– Ah, ç’qe ky ekskursioni sot! Falë drejtorit, thyem pak atë rutinën e përditshme, – tha Linda, e vetmja mësuese nga qyteti në shkollën e mesme, pasi kishim lënë prapa kalanë e Gradishtës në lagjen Bulkaj të Peshkopisë së sotme.
-“Juve u bëri mirë se thyet rutinën
Mua më bëri mirë se u takova me Dinën”- E sajoi aty për aty një dyvargsh Besi.
– Dinën? – u hodh Marjola.
– U takova me Kostandinën, mama Marjola, sekretaren e komitetit ekzekutiv nga Gjirokastra. Po unë e thërras Dina, nga një këngë që është kënduar dikur. Ma bëri trëk në zemër. Ka një këngë edhe për këtë. Një vajzë si ajo, aman o zot, është e zonja ta nxjerrë burrin edhe nga skutat më të errëta të ferrit.
– Ç’ne ti me Dinën, a t’u mbylltë?…Kaq keq ju paska zënë?
– Për atë vajzë jam gati të hidhem në zjarr.
– O Perëndi! Mos keni ndërmend të martoheni?
– Po, fill sa të fillojmë pushimet verore.
Marjola u kthye nga Raqi.
– Po fol, mo Raqi, ti e di e s’na ke thënë?
– Mos u ngut, kolege, jo me Dinën, me vajzën e drejtorit, – sqaroi Raqi .
– Me kë, mo, me atë të voglën?
– Jo, jo, mama Marjola, me të madhen, – i pëshpëriti në vesh Raqi.
Nëndrejtoreshë Marjolës nga Korça djemtë i thonin “mama”, se kishte gjashtë vjet në rrethin e Peshkopisë dhe ajo u thoshte “bir”. Ajo prishi buzët, sikur t’ia bënte “pëf!” Besi e lexoi shpërfilljen e saj dhe, si përgjigje për të, madje edhe për të tjerët, tha ashtu në hava:
– Ajo nuk është e lumtur këtu. Kam frikë se i ati nuk e trajton si duhet. Nganjëherë më duket, madje, se ajo do të martohet me mua, vetëm që të shpëtojë nga ky vend. Ama, tani që takova atë të uruarën, Dinën, nuk më bën zemra as për t’u martuar, as për të vdekur, – tha Besi diçka si me humor .
Marjola, duke e ndjerë gafën që bëri, ndërroi temë dhe i pëshpëriti Raqit:
– Di gjë ti, ka kohë që ka vdekur burri i Kostandinës?
– Jo, po pse më pyet?
– Ashtu kot.
– Përderisa i biri i saj është 13 vjeç, kaq i bie në klasë të shtatë, apo jo, babai e ka lënë nëntë vjeç, duhet të ketë katër vjet, – arsyetoi Raqi.
– Të paska zënë, më duket, edhe ty, – i tha ajo.
-Gjepura!
– Dhe keq bile.
– Jo, ç’ne.
-Të ka rënë në kokë që ç’ke me të.
– Ehu!
– Epo, pranverë, lëvrin gjaku.
– Mjaft tani, mama Marjola
– Si, nuk të janë shpejtuar të rrahurat e zemrës?
– Aspak.
– Nuk ndien një si pikëllim të ëmbël?
– Ç’janë këto!
– Nuk ndien të dridhura, nuk e di se çfarë?
– Hiç fare.
– Gënjeshtar! – briti Marjola. – Nuk ia hedh dot ti një mamaje korçare.
Pasoi një heshtje tjetër e gjatë.
– Marjola, – tha më në fund Raqi, – e di që mbase ke të drejtë?
Të hënën, pa filluar mësimi, Raqin e thirri drejtori, profesor Boriçi. Kishte veshur një xhaketë dopiopet, paksa më të gjatë se përmasat e trupit të tij. Në çastin kur dëgjoi të trokiturat te dera, u ngrit nga karrigia dhe filloi ta drejtonte me duar pas kofshëve, para se të thoshte “hyr!”. Raqi, sa shtyu derën, vuri re se drejtori dukej i shqetësuar dhe i plakur.
-Shoku Raqi, – zuri t’i thoshte, – sot në mëngjes mora një goditje të fortë, madje dy do të thosha. E para ishte vërtetë e pakëndshme, por jo e papritur. Kolegu juaj Besimi, pra, Besi, siç i flisni ju, nuk është ashtu si e njohim ne, ai ka probleme me biografinë, të cilën na e ka fshehur.
Raqi nisi diçka të thoshte, sigurisht në mbrojtje të Besit.
– Mos më ndërpre,të lutem, shoku Raqi. Për ato që të thashë ka prova që nuk lënë asnjë dyshim për përgjegjësinë dhe fajësinë e tij, pra ai ka kryer një krim, ju po deshët quajeni veprim, të cilin unë nuk jam i zoti as ta kuptoj, as ta justifikoj. Nuk është nevoja t’ju tregoj hollësira. Karakterin e tij të dobët të këtij njeriu unë e pata vënë re që në fillim të njohjes sime me të dhe nuk kam dyshim se edhe ju, si djalë i zgjuar dhe i ndjeshëm që jeni, duke jetuar kaq kohë me të dhe e keni njohur nga afër, do ta keni kuptuar këtë gjë. Por unë kisha shpresuar, madje isha i bindur, se nuk do të paraqitej nevoja për t’i bërë një diskreditim në kolektiv, i cili pas pak do të bëhej publik, gjë kjo fort e pakëndshme për ne.
Sidoqoftë nuk është kjo kryesorja. Gjatë karrierës sime të gjatë pedagogjike kam pasur të bëj me mjaft raste të ngjashme. Ajo që më shqetësoi dhe më dëshpëroi , aq sa s’jam në gjëndje t’jua shpreh, është njoftimi që m’u bë nga ana e vajzës se ata paskan ndërmend të martohen. Këtë as që e prisja. Mendoj se nuk e kisha hak një poshtërim të tillë. Po jua themë këto, shoku Raqi, sepse për aq kohë sa ju kam njohur, kam krijuar bindjen se e meritoni tërë respektin dhe besimin tim.
Drejtori nxorri nga xhepi një shami të kaltër, shfryu hundët i mallëngjyer dhe vazhdoi:
Kuptohet, shoku Raqi, se Besimi nuk është aspak njeriu që do të kisha zgjedhur unë për dhëndërr. Do t’ia kisha falur edhe këmbët e shtrembëra, edhe leshrat e gjata si paruke, pasi i ka grënë veshin qeni që në fëmini, çoroditjen morale dhe tiparet e neveritshme. Mund t’i kisha falur madje edhe fjalorin jo etik që përdor me nxënësit e kolegët, mjaft që të ishte pak i mirësjellur. Ju lutem të mos më merrni për snob. Ju mbase keni vënë re tek unë një farë paragjykimi për sa u përket njërëzve që vijnë nga shtresat e ulëta e të pakënaqurve. Kjo mund të jetë edhe e vërtetë. Për mua kjo gjë ka rëndësi të madhe. Dua t’ju themë se edhe vetë jam martuar dikur me një grua nga shtresë e ulët, por kjo është tjetër gjë. Ama sot ne kemi përparuar dhe fëmijët tanë duhet të emancipohen e të zgjedhin partner të denjë nga shtresa e vet. Po nejse, u larguam ca nga tema.
– Më fal, shoku drejtor, por Besi nuk më duket kaq djalë i keq. Ato që përmendni ju, këmba, flokët, biografia nuk varen nga ai, – bëri një ndërhyrje të sikletshme Raqi.
– Dakord, dakord, ju keni një farë të drejte, por ai le të shkojë të gjej shoqen e vet, jo vajzën time, se nuk e meriton fare, – u përgjigj drejtori dhe pastaj e mblodhi pak veten.
– Ja se ç’dëshiroja t’ju thosha, shoku Raqi: bisedova me atë fatkeqen, time bijë, dhe arrita në përfundimin se ajo nuk ndien ndonjë gjë të madhe për Besimin. Ç’është e drejta më duket e pamundur që vajzat e mia ta ulin veten deri në këtë shkallë. Po nuk e di për ç’arsye ajo ka një dëshirë të papërmbajtur për t’u martuar me kë të jetë… Natyrisht, unë do të isha i gatshëm ta bëja pjestar të familjes sime dhëndërrin tim të ardhshëm, në rast se ai do t’më pëlqente. Të ardhurat që siguron familja ime, normalisht nuk bien poshtë mesatares, falë edhe kontributit që jep shoqja Rahmie në ekonomisjen e shtëpisë. Pra, kalojmë shumë mirë. Duke qënë nëpunës edhe dhëndërri im, qoftë edhe i thjeshtë, ne renditemi ndër familjet e rangut të mesëm dhe me mirëqënie të lartë ekonomike. Në se është nga fshati, siguron edhe qytetin. Peshkopia është qytet i kategorisë së parë. Eshtë një perspektivë që plot të rinj do t’i joshte, apo jo? More le të ishim edhe pak më poshtë, por biografinë, nuk mund ta falim… Prandaj, shoku Raqi, duke e parë çështjen nga ana praktike, pa paragjykime, më kuptoni, thjesht dhe pastër, duke i marrë gjërat siç janë dhe duke i vlerësuar faktet siç u takon, mendova se mos ju, mbase, mundet, që…nuk di apo shprehem qartë?
– Jo, shoku drejtor, – tha Raqi, – kjo më duket e pamundur. Nuk dua të tregohem i pasjellshëm, po… në të vërtetë… më duket…
– Nuk keni pse të kërkoni ndjesë, biri im, s’është nevoja, ju kuptoj. Ma merrte mendja se kështu do t’më përgjigjeshit. Atëherë s’kemi ç’të bëjmë, do të kënaqemi me Besimin. Besoj se është e kot t’ia bëj këtë ofertë… atij të matematikës.
-U jam shumë mirënjohës për dashamirësinë që treguat për mua, profesor Boriçi, – tha Raqi, duke iu shmangur pyetjes së fundit të drejtorit.
– Jo, jo, mos më falënderoni, kolegu Raqi. Dasma do të bëhet në fund të qershorit, domethënë sapo të kemi mbyllur me sukses vitin shkollor. Nuk është ndonjë gjë zyrtare ajo puna e biografisë, një letër nga fshati është. Sigurisht kolegët janë të ftuar. Mund t’i thoni Besimit po ta takoni. Me të dua të kem të bëj sa më pak të jetë e mundur.
Raqi u kthye në sallën e mësuesve dhe komunikoi fjalët e drejtorit.
– Të trashëgoheni! – nxituan kolegët ta uronin pothuajse njëzëri.
– Bre! Bre! – ia bëri Besi. – Ta marrë djalli! Si ndodhi kjo punë fët e fët! Si m’u qepën mua, një mistrec me xhufkë, i krisur, i shëmtuar i pahairit, ama më i dituri nga të diturit! Ha-ha!… Kisha akoma shpresë se mos e anulonte të shkretën.
Kolegët shtangën nga ky monolog. Besi e vërejti këtë dhe, duke u drejtuar drejt tyre, tha me entusiazëm:
– Atëherë, u bë! Ju jeni të gjithë të ftuarit e mi. Nga familja e fisi im do të vijë vetëm babai e nëna. Që sot do të pronotoj dy dhoma dyshe në hotel-turizëm. Njëra për babanë e nënën, tjetra për nusen e dhëndërrin.
– Çfarë dhuratë do për dasmë, – u hodh Raqi ta kapërcente atë bisedë.
Besi u çel.
– Atë ahengun që na premtove mua e Tomorrit, si thua?
– Në rregull, – tha Raqi. – E lëmë për nesër atëherë.
Hotel “Korabi”, në Peshkopi, është pa fjalë hoteli më i madh në tërë Shqipërinë e Veriut. Dhomat 314, 315 u porositën dhe u parapaguan për katër netë rresht: e prëmte, e shtunë, e diel, e hënë. Prindërit e Besit mbritën në hotel ditën e prëmte, në mbrëmje vonë. Si rrallë ndonjë herë, mbase edhe të vetmen herë, u rregullua që dasma të bëhej në sallën e haje-pijes së hotel-turizmit, i cili u bë për Besin dhe prindërit e tij si shtëpia e dytë.
Të dielën, rreth orës shtatë pas dite, pritej të mbrinte në hollin e hotelit dhëndërri me nusen. Korridoret e hotelit ishin mbushur me mësues, doktorë, inxhinierë, agronomë e veterinerë, shumica nga Jugu dhe zyrtarë e ofiqarë të lartë të qytetit. Mes tyre ishte edhe Dina e admiruar prej Besit. Në momentin që, sipas zakonit, prindërit dhe motra e vogël do të shoqëronin nusen e dhëndërrin te hyrja e sallës së dasmës, ku i prisnin prindërit e dhëndërrit, ndodhi e papritura e shekullit. Besi e kishte lënë nusen dhe kishte ikur në drejtim të pa ditur. Çdo përpjekje për ta gjetur, e administruar nga kryefamiljarët e çiftit dhe nga organet kompetnte në rreth, Besit nuk iu gjet asnjë gjurmë.
Profesor Boriçi thirri Raqin.
– Shoku Raqi, më thuaj çfarë lodër po kurdis ai sharlatani, se na turpëroi fare.
Raqi mblodhi supet.
– Deri pak më parë ishte me ne, bëmë shaka mjaft. Pastaj u ngjit lart, duke na thënë: “bekojeni çiftin e ri!” Diku rrotull do të jetë.
– Do të kthehet ai si pulë e lagur, – tha me mllef drejtori dhe doli jashtë plot zemëratë.
– Nuk ka asnjë shans, të mos kthehet, – tha Liria, vajza e vogël e drejtorit.
– I gjori Besi! – tha mama Marjola. – Studimet i kishte kryer me mua.
Ndërkohë edhe Liria u shkëput nga ne.
– Të dyja janë bushtra, – tha mësuesja e gjuhës së huaj. – Do ta ketë pisk Besi me to
– Besi, – tha Raqi, gati nën zë, – është symbol i forcës jetësore.
Kjo shprehje bëri shumë përshtypje mes kolegëve. Ata vështruan njëri-tjetrin me nënkuptim.
– Ti, Raqi, di gjë për të? – pyeti Myzejeni, një punonjëse në komitetin e partisë, që mbulonte arsimin.
– Jo, ç’ është kjo pyetje? – iu përgjigj Raqi.
Të ftuarit dolën nga salla një e nga një dhe kryqëzonin vështrimet, duke nënkuptuar “ç’të bëjmë tani? Kjo s’ka më asnjë kuptim”
Salla mbeti bosh, si një shtëpi e braktisur nga lëkundjet e tërmetit.
Komentet