Aktivisti Bledar Meti shpalosi kërkesat e Diasporës dhe pikat e rëndësishme që duhet të arrijë protesta e qytetarëve shqiptarë e nisur prej një muaji.
Ai tha se vetëm ndryshimet kushtetuese, të Kodit Zgjedhor dhe qeveria teknike çojnë në rënien e Edi Ramës dhe enturazhit të tij. I ftuar në një lidhje direkte në News24, Meti shpjegoi se diaspora po luan një rol të rëndësishëm, teksa propozoi edhe hapjen e një portali për aplikime për Qeverinë Tranzitore Apolitike.
“Diaspora ka luajtur një rol shumë të rëndësishëm. Protesta është shumë e qartë, ka dalë me kërkesa dhe pika për shfuqizimin e ligjeve. Grupi intelektual i diasporës që u mblodh, e përcaktuam që kërkesat duhet të jenë politike dhe pikat të përcaktuara, sepse është normale, pikërisht edhe në momentin kur ka rrëshqitur Shqipëria. Ne i jemi imponuar grupit të protestës, kemi bërë kontakt të vazhdueshëm me protestën që të prononcoheshin politikisht sepse modeli i Shqipërisë është mungesë llogaridhënie e me faktorë që e kanë dërguar Shqipërinë ku është tani, si në vendet postkomuniste dhe Shqipëria vazhdon të jetë ende në tranzicion. Ne kemi qenë të qartë në këtë kontekst. Për të shëruar Shqipërinë, që t’i japim kuptim ndryshimeve Kushtetuese dhe takimeve të bëra, ishte që të dilej me deklaratë politike”, shpjegoi ai mes të tjerash.
Më tej Meti tha se kërkesat e Diasporës në takimet e zhvilluara me organizatorët në Tiranë ishin të qarta dhe të domosdoshme. Kryesorja mbetet dorëheqja e kryeministrit dhe krijimi i një qeverie tranzitore apolitike.
Më tej ndryshimet kushtetuese dhe Kodi Zgjedhor, ku të kishte sistem proporcional kombëtar për zgjedhjet.
“Deklaratat tona kanë qenë të qarta, dorëheqje e qeverisë, krijimi i një qeverie tranzitore politike, është kërkesë e jona. Qeveria tranzitore politike të kërkojë ndryshimin e Kodit Zgjedhor, nga rajonal qe e kemi në proporcional kombëtar. Ndryshimet kushtetuese janë të domosdoshme. Jo pa qëllim kryeministri dhe enturazhi i tij sulmuan Diasporën se ne kapëm pikën kryesore të këtij pushteti, Kodin Zgjedhor. Pa bërë ndryshimet kushtetuese, është e pamundur të largohet Rama nga qeveria. Ai duhet përcjellë nga kryeministria, përndryshe nuk gjen shërim kjo pjesë”, tha aktivisti nga Londra.
I pyetur nëse e kishte paguar gjobën që Policia i vuri protestuesve nga diaspora, ai pohoi:
“Gjobën e vendosur të diasporës nga Policia e kam paguar, po të ishte në Angli ministri i Brendshëm në vende demokratike, ministri përgjegjës do kishte dhënë dorëheqjen, është e papranueshme”.
Sipas Metit, takimet në Tiranë të diasporës kanë qenë intensive dhe bashkëpunuese. Ai propozoi që përzgjedhja e ministrave të qeverisë teknike të bëheshin nëpërmjet aplikimeve në portal.
“Kemi ngritur komitetin inspirues të protestave, kemi bërë takim me 25 individë drejtues të protestës dhe kemi nxitur që të lancojnë portalin Qeveria Tranzitore Apolitike. Në Tiranë kam gjetur ide nga më të ndryshme, si na sillni 6 emra nga diaspora apo për Kuvendin Kombëtar të qeverisë teknike. Ne kemi kërkuar që në fillimet tona të dalim me portal, ku më të mirët e i kombit brenda dhe jashtë vendit të aplikojnë në këtë portal ku pas një afati të caktuar ne mund të nxjerrim një qeveri teknike”, u shpreh Meti.
Ai gjithashtu theksoi se shqiptarët e Diasporës po organizohen për protestën dhe është planifikuar që të hyjnë në datën 4 në Shqipëri.
“Dy autokolona nga veriu dhe jugu për t’u bashkuar në shesh. Është e pafalshme që kryeministri të drejtohet me atë gjuhë arrogante, ndërsa flitet për megaofera korruptive”, tha ai.


Komentet