Kohët e fundit, në korridoret e Kongresitt ë Shteteve të Bashkuara është rikthyer një debat i njohur, por gjithnjë i ndjeshëm: si dhe pse përdoren fondet e taksapaguesve amerikanë për projekte jashtë Shteteve të Bashkuara. Së fundmi, një deklaratë e Kongresistit republikan nga shteti Teksas, Brandon Gill ka tërhequr vëmendjen e publikut dhe të disa rrjetëve sociale, pasi ai vuri në pikëpyetje financimin e disa nismave që lidhen me diskursin feminist dhe çështjet LGBTQ+, specifikisht, në një referencë në kritikat e tij ndaj ndihmës amerikane për shoqëritë civile në vendet e huaja. Përfaqësuesi Brandon Gill (R-TX-26) shërben në Nënkomisionin Mbikëqyrës të Dhomës së Përfaqësuesve për Efikasitetin e Financave Qeverisë (D.O.G.E.), i cili përqendrohet në hetimin dhe uljen e fondeve qeveritare për organizata të caktuara joqeveritare (OJQ).Në delaratën e tij, ai ka kritikuar, specifikisht, financimin e shoqërive civile jasht vendit, duke përmendur diskursin “feminist ‘queer’ në Shqipëri”, një shoqëri tradicionale dhe konservatore, duke promovuar diçka që është krejtsisht jasht natyrës dhe kulturës shqitare.

Deklarata e Z. Gill është një qasje që pasqyron një linjë më konservatore në politikën amerikane, të jashtme dhe të brendshme e cila kërkon që fondet publike të përqendrohen, kryesisht, në nevoja të brendshme ose në interesa të drejtpërdrejta strategjike të Shteteve të Bashkuara. Sipas këtij këndvështrimi, projekte të tilla jashtë vendit nuk duhet të përbëjnë prioritet për taksapaguesit amerikanë.
Megjithatë, kjo nuk është panorama e plotë e kësaj çeshtjeje. Për dekada me radhë, politika e jashtme e SHBA-së është ndërtuar mbi një kombinim të interesave të sigurisë dhe promovimit të vlerave demokratike. Përmes agjencive si USAID, në të kaluarën, Uashingtoni ka investuar me pretendimin për forcimin e institucioneve, sundimin e ligjit dhe të drejtave të njeriut në shumë vende partnere, përfshirë Shqipërinë dhe Kosovën. Mbështetësit e këtyre programeve kanë argumentuar se promovimi i barazisë, përfshirjes dhe lirisë së shprehjes nuk është thjesht çështje ideologjike, por një element kyç për stabilitetin afatgjatë. Sipas tyre, shoqëritë më gjithëpërfshirëse dhe me institucione të forta janë më pak të prira ndaj konflikteve dhe më të afta për të qenë partnerë të besueshëm të Shteteve të Bashkuara në nivel ndërkombëtar. Programet që mbështesin të drejtat e grupeve të ndryshme shihen nga disa si pjesë e këtij procesi të gjatë modernizimi dhe afrimi me standardet euroatlantike.
Debati i fundit mbi këtë çështje në Uashington, në thelb, nuk është vetëm për Shqipërinë e shqiptarët, por dhe për programet të tilla në vende të tjera. Si i tillë, ai reflekton një përplasje më të gjerë brenda vetë SHBA-së: mes një vizioni më të kufizuar të rolit amerikan në botë dhe një qasjeje që e sheh promovimin e vlerave demokratike si pjesë integrale të interesit kombëtar.
Prandaj, për vendet si Shqipëria dhe Kosova, këto diskutime në Uashington kanë rëndësi të veçantë. Sepse në kontekstin shqiptar, këto programe në të kaluarën kishin për qëllim mbështetjen e organizatave të shoqërisë civile me objektiv, ndër të tjera, promovimin e barazisë dhe të drejtave themelore, si dhe forcimin e institucioneve demokratike, jo dhe me aq sukses, do të gjykonin kritikët e atyre programeve. me akuzën se në shumë raste, shoqëria civile në Shqipëri ka qenë dhe është nën influencën e regjimit. Megjithkëtë, deklarata kongresistit Gill, nuk është ende një politikë zyrtare — të pakën jo tani për tani — por fillimi i një debati të brendshëm politik në SHBA mbi prioritetet e shpenzimeve dhe rolin e Amerikës në botë.
Si i tillë, ky debat në Washington duhet marrë seriozisht sepse do ndikojë, jo vetëm në rrjedhën e mbështetjes financiare për programe të tilla nga Shtetet e Bashkuara, por edhe mbi mënyrën se si përdoren fondet publike amerikane jashtë vendit në përgjithsi. Por edhe në drejtimin e marrëdhënieve dypalëshe amerikano-shqiptare dhe në mënyrën se si përkufizohet partneriteti i Shteteve si Shqipëria dhe Kosova me Shtetet e Bashkuara në vitet dhe dekadat qe vijojne.