Mosmarrëveshje të rëndësishme po regjistrohen midis Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara, pasi Keir Starmer refuzoi të merrte pjesë në bllokadën detare të Ngushticës së Hormuzit, planin e promovuar nga Donald Trump.
Kryeministri britanik, sipas “Dailymail”, thuhet se po mban distancë nga plani i Uashingtonit, duke refuzuar të mbështesë një veprim të tillë, i cili mund të shkaktojë pasoja serioze për lundrimin ndërkombëtar dhe ekonominë globale.
Vendimi vjen pas dështimit të bisedimeve të paqes me Iranin, të cilat u zhvilluan në Pakistan, duke rritur shqetësimet për një përshkallëzim të ri në rajon.
Presidenti amerikan njoftoi se synon të vendosë anije ushtarake në një nga korridoret më të rëndësishme të energjisë në botë, me qëllim kontrollin e çdo anijeje që kalon nëpër rajon.
Përmes platformës Truth Social, Trump deklaroi se Marina Amerikane do të vazhdojë me inspektimet dhe ndërhyrjet e mundshme në anijet që i konsideron se shkelin rregullat, ndërsa lë paralajmërime të ashpra për vendet që nuk e mbështesin iniciativën.
Nga ana e Londrës, burime qeveritare kanë sqaruar se përparësia është ruajtja e lirisë së lundrimit dhe shmangia e tensioneve të mëtejshme. Britania, në bashkëpunim me Francën dhe aleatë të tjerë, po kërkon të formojë një aleancë ndërkombëtare që synon stabilitetin në rajon.
Ngushtica e Hormuzit konsiderohet thelbësore për tregtinë globale të naftës dhe gazit, duke e bërë çdo veprim ushtarak veçanërisht kritik për ekonominë globale.
Në të njëjtën kohë, marrëdhëniet brenda NATO-s duket se janë vënë në provë, me Trump që kritikon ashpër aleatët që nuk mbështesin veprime më agresive, duke intensifikuar klimën tashmë të tensionuar. Panorama