa mijëra shqiptarë po zgjedhin të shprehin kundërshtimin e tyre ndaj qeverisë përmes protestave në rrugë dhe sheshe. Ai theksoi se Shqipëria po kalon një moment të rëndësishëm politik, ku qytetarët po kërkojnë më shumë përgjegjshmëri, llogaridhënie dhe ndryshim, duke e konsideruar reagimin qytetar si një sinjal të qartë të pakënaqësisë ndaj modelit aktual të qeverisjes.

Postimi i plotë:
Që e ke humbur fare duket qartë. S’ka nevojë për psikologë e psikiatër. Bashkon fjalë dhe kujton se bën fjali. Më paske përmendur edhe mua si deputet, në ligjëratën e lodhshme para të tutëvëve. Ty të pëlqen të vetëkënaqesh para skllevërve të tu nëpër salla.

Po ky sot është problemi më i vogël që ke ti dhe duartrokitësit e tu. Tani po të jap një leksion historie, se ti, si i shkolluar nga kinostudio, e ke diapazonin mendor sa ekrani i një televizori Iliria. Po të tregoj që, që nga koha e faraonëve e deri te sivëllai yt, Stalini, të gjithë diktatorët e bashkojnë kombin me veten. Njësoj si ti, po fiks fare si ti, e quajnë fundin e vet si fund të kombit. Por, po të shkollohesh me televizor Iliria, babëzia ta errëson gjykimin.

Këto që po ndodhin këto ditë në Shqipëri janë rezultat i qeverisjes tënde. Mund të bësh kllounin sa të duash, të thërrasësh në ndihmë kë të duash; suksesi i protestës është fundi yt.

Unë jam deputet dhe në politikë ka finale të mira e të këqija politike. Por ti s’je më përballë meje si deputet, as përballë nesh si politikanë. Ndaj mos u përgjëro kot. Fundi i pushtetit tënd duket qartë që s’do të jetë më politik. Do të jetë në shesh, aty ku rrëzohen të gjithë ata që qeverisin si ti. Dhe unë i falënderoj dhe i mbështes nga zemra të gjithë ata që po ta afrojnë këtë fund, që e meriton totalisht. Kjo ishte përgjigjja politike. Sa për mbiemrin tim, më vjen keq. Jemi kaq të ndryshëm, sa s’ta kthej dot përgjigjen. Nuk ma lejon edukata familjare të debatoj me sojin tënd. bw

UNESCO shpall Liqenin e Shkodrës Rezervë të Re të Biosferës Botërore, i bashkohet 797 zonave të mbrojtura në botë

Një lajm i rëndësishëm për Shqipërinë dhe veçanërisht për rajonin e Shkodrës vjen nga UNESCO.

Në kuadër të Ditës Botërore të Mjedisit, organizata ndërkombëtare ka shpallur zyrtarisht Liqenin e Shkodrës si një nga 14 rezervat e reja të biosferës në botë për vitin 2026.

Me këtë vendim, Liqeni i Shkodrës bëhet pjesë e Rrjetit Botëror të Rezervave të Biosferës të UNESCO-s, i cili tashmë numëron 797 zona të mbrojtura në 145 vende të botës.

UNESCO vlerëson rezervat e biosferës si territore me vlera të jashtëzakonshme ekologjike, ku ruajtja e natyrës ecën paralelisht me zhvillimin e qëndrueshëm dhe mirëqenien e komuniteteve lokale. Përzgjedhja e Liqenit të Shkodrës konsiderohet një njohje ndërkombëtare për pasurinë e tij natyrore, biodiversitetin unik dhe rëndësinë që ka për ekosistemin e rajonit.

Drejtori i Përgjithshëm i UNESCO-s, Khaled El-Enany, deklaroi se rezervat e biosferës dëshmojnë çdo ditë se mbrojtja e natyrës dhe përmirësimi i jetës së njerëzve nuk janë qëllime në kundërshtim me njëra-tjetrën.

Për Shkodrën, ky status i ri pritet të sjellë më shumë vëmendje ndërkombëtare, mundësi për zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm, projekte mjedisore dhe promovimin e një prej pasurive më të rëndësishme natyrore të Ballkanit.

Liqeni i Shkodrës ishte një nga 14 zonat e reja të shpallura këtë vit nga UNESCO, krahas rezervave të reja në vende si Kanadaja, Portugalia, Mongolia, Filipinet dhe Vietnami.

Turistët italian flasin në protestën para Kryeministrisë: Nuk jemi të trembur! Shqipëria ka një popull krenar, nuk përkulet përballë lekëve!

Dy turistë italianë që ndodheshin në Tiranë i janë bashkuar simbolikisht protestës së zhvilluar përpara Kryeministrisë, duke reaguar ndaj deklaratave të kryeministrit Edi Rama, i cili sot ka deklaruar se protestat mund të trembin turistët dhe të dëmtojnë sezonin turistik.

 

Turistja italiane tha se ajo dhe të tjerët që janë me të nuk ndihen të frikësuar nga protestat dhe e konsiderojnë të rëndësishme që qytetarët të ngrenë zërin e tyre për të drejtat dhe transparencën e qeverisë.

“Përshëndetje, ne jemi nga Italia. Jemi të lumtur që jemi këtu me ju, si turistë në vendin tuaj. Vëllezër dhe motra shqiptarë, ne nuk jemi të frikësuar. Protesta juaj nuk na frikëson. Është e rëndësishme të ngrini zërin për të drejtat tuaja, për transparencën e qeverisë. Faleminderit që ishit kaq mikpritës”, tha ajo.

Një tjetër turist italian tha se gjatë qëndrimit të tij në Shqipëri ka parë një popull krenar që, sipas tij, nuk përkulet përballë parasë.

“Këto ditë që kam qenë këtu, kam parë një popull krenar! Kam parë një popull që nuk përkulet përballë lekëve. Mendojnë se mund t’ju blejnë, por nuk është kështu. Shqipëria ka shqiptarët. Vazhdoni kështu! Forca, Shqipëria”, tha ai. Panorama

Ish-ministrja socialiste kritikon Ramën, Ermelinda Meksi: Duhet të dëgjojë mesazhin e protestuesve, jo të numërojë pjesëmarrësit

Ish ministrja socialiste, Ermelinda Meksi ka reaguar sërish mbi debatet që kanë shoqëruar protestat e fundit kundër projektit të propozuar në zonën e Zvërnecit, duke ngritur pikëpyetje mbi mënyrën se si qeveria po i trajton shqetësimet e qytetarëve.

 

Sipas Meksit, reagimi i fundit i Kryeministrit në platformën X fokusohet kryesisht te madhësia e protestës, mënyra se si ajo paraqitet në media, si dhe te ndikimi i mundshëm i dezinformimit, amplifikimit dixhital dhe rrjeteve sociale në formësimin e perceptimeve publike.

Më tej Meksi thekson se reagimi i kryeministrit “i kushton shumë më pak vëmendje përmbajtjes së pyetjeve që qytetarët po ngrenë lidhur me korrupsionin, transparencën, konsultimin publik, pronësinë, ndikimin mjedisor dhe përfitimet konkrete publike të investimit”.

Ajo thotë se Kryeministri vazhdon ta trajtojë çështjen si një debat mbi një projekt që “ende nuk ekziston”, ndërsa mesazhi që vjen nga protestat duket ndryshe.

“Kjo fazë kur duhet të zhvillohet debati publik mbi dobinë e investimit, ndikimet e tij afatgjata dhe modelin e zhvillimit që duam për Shqipërinë. Jo vetëm për një projekt të caktuar, por edhe për mënyrën se si e kuptojmë turizmin e qëndrueshëm, mbrojtjen e mjedisit dhe përfitimin e drejtë të qytetarëve nga pasuritë natyrore të vendit.

Në demokraci, më shumë se numri i protestuesve, rëndësi ka mesazhi që ata përpiqen të përcjellin.

Sa më gjatë të vazhdojnë protestat, aq më e madhe bëhet nevoja që ai  të dëgjohet dhe të adresohet me dialog, transparencë dhe fakte të verifikueshme.

Sepse çështja nuk është numri i atyre që protestojnë, numër qē megjithatë nuk duhet neglizhuar,por sa institucionet janë të gatshme të dëgjojnë dhe t’u përgjigjen në kohë shqetësimeve që ata shprehin”, thuhet në reagimin e Ermelinda Meksit. bw

Skandal në Vlorë, gardisti tenton t’i mbyllë gojën vajzës se re që po protestonte kundër Ramës

Aktiviteti i PS në Vlorë është shoqëruar me një sërë incidentesh.

Një ndër to ishte dhe tentativa për t’i mbyllur gojën të rinjve për të protestuar kundër qeverisë dhe kryeministrit Rama.

Në një video që po qarkullon në rrjete shikohet një vajzë e re që tenton të protestojë, por shoqëruesi i Ramës nga garda tenton t’i mbyllë gojën.

“Çohuni o njerëz” dëgjohet të thotë vajza e re teksa e largojnë nga sheshi. Nderkohe qe nje tjeter incident po me garden e kryeministrit është raportuar dje teksa te rinjve u janë grisur pankartat. Panorama

Protestat- Spiropali godet Ramën: Rotacioni s’duhet të shihet si katastrofë dhe fitorja jo si pronësi. Shqipëria të tregojë që di të ndërtojë shtet!

Ish-ministrja e Jashtme, Elisa Spiropali ka reaguar mes valës së protestave që prej ditësh kanë përfshirë Tiranën dhe qytete të tjera të vendit, duke përcjellë një mesazh që godet kryeministrin Edi Rama. Çdo ditë, prej 1 jave, mijëra qytetarë protestojnë para Kryeministrisë dhe i kërkojnë Ramës dorëheqjen.

 

Spiropali thekson se rotacioni politik nuk duhet parë si katastrofë, ndërsa fitorja në zgjedhje nuk duhet konsideruar si pronësi mbi shtetin, duke bërë thirrje për ndërtimin e institucioneve që kontrollojnë pushtetin dhe mbrojnë qytetarët.

Deklarata e saj vjen në një kohë kur protestuesit po kërkojnë dorëheqjen e Ramës dhe po denoncojnë atë që e cilësojnë si kapje të institucioneve dhe keqpërdorim të pushtetit, në dëm të interesave të qytetarëve dhe atyre të vendit.

Nga Elisa Spiropali

Një Marrëveshje e re për Shqipërinë
Isha fëmijë kur nga pëshpërimat e familjarëve dhe ecejaket e farefisit mora vesh se në Sheshin Skënderbej diçka e pabesueshme, por e vërtetë kishte ndodhur.
Më vonë kuptova se diçkaja e jashtëzakonshme që deri atë ditë nuk mund as të ëndërrohej, ishte një fakt kokëfortë, një realitet i prekshëm, një “herezi” që askujt nuk i lejohej ta shihte as në ëndërr: ishte një protestë spontane dhe e heshtur e qytetarëve të Tiranës kundër regjimit diktatorial të asaj kohe.

Protestat e zhurmshme dhe krijuese të këtyre ditëve, krahasuar me protestën e heshtur të atëhershme, nuk janë lapsus psikologjik, nuk janë déjà vu, nuk janë lajthitje cerebrale. Janë fakte sa të ndryshme dhe të ngjashme, që në kohën dhe rrethanat e tyre, kanë secila rëndësinë dhe efektet e veta, për të nxjerrë mësimet respektive, dhe, si të tilla, duhen shqyrtuar me seriozitetin dhe përgjegjësinë që meritojnë.

What’s done cannot be undone. Ç’u bë, nuk mund të ç’bëhet, thotë Lady Makbeth në skenën somnambul tek ecën në gjumë me qiri në dorë.
Është kollaj protestave të sotme t’u sillesh rrotull me llafe boshe, me konspiracione dhe hamëndje shterpe: Cilin krim kreu Lady Makbethi, pse i iku gjumi, pse ngrihej natën somnambul, pse mbante qiri në dorë?

Tani që të gjithë Makbethat vrasës dhe Hamletat dyshues kanë dalë hapur dhe kanë hyrë në lojë, tani që vrasja është bërë, gjaku është derdhur, ndërgjegjet janë tronditur, gjumi është prishur, çfarë duhet bërë diçka tjetër? Jo diçka dosido. Diçka shekspiriane. Diçka e qëndrueshme. Diçka që po u bë, nuk zhbëhet.
Për fat, kjo pyetje ka përgjigje.

Çka duhet bërë sot është një marrëveshje e re për Shqipërinë.
Çdo epokë ka pyetjen e vet themelore. Për shumë vite pyetja e Shqipërisë ishte si të ndërtonte shtetin. Sot pyetja është tjetër. Si ta bëjë shtetin më të madh se pushteti dhe Institucionin më të fortë se ai që e ushtron pushtetin. Pikërisht këtu fillon nevoja për një marrëveshje të re për Shqipërinë.

Shqipëria ka hyrë tashmë në një fazë të historisë së saj ku sfida më e madhe nuk është më ndërtimi i pushtetit. Pushteti është ndërtuar. Institucionet ekzistojnë. Administrata ekziston. Ligjet ekzistojnë. Ekonomia është më e fortë se dikur. Demokracia është më e konsoliduar se në vitet e para të tranzicionit. Shqipëria e ka rritur reputacionin e saj në botë dhe duhet ta mbrojë me çdo kusht emrin e saj. Sfida e kohës sonë është diçka tjetër. Është aftësia e pushtetit për të vendosur kufij brenda vetvetes.

Për më tepër se tridhjetë vjet Shqipëria ka jetuar me ankthin e mungesës. Mungonin institucionet. Mungonin rrugët. Mungonin investimet. Mungonte siguria. Mungonte shteti. Breza të tërë u rritën me bindjen se problemi kryesor i vendit ishte, në mos mungesa e shtetit, dobësia e shtetit.

Sot për herë të parë po përballemi me një pyetje tjetër. Çfarë ndodh kur pushteti bëhet më i fortë se mekanizmat e po atij shteti që duhet ta kontrollojnë. Çfarë ndodh kur problemet e administratës shtohen më shpejt se llogaridhënia. Çfarë ndodh kur stabiliteti fillon të ngatërrohet me shkaqe dhe pasoja pa lidhje, të pa adresuara.

Kjo është arsyeja pse Shqipëria ka nevojë për një marrëveshje të re me vetveten.

Një marrëveshje ku forca e shtetit të mos matet vetëm nga ajo që ndërton, por edhe nga pakësimi i aftësisë për të kontrolluar, ose ajo që me vetdijë pranon të mos kontrollojë. Një marrëveshje ku institucionet që mbikëqyrin pushtetin të jenë po aq, dhe më të afta se vetë pushteti.

Një marrëveshje ku parlamenti të mos jetë vetëm vendi ku miratohen vendime, por vendi ku dëgjohet shoqëria.

Një marrëveshje ku republika parlamentare të ushtrojë të gjitha funksionet e saj përfaqësuese, kontrolluese dhe monitoruese, sepse demokracia dobësohet sa herë që një pushtet rritet më shpejt se kontrolli mbi të.

Në zemër të kësaj marrëveshjeje qëndron një ide e thjeshtë. Askush nuk është mbi ligjin dhe askush nuk është nën ligjin. Të tre pushtetet duhet të qëndrojnë brenda kufijve të tyre kushtetues.

Drejtësia duhet të ketë forcën të hetojë dhe gjykojë. Parlamenti duhet të ketë forcën të kontrollojë. Qeveria duhet të ketë forcën të qeverisë. Por asnjëri nuk duhet të marrë pushtetin e tjetrit. Sepse aty fillon deformimi i shtetit.

Një shoqëri demokratike nuk matet vetëm nga qeveria që ka. Matet edhe nga opozita që prodhon. Opozita nuk është aksident i sistemit. Nuk është pengesë për zhvillimin. Nuk është problem për stabilitetin. Opozita është shqisa që paralajmëron kur pushteti humbet kontaktin me realitetin. Shoqëritë që humbin opozitarizmin nuk humbin vetëm debatin. Humbin aftësinë për të korrigjuar vetveten.

Prandaj Shqipëria ka nevojë për më shumë garë, dhe jo për më pak. Ka nevojë për një sistem të ri zgjedhor që prodhon përfaqësim real dhe jo vetëm riprodhim të elitave ekzistuese. Ka nevojë për zgjedhje ku qytetari të ndjejë se vota e tij ndryshon ekuilibrat, dhe jo vetëm statistikat. Ka nevojë për një kulturë politike ku rotacioni nuk shihet si katastrofë dhe fitorja nuk shihet si pronësi.

Po aq e rëndësishme është liria e medias. Sepse nuk ka demokraci të fortë me media të pabesueshme. Nuk ka qytetar të lirë pa informacion të lirë. Nuk ka kontroll mbi pushtetin kur informacioni bëhet i varur nga pushteti ose dezinformimi. Shqipërisë i duhet një hapësirë publike ku gazetari të mos ketë nevojë për leje për të pyetur dhe ku media të mos ketë nevojë për favore për të mbijetuar.

Në të njëjtën mënyrë duhet të ndryshojë edhe marrëdhënia mes ekonomisë dhe politikës. Vitet e ardhshme nuk do të fitohen nga ai që ka më shumë asete. Do të fitohen nga ai që ka më shumë dije.

Nga ai që ka më shumë teknologji. Nga ai që ka më shumë ide. Shqipëria nuk mund të mbetet një vend ku afërsia me pushtetin vlen më shumë se aftësia për të krijuar vlerë. Një ekonomi moderne fillon në momentin kur fiton ai që prodhon më mirë e më lirë, dhe jo ai që favorizohet nga pushteti.

Kjo lidhet drejtpërdrejt me brezin e ri. Shqipëria nuk ka më luksin të humbasë njerëzit e saj më të aftë. Gara, merita, mundësia, dhe jo kontrolli, janë thelbi i ndryshimit. Çdo i ri që largohet nuk merr me vete vetëm një vend pune. Merr me vete energji, dije, kreativitet dhe të ardhme. Vendi ka nevojë të krijojë kushte që mendja, puna dhe talenti të kenë më shumë vlerë se lidhja, ndërhyrja, inventarizimi apo privilegji.

Po aq vendimtare është cilësia e shërbimeve publike. Arsimi nuk mund të vazhdojë të trajtohet si sektor administrativ. Ai është fabrika ku prodhohet e ardhmja e vendit. Ai është thelbi i gjithçkaje që na rrethon, në të tashmen dhe në të ardhmen. Shëndetësia nuk mund të matet vetëm me shifrat e investimeve, godina, mjete etj. Ajo matet me sigurinë që ndien qytetari kur ka nevojë për të.

Një shtet modern nuk ndërtohet vetëm me llaç e tulla. Ndërtohet me dije, shëndet, besim dhe dinjitet.

Pikërisht këtu fillon edhe beteja kundër korrupsionit. Jo vetëm në sallat e gjyqeve. Jo vetëm në dosjet hetimore. Por në kulturën e përditshme të shtetit. Korrupsioni është bindja e ngulitur se rregulli mund të anashkalohet pa pasoja. Se ligji mund të negociohet. Se pushteti mund të përdoret si privilegj. Se abuzimi mund të normalizohet dhe të glorifikohet. Lufta kundër tij është mbi të gjitha një betejë morale për mënyrën si e kuptojmë shtetin.

Shqipëria ka hyrë në një moment ku nuk i duhet të provojë se dëshiron të ecë përpara. Këtë e ka dëshmuar. Ka nevojë të tregojë se di të ndërtojë një shtet që funksionon edhe kur pushteti ndryshon, edhe kur interesat përplasen, edhe kur askush nuk e vëren.

Një vend nuk bëhet europian kur bind të tjerët për atë që europian është. Bëhet europian kur qytetarët e tij ndihen të mbrojtur nga e drejta, të respektuar nga shteti, të lirë për të ndërtuar jetën e tyre pa kërkuar leje nga askush.

Kjo është marrëveshja e re të cilën Shqipëria duhet ta realizojë brenda vetes.

Qytetarët dalin në prtestë edhe në Korçë- Thirrje për largimin e Ramës: Ti dogje rininë, sot të djeg rinia ty

KORÇË- Qytetarë dhe aktivistë janë mbledhur në protestë në Korçë, duke kërkuar anulimin e projektit në Zvërnec. Mes pankartave të mbajtura nga protestuesit nuk munguan as mesazhet që lidhen me vrasjen e efektivit të policisë Enea Mekolli për të cilin u mbajt 1 minutë heshtje.

Protesta u zhvillua në pedonalen e qytetit të Korçës e cila u mbush plot me qytetarë. Ata bënë thirrje për protesta masive edhe në ditët në vijim, ndërkohë kërkuan edhe shfuqizimin e Paketës së Maleve. “Qoftë e bekuar pika që mbush gotën”, “Ti dogje rininë, sot të djeg rinia ty,” ishin disa nga pankartat që mbanin qytetarët në duar./Dosja.al

“Në Zvërnec duan të krijojnë një qytet me 10 mijë dhoma”, aktivisti Vorpsi: Rrezikohen 200 lloje shpendësh! Foleja e breshkave ishte vetëm 100 metra nga kantieri

Aktivisti Joni Vorpsi, i ftuar në studion e News24, ka lëshuar alarmin mbi dëmin e pariparueshëm ekologjik që po i shkaktohet zonës së mbrojtur të Zvërnecit dhe Lagunës së Nartës nga projekti i ri turistik.

 

Vorpsi solli të dhëna nga terreni, duke zbuluar se makineritë e rënda kishin rrethuar një hapësirë prej kilometrash, pranë habitateve unike ku çiftohen lloje të rrezikuara të kafshëve. Sipas tij, ky nuk është thjesht një kompleks i zakonshëm, por një projekt me përmasat e një qyteti të tërë që kërcënon të zhdukë ekosistemin.

Aktivisti shpjegoi me detaje pasurinë e jashtëzakonshme të faunës në këtë zonë, duke theksuar se Laguna e Nartës shërben si një pikë kyçe dhe e papërsëritshme në rajon për disa lloje të veçanta shpendësh dhe kafshësh ujore.

“Aty ka mbi 200 lloje shpendësh. Është pelikani kaçurrel që rrezikohet, si dhe flamingot që janë lloj i veçantë, dhe ky është vendi i vetëm në lagunën e Nartës ku ato çiftohen. Vitin e kaluar ishin 500 fole të tyre, kolonia më e madhe në Ballkan! Po ashtu janë breshkat e detit. Kemi zbuluar një fole të tyre shumë pranë kantierit, vetëm 100 metra larg. Ato çiftohen në gjithë hapësirën nga Zvërneci në Vjosë,” deklaroi Vorpsi.

Ndryshe nga tentativat për ta minimizuar ndikimin e ndërtimit, Vorpsi konfirmoi se në terren ka nisur puna dhe se shifrat e bëra publike që në fillim nga investitorët tregojnë një betonizim masiv.

“Nëse ne e trajtojmë atë si një projekt të thjeshtë gabojmë, ajo që po bëhet është diçka gjigante. Është një qytet i vogël, me 10 mijë dhoma që planifikohen të ndërtohen. Projekt patjeter që ka, sepse tashmë kanë sjellë edhe makineritë në terren. Deklarata se do të ketë 10 mijë dhoma është bërë që në fillim vetë nga Jared Kushner dhe Ivanka Trump. Gjatësia që do të zërë ky investim është e gjithë ajo pjesë që u rrethua nga kantieri, që shkon në plot 6 kilometra,” përfundoi aktivisti.

U vra gjatë aksionit për kapjen e të shumëkërkuarit, Enea Mekolli përcillet në banesën e fundit

Enea Mekolli, efektivi i forcave “Shqiponja”, i cili u vra dje në mënyrë tragjike, në krye të detyrës është përcjellë për në banesën e fundit,

Një numër i madh të afërmish, miqsh e kolegësh, së bashku me qytetarë dhe figura të policisë kanë marrë pjesë në lamtumirën e fundit për Mekollin, i cili është shpallur “Dëshmor i Atdheut”.

Ai mbeti i vrarë gjatë aksionit për kapjen e të 43-vjeçarit të shpallur në kërkim Violand Braçellari.

Autori i krimit ka hapur zjarr ndaj policisë pasi ata i kanë bërë thirrje për t’u dorëzuar, duke i marrë jetën 34-vjeçarit, ndërsa i plagosur rëndë mbeti edhe efektivi 36-vjeçar. bw

“Misioni i qeverisë është ndarja e Shqipërisë”- Alizoti: Qytetarë protestoni, edhe sikur të mos kem bindjet tuaja! Autokratët kanë vetëm një element, frikën!

Deputeti i partisë Demokratike, Tomor Alizoti, ka mbështetur hapur protestat e qytetarëve për Zvërnecin, edhe pse është një lëvizje kundër direktivës së partisë.

Nga foltorja e Parlamentit dje ai mbështeti lëvizjen qytetare në mbrojtje të mjedisit dhe territorit shqiptar, duke i nxitur që të vazhdonin protestat edhe nëse ai personalisht nuk do kishte bindjet e tyre.

Sepse, siç nënvizoi, qëllimi i qeverisë është ndarja e Shqipërisë”.

“Ka shqiptarë që nuk e di këtë që misioni i kësaj qeverie është ndarja e Shqipërisë! Pse është ndarja e Shqipërisë? Sepse autokracia funksionon së bashku me oligarkinë. Me një grup të vogël që mban pushtetin ekonomik dhe ushtron atë politik nëpërmjet autokratit dhe autokrati ka ikur! I cili bredh nëpër botë dhe jep misionin”, tha ligjvënësi opozitar, duke nënkuptuar kryeministrin Edi Rama.

Më tej ai shpjegoi edhe atë që ndodhi me dhunën ndaj qytetarit në Zvërnec dhe sjelljen e pushtetit, duke lënë të kuptohet se pas ishin interesat ekonomike dhe të pushtetit.

“Tani ju akuzuar drejtorin e Policisë dhe atë privat. Pse nuk e preku Policia atë rojën private, sepse ata janë pushteti! Po të guxonte të prekej dikush tjetër, Policia e gllabëronte. E dyta, pse tentoi drejtori i policisë të manipulonte? Sepse e dinte që ishte pushteti.  Tani meqë kjo u bë publike dhe doli në sy të njerëzve, tani kanë dalë njerëzit në rrugë”, tha ai.

Në fund të fjalës së tij nga foltorja e Kuvendit, Alizoti mbështeti publikisht protestën dhe deklaroi se kjo është mënyra e vetme, sepse autokratët kanë frikë.

“Ndaj të nderuar njerëz, protestoni, protestoni, protestoni, edhe sikur personalisht të mos kem bindjet tuaja. Protestoni sepse autokratët kanë vetëm një element, ata kanë frikë”, përfundoi deputeti demokrat. gsh


Send this to a friend