Nji kokërr dardhë, që nën dardhë pati ra,
Ndërsa mbi bar po dergjej qetësisht,
Vilet e rrushit që gëzoheshin kur pa
S’ju ndejt pa jua njitë nga mbrapa nji bisht.
-Keq m’vjen për ju, moj t’zeza, se e di mirë
Sa pak do t’ju zgjasë ky gaz, kjo alegri,
Sepse sot Njeriu, pa dhimbje e pa mshirë,
Me kamë do t’ju shtypë, do t’ju bajë bërsi.
-Pusho në paqë, moj faqeverdha dardhë,
E hallin mos na e qaj – ia pritën vilet,
-Duhet që për ty ne keq me na ardhë
Se po e len kyt botë pa i msue t’gjitha hilet,
Mbas pak ne bahemi venë ose raki,
E fort mirë e dimë për Njeriun se sa vlejmë,
Në gzime e n’halle përherë i bajmë shoqni
E mendtë shpesh ia marrim, por prapë ia kthejmë.