VOAL

VOAL

DEMONI – Poezi nga ALEKSANDËR PUSHKIN – Përktheu JORGO BLLACI

November 3, 2021

Komentet

ZVËRNEC I BUKUR I DHEUT- Poezi nga Albert HABAZAJ

 

 

Zvërneci im, i bukur i dheut,

I qetë, bujar, në vendin tënd,

Dinjiteti i rrënjëve të thërret: ngrehu

Mos lejo të të fyej një që u çmend.

 

Asnjë mos lejo, as dhjetë, as njëqind

Se je siç të ka falur Perëndia,

Asnjë hiene a lugati mos iu bind

S’është erë deti, është vetë lubia.

 

Dhe njerëzit, dhe flamingot, dhe pelikanët

S’i mbajnë më dot litarët e durimit,

Ne nuk kanë as cipë, as Atdhe rrufjanët,

As fe nuk kanë, a i zëntë mallkimi!

 

Deti merr frymë rëndë me dallgë tërbimi

Dhe rëra dhe pishat ndjejnë çoroditje,

Përrenjtë e bardhë nxihen nga zemërimi

Dhe mbushin detin në buzë me tronditje.

 

Fara e ligë nuk zë kurrë në Zvërnec

Për ne Zvërnec domethënë perlë,

Dufi popullor shpërthen një shtet mistrec

Si pena e Fatos Arapit qëllon thellë.

 

Vlorë, 12.06.2026

PEMË CICËRONJËSE- Tregim nga RUZHDI GOLE

 

*
Hap çezmën, uji rrjedh, kur … kur dëgjoj tinguj. Uji rrjedh plot cicërima. Mbush pëllëmbët me tingujt e ujit, laj shplaj fytyrën, fillimisht sytë, mollëzat, hundën, buzët dhe … veshët. Veshët më gumëzhijnë më shumë se ngahera, më gumëzhijnë butë sikur të jenë afër një zgjoi pranveror.
Gjithësia shtëpiake cicëron lehtë-lehté. Shoh veten kalimthi, e këqyr në pasqyrë. Më duket sikur ajo  më ndrit xixash. Si kam parë gjer më sot, në moshën time tymtymtë.
Pasqyra merr tiparet e mia. Gjithçka shfaqet aty e vërtetë e thinjur.
Nuk më vjen keq për veten, patjetër ndjej keqardhje. Sot e gjeti kohën mysafiri im të më afrohet, të kërcej rrethrrotull strehëzës, të përpiqet të dal q’andej për të ardhur me mua në përcjelljen e …
Sot nuk do të përcjell askënd. Për këtë jami i bindur. Jo aq i bindur. Ku i dihet ditës në rrugë, rrugës në diell, diellit në breg, bregut tej thellësive se ç’ndodh?
Mbrëmë, vonë, im bir Luari, teksa po kthehej nga kryeqyteti merr mamin e vet në telefon dhe i thotë shkurt :
-Vij me një të papritur.
Vetëm kaq ?!
-Ç’është kjo e papritur, moj grua?
-Ç’të të them?
Vri mëndjen unë, vri mëndjen gruaja. Asgjë s’i thoshnim njeri-tjetrit.
Djali ynë, Luari është afër të tridhjetave. Nuk e trazojmë për jetën e tij. Edhe ai s’na thotë ndonjë të re, veç të diturave të përditshme.
Për hajër! Të jetë ndonjë e papritur … e pritur – belbëzova lehtë. Aq lehtë sa as veshët e mi nuk e dëgjuan të papriturën ose e dëgjuan paksa.
Mysafiri erdhi mbrëmë në shtëpi nga kryeqyteti. E solli im bir, Luari.
Sa u hap dera e shtëpisë Luari gjithë gaz ngriti lart një kafaz me papagallin plot tinguj.
Tingujt, cijatën menjëherë, paksa të mërzitur në jetën e fluturakut, ngaqë papagalli ishte ndarë nga të vetët. Kafazi ku rrinte prej ditënetësh po ai, por ndërroi hapësirë – mendova. Tjetër qiell, tjetër rrugë, të tjera drita dhe një fytyrë e paparë ndonjëherë prej tij : fytyra e tim biri. Si i dukej papagallit fytyra e tim biri, e qeshura e tij, fjalët? E shkurtër koha e tyre bashkë nga kryeqyteti gjer në shtëpi. Luari qeshej  e e trazonte zogun e mbyllur në kafaz duke luhatur gishtrinjtë e tij n’ajri e duke prekur telat e hollë të kafazit të zogut. Nuk ishte fole, ndoshta dukej strehëz, ndoshta as njëra as tjetra.
*
Sot, nuk do të takoj askënd… Do rri me papagallin – përsiata ndër vete. -Vetmia plot tinguj të lehtë, të ngadaltë e rrëmbimthi më gjallëron.
Hapa krahët n’ajri, i harlisa me njëritjetrin. Pas pak, këtij mëngjesi të hershëm m’u kujtua fëminia e vreshtave me ullinj e portokaj në jug. Lejlekët tek vinin në lagunën e Nartës e të Zvërnecit.Pastaj tek përcillja shtegtimin e tyre mall e trishtim. Sot unë jam me të djeshmen … edhe nesër…
Të gjitha e gjithçka jetojnë tek ky papagall.- përsiata sëdyti. -Përkëdhelitë, puthja, plagosja e krahut, gjilpëra spitalore  e mëmës sime. Po ahere ky papagall s’ishte as ëndërr, as ëndërrimtar.
Në shtëpi nuk ndihet frymë njeriu. Luari ka shkuar në studion e tij radiofonike. Gruaja doli shpejt me ditarin ditor të mësimit.
Përse të dal ?
Njerëzit janë bërë paksa të padukshëm, shumë të rrëmbyer.- mendova. – Ndonjëherë edhe fluturakë. Ndoshta unë mund të jem tani më pak afër tyre. Jo ndoshta. Unë vetmohem për të gjetur tjetër njeri tek vetja. Ndryshe nga deri tani. Dhe kur ta gjej njeriun tjetër të vetvetes do t’u afrohem më shpejt frymorëve. Ta ketë fajin papagalli? Ky papagall i egër, që unë pak nga pak po them veç gjysma fjalësh sikur dëshiroj t’i ngjaj lirikës së tij.?
Asnjë papagall nuk është i egër përderisa cicëron? A ke ndigjue ti, grua ndonjë cicërimë që të vret veshët? Asnjëherë!!!.
Kujt i fola?. Gruaja po shfleton ditarin…Luari po luan në piano.
Papagalli i ka zbutur shamatat e mia me zonjën time, ka mpakur zënkat dhe hatërmbetjet e mia me djalin. Luari tani sikur flet më pak me mua, flet më shumë me papagallin. Unë, përmes cicërimave të tij, flas me djalin?
Oh, sa gazmohet im bir!
Kaq shpejt?
Ç’mbarësi qënke, o papagall !!!
Ti, sa më sheh mua të mvrejtur, përplas krahët, sa më dëgjon mua shamator, natyrisht shamator jo vetëm mua se të vetat ka dhe gruaja, përplas krahët fort telave të strehëzës tënde pa çati. I përplas aq fort sa ca nga puplat e tua fluturojnë n’ajri, na bien në flokë, hundë vesh Unë dhe gruaja, duke parë njëri-tjetrin, ia shkrepim një gazmendi, rrokemi, puthemi e ndukemi pa pasur droje prej teje. Na duket sikur ti skuqesh, mbyll sytë, kthen kokën mënjanë…, o cicëronjës i pafundmë…
*
Mos ec aty – më foli Landi.- Mos shkel. Unë asnjëherë nuk kaloj mespërmes sheshit. Dëgjoj zëra, shpirtra…
U kthjellova. Nuk më kishte shkuar mendja t’i anashkaloja sheshit, sheshit të vogël, por ja sonte, sonte Landi…po dëgjonte akoma zërat e atyre që i mbyllën sytë nën gërmadha…
I njihja fatkeqët – foli Landi me një zë të dhimbsur si përhera.
Mua m’u bë sikur gërmadhat e grahmat po shkërmoqeshin tani para syve tanë. Ajri sikur po mbytej në terr. Terri, sonte, kacavirej lumor e i ngathët.? Pluhuri, vet i përgjakur, po ecte dorakëmbas gjithë shtjella përthithëse.?
-Ky shesh duhej të mbillej me pemë. Ose të gjelbëronte lulishte – dëgjova zë ndjeshëm Landin. –
Rrallë herë shoh ndonjë buqetë me lule mbi beton.
Kush mund ta sjell? – e pyeta unë. -Të afërmit, besoj iu gjegja vet pyetjes sime.
-Megjithatë asnjë nuk e përdhos këtë vend. Përhera është bosh. Edhe qentë e natës nuk ndyjnë këtu.- tha Landi.
Duhet të mbillen pemë këtu – përsërita fjalët e tij.- Ahere vijnë e cicërojnë zogj. Ç’është ky shesh? I gjithi beton, Sikur u merr frymën e shpirtit fatkeqëve.
Ndala anës sheshit. Veshi i mbrëmjes dëgjonte kthjellët gjithçka. Rreth e qark muzikë, fishekzjarre, pijetore, lojëra fati.
Rroftë muzika!- ngriti zërin Landi me një sinqeritet njerëzor.- Të gjitha duhen, por një pemë, një pemë e vetme hyjnore a nuk duhet mbjellë për fatkeqët e asaj nate?
(Sërish gjithandej ngjethje, të bërtitura, Fuqia njerëzore … e tkurrur, ndarë e shkelur, coptuar nga fatkeqësia. Një hapjembyllje sysh qënka Jeta.? Ndoshta po, ndoshta jo… Por tragjedia nuk qënka vetëm një kohë. Shpesh, ajo është koha vetë. Sikur ngriu gjithçka. Qielli u mbush plot stalaktite, të cilët, në fantazinë time u shfaqën përsëri këtë mbrëmje aq të gjatë e të gjatë sa mbrritën mbi kokat tona, na i gërvishën ato.)
Edhe unë mund të mos jetoja sot- foli trishtueshëm Landi.
As unë- iu gjegja.
Të dëgjosh tjetrin në grahmat e fundit. Tjetri mund të jetë dhe është i njohuri yt, komshiu yt, fisi yt, familja jote.
Tjetri, në fatkeqësi, asnjëherë nuk është i panjohur. Ai mund të jetë dhe është e qara jote dhe durimi për të mbijetuar.
*.
Një mbrëmje papagalli e braktisi kafazin e tij. I dhimbsej vetja edhe atij si njeriut. Natyrisht jo sa jeta e njeriut. Sado t’i duam e të dhembshurohemi për frymorët e tjerë në tokëqielldet, në plisarevalë, ata ndonjëherë të gënjejnë me cicërima çjerrëse, ca kafshime të thella. Të lëndojnë, të bëjnë të zësh krevatin, të rrufisësh barna. Por asnjëherë nuk të mbysin e nuk të vrasin. Ne vetplagosemi kur i qëllojmë ata me gurë e çifte.
Nuk ka humbur papagalli – më qetësoi Luari sa hyra në shtëpi dhe pashë kafazin bosh. – E lëshova vetë. Ditën cicëronte, natën grindej e përplaste krahët brenda strehëzës.
Po, po, edhe unë ia e kam dëgjuar cicërimën veç ditën.- iu gjegja Luarit.- Natën s’ka qenë i qetë.
E di përse? – më pyeti im bir dhe pa pritur fjalën time vazhdoi :
-U bënë disa mbrëmje që papagalli sheh vetëm jashta dritares. Nuk e kthen kokën as kur i fishkëllej unë.
Çfarë sheh ky papagall veç një Zot e di- fola unë.
E di dhe unë, ndoshta edhe para zotit, – m’u gjegj Luari. – Papagalli gjithë këto mbrëmje ka parë veç sheshin. Zgjaste kokën, çukiste me sqep mbi xham dhe…M’u dhimbs. Ia  hapa dritaren. Ai kërceu vrullti, ktheu kryet pas sikur më përshëndeti dhe fluturoi. I shkurtër fluturimi i tij.
Po nuk fluturove ecën vetëm pupthi – fola unë.
Jo, jo nuk e ka harruar kaq shpejt fluturimin – buzagazi Luari.
At e bir po vështronim nga dritarja. Papagalli i ulur në mes të sheshit. Eci pak hapa. Papritur hapi krahët por nuk u ngut e nxit’ të fluturonte. Nisi të eci prapë me ngadalë duke ledhatuar gjithandej sheshin me krahët e hapura. Shpupuriti buqetën. Me sqep mori një nga lulet. Eci paksa dhe e la në njerin cep të sheshit. Duke kërcyer lehtas u kthye tek buqeta e shpupuritur. Mori një lule tjetër, një tjetër pastaj, një tjetër. I shpërndau lulet në shesh. Ky ledhatim i mungonte shpirtrave fatkeqë.
Zogu ktheu kryet nga dritarja e shtëpisë. Aty i mbetën sytë.
Edhe tek papagalli i egër paska ndjesi dhembshurie ?
Duhet shembur, duhet shembur me patjetër gjithë ajo shtresë e ftohtë betoni – foli  qetë im bir.
Duhen mbjellë pemë. Pema është hyjnore për të gjithë frymorët.- përsiata për të disajtën herë.
Po e lë dritaren hapur – tha Luari.
Ajri i freskët, pak nga pak, po mbushte mushkëritë e mbrëmjes bregdetare.
Zgjoi pranveror jeton tek im bir. Shtjella përvëluese dhe e vakët, e rrokshme duf e mpakje tek gruaja ime dhe…unë.
A besoni ju në fantazinë time ?

SOT…- Poezi nga FETAH SHEHOLLI

 

 

Të kërkova:
Nën hijen e rrushit
Nën degët e kumbullës
Në çdo qosh të shtëpisë

Sot
Nuk je në ditëlindjen time
Për herë të parë
Do të më mungosh
Edhe në të tjerat
Derisa jam gjallë

Lëmova me afsh
Parfumin erëkëndës
E këmishën e bukur
Shijova aromën tënde
Preka gjurmët e gishtave tu
Oh, i shtrenjti Ngadhnjimi im!

Të gjeta
Në fotografitë e para një viti
Me atë buzëqeshjen tënde të ëmbël
Mungesa jote m’u bë eshkë në zemër

E di:
Të tjerët
Edhe për asgjë
Bëjnë muzikë
Vallëzojnë e dalldisen…

Unë s’i kuptoj
Nuk i shoh
As nuk i dëgjoj

Jam i mbërthyer
Në lëvozhgën e mallit tim
Ku fytyra jote kristal
Po më fisnikëron qëndrimin
Pip në këmbë

14 qershor 2026

Mjegull mbi Tiranë, mjegull mbi Prishtinë- Poezi satirike nga ARIF EJUPI

 

(Kjo poezi satirike pasqyron zhgënjimin qytetar ndaj etjes për pushtet dhe largimit të shumë njerëzve nga profesionet e tyre për interesa politike e materiale. Përmes figurave të forta poetike, autori ngre shqetësimin se vetëm respektimi i profesionit, përgjegjësisë dhe institucioneve mund ta nxjerrë Kosovën dhe Shqipërinë nga “mjegulla” e krizës dhe përçarjeve politike.)

 

Pse gjithë kjo dëshirë dhe etje
për t’u marrë me politikë?

Aktori, këngëtari, mjeku,
prokurori, mësuesi,
ushtaraku, farmacisti,
punëtori, hoxha e prifti…

Aktori duhet të jetë
në film e teatër.

Këngëtari në estradë,
e jo Kuvendit
me iu bërë metastazë.

Mjeku në ordinanca e spitale.

Mësuesi në shkolla.

Punëtori në fabrika e uzina.

Ushtaraku në Armatë.

Prokurori në Prokurori.

Farmacisti në farmaci.

Hoxha në xhami
e prifti në kishë.

Kur secili kryen punën
në profesionin e vet,
atëherë mund të kemi
institucione të shëndetshme
dhe shtet.

Të gjithë e kemi kuptuar
se pa qenë në Parlament e në Qeveri,
s’do ta kishit gjithë këtë pasuri.

Katër veta në një shtëpi,
secili me nga një parti.

Rroga të majme e mëditje,
fare pa punuar,
njëri-tjetrin duke akuzuar
e sabotuar.

Shumica prej jush,
t’u e ndjekur gjahun
nga partia në parti,
keni varfëruar
Kosovë e Shqipëri.

Kaluan muaj e stinë mjegull
mbi Tiranë,
mjegull mbi Prishtinë.

 

ARIF EJUPI
Gjenevë, 13 maj 2026

TROPOJA E MBULUAR ME PLISBARDHË- Fotoreportazh nga TAHIR BEZHANI

 

Kulla e Brahim Hoxhë Dollapit në retrospektivë kohe.

 

Qielli i mëngjesi i datës 20 qershor 2026 ishte i kthjellët si loti. Dukshëm vërehej se temperaturat në  këtë ditë do  ishin të larta. Megjithatë, nuk e kishin fuqinë e ndalimit të udhëtimit deri në Koçanaj të Malësisë së Gjakovës, Tropojë në Festen e Plisit. E dija ditën më parë se do mbahej manifestimi i 13 -të me radhë, organizuar nga ideatori, aktori, poeti, krijuesi e punëtori i palodhshëm në jetën kulturore e jo vetëm, Ismet Krasniqi -Lala.

Isha tejet i gëzuar për ftesën si pjesëmarrës i këtij manifestimi tani tradicional. Tropoja ime them shpesh në biseda me miq e shokë. Ka vite, afër tri dekada që shkoj shpesh në këtë  zemër të shqiptarisë. Tani aty flen gjysma e zemrës sime, e kam “hisen” e ndarë si nip. Rrugëtimin për në Tropojë e bëj symbyllas. Më tërheqin miqtë krijues, më kanë “marrë” zemrën dhe jetojmë se bashku, me Lulin, Gjonin, Delinë, Asllanin, Rexhepin, por edhe me ata që kanë ndërruar jetë tani, i kujtojmë pandarë, Haki Zllamin, Ibrahim Malajn, ShabanNokshiqin, Avdyli Sulën, Sejdi Berishën etj. Një lidhje e fortë vëllazërore si mishi e  ashti . Kështu do jetë përgjithmonë, mjaft më ndarje të dhunshme, ikën ato kohë…. Tani jemi së bashku kudo!

U zgjova herët të shtunën e 20 qershorit. U përgatitem për rrugëtim në Tropojë. Kisha njoftuar edhe mikun Bardhyl Ferizi që së bashku të jemi në atë event me rëndësi të veçantë. Pasi u dëgjuam përmes telefonit, caktuam vendtakimin dhe u nisem për Bajram Curri në ora 09-të me një gëzim të pashpjeguar.

Me Bardhyl Ferizin gjatë udhëtimit, përballë Shkelzenit , fotokujtim.

Kufirin në Qafë Morinë e kaluam mrekullueshëm. Sa  ëmbël dukej “kufiri” me përshëndetjen e zyrtarëve kufitarë! A mund erdhët vëllezër, a u lodhët rrugës?! Kalofshi ditë të bukur!- ishin fjalët e këndshme të policivë kufitare. Vazhduam rrugë deri mbi liqenin artificial në Kasaj. Përballë Shkëlzenit bëmë fotokujtime me mikun Bardhyl Ferizi. Ferizi është profesionalist, i njohur  për foto të bukura.

Në qytetin alpin, Bajram Curri mbërritëm fiks në ora 09,50. Në tavolinat e hotel “Turizmit” ndihej arome pishe, blini, vinte ajri bjeshke dhe krijohej mrekullia në hapë të parë. Aty na priste miku Deli Metalija, koreografi e valltari njohur në trojet shqiptare, i dekoruari nga Presidenti i Shqipërisë me titullin “Mjeshtër i madh” dhe më pas ‘’Nderi i kombit’’

Pas kafeve të mëngjesit në atë mrekulli, me makinë të Delisë,  u nisëm për në fshatin Koçanaj. Nuk ishte larg qytetit, tamam në grykë të Valbonës.

Shpejt u gjendem para asaj madhështie historike. Oborri, bahçja dhe kulla ishin të vogla për gjithë ata burra e gra me plisa të bardhë nga e gjithë shqiptaria: Shqipëria, Kosovë, Maqedoni, Presheva , diaspora etj.

Kulla e Brahim Hoxhë Dollapit, shkallët hyrës në oden e burrave, kati II

Kulla ishte arkitekturë  trashëguese, më shkallë dhe frengji. Në hyrje për në oden e burrave, në mure ,ishte një pllakë  me mbishkrimin:

” Këtu ka pushuar Isa Boletini me shokë tjerë”.

Sa rrëqethëse! Imagjinata të rikthente në  kohë dhe ndjeshmëria të diktonte lavdinë ”, këtu edhe unë, ku ishin ata, trimat e kombit, prijsat e Lëvizjes Shqiptare për lirinë dhe bashkimin kombëtarë. Ata që luftuan deri në vdekje armiqtë turq e serbosllavë.”

Padashur sytë mbushën me lot e nuk derdhen, e ruajnë krenarinë….

Pas disa çasteve në odën e burrave të kullës së Brahim Hoxhë Dollapit, sipas skenarit të programit, dolëm në oborr me shoqërim  të  rapsodëve me këngë majekrahu për Brahim Hoxhë Dollapin dhe bëmat e tij.

Në oborrin e kullës së Brahim Hoxhë Dollapit, tani të trashëgimtarit, nipit, Sahit Dollapi,  ideatori i Festës së Plisit, Ismet Kraniqi-Lala, hapi manifestimin e 13-të me radhë, me fjalët më të zgjedhura për atë tubim të mrekullueshëm.

Ismet Krasniqi-Lala dhe Agron I. Gjedija gjate manifestimit të Ditës së Plisit në Koçanaj-Tropojë.

Pamje nga manifestimi, oborri i shtëpisë, kullës së Brahim Hoxhë Dollapi, Koçanaj-Tropojë.

 

 

Duke shpaluar kujtesën ndër vite për këtë manifestim, Ismet Krasniqi Lala, theksoi meritat edhe të bashkëpunëtoreve të tij të pandashëm, si Prend  Buzhala, Agron I. Gjedija etj. Ismeti potencoi se iniciator për këtë manifestim në kullën e Brahim Hoxhë Dollapit në Koçanaj të Tropojës, ishte nipi i Isa Boletinit, Gazmend Boletini nga Boletini i Mitrovicës. Për rëndësinë historike të kullës së Brahim Hoxhë Dollapit, folën disa folës, emra të njohur të historisë e kulturës sonë, të cilët u dëgjuan me shumë kureshtje nga të pranishmit megjithëse temperaturat e larta e kishin përfshi ambientin.

Në fjalën e tij, Ismet Krsniqi-Lala, theksoi me pak fjalë rëndësinë historike të kësaj kulle:” sot gjendemi në Kullën e Brahim Hoxhë Dollapit në fshatin Koçanaj të Tropojës, kullë me një histori të veçantë në rezistencën ndaj pushtetit Otoman. Këtu qëndruan, morën vendime të mëdha për kombin, për pavarësinë e Shqipërisë, për bashkimin kombëtarë, Kullë kjo, ku qëndruan trimat e kohës si Isa Boletini,  Hasan Prishtina, Bajram Curri,,Azem e Shote Galica, e shumë të tjerë”. Ideatori i Festës së Plisit përfundoi fjalën duke falënderuar Agron I. Gjedinë për bashkëpunim me theks të veçantë se “të bashkuar mund të bëjmë çdo punë të  mirë, të ndarë nuk arrijmë asgjë të mirë…” Lala u përcoll me duartrokitje të gjata nga të pranishmit.

Bukuri pa koment!…

Këtë manifestim, nga më të mirët që nga fillimi e madhështuan pjesëmarrës të moshave të ndryshme, ku takimi mori sharmin e këndshëm nga folësit e shumtë. I  veçantë ishte plaku 89 vjeç, nga Doberdoli i Klinës në Kosovë, Mark Pjeter Berisha, i cili foli për plisin nëpër kohë, vuajtjet për mbajtjen e tij nga sundimtarë, qëndresën dhe krenarinë e bardhësisë së plisit ndër shekuj. Ai tregoi se plisin e mban në kokë që nga mosha 12 vjeç, pa e hequr kurrë. Plaku i deklaroi dy gjëra si porosi: kudo që ka shqiptarë, anekënd rruzullit tokësor, le ta mbajnë me krenari plisin e bardhë, identitet i yni kombëtarë. Porosia tjetër ishte: “lindni sa më shumë fëmijë sepse sa më shumë fëmijë, aq më shumë Shqipëri!.”

Me duartrokitje dhe të qeshura u pritën porositë e plakur 89 vjeç, si porosi të qëndrueshme në çdo kohë. Me kumtesa interesante u paraqiten  Agron Isa Gjedija,  Prend Buzhala, Gazmend Boletini etj. Ishte tejet tërheqëse dhurimi i një pikture, portret i Isa Boletinit nga piktorja e mirënjohur tetovare, Besa Dauti ,e cila ia dhuroi  nipit të Isa Boletinit, Gazmend Boletinit.

Portet Isa Boletinit, punuar nga Besa Dauti nga Tetova.

Moment i këndshëm ishte rasti kur drejtori i DKRS të Mitrovicës, z. Gazmend Asllani, në emër të komunës, i ndau dekoratë për kullën e Brahim Hoxhë Dollapit ,me motivacion e rëndësi historike të rezistencës ndaj armiqëve të vendit. Këtë dekoratë e pranoi  Sahit Dollapi, trashëgimtarë i Brahim Hoxhë Dollapit.

Këtë manifestim  me shumë peshë historike e përshëndeti edhe kryetari Bashkisë së Tropojës ,z. Rexhë Biberaj ,i cili u respektua me duartrokitje të gjata. Kryebashkiaku Biberaj, ndau dekorate postmortum për Kullën e Brahim Hoxhë Dollapit.

 

Foto majtas, kryebashkiaku Rexhë Biberaj duke ia dhënë dekoratën pronarit te shtëpisë ,trashëgimtarit, Isë Dollapi.

 

Nga oda e burrave kanë lindur anekdotat dhe në oda burrash janë përdorë duke trajtuar ngjarje e tema interesante, të mprehta me shume filozofi kohore sipas zaptuesve dhe ecurive kohore. Edhe këtë event e hijeshoj mbledhësi i urtësisë popullore, z. Muzafer Osmani nga Ferizaj, duke interpretuar disa sosh nga ky thesar. Pika kulminante të bukurisë festive ishin edhe pikat muzikore  ku veçohej vallja e Tropojës nga grup vajzash e djem të rin,j pastaj me këngë folklorike nga rapsodët e mirënjohur, Nazmi Hajdari, Ramë Dollapi etj.

E gjithë kjo ditë e bukur, e nxehtë, e mbushur me gëzim e hare, me pune të vlefshme, me shumë angazhime, përfundoi në hotel “Sylbica”, në një drekë të përbashkët ku vazhdoi gjatë kënga, hareja, miqësia e papërshkruar e pjesëmarrësve të shumtë. Ishte kënaqësi e dukshme kur brenda sallës së hotelit” Sylbica” shkëlqenin plisat e bardhë si vetë bardhësia shqiptare….

 

Tropojë, 20 Qershor 2026

PËR NJË KRYENGRITJE MORALE! – MES TË RINJVE ZËRI RINOR I ATJONIT…

“Për atë që dua(m)” – është libri me me traktate, siç i quanti autori i tyre, shkrimet e tij të shkurtëra, Atjon Zhiti, studenti i Filozofisë në Universitetin “Sacro Cuore” në Milano, në Itali.
Shokët dhe miqtë, po edhe lexuesit, i kujtojnë ato vëzhgimet e tij rinore, me atë vrullin studentor të para 10-12 vjetëve, qartësinë dhe porositë si “kredo” dhe që ndjehen aktuale e të freskëta dhe që botoheshin shpesh në median shqiptare dhe nëpër botë.
Po sjellim sot copëza nga gazetat me shkrime të tij me emërtime të reja:
Ishte Atjoni që e tha kështu:
Të bëjmë
një kryengritje morale!
FUQIA QYTETARE
.
A jemi në njohje të faktit se nuk janë shtetarët ata që i japin fund periudhës së tranzicionit, por janë shtetasit?
E përsëris: shtetari pa shtetasin është një hiç
Tranzicioni në demokraci është një periudhë kohore e dyzuar dhe e paqartë, ku janë braktisur disa karakteristika të aseteve të mëparshëm, por njëkohësisht nuk janë krijuar të reja. Kjo periudhë ka disa faza zhvillimi që kalojnë nëpërmjet konfuzionit institucional, dizinteresit institucional, hipokrizisë institucionale, të cilat përmbajnë një respekt të rremë nga ana e shtetarëve ndaj institucioneve , të cilët sjellin dhe shtetasit në gjurmët e tyre.
Gjithçka deri tani është e ditur, por jo e mirëkuptuar.
Shumë shpesh në mediat vendase dëgjojmë “personazhet publikë” të flasin për të ashtuquajturën periudhë tranzicioni. Në kushtet që ndodhemi duhet të ketë një debat të hapur e konstruktiv e jo një justifikim ose tinguj për të mbushur fjalimet shterpe politike. Kjo gjendje e brishtë konsiston në kalimin nga një status i të qenit në një tjetër, në një lak kohor relativisht të shkurtër ose të gjatë që tejkalohet. Në rastin tonë është kalimi nga një regjim diktatorial në një republikë demokratike, ku në të ka patur dhe një minifaze tjetër tranzicioni nga republikë presidenciale në atë parlamentare, totalisht e paparashikuar, në limitet e absurditetit dhe simbol mosfunksionimi.
.
TRENI I DIKURSHËM
.
Kisha marr trenin Tiranë-Durrës për arsyen e thjeshtë se gjithmonë më kishin tërhequr muzeumet dhe kurrë s’kisha parë një repert industrial në një muze ambulant. Në një pikë të “udhëtimit” dhe nuk di se ku, pashë një moçal, i cili me tërhoqi e më bëri kurioz. Doja të dija se si qe krijuar dhe me pak kërkim mësova se procesi i krijimit të tyre quhet eutrofizimi i ujrave, ku pellgjet me ujra të embël, liqenet, kur nuk kanë më fluksin e një lumi ose rrëkeje, pasurohen me nitrat e fosfat, të cilat janë ushqyese per alga dhe mikrovegjetacione që konsumojnë gjithë oksigjenin duke ja mohuar gjithë krijesave të tjera dhe në fund dhe vetë vetes, derisa ekosistemi kthehet në moçal e kurth vdekjeprures. Gjithsesi.
Para fillimit të konsolidimit real të demokracisë, funksionimit të mekanizmave shteterore, mendoj se ka një fazë tjetër e të ndërmjetme, që do ta quaja eutrofizim politik dhe ndodhemi pikerisht në të. Moçali ose moçalishtja e politikës.
Ky është një moment shumë delikat e jo si entitet në vetvete. Aty duket fillimi i një pasurimi me substanca të ndryshme, që në të vërtetë përthithen nga pak, nga ana tjetër shkaktohet vdekje e ata pak harrojnë se shuhen bashkë me atë çka krijuan.
Politika duket sikur ka mbërritur një periudhë stabiliteti dhe simptomat e tumorit kurohen si të një migrene, pasi nuk është realisht e stabilizuar e bashkë me të dhe vendi, por vetëm shtresa e “politikëbërsave”.
Po të vërejmë rreth e rrotull, jo me shumë vëmendje, shohim se ka vetëm një rotacion mbiemrash e jo ndërrime metodash pune e idealesh, të paktën sa për të respektuar denominacionin partiak.
Duhet të pranoj ama se çdokush ka ardhur me ide të ndryshme mbi “ç’do bej”, por duhet të pranohet nga ne të gjithë se këto kanë lindur nga intuita të paplota dhe si të tilla janë të pamjaftueshme. Pamja ndryshon, por konsistenca mbetet e njëjta e kjo gjë kuptohet thjesht duke i hedhur një sy realitetit.
.
FLATRA E THYER
QË KËRKON NDIHMË
.
…një ditë vere do te më ndodhte diçka, e cila do ngelej gjithmonë e gërvishtur në kujtesën time. Isha “mysafir” në shtëpinë e një miku të tim eti dhe papritshmerisht na ndodhi që një harabel a diçka e ngjashme të përplasej në dritaren, nga e cila po vështronim mendimet tona. Zogut të vogël i ishte thyer krahu dhe, po prapë papritshmërisht, zbulova se një nga pasionet e tashmë mikut tim e jo vetem të tim eti, ishte ornitologjia dhe detyrimisht dinte gjithka mbi zogjtë e se si të kuronte krahun e atij. Si çilimi më dukej pabesi e madhe ndaj natyrës që një krijesë kaq e brishte të mos lihej e lirë mbas kurave dhe me insistimin e kokëfortit ngulmoja në çrobërimin e tij, aty në çast dhe pa e ditur mora mësimin e parë mbi vendin tim.
Me një çiltërsi e thjeshtësi të hatashme m’u shpjegua se do të ishte mizori t’i jepej liria në atë gjendje atij zogu të pambrojtur dhe i pamundur për t’i permbushur nevojat vetes. Më përpara se liria, duhej ndihma, kurimi dhe kujdesi, mbështetja e plotë si paralirí ose si pjesë e lirisë utilitare. Këtë po e ndjeja si fëmijë, por si më i rritur, e kam të qartë se liria e vendit tim është e para dhe më e çmuara. Po a jemi gati për atë që duam?
.
NË KËRKIM TË…
.
Shumë kërkues, studiues dhe arkeologë të famshëm, madje çuditërisht dhe Hitleri, kërkonin Agartin, një vend fantastik, ndoshta jo ekzistues, dhe thuhet se portat e kësaj mbretërie ndodhen në Indi. Agarti mendohet se është një mbretëri e nëndheshme e krijuar për njerëz të përsosur për të shpëtuar nga një kataklizëm. Këta banorë me inteligjencën dhe diturinë e tyre të pamasë, nuk bënin luftëra, por ata krijuan një rrjet komunikimi të nëndheshëm.
Agarti është thjesht një mit, është thjesht një kërkim përsosmërie, paqeje që neve njerëzve bashkëkohorë na mungon. Kërkimi i Agartit është thjeshtë një sinonim i kërkimit të vetvetes, sepse të gjithë neve na mungon ajo përsosmëri, pak njerëz ia kanë dalë të gjejnë vetveten, atë përsosmëri ose mund të them se vetëm një njeri ia ka dalë dhe ai është Sokrati me Dajmonin e tij, (δατμον), shpirtin e tij paqësor e të përsosur, megjithëse koha, demokracia, Athina, e cila është shembull i të gjitha qeverive në botë njëkohësisht ishte dhe simbol korruptimi si qeveritë sot.
Si mundi një shëmbëlltyrë si Athina të dëmtonte të Përsosurin? Mirë, e lëmë Sokratin…
Kërkimin e Agartit në mënyrë simbolike e ka bërë dhe përfaqësuesi më i famshëm i rrymës filozofike cinike Diogjeni. Ai gjatë ditës shëtiste me disa kandilë të ndezur, njerëzit e pyesnin se çfarë kërkonte e ai përgjigjej: Njeriun.
Njerëzit për këtë e mendonin si ai ishte i çmendur, por ama ai kishte të drejtë, kërkonte vërtet njeriun e përsosur që ndodhej në Agart. Prandaj Agarti është thjeshtë kërkim i vetvetes, i asaj pastërtie, çiltërsie e përsosmërie. Ajo çiltërsi, pastërti e përsosmëri që te njerëzit e sotëm na mungon.
.
Nga libri “Për atë që dua(m)”,
UetPress, 2015, Tiranë.

Gara e të pangopshmëve- Poezi nga ARIF EJUPI

 

Armatosen.
Vrasin.
Pushtojnë.

Djegin, shkatërrojnë —
rrugë që vetëm në varre çojnë.

U tret njerëzorja,
humanizmi,
miqësia;
në sipërfaqe doli interesi
dhe egërsia.

Më lehtë merren vesh kafshët mes vete
se sa njeriu me njeriun.

Botë e shfrenuar,
botë e degjeneruar,
të fuqishmit në garë:
kush më shumë po rrëmben
e rrënon.

Dikush dehet nga luksi
e sevdaja.
Dikush vdes nga uria.

Njeriu për njeriun
jo ujk,
por mortajë:
prangos,
plagos,
dhunon,
vret
e miliona zemra helmon.

Fare nuk pendohet,
por prapë planifikon krim të ri.

Njeriu —
qenia më e përsosur
dhe më e pamëshirshme
e rruzullit tokësor.

 

Arif Ejupi
Gjenevë, 15 maj 2026

Shënim i autorit:
Kjo poezi lindi nga një pamje konkrete në Gjenevë, gjatë kohës kur në Evian të Francës mbahej samiti i G7. Miliona u shpenzuan për vendosjen e grilave mbrojtëse në dyqane, banka dhe objekte të tjera, për t’u mbrojtur nga të pastrehët, të uriturit dhe të zemëruarit, ndërkohë që bota vazhdonte të përballej me luftëra, uri, padrejtësi dhe pabarazi të thellë.

FSHEHTAS MË FALJE DASHURI- Poezi nga ARIF EJUPI

 

(Kushtuar nënës sime, në 17-vjetorin e ndarjes nga jeta)

 

Ishin zakone të mbrapshta,
relikte pushtimesh ndër shekuj.
Po të më doje e të më ledhatoje,
do të mëkatoje.

Larg syve të të tjerëve,
prapa perdeve,
i kaloje netët pagjumë,
duke më dhënë gji
e duke më falur ngrohtësi.

Herët në mëngjes mjelje
dele e lopë,
pastaj vazhdoje punën
në ara e kopsht.

Punëtore si bletë,
me duart e tua të arta,
na rrite pa i trokitur
askujt në derë.

Kishe zemër të bardhë
dhe ishe solidare.
Gjithçka që kishe,
me të tjerët e ndaje.

Ishe vërtet bukëdhënëse
dhe e dëlirë;
secili që të njohu
të kujton për të mirë.

Prehu në paqe
dhe qëndro e qetë,
se ishe grua
dhe nënë e vërtetë.

Nga mërgimi
rrallë të vij te varri,
por për Ty kurrë
s’më shuhet malli.

Arif Ejupi

Për Tyn’zonë (Kushtuar rinisë kryengritëse të Tiranës)- Nga REX KASUMAJ

Poezia ime e parë revolucionare në jetë, e shkruar sot…
Qershor, 2026
.
Cili varg poezie
sado i pabukur
provincial
që aq shumë duron
shëmtinë e tiranisë
të shkruaj përballon
.
Ç’figura të befta
plot magji ylberore
e mall
nga rr’fimi bien
kur ai, o Zot, hijeson
në përrallë
.
Cila vesë muzgu
pa xixëllonja s’do
të vuante
kur tirani sykeq
bukurinë do t’u
truante
.
Pse gjirin për fëmijën
nëna do të humbte
një natë
kur tirani
fshehtë sehironte
mbi Dhéun e ngratë
.
Kush? Rinia e harruar
njëj agu u zgjua
dhe i bëri be’në
kjo tokë e jona është
për Tyn’zonë, Skënderbenë…
.
R

O idhulli im, shpëtimtari i popullit tim- Nga ARIF EJUPI

 

(Vargje mirënjohjeje Presidentit amerikan William Jefferson Clinton, mikut të madh të Kosovës. )

Me të gdhirë dita
e me t’u ngrysur nata,
o idhulli im,
o shpëtimtari i popullit tim,
lutem për Ju.

Me mua luten toka,
qielli, dielli e hëna,
dhe miliona zemra nënash,
të cilave dhimbjen
ua ktheve në besim e shpresë
për jetë të re.

Ëndërr e kam
të marr në përqafim,
të puth ballin
e të falënderoj,
që na nxore nga dhëmbët
e shtrigës plakë,
që kudo la varre,
gjëmë e plagë.

Paç uratën e Zotit,
që shpëtove mijëra jetë njerëzish
nga kthetrat e fashistëve
dhe sadistëve!

Sa herë shkoj në Prishtinë,
kërkoj hapat e tu.
Të fala edhe në Nju-Jork të çoj,
sa të jem gjallë
do të kujtoj.

O idhulli im,
o shpëtimtari i popullit tim,
o arkitekt urash e miqësish,
o luftëtar i pakompromis
kundër prangave
dhe diktaturave.

Me veprën tënde humane,
nga netët e Shën Bartolemeut
na i ngjalle shpresat e fashitura
për jetë dhe të ardhme.

Me emrin tënd
pagëzuam djem e sheshe.

Emri yt kudo dëgjohet,
emri yt kudo nderohet,
emri yt përjetësisht do të kujtohet,
sa të ketë shqiptarë
mbi këtë tokë!

Arif Ejupi
Gjenevë, 23 maj 2026

 

CINGËL, CINGËLTHI- Poemë nga RUZHDI GOLE

1.
Ditë vjeshte gjej k’tij qershori pa prit.
mënjanë lë lundrimin dhe sektet
vrapoj në një hap me perënditë.
Oooo, ç’thënkam kështu?
Perënditë më zgjojnë
nga gjumi laik
t’u besoj laikëve në tjetër gjuhë…
2.
Qënkam, i gjithi, plot thumba bletësh,
Mjalti i tyre më rrjedh nga gishti
gishti më rr’fen
të përpjetën.
Gjer në majë dot nuk ngjitem…
Po u thashë se u ngjita atje
do të jem
i gjithi rrenacak helm,
shpresë mbuluar
me dhe,
gungë në gen.
3.
Përposh hepoj droje mërzie….
i panjohur nga mizat
çdo ag mburoje
përtej rrezesh
afër qirinjve.
Dikush më desh
për të më gënjyer,
dikush për të më dehur,
shkrij kokulur mes qirinjve
jetoj milingonë në kryqin Atdheu.
4.
I hirtë ky mot, trallisjeve fishkur,
Mendja çka sjell…ngrica plot
e kam mendjen tek ndritja
e rrokullisur.
Asnjë hopthi-gropthi nuk më afrohet…
Ndoshta ky mot gjithçka ma mënd
më qëllon me brirë të kapronjve
po gjakun s’ma shterr
kockat s’m’i
shëmb.
Mot fishkur …  Parrokullisur…
5.
S’të arrij dot…Të ëndërroj…
Më tutje,
ndoshta hijen hare e kam rojë
haren e hijshme … qelq të buzëve.
Si ndizen plot xixa qelqet dhe drojet…
Për të të ëndërruar këtu,….Më tutje
s’më lënë trazimet, pra, rojet…
6.
Po e lë mënjanë çastin e mbramë…
I mbramë njeriu, më pak
i lëvdueshëm,
këpucët e mia i lyejnë retë
me bojë që më ngroh
e më mardh
jo vetëm gishtrinjtë
por
edhe shpatin, rrokopujën.
Një Hanë ma mbërthen bluzën njitash,
zbres e ngjitem, më grabisin, grabis,
më pak i lexueshëm njeriu
veç bllamë,
me kamë
në shpirt…
7.
Dita lëron ara dhe … ujëra …
Ujëra lëroka dita ?
Lajthitja luan
me milingona jetëshkurtra
jo krahë grabitura.
Gjithçka më rrëmben
tërthorazi, lumnueshëm
ngathtive vrullshëm pa të keq,
O Zot, mos m’u afroftë vdekja
me kurora të gjora
me sorra që ma
nxijnë rrugën
… se çmendem … Nuk vdes….
8.
Po ngjethem,
ngjethëse kjo degë gjuhë prerë,
nata ledhatohet prej yjeve
yjet janë bejte
të poetëve
terri pi ujë por etjen s’e shterr.
Veç Pikëllimi më gazmon me të qeshur,
me luspat e peshkut mbuloj një kamë,
e cila përgjaku buzët e bregut
jo prej frymorit homo sapiens
por prej tigrit … luan.
9.
Mjegulla, e çarë gjithandej, duket
si një rrjetë e stërmadhe peshku
mbi kryet e frymorëve
dhe jetëngrehinës,
Jeta përhedhur, hedhur këputje
ndër besime, betime plehu
rrënoja të reja pikëllimesh.
Të tjera brinjë përtërin Jeta,
ne duke ikur shtrirë
kokë statuje,
Mjegulla shkund rrjetën
jo me peshq as me filiza plehu
por me bisqe
dhe frymëmarrje të ujërave…
10.
Cingël, cingëlthi…
Shkopi më sheh, fluturon tinëz,
tinëzarëve, përhera, u shtroj gosti.
U shtroj gosti heshtjen time…
Në heshtjen time mbjellë bimë,
Brinjët e mia do rrihen ende
nga lojëra të rrezikshme
sa të bëhen thërrime
cingelthi
jo cingël…

Të vërteta nga MJEKËSIA- Rrëfim në tri pjesë nga Përparim Hysi

 “Nëse është e vërtetë, shkruaje!”
Marcus Auerelius

   E kam ndarë në tri pjesë rrëfimin tim,se dy pjesë i përkasin shekullit XX-të dhe pjesa e tretë në ditët e sorme. E pëbashkëta e të tri pjesëve,është  MJEKËSIA dhe figura e MJEKUT. Enkas i shkruaj me gërmë të madhe që të dy emërtimet,se kam respekt për MJEKËSINË,po se po, po edhe për MJEKËT. Nuk shkruaj me apriori,se e kam parë me sy këtë shërbim kaq njerëzor. Unë që po  shkruaj këto radhë jam plot 84-vjeç dhe,pse i kam provuar, ndaj po shkruaj.
                                               *
Pjesa e parë e rrëfmit tim,ka të bëjë  me një mjek nga Gjirokastra në kohën e Mbretërisë.  Nëna ime (tani  në Parajsë prej 22-vjetësh) ma ka treguar këtë histori për atë kohë. Sot është dita e ndarjes  së saj nga jeta dhe ndaj u ula që ta tregoj.
Xhaxhai im,- tregonte ajo,- vuante nga një”zgrebull” rënkonjëse. E kishte në duar dhe duarët,dimër-behar mend lëngëzonin sa të jepte të keqtë. Qe i pasur dhe shkoi në Itali për t’u vizituar. Siç shkoi,erdhi dhe po njësoj. Nuk u afrohej njerëzve,se i kishin thënë: është sëmundje ngjitëse. Po,kur ke hall, gjithmonë do ta ndashë me të tjerët dhe një ditë prej ditësh,dikush i kish thënë:- Po ç’t’u desh Italia,pa shko në Gjirokastër se është një doktor,jo si të gjithë doktorët,por dhe”ilaç”.  NËNA ime është nga fshati NISHICË .Ky fshat i  Skraparit është mu në rrrëzë të TËNDËS së QYPIT dhe xhaxhai, ashtu  si i mbyturi që kapet pas fillit të kashtës, shaloi mushkën dhe nga mali në mal,kur  zbardhi mëngjesi,u gjend në Gjirokastër. Lidhi mushkën në han dhe,ngaqë kishte filluar puna,pyeti  për doktorin. Sapo u fut në klub,- i tha ai që pyeti. Hyri në klub dhe kamerieri i tregoi doktorin që qe tek banaku. Xhaxhai,- vazhdonte tregimn NËNA,-iu afrua me drojtje dhe një farë,si të kish bërë turp, i tha:-  Doktor,unë kam qenë dhe në Itali dhe më thanë se jo vetëm nuk gjej derman,por sëmundja e duarëve të mia është ngjitëse. Doktori vërtet që paskësh qenë babaxhan apo ilaç,siç thoshte NËNA e shkretë. Kur i foli doktorit,duarët i mbante “fshehur”,se,sado me dorashka (qenë prej leshi),kullonin atë lëngun e trashë , të kaftë  të zgrebullës,
Vëri duarët mbi banak,- i tha doktori.  Hiqi dorashkat. Doktori, si u hodhi një sy duarëve, iu kthye xhaxhait.
Demek, të kanë thënë se nuk shërohen dhe janë ngjitëse!!! Dhe në sy të gjithëve, me duarët e tij, i fërkoi të dyja duarët e të sëmurit dhe bërtiti:- Ja,sa ngjitëse janë këto!  Kur tha kështu,me duarët e qelbëzuara,doktori fërkoi fytyrën e tij. Një  akt sa human,po aq i guxmishëm e psikologjik njëherësh. Doktori i dha dhe një ilaç,por ia hoqi si me dorë atë siklet aq stresues shëndetësor. MJEKU duhet të jetë dhe psikoog,si ka qenë ai doktori gjirokastrit.
Deri aty nga mesvitet 60-të,të shekullit të kaluar, FIERI qoftë në spital e qoftë në poliklinikë nuk kish mjekë specialistë. Vetëm mjekë të përghjithshëm dhe këtë që do tregoj, atëhere ka ndodhur. Unë kisha vajtur për t’u vizituar mbasdite (para dite qeshë në punë) dhe mjeku,sa vuri stetoskopin për të më vizituar,befas,fare pa trokitur erdhi  një burrë duke bërtitur:”Olele  veshi  !!!  Jo vetëm bërtiste,por mbante dhe dorën mbi vesh. Doktori,qëlloi ilaç! Qe psikolog.
M’u drejtua mua. Do më falësh,se shoku është urgjent?!!!
-Doktor,- foli burri,qeshë dhe paradite tek ai tjetri,po nuk po gjej derman.
Mirë,- tha doktori! Leko,- i tha infermierit,- hipe të sëmurin tek tryeza dhe ndize dritën. Pacienti hipi dhe doktori urdhëroi:- Mbylli sytë! I sëmuri i mbylli sytë. Leko,-përsëriti doktori,- mbaja fort krahët.Doktori bëri një kaush si hinkë dhe fundin e “hinkës” ia futi në vesh; bëri sikur ia fërkoi brenda veshit dhe bërtiti:- Shpëtove,duke e flakur tek koshi hinkën. Ja,kaq qe.
O të faleminderit,doktor,- tha i  sëmuri.  Kur u largua i sëmuri,doktori qeshi. Nuk kish gjë fare,por i qe fiksuar dhe unë bëra sikur i hoqa diçka
                                                        *
Si i moshuar, qeshë pushtuar nga një stres dhe u drejtova tek Neurologjia apo spitali 5. Mora taksi dhe sa hipa erdhën dhe dy pasagjerë të tjerë. Unë qeshë përpara dhe ata,sa zunë vend pas, dolën të njohur. Po mundohem ta bie në ligjëratë të drejtë bisedën mes tyre.
-A ti je Lulash apo i kam të prishur”lentet”.
– Vet dora,Lulashi e ti je Gjoka!
– Po ku don,o Lulash?
–  Kam një dhimbë të krytit,gati po më mbytë.
– A ka ikë Doktoresha DHURATA URUÇI pe Shkodre që ke ra në Tiranë?
_jo,mor atë SOJNIKE ta ruejë ZOTI se nuk ia gjen kushin  si MJESHTRE,por kam dy vjet tek “Astiri” dhe kam dëgjuar që tek”Pesa” asht dhe djali i saj,RODEN a REDON,ça di veta e po e kërkoj fill.
-Po bash dhe veta,tek Doktor REDONI jam nis. Asht si me nxjerë prindëritt prej hundësh. Pema që ka ra nën pemë. Bash si i ati,GENCI që e njoftë mirë una? Pritja ZOT rrezikin se asht zotni e shkue zotnisë.
Shoferi! Eh, në sa vende,kjo taksia ime, e ka çuar Doktor REDONIN! Është i papërtuar dhe bëhet copë për pacientin.
Ja,për këto të vërteta shkrova. Nderim për MJEKËT që punojnë me përkushtim.
                                                        Tiranë,16  qershor 2026

Send this to a friend