VOAL

VOAL

CPJ- Committee to Protect Journalists: Albanian riot police attack journalists covering demonstration

January 18, 2022
blank

Komentet

blank

Ligjvënësit amerikanë shtyjnë administratën të përcaktojë Rusinë, shtet që sponsorizon terrorizmin

VOA/Tatiana Vorozhko

Ligjvënësit amerikanë të të dy partive kryesore politike, po shtojnë presionin mbi administratën e Presidentit Bidenit për ta përcaktuar Rusinë si një shtet që sponsorizon terrorizmit.

Një rezolutë, që i kërkon Sekretarit të Shtetit të bëjë këtë përcaktim, është paraqitur në Dhomën e Përfaqësuesve në një kohë kur Kongresi është i predispozuar të ndëshkojë Moskën për luftën e saj kundër Ukrainës.

Propozuar nga republikani Joe Wilson nga Karolina e Jugut dhe demokrati Ted Lieu nga Kalifornia, rezoluta synon të shtojë Federatën Ruse në listën që përfshin Korenë e Veriut, Iranin, Sirinë dhe Kubën.

“Terrori rus duhet të ndalet,” tha ligjvënësi Wilson në një deklaratë.

Demokrati Ted Lieu tha se përcaktimi i Rusisë si një shtet terrorist do të jetë një përpjekje e mëtejshme për të ndëshkuar Rusinë për sulmin e saj në Ukrainë.

“Me këtë përcaktim, Shtetet e Bashkuara do të jenë në gjendje të ndalojnë eksportet me përdorim të dyfishtë në Rusi dhe të ndërmarrin veprime ekonomike kundër vendeve të tjera që bëjnë biznes me Rusinë,” tha ai në një deklaratë.

Të dielën, udhëheqësi i pakicës në Senat, Mitch McConnell, republikan nga Kentaki, i bëri thirrje Presidentit Joe Biden të vepronte. Zoti McConnell gjatë fundjavës vizitoi Kievin dhe u takua me presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy.

“Unë mendoj se është një ide e mirë dhe do ta mbështes atë,” u tha ai gazetarëve, sipas gazetës The Hill.

Zyrtarët dhe ligjvënësit ukrainas i kanë kërkuar me ngulm SHBA-ve ta ndërmarrin këtë hap.

“Ne besojmë se Rusia duhet të njihet zyrtarisht si një shtet sponsorizues i terrorizmit,” tha presidenti Zelenskyy gjatë takimit të tij me senatorin McConnell dhe anëtarë të tjerë të një delegacioni të Senatit.

Maria Zakharova, zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme ruse, i quajti përpjekjet për përcaktimin e Rusisë si shtet që sponsorizon terrorizmin, si “masa idiote”, të cilave Rusia do t’i përgjigjej.

“Ne, siç e dini, nuk lëmë asgjë pa përgjigje dhe ata duhet ta kuptojnë këtë,” tha ajo sipas një raporti të medias ruse më 28 prill.

Disa ditë përpara udhëtimit të zotit McConnell në Ukrainë, sekretares së shtypit të Shtëpisë së Bardhë Jen Psaki iu kërkua të përgjigjej rreth rezolutës së Kongresit në një konferencë për shtyp. Ajo nuk ofroi hollësi, por vuri në dukje se shumë nga masat e lidhura me përcaktimin, janë zbatuar që kur Rusia sulmoi Ukrainën.

Përveç rezolutës në Dhomën e Përfaqësuesve, një rezolutë dypartiake është paraqitur edhe në Senatin amerikan.

“Putini është një terrorist dhe një nga forcat më përçarëse në planet është Rusia e Putinit,” tha senatori republikan Lindsey Graham nga Karolina e Jugut, duke prezantuar rezolutën javën e kaluar.

“Rusia e Putinit e meriton këtë përcaktim,” tha senatori Richard Blumenthal, demokrat nga Kentaki i cili është bashkëautor i rezolutës.

Sekretari i Shtetit Antony Blinken u shfaq i hapur ndaj mundësisë, kur dëshmoi para Senatit në fund të muajit të kaluar.

“Nuk kam asnjë dyshim në mendjen time … se rusët po terrorizojnë popullin ukrainas,” tha sekretari Blinken, sipas gazetës The Wall Street Journal. “Avokatët po shohin në mënyrë që të sigurohemi të përmbushim kërkesat ligjore të atij përcaktimi.”

Disa anëtarë të Kongresit kërkuan konsultime me aleatët përpara se të bënin përkufizimin e Rusisë si një shtet që sponsorizon terrorizmin.

“Unë mendoj se sjellja e Rusisë sigurisht e justifikon këtë përkufizim, por shumë nga forca jonë për t’iu përgjigjur pushtimit rus të Ukrainës është një përgjigje e përbashkët me aleatët tanë evropianë,” tha senatori demokrat Chris Koons, duke folur me Zërin e Amerikës. “Kjo pothuajse do të ndalonte plotësisht çdo biznes, të çdo lloji me Rusinë.”

Sipas Departamentit të Shtetit, nga ky përcaktim, Rusia do të përballet me katër lloje sanksionesh: “kufizime për ndihmën e huaj të SHBA-së; ndalim të eksporteve dhe shitjeve të materialeve ushtarake; masa kontrolli mbi eksportet e artikujve me përdorim të dyfishtë; si dhe kufizime të ndryshme financiare dhe të tjera. ”

“Shtimi i Rusisë në listën e shteteve sponsorizuese të terrorizmit, do të ishte “opsioni ekonomik bërthamor” dhe një goditje e saktë kundër egos së Putinit,” shkruan në një koment në gazetën “Los Angeles Times”, Jason M. Blazakis, profesor në Institutin e Studimeve Ndërkombëtare Middlebury. Zoti Blazakis, drejtoi Zyrën e Financave dhe Emërtimeve kundër Terrorizmit të Departamentit të Shtetit në Byronë e Kundërterrorizmit nga viti 2008 deri në 2018.

Ai shpjegon se Departamenti i Shtetit mund të shtojë një vend në listë, pasi të japë “të paktën dy shembuj të terrorizmit të mbështetur nga ky shtet”.

“Ne nuk duhet të kërkojmë shumë larg, për të gjetur një shembull të qartë. Edhe sot, Rusia i ofron strehë një grupi të përcaktuar si terrorist nga SHBA, siç është Lëvizja Perandorake Ruse, e cila vepron pa u ndëshkuar në territorin rus. Është një grup, që ka trajnuar terroristë për të kryer një sulm në Suedi dhe ka shërbyer si një forcë përfaqësuese e Rusisë në Krime”, shkruan zoti Blazakis.

Të dyja rezolutat, të paraqitura në Dhomën e Përfaqësuesve dhe Senat, renditin shembuj të shumtë të aktiviteteve të Rusisë, që mund të cilësohen si terrorizëm i sponsorizuar nga shteti, siç janë veprimet e saj në Ukrainë, Çeçeni, Siri dhe vende të tjera.

“Është e rëndësishme të përdoret çdo mjet në dispozicion të Shteteve të Bashkuara dhe që komuniteti ndërkombëtar të mbajnë përgjegjës Putinin dhe Rusinë”, thotë Jonathan Katz, bashkëpunëtor në Fondin Gjerman Marshall, në një përgjigje me shkrim për Zërin e Amerikës.

Ai shton se “Rusia dhe zoti Putin dhe veprimet që kanë ndërmarrë në Ukrainë dhe globalisht, përputhen me kriteret e vendosura dhe ata duhet të etiketohen si sponsorizues të terrorit”.

Lituania është vendi i parë, përveç Ukrainës, që e njeh Rusinë si sponsor të terrorizmit. Të martën, më 10 maj, parlamenti i vendit e përcaktoi Federatën Ruse si sponsorizues të terrorizmit dhe i njohu veprimet e saj në Ukrainë si gjenocid.

“Nëse më shumë shtete njohin veprimet e Rusisë si gjenocid dhe Rusinë si një shtet terrorist, mund të shfaqet më shumë vullnet politik për ta dëbuar Rusinë nga të gjitha formatet ndërkombëtare, politike, kulturore, sportive, etj. Vendet që ende dyshojnë duhet të miratojnë sanksione më të ashpra, të furnizojnë me më shumë armë Ukrainën, etj.”, tha Paulius Saudargas, nënkryetar i parlamentit të Republikës së Lituanisë në një përgjigje me shkrim për Zërin e Amerikës.

Sipas agjencisë shtetërore ruse TASS, zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse Maria Zakharova e quajti rezolutën e parlamentit lituanez një “hap ekstremist”.

Leonid Slutsky, kreu i Komitetit të Çështjeve Ndërkombëtare të dhomës së ulët të parlamentit të Rusisë, tha se “rezoluta nuk ishte ligjërisht e detyrueshme dhe se ajo thjesht përsëriste ato, që ai i quajti, pikëpamjet rusofobike të Shteteve të Bashkuara”, sipas agjencisë Reuters.

blank

Biden synon t’i dërgojë një mesazh Kinës ndërsa viziton Korenë e Jugut, Japoninë

VOA/Marrë nga Associated Press

Presidenti Joe Biden u nis për në Korenë e Jugut dhe Japoni në një udhëtim gjashtë-ditor që synon ndërtimin e marrëdhënieve më të ngushta me udhëheqësit e vendeve aziatike.

Presidenti Biden do të përpiqet t’i dërgojë një mesazh Kinës se sulmi i zbrapsur i Rusisë në Ukrainë duhet t’i japë Pekinit një prespektivë të re në lidhje me mundësinë e goditjeve të tij në Paqësor. Presidenti Biden u nis të enjten dhe do të takohet me presidentin e sapozgjedhur të Koresë së Jugut, Yoon Suk Yeol dhe kryeministrin japonez Fumio Kishida. Bisedimet e tyre do të prekin tregtinë, zinxhirin global të furnizimit dhe programin bërthamor të Koresë së Veriut. Presidenti Biden do të takohet gjithashtu me udhëheqësit e aleancës së njohur si Quad, e cila përfshin Japoninë, Australinë dhe Indinë.

SHBA nën drejtimin e administrates Biden kanë krijuar një front të bashkuar me aleatët demokratë që ka kombinuar fuqinë e tyre ekonomike për ta bërë Rusinë të paguajë një çmim për sulmin e saj në Ukrainë. Kjo aleancë përfshin Korenë e Jugut dhe Japoninë.

Por edhe pse presidenti Biden do të pritet nga presidenti Yoon në një darkë shtetërore dhe do të zhvillojë biseda intime me kryeministrin Kishida, presidenti amerikan është i vetëdijshëm se këto marrëdhënie duhet të thellohen nëse duhet të shërbejnë si kundërpeshë ndaj ambicieve të Kinës.

Këshilltari i Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, Jake Sullivan tha se udhëtimi do të “tregojë se Shtetet e Bashkuara mundën të udhëheqin menjëherë botën e lirë në përgjigjen ndaj luftës së Rusisë në Ukrainë, dhe në të njëjtën kohë do të përcaktojnë një kurs për udhëheqje efektive, parimore dhe angazhim amerikan në rajon për shekullin e 21-të”.

Lufta në Evropën Lindore ka krijuar një ndjenjë urgjence rreth Kinës mes aleatëve kryesorë të SHBA-së në Paqësor. Shumë prej tyre e kanë parë këtë moment si krizën e tyre ekzistenciale – një krizë në të cilën është kritike t’i tregohet Kinës se nuk duhet të përpiqet të pushtojë territoret e kontestuara përmes veprimeve ushtarake.

Një pasqyrim i asaj se si presidenti Biden është përpjekur të balancojë çështjet e sigurisë në çdo hemisferë, ishte fakti se pak para nisjes për në Azi, ai priti kryeministren Magdalena Andersson të Suedisë dhe Presidentin Sauli Niinistö të Finlandës në Shtëpinë e Bardhë për të treguar mbështetjen për kërkesat e tyre për t’u anëtarësuar në NATO.

“Aleancat e Amerikës në Evropë dhe në Azi na mbajnë ne – dhe do të argumentoja gjithë botën – të fortë dhe të sigurt,” tha presidenti Biden në Kopshtin e Trëndafilave. “Ato janë mënyra se si ne përballemi me sfidat e kohës sonë dhe ofrojmë për njerëzit tanë mundësitë për një të ardhme më të mirë.”

Udhëtimi jashtë shtetit i presidentit Bidenit vjen ndërsa ai përballet me sfida të forta të brendshme: një mungesë qumështi industrial për foshnjet, inflacion që shkatërron buxhetin, një numër në rritje të infeksioneve COVID-19 dhe padurim në rritje midis një baze demokrate që përgatitet për një vendim të Gjykatës së Lartë që ka të ngjarë të rezultojë në një përmbysje të së drejtës të abortit.

blank

Biden: SHBA mbështet fuqishëm anëtarësimin e Finlandës dhe Suedisë në NATO

VOA

Presidenti amerikan Joe Biden takoi në Shtëpinë e Bardhë Presidentin e Finlandës, Sauli Niinisto dhe Kryeministren suedeze Magdalena Andersson, për bisedime rreth kërkesës së vendeve të tyre për anëtarësim në NATO, mbështetjen për Ukrainën dhe sigurinë evropiane. Në një konferencë pas takimit, zoti Biden tha se ShBA mbështesin fuqishëm anëtarësimin e vendeve nordike në aleancën ushtarake.

“Sot nuk ka dilema. Aleanca e NATO-s është e rëndësishme, është e efektshme dhe është më e nevojshme se kurrë. Aleanca është sot më e domosdoshme se më parë dhe do të thoja edhe për të ardhmen. Vendimi i Finlandës dhe Suedisë është dëshmi e këtij përkushtimi. Kjo është për të ardhmen. Është për një NATO të ringjallur që ka mjetet dhe burimet, qartësinë dhe bindjen për të mbrojtur vlerat tona të përbashkëta dhe për të udhëhequr botën”, tha Presidenti Biden.

Kërkesat e Finlandës dhe Suedisë për anëtarësim në NATO, erdhën pas sulmit të Rusisë kundër Ukrainës. Presidenti amerikan shtoi se si Finlanda ashtu edhe Suedia plotësojnë të gjitha kushtet e duhura për t’u bërë pjesë e aleancës ushtarake. Presidenti tha se do të dorëzojë sot në Kongres kërkesën e dy vendeve për ratifikim.

Suedia dhe Finlanda janë anëtarë të Bashkimit Evropian. Presidenti rus Vladimir Putin paralajmëroi Perëndimin se Moska do të përgjigjet nëse NATO shton praninë e saj ushtarake në Finlandë dhe Suedi, menjëherë pasi dy vendet nordike deklaruan të dielën se duan t’i bashkohen aleancës së dominuar nga ShBA.

Dy vendet do të përfitonin nga Neni 5 i aleancës, që parashikon që një sulm ndaj një vendi konsiderohet si sulm ndaj të gjitha vendeve, pasi të jerë anëtarësuar plotësisht.

Disa aleatë të NATO-s, të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara dhe Britania, kanë dhënë shenja se janë gati të ofrojnë mbështetje sigurie për Finlandën dhe Suedinë nëse Kremlini përpiqet të provokojë ose destabilizojë vendet nordike gjatë kohës së shqyrtimit të anëtarësimit të tyre.

Anëtarësimi në NATO kërkon miratimin konsensual të të gjithë anëtarëve.

blank

SHBA rihap ambasadën në Kiev

RFE/RL

Departamenti Amerikan i Shtetit njoftoi se SHBA-të rihapën ambasadën e tyre në Kiev të mërkurën, pasi e mbyllën atë për tre muaj për shkak të pushtimit rus të Ukrainës.

“Populli ukrainas, me ndihmën tonë të sigurisë, kanë mbrojtur atdheun e tyre përballë pushtimit të pajustifikuar të Rusisë dhe, si rezultat, Yjet dhe Shiritat po valëviten përsëri mbi ambasadë”, deklaroi Sekretari i Shtetit Amerikan, Antony Blinken.

“Ne qëndrojmë me krenari përkrah, dhe vazhdojmë të mbështesim qeverinë dhe popullin e Ukrainës, teksa ata mbrojnë atdheun e tyre nga lufta dhe agresioni brutal i Kremlinit”.

Departamenti Amerikan i Shtetit mbylli ambasadën në Kiev më 14 shkurt, 10 ditë përpara se trupat ruse të kalonin kufirin, në përpjekje për të rrëzuar qeverinë e Ukrainës dhe për të instaluar një tjetër në përputhje me politikën e Moskës.

Diplomatët amerikanë vazhduan të ofronin shërbime nga qyteti perëndimor i Lvivit, ndonjëherë duke qëndruar gjatë natës në Poloninë fqinje për shkak të shqetësimeve mbi sigurinë.

Kthimi në Kiev erdhi disa javë pasi forcat ukrainase mposhtën përpjekjet ruse për të marrë kontrollin e Ukrainës veriore dhe kryeqytetit, ndërsa lufta u përqendrua në lindje dhe jug të vendit.

“Teksa ndërmarrim këtë hap të rëndësishëm, ne kemi paraqitur masa shtesë për të rritur sigurinë e kolegëve tanë që po kthehen në Kiev dhe kemi përmirësuar masat dhe protokollet tona të sigurisë”, tha Blinken.

blank

Seancë dëgjimore në Kongres lidhur me UFO-t

VOA

Kongresi amerikan zhvilloi të martën një seancë dëgjimore lidhur me provat e egzistencës së objekteve fluturake të paidentifikuara, shkurtimisht UFO. Kjo është hera e parë në 50 vjet që Kongresi i kushton vëmendje kësaj çështje. Sidoqoftë, vëmendja është pëqëndruar tek kërcënimi që paraqesin këto objekte për sigurinë kombëtare, jo nga qënie të një bote tjetër, por nga kundërshtarë të mundshëm në Tokë.

Për herë të parë pas 50 vjetësh çështja e UFO-ve është rikthyer tek vëmendja e ligjvënësve amerikanë, të cilët thonë se përbën shqetësim për sigurinë kombëtare. Një zyrtar i lartë i mbrojtjes thotë se Pentagoni po përpiqet t’i kushtojë vëmendjen e duhur kësaj çështjeje ndërsa përballet me sfida.

“Çdo vëzhgim i regjistruar mund të jetë i shkurtër, ose më i gjatë. Mund të jetë i filmuar, ose mund të mos jetë. Mund të jetë i vëzhgueshëm nga një objektiv, ose shumë burime. Me pak fjalë, është e vështirë të kemi një shpjegim. Për shembull, videoja e parë, që po paraqes, tregon vëzhgimin në kohë reale”, tha Scott Bray, Zëvendësdrejtor i Zbulimit të Marinës amerikane.

Pamje të filmuara nga një avion luftarak amerikan tregojnë një objekt fluturues të paidentifikueshëm.

“Siç shihet, këto janë provat që kemi dhe në disa raste vëzhgimet janë akoma më të pakta”, tha zoti Bray.

Seanca vjen pothuajse një vit pasi një raport qeveritar dokumentoi më shumë se 140 raste të fenomeneve ajrore të paidentifikuara të vëzhguara nga pilotë të ushtrisë amerikane që nga viti 2004.

Çështja e jashtëtokësorëve është stigmatizuar prej shumë vitesh. Ronald Moultre, Nënsekretar i Mbrojtjes për çështjet e zbulimit, tha se Pentagoni po përpiqet t’i kushtojë vëmendjen e duhur çështjes së UFO-ve dhe të inkurajojë pilotët dhe personelin ushtarak, që të raportojnë çdo gjë të pazakontë që mund të shohin.

Seanca dëgjimore u përqendrua tek mundësia që kundërshtarët e Shteteve të Bashkuara po zhvillojnë teknologji sekrete, që mund të interpretohet si UFO dhe përbëjnë rrezik për sigurinë e Shteteve të Bashkuara.

blank

Jim Richardson, CEO pranë ish Sekretarit të Shtetit: “Ai është treguar i sjellshëm, fotot s’janë mbështetje ndaj ndonjë lideri a grupimi politik”

Kur Evi Kokalari e pyet Jim Richardson, Drejtor Ekzekutiv pranë ish Sekretarit të Shtetit Mike Pompeo rreth fotove të bëra gjatë takimit, ku z. Pompeo dilte në mes katër deputetëve të shpartalluar nga votimi i bazës të PD që kanë humbur çdo post, veç atij të deputetit, pra nuk kanë asnjë funksion në PD, Jim Richardson përgjigjet: “Përshëndetje Evi, Sekretari Pompeo ka bërë një seri fotografish me të gjithë të pranishmit në dhomë gjatë MOU Memorandumit të Mirëkuptimit. Dakordësia e tij për të bërë foto nuk lidhet dhe nuk është e barabartë me miratim apo mbështetje ndaj ndonjë lideri ose grupimi politik. Thjeshtë, ai është treguar i sjellshëm gjatë këtij eventi të rëndësishëm.”

 

blank

 

 

blank

Kokalari: Pompeo, vizitë private në Tiranë në këmbim të shumës së majme

Ish-Sekretari i Shtetit, Mike Pompeo, po viziton Tiranën. Ndërkohë aktivistja shqiptaro-amerikane, Evi Kokalari shkruan se kjo është një vizitë private e Pompeos.

POSTIMI I PLOTE

Disa gjëra që duhet të keni parasysh nga vizita e Mike Pompeos në Tiranë.

1. Mike Pompeo është në Shqipëri në kapacitetin e një personi privat dhe kjo nuk është vizitë zyrtare.

2. Mike Pompeo është në Tiranë për të dhënë një fjalim tek një komunitet jo-shqiptar, të cilën po e bën në këmbim të një shumë të majme parash, dhe nuk ka ardhur as për qeverinë e Ramës, as për opozitën fallco me seli te Rruga e Elbasanit, dhe as për 100 vjetorin e miqësisë midis Shqipërisë dhe Amerikës.

3. Ardhja e tij është koordinuar me ambasadën siç bëhet zakonisht në këto raste dhe zonja Kim ka organizuar disa evente për të, ku hyn dhe konferenca me grupin parlamentar sot, si dhe një çmim te organizuar nga UT dhe kjo me pagesë.

Mos bini pre e filmave që duan t’ju shesin në mbështetje të luftës kundër opozitës shqiptare. Z. Pompeo i është dërguar një shpjegim i detajuar i ngjarjeve politike të fundit në Shqipëri dhe nuk është këtu për të përkrahur axhendën politike të askujt.

Për arsye sigurie, informacionet e tjera mund t’i shkruaj mbas largimit të tij nga Shqipëria. syri.net

blank

blank

Bideni mbështet “derën e hapur” të NATO-s për Suedinë dhe Finlandën

RFE/RL

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, ka theksuar “bashkëpunimin e ngushtë të sigurisë dhe mbrojtjes” midis Shteteve të Bashkuara, Finlandës dhe Suedisë në një telefonatë të përbashkët me liderët e këtyre vendeve më 13 maj, në të cilën ai inkurajoi gjithashtu anëtarësimin e tyre në NATO.

Një njoftim nga Shtëpia e Bardhë tha se Biden gjithashtu “përsëriti angazhimin e tyre të përbashkët për të vazhduar koordinimin në mbështetje të Ukrainës dhe popullit ukrainas të prekur nga lufta”.

Ai bisedoi me kryeministren suedeze, Magdalena Andersson dhe presidentin finlandez, Sauli Ninisto.

Shtëpia e Bardhë dhe Pentagoni thanë më vonë se po kërkonin sqarime mbi kundërshtimet e mundshme nga aleati i NATO-s, Turqia, ndaj anëtarësimit finlandez dhe suedez.

Qeveritë suedeze dhe finlandeze këtë javë kanë paraqitur plane për të angazhuar vendet e tyre që të aplikojnë për anëtarësim në NATO sa më shpejt, si rezultat i kërcënimit të parashikuar nga Moska.

“Presidenti Biden nënvizoi mbështetjen e tij për politikën e dyerve të hapura të NATO-s dhe për të drejtën e Finlandës dhe Suedisë për të vendosur vetë për të ardhmen e tyre, politikën e jashtme dhe marrëveshjet e sigurisë”, thuhet në njoftimin e Shtëpisë së Bardhë.

Shumë anëtarë të aleancës kanë shprehur tashmë mbështetje për aplikimet nga Suedia dhe Finlanda, të cilat tradicionalisht kanë mbetur neutrale.

Por presidenti turk, Rexhep Tajip Erdogan më 13 maj tha se ai nuk kishte një “mendim pozitiv” për anëtarësimin e tyre.

Anëtarësimi në NATO kërkon mbështetje unanime midis 30 vendeve anëtare.

Disa orë pas komentit të Erdoganit, Shtëpia e Bardhë dhe Pentagoni thanë se “po punonin për të sqaruar pozicionin e Turqisë” në lidhje me Suedinë dhe Finlandën.

“Asgjë nuk ndryshon në lidhje me qëndrimin e tyre në aleancën e NATO-s,” tha zëdhënësi i Pentagonit John Kirby. “Ne po punojmë për të qartësuar më mirë pozicionin [e tyre]”.

Finlanda, e cila ndan një kufi 1,340 kilometra dhe një të kaluar të trazuar me Rusinë, tha më 12 maj se duhet të aplikojë për t’u bashkuar me aleancën ushtarake të NATO-s “pa vonesë”.

Ndërkaq ministrja e Jashtme e Suedisë, Ann Linde tha se anëtarësimi i Suedisë në NATO do të kishte një efekt stabilizues dhe do të ishte me përfitim të gjitha shtetet e detit Baltik.

blank

DASH: Kosova dhe Serbia i zgjedhin vetë prioritetet për politikë të jashtme

RFE/RL

“Kosova dhe Serbia janë shtete sovrane, të cilat kanë të drejtë të zgjedhin vetë prioritetet e tyre për politikë të jashtme”, ka thënë një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit, në një përgjigje me shkrim për Zërin e Amerikës në gjuhën serbe.

Departamenti amerikan i Shtetit e ka bërë këtë deklaratë, pasi presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se Kosova, duke bërë kërkesë për anëtarësim në Këshillin e Evropës, ka shkelur Marrëveshjen e Uashingtonit.

Në shtator të vitit 2020, Kosova dhe Serbia kanë nënshkruar një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike, e njohur si Marrëveshja e Uashingtonit.

Me këtë marrëveshje, Kosova është pajtuar për një moratorium njëvjeçar mbi përpjekjet e saj për t’u anëtarësuar në organizata ndërkombëtare, ndërsa Serbia ka rënë dakord për një moratorium – po ashtu njëvjeçar – mbi fushatën e saj kundër njohjeve të Kosovës si shtet.

Në bazë të Marrëveshjes së Uashingtonit, moratoriumet tashmë kanë skaduar, por Departamenti amerikan i Shtetit ka inkurajuar më herët Kosovën dhe Serbinë që t’i vazhdojnë ato për të mundësuar përparim në marrëdhëniet mes dy vendeve.

“Moratoriumi ka pasur synim të rrisë hapësirën për bisedime dhe kompromis mes Kosovës dhe Serbisë, çka ne besojmë se përbën interes strategjik për të dyja shtetet”, ka thënë Departamenti amerikan i Shtetit në një përgjigje për Zërin e Amerikës.

“Ne vazhdojmë të besojmë se dialogu për normalizim të marrëdhënieve, me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian, është kyç për të dyja shtetet, në mënyrë që t’i hapin rrugë të ardhmes evropiane. Ne bëjmë thirrje për pjesëmarrje urgjente, fleksibile dhe serioze në këtë proces”, ka thënë Departamenti amerikan i Shtetit.

Pasi zëvendëskryeministrja e Kosovës, Donika Gërvalla, ka dorëzuar kërkesën e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës më 12 maj, presidenti Vuçiq u ka thënë gazetarëve në Beograd se Prishtina “ka shkelur brutalisht” Marrëveshjen e Uashingtonit.

“Pas gati dhjetë vjetëve të shkeljes së Marrëveshjes së Brukselit, ata kanë shkelur edhe Marrëveshjen e Uashingtonit, derisa rezoluta 1244 nuk është respektuar kurrë nga udhëheqësit e tyre”, ka thënë Vuçiq.

Për shkak të vendimit të Kosovës, presidenti serb do të mbajë një takim me Këshillin e Sigurisë Kombëtare, të premten, 13 maj.

Marrëveshja e Uashingtonit, e arritur më 4 shtator të vitit 2020 në Shtëpinë e Bardhë, është nënshkruar në prani të ish-presidentit amerikan, Donald Trump.

blank

Guvernatori Republikan i Floridës Ron DeSantis nënshkruan projektligjin që e shpall 7 Nëntorin “Ditën e Viktimave të Komunizmit” Nga Elida Buçpapaj

Në majin e vitit të shkuar Shteti i Teksasit votoi për të caktuar 7 Nëntorin si “Ditën Përkujtimore të Viktimave të Komunizmit” në kujtim dhe nderim të atyre që kanë humbur jetën dhe kanë vuajtur nën regjimet komuniste.

Anëtarja e Këshillit të VOC (Victims Of Communism) është edhe banorja e Teksasit, Dr. Elida Dakoli e cila dha një dëshmi të fuqishme përpara Dhomës së Përfaqësuesve të Teksasit në rrëfimin e përvojave tragjike të familjes së saj nën regjimin komunist të Shqipërisë.

«Kur ​​gjyshi im refuzoi t’ia dorëzonte pasurinë partisë komuniste, ai u burgos, shtëpitë e tij u shkatërruan dhe gjyshja ime me katër fëmijët e saj të vegjël të moshës 1-12 vjeç – përfshirë babanë tim – u hodhën në rrugë pa asgjë Vëllai i saj e strehoi me guxiom gjyshen time dhe fëmijët, por gjyshi im u vra në burg. Ne ende nuk e dimë se ku është varri i tij. Përndjekja e anëtarëve të familjes sime vazhdoi për katër breza. ”

Përveç Texas-it ishin edhe shtetet e Alabama-s, Utah, Virginia që kishin miratuar rezoluta për të njohur zyrtarisht 7 nëntorin si “Dita Përkujtimore e Viktimave të Komunizmit”. Shteti i Virginia ishte i pari që në mars të 2018 njohu 7 Nëntorin si “Victims of Communism Memorial Day”. Pritet e njëjta gjë edhe nga nëntë shtete të tjera si Arizona, Arkansas, Florida, Idaho, Illinois, Misuri, New Jersey, Pennsylvania dhe Carolina e Jugut.

Dhe ja më 9 maj Guvernatori Republikan i Floridës Ron DeSantis  nënshkroi Projektligjin e Dhomës së Përfaqësuesve (HB) 395, duke e caktuar 7 Nëntorin si “Ditën e Viktimave të Komunizmit” për të nderuar qindra miliona njerëz që kanë vuajtur nën regjimet komuniste në mbarë botën. Guvernatori njoftoi gjithashtu se ai do të miratojë 25 milionë dollarë në buxhet për të mbështetur rinovimet dhe restaurimin e Kullës historike të Lirisë në qendër të Majamit.

Në faqen zyrtare të Guvernatorit RonDeSantis lexojmë: “Nderimi i njerëzve që kanë rënë viktimë e regjimeve komuniste dhe mësimi nga studentët tanë për ato mizori është mënyra më e mirë për të siguruar që historia të mos përsëritet”, tha guvernatori Ron DeSantis. “Përmes HB 395 dhe financimit të shpallur sot, ne po garantojmë që historia e atyre që u vranë nga regjimet komuniste dhe përvojat e tyre të ruhen dhe të mos harrohen nga studentët tanë. Ndërsa është në modë në disa qarqe të llustrohet historia e komunizmit, Florida do të qëndrojë për të vërtetën dhe do të mbetet si Shteti Diellshkëlqyes.”

“Faleminderit Guvernator DeSantis, për udhëheqjen tuaj të vazhdueshme dhe Legjislativin për ofrimin e këtij financimi kritik për Kullën e Lirisë së Majamit dhe caktimin e 7 Nëntorit si Ditën e Viktimave të Komunizmit”, tha nën Guvernatoria Jeanette Nuñez. “Projektligji 395 edukon këtë brez fëmijësh dhe brezat e ardhshëm për ideologjinë, historinë dhe tmerret e komunizmit, në mënyrë që liria të mbetet gjithmonë e gjallë në shtetin e diellit.”

HB 395 përcakton 7 Nëntorin si “Ditën e Viktimave të Komunizmit” dhe u bën thirrje shkollave publike që ta respektojnë këtë ditë. Nxënësve të shkollave të mesme do t’ju kërkohet të marrin të paktën 45 minuta mësim mbi temat që lidhen me regjimet komuniste dhe se si kanë vuajtur viktimat nga këto regjime. Udhëzimet për këto tema do të kërkohen duke filluar nga viti shkollor 2023-2024, sqarohet më tutje në faqen elektronike të Guvernatorit të Floridës.

“Unë janë këtu sot për të folur në emër të 120,000 studentëve të Kolegjit Miami-Dade, 75% e të cilëve janë hispanikë dhe shumë prej prindërve dhe gjyshërve të tyre ikën nga komunizmi për t’u dhënë atyre mundësinë për të lindur këtu,” tha Madeline Pumariega, Presidente e Kolegji Dade në Miami. “Investimi juaj këtu siguron se edhe në njëqind vitet e ardhshme historia e prindërve të mi, e prindërve tanë dhe e gjyshërve tanë të tregohet vazhdimisht. Ne do të vazhdojmë të ruajmë trashëgiminë e atyre që njohim dhe atyre që nuk i njohim.”

“Korriku i ardhshëm do të shënojë dhjetëvjetorin e vrasjes së babait tim nga duart e regjimit kuban”, tha Rosa María Payá, Aktiviste Kubane për të Drejtat e Njeriut. “Siç kanë bërë mijëra kubanë më parë dhe ndërsa ne flasim sot, të paktën 1000 kubanë po vuajnë burgimin politik për marshimin paqësor duke kërkuar lirinë. Është koha të ndalet ky proces, kjo fabrikë e viktimave të komunizmit. E vlerësoj këtë iniciativë dhe faktin që po nderojmë viktimat e komunizmit duke u mësuar të rinjve të këqijat e komunizmit dhe detyrimin moral që kemi për ta ndalur atë.”

25 milionë dollarë financim do t’i jepen Kolegjit Miami-Dade për të mbështetur ruajtjen dhe përmirësimin e Kullës së Lirisë, aktualisht shtëpia e Muzeut të Artit dhe Dizajnit të Kolegjit Miami-Dade. pjesë e këtij Muzeumi është edhe Galeria e Trashëgimisë Kubane dhe Eksperiencën e Mërgimit që nderon trashëgiminë e amerikanëve kubanë. Kulla e Lirisë u përdor për Qendrën Kubane të Asistencës në vitet 1960 për të ndihmuar kubanezët që ikin nga regjimi komunist të kenë akses në burimet për jetën e tyre të re në Shtetet e Bashkuara.

Financimi do të përdoret për të përfunduar riparimet urgjente strukturore, për të ruajtur dhe restauruar komponentët arkitekturorë historikë, për të instaluar sistemin e ajrosjes dhe temperaturës dhe sistemet e sigurisë me standartet muzeale për të mbrojtur pjesët e vendosura në muze, për të përmirësuar ekspozitat e muzeut dhe për ta bërë ndërtesën më të aksesueshme për personat me aftësi të kufizuara.

SB 160 krijon një numër përcaktimesh nderi të objekteve të transportit në të gjithë Florida. Do të ketë 26 emërtime rrugësh në të gjithë shtetin, duke përfshirë tre emërtime për të nderuar kubanët që luftuan kundër regjimit të Kastros. Këto tre emërtime do të nderojnë Arturo Diaz Artiles dhe Oswaldo Paya përmes përcaktimeve të rrugëve në kontenë Miami-Dade si dhe Maximino dhe Coralia Capdevila përmes përcaktimeve të rrugëve në County Hillsborough.

Gjatë një konference për shtyp Guvernatori DeSantis tha se kjo ditë ka për qëllim “të nderojë më shumë se 100 milionë njerëz që kanë rënë viktimë e regjimeve komuniste në mbarë botën”.
“Ne duam të sigurohemi që çdo vit, njerëzit në Florida – por veçanërisht studentët tanë – do të mësojnë për të këqijat e komunizmit, diktatorët që kanë udhëhequr regjimet komuniste dhe qindra miliona individë që kanë vuajtur dhe vazhdojnë të vuajnë nën peshën e kësaj ideologjie të diskredituar”, tha ai.

Ndërsa në Twitter doli me këtë tweet:

“Sot, caktova 7 Nëntorin si Ditën e Viktimave të Komunizmit për të nderuar ata që kanë vuajtur nën komunizëm dhe për t’u kujtuar njerëzve shkatërrimin që komunizmi ka shkaktuar në mbarë botën, duke përfshirë një numër të viktimave që i kalon 100 milionë. Në Florida, do të tregojmë të vërtetën për komunizmin.”, me këtë tweet doli në Twitter Guvernatori Republikan Ron DeSantis.

 

 

blank

blank

240 mijë shqiptarë në pritje: Sot dalin përgjigjet e Lotarisë Amerikane

Të gjithë personat që kanë aplikuar për Lotarinë Amerikane do të marrin sot përgjigje.

Duke nisur nga ora 18.00, shqiptarët mund të mësojnë nëse janë përzgjedhur si fitues apo jo. Siç njofton edhe Departamenti i Shtetit i SHBA, Çështjet Konsullore, për t’u interesuar rreth aplikimit tuaj mund të klikoni këtu.

Pasi të ndodheni në uebfaqen e Departamentit të Shtetit, duhet të klikoni mbi butonin “check status” e më pas të vendosni kodin unik që u është dhënë në tetor kur keni bërë edhe aplikimin.

Përzgjedhja bëhet në mënyrë rastësore përmes një shorti kompjuterik.

Në pritje për përzgjedhjen janë rreth 240 mijë shqiptarë.

Një dramë e shoqërisë sonë është emigrimi i shqiptarëve, sidomos i rinisë.

Shqipëria po shpopullohet çdo vit e më shumë teksa të shumtë shqiptarë tentojnë të gjejnë ”shtëpinë” e tyre diku tjetër.

Për qindra mijëra shqiptarë, të pakënëquar me kushtet në vend dhe mënyrën e qeverisjes, çdo vit kërkojnë të largohen dhe një mundësi shohin edhe lotarinë amerikane.

Raportet e hërëpashershme të institucioneve vendase e të huaja zbulojnë një braktisje masive të vendit kryesisht nga të rinjtë. Problematika është vënë shpesh herë në pah, megjithatë nga qeveria nuk duket të ketë ndonjë përpjekje reale në zbutjen e kësaj plage të shoqërsisë./BN

blank

SHBA, ndihma të reja ushtarake për Kievin

VOAL- Shtetet e Bashkuara njoftuan të premten se do të dërgojnë ndihma të reja ushtarake në Ukrainë në vlerë prej 150 milionë dollarësh, kryesisht të shpenzuara për municion artilerie dhe radarë. Fondi për dërgimin e armëve në Kiev, paralajmëron Uashingtoni, megjithatë po mbaron.

Për më tepër, “Kongresi duhet të zhbllokojë shpejt” kërkesën për një fond ndihme prej 33 miliardë dollarësh, theksoi Biden, duke iu referuar ndihmës ekonomike të premtuar nga ana e Shtëpisë së Bardhë për Ukrainën. Ndihma që përfshin 20 miliardë në ndihmë ushtarake, 8.5 miliardë dollarë ndihmë ekonomike për të ndihmuar në ruajtjen e funksionimit të qeverisë së presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky dhe 3 miliardë dollarë për ushqim dhe programe humanitare për të ndihmuar civilët.

Ndërkohë sot, të shtunë, rreth pesëdhjetë civilë u evakuuan nga fabrika e çelikut Azovstal në Mariupol, sipas raportimeve të mediave ruse. Një autobus i ri me 13 civilë në bord e la uzinën nën rrethim, ndërsa Tass raporton një automjet të katërt gati për t’u nisur përpara se korridori humanitar të mbyllet në mbrëmje. rsi-eb


Send this to a friend