RUBRIKA: Krijues të shquar të letërsisë bashkëkohore shqipe, ish pjesëmarrës në Mitingun e Poezisë.
Hamit Aliaj (1954, Tropojë) Botoi librat me poezi: Bjeshkët janë mbiemri im ( 1974),
E ruaj një fjalë për ty (1986), Lotin nuk ta fal (1995), Mungon viti një (1997), Njëqind vjet e martë (2005), E hëna e përtejbotës (2017). Konsiderohet poet i metaforave brilante, e të një poetike të veçantë.
Ka marrë pjesë në Mitingun e Poezisë në vitet e njëzeta të shekullit njëzetë e një dhe ka fituar çmimin libri më i mirë poetik me librin “E hëna e përtejbotës”, 2018.
Për Mitingun e poezisë, thotë:” Në asnjë aktivitet tjetër letrar nuk ndjehem më mirë, se në Mitingun e Poezisë, organizimi i të cilit është unik”.
Nisem për në Krujë, mbërrij 500 vjeç
Nisem tek e dashura, arrij 20 vjeç
Në shtëpinë ku linda, mbërrij njëvjeçar.
.
Njëqind vjet për të mbërritur tek ti…
Jam më i pasuri mbi dhe’
Kam timen këtë natë
Që ndan mijëvjeçarët.
.
SHTATË ORË DIELL E TRE ORË HËNË
.
Ditëve të prita 7 orë diell
Netëve të prita 3 orë hënë
Asnjë orë e botës s’punonte
Dhe asnjë fjalë se kemi thënë.
.
Veç Zoti nuk ka nënë
O Zot
Mos më bëj Zot!
I ngujuar në një psherëtimë
Në një rënkim gruaje i burguar
Shkoj me shpirtin e borës në duar
Ah, si qan kënga
Kur i vdes
Këngëtari!
Po të mos ish njeriu
Vdekje
S’do të kish kurrë,
Në fronin që sundojnë botën
Pse ulen vetëm bythët
E kokat asnjëherë?