VOAL

VOAL

Del nga shtypi “MAQEDONIA NGA ANTIKITETI DERI TE KOHA JONË” e autorit JUSUF BUXHOVI

May 13, 2019

Komentet

Kateřina Pincová Muzikologe: Sonata Nr.15 e titulluar “Deti” e Aleksandër Peçi një vepër shumë e pasur….

Kateřina Pincová Muzikologe e kompozitore publicistka Prage, shkroi ne 21 03. 2015 per sonata 15 Deti te Aleksander Peçi ne KLASIK PLUS

“……….Pas pushimit erdhi radha për pianon solo. Zgjedhja e Egli Prifti ra mbi Sonatën nr. 15 “Deti” nga Aleksandër Peçi – një vepër shumë e pasurë në shprehje, e cila me tingullin e saj e përmbushi kuptimin e titullit pa rënë në përshkrim të tepërt. Qysh në fillim mund të dallonim lojën me tingujt harmonikë dhe sipërfaqet shumëngjyrëshe në aspektin tingullor, e më pas erdhi edhe dramatizmi i madh. Egli Prifti më në fund doli nga hija e Tereza Horáková-s dhe e shfaqi plotësisht artin e tij: aftësinë për t’ia interpretuar dëgjuesit në mënyrë të qartë dhe të kuptueshme një vepër kaq të gjatë, për të mbajtur tensionin e saj dhe për të treguar rrëfimin e saj – pa përmendur teknikën bindëse të interpretimit. Si një erëz e veçantë ishin hyrjet e tij kënduese, të cilat plotësonin koloritin e atmosferës së përshkruar.”

Irini Asqeriu: Ftesë për pjesëmarrje në promovimin e ENCIKLOPEDIA E FILMIT SHQIPTAR

Pas një pune të gjatë studimore, shkencore, këmbëngulëse arrita të realizoj ENCIKLOPEDINË E FILMIT SHQIPTAR, që përmbledh gjithë aktivitetin kinematografik (1904-2022). Në datën 24.03.2025 ora 11:00 në Akademinë e Shkencave do të organizohet promovimi.
Ps:
Të nderuar miq jeni të ftuar për të ndarë së bashku emocionet e kësaj dite të paharruar për mua.
Prania juaj na nderon.
Me respekt Irini Asqeri

Nismë për të krijuar Fondacionin “Gjergj Vlashi”- Nga Ardi Omeri

Gjergj Vlashi “Nderi i Kombit”
Para disa javesh, bisedova me Florian Vlashi per te krijuar Fondacionin “Gjergj Vlashi”, i cili do te ndaje cdo vit cmimet nderkombetare per artiste, ne letersi, teater, art e kulture ne pergjithesi. Eshte figura me e madhe e artit durrsak nder vite “Nderi i Kombit”, ndaj gjykuam qe se pari te krijohet ky Fondacion.
Krijimi i ketij Fondacioni kerkon perkushtim fizik moral dhe ekonomik.
Kjo iniciative nuk mund dhe s’duhet te perballohet vetem nga familja Vlashi por nga i gjithe komuniteti artisteve durrsake dhe me gjere.
Duhet nje staf i perkryer dhe i perkushtuar qe nje pjese e mire duhet te jetoje ne Durres dhe nje pjese mund te jete edhe jashte.
Propozoj qe antaret e kryesise(sic e kerkon edhe gjykata per themelimin e Fondacionit) te jene nga komuniteti i artisteve te shumte durrsake por jo vetem, dhe nga bizneset qe kane qene gjithmone mbeshtetes te artit dhe kultures.
Pres mendimet, proposimet tuaja per antaret e kryesise (te cilet do jene personat qe do angazhohen me shume) ne komente por edhe ne inbox tek une ose te Florian Vlashi.
Ju faleminderit

Antropologia amerikane Janet Reineck u ofron kosovarëve studimin e saj rreth strehës, gjinisë, migrimit dhe ideologjisë- Nga Lili Pylla

 

“E kaluara si strehë: Gjinia, migrimi dhe ideologjia te shqiptarët e Kosovës” i antropologes amerikane Janet Reineck është promovuar në Prishtinë. Disertacioni i saj paraqet një studim të thellë antropologjik, një etnografi të studiuar mirë, ku autorja paraqet dimensione të shumta të jetës në Opojë dhe fshatra të tjera në Kosovë.

Janet, përmes temës së doktoratës për antropologjinë e Kosovës dhe antropologjinë shqiptare në përgjithësi vjen me plot risi, studim të cilin siç thotë ajo vetë, e ka shumë përzemër dhe për të cilin ka punuar për disa vite me radhë.

Antropologu, Arsim Canolli ka thënë se autorja gjatë kërkimeve të saj në vitet e ’80-ta ka studiuar traditat shqiptare dhe botëkuptimin. Ai ka shtuar se, në libër pasqyrohen rregullat e Kanunit që rregullojnë familjen, zakonet, rolet e grave dhe martesat, eksploron ndikimin e migrimit në identitetin shqiptar dhe efektin që ka pasur në ruajtjen e vlerave dhe sjelljes tradicionale.

Ndërsa antropologja dhe përkthyesja e librit “E kaluara si strehë, gjinia, migrimi dhe ideologjia te shqiptarët e Kosovës”, Lumnije Kadriu ka thënë se, edhe pse hulumtimi paraqet krahinën e Opojës aty gjen shumë elemente të përbashkëta të fshatrave kudo në Kosovë.

“Opoja mbetet një krahinë e veqantë me veqori historike, kulturore, sociale, e cila me këto veti e bën shumë atrakive për studiuesit. Sa i përket hulumtimit mund të them se është një antropologji e thellë, e ka bërë një etnogtafi të ngeshme, ku shpërfaqen dimensione të ndryshme edhe kulturore edhe sociale të cilat autorja i sjell si njohuri gjatë qëndrimit të saj të gjatë Kosovë, duke bërë biseda në formë të intervistave me banorët e atyre zonave”, ka thënë përkthyesja Kadriu.

Ndërsa antropologja, Janet Reineck, autore e librit mes emocioneve falënderoi përkthyesen dhe të pranishmit, deri sa ka treguar shkurtimisht rreth punës së saj studimore rreth mbledhjes së të dhënave.

“Qysh në vitet e ’80-ta kemi bërë përpjekje dhe jemi takuar nëpër oda me burra, kemi debatuar me ta, i kemi pyetur se përse nuk po I qoni çikat në shkollë. Si po mendoni se mund të avanconi deri sa çikat nuk po I qoni në shkollë. Kjo ka qenë një metodë shumë interesante për ta nxjerrur botëkuptimin e tyre. Por unë mendoj që për ti njerrur këto fakte duhet të jetë një antropologe grua. Sepse vetëm një grua mund të rrijë edhe me burra edhe me gra dhe të bisedojë me ata. Unë i kam veshur pantallonat dhe jam ulur këmbëkryq me burrat në oda dhe kemi biseduar me orë të tëra për historinë e shumë tema tjera”, ka thënë ajo.
Reineck ka shtuar se pas takimeve e bisedimeve të gjata me burrat e opojës ka biseduar edhe me gratë e vajzat.

“ Pastaj kam shkuar te gratë, kemi ndejtur me ato në mënyrë shumë intime dhe kemi biseduar për gjithçka”.

“Në ato vite kam shkuar në Ferizaj, me tren, në një dasëm. Dua t’ju them se për asnjë moment nuk më kanë lënë vetëm, ishte kohë e komunizmit dhe pushtetarët më shihnin me dyshim. Por pavarësisht krejt vështirësive, unë e kam kuptuar se po e dua Kosovën, sofrën, bukën, pitet, çajin, muzikën, vallen, gjuhën dhe gjithçka të këtij vendi”, është shprehur ajo.

Më 1 shtator 2022 antropologia amerikane Janet Reineck publikoi librin “Një amerikane në Kosovë”- libër që ia dedikoi shqiptarëve për siç tha “hapjen e një bote të re për të.” Kjo autore ka botuar disa libra.

 

NAXHI KASORUHO – NJË MISIONAR FISNIK I THESAREVE TË KULTURËS POPULLORE- Nga Albert HABAZAJ

 

Një miku im i mrekullueshëm i kulturës gjirokastrite, i palodhshmi Stefan Arseni ka vite e vite që më flet me aq pasion dhe admirim për të vërtetin Mjeshtër të Madh, Naxhi Kasoruho – këtë misionar fisnik të thesareve të kulturës popullore të Lunxhit, Dropullit e Gjirokastrës, Shqipërisë mbarë.
Artistin, muzikantin, etnomuzikologun dhe organizatorin e zot e shpirtgjerë, udhëheqësin artistik që përgatiste grupet popullore të rrethit të Gjirokastrës, për në festivalet e mëdha folklorike kombëtare, që nga ai i pari i 1968-ës që tundnin e trondisnin madhërishëm kalanë e rëndë të këngëve magjike dhe valleve hyjnore, profesor Naxhiun e kam vlerësuar dhe e nderoj si një ndër studiuesit më seriozë, të kujdesshëm dhe më të devotshëm të kulturës jomateriale dhe materiale të krahinave etnografike të Gjirokastrës, patjetër dhe të mbarë folklorit dhe etnografisë shqiptare.
Pasi lexova me endje librin e tij “Në thesaret e kulturës lunxhote” më erdhi ndërmend një shprehje e entomuzikologut gjerman Fritz Bose [Fric Boze: 26.06.1906-16.08.1975]: “Muzika nuk është vetëm relikt kulturoro – historik i lashtësisë së ndritshme, por njëkohësisht edhe e tanishmja më e gjallë. Ajo është tradita e trashëguar dhe njëkohësisht krijimtaria më e re. Madje edhe aty ku me respekt të plotë jemi të vetëdijshëm për traditën e lashtë, ajo, megjithatë, në mënyrë funksionale mbetet e lidhur me botën e sotme. Ajo ka detyrën e saj në të tashmen dhe në raport me të ajo është bashkëkohore dhe moderne”.
Sa i rëndësishëm dhe aktual tingëllon gjykimi i tij dhe ndihesh mirë kur ti ke me se krenohesh si Shqipëri edhe në fushën e folkloristikës, muzeologjisë apo etnografisë me personalitete si Naxhi Kasoruho.


Në mëhallën e Gurrës Popullore, të këngës polifonike labe, pra, parë rrafshin etnografik dhe folkloristik, Lunxhëria dhe Labëria janë kushërira të para. Sipas studiuesve më të njohur të fushës, ndër 15 stilet kryesore të këngës polifonike labe, është edhe stili muzikor i Lunxhërisë me 3-4 zëra, që krenohet me Dhoksatin, Labovën, Stegolupin, Karjanin, Erindin, Selckën, Këllëzin, Nokovën, Krinën, Saraqinishten, të gjithë fshatrat e trevës, [shih: Kënga Polifonike Labe, botim i nivelit akademik, 1986].
Naxhi Kasaruho ka shkruar disa libra për Gjirokastën e Festivalit, “Mes këngëve dhe valleve të Dropullit”, për Gjirokastrën e këngës, për korifej të këngës gjirokastrite, si Selam Mamani, etj., por kur shkruan për thesaret e kulturës lunxhote, pena sikur i ngjyhet në mjaltin e këngës dhe valleve aq të bukura, si dhe në kostumografinë e burrave lunxhotë e sidomos në veshjen aristokrate të zonjave të Lunxhit. Ore, po sikur i shkëlqejnë shkronjat nga vërtetësia e sytë i ndrisin nga dashuria. Dhe ka të drejtë. Lunxhi zotëron filigranet e arta të shpirtit aq të pastër popullor, të traditës aq pasur e të virtytshme lokale me përmasa të larta kombëtare e më gjerë.
Libri “Në thesaret e kulturës lunxhiote” është një manual folklorik i kujtesës shpirtërore, botuar nga miqtë e ditur të SHB “Albin” Marie e Spiro Dede në vitin 2006 me 196 faqe, ku autori Kasoruho na shpalos thjesht, rrjedhshëm dhe vërtetësisht visaret shpirtërore, trashëgiminë folkorike me këngët dhe vallet lunxhote, këngët polifonike, vallet e kënduara, Lunxherinë në kalanë e festivaleve, dasmat lunxhiote, instrumentet popullore, kostumet pupullore, shtëpitë karaktreistike të Lunxherisë, monumentet e kultit, kishat dhe manastiret në Lunxhëri, gatimin tradicional aq të shijshëm, glikotë, byrekët e lakrorët, ëmbëlsirat e gjellët e lunxhoteve, saqë vetë Lord Bajroni e pëlqeu aq shumë, u magjeps e u dërgoi mesazh londinezëve të mësonin nga kjo traditë e veçantë.
E veçantë është Dita e Kulturës Lunxhote, së cilës autori i ka kushtuar një vëmendje të merituar, si një ekspozim dinjitoz i vlerave të trashëgimisë kulturore, e cila vijon dhe përditëson stafetën e bukur festive me Festivalin Folklorik “Divanin lunxhot”. Po kështu vlerësimi që autori i bën gazetës “Lunxhëria”, si tribunë e pasqyrimit të kulturës lunxhote është një shembull sesi një studiues duhet të ndërmarrë një studim, që duhet ta njohë koha dhe brezat.
Intervistat me Profesor Naxhi Kasoruho që bën me Leko Makon, kryeredaktorin e “Lunxhërisë”, ish drejtor i shkollës së Dhoksatit, kur artistët poullorë shkëlqyen për Lunxhërinë në kalanë e festivaleve, po ashtu bisedat me prof. Marenglen Spiron, prof. dr. Ramazan H. Bogdanin, me këngëtaren e ëmbël Irini Qirjako, shkrimet për kontribuesit e drejtuesve të kulturës në Lunxheri, portreti i mësuesit të merituar Koço Mosko e malli për Lunxhërinë na rrëfejnë se ai është sa mirënjohës aq dhe falenderues. Profesori, nuk është thjesht një klarinetist i dëgjuar, kompozitor e muzikolog, por është bartës stoik, mbrojtës, luftëtar e udhëheqës i vlerave autentike folklorike të trevës.
Kush nuk e dëshiron fatin e Naxhiut që të shkruaj për Lunxhin-këtë krahinë traditë, që ka feksur në lartësi kombëtare me historinë e lirisë, të arsimit e të kulturës, me emra të përveçëm, si Kostandin Hoxhi (ose Koto Hoxhi Qestorati, siç e përjetëson kënga), [Qestorat – 1824- Stamboll, 1895], Pandeli Sotirin e shkollës së parë shqipe, heroin e orëve të para të çlirimit Misto Mamen, deri tek Arben Duka i pavdekshëm i lirikave dhe poezisë së angazhuar apo madhështori i pashfaqshëm Koço Vasili, që e ka flakur tej pleqërinë, sikurse vetë profesor Naxhiu sikur ta kishte një pelerinë të grisur, duke e shpallur non grata për profilin e tij njerëzor dhe kulturor.
Profesor Kasoruho di të vlerësojë dhe të nderojë zonjën e rrallë Katerina Mirokosta, një grua e emancipuar, shumë aktive dhe trashëguese e denjë e vlerave të trashëgimisë kulturore të Lunxhërisë.
Përveç të tjerave, përse e vlerësoj unë prof. Naxhi Kasoruhon?!
Nuk e dija që ai e kishte shumë mik, si vëllain tim të madh, Apostol Pilo Duka, dashamirësinë e shpirtit të tij të madh dhe mendimit të mprehtë e të thellë ia kam njohur që në vitet 1975 në Tiranë. Colja na vështron nga yjet, o profesor Naxhiu dhe na buzëqesh si ai.
Lunxhi është një krahinë e emancipuar, me një kulturë qytetare shumë të dinjitetshme. Krahas djemve, burrave e pleqve, atje janë vajzat, gratë e plakat, madje gratë shkëlqejnë.

Me bukurinë mahnitëse të kostumit që kanë veshur ato, me melodinë aq të ëmbël e brilante të këngës, me elegancën dhe fisnikërinë e të kërcyerit, vallja lunxhote është një nga perlat e folklorit tonë kombëtar, një margaritar në gjerdanin e artë të kulturës sonë” – shkruan autori (f.17).
Kostumi i vajzës lunxhote, aq i bukur e aristokratik, harmonizuar me atë motiv të bukur liriko-optimist të shndritshëm tek një epik çupash aq të bukura, të hijshme dhe elegante, me atë zë të kthjellët, të ngrohtë e melodioz të rrëmbejnë dhe të bëjnë për vete. Vallja e grave lunxhote, kostumi, melodia, koreografia dhe valltarja, janë në unison perfekt midis tyre, aty njihet vetëm nota 10 me yll.
Për mendimin tim, këngët dhe vallet e grave të Lunxhit, kostumet e tyre popullore janë standardi më i lartë dhe zënë një vend nderi në lëmin e folklorit dhe në studimet e folkloristikës shqiptare.
Sa herë sjellim ndërmend Lunxhërinë, na vjen jehona flladitëse aq romantike deri në përsosmëri, vallja e kënduar, ardhur po me atë magji si 47 vjet më parë, kur në FFK GJ (në të tretin, 1978) si shtojzovallë shpirti i Dhoksatit mahniti skenën e kalasë: “Ç’ nur që ka vallja lunxhote/Lunxhëri, plot lezete/ Ç’bukuri ke mbi vete! Mbushur me zërat e zogjve/ Lunxhëri, moj e mira/ Mbushur, o plot stolira/Kodrat e tua pa shoqe/ Lunxhëri…/ Ujërat, o këngë mali/ derdhen, o si kristali/Djem, e vajza si lastarë… me Katerina Çipin, thëllëzën që kërcente plot elegancë dhe këndonte me një zë të mrekullueshëm e brilant, me kthyes veteranin zëkumbues Vasil Çuçi dhe hedhës Koço Vasilin të përsosur.

FALEMINDERIT PROF. NAXHI KASORUHO PËR THESARET E KULTURËS LUNXHIOTE!

 

NJë publik i kulturuar dhe elitar shijoi shfaqjen me pianisten Etrita Ibrahimi dhe baritonin Artur Vera Nga Ilirjana Dema

Është kënaqësi të shohësh interesin e një publiku të shumtë edhe në rastin e një koncerti të muzikës së dhomës, që kërkon një publik të kulturuar e elitar.

Ndryshe nga duot instrumentale, sonte baritoni Artur Vera dhe pianistja Etrita Ibrahimi kishin marrë një nismë të guximshme për interpretimin e ciklit vokal “Winterreise ” ( Rrugë Dimërore) të kompozitorit Franc Schubert mbi tekstet poetike të Wilhelm Muller.

E cilësova kështu se 24 Lieder ( këngë) kërkojnë një përgatitje teknike profesionale dhe kulturë specifike në trajtimin e zhanrit, në raport me këngëtarin lirik operistik.

Përmbajtja poetike me karakter të thellë psikologjik strukturohet në forma të thjeshta dhe interpretimi duhet të ruaj një ekulibër mes saj dhe karakterit të zhanrit të këngës, delikatesën që ajo e presupozon.

Arturi dhe Etrita kishin bërë një punë serioze dhe tepër profesionale veçanërisht në bashkëveprimin mes tyre e qëndrimin e mbajtur tepër të unifikuar me detaje të shumta e kontraste të bukura artistike në shërbim të ideve të veprës.

Duhet nënvizuar se parti i pianos në të gjitha ciklet vokale, jo vetëm të Schubert-it, luan një rol të rëndësishëm estetik, gati të barabartë me këngëtarin qoftë për të krijuar atmosferën emocionale përgatitore, për hyrjen e këngëtarit, por dhe gjatë ecurisë dhe zhvillimit të këngës. Ndaj në këtë drejtim interpretët patën një ” kimi” të lavdërueshme tepër të unifikuar artistike. Ngjyra të shumta dinamike nga dy pianisimo deri në fortisimo, theksat ritmikë të nevojshëm për dhënien e karakterit të çdo kënge, frazimet e ndjera ishin disa nga cilësitë interpretative të duos, që siguruan suksesin.

Pas 12 këngëve të para Pianistja na dha kënaqësinë me interpretimin tepër artistik të pjesës për Piano Solo të kompozitorit Aleksandër Peçi – Barokjare.

Me një perceptim e ndjeshmëri plot finesë reflektuar

në qëndrimin e mbajtur veçanërisht ndaj tingullit, ajo zbuloi vlerat e reja artistike e estetike të motiveve të jareve shkodrane të shfrytëzuara nga kompozitori në mënyrë krijuese.

Koncerti vijoi përsëri me interpretimin e 12 këngëve të tjera .

Publiku e shijoi dhe e vlerësoi kënaqësinë e përftuar me duartrokitje të zgjatura.

Urime !
Në fund do desha të ndalesha me një sugjerim për baritonin
Artur Vera.
Duke qënë relativisht i ri në moshë, por me ambicje dhe pasion të dëshmuar kjo sprovë kaloi me sukses, por veçanërisht në pjesën e parë s’mundi dot të ruante ekuilibrin mes përmbajtjes poetike të këngëve dhe karakterit të zhanrit. Interpretimi i tij dhe vokali kishte më tepër karakter operistik se sa delikatesën e domosdoshme që kërkon lieder-i.

 

 

 

Tryezë kushtuar 80 vjetorit të botimit të gazetës “Rilindja” Nga Tahir Bezhani

Kronikë nga Kultura- Gjakovë.

 

Shoqata e Intelektualëve “Jakova” në Gjakovë, me 12.shkuet, 2025 organizoi një TRYEZË përkujtimi me rastin e 😯 vjetorit të botimit të gazetës “Rilindja”. Në këtë manifestim ishin të ftuar shumë veteran të gazetarisë kosovare ndër vite, intelektual e qytetarë profesionesh të ndryshme nga jeta kulturore e Gjakovës. Manifestimi u mbajt në sallën e përurimeve “Teki Dervishi”, në bibliotekën e qytetit.

Manifestimin e hapi moderatoja e nderuar, Dea Krasniqi, me një talent të nivelit të lartë, e cila, pasi falënderoj të pranishmit, dhe lexoj disa nga mesazhet e atyre veteranëve të gazetarisë, që për arsye të ndryshme ,nuk kanë mundur të vijnë në këtë tryezë. Pastaj ia kaloi fjalën fillestare Prof..dr. Ruzhdi Safës, të palodhshmit, kryetarit të Shoqatës së Intelektualëve “Jakova” në të Gjakovës .
Prof. Dr. Ruzhdi Sefa , në fjalën e tij përmbajtësore, foli për historinë e gazetës “Rilindja”, kohën dhe sukseset e arritura nëpër kohë, rrugë të cilën populli jonë e kaloi me mjaft vështirësi të politikave gllabëruese. Kjo “MEMORIE” historike mund të jetë një element kyç për të dhënë vlerë të kaluarës, për të mbajtur gjallë në kujtesë rëndësinë historike të mediave në shoqërinë kosovare.
Prof. Ruzhdi Sefa, misionin dhe rëndësinë e gazetës “Rilindja” e vlerësoi në disa aspekte ,duke cekur mendimet me ndikim të madh në shoqërinë kosovare. Filloi me “Ruajtja e Identitetit Kombëtar”, ”Pasqyrimi i realitetit të vështirë të Kosovës”, “Rezistenca ndaj diktaturës” ”Roli i madh në Lëvizjen Politike dhe Shoqërore e tjera.
Gjatë rrugëtimit të gazetës “Rilindja”, që fillimi, ka ngjarë shpesh që të hasë në “fërkime” mes misionit të saj si organ i pushtetit dhe rolit e ndikimit që kishte në ruajtjen e identitetit kombëtarë shqiptar, foli Dr. Ruzhdi Sefa. Pastaj profi bëri një paralelizëm të informimit të” Rilindjes”, deri në ndalimin e saj nga strukturat e dhunshme të pushuesit hegjemonist të klikës serbe, me 05. shtator,1990, duke cekur se informimi sot, kur kemi portale të shumat e mediume televizive, të cilat jo gjithherë na informojnë.
Në mbarimin e fjalës së tij prof. Ruzhdi Sefa, si pikë referencë ndaloi në “Rolin e gazetës Rilindja dhe medias moderne në edukimin dhe informimin e shoqërisë”, reference e cila u prit me dashamirësi nga publiku në sallën “Teki Detrvishi”.
Kryetari i SHI.”Jakova” z, Ruzhdi Sefa, njoftoj të pranishmit se për nderim të kësaj trashëgimie të çmuar dhe përpjekjet për ta ruajtur ndikim e saj, në Shoqatë është diskutuar për botimin e gazetës se re javore, “Rilindja e Re”, e cila do të vazhdojë misionin e gazetës origjinale. Kjo ide e shprehur nga prof.. Ruzhdi Sefa u prit me duartrokitje si shenje e aprovimit te iniciativës promovuese.

Prof. Dr. Ruzhdi Sefa.
Në vazhdim të Tryezës përkushtuese në 80 vjetorin e botimit të “Rilindjes” ,moderatorja Dea Krasniqi, fjalën ia kaloi Bashkim Hisarit, një veteran i dëshmuar në gazetarinë kosovare, i cili me kumtesën e tij ,”Rilindja”-Foleja e ngritjes intelektuale të shqiptarëve”, temë e cila zgjoi kureshtjen e të pranishmëve prezent. Ky personalitet i gazetarisë dhe kulturës sonë, elaboroi historinë e gazetës “Rilindja” nga dalja e deri te shuarja e saj nga diktatura e politikës Serbe në vitet 90-ta. Bashkim Hisari potencoi në veçanti elitën kombëtare e politike të kohës së pas luftës se Dytë Botërore,të cilët,në ato rrethane bënë të pamundurën për të pasur gazetën edhe shiptarët në gjuhën e tyre.Ishte ky kuadri intelektual e politik të shkolluar atëbotë në Shqipëri, si Fadil Hoxha, Xhavit Nimani, Zekiria Rexha, Emin Duraku, Xhevdet Doda, Esat Mekuli, Xheladin Hana, bartësit e rrjedhave politike, ekonomike por edhe kulturore e informative.
Me iniciativa të dëshmuara nga patriotët e kombit, si Fadil Hoxha e Zekeria Rexha, nga Tirana sollën mjetet teknike të shtypshkronjës dhe kështu me 12.shkuet,1945 në kryeqytetin e KA të Kosovës, fillon punën gazeta “Rilindja”. Emërtimin gazetës, sipas dëshmive historike të kohës, ia dha pjesëmarrësi i LANÇ, poeti e intelektuali Esat Mekuli, si mirënjohje e rilindësve të kohës së kaluar. Z. Hisari, në detale përmendi edhe shumë emra tjerë të kohës si kontributëdhës për gazetën “Rilindja” e cila e dha provimin e kohës në zhvillimin dhe emancipimin e popullit tonë, ku analfabetizmi ishte nën parashikimin e duhur të popullit në Kosovë. Me gjitha vështirësitë e cezurat e kohës. ”Rilindja” hatëroi me kohën falë këmbënguljes dhe qëndresës së plejadës së intelektualë e gazetarëve të skalitur nëpër vite…Ajo ngadalë u shndërrua në një shtëpi botuese grafitë në kuadrin e se cilës u botuan edhe shumë gazeta e revista tjera, deri në vitin 1990,kur dhunshëm u bë ndalimi i saj nga politika okupuese serbe .

Agim Jaka, një tjetër veteran i çmuar i gazetarisë kosovare, në Tryezën e lartëcekur, me kumtesën e tij, pos historisë e vlerave të gazetës “Rilindja”, dhe rolit të saj pozitiv në çdo aspekt të jetës, potencoi “garniturën” e çmuar të gazetarëve gjakovarë, të cilët me mish e me shpirte, dhanë çdo gjë nga vetja për zhvillimin e gjithmbarshëm të jetës shoqërore e kulturore. Në Kosovë. “Rilindja” u bë shkollë ku e mësuan profesionin e gazetarit shumë intelektual, të cilët më vonë u bënë profesionist të tyre jetësor,” tha prof.. Agim jaka. Pastaj potencoi emrin e parë të gazetarit nga Gjakovë që ishte Xhafer Vokshi, ndërsa nga gjinia femërore, gazetarja e parë theksohet Hidajete Domi, e cila me 14.shkurt,1947 shkruan për kujdesin e grave të Gjakovës, për familjet e vobekta.

Gazetarët veteran të cilët ishin prezent në këtë Tryezë përkushtuese, si Esat Dujaka, Jusuf Meqa, Blerim Vula, dhanë vlerësimet e tyre për rolin e pamohueshëm që bënte gazeta “Rilindja” për prosperitet në të gjitha fushat e jetës, por, duke potencuar edhe vështirësitë jo të vogla që buronin nga përgjegjësia dhe censura e kohës…

Doajeni i gazetarisë, shkrimtari e publicisti, Esat Dujaka, me emocion të veçantë tregoi sqaronte punët e përgjegjësitë në karrierën e gazetarisë, duke theksuar në fund, “se ne, nuk e kemi merituar që mbesim pa “Rilindje”, me te cilën u rritem dhe kontribuuam me tëra mundësitë e kohës….” Nga publiku pati të interesuar për të shtruar pyetje dhe vlerësime për gazetën “Rilindja” ,ndër të cilët ishte edhe Prof. Sidorela Doli, e cila trajtoi gazetën në shumë aspekte pozitive, e posaçërisht në moshën e saj kur ajo ishte e re, se sa me vëmendje përcillte faqen për fëmijë që botohej n kuadër te gazetës Rilindja.

Së fundmi, vlenë të ceket se Shoqata e Intelektualëve të Gjakovës, në krye me .Prof. Dr. Ruzhdi Sefa, me organizime te tilla gjatë gjithë vitit, duke zgjedhur tema pikante për vlerat kombëtare, ka dhënë dhe po jep kontribut të madh në jetën kulturore e intelektuale në qytetin e Gjakovës, e jo vetëm, për çfarë, meriton respekt dhe mirënjohje të sinqertë.
Folësit gjatë Tryezës në 80 vjetorin e gazetës “Rilindja”. Fotot e bashkangjitura tekstit janë nga aparati i Shkelzen Rexhës.

Prof. Bashkim Hisari

Agim Jaka

Blerim Vula Dr. Gezim Lupaveci

Prof. Sidorela Doli Bashkim HisariGjakovë,

Saga e madhe Shqiptare ZËRAVE DHE ZHURMAVE të shkrimtarit Kristaq Turtullit- Nga ILLO FOTO

Nëse thellohemi sadopak në humbëtirat e sotme të letërsisë shqiptare, atëherë padyshim që ndër zërat e vetëm që akoma arrijnë të jehojnë në këtë botën tonë përkatëse të mishëruar në tiparet njësore të librit të ngjizur e shkruar në gjuhën shqipe, është kthjelltësisht oshtima e veprës letrare të shkrimtarit të dëshmuar në vijimësi, përmes penës së tij burimore, Kristaq Turtullit.
SAGA e madhe Shqiptare e ZËRAVE DHE ZHURMAVE e shkrimtarit Kristaq Turtulli përbën grykëderdhjen e radhës të frymëzimit krijues të këtij shkrimtari, njeriut që ka arritur tërësisht në mënyrë të vetvetishme të sendërtojë një skaj të tijin vetjak në xhunglën e koklavitur të letrave shqipe, veçanërisht përgjatë tranzicionit të hutueshëm, ku dergjet njëkohësisht letërsia dhe libri shqip, krahas vetë shoqërisë shqiptare, mendësisë së pjesëtarëve të saj, qëndrimit të shqiptarit ndaj jetës, dukurive të saj të llojllojshme, përditshmërisë, dashurisë, dritëhijeve të shumta të shqiptarësisë dhe formës sesi gjithë këto gjëra mund të shndërrohen në letërsi të mirëfilltë.
Kristaq Turtulli ia del mbanë me sukses të plotë që ta përthithë thelbin e çdo rrezatimi të së shkuarës që ende përcakton, shënjon e kushtëzon aktualitetin shqiptar, duke e pasqyruar në një krijim letrar, një roman të përkufizueshëm, veç nëpërmjet një ushtrimi të harlisur mendor, shpirtëror, shijehollë, pikërisht ashtu siç është jetësuar frymëzimi i këtij shkrimtari në këtë libër, duke na ofruar një vepër që ta pasuron shijen letrare duke ta lartësuar leximin dhe duke ta rikrijuar përmbi themele krejt të përveçme botëkuptimin kundrejt letërsisë së ravijëzuar brendapërbrenda konturave të gjuhës shqipe, kornizave dhe trajtave të saj karakteristike.
Të lexosh në përgjithësi krijimet e Kristaq Turtulli domethënë të ndeshesh përherë në ndjesi të këtilla, duke zbuluar të tjera kënde e skuta të panjohura të shtjellimit në shqip të botës letrare, duke u endur dhe depërtuar tutje në thellësitë e shpirtit krijues të këtij shkrimtari të talentuar, që gjithnjë guxon aty ku pakkush, ose askush nuk ka shkelur më parë.
E tëra falë një kureshtje krijuese, një frymëzimi të papërmbajtshëm, të jetësuar përmes një përzgjedhje të epërme të fjalorit shqip, personazheve të gjallë e të përshkruar me përpikëri, sidomos në anën e tyre psikologjike, dhe një mjedisi shqiptar epoke të shkuar, që në tymnajën bardhë e zi, ngërthen sakaq nuancat më të ndezura të rrëfimit të mbrujtur në realizmin magjepsës që i mvishet si lëkurë e dytë veprës së Kristaq Turtullit.
Në këtë Sagë të madhe Shqiptare me qindra karaktere të gdhenduar mjeshtërisht, përvijohen mjeshtërisht ngjarje, situata, zhvillime, nënkuptime, fragmente, grimca njerëzore, politike, ndikime, ndërhyrje, qëndresa, shpirtshitje, kryeneçësi tipikisht shqiptare, tradhti, vogëlsira e madhështi të rëndomta të shtetit tonë mbi njëshekullor e popullit tonë fort më të lashtë se kaq, që vetëm mendja e autorit, përfytyrimi i tij, aftësia e tij e rrallë sintetizuese, dhuntia e tij për t’i caktuar rolin e duhur gjithkujt e gjithçkaje brenda një SAGE të parë dhe të rrallë Shqiptare, çfarëdo nocioni të prekshëm, abstrakt, surrealist, real apo të metaforizuar, arrijnë t’i bëjnë mirëfilli pjesë të kësaj Sage, duke gjetur çdo veçori vendin e vet natyrshëm, porsi një gjëegjëzë letrare e përkryer, që sapo të lexohet me ëndjen kureshtare të lexuesit, ka për t’i ofruar atij/asaj, një shpërblim të paçmuar gjatë procesit frymëzues të leximit.
Kjo urë e gjatë shteruese, nëpër shtrirjen e të cilës, përmbi lumin e rrjedhshëm të frymës krijuese të Kristaq Turtullit, lexuesi ka për të përshkruar kohë pas kohe vitet e pushtimit fashist gjer në agun e mugët të vendosjes së regjimit monist, falë mbështetjes “dashamirëse” të shokëve jugosllavë, do të na shërbejë neve që do të gëzojmë fatin e lëçitjes së kësaj SAGE të madhe Shqiptare të pamungueshëm në raftet tona ballore të librarive shtëpiake, letërsinë shqiptare edhe në këtë kontekst kaq zdritës për kërshërinë tonë letrare, që na dhurohet bujarisht nga ky shkrimtar.
Shkrimtari Kristaq Turtulli, përfaqësohet jo vetëm si romancier, por edhe si filozof, i një epoke, që ka dashur të bëhet sunduese, por nuk ja arriti, sepse u projektua dhe u udhëhoq gabimisht. Mendimi filozofik i autorit Turtulli, ngrihet mbi epokën, që përshkruan. Turtulli është artist i fabulës dhe i fjalës
Saga e madhe Shqiptare ZËRAVE ZHURMAVE e shkritmarit Kristaq Turtullit sigurisht nuk ndalen me kaq, ndaj kjo Sagë lipset të lexohet kërshëri, duke pritur krijimimet e ardhshme.
ILLO FOTO,gazetar, studjues,
New York USA

MORFOLOGJIA SHPIRTËRORE NË LIBRIN “GJURMË NË JETE” TE SHKRIMTARIT AFIRMATIV NEKI LULAJ- Nga TAHIR BEZHANI

Neki Lulaj: “Gjurmë në jetë….” botoi Lena Grafik Prishtine,2024

Thënie e autorit për nxënësit:” Nxënësit janë si anijet që ankorohen buzë limanit në oborrin e shkollës. Mua sot më rrinë në kornizën e shpirtit plot djersë. Pas vrapit dhe lojërave era ua thante djersën fytyrëndriturve të kombit”.

Neki Lulaj është emër i përveçëm, në gjithë hapësirën shqiptare, i cili me krijimtarinë e vet të begatshme letrare, ka zënë vend në mesin e krijuesve më afirmativ në poezinë, por edhe në prozën tonë.
Një numër solid i veprave të botuara me poezi, ku temat e trajtuar në aspektin universal, me stilin, formën dhe forcën e fjalës, bëjnë që poeti nga diaspora, Neki Lulaj, të jetë i kërkuar e i dashur për lexuesit e artit letrar në përgjithësi.
Krijimtarinë letrare z. Lulaj e kishte filluar që herët, nga bankat e shkollës fillore të vendlindjes së tij ,në Prapaqan të Deçanit, për ta vazhduar gjithë jetën me një pasion të zjarrtë deri më sot, kur frymëzimet e tij gjithnjë rrinë të ndezura, si një grykë krateri i hapur e që gjithnjë vjell zjarr…
Vjeshtën e viti të kaluar u takuam së bashku në Mitingun jubilar të poezisë në Gjakovë, i 60- ti me radhë, me ç ‘rast me dhuroi dy libra me autograf dedikues, duke e bërë më të pasur bibliotekën time, por, edhe duke e njohur më shumë në thellësi mikun tim, Neki Lulaj.
Njëri, libër me poezi, ”Sofra e fjalës” dhe tjetri në prozë, ”Gjurmë jete”,që të dy ishin një dhuratë që më bën të ndihem i gëzuar. Me të vazhduar me leximin e këtyre dy librave, u gjenda në horizonte jete të papritura, të cilat më bënë kureshtar deri në maksimum, për t’u zhytur në kalavaret e një jete të përvuajtshme, me sakrifica, por me plot krenari jete.
Nga këto libra mora përvojën se sa e rëndësishme është jeta kur luftohet gjithmonë për të mirën deri në fitore. Vetëm sakrificat njeriut ia shtojnë bukurinë, vlerën ditëve të jetuara me përkushtim.
Pas luftës së fundit në Kosovë, krijimtaria letrare, sikurse ka marrë atë kahen e “ndarjes”, si letërsi e diasporës, një letërsi e shkruar më veçantë nga krijuesit tanë atje. Duke qenë të ndjekur në mënyre barbare nga politika shoviniste serbe, me të madhe u shtua ikja e kosovarëve nga vendet e tyre, që nga vitet 90’ e më herët, e në mesin e tyre edhe shume krijues të zotë, të cilët mbi vete e brenda në zemrat e tyre, morën gjithë mallin, lotët, vuajtjen dhe zjarrin e vendlindjes, atdheut të tyre të dashur.
I tillë është edhe krijuesi, poeti Neki Lulaj, edukatori i brezave të ardhshëm, i cili me përkushtim e devotshmëri punoi si profesor në disa shkolla shqipe të Kosovës. Duke qenë i shtrënguar të iki nga vendlindja, si shumë të tjerë, mori rrugën e gyrbetit, u vendos në Speyer të Gjermanisë, ku gjendet edhe sot.Pikërisht, në këtë qytet të Gjermanisë vazhdoi aktivitetin e tij letrare, duke u bërë personalitet kyç në jetën kulturore e letrare të diasporës sonë, jo vetëm si krijues veprash, por edhe si aktivist i denjë në shumë shtett të Evropës ,me një prestigj të lakmueshëm.
Ndalem në veprën prozaike,” Gjurmë në jetë”, e cila nuk është e definuar në kuptimin e zhanreve, por mbetët vepër prozaike moderne e kohës.Kjo vepër, për kuptimin tim, është një manual enciklopedie përmes të cilës, lexuesi në vazhdimësi ndeshet me ato gjëra të paditura deri me tani e posaçërisht një ndihmesë e mirë për brezat e rinj.Shëtitjet e panumërta të autorit në gjitha trojet shqiptare, kanë rezultuar të jenë një pasqyrë e gjithë historisë, duke përfshi zona të ndryshme vendesh shqiptare ,emrat e personaliteteve historike, vendet historike të kulturës sonë me shekuj deri në ditët e sotme, si kisha e vende tjera të kultit e kulturës sonë në përgjithësi.

Shëtitjet e këtij krijuesi të mirënjohur dhe dokumentacioni që ka vjelur nga vendet e vizituara prezantojnë një punë mjaft kolosale e cila ka zgjatur, ndoshta me vite deri te të dhënat e tilla, të cilat sot na shërbejnë, jo vetëm për kënaqësinë tonë, por edhe pasurojnë dijen dhe ndërdijen kombëtare e njerëzore.
Për këto fakte, bazuar në librin “Gjurmë në jetë”, Neki Lulaj, krijues nga diaspora i ngjan një Evlija Çelebiu të kohës sonë, i cili padyshim, me punën e tij të palodhur, lexuesit tonë po ia lë një pasuri krijuese të pakontestueshme, një aset kulturor.
Neki Lulaj, duke qenë i një niveli me kulturë e arsim të lartë, nuk hezitoi kurrë që me punën e tij të skalitë në vepër edhe përvojën së bashku me dijen për të lënë gjurmë në jetë.Pas thithjes së nektarit historik në gjitha trojet shqiptare, duke bashkëdyzuar dhimbjen me krenarinë historike, z. Lulaj i drejtohet kontinentit të largët, Tokës së Premtuar, Amerikës, me qëllim që të zgjerojë horizontin e dijes dhe ato t’i reflektojë në artin e tij krijues.
Ne SHBA, viziton shumë vende ku kanë vepruar dhe kontribuar shumë koka të mençura të kombit tonë, si Noli, Konica e shumë e shumë të tjerë. Ai nxjerr shënime e fakte historike, ndoshta te paditura për një pjesë të lexuesve tanë. Me fakte sqaron për mërgatën tonë si burim patriotizmi, veprime të gjendura arkivave të ruajtura mirë, si psh. Vatra, Dielli ,ku veprimtarët e çështjes kombëtare, Noli, Konica etj. mbesin të pavdekshëm me kontributet e tyre për çështjen kombëtare.
Autori i librit “Gjurmë në jetë.” gjen e shënon të parin emigrant shqiptar, i quajtur Kolë Kristofori nga Korça në vitin 1884. Pasojnë emra e kohë të tjera në librin në fjalë që pasurojnë kontinuitetin histok të mërgatës sonë atje.Pas Amerikës, Neki Lulaj i qaset Evropës, atyre vendeve ku kanë lenë gjurmë kokat gjeniale të kombit tonë, rilindasit e paharruar.
Ndalesa më e zgjatur ishte në Bukuresht të Rumanisë, aty ku rilindasit bënë historinë. Gjurmon e shënon të gjithë emrat e tyre, punën dhe veprimtaritë e tyre, me konsideratë të lartë.
Libri “Gjurmë në jetë” me 240 faqe, padyshim se përmban një volum të madh ngjarjesh, veprash dhe gjetje të tjera interesante, por kam bindjen e thelle se lexuesi i mirëfilltë do interesohet për të lexuar (pasur) këtë libër me shumë interes për kulturën dhe historiografinë tonë.
Në kuptimin përmbajtësor të librit në fjalë, theksoj se autori e ka ndarë në katër shtylla: “Rrëfimi për rrëfimin”, “Në rrugën e miqve të mi artistë dhe heronj”,” Miqtë për Neki Lulaj” dhe “Tryeza poetike,” dhe aktivitete e tij në shoqatat letrare në diasporë. Si kompliment mirënjohje, padyshim me ëndje lexohet, reçenca e Sejdi Berishës për mikun e tij, z. Neki Lulaj.

Neki Lulaj, moment nga puna krijuese.

Ndërsa, për librin voluminoz poetik, “ Sofra e fjalës”, shkarazi mund te them se është libër lirikash në të cilat rrëshqasin fjalët e zemrës së Neki Lulaj në teren imagjinate, të mbushur mall e dhimbje për vendlindjen, për popullin e tij, rrëfim për gjakderdhjen në luftën e fundit dhe heronjtë e skalitur në historinë më të re, të cilët, disa prej tyre, ishin miq e bashkëvendës të autori, si Sali Çeku etj.
Pastaj lexojmë poezi përkushtuese për familjarët, ku vend madhorë zënë prindërit, vendlindja dhe kullat si sinonim i qëndresës ,fjalës së urtë e të pathyeshme në kuptimin e qëndresës.
Ky libër, pra “Gjurmë në jetë” dhe ai me poezi “Sofra e fjalës”, do mbetën gjatë në kujtesën time, të cilët ua sugjeroj lexuesve të nderuar. Bilës këtë libër, (prozën), do e quaj si një atllas i gjeografisë shpirtërore.

 

Gjakovë, 09 shkurt,2025

Lutfi Alia vjen me librin e ri “Dita e Verës Shqiptare”

Shtëpia botuese “Streha” – Tiranë, ka botuar librin tim të ri “Dita e Verës Shqiptare”. Libri është redaktuar nga mikja ime e mirë, kolegia, shkrimtaria dhe poetia Dr. Lili KRISTULI. Parathënia është shkruar nga miku i kahershëm dhe i çmuar Prof. Vaso QANO. Ndër ilustrimet në libër janë dhe katër fotografi pikturash nga cikli “Pranvera”, dhuruar nga miku im, artisti Pashk PËRVATHI, Mjeshtër i Madh. Botimi i librit u konkretizua me kontributin fisnik dhe samaritan të mikut spepcial dhe kolegut Prof. Pëllumb PIPERO. Falenderoj me mirënjohje drejtuesin e shtapisë Botuese “Streha”, Ing. Andon DONO, për realizimin cilësor të librit.
Lexuesit që dëshirojnë të njihen me historinë, ritet, rregullat, normat, madhështinë e festimeve, jehonën dhe mesazhet kulturore e shpirtërore të festës hiroshe Dita e Verës mbarëshqiptare të trajtuara në këtë libër, mund të telefonojnë në numërin 068 2026582.
MEDITIME RRETH LIBRIT TË LUTFI ALIA: “DITA E VERËS SHQIPTARE”
Prof. Vaso QANO
Dita e Verës! Këto dy fjalë janë shumë të dashura për breza të tërë shqiptarësh, duke filluar nga thellësia e shekujve, madje vazhdojnë të jenë po aq të dashura dhe në ditët e sotme. Ardhja e pranverës pritet me shumë gëzim nga të gjithë dhe kështu ka ndodhur ndërmote. Pranvera shpreh ripërtritje në kuptimin më të gjërë të fjalës, andaj populli, me të drejtë, e ka veçuar momentin e ndarjes nga dimri dhe ardhjes së pranverës dhe për kremtuar këtë ndryshim, ka krijuar një festë me të vërtetë të bukur mbarëshqiptare.
Populli ynë, me gjenialitetin kulturor, ndër shekuj ka ngritur shumë monumente, prej guri, prej druri, vepra arti dhe të thurura me fjalë, por një monument i veçantë kulture është pikërisht festa Dita e Verës. Ajo nuk është vetëm një datë e rëndësishme kalendari, por ka vlerat e një monumenti kulture, kur mendojmë madhështinë e festimeve dhe mesazhet e kësaj feste të bukur. Këto janë arsyet dhe faktet, që kjo vepër e artit popullor i ka rezistuar kohëve dhe bëhet festa më e vyera dhe më e bukur mbarëshqiptare.
Kur miku im i kahershëm dhe i shtrenjtë Lutfi Alia më nderoi duke më kërkuar të shkruaj parathënien për studimin e tij të çmuar, përveç përgjegjësisë dhe vlerësimit, natyrshëm u ngjallën shumë kujtime të fëminisë e të rinisë tonë, kujtime që rrinin fshehur, por të përfshira në kujtesë dhe që u ripërtrinë me gjithë bukurinë e tyre. Ritet e bukura të kësaj dite, para, gjatë dhe pas kësaj feste, kanë mbetur në mendjet tona si ditët ndër më të bukurat të jetëve tona të thjeshta. Bukuria, korrektesa dhe serjoziteti me të cilat ndiqeshin të gjitha fazat e festës, tregojnë për një traditë të lashtë dhe të konsoliduar në jetën e popullit tonë.
Në Elbasan, Rrapi i Mansit është vendi i peligrinazhit popullor, është lëndina e piknikut ku shkojnë të gjithë për të festuar së bashku Ditën e Verës. Vizitat herët në mëngjes e fëmijëve dhe e familjeve që “bëjnë Kamë”, ishte riti i parë i 14 marsit, ditës festive të verës. Gatimet tradicionale dhe ballokumet – ëmbëlsira tipike, lulet e pranverës, menekshet dhe karakaftet, lojrat me zare e me arra, vizitat dhe pikniku madhështor, e kanë bërë këtë ditë të veçantë dhe të paharruar për të vegjëlit, për rininë dhe të rriturit. Është një vlerë e mrekullueshme, që kjo traditë shekullor vazhdon dhe është po aq madhështore, madje vazhdon të studiohet dhe të hulumtohet dhe në ditët e sotme.
Studimi i Lutfi Alia, që i paraqitet lexuesve me këtë vepër, i drejtohet një rrethi të gjërë dhe është vërtetë një studim serjoz, dinjitoz dhe i trajtuar mbi baza shkencore të mirëfillta. Ky libër është në vazhdën e punimeve dhe studimeve të tjera po aq dinjitoze të Lutfi Alia, i cili nuk kufizohet në studimet dhe me botimet vetëm në shkencat mjekësore, por si studiues erudit, kërkues dhe këmbëngulës, ka dhënë ndihmesë të madhe në shumë lëmi të tjera si të historisë, estetikës, etnografisë, publicistikës dhe të besimeve fetare. Të gjitha këto punime dhe kontribute, lidhen me një aspekt të përbashkët, me dashurinë e flakët për atdheun dhe kombin tonë të lashtë, i cili ka dhënë ndihmesën e vet të shquar në shekuj, në zhvillimin e historisë dhe të kulturës së përbashkët europiane.
I uroj librit të ri rrugëtim të gjatë dhe të suksesshëm, të arrijë në duart e çdo shqiptari dhe jo vetëm, por të pasohet me studime, punime dhe me vepra të tjera, që di t’i bëjë mirë vetëm Ai, autori i këtij libri dhe miku ynë i mirë, Lutfi Alia

POLIFONIA FEMËRORE NË LETËRSINË E AUTORES VJOLLCA ALIAJ- Nga Albert HABAZAJ

Dy fjalë për vëllimin me poezi “Qëndisur me fije dielli” dhe librin “Njeriu lind si një ditë e bukur” – prozë e shkurtër: skica letrare, tregime, ese

Poetët janë njerëzit më të mirë në botë. Ndërsa poeteshat, veçmas ato që spikasin në letërsinë artistike dhe estetike, janë më të mirat fare; aq më tepër kur ato fisnike shkrimore janë zonja, nëna, gjyshe…
Gjerdanin e bukur shkrimor që feks në letërsinë që prodhohet në Vlorë e zbukuron sidomos letërsia femërore, që vërtet e stolis kraharorin e qytetit.
Një nga synimet fisnike të shoqërisë sonë letraro-kulturore artistike është përurimi i letërsisë së mirë të miqve tanë të penës, ku veçojmë edhe përurimin e disa poeteshave dhe shkrimtareve të Vlorës.
Sot është dita e poetes lirike dhe shkrimtares Vjollca Aliaj dhe ne, me respekt për penën dhe kënaqësi për vlerat, që përçon autorja, po i organizojmë këtë festë letrare të thjeshtë, por të pastër e me shpirt, që na duket si një “qëndisje me fije dielli”, siç thotë Vjollca në një poezi lakonike.
Në parantezë, dua të përmend se nuk është veprimtaria e parë që ne bëjmë me Lidhjen Ndërkombëtare të Poetëve, Shkrimtarëve dhe Artistëve, “PEGASI” Albania, dhe për këtë unë gjej rastin të falënderoj z. Kristaq F. Shabani, jo vetëm si koleg e dashamirës, por për angazhimin e tij si President i Lidhjes Ndërkombëtare të Poetëve, Shkrimtarëve dhe Artistëve, “PEGASI” Albania, botues i Lidhjes së Krijuesve “PEGASI”, realizues i përkushtuar dhe I dalluar me prezencë krijuese, analitiko-studiuese në tryeza të rrumbullakta, konferenca, simpoziume, deri në Kongres letërsie. Kristaqi spikas me botime të shumta në mjaft gjini, është anëtar nderi i disa lidhjeve shkrimtarësh dhe akademive  të  shumë vendeve të tjera të Botës. Ndërkohë, është ideator i funksionimit të Akademisë Alternative Pegasiane, në të cilën marrin pjesë profesorë, akademikë, studiues, artisë me nivel dhe të spikatur në Trojet shqiptare dhe nga Bota.
Ndërkohë, Kristaq Shabani është redaktor i 2 librave që ka botuar deri më sot autorja Vjollca Aliaj.
Vjollca Qemal Hysaj Aliaj është një qytetare vlonjate, me gjenetikë të kulluar, si nga dera e babës, dhe nga dera e burrit, ku ndezi zjarrin në tokë e në det. Ajo është një atdhetare e dalluar, veprimtare e angazhuar, që i shërben dukshëm emancipimit të shoqërisë’ dhe edukimit estetik, moral dhe kulturor me jetën e saj vetiake, familjare dhe me letërsinë e kursyer që thur e meriton vëmendje. Vjollca është një zonjë e lexuar, e cila studimet e e larta nuk i ka kryer për Letërsi, por në Fakultetin Ekonomik, për Ekonomi Industriale. Sa mirë ka rastitur për të kjo mundësi! Më ravijëzohet, jo thjesht formalisht, potreti i saj si një bulëzim i formimit universitar të Fatos Arapit.
Si në poezi, edhe në prozë, autorja Vjollca Aliaj e njeh dhe e respekton ekonominë e fjalës, strukturën e poezisë moderne dhe me pak vargje shpreh shumë ndjenja e mendime.
Ngaqë redaktori i të dy librave, autori i të dy teksteve shtesë, siç quhen parathëniet në shkencën e bibliotekonomisë, unikali në llojin e vetë, Kristaq Shabani bëri një vështrim analitik të thukët, unë do të shpreh vetëm 2-3 mbresa për autoren. Vjollca Aliaj, së pari dhe së fundmi, është një poete e dashurisë në të gjitha kuptimet e bukura të saj. Vëllimin e parë me poezi “Qëndisur me fije dielli” (ç’titull i mrekullueshëm metaforik, që sdo të na shqitet nga kujtesa) ia kushton më të shtrenjtëve të saj, burrit të saj ushtarakut të lartë, diplomatit, publicistit, ish-prefektit të Gjirokastrës, njeriut me kulturë Astrit Kareman Aliaj, si dhe dy çupave të tyre aq të mira: Alketës dhe Dorelës. Po me ç’mjaltë shpirti e mbush vjershën “Të panjohurat e Nënujërave, Mbiujërave”, kushtuar babait të saj – komandantit të Sazanit dhe Karaburunit. Dhe në fund të poezisë shkruan: “IM AT’ dhe Deti”, një legjendë!/ hej, Hemingëay!/ Duhesh ti!”. Në një poezi tjetër, aq simbolike të titulluar “Simfoni Gruaje” në vetëm këto 8 vargje: “Çfarë sheh tek ne?/ Është një buzëqeshje/ qëndisur me fije dielli,/ E freskët do të jetë dhe nesër,/ por, kjo që dëgjon/ është këngë dashurie,/ këngë gruaje,/ rron përjetësisht…”, Vjollca ka gdhendur një monument lirik të veçantë për gruan. Ajo lufton shumë për emancipimin e gruas jo vetëm me penë, por me angazhimin e saj dinjitoz si kryetare e Shoqatës “Laskarina Bubulina” – Gratë e Detarëve Shqiptarë (GDSH), falë dhe mbështetjes së fuqishme të bashkëshortit, djalit të Vlorës e komandantit të zgalemëve të detit Astrit Aliaj, si dhe përkrahjes me zemër që i bëjnë simotrat e shoqërisë që drejton.
Vjollca është e përfshirë në disa antologji poetike, prozaike, si dhe rrëfimtarie, por libri “Njeriu lind si një ditë e bukur” është i dyti me firmën e saj, që vjen si një ndihmesë modeste në fushën e prozës së shkurtër me skica letrare, tregime dhe ese. Edhe në këtë libër me prozë ajo shfaqet natyrshëm e pa sforco si poete me konceptim të ri, të bukur, të lartë e letrarisht fisnik për jetën, për dashurinë, për vijimin e saj të denjë.
Në këtë libër, ajo paraqitet edhe me statusin e gjyshes, dhe këtë shportë me lule shkrimore ia kushton nipit Giorgio Alessandro Emanuele.
Prozat poetike të Vjollcës më nxjerrin mallin e Nonda Bulkës, por, patjetër, ndërtuar me një frymë të re, mbushur me dritë të ngrohtë, plot hapësirë dashurie, kthjelltësi mendimi, pranverë ndjenjash, që na dhuron kalendarin e jetës së vërtetë të njeriut, jo qaraman, jo të zymtë, të keq e të egër, por atij optimistit, qytetarit, të mirit, të qeshurit, njeriut të bukur në mision e në mesazhe. Ashtu sikurse bleta punëtore, që mbledh nektarin e luleve për mjaltin e kosheres, edhe Vjollca ka mbledhur nga shoqëria vlerat, virtytet, traditat më të mira, dijen, edukatën, mirësinë me frymëmarrje, mbresat e gjalla, të thella e të forta të jetës, diellin e librave të mirë të bibliotekave të pasura, “njeriun, që lind si një ditë e bukur” për të kënaqur shijet artistike dhe estetike të lexuesit.
Nuk mund të zgjatem më tepër, jo se nuk dëshiroj e s’mundem, por se program duhet respektuar dhe t’u lëmë radhë të tjerëve të thotë mendimet dhe urimet e tyre.
Veç një gjë dua ta shpreh, se një nga mesazhet më të forta të librit dhe patjetër të autores, (se libri është jeta e saj), unë e mora tek proza e vogël drithëruese “Me Bukovskin” e famshëm, ku shkrimtarja jonë bën këtë reflektim, tek ndalet në fëmijërinë e saj, pasi lexoi romanin e katërt të Bukovskit “Bukë me sallam”: “Nëse, do ta kujtoja gjënë më të bukur prej saj, do të përmendja praninë e prindërve në çdo moment”. Sidomos sot, kur ndjehet shumë ashpërsi, vrazhdësi, ç’ekuilibrim, skizofreni psikopateske, dhunë, sëmundje morale, dhimbje e infeksion në edukimin e fëmijve, duhet të pijmë ujë të kulluar në gurrën e kthjellët të edukimit të prindërve prurë me dinjitet në bashkëkohësi.
Udha e Letërsisë është e bukur se ka mozaik shkrimor, dhe të gjithë ne, guximtarët e lindur për fjalën e bukur letrare dhe që dimë ta mbajmë jemi në udhëtim, secili në korsinë e vetë. Kjo Udha e e Letërsisë më sjell imazhin e rrugëve automobilistike të qytetit, në të cilat nuk qarkullojnë vetëm veturat luksoze, autobuzat e makinat e rënda, por edhe biçikletat e bukura aq të këndshme dhe të dobishme.
Vjolla, të faleminderit, se, si një amvisë e zonja e fjalës na ke dhuruar një letërsi të mirë!
Jetë të gjatë dhe pena flori!

 

SOJLIU nga SKRAPARI- Esé nga Përparim Hysi

LIbri “Visare të Skraparit” nga VIKTOR BAKILLARI

Oswald Chambers thotë për librat;-Librat janë kloroform i bekuar i mendjes.Dhe ka shumë të drejtë.Sado jam i moshuar,por nuk ka ditë që mos lexoj.Sot këtë ese ia kushtoj një autori (nuk di sa e gjërë është gjeografia e njohjes për të,por mua më ka çuditur,me atë ngulmim aq skrupuloz që,dhe, po ta kishte detyrë shtëpie, nuk do kishte aq fuqi sa ta nxirrte në dritë dhe t’ua dhuronte lexuesëve me aq lehtësi,sa,po të vjedh një varg nga NOLI,do thosha:” Dhe na i dhuroi me aq lehtësi”sa zë burri veshnë e tij”.) Një punë e madhe hulumtuese në shumë fusha: në histori e gjeografi; në arkeologji; në tradita e zakone; në folklorin;në faunën dhe florën e krahinas;në statistikë;në demografinë dhe… jam i pazoti t’i numëroj të tëra. Dhe nëse shihni metaforën time për të:”SOJLIU”,nuk e kam futur në thonjëza,se,me të vërtetë është SOJLI.Këtë titull honorofik ai e meriton plotësisht. Qysh në kohën e tij,EPIKURI ka thënë:”Nuk është natyra ajo që i ndanë sojlitë nga sojësëzit,por veprat e secilit.”
*
Libri”Visare të Skraparit” të VIKTOR BAKILLARIT është një libër”tavoline” me rreth 700-faqe. Në gjykimin tim,kjo punë kaq voluminoze e tij,tregon që,së pari.VIKTOR BAKILLARI,në burimin e dijes pi ujë dhe nuk bën gargarë si shumë prej tyre,që dijet i fitojnë si”dy hunj e një purtekë”,por çudia e këtij kaq punëtori në kërkim të”visareve” është në vullnetin prej titani të tij,Kjo punë titanike e tij vihet re në referencat e shkrimet; në literaturën që ka shfletuar;në autorë të gjallë,por dhe nga ata që kanë lënë qoftë dhe një postulatë që do t’i vlente për librin e tij.
Tek i shfletoj faqet e këtij libri me kaq vlera për SKRAPARIN,veçanërisht,por dhe për KOMBIN,se ky libër,po nuk u pa me syrin e njerkës,siç ndodh rëndom nga”sojsëzët”,ka vendin e merituar në FONDIN E TRADITAVE dhe HISTORISË në BIBLIOTEKËN KOMBËTARE,
Libri fillon nga”njeriu i parë” tek “çifti i parë” dhe,mandej:statistikë,popullsia dhe ndarja administrative;objektet e kultit:Monumente të natyrës;në fushën e Mitilogjisë:fjalë e frazeologji të botës bimore në krahina të ndryshme të Skraparit;shprehje e tinguj nga fauna e Skraparit;fjalë të urta;përralla:gjë e gjëza(këto të ndara,si:në pjesët e trupit,puna dhe mjetet e punës;banesa,ushqimet,pijet,veshjet. Për mjetet kulturore dhe artistike;mjete të komunikimit e ndërlidhjes;mjete dhe për armët e luftës;për pemët e bimët;për kafshët e shpendët,për insektet,për fenomenet e natyrës;gjë egjëza problemore.
Një kapitull më vete: mallkimet,vajet,urimet,fjalë dhe shprehje.
Kapitull tjetër janë këngët e baladat, të ndara:Këngë kurbeti;këngë elegjiake:këngë për dëshmorët;këngë djepi;këngë dashurie dhe këngë të tjera lirike.Këngë dasmash.
Një kapitull me vlerë,zë EPIKA HISTORIKE dhe,së fundi,këngët e Pasçlirimit dhe deri në ditët tona.
Dinjiteti i këtij SOJLIU qëndron në modestiinë dhe moskapërdisjes e made in sojsëzëve:Për çdo referencë, evidenton autorin apo autorët,të cilët,me prezencën e tyre,si fare pa kuptuar,gati bëhen”bashkëautorë” të këtij libri me vlera të mëdha.
Natyrshëm,unë nuk kam asnjë grimë fuqie për të bërë”anamnezën” e gjithë kësaj pune me vlerë të VIKTOR BAKILLARIT,por në gjykimin tim ky libër ka vlera akademike dhe,së pari AKADEMIA të vlerësojë këtë punë titanike të tij. Dhe sa për SKRAPARIN që VIKTOR BAKILLARI e “ka lakuar në të gjitha rasat e GJUHËS SHQIPE” duhet ta shpallë”Qytetar nderi”.
Me këtë libër,VIKTOR BAKILLARI apo SOLJIU është jo vetëm një studjues,por dhe edukator.Ky deduksion imi nuk është origjinal,por e kam marrë nga RALF WALDO EMERSON.Ky thotë:”Njeriu që gjërat e rënda,i bënë të lehta,është edukator”. A nuk ka vepruar kështu,VIKTOR BAKILLARI?

Tiranë,26 dhjetor 2024


Send this to a friend