VOAL

VOAL

Çfarë e shtyu Victor Hugonë t’i shkruante përkthyesit italian të romanit të tij “Les Misérables”? (Letra e 1862)

June 5, 2020

Komentet

Takimet e Enver Hoxhës me oficerët e Wehrmacht dhe marrëveshja e fshehtë e shtatorit ‘44! Rrëfimi i truprojës, zbardhen dokumentet

 

PROF.DR.ELMAS LECI/ “Gjermanët shkuan e kërkuan kompromis me Lëvizjen Nacionalçlirimtare dhe kjo ndodhi për herë të parë, kur trupat gjermane hynë në Shqipëri më 9 shtator të vitit 1943”. Materiali që cituam bazohet në dokumente arkivore britanike (SOE), por edhe gjermane, madje edhe shqiptare, si dhe në analiza të historianëve modernë. Thuhet në dokumentet e SOE-as se Komanda Gjermane i propozoi Shtabit të Përgjithshëm, Enver Hoxhës “për dorëzimin e pushtetit dhe krijimin e një qeverie shqiptare me kushtin që forcat gjermane të mos sulmoheshin sa kohë që do të qëndronin në Shqipëri”. Moment i dytë i bërjes së takimeve të Enver Hoxhës me oficerë të lartë të forcave pushtuese gjermane në Shqipëri, pasi ka pasur disa takime të tilla gjatë Luftës Antifashiste, është edhe ai në shkurtin e vitit 1944 në Helmës të Skraparit.

 

Qazim Malaj, me origjinë nga fshati Tërbaç i Vlorës, ish-truproja personal i Enver Hoxhësi që nga viti 1943 e deri në vitin 1974 kur doli në pension, në kujtimet e tij na sjell në vëmendje disa fakte interesante rreth atij takimi: “Spiro Moisiu dhe Enver Hoxha na njoftuan ne të shërbimit të merrnim masa, pasi aty do të vinte për bisedime një gjeneral gjerman i shoqëruar nga dy oficerë të tjerë. Pasi mbaruan bisedimet që zgjatën disa orë, Enver Hoxhë dhe anëtarët e tjerë të Shtabit, shtruan një darkë për nder të gjeneralit gjerman. Të nesërmen në mëngjes, gjenerali gjerman bashkë me dy oficerët shoqërues morën rrugën për andej nga kishin ardhur të shoqëruar nga rojet tona partizane.

Pas ikjes së tyre u dha urdhri që Shtabi të zhvendosej nga Helmësi për në fshatin Panarit të Korçës, pasi nuk i dihej se gjermanët mund edhe të bombardonin. Pak ditë më vonë, teksa kishim shkuar e ndodheshim në fshatin Panarit, na sollën përsëri në Shtab një oficer tjetër gjerman…”. Pas këtij oficeri gjerman, që në fakt u ishte dorëzuar vetë forcave të Brigadës së 5-të, po në mars të vitit 1944 Komanda e Lartë Gjermane kërkoi e dërgoi në Panarit të Korçës një oficer të lartë për bisedime në Shtabin e Përgjithshëm me Enver Hoxhën, me synimin për të nënshkruar një marrëveshje mes Shtabit partizan shqiptar e Komandës gjermane në Shqipëri.

KËRKESA E GJERMANËVE

Gjermanët i kërkuan Enver Hoxhës “të mos sulmoheshin e të mos pengoheshin trupat e tyre që të kalonin nëpër Shqipëri me destinacion Greqinë” dhe në këmbim ata do t’i dorëzonin Lëvizjes Nacionalçlirimtare “gjithë pushtetin politik e ushtarak”.67). Kjo në këtë rast, por edhe në kërkesat e tjera pasi nuk ka dokumentacione, siç konkludohet ishin kërkesat gjermane. Po qëndrimi i Enver Hoxhës cili ishte? A pati vërtetë marrëveshje mes gjermanëve dhe Enver Hoxhës? Ta shohim në vijim. Ata kot nuk erdhën tek Enver Hoxha! As erdhën për qejf e për të ngrënë një darkë, siç ndodhi në Helmës. Do bëjmë deduksionet e nevojshme, por duhet theksuar se marrëveshjet nuk bëhen vetëm me shkrim e nuk bëhen vetën drejtpërsëdrejti, por bëhen edhe me gojë, edhe me “delegime” kompetencash, edhe me udhëzime e porosi si ajo që psh., “filani i tha filanit” apo “ti do bësh këtë apo atë punë” ose “thuaj atij të mos e prekë atë” ashtu siç ka ndodhur edhe me Enver Hoxhën në Tiranë në fund të prillit të vitit 1942, kur Man Kukuleshi urdhëronte “mos ma luani Enverin se është i yni”!68). Këto të tilla quhen marrëveshje të fshehta.

Deduksionet të çojnë se të tilla, Enver Hoxha ka pasur si më parë me fashistët e me administratën kuislinge, madje që më herët me shërbëtorët e fashizmit këtu në Tiranë, ashtu më vonë edhe me gjermanët. Prefekti i Tiranës, më 6 maj të vitit 1942 i kishte thënë Ramazan Xhepës (mikut të ngushtë të Qemal Stafës), që ka deklaruar se Qemalin e vrau Enveri, ndërsa për Enver Hoxhën ka deklaruar se: “ky është i yni”, pra i Qazim Mulletit. Enver Hoxha gjatë pushtimit fashist strehohej në shtëpinë e Bahri Omarit, e cila ishte e ngjitur me shtëpinë e Man Kukaleshit, i cili ishte shef i policisë fashiste. Mani me Bahriun dhe Enveri luanin shpesh poker në verandën e shtëpisë së Bahriut. Ata të policisë fashiste e dinin fare mirë se cili ishte Enver Hoxha, por ishte marrëveshja mbrojtëse e Bahri Omarit.

“MIQTË” DORËZANË

Edhe për qëndrimin në Labinot Mal në vitin 1943, ku Enver Hoxha gjatë Luftës ka qëndruar mjaft kohë, patjetër që kishte “marrëveshje”. Shtëpinë e madhe e Bahollëve në Labinot Mal, që u bë për shumë kohë rezidenca e Partisë Komuniste dhe e Shtabit të Përgjithshëm, nuk ishte as 3 km nga rruga kryesore automobilistike Elbasan-Bixë, rrugë që nga Elbasani nuk ishte më shumë se 20 km. Megjithatë, as fashistët, as nazistët, as milicia e policia shqiptare “nuk ranë asnjëherë në gjurmët e Enver Hoxhës”! Çudi! Nuk ranë e nuk kishte si të binin sepse Enver Hoxha kishte “bërë” marrëveshje me ta, jo direkt por inkonjito. Dorëzanë ishin “miqtë”, Vërlaci e Bahollët. Enver Hoxha rrinte serbes në Tiranë më shumë te Bahriu (kunati i tij, të cilin e vrau menjëherë pas marrjes së pushtetit), se sa në mal. Por edhe kur rrinte te Bahollët në Labinot Mal, ishte mëse i sigurt, ngaqë ata ishin miq të Biçakçinjëve, të Esat Dishnicës. Dihen lidhjet e Enver Hoxhës me Dishnicët.

Po përse Vërlacët që e dinin se ku rrinte Enver Hoxha në Labinot, përse e mbronin?! Në atë kohë, i biri i Aqif Pashë Elbasanit firmëtar i Pavarësisë e për të tjera veprimtari atdhetare të atij burri të madh, Ibrahim Biçaku ishte kryeministri shqiptar nën pushtimin gjerman. Po ashtu, Esat Dishnica, punëdhënësi i Enver Hoxhës në Tiranë ishte nipi i Aqif Pashës. Esat Dishnica dhe Ymer Dishnica e kishin financuar dhe mbështetur shumë Enver Hoxhën. Nga ana tjetër, Bahollët ishin të lidhur në miqësi me Bungot. Nexhmija e Enverit qe kushërirë e kësaj familjeje. Demir Bungo, si bej i lidhur me Lëvizjen, çonte në Labinot Mal, tek Enver Hoxha ushqime, veshmbathjeje, medikamente, pse jo edhe florinj. Ky Demir Bungo kishte miqësi me Biçakçinjtë, pra me Aqif Pashë Elbasanin. Këta ishin me gjermanët dhe e dinin që Enver Hoxha rrinte në çifligun e Bahollëve në Labinot Mal. Mirëpo pas çlirimit si Demir Bungos ashtu edhe Ibrahim Biçakçiut, Enver Hoxha ua “shpërbleu mirë dhe bukur” me burgime të rënda! Pas Çlirimit, Demir Bungon e “çoi” në Maliq dhe atje vdiq në burg, ndërsa djalin e Aqif Pashë Elbasanit, ishkryeministrin shqiptar, Ibrahim Biçakun, e dënoi si kriminel lufte dhe pas burgut, njeriun e shquar me disa gjuhë të huaja e universitet në Gjermani, Enver Hoxha e caktoi të punonte si varrmihës në komunale dhe pastrues banjash në qytetin e Elbasanit. Më keq akoma Enver Hoxha u soll me Bahri Omarin, kunatin e vet, që e mbajti dhe i shpëtoi kokën gjatë luftës, të cilin e ekzekutoi edhe këtë po si kriminel lufte.

“KOMPROMISI” I BERATIT

Për “kompromisin” e Beratit ka deponuar vetë Gjin Marku – “kapiteni gjerman mbërriti me makinë i vetëm tek unë në Berat dhe kërkoi të furnizohej me bukë në furrat e qytetit”. Këtë e kujton në disa intervista të pasviteve ‘90 edhe Nexhmi Ballka, që ishte interlokutori për palën shqiptare dhe një nga drejtuesit e Luftës në Berat. Të tjerë drejtues kryesorë të Luftës në qark ishin edhe Kahreman Ylli e Myqerem Fuga, të cilët e miratuan marrëveshjen me gjermanët. Thelbi i “kompromisit” ishte “që gjermanët të mos shtinin në dorë rezervat gjigante që u ishin zënë nga partizanët italianëve, apo që i kishin lënë italianët pas kapitullimit”, ndaj u gjykua dhe ata u lejuan për disa ditë të bënin pazar në Berat. Ishte një pakt gojor provizor, i diktuar nga rrethanat dhe që u leverdiste të dyja palëve, por sidomos partizanëve. Për “marrëveshjen” ishte vënë në dijeni dhe e kishte miratuar edhe Enver Hoxha e Shtabi i Përgjithshëm. Ekzistojnë informacionet si për materialet e mëdha të italianëve dhe ashtu edhe për “lirinë” që u jepnin partizanët gjermanëve. 70).

Në një rrëfim tjetër të bërë nga vetë Gjin Marku në lidhje me atë situatë, ai dëshmonte se: … Në shtator të vjetit 1943 italianët kapitulluen e na partizanët muerëm pushtetin në atë qytet. Gjermanët kur erdhën nuk na luftuen, por shkuen e u ngulën në nji pikë strategjike jashtë Beratit. Ata thoshin se nuk kishin qëllim me luftue shqiptarët, kushdo t’ishin ata, porse donin të siguronin rrugët e ushtrisë që ishte shpërndarë gjithandej, drejt Greqisë dhe Jugosllavisë. Ata vinin në Berat për treg e na lanë të lirë, mbasi nuk na luftonin. Kjo punë me miratimin direkt të Enver Hoxhës e të Shtabit na u duk e mirë. Më pa kjo ngjarje erdh tue u hulumtue ndër shtabe të ndryshme; tue e konsiderue skandal e jo fitore. N’atë kohë m’erdh nji letër prej Shtabit partizan që urdhëronte të mësynte gjermanët. Përgatitëm sulmin… Në emër të Komitetit Qendror, Enver Hoxha kishte firmosur një qarkore, duke bërë të paditurin, ku shkruhej se “kompromisi me gjermanët është një nga punët më të këqija”72). Vite më pas, “kompromisin” e Beratit Enver Hoxha e përdori si një rast për ta spostuar Gjin Markun nga udhëheqja e lartë e Partisë, duke e quajtur situatën si kompromis e bashkëpunim me gjermanët dhe Gjin Markun (jo veten Enver Hoxha), si përgjegjësin kryesor të asaj marrëveshje, sepse “Gjin Marku kishte një reputacion dhe një famë ushtarake që e shqetësonte Enver Hoxhën”. Në antitezë, Enver Hoxha për shërbimet e vyera, veçanërisht për Beratin ku Gjin Marku “mori çdo përgjegjësi mbi vete” dhe nuk e nxori Enver Hoxhën si miratues të “kompromisit” me gjermanët, ja “shpërbleu” disa vite më vonë, duke e dënuar gjithë jetën me burg në Burrel e me internim në Zvërnec, por me gjithë këto “për besën” nuk e la asnjëherë pa shpërblim monetar.

DORËZIMI I QETË I PUSHTETIT

Lidhur me “marrëveshjen” me gjermanët ka edhe një konkluzion fondamental të analistit Kastriot Dervishi, i cili thekson se “në shtator të vitit 1944, Enver Hoxha ka qenë në marrëveshje me forcat gjermane për një dorëzim të qetë të pushtetit. Ibrahim Biçakçiu ka pranuar të jetë Kryeministër, me dëshirën se do të bënte kalimin e butë të pushtetit te komunistët, natyrisht i nxitur nga kushëriri i parë Esat Dishnica, shok i ngushtë i Enver Hoxhës. Biçakçiu është bërë ndërmjetës midis gjermanëve në ikje, dhe komunistëve në ardhje”74). Veç Ibrahim Biçakçiut, në “marrëveshjen me gjermanët” kanë gisht edhe figurat e rëndësishme të Luftës, Omer Nishani, Sheqet Beja dhe Esat Dishnica. Marrëveshja mes këtyre dhe gjermanëve, që mban datën 17 shtator 1944 përbëhet nga 7 pika. Në thelb, komunistët garantonin se nuk do t’i godisnin forcat gjermane gjatë largimit të tyre dhe Ibrahim Biçakçiu do ia dorëzonte pushtetin komunistëve. Gjermanët nuk do të merrnin asgjë përveç mjeteve të zakonshme të jetesës. Largimi nga Tirana i gjermanëve do të bëhej më 20 dhe 21 tetor 1944.

Mirëpo kjo marrëveshje ra në duart e britanikëve e më pas të amerikanëve. Britanikët (për këtë marrëveshje) jo vetëm e informuan por edhe e kërcënuan Enver Hoxhën se Qeveria e tij nuk do të njihej nëse gjermanët nuk luftoheshin deri në fund.75) Si rezultat i presionit aleat, marrëveshja e mësipërme nuk u zbatua. Të indinjuar nga moszbatimi i marrëveshjes, gjermanët në Tiranë deshën të implikonin qeverinë kuislinge dhe Këshillin e Naltë, duke i detyruar që t’i çonin në Gjermani. Mirëpo këto institucione më 25 tetor 1944 dhanë dorëheqjen, duke deklaruar se pas dorëheqjes ishin persona privatë e nuk mund të evakuoheshin në Gjermani. Enver Hoxha nën presionin e anglo-amerikanëve dhe i instruktuar nga të dërguarit jugosllavë, “urdhëroi” “çlirimin” e Tiranës pikërisht në ditën e dytë të pas nënshkrimit të marrëveshjes, në kohën kur gjermanët po largoheshin nga Shqipëria. Personi mbi të gjithë, që u “autorizua” nga Enver Hoxha për organizimin dhe anën operacionale “të çlirimit” ishte majori jugosllav Vojo Todoroviç. Emri i tij gjendet në telegramin e datës 30 tetor 1944.

VIZITA SEKRETE

Për bashkëpunimin e Enver Hoxhës me gjermanët përveç “kompromisit” të Beratit, madje para kësaj, sipas Bedri Spahiut, ekziston edhe një marrëveshje tjetër, që lidhet me vizitën sekrete të majorit gjerman Hanz në selinë e udhëheqjes së Luftës që në atë kohë (mars 1944) që gjendej në Skrapar. Gjermanët arritën atje me partizanët një marrëveshje dhe është fakt, që për tre ose katër muaj pas asaj vizite e marrëveshje, as komunistët nuk i sulmuan gjermanët dhe as këta të fundit nuk ndërmorën ndonjë operacion kundër tyre76). Ka edhe një fakt të mëtejshëm “të pasuksesshëm” për bashkëpunimin e Enver Hoxhës me gjermanët. Ishte Operacioni i Dimrit i vitit 1944. Një grup gjermanësh hynë në lidhje me Enver Hoxhën për një bashkëpunim, por që Enver Hoxha desh e hëngri, desh e ekzekutuan, se grupi gjerman qenë zbulues.

Në vijim është edhe një tjetër fakt bashkëpunimi siç ishte edhe ai i “lëshimit të 3 vajzave gjermane zënë robër nga partizanët”, për të cilat Enver Hoxha ra dakord që dorëzimi i tyre të bëhej me partizanë që i kishin zënë gjermanët. Vartësit e Enver Hoxhës, nuk i u përmbajtën marrëveshjes së shkëmbimit dhe gjermanët më 23 tetor të vitit 1944 pushkatuan në kampin e Prishtinës 104 të burgosur shqiptar. Në fakt marrëveshja ishte bërë që Shtabi i Përgjithshëm tu dorëzonte gjermanëve 3 vajzat dhe gjermanët të lironin 10 partizanë. Kjo marrëveshje, sipas fjalëve që qarkullonin në kampin e Prishtinës, nuk u arrit të realizohej sepse Shtabi i Përgjithshëm nuk i liroi 3 vajzat gjermane dhe gjermanët në shenjë hakmarrje, pushkatuan 104 të burgosur. Kjo jo vetëm për moslirimin e vajzave por edhe në shenjë hakmarrje ndaj 16 gjermanëve të plagosur, që u sulmuan e u vranë nga guerilet e Tiranës, në Rrugën e Dibrës.

Është thënë se për ndërmjetësimin e marrëveshjes për shkëmbimin e tri vajzave gjermane me dhjetë komunistët e burgosur asokohe në kampin e Prishtinës, shkoi Kapiten Petraq Pekmezi (Petraqi ishte vëllai i dëshmorit Trajan Pekmezi), që shërbente si përkthyes i Gestapos. Petraqi pavarësisht se ishte oficer i Gestapos, ka ndërmjetësuar disa herë pozitivisht në marrëveshje mes Shtabit të Përgjithshëm dhe Komandës gjermane. Por partizanët sipas “pabesisë” së Enver Hoxhës dy-tri ditë para çlirimit të Tiranës e pushkatuan në oborrin e shtëpisë. Ishte një vendim i pa merituar, pasi Petraq Pekmezi u kishte bërë shumë punë komunistëve dhe duke e ndjerë veten të pastër, nuk pranoi të largohej nga Shqipëria me gjermanët. Por forcat e Enver Hoxhës e vranë pa gjyq, ndofta se ai arkivonte edhe shume gjëra që komprementonin rëndë Enver Hoxhën. Për kompromiset gjatë luftës me gjermanët ka edhe plot fakte të tjera lokale.

*Autori, Drejtor Ekzekutiv Instituti i Sigurisë dhe Mbrojtjes

/Gazeta Panorama

“Urdhëroj që agjentit ‘Trimi’ t’i jepet rrogë 8.000 lekë, ‘Gjoksit’ 3.500, ‘Besniku’ 2.500, kurse shpërblimi…”-Zbulohet dokumenti i i Sigurimit që fundos “Grupin e Teme Sejkos”

Nga DASHNOR KALOÇI

Në fund të muajit maj të vitit 1961, në Tiranë përfundoi gjyqi ndaj të ashtuquajturit “Grupi armiqësor” i Teme Sejkos, (ish-Kundëradmiral i Flotës Luftarake Detare), i cili së bashku me Tahir Demin, (ish-kryetar i Komitetit Ekzekutiv të rrethit të Elbasanit), Taho Sejkon (ish-gazetar i “Zëri i Popullit” dhe më pas drejtor i Parkut Automobilistik të Shkodrës), Avdyl Resulin (nënkolonel në Degën e Rekrutimit të Tiranës), Hajri Manen, Nasho Gërxhon, Hajri Purizion, Ali Xhelon, Sami Muratin, Izet Osmanin, Shaban Ademin etj., akuzoheshin se; “ishin vënë në shërbim të agjenturave të huaja, si UDB-së jugosllave, KGB-së sovjetike, CIA-s Amerikane, Asfalisë greke, më qëllim për përmbysjen e pushtetit popullor në Shqipëri”.

Si rezultat, pas dhënies së dënimit me datën 28 maj 1961, nga ana e trupit gjykues me në krye Shuaip Panariti, (kryetar i Gjykatës së Lartë, dhe ndihmësa të tij gjeneral-major Muharrem Kokomani, kolonel Sotir Spiro, kolonel Bejto Isufi, nënkolonel Hilmi Telegrafi dhe sekretar seance Murat Deliallisi), tetë prej të pandehurve të këtij “Grupi armiqësor”, do të dënoheshin me vdekje, me pushkatim dhe do të ekzekutoheshin me datën 31 maj (dy vdiqën ne hetuesi), kurse pjesa tjetër e të pandehurve, do të dënoheshin me dënime të rënda, që shkonin deri në 25 vjet.

Sa më sipër të gjitha këto tashmë janë shumë të njohura, pasi që nga fillimi i viteve ’90-të e deri më sot, janë botuar me dhjetëra shkrime me dëshmi të ndryshme apo dokumente arkivore, si dhe dokumentarë televiziv, libra etj., por ajo që ka mbetur deri diku e pazbardhur ende, (të paktën me dokumente arkivore), është ajo se cilët ishin agjentët kryesorë që përdori Sigurimi i Shtetit në atë kohë, për të goditur “Grupin e Teme Sejkos” apo siç është njohur ndryshe si “Grupi Çam”, për shkak të origjinës së tyre nga krahina e Çamërisë!

Dhe si e sa u shpërblyen ata agjentë të Sigurimit të Shtetit, që “fundosën” bashkëpatriotët e tyre çamë, të cilët nuk u nxorën në gjyq si dëshmitarë, me qëllim për të mos i dekonspiruar, edhe pse deri diku dihej roli i tyre, por që siç thamë, ai nuk u bë kurrë publik nëpër gazeta libra e revista, siç ndodhte në atë kohë edhe me të tjerë “Heronj të heshtur” të Ministrisë së Brendshme.

Madje paradoksalisht, edhe sot pas gati 35 vitesh nga shembja e regjimit komunist të Enver Hoxhës dhe pasardhësit të tij, Ramiz Alia, nuk është botuar asnjë dokument arkivor për tre agjentët kryesorë të Sigurimit të Shtetit që fundosën “Grupin e Teme Sejkos”, si dhe shpërblimet e favore të tjera që ata morën nga ana e regjimit komunist në fuqi, për “kontributin e tyre, në zbulimin e goditjen e atij grupi armiqësor”.

Nisur nga kjo, në këtë shkrim po publikojmë disa dokumente arkivore (bashkë me faksimilet përkatëse) që janë nxjerrë nga Arkivi i Ministrisë së Punëve të Brendshme, të cilat shohin dritën e botimit për herë të parë. Por siç do të shohim në këtë shkrim dhe faksimilet përkatëse, vetëm agjenti “Gjoksi”, jepet me emrin e plotë; Braho Beqo Emini, ndërsa “Trimi” dhe “Besniku”, nuk dekonspirohen?! (Agjenti “Trimi” jepet me emër të plotë në pjesën e dytë të këtij shkrimi, nga deponimet e “Gjoksit”).

Ndoshta edhe për shkak të Platformës së Sigurimit të Shtetit që e ndalonte një gjë të tillë në mënyrë kategorike, gjë të cilën vetë ministri Kadri Hazbiut, ishte i pari që duhet ta zbatonte. Po kështu, aty jepet dhe një i persona i katërt, Skënder Hoxha, të cilit ndryshe nga tre të tjerët, që kanë marrë rroga dhe shpërblime, ai ka marrë vetëm fletë nderi dhe një shpërblim për 15.000 lekësh

Por edhe pse ata nuk dekonspirohen në këtë dokumente, “Trimi” dhe “Besniku”, njihen mjaft mirë nga qyteti i Shkodrës ku ata u dërguan për të punuar e banuar, me qëllim; “për t’i ruajtur nga armiqtë e popullit apo agjentura greke”, kundër së cilës ata kishin punuar që nga viti 1951, kur ishin dërguar me mision sekret në Greqi, gjë të cilën do ta shohim në pjesën e dytë të këtij shkrimi, ku ata pohojnë me gojën e tyre, për të gjithë aktivitetin agjenturial në shtetin fqinjë.

DOKUMENTI VITIT 1952 ME URDHRIN E MINISTRIT TË PUNËVE TË BRENDSHME GJENERAL-LEITNANT KADRI HAZBIU, PËR CAKTIMIN E RROGËS MUJORE PREJ TETË MIJË LEKË, PËR AGJENTIN “TRIMI”

REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPËRISË VDEKJE FASHIZMIT

MINISTRIA E PUNËVE TË BRENDSHME LIRI POPULLIT

DREJTORIA E SIGURIMIT TË SHTETIT Tiranë, më 15.I.1952

Landa: Caktimi i rrogës mujore për agjentin “Trimi”

URDHËROJ

Duke filluar nga data 1 korrik 1951, Agjentit “Trimi” t’i caktohet rroga mujore 8.000 (tetë mijë) Lek, të cilat të mbahen më nj’anë deri sa ai të kthehet nga misioni i ngarkuar.

MINISTRI I PUNËVE TË BRENDSHME

GJENERAL LEITNANT

KADRI HAZBIU

U shtyp në një kopje

Konc. Kap. K. Voka

Dakt. Tog. V. Nini

DOKUMENTI ME URDHRIN E MINISTRIT TË PUNËVE TË BRENDSHME GJENERAL-LEITNANT KADRI HAZBIU, DËRGUAR DREJTORISË SË ZBULIMIT POLITIK, PËR SHPËRBLIMIN E AGJENTIT “GJOKSI” ME 126.000 LEKË, PËR PERIUDHËN 1 KORRIK 1951, 31 DHJETOR 1954

REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPËRISË Tiranë, më 6 Shtator 1957

MINISTRIA E PUNËVE TË BRENDSHME

Nr….”A”. Res. Pers

DREJTORISË SË ZBULIMIT POLITIK

KËTU

Urdhëroj që agjenti “Gjoksi”, të shpërblehet me 3.000 lekë në muaj, duke filluar prej 1 korrikut 1951, deri më 31 dhjetor 1954 dhe që shuma e përgjithshme harrin në 126.000 (njëqind e njëzet e gjashtë mijë) lekë.

Për periudhën 1 janar 1955, 30 mars 1957, t’i thuhet se shpërblimi i caktuar nuk i jepet, për arsye se nuk ka vepruar sipas udhëzimeve tona, dhe si konsekuencë ka shkëputur lidhjet me zbulimet e huaja dhe nuk ka treguar interesim për zbatimin e detyrave të ngarkuara.

MINISTRI

GJENERAL LEITNANT

Kadri Hazbiu

DOKUMENTI ME URDHRIN E MINISTRIT TË PUNËVE TË BRENDSHME KADRI HAZBIU, DËRGUAR DREJTORISË SË ZBULIMIT POLITIK, PËR SHPËRBLIMIN E AGJENTIT “TRIMI” ME 336.000 LEKË

REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPËRISË Tiranë, më 6 Shtator 1957

MINISTRIA E PUNËVE TË BRENDSHME

Nr….”A”. Res. Pers

DREJTORISË SË ZBULIMIT POLITIK

KËTU

Urdhëroj që agjenti “Trimi”, të shpërblehet me 8.000 lekë në muaj, duke filluar prej 1 korrikut 1951, deri më 31 dhjetor 1954 dhe që shuma e përgjithshme harrin në 336.000 (treqind e tridhjet e gjashtë mijë) lekë.

Për periudhën 1 janar 1955, 30 mars 1957, t’i thuhet se shpërblimi i caktuar nuk i jepet, për arsye se nuk ka vepruar sipas udhëzimeve tona, dhe si konsekuencë ka shkëputur lidhjet me zbulimet e huaja dhe nuk ka treguar interesim për zbatimin e detyrave të ngarkuara.

MINISTRI

GJENERAL LEITNANT

KADRI HAZBIU

DOKUMENTI I VITIT 1961, KU MINISTRI I PUNËVE TË BRENDSHME KADRI HAZBIU, I AKORDON NJË FLETË – FALENDERIMI AGJENTIT “GJOKSI” BRAHO BEQO EMINI, PËR KONTRIBUTIN E DHËNË NË ZBULIMIN E GRUPIT ARMIQËSOR TË TEME SEJKOS, TAHIR DEMIT ETJ.

REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPËRISË “Tepër Sekret”

MINISTRIA E PUNËVE TË BRENDSHME Tiranë, më 20.9.1961

Nr…

FLETË FALENDERIMI

Shokut BRAHO BEQO

Këto ditë mori fund gjyqi kundër grupit tradhtar të Teme Sejko me shokë.

Zbulimi dhe likuidimi i këtyre tradhtarëve, agjentë të urryer të imperializmit, është një fitore e madhe për Atdheun dhe popullin tonë.

Në këtë rast, nuk mund të mos përmend, kontributin që keni dhënë juve në këtë drejtim. Të dhënat tuaja që nga viti 1951 e deri ditën që jeni kthyer në Atdhe, mbi veprimtarinë e Zbulimit Amerikan dhe Grek e kanalet që kanë përdorur që nga Konispoli deri në Korçë, si dhe për personat në shërbim të këtyre zbulimeve, si; Haki Rushiti, Rushit Plaku, Rasim Aliu, Ramadan Fehimi, Spiro Zharkalliu, Skënder Bllacin, Gaqo Mujon, Jani Kovaçin, Javer Alikon, Xhafer Aliun, Xhemal Hoxhën, Shefqet Sallarin, etj., ndihmuan më vonë në zbulimin dhe goditjen e armiqve, sikurse janë: Teme Sejko, Tahir Demi, Abdyl Resuli, Hajri Mane, Nasho Gërxho, etj.

Duke marrë parasysh kontributin tuaj, ju falenderoj dhe ju uroj edhe në të ardhmen suksese në punën për të mirën e Atdheut dhe popullit tonë.

MINISTRI I PUNËVE TË BRENDSHME

GJENERAL LEITNANT

KADRI HAZBIU

Mora njoftim

Emin Beqo

“Gjoksi”

DOKUMENTI I VITIT 1961, KU MINISTRI I PUNËVE TË BRENDSHME KADRI HAZBIU, I AKORDON NJË FLETË – FALENDERIMI DHE 15.000 LEKË SHPËRBLIM AGJENTIT SKËNDER HOXHA, “PËR KONTRIBUTIN E DHËNË NË ZBULIMIN E GRUPIT ARMIQËSOR TË TEME SEJKOS”.

REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPËRISË “Tepër Sekret”

MINISTRIA E PUNËVE TË BRENDSHME Tiranë, më 20.9.1961

Nr…

FLETË FALENDERIMI

Shokut SKËNDER HOXHA

Këto ditë mori fund gjyqi kundër grupit tradhtar të Teme Sejko me shokë.

Zbulimi dhe likuidimi i këtyre tradhtarëve, agjentë të urryer të imperializmit, është një fitore e madhe për Atdheun dhe popullin tonë.

Në këtë rast, nuk mund të mos përmend, kontributin që keni dhënë juve në këtë drejtim. Të dhënat tuaja që nga viti 1951 e deri ditën që jeni kthyer në Atdhe, mbi veprimtarinë e Zbulimit Amerikan dhe Grek e kanalet që kanë përdorur që nga Konispoli deri në Korçë, si dhe për personat në shërbim të këtyre zbulimeve, si; Haki Rushiti, Rushit Plaku, Rasim Aliu, Ramadan Fehimi, Spiro Zharkalliu, Skënder Bllacin, Gaqo Mujon, Jani Kovaçin, Javer Alikon, Xhafer Aliun, Xhemal Hoxhën, Shefqet Sallarin, etj., ndihmuan më vonë në zbulimin dhe goditjen e armiqve, sikurse janë: Teme Sejko, Tahir Demi, Abdyl Resuli, Hajri Mane, Nasho Gërxho, etj.

Duke marrë parasysh kontributin tuaj, ju falenderoj dhe ju uroj edhe në të ardhmen suksese në punën për të mirën e Atdheut dhe popullit tonë.

Me këtë rast ju shpërblej me 15.000 lekë.

MINISTRI I PUNËVE TË BRENDSHME

GJENERAL LEITNANT

KADRI HAZBIU

Mora njoftim

Skënder Hoxha

DOKUMENTI ME RELACIONIN E PUNËTORIT OPERATIV TË MINISTRISË SË PUNËVE TË BRENDSHME, MAJOR KOSTA BARKA, PËR CAKTIMIN E RROGAVE PERSONALE PËR AGJENTËT “TRIMI” “GJOKSI” DHE “BESNIKU”

REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPËRISË “TEPËR SEKRET”

MINISTRIA E PUNËVE TË BRENDSHME Tiranë, më 28.1.1965

DREJTORIA E SIGURIMIT

Nr.

RELACION

MBI CAKTIMIN E RROGËS DHE SHPËRBLIMET PËR AGJENTËT “GJOKSI”, “TRIMI” SI DHE TË AGJENTIT “BESNIKU”

Duke filluar që nga 1 Dhjetori vitit 1964, agjentëve “Gjoksi” dhe “Trimi” ju caktohet një rrogë personale nga ana e Kryeministrisë, prej 3/500 (tremijë e pesëqind) lekë në muaj, pavarësisht, nëse janë apo jo në punë.

Po ashtu dhe agjentit “Besniku” i caktohet një rrogë personale prej 2.500 (dy mijë e pesëqind) lekë në muaj, që edhe ky do ta marrë, pavarësisht nëse është apo jo në punë.

Veç rrogave, po nga ana e Kryeministrisë, si “Gjoksit” dhe “Trimit” ju dha një shpërblim i menjëhershëm prej 20.000 lekësh, ndërsa “Besnikut”, ju dha një shpërblim perj 10.000 lekësh. Këto të holla ata i muarrën në fillim të muajit Janar 1965.

Për t’ju ardhur në ndihmë, Dega e Refugjatëve të Kryeministrisë, i dha secilit, duke përfshirë dhe “Besnikun”, disa tesha shtëpiake, duke përfshirë krevate, dysheqe, batanije, etj., si dhe nga një apartament secilit në Shkodër, (dy dhoma e kuzhinë).

Së shpejti pritet të shkojë atje edhe “Besniku” të cilit ju sigurua një apartament dhe do të vendoset me punë brigadier në Fermën “Perlat Rexhepi”.

Ju bë propozim Kuvendit Popullor për dekorimin e “Gjoksit” dhe “Trimit”, me Urdhrin e Trimërisë, ndërsa “Besnikut”, me Medaljen e Trimërisë. / Memorie.al

“Po na i vrasin djemtë”- Lutja e dy nënave më 1977 te Nexhmije Hoxha për Vilsonin e Gencin! Ngjarja në Bllok dhe pushkatimi i tyre

NGA BEDRI BLLOSHMI

PJESA E DYTË

Qëndrova pranë derës për disa minuta kur papritur u duk, lart, një ndriçim që vinte nga Qafa e Thanës. Hëna po nxirrte kokën. M’u shoqërua kjo dalje e saj me Gencin e shkretë, nga poezia e tij ‘o hënë, pse dole, moj, kaq e trishtuar. Mos vallë për mua po mban zi?”. Bëra dy a tri ecejake duke menduar për ato presione që kishin duruar gjatë hetimeve dhe që Genci i kishte parandjerë në këto dy vargje. U ula përsëri, doja të rrija aty, s’do të kisha në të ardhmen kontakt më të afërt se ky me kushëririn tim të humbur. Isha tronditur, hijet e pemëve që krijoheshin nga drita e hënës më dukeshin si njerëz në pritje. Vetmia, në atë çast nate, më bënë t’i thërres me zë të ulët e me lot në sy: – “Genci, hape derën! Jam Bedriu”! Rreth meje të gjitha pemët ishin prerë e trungjet e tyre dergjeshin të shtrirë pas mureve. Një braktisje që më ndrydhte në shpirt. Bëra të largohem nga ai oborr kaq familjar për mua, kur papritmas, nga muri rrethues, dikush me foli, e duke më zënë rrugën më thotë: – Po ti, çfarë do këtu? Ç’kërkon këtu në mesin e natës?

– Po ti, çfarë do këtu? Ç’kërkon këtu në mesin e natës?

– Mirëmbrëma, e përshëndeta, për të shmangur telashe.

– Mos u shqetëso, kam ngatërruar rrugën.

– Jo, mos u mundo të ma hedhësh.

– E kujt është kjo shtëpi, e jotja? Ia këmbeva fjalën sërish. Ai turfullonte. Ç’të duhet ty? Kush je, e para e punës?

Vazhdova timen me ton fare të qetë, gati indiferent.

– E paske bërë të re në pak vjet. Të babait e ke, apo e ke blerë?

– Jo, jo, ka qenë e një tjetri, – ma ktheu ai, shtruar tani, po kanë ikur. Djalin ia pushkatuan dhe e shoqja shkoi te njerëzit e saj, në Korçë. E ëma ka vajtur tek e bija, jeton aty nja pesëqind metra më tej, më shpjegoi ai.

Ia ktheva si me shaka:

– Po edhe ti ç’bën natën, jashtë? – Ja, kam futur një lopë atje, e po i shpie ca kashtë. Ecëm nja dy hapa bashkë: po ty nga të kemi? – më thotë. Ku po shkon kaq vonë, dhe nga u fute, se rruga është andej sipër. – Te Sami Blloshmi po shkoj, – i thashë. – Ashtu? Samiun e kam timin. E ke në krye të fshatit, shtëpia e fundit. Përveç djalit të pushkatuar, ka dhe një tjetër të dënuar me 25 vjet, por është hapur fjala se dhe ai vdiq në burg. Ç’e pyet, kanë hequr shumë. Samiun me familje edhe të tjerët nga fisi i tyre, i çuan në internim të shkretët. Ishin familje e madhe, por i shkatërruan. Qeveria çfarë nuk të bën…

U ndamë dhe mora rrugën përpjetë. U ndala te shkolla, në krah të së cilës është një mulli. Pashë dritë e u afrova. Më pëlqente në vogëli zhurma tik-tak mbi gurin e mullirit, që lëshonin dy takat e vendosura në fundin e koshit, me bereqet. I hodha një sy nga larg dhe vazhdova. Kisha edhe 300 m për të mbërritur, por zhurma e guriçkave nën këmbët e mia mjaftoi që të fillonin lehjet e qenve. M’u dukën si familjare, do të më njohin mendova me një farë malli.

TAKIMI ME MAMANË

Më në fund arrita! U ndala ta shikoja me nge shtëpinë tonë dhe në kokë më vinin ca pyetje, që vetëm nata dhe Zoti atje lart në qiell t’i sjell. “…Po Vili e xhaxhai ku do të jenë? Më shohin vallë që po kthehem, apo mos kanë ardhur para meje, të lehtë siç janë shpirtrat e tyre, që të jenë aty, të padukur në ribashkimin e familjes…

Ja, mund të jenë atje, në konakun e miqve duke biseduar bashkë, siç e kishin zakon. Ata, të vetmit që mirëkuptoheshin në gjithë familjen tonë! Të shtruar, pa e ngritur zërin, unë i dëgjoja pa ndërhyrë, i kisha si komandë. Xhaxhai, me një urtësi dhe aq shumë përvojë, i buzëqeshur, i ëmbël, që s’e mbaj mend të na ketë qortuar ndonjëherë. Ndërsa Vili, i ditur, i pjekur para kohe, i etur të lexonte në atë bibliotekën e tij, të krijuar vetë. Lexo dhe medito tërë kohën, ditë natë, edhe rrugës kur ecte… Ia shihja në sy sa i përthithur ishte te ajo që sajonte, vargje…

Ah, si mund ta urrenin kaq shumë, të trembeshin prej tij, një djalë tërësisht i mbyllur në botën e tij… Hodha sytë te porta e shtëpisë. Ishte hapur! Dukej në thellësi një ndriçim i dobët. Iu drejtova atij, po rrugën ma preu një qen goxha i madh dhe filloi të lehtë. Ngrihej në dy këmbët e pasme dhe kafshonte zinxhirin për të arritur këtë udhëtar të vonë e të panjohur. Aha, mendova, kanë kaluar vite, s‘mund të rrojnë kaq gjatë besnikët qen të rinisë sime. Dobia e tij do t‘ish që të tërhiqte vëmendjen e ndokujt, mirëpo askush nuk u ndje. Pyeta veten pse porta e hapur dhe pse ajo dritë? Mos ka ardhur dikush para meje dhe, të hutuar nga gëzimi, e kanë lënë të hapur? Jo Bedri, ti e di mirë që ai nuk jeton më. Të dy ata, që ti pret, nuk janë ndër të gjallët. U afrova ngadalë dhe u futa në korridor. Dera e dhomës ku dukej drita ishte gjysmë e hapur dhe përmes saj dukej zjarri i ndezur në oxhak. Ndërkohë, hapat e mia dhe qeni e kishin bërë efektin, dhe nga brenda u dëgjua një zë.

– Hë more bir, njoha zërin e mamasë, erdhët nga ai zall i mallkuar? Nuk u del dita po edhe gjithë natën do punoni? Mjaft se u sfilitët!

Hapa derën. Hyra brenda e qëndrova në këmbë pa folur. Mamaja gjysmë e ngritur nga rrobat, sa më pa, thirri:

– Uaaaaaaa Bedriu i nënës. U ngrit rrëmbimthi për të më përqafuar. Por, ashtu me krahët hapur, u shemb në mes të dhomës. Hodha çantën tej, e kapa për krahu, e ngrita dhe e mbulova me të puthura. E ngrita atë trup të rreshkur e të tharë nga vuajtjet, por ajo s‘lëvizte, ashtu symbyllur. I kishte rënë të fikët. I preka pulsin, ishte gjallë. Vura veshin mbi gjoksin e tharë, zemra punonte. E mora ndër duar si ndonjë fëmijë dhe e vendosa përsëri në rroba. Në shtëpi askush s‘ndihej. Mirë vëllezërit në punë, po gratë? Mora një gotë me ujë dhe ia freskova ballin. Nisa t’i fërkoja duart e ndërkohë thërrisja: “A ka njeri në këtë shtëpi apo jo. Ku jeni? Hajdeni, mamaja është keq! Ngrihuni, mos flini! Ç’bëhet kështu! Pse e keni lënë mamanë vetëm? Vazhdova t’i fërkoja duart e ballin, duke e puthur pa pushim. Nuk ngopesha me erën e nënës. Përpiqesha t’ia hapja sytë por më kot. Ashtu i kërrusur mbi trupin e mamasë dëgjova një zë të më fliste nga mbrapa:

– Po ju kush jeni? Çfarë i keni bërë mamasë së gjorë?

Ktheva kokën dhe pashë në mes të dhomës një grua me këmishë nate dhe me flokët të rëna në gjoks. Më shikonte e shastisur.

– Qetësohu zonjë, – i fola me ngadalë, – eja merruni me mamanë, e pastaj flasim. Jam Bedriu, zot edhe unë në këtë shtëpi.

Freskimi i ballit dhe fërkimi i duarve e bënë efektin e tyre.

Mamaja u përmend, hapi sytë e lëvizi krahët, por dridhej e tëra.

Donte të më përqafonte. Më puthte, qante e nuk fliste. Mjekra i dridhej, lotët e saj më binin mbi fytyrë, më përvëlonin. Më fliste e herë pas here fshinte lotët me kurrizin e dorës. Nuk e kisha vënë re, se ndërkohë kishte ardhur edhe një grua tjetër. Unë i pyesja se kush ishin, e ato të hutuara pyesnin mamanë:- “Ky është Bedriu”?

Mamaja më fërkonte kokën, me duart e saj të zvogëluara, ku dukeshin damarët e fryrë e jeshil nën lëkurë.

– Shyqyr, mor bir, që erdhe gjallë. U bënë shumë vjet që jemi ndarë. Shyqyr, shyqyr njëqind herë. Dhe vazhduam ne të dy, ashtu siç ishim ulur e të përqafuar me njëri-tjetrin, të flisnim e të putheshim, e nuk kuptuam se dita kishte zbardhur. Pasi pimë nga një kafe, erdhën edhe vëllezërit, Selmani e Nazmiu nga zalli. Babai kishte qëndruar atje.

NË DHOMËN E VILSONIT

U ngjita në katin e dytë. Kalova në korridorin e shkurtër që të çonte te dhoma e Vilit. Dera e saj ishte e mbyllur, me një dryn që rrinte varur. Pas meje erdhi dhe mamaja. Edhe pse kishin vite që ishin kthyer nga internimi, mamaja nuk lejonte të tjerët të futeshin në dhomë. Edhe vetë futej shumë rrallë. Çelësin e mbante me vete në gji, të mbështjellë me një shami. Ajo hapi derën e në dysheme u dukën shenjat e pluhurit të verdhë, që lënë pas brejtësit. Dëgjohej ende zhurma karakteristike e krimbave që vazhdonin të brenin. Sapo u fut brenda mamaja ra mbi krevatin të cilin e kishte rregulluar me shumë kujdes e u shkreh në vaj. Tek koka rrinin dy jastëkë të qëndisur nga dora e Dianës. Mamaja pasi lëmoi me dorë kuvertën, u përkul, puthi të dy jastëkët e lëshoi një psherëtimë. “Ah biri i nënës e le krevatin bosh, që ju thaftë dora kush ta mori jetën. Kurrë mos bëfshin rehat. Gjithë jetën lëngofshin”. Përballë krevatit bosh qëndronte biblioteka, raftet e se cilës ishin pothuaj bosh. Të binin në sy disa penela të hedhura sa andej-këndej e disa bojëra të thara në kutinë pa kapak. Disa fletë vizatimi në raftin e poshtëm të bibliotekës qëndronin të mbledhura pas xhamit gjysmë të thyer. Në tavan ishte hapur një goxha vrimë, ishte prishur suvaja. Disa fije lese rrinin varur. Në këtë hapësirë dukej lehtë rrjeta e merimangës dhe disa miza të ngordhura sipër saj.

– Mama, po tavani, pse është prishur?

– Ah, mor bir, që atëherë. Ata të shuar e prishën me kazmë. Hipën sipër e nuk di çfarë kërkonin, që mos gjeçin rehat.

– Po librat të gjithë i morën, mama?

– Mos m’i zë me gojë, ato u bënë sebep që ia hëngrën kokën djalit. Disa i kemi groposur jashtë, nën dhe, se kur i shoh me sy më kujtohet djali i mamasë.

Rrija i ngurtësuar me këtë monolog të mamasë.

“Ah mor Vilson, fale mamanë, po i drejtohesha hijes së tij qortuese po edhe me buzë në gaz. Ajo të donte gjallë edhe pa libra, është nënë, nuk ke ç`i bën; po mua më ke me vete, nuk t`i bëj hasha librat, ato janë shpirti yt dhe te vjershat ti e ke vlerën, vlerë jo vetëm në këtë jetë, por edhe përtej saj)”. Mamaja më pa që isha i heshtur, ndjeu diçka tek ajo heshtje, dhe tha: – Oh, do ulem bir, se nuk qëndroj dot më këmbë. – Ah, të mallkuarit, çfarë na bënë…

– Jo mama, mos u largo, e ndala dhe pak, që ta pyesja:

– Po dritaret, pse nuk i mbyllni? Qenkan shkatërruar e kalbur.

– Bedri, hajde zbresim poshtë se nuk rri dot më këtu. Unë vij shumë rrallë, e hap derën, ulem mbi krevat, qaj sa lodhem, rregulloj ndonjë rrudhë të kuvertës, them “ditën e mirë” ose “natën e mirë”, sipas kohës, e shkoj. Se jam bërë ndryshe që kur më iku djali. Bedri, kam ardhur edhe natën ndonjëherë. Më bëhet sikur më thërret djali. Ngjitem me tepsinë në dorë siç ia sillja atëherë. Futem, lë tepsinë mbi tavolinë se mos vjen më vonë të hajë, siç bënte atëherë, kur vinte natën nga miniera. Zbres poshtë, rri, ndez një cigare… Mbasi trullosem shtrihem, edhe pse nuk kam gjumë. Rri si e vdekur shtrirë, flas me vete, ç’të bëj mor bir?

– Po, këtu, çfarë ke mbuluar mama?

– Ah, është, krevati i çupës, po ç’e do? Është bosh, ja i kam vënë një kukull. Eni, sa fëmijë i bukur ishte, i ngjante shumë.

– Po tani, mbani lidhje me Dianën?

– Jo bir, jo. Ka shumë vite që nuk dimë asgjë për to.

Ndenjëm bashkë disa orë, duke i treguar njëri-tjetrit, unë për vitet e mia në burg dhe ajo për ditën e parë të internimit.

NGJARJA NË BLLOK

– Eh, bir, nuk erdhëm dot asnjëri kur dolët në gjyq, sepse nuk na lajmëruan, por e morëm vesh se u dënuat të tre me vdekje. Më pas, dolën fjalë në fshat se ti ishe dënuar me 25 vjet burg. Ndërsa Vilsoni e Genci me pushkatim. Atëherë bashkë me gjiskën vendosëm të shkonim në Tiranë, të takonim Nexhmien. Menduam se ajo, meqë ishte edhe vetë nënë, do t’i dridhej zemra e do të bënte të njëjtën përpjekje, si ne, si nënë për të shpëtuar bijtë e saj. Ajo do t’i kuptonte lotët e do t’i ndjente rënkimet e një nëne. Ashtu të lodhura e të dërmuara u nisëm për në Tiranë. Arritëm pranë Bllokut. Ushtarët na ndaluan, po ne bëmë si bëmë i kaluam, duke thirrur e ulëritur: “Amani, ju lutemi, ata të Librazhdit po na vrasin djemtë! Ata nuk kanë bërë gjë, vetëm libra lexonin. Aman moj Nexhmije, po të drejtohemi si nënë, po të flet një zemër nëne, ki mëshirë. I thuaj tët shoqi, jo t’i falë, po vetëm të mos i vrasin”. Askush nuk i dëgjoi fjalët, lutjet e përgjërimet tona. As të qarat e të ulërimat. Pas pak erdhën disa oficerë, na kërcënuan e na tërhoqën zvarrë. Ushtarët na goditën me grykat e automatikëve, duke na bërtitur: ‘Qërohuni! Largohuni se do ju vrasim edhe ju plakave. Pse i shqetësoni njerëzit e udhëheqjes? Kush ju solli këtu? Ikni! Qërohuni! Zhdukuni’! Pas pak erdhi një kamion. Na hodhën sipër tij e na sollën në Qukës. Aty na kërcënuan të mos ktheheshim më në Tiranë. Pas disa ditësh morëm vesh se vendimi do të shqyrtohej në Gjykatën e Lartë. Unë, Diana e yt atë shkuam në gjykatë e po prisnim pas derës. Në këtë kohë në korridor u duk një burrë, fytyrëzi. Diana më tha se ai ishte prokurori i Librazhdit. Pasi doli nga salla, na thirrën ne. Kur u futëm brenda, na njoftuan se kishte mbetur në fuqi vendimi i gjykatës së Librazhdit. Na ra tavani mbi kokë, mor bir. Pas kësaj, mamaja jote zuri shtratin.

Më dhimbte koka, sapo dremisja më dilnit në ëndërr ju. Ishit në mesin e një lumi me ujë të turbull, që sillte drunj e kërcunj, kush e di nga i kishin shkulur. Juve qëndronit të tre për dore. Por, dallga iu ndau. Vilsonin e rrëmbeu uji dhe ti më kërkoje ndihmë. Unë bërtisja duke shkulur flokët ndanë lumit, duke parë dallgët që përplaseshin brigjeve. U zgjova nga llahtari, mor bir, e thashë shyqyr Zotit që paskam qenë në ëndërr. Ditë e natë më rrinte mendja tek ju. Në shtëpinë tonë kishte rënë zija. Të gjithë sa ishim vinim vërdallë në shtëpi pa i folur njëri-tjetrit. Tamam si milingonat kur iu prishet foleja. Xhaxhai rrinte në dhomën e miqve, e vetëm pinte duhan. E gjeja të mbytur në lot. pasi më thërriste t’i bëja kafenë, ma bënte me shenjë, që të largohesha. Ai nuk donte që ta shihja duke qarë. Duart i dridheshin e kafeja i derdhej në pantallona. Vetëm zëri i Enit, që qante ditë natë, dëgjohej në shtëpinë tonë, more bir. Të gjithë iknin pa gdhirë në punë. Unë me tetën ngriheshim vonë, jo se flinim po ishim të mpira. Një mëngjes, o bir. Kur u ngrita e dërmuar, se më dhembte gjithë trupi, pashë Nazminë që s’kishte shkuar në punë, në fermë. – Hë mor bir, – i thashë, – pse s’ke shkuar në punë? Pa shih, dielli ka dalë dy hosten, e mos të shajnë ata të shuar. Pas pak, pashë se të gjithë u kthyen në shtëpi, pastaj ja behu policia të shoqëruar nga brigadier e kryetari i këshillit. Shtëpia ishte e rrethuar nga civilë të armatosur.

Erdhi gjithë brigada e punëtorëve të fshatit, burra e gra, e të gjithë thërrisnin: “Shpejt, shpejt, merrni ç’të mundni se do ikni. Po iu presin makinat te rrapi. Ah, more bir, për atë llahtari. I gjithë fshati merrte plaçkat tona ose i tërhiqte zvarrë. Pasqyrat e garderobave u thyen e qypat me pekmez i derdhën. Pulat kakarisnin sikur t’i ndiqte skilja. Hidheshin sa në një cep, në cepin tjetër të oborrit. Ah, ç’më kanë parë sytë, të tërë ishim të tronditur. Ata vinin vërdallë nëpër shtëpi duke bërtitur e ulëritur, që të lëviznim shpejt. Thërrisnin si të çmendur. Pasqyrën që e kishte sjellë gjyshi nga Stambolli e thyen copa-copa, duke i rënë me këmbë… Ndërsa flisnim me mamanë, nuk e pamë babanë e dy vëllezërit që hynë në dhomë. U ngrita dhe u përqafuam të përlotur, pa thënë asnjë fjalë. Qëndronim të gjithë të përqafuar e me lot në sy, aty në dhomën e Vilsonit. Mamasë i ra të fikët përsëri. Në atë shqetësim, për ta sjellë në vete, Selmani, im vëlla, më tha me zë të ulët: “Përse e solle këtu, se, unë, me nazminë fshehurazi ia kishim marrë çelësin! Mamaja kur vjen këtu, ulet te dërrasa e krevatit e qan deri sa i shterojnë lotët. E kemi gjetur sa herë mbi krevat. Ajo vjen këtu e fjaloset me librat e Vilsonit, duke i fshirë nga pluhurat, i shtrëngon në gjoks u merr erë, e di që Vilsoni i ka prekur me dorë e thotë: “Ja, era e duarve të djalit të nënës”. Pastaj vazhdon ndryshe, i bën me faj, “ah more libra të shkretë, ju më hëngrët djalin, mor të flamosur që u bëtë sebep”. Çfarë keni brenda të shkrojtura, që m’ia morët mendjen djalit. Ju ma varrosët! Një qind herë i kisha thënë, mjaft lexove se u qorrove. ku e dinte mamaja e shkretë se paskëshit qenë zeher. O Zot, pse më ndëshkove kaq rëndë”.

Mamaja u përmend. E morëm për krahësh e zbritëm nëpër shkallë, te dhoma me oxhak. Mbasi ndezi një cigare, fshinte lotët me cepin e shamisë. Pasi u qetësua disi, unë i thashë:

– Mama, nuk ma mbarove bisedën.

– Ah mor bir! Sa s’më plasi zemra nga hidhërimi. Kot nuk thonë, se njeriu i duron të gjitha. Na vunë përpara si bagëtitë e na nisën për te xhamia, ku po na prisnin makinat. Sapo u nisëm, bëmë tërë atë rrugë, dhe na ndalën vetëm kur arritëm në Qukës. Qeni na ndiqte nga pas dhe lehte pa pushim. Macja mjaullinte, na ndoqi nga pas deri te xhamia, hipi në makinë e, u hodh përsëri poshtë e, u zhduk. Të gjithë civilët e policët hynë në klub të hanin ndërsa, ne, prisnim në makinë. Ne, gratë qanim. Xhaxhai dhe yt atë rrinin pa folur, me cigare në dorë, që e ndiznin njëra pas tjetrës. Kërkuam pak ujë për vajzën e vogël, që u hap së qari, po polici na u përgjigj gjithë inat: për juve, kemi helm! Mbylle gojën, akoma s’ka plasur! Makinat u nisën përsëri. Kaluam Librazhdin, Mirakën dhe Shkumbinin. Kur arritëm në fshatin Polis-Qendër, familjen e xhaxha Bukuroshit dhe Esherefit e zbritën aty, ndërsa, ne na çuan akoma më sipër, në Polis-Gostimë. Na ndanë si mos më keq. Buzë përroit ishte një godinë e vjetër që kushedi se, kur ishte ndërtuar. Sekretari i byrosë së kooperativës na tha; rrini aty e mos lëvizni. Dënimin na e prenë, 5 vjet internim. Sapo u vendosëm në atë gërmadhë, xhaxhanë e thirrën në zyrën e këshillit, për të na bërë gjoja regjistrimin. Mori pasaportat dhe iku bashkë me Gimin e vogël. Sapo mbërritën atje, i hodhën hekurat. Gimi erdhi në shtëpi duke qarë dhe na tregonte, se xhaxhanë e mori policia, ja lidhi duart mbrapa dhe e futën në një makinë e ikën. Mit’hati, djali i Bukuroshit, ishte te dajallarët në Lushnjë, shkuan dhe e morën që atë ditë, dhe e sollën. Na ndanë veç e veç, dhe nuk na lejonin as të takoheshim me njëri–tjetrin. Ditën që po bëheshim gati të liroheshim sepse kishin kaluar 5 vjet, na komunikuan se ishim dënuar edhe 5 vjet të tjera. Kaloi dhe 5 vjetshi i dytë, e ja ku na liruan. Shyqyr Zotit edhe ti u lirove. Mirë qenke, por qenke thinjur. Po ndonjë llaf për Conen, di gjë more bir? Ca thonë se është gjallë. Ca thonë është këtu. Ca të tjerë thonë se i mbajnë mbyllur për punë e nuk i kanë vrarë. Ti ç’mendim ke, se unë…

– Mama, – e ndërpreva, – e di që nuk do t‘i dëgjosh këto fjalë që po të them, por siç të kam thënë edhe në Spaç kur erdhe të më takoje, duhet të mos i dëgjosh ç’thonë të tjerët. Ata të dy nuk janë më.

– Ah, mor bir, mos më thuaj kështu se më pëlcet zemra. Nëna ka shpresë sa të rrojë…

Dola në kopsht për të biseduar me familjarët, por edhe për të parë ndryshimet dhe ç‘duhej bërë. Pemët nuk ishin më. I kishin prerë. Rrëzë një muri mbajtës ishte krijuar një gropë, gjysma bosh, por edhe me hedhurina, gurë të përzierë me dërrasa të kalbura. Vëllai më tregoi: ja, këtu kishim futur ca libra të Conit. Kur erdhëm nga internimi, i kërkuam por ishin kalbur. Kohë e gjatë e shumë lagështirë. Edhe manin e gjetëm të prerë. (Këtë s‘e kuptova, ai man që bënte hije mbi shtëpinë dhe oborrin dhe kush e di sa kalimtarë kishin ngrënë prej degëve dhe në lëndinën poshtë tij, si mund ta presë ai që banon aty? Sado armik të jetë i pronarit. E shpjegova vetëm me kohën, një kohë që e detyron këdo të shëmtojë gjithçka që e rrethon). Hyra në shtëpi për të vazhduar bisedën me mamanë, këtë herë mbi kohën në internim, pasi dija shumë pak nga ajo periudhë. Ajo m’u përgjigj: Mos më pyet mor bir, si mos më keq. Ishim shumë ngushtë. Xhaxhai jetonte sipër nesh, edhe ata një dhomë kishin. Gjatë asaj kohe kam qenë shumë sëmurë. Aq më dhimbte koka, sa natën dilja në oborr. Përreth shtëpisë shihja gjithmonë hije njerëzish që bënin roje. Ulesha te dera, jashtë, me kokën të lidhur, dhe flisja me vete. Siç e di, në atë kohë fejuam djalin, atje ku na adresove ti. Për t’i blerë ndonjë plaçkë e për t’i bërë dasmë s’kishim para. Por, më e keqja, djali nuk donte të martohej”.

– Ne s’kemi shtëpi, – thoshte, – ju doni të më martoni. Doja të martonim edhe çupën, po Sigurimi nuk më linte se duhej të mbaronim internimin. Një ditë më thirrën në Librazhd. Shkova, ashtu çalë–çalë me çupën, se çunat nuk i lejonin. Në Degë të Brendshme më thanë se ti kishe dërguar ca lekë nga burgu. Ah mor bir, vajta i mora në postë dhe që kur i mora e deri sa shkova në shtëpi, s’pushova së qari. Kur shikoja paratë, më dukej sikur të shihja ty duke u rraskapitur në ato gërxhe e tunele.

Ndërkohë që flisja me mamanë, në dhomë hyri vëllai, i cili me takt më tha të dilnim jashtë për diçka dhe bisedën me mamanë ta vazhdoja më vonë. U ngrita e dolëm…

Dëshmia e rrallë e infermierit të Kampit të Tepelenës: Më Internuan me që 14 vjeç! Të dënuarit jetonin vetëm me 400 gr bukë! Flinin në shkurre, mbuloheshin me dhe…

Hazis Ndreu, i lindur në qytetin e Peshkopisë, është një nga të mbijetuarit e Kampit të internimit të Tepelenës. Ai kaloi 43 vjet në internim, duke nisur në moshën 14-vjeçare me Kuçovën, pas arratisjes së të atit në Jugosllavi e, për të vazhduar me Beratin, Tepelenën e Bënçën, me Myzeqenë, Llakatundin, Lubonjën, Vlorën. Internimi i tij përfundoi më 1990, por ai kaloi vitet më të vështira në kampin e internimit të Tepelenës, për të cilin tregon torturat, persekutimet dhe vuajtjet e të internuarve përmes punës, ndëshkimeve, dënimeve, skamjes, mungesës së ushqimit, rrobave, ilaçeve dhe sëmundjeve si dizenteria, tifoja, tuberkulozi e bronkopneumoni. Për shkak të sëmundjeve dhe vdekjeve të shumta në kamp, komanda e caktoi Hazisin sanitar e, më pas infermier të kampit.

 

Z. Haziz, çfarë ndodhi me ju pas arratisjes së babait?

Dy xhaxhallarët e mi u vranë. Ata u pushkatuan nga partia, kurse nëna, motra dhe unë, u internuam në Kuçovë.

Sa vjeç ishit?

14 vjeç. Bashkë me nënën, na izoluan në qeli, në Peshkopi; pastaj na internuan në Kuçovë. Na strehuan në disa baraka, që i kishin bërë italianët për shfrytëzimin e puseve të naftës. Policët na bënin apel, dy herë në ditë. Ne fëmijët nuk dilnim në punë, të tjerët punonin në bujqësi. Mbillnin grurë e hanim bukë misri. Ja kështu jetonim, vetëm me 400 gramë bukë misri. S’kishim asgjë. Kur na internuan, kemi ikur me rrobat e trupit. Morëm vetëm një velenxë. Po të kishe ndonjë lek, mund të blije ndonjë gjë, sigurisht, me leje të komandës.

Sa kohë qëndruat në Kuçovë?

Kemi qëndruar 3 muaj, pastaj na strehuam në kalanë e Beratit, në dhoma pa dyer e dritare, të braktisura nga lufta. Disa i futën nëpër familje. Në një dhomë, dy-tri familje bashkë. Po të sëmureshe, duhet të merrje një dokument nga Dega e Punëve të Brendshme e të shkoje në spital. Kryefamiljarët ishin të detyruar të paraqiteshin në Degën e Punëve të Brendshme, një herë në javë.

Çdo të shtunë, policia bënte apelin. Në pranverë të vitit 1949, na transferuan në Tepelenë. Më lejoni t’ju tregoj një aksident. Pasi kishim lënë Beratin, një makinë del nga rruga e rrokulliset në rrëpirë. Autokolona ndalon. Zbresim për t’u shkuar në ndihmë. Ç’të shohim? Gra, burra, fëmijë, pleq, ishin shpërndarë nëpër shkurre e ferra, të mbuluar me dhe. Nga ky aksident, vdiq çifti Petrela.

Një nga fëmijët, 1 vjeç, kishte mbetur në shkurre. E mora, e ky është Seit Petrela, që jeton edhe sot e kësaj dite. Kur shkuam në Tepelenë, na strehuan në kazermat e italianëve. Ne ishim aq shumë, sa ato nuk na zunë të gjithëve. Disa flinin jashtë. Dritë elektrike nuk kishte. Një fener qëndronte te dera e kazermës. Këtë fener nuk duhet ta fiknim dhe as ta merrnim me vete. Kontrolli ishte aq i fortë, sa tre herë në ditë bëhej apel. Bukën e merrnim në Tepelenë, bukë misri. Asgjë tjetër.

Dyqane s’kishte. Fëmijët, nga 14 vjeç e lart, i mobilizuan për të punuar në rrugën Veliqot-Memaliaj. Nuk di nga t’ia filloj. E merrnin bukën dhe e zienin. Hidhi ujë e hidhi lakra, ja kështu, e shtonim ushqimin për të ngrënë. Pas 2-3 javësh vjen një autokolonë tjetër. Në Mirditë kishte ndodhur një atentat. Ishte vrarë Bardhok Biba dhe Sigurimi i Shtetit ç’kishte gjetur, i pruri të internuar në Tepelenë. Numri i kampit arriti në 3200 vetë.

Me se jetonit, çfarë bënit?

Vetëm me 400 gr. bukë. Nuk vonoi shumë dhe ra tifo e dizenteri njëherësh. Filloi vdekja në seri. Ambulancë dhe ilaçe nuk kishte. Vend i izoluar, pyll, epidemi. Ishte krijuar një skuadër vetëm për të hapur varre. Ajo shkonte për të hapur 2-3 varre e pastaj lajmëroheshin që të hapnin edhe një tjetër, edhe një tjetër…! Kishte raste, 5-6 varre në ditë.

Sa arriti numri i të vdekurve?

E kujt i shkonte mendja t’i numëronte e t’i regjistronte. Të gjithë ishim pa shpresë. As që bëhej fjalë se do shpëtonim e do jetonim më nga ajo skëterrë. Një ditë vjen doktor Hazika nga qyteti. Sapo sheh situatën, vë duart në kokë e thotë: – “Ç’të bëj unë këtu? Këtu ka rënë kolera”! Shkon në komandë e u thotë: – “I nisni për në Gjirokastër, këtu nuk mund të kurohen. As tifo s’kurohet në kamp, as dizenteria”. Pas alarmit që dha doktor Hazika, disa i çuan në Gjirokastër, por më kot. Disa vdiqën rrugës e, disa në spital.

Po ju tregoj një episod. Një mirditore kishte 2 fëmijë të vegjël binjakë. Po merrej me njërin, që ishte shumë sëmurë. Ndërkohë që merrej me të, sa kthen kokën, sheh që tjetri kishte vdekur. Fillon të qajë me kujë, siç dinë të qajnë mirditoret. Një kujë drithëruese, që të këpuste shpirtin. Pastaj nuk qau më. Kur ç’të shoh! Edhe fëmija tjetër po jepte shpirt. Hesht dhe fillon të shkulë flokët. Njerëzit grumbullohen rreth saj. Përpiqen ta qetësojnë. Ajo nga të qarët, fillon të qeshë…! U çmend!

Ku jetonit?

Në kazerma. Një kazermë merrte 400 deri në 500 vetë, sipas nevojës. Sapo u sistemuam në kazerma, filloi një organizim i ri. Çdo kazermë kishte 3 kompani. Çdo kompani kishte një përgjegjës, e çdo kazermë kishte edhe një përgjegjës tjetër, nga të internuarit. Zgjimi dhe apeli bëhej në orën 5 të mëngjesit. Dimër – verë.

Kush jua bënte apelin?

Apelin e bënte komanda, policë me uniformë, të armatosur. Ne ishim të detyruar të dilnim nga dera se do numëroheshim një për një. Polici thërriste emrin e ne dilnim me radhë. Nëse do vonoheshe, të çonin në qeli. Pasi dilnim jashtë, futeshim prapë brenda. Punëtorët merrnin supën dhe rreshtoheshin para komandës.

Të shoqëruar me policë, ata i ngjiteshin malit të Turhanit për të bërë dru. Një pjesë prisnin dru. Pjesa tjetër i ngarkonte në kurriz. Kush kishte një litar, ishte i fituar. Disa i ngarkonin mbi shpinë me tela. Nga mali i zbrisnin poshtë në një shesh. Çdo njeri duhet të bënte gjysmë metri kub.

Po ju punonit?

Punoja që ç’ke me të, edhe pse isha 14 vjeç! Në darkë ngarkonim dru për t’i çuar në qytet, në degën e Punëve të Brendshme. Bënim një orë rrugë. Ngarkesa kontrollohej nga polici. Ai të caktonte sa do ngarkoje. Gjatë rrugës bënte vaki që dikush rrëzohej. Policët vinin menjëherë dhe e gjuanin me këpucë. Në atë kohë, këpucët e policëve kishin pafka hekuri në majë.

Nëse ndonjë ishte i sëmurë, ata që ishin më të shëndoshë, i shkonin mbrapa dhe ja lehtësonin ngarkesën. Më shumë dënoheshim ne të rinjtë, se ne nuk i mbanim dot drutë. Gjatë kohës së punës, as hanim e as pinim. Zbathur, zhveshur. Në darkë vonë, ktheheshim në kamp.

Po nëna juaj, me se merrej?

Edhe nëna ime, si shumë nëna të tjera, vdiq nga tuberkulozi. Sot, nuk ka as varr.

A nuk kishte mjekë dhe ilaçe?

Mjekë kishte, por nuk kishte ilaçe. Një i sëmurë me tuberkuloz do ushqim dhe higjienë. Ne s’kishim, as njërën e as tjetrën. Nuk kishim as rroba me çka të mbuloheshim. Nuk kishim as rroba për të veshur e as bukë për të ngrënë. Nënën time e çuam në Gjirokastër e aty vdiq.

Po trupin kush e mori?

Po të vdisje në Gjirokastër, trupin e merrte komanda e Gjirokastrës. Kur vdisnin në kamp, i çonim në kazermën nr. 6, që ishte bosh, i vajtonim atë natë e pastaj i varrosnim. Varret e Kampit të Tepelenës janë hapur dhe mbyllur tre herë. Në fillim, varreza ishte afër kampit, pastaj tek ura, e më në fund pranë lumit. Traktorët që hapnin toka të reja, i zhdukën të gjitha varret.

Ne s’kishim të drejtë të kërkonim informacion apo të lëviznim për të parë varret e njerëzve tanë, sepse ishim të rrethuar me tela me gjemba. Meqë kishte shumë të sëmurë e shumë vdekje, komanda caktoi nga një sanitar për çdo kapanon. Një nga këta sanitarë, isha edhe unë. Duke parë, duke studiuar, brenda një kohe shumë të shkurtër, me ndihmën e mjekut të kampit, u bëra infermier. Memorie.al

“I lidhur kokë e këmbë për 35 ditë”- Poeti Vilson Blloshmi sfidoi Hazbiun dhe refuzoi misionin në Belgjikë, dëshmia tronditëse e shokut të qelisë!

NGA BEDRI BLLOSHMI

PJESA E PARË

Burgu i Burrelit. 29 mars 1991. Ora kishte kaluar nëntën. Rregullat e regjimit të brendshëm nuk kërkoheshin më. Disa nga të dënuarit po bënin xhiro në oborr, disa të tjerë, të grumbulluar nga dy e nga tre vetë po pinin kafe. Unë e disa shokë të tjerë ishim shtrirë e po bisedonim. Dera e dhomës u hap. Kryetari i degës dhe prokurori të ndjekur nga disa policë, hynë të gjithë në dhomë duke biseduar e qeshur.

– Jepja ta lexojë vetë dekretin se Blloshmi nuk beson, – iu drejtua kryetari i degës prokurorit.

– Hë more Blloshm, po tani, me dekret, pranon të dalësh nga burgu, se ‘me kusht’ nuk pranove.

– Meqë s’ka kush t’më mbajë këtu, po pranoj të dal nga ky ferr, – iu përgjigja unë.

Ishim tetë veta që po liroheshim. U ndamë me shokët që mbetën aty. Hodha mbi shpinë një çantë me libra e, u drejtova nga dera e cila ishte e hapur. Përmes asaj dere isha futur para gjashtë vitesh, e përmes saj, po dilja në mbarim të një burgimi 15 vjeçar. U largova duke kthyer kokën pas, mendueshëm, sepse kisha lënë shokë që prisnin të liroheshin. Në një farë pike, pallatet dhe pemët e anës rrugës ma zunë pamjen e ndërtesës, dhe kështu u ndava prej këtij ferri, thuajse pa fort dëshirë… Në qendër të qytetit hipa në një makinë që kishte ngarkuar mineral. Shoferi, një mesoburrë, pasi më pa me vërejtje, m’u drejtua:

– Hë, të liruan para kohe apo mbushe dënimin?

– Pse, nga e kuptove që jam i burgosur? ia ktheva.

– Se mos je ti i pari që marr në makinë. Ju jeni të gjithë njësoj, keni të njëjtën pamje. Nga dy gjëra ju njoh; e para, nga koka e qethur, dhe ngjyra e zbehtë e lëkurës; e dyta, nga era që mbajnë rrobat tuaja. Era myk, ti nuk e ndien se je ambientuar me erën e mykut. Qesha dhe nuk fola. Kishte të drejtë. Pasi kishim bërë goxha rrugë, u ndalëm diku dhe më qerasi me kafe. Nxori paketën e cigareve e ma zgjati:

– Ndize!

– Jo, faleminderit, – thashë unë, – nuk e pi.

– Oh, sa mirë.

Mbasi ndezi një për vete, duke nxjerrë tym nga fyejt e hundës, vazhdoi:

– Ky, helm është po ja që se lë dot.

Ndaj të thyer të paditës arritëm në Durrës. Aty më gjeti një makinë tjetër dhe e porositi shoferin të mos më merrte para e të më ndalonte ku t’i thosha unë. Është i burgosur edhe as unë nuk i mora. Ka vuajtur shumë, prandaj ndihmoje si të mundesh për më tutje.

– Po, po, – ia ktheu ai, mos ki merak fare.

Nga biseda që bënë mes tyre e kuptova që ishin shokë të mi në idera, si kushdo që sheh punën e tij, e jo si parazitët e lig, që mbanin në këmbë këtë sistem. Më uroi rrugë të mbarë e fat dhe unë, ia ktheva me një gjest të dorës. Makina mori rrugën drejt Elbasanit. Kur arritëm në qytet, i kërkova shoferit të më çonte deri te stacioni i trenit dhe ai pranoi. Zbrita nga makina, u përshëndetëm me ngrohtësi. Një ndjenjë mirënjohje më kishte pushtuar tek shihja përsëri njerëz dashamirës. Ashtu i kënaqur, por edhe me një trishtim të fshehur për tërë fatkeqësinë kolosale që i kishte rënë për hise kësaj toke, trishtim që s‘ma merr mendja të më hiqet ndonjëherë, u afrova tek një grumbull njerëzish, që po prisnin në këmbë. I pyeta për orën e trenit dhe u largova. Fillova të eci nëpër stacion i vetmuar duke hedhur sytë rreth e rrotull. Çuditesha se si stacioni të ishte shkatërruar kaq shumë, pothuaj tërësisht. Xhamat e dritareve thyer kudo, porta hequr nga vendi dhe flakur në mes të sallës së pritjes. Njerëzit pengoheshin prej saj dhe kalonin përtej, duke sharë nëpër dhëmbë. Llambat mungonin dhe çdo gjë ish e mbuluar nga errësira. Mbrëmja kishte rënë e i vetmi ndriçim ishte ai i llambës së punonjësit të stacionit. Me atë në dorë, ai bënte vajtje ardhje përgjatë shinave. Kishte kaluar orari i mbërritjes së trenit, dhe ai shikonte orën herë pas here. Njerëzit lëviznin nëpër errësirë duke sharë sistemin dështak që i kishte shfrytëzuar gjer në palcë e i kishte lënë fukarenj. Mllefi dhe urrejtja e grumbulluar në vite shfryhej ngado. Mua më bëhej qejfi, por më vinte dhe inat pse kaq me vonesë. Papritmas në horizont u duk një dritë e mekur që sa vinte e zmadhohej. Masa e zezë e lokomotivës u nda nga errësira, lëshoi një fishkëllimë shurdhuese dhe erdhi u ndal aty. Hipëm duke shtyrë njëri tjetrin, ishte e vështirë të orientoheshim nëpër vagonë nga mungesa e dritave. Xhamat ishin, edhe këtu, komplet të thyer, kurse ndenjëset të shqyera; vetëm skeleti i hekurt u kishte ngelur. Pritëm gjatë ashtu të ngjeshur, derisa u dëgjua fërshëllima e bilbilit që u shoqërua me kërcitjen e vagonëve. Më në fund treni u nis. Bashkë me zhurmën rënkuese të rrotave na çirrte veshin dhe ulërima e sirenës. Pak, pasi u nisëm, u duk faturino me fener në dorë të cilin ia afronte në fytyrë çdo personi për të kontrolluar biletat. Të gjithë pasagjerët në këmbë, përveç ndonjërit shtrirë. Isha mbështetur pas një grumbulli hekurash dhe me njërën dorë mbahesha që të mos përplasesha me të tjerët; me dorën tjetër mbaja çantën me libra. I thashë fatorinos stacionin ku do të zbrisja. Ajo m’u kthye e më pyeti:

– Pse more ti, nga vjen që s’e ditke stacionin e Qukësit, apo s’ke hipur asnjëherë në tren?

– Jo, po s‘po orientohem dot nga errësira, iu përgjigja unë. Prandaj ajo, sa herë që ndalonte treni, bërtiste, – hajde Librazhdi, ose – ata të Hotolishtit të zbresin, Xhyra arritëm… e kuptova që stacioni im po afrohej. Ndeva veshin mes zhurmave për të dëgjuar zërin e faturinës kur të thërriste edhe për ne të Qukësit. Nuk mund ta përshkruaj drithërimat dhe gëzimin që më përshkonin. Madje, lot më rridhnin faqeve dhe mundohesha t’i fshija me kurrizin e dorës.

QUKËS, ORA 11 E NATËS

Treni u ndal. Shpejtova të dal pas disa njerëzve që, edhe ata, nguteshin të zbrisnin. Nga tronditja zbrita në krahun e kundërt. Prita në errësirë sa u largua treni dhe iu afrova një drite që fekste në një dritare të shkatërruar. I fola personit të ulur pranë saj që kollitej e pështynte.

– Mirëmbrëma!

– Mirëmbrëma, – ma ktheu ai duke rënkuar.

Kur i kërkova se nga mund të dilja te xhadeja kryesore që të çon në Qukës dhe si të orientohesha pastaj për rrugën e fshatit, ai, po zgjaste fenerin drejt meje, më pyeti gati me arrogancë:

– Pse more, nga je ti që nuk e ditke rrugën për të zbritur në Qukës?

– Ja këtej, – iu përgjigja – nga Bërzeshta.

– Nga Bërzeshta? Po të ishe andej nga thua, nuk do më pyesje për rrugën – ma priti.

– Ëhë… a po shkon mik? Po ku do vesh more? Pse kaq vonë? “Vazhdoka hetuesia te kjo krahina ime”, – thashë me vete, dhe në fakt, kur i thashë se do të shkoja në shtëpi, ai nuk më besoi.

– Mos ki merak – më tha, – shko ku të duash, nuk të raportoj.

E pashë që nuk bindej që isha vendali, prandaj e mbylla duke i thënë “natën e mirë”.

– Natën e mirë, natën, po nuk më the se, ku do të shkoje në Bërzeshtë! Vazhdova rrugën pa i kthyer përgjigje. Ecja në terr duke u mbështetur në një shkop që ia shkula një gardhi rrugës. Me pak mundim e gjeta xhadenë. Tani rruga më dukej shumë e lehtë.

Doja të mbërrija sa më parë në shtëpi, jo vetëm nga malli si e të malluarve normalë, kurbetlinjve, njerëzve të punës, por me një sfidë të egër që i shtohej mallit. Sfidë e atyre që kanë punuar nën kërbaç. Mundimet e mëdha të tërhiqkan më shumë se kënaqësitë, mendova. Ja, pas 15 vjetësh më çonin këmbët atje ku na e kishin nisur gjëmën. Isha 25 vjeç kur ika. Po kthehesha 40, i thinjur por i gjallë, i zgjidhur duar e këmbë! Kisha nja dy punë për të bërë, që nuk prisnin asnjë minutë. Por, me sa kuptoja, do ta kisha erën përsëri kundra. Ata që më liruan, mos të më gënjejë mendja se rrinë duar lidhur. U ula mbi një gur kilometrazhi e po mendoja: sepse s‘më besohej që nuk do t‘i gjeja ata të dy në fshat. Qëndrova gjatë ulur te ai gur, dhe isha mësuar me errësirën. Por edhe me mungesën e tyre, po, po, duhej ta ndaja mendjen. Askush nuk më kaloi pranë. Megjithatë, zhurma e Shkumbinit dhe valët që përplaseshin në brigjet e shkëmbit më sollën përsëri Vilsonin në shpirt, dhe marazin që vetëm atij i takonte poezia kësaj nate dhe i ishte mohuar. Askush tjetër s‘mund ta shijonte si ai, me shpirtin e tij soditës. E kuptoja, si vëlla i tij këtë dëshirë, edhe distancën time prej tij, pra dhe të ardhmen që më takonte, nga e cila nuk shmangesha dot. Një zë i brendshëm më thoshte “ngrehu se atje, n‘atë shtëpi edhe ata të dy po të presin”. U ngrita. Dhëmbët më kërcisnin, balli më kishte djersitur. Hodha çantën mbi supe dhe u nisa me ato mendime, që gati i flisja me vete. Bëra një copë udhë dhe mbas afro një kilometri e pashë veten mes disa godinave njëkatëshe. Njëra prej tyre ndriçohej nga një llambushkë e rrethuar nga pezhishkat e merimangës. Trokita në derë. Ata flisnin me zë të lartë.

Shtyje! – m’u përgjigj një zë gruaje.

Hyra brenda. Dy persona bisedonin, gruaja në banak, një burrë përballë saj, në këmbë te kjo Zyrë e postës, të nxirosur nga harxhimi i kohës. Nga veshja burri ishte copë-copë, plus rrobat i vinin era djersë, i parrojtur dhe i pakrehur prej ditësh, por mbante pushkë. Pinte duhan dhe sa herë e thithte cigaren, tok me tymin, lëshonte një flakë jeshile. Sytë të zgurdulluar prej kollës sa s’po i dilnin nga vendi.

– Mirëmbrëma, – u thashë

Gruaja nga matanë banakut nuk më foli, veç më shikonte. Burri me dyfek mundohej i ngrati të pushonte kollën që s‘e linte të më kthente përshëndetjen. Bile përplaste këmbët në çimenton e zezë sipas ritmit të saj. Pasi pështyu cigaren me forcë në tokë duke pyetur nëse mund të bëja një telefonatë. M’u tek aty për aty, për konsum të tyre, se gjoja do të telefonoja në adresën ku po vija.

– Oh, nuk punon, – ma ktheu ajo – është prishur.

Më pyetën se nga vija dhe se ku do të shkoja. Por, unë, mezi e mbajta të qeshurën dhe u them kot:

– Në Sopot, – duke mbajtur për vete mendimin që s‘po gjej më këmbë asgjë nga fitoret e socializmit.

– Uaa…. është shumë larg, more. Pastaj është natë dhe ti je vetëm. Mban shumë orë. A nuk ke ku të rrish sonte? Se për 3-4 orë gdhin. Udha heq më mirë ditën. Do të hanë ujqërit natën.

– Jo, jo, – ua ktheva, – do të rri tek një mik në Bërzeshtë. Kam një mik aty.

– Epo mirë atëherë, se ku do të mbytesh në këtë errësirë.

– Po te kush more, se unë prej andej jam? – tha ai me pushkë.

– Tek Blloshmët.

– Ore, e di ti që ata janë kulakë dhe kanë qenë në internim?- më pyeti burri.

– Megjithatë, tani është kohë rrëmujash e s’merr vesh njeri se ç’bëhet. Një djalë e kanë në burg, një tjetër të pushkatuar, një tjetër nga shtëpia e tyre ka vdekur në burg. Ai ishte burrë i lartë, xha Hasani. Janë shumë njerëz të mirë po e hëngrën kot. Kështu u ka vajtur atyre, njeri del nga burgu, shtinë tjetrin. Ç‘e pyet! Janë familja më e mirë, por qeveria i shkatërroi. Hajde pra, se kemi një copë udhë për të bërë bashkë. Nisemi. Unë tani sa lashë turnin. Jam roje këtu, marr një rrogë…

/Gazeta Panorama

Historia e panjohur e dy familjeve antikomuniste nga Puka: Çun Kuraj u arratis së bashku me të shoqen dhe vajzën e 7 muajshe, por shpejt u përhap lajmi i kobshëm se duke kaluar Drinin

Më 13 prill 2022 ndërroi jetë biznesmeni dhe veprimtari i njohur i komunitetit shqiptar, Zef Balaj. Ai ishte për disa dekada pjesëmarrës në të gjitha ngjarjet më të rëndësishme të komunitetit tonë. Mbështetës i vendosur i “Lidhjes Qytetare Shqiptaro Amerikane”, i Federatës “Vatra” i Kishës Katolike Shqiptare në New York si dhe i gazetës “Illyria”. Me këtë rast po ribotojmë këtë pjesë kushtuar atij dhe familjes së tij në librin “Shqiptarët e Amerikës”, me autor Vehbi Bajramin, botuesi i gazetës “Illyria”, në New York. Fotografitë në bardhezi janë pjesë e librit dhuruar nga vetë i ndjeri.

Nëse skenaristët tanë kërkojnë tema për të realizuar filma të suksesshëm nga jeta reale e njerëzve, le të dëgjojnë rrëfimet e shqiptarëve që u arratisën nga Shqipëria në kohën e komunizmit. Secili prej tyre mbart në vetvete diçka të veçantë. Ato janë copëza të një mozaiku të thyer jetësor. Vetëm ata që i kanë përjetuar e dinë se çdo të thotë të lësh njerëz e pasuri në vendin tënd e të mësysh rrugën e largët pa e ditur se ç’të pret: shpëtimi apo plumbi.

Skenaristë, regjisorë e gazetarë që dini të shkruani, dëgjoni me vëmendje rrëfimet e mërgimtarëve tanë! Ato janë të denja për t’i bërë filma, për t’i përmbledhur në kornizat e librave e faqeve të gazetave. Mos lini të vdesë këtë histori kaq të dhimbshme të pjesës fatkeqe të popullit tonë të shpërndarë anembanë rruzullit tokësor!

Prindërit e Linës, Çun e Drane Kuraj, u arratisën nga Fierza më 1951. Edhe ata i ndoqi bahti i keq. Jetonin në një zonë të cilën “kaçakët”, siç i thërrisnin ata që nuk i bindeshin regjimit në fuqi, e kishin zgjedhur si vendstrehim e i bënin sfidë pushtetit. Edhe Çuni e të afërmit e tij qenë të inkuadruar në këtë lëvizje të armatosur kundër regjimit. Në fillim të viteve ‘50-të, forcat e rezistencës komuniste kishin filluar të dobësohen.

Aleatët e tyre, të ashtuquajturit “diversantë” që hynin e dilnin në Shqipëri nga shtetet fqinje për të përmbysur regjimin me ndihmën e forcave të jashtme, që nuk u treguan aspak të sinqerta në këtë mision, edhe ata po dështonin në misionin e tyre. Të gjithë po bindeshin përditë se regjimi i Enver Hoxhës nuk ishte aq i lehtë për t’u përmbysur. Banorët e zonave të Veriut të Shqipërisë, shpresat e tyre të thyera, për një jetë të lirë, vazhdonin t’i kërkonin diku tjetër.

Drini ka qenë pengesa kryesore për të gjithë ata që merrnin rrugën e arratisjes përtej kufirit. Ai qe më i vështirë për t’u kaluar edhe se vetë kufiri ku mund të gjeje vdekjen nga plumbat e rojeve kufitare. Nuk e kanë thënë kot të vjetrit: ruaju nga uji e nga zjarri. Mbi atë lumë nuk kishte asnjë urë për të kaluar në bregun tjetër. Sa jetë u mori ai fshatarëve që nuk dinin not? Sa vetave u kalli tmerrin kur i binin ujit me not e nuk ishin të sigurtë, se a do të mbërrinin në bregun tjetër?

Në këtë zonë, shumë kohë më parë, dikush kishte shpikur një metodë për të kaluar lumin. Krijoi një lloj barke me purtekë e me errshiqë prej lëkurës së dhisë, e cila pas therjes së kafshës, me një mjeshtëri të posaçme, shkoqitej nga trupi i saj, pa e prerë në asnjë pjesë dhe e tillë fryhej me ajër. Errshiqa ngjitej me disa purtekë dhe ajo mbante peshën e njerëzve e të plaçkave mbi lumë.

Por manovrimi i kësaj barke kish sekretin e vet. Jo çdokush mund ta drejtonte. Valët e lumit mund të të tërhiqnin në drejtimin që rridhte, sidomos pas shirave kur ato rrëmbenin gjithçka që gjenin përpara. Barka duhej me mjeshtëri për t’u lundruar në drejtim të bregut tjetër me gjoks, duke u dhënë këmbëve me tërë forcat, për ta mposhtur fuqinë e ujit.

Ka pasur njerëz që janë marrë vetëm me kalimin e fshatarëve përtej Drinit. Më i njohur ndër ta ka qenë Çun Kuraj. Ai u bë shpëtimtar i tërë atyre njerëzve që iknin për të kaluar kufirin. Pasi e kishte kryer këtë punë për shumë vjet me radhë duke i kaluar të gjithë pa një therë në këmbë, Çunin fshatarët e thërrisnin “vozar”, që është baras me një kapiten të sotëm të anijes moderne.

Dikur kishte ardhur koha që ai ta bënte këtë punë edhe për vete. Si shumë të tjerë, edhe ai ishte futur në listat e njerëzve që i nxirrnin probleme regjimit komunist në fuqi. Kur mori vesh nga një mik i vet se e priste arrestimi, u bë gati shpejt e shpejt dhe u arratis me të shoqen Dranen dhe vajzën, Linën 7 muajshe. Djalin tre vjeç, Gjeloshin nuk e mori me vete, për t’i bindur pleqtë, prindërit dhe tre të afërm të tjerë, edhe ata të moshuar, se nuk po ikte përgjithmonë, por do të kthehej sërish dhe ja, si peng po u linte djalin e vogël.

Ai si dhe të gjithë ata që u arratisën, mendonin vërtet se Shqipëria do të çlirohej shumë shpejt nga komunizmi dhe ata pastaj do të ktheheshin sërish në vendin e tyre. Askush nuk e mendonte se një regjim i tillë do të mbijetonte për kaq vjet. E Sigurimi i Shtetit, si ai më! Me të marrë vesh se Çuni u arratis, përhapi një thashetheme që e besuan të gjithë: vajza e vogël Lina qenkësh mbytur në lumë!

Dhe kush e kishte bërë këtë vepër? Vetë Çuni, njoftonte Sigurimi Shtetit. “O Zot, si mund të ndodhë një gjë e tillë”? – pëshpërisnin të afërmit e Çunit e banorët e tjerë të rrethit. “Babai të hedhë në lumë vajzën e vet? Kjo s’ka bërë vaki me askënd e s’ka se si të ketë ndodhur edhe me Çunin! Mos e kanë hedhur fëmijën në lumë vetë forcat e Sigurimit”? – pyeti dikush. Sido që të qe, lajmi mori dhenë dhe nuk doli njeri që ta përgënjeshtronte. Prindërit e Çunit, tepër të pikëlluar, ngarendën të parët drejt Drinit.

Tri javë rresht ata kërkuan në thellësitë e lumit e në bregun e tij se mos e gjenin trupin e vajzës së vogël. Të vërtetën e mësuan vonë, atëherë kur tashmë ishin dërmuar shpirtërisht si pas një morti. Çun Kuraj pasi banoi disa vjet në Kosovë, mërgoi në Belgjikë ku jeton tash 50 vjet. Djali i tij Gjeloshi, që mbeti në Shqipëri, bëri më se 16 vjet burg e internim, meqë kishte prindërit të arratisur.

Familjet që ikën nga Shqipëria në Botën e Lirë, lidhën miqësi, martesa e kumari të reja. Dikush u martua në kamp, dikush pasi doli nga ai dhe, u vendos në Amerikë apo në ndonjë vend tjetër të Perëndimit. Si të lidheshin të rinjtë me njëri – tjetrin? Mërgimtarët u shpërndanë nëpër gjithë rruzullin tokësor deri edhe në Australi. Mirëpo, largësia shpesh nuk ka qenë pengesë që të rinjtë të lidheshin me njëri tjetrin, duke u shërbyer dikush si ndërmjetës.

Kur u rrit Lina e Çun Kurajt që jetonte në Belgjikë, lidhi fatin e jetës me Zef Balajn që kishte emigruar në Amerikë. Ajo më tregon disa fotografi nga ceremonia e dasmës në Bruksel. Një grup bashkatdhetarësh e përcjellin çiftin e ri pasi ka lidhur kurorë në komunë dhe ka marrë bekimin e priftit në Kishën “St. Alice”.

Dasma u bë më 6 shtator 1969. Ajo zgjati nga ora 10 para dite, deri në orën 3 e 30 minuta pas dite dhe vazhdoi në Amerikë, po atë ditë në mbrëmje. Çifti i ri mori aeroplanin menjëherë pas ceremonisë. Por, duke qenë se koha evropiane është disa orë para asaj amerikane, ata arritën në Amerikë pikërisht në kohën kur po i prisnin dasmorët. Ky mund të jetë një rast i denjë për t’u shënuar në librin e Ginisit: një dasmë shqiptare ndodhi në të njëjtën ditë, në dy kontinente.

Zef e Lina Balaj kujtojnë e bisedojnë shpesh për të kaluarën. Historia e mërgimit të tyre është gati e njëjtë. Balajt nga Mziu i Pukës dhe Kurajt nga Fierza, lanë vendin për motive të njejta e në të njejtën kohë. Nuk kishin rrugë tjetër. Ose të iknin, ose të përfundonin në burg. Ato nuk qenë larg njëra tjetrës dhe bashkëpunuan për t’i bërë rezistencë regjimit të Enver Hoxhës.

Pas ardhjes në pushtet të komunistëve, filloi mobilizimi, moshë e pa moshë, i “vullnetarëve me zor”, siç i quan Zefi, për t’i shërbyer pushtetit. Vëllai i dytë i tij, Pjetri, kur ishte 16 vjeç, u detyrua të shkonte “vullnetar” për të zëvendësuar vëllain e madh Gjeloshin, i cili duhej të kujdesej për shtëpinë. Pas disa muajsh, pushteti e mori me shërbim edhe vëllain e madh. Të dy ata u veshën ushtarë. Në atë kohë, shtëpinë e tyre në Mzi e mbuloi morti.

Babai i tyre, Gjoni, shtylla e familjes, ndërroi jetë. Shtatë fëmijët mbetën nën kujdesin e nënës. Nuk kaloi shumë kohë dhe shtëpia e tyre u dogj e gjithçka filloi mprapsht: skamja trokiti në derën e balajve. Gjeloshi menjëherë pas lirimit nga ushtria, filloi të rregullonte shtëpinë njëkatëshe, duke ngritur edhe një kat mbi të. Në këtë kohë, ai lidh fatin me Lule Martinën. Gjeloshi e Pjetri vazhduan të mbajnë lidhjet me forcat e rezistencës.

Vëllezërit Balaj duke parë rrezikun se do të arrestoheshin, kishin vendosur të linin vendin në një moment të përshtatshëm. Dhe, siç do të lexoni më poshtë, arratisja u bë e paevitueshme. Pjetrin e kishin kërkuar të paraqitej në Degën e Sigurimit të Shtetit, në Pukë. Ai ishte informuar prej disa miqve të besueshëm se do të arrestohej, sepse ai dhe familja e tij po bashkëpunonin me forcat antikomuniste e, po strehonin ato. Ikja u bë e domosdoshme.

Dhe ata u arratisën në mesnatën e 30 qershorit 1951, kur Balajt po kremtonin Festën e Shën Palit dhe Shën Pjetrit, një festë fetare e fisit Kabashi, të cilit i përkasin ata. Balajt e festonin edhe si festë të veten me miq, bija e dashamirë. Kjo festë si zakonisht kremtohej tri ditë me radhë. Natën e festës, Pjetri shkoi në fshatin Iballe për ta sjellë motrën, Lushën, në festë. Ata u vonuan dhe arritën vonë në fshatin Mzi që shtrihet pranë Drinit, ndërmjet Kukësit dhe Fierzës. Aty u ndaluan nga patrullat e ushtrisë. Të dy palët e njohën njëri tjetrin, meqenëse edhe Pjetri ishte me uniformë të rojeve të pyjeve.

“Pasi ju jeni i besuari i Partisë dhe i veshur me uniformë, – i tha oficeri i ushtrisë Pjetrit, – do të vini me ne ndërsa motra duhet të shkojë në shtëpinë tuaj. Në asnjë mënyrë të mos guxojë e të tregojë se me kë është takuar. Atyre në shtëpisë le t’u thotë se Pjetri është me shërbim dhe nuk mund të vijë sonte. Ne kemi informacione se një shtëpi në Mzi, po strehon forca armiqësore dhe ato, me sa dimë ne, do të vijnë sonte aty”.

Pjetri në atë çast mendoi për shtëpinë e një fqinji, e cila kishte miqësi me familjen e Kol Bibë Mirakajt.

Rreth mesnatës oficeri nis ushtrinë drejt shtëpisë që kërkonin. Kur i afrohen ndërtesës, oficeri i thotë Pjetrit: “Kjo është shtëpia”! Pjetri u gjend në një pozitë të vështirë: ajo ishte shtëpia e tij. Pas pak i thotë oficerit: “Unë kam një kërkesë të vogël. Ju thoni se në këtë shtëpi do të vijnë kaçakët dhe, nëse ata vijnë, do t’i vrasim. Mirëpo, nëse ata nuk vijnë sonte, unë kërkoj me këmbëngulje që nesër në mbrëmje, të shkojmë e të rrethojmë shtëpinë e atij që iu ka drejtuar këtu. Kjo është shtëpia ime”. Oficeri i shpërndau ushtarët nëpër pozicione, e më pas i drejtohet sërish Pjetrit: “Ju duhet të rrini me mua”.

Të dy po rrinin nën një pemë. Disa orë pas mesnatës, Pjetri, për ta thyer heshtjen, i drejtohet oficerit: “Kam një mendim. Derisa po rrimë këtu kot, a mund të shkoj brenda të marr ca raki e mish të pjekur fërliku. Është i shijshëm”. “Shko e mos u vono”, i tha oficeri. Me të hyrë në dhomë Pjetri u kërkoi falje mysafirëve që nuk mund të ishte bashkë me ta, për shkak se e kishin caktuar me shërbim, por u premtoi se ditën tjetër do të rrinte. Në atë moment Pjetri mori një lajm tronditës nga vëllai, Gjeloshi. Ky i fundit ishte marrë vesh me “kaçakët” që ata të vinin atë natë në shtëpi, për të marrë ushqime.

“Shtëpia është e rrethuar me ushtarë”, ia ktheu Pjetri. “Për këtë më ka informuar motra”, – i tha Gjeloshi. Aty për aty vëllezërit ranë dakord që nëse do të shpëtonin gjallë nga ky rrethim, të takoheshin te Bjeshkët e Dardhës. Pjetri kthehet te oficeri me mish e me raki. Ai kishte vendosur që në momentin kur do të dëgjonte krismën e pushkës, të vriste oficerin. Orët kaluan e rakia e mishi u sosën.

Pjetri i propozoi sërish oficerit, të hynte në shtëpi. Oficeri ra dakord. Kur Pjetri hyri brenda për të dytën herë, e gjeti vëllanë Gjeloshin të gëzuar. “Ç’ka ndodhur”, pyeti ai. “Po hamë, pimë e po bëjmë qejf”, – ia ktheu ai dhe iu afrua në vesh Pejtrit: “Ata që duhej të vinin, erdhën. Folëm me ta dhe u larguan prapë, kur u thashë se ishim të rrethuar”.

Pjetri u kthye te oficeri. Vazhduan të hanë e pinë. Nuk vonoi shumë e doli drita. Më në fund oficeri i bashkoi ushtarët dhe u largua. Pjetrin e la të lirë, duke e urdhëruar që të rrinte shtëpi se do t’i duhej prapë. Pjetri e Gjeloshi vendosën që të arratisen natën tjetër. Dhe ashtu bënë. S’kish rrugë tjetër. Organet e pushtetit po rrinin në fshat në pritje për të pritur momentin kur do të kryenin arrestimet e tyre. Memorie.al   Nga Vehbi Bajrami

“Me prejardhje nga fshati shqiptar Zhabanë i Sanxhakut, prandaj serbët… Del në dritë dokumenti i rrallë arkivor i vitit 1935, mbi origjinën e familjes Mbretërore serbe Karagjorgjeviç

Një dokument arkivor i vitit 1935, i ruajtur në Arkivin Shtetëror të Jugosllavisë, ka dalë sërish në dritë dhe përmban një nga dëshmitë më të forta për prejardhjen shqiptare të dinastisë Karagjorgjeviq.

Bëhet fjalë për një letër zyrtare të Andrija Luburiqit, bashkëpunëtor i afërt i Oborrit Mbretëror, drejtuar Knez Pavlit – regjentit të Mbretërisë. Dokumenti është karakter zyrtar, jo opinion, dhe është hartuar me kërkesë të vetë Familjes Mbretërore. Çfarë thotë thuhet në dokument dhe dhe pse ai është tronditës për narrativën serbe?

Në letrën e datës 14 tetor 1935, Luburiqi shkruan:

  1. Karagjorgji është me prejardhje nga fshati shqiptar Zhabranë (Sjenicë, Sanxhak). Luburiqi deklaron se babai i Karagjorgjit, Petri, ka jetuar një kohë në këtë fshat – dhe aty është ngjizur vetë themeluesi i shtetit modern serb. 
  1. Popullsia e fshatit ishte 100% shqiptare.

Citim nga dokumenti:

“U selu su sve sami muhamedanci, poturčeni Kuči i Klimenti.”
“Në fshat janë të gjithë myslimanë, pjesëtarë të fisit Kuç dhe Kelmendas të islamizuar.”

Pra:

  • Jo serbë
  • Jo malazezë
  • Jo vllehë

Por i takojnë fisit Kuç dhe Kelmendas – dy fise shqiptare të Malësisë. Kjo është pohuar me shkrim zyrtar për Knez Pavlin – jo propagandë, jo thashetheme.

Fshatarët shqiptarë si mbrojtës të familjes së Karagjorgjit,

Luburiqi shkruan se banorët shqiptarë të Zhabranit i kanë dhënë mbrojtje, strehim dhe ndihmë babait të Karagjorgjit, gjatë arratisjes në Serbi.

Kjo tregon qartë:

– Familja Karagjorgjeviq nuk kishte rrënjë serbe në këtë periudhë të hershme.

– Shqiptarët e Sanxhakut kanë qenë bazë mbështetjeje dhe kujtese familjare.

Përpjekja për ta “serbizuar” vendlindjen e Petrit

Luburiqi i propozon Knez Pavlit, të ndërtojë një shkollë serbe pikërisht te shtëpia e Petrit: “…da se podigne škola na mestu Petrove kuće…”! Pra, Oborri Mbretëror dëshironte të krijonte kult politik serb mbi një vend shqiptar, duke e shndërruar origjinën shqiptare në simbol mbretëror serb.

Ky është shembull i qartë i kolonizimit kulturor përmes institucioneve.

Pista e dytë – Kulti i Shën Klimentit

Një dokument tjetër i arkivit (ZALI/107) tregon se:

Mbreti Petar nuk guxonte ta ndryshonte “shenjtorin mbrojtës”- në Shën Kliment, sepse ishte “festa e të parëve”. Por Shën Klimenti lidhet historikisht me:

Fisin shqiptar Klimenti (Kelmendi).

Pra, përveç dëshmisë gjeografike, ekziston edhe një dëshmi simbolike dhe fetare që i lidh Karagjorgjeviqët me Kelmendët shqiptarë.

Pse u hesht për këtë dokument?

Arsyeja është krejt e qartë:

  • rrëzon narrativën serbe për origjinën “e pastër” të Karagjorgjit;
  • tregon se babai i themeluesit të shtetit modern serb vinte nga një mjedis shqiptar, jo serb;
  • provon se shqiptarët e Sanxhakut janë autoktonë, jo të ardhur të vonë;
  • godet themelet e miteve nacionaliste serbe.

Për këtë arsye, dokumenti kurrë nuk u publikua në Serbi, edhe pse ndodhej në arkiv që nga viti 1935.

Përfundim: Koha të flasim hapur për historinë

Ky dokument:

  • konfirmon prejardhjen e fisit Kelmendas të Karagjorgjit. 
  • dokumenton praninë shqiptare në Sanxhak në shekullin XVIII.
  • dëshmon manipulimin e historiografisë serbe për motive. politike. 
  • vendos një gur të rëndë në debatin për etnogjenezën në Ballkan.

Tani që dokumentet po dalin në dritë, është koha që studiuesit të mos frikësohen nga e vërteta – sado e pakëndshme të jetë për mitologjitë nacionaliste.Memorie.al

Arkiv i Voal.ch 30.11.2012 – TRASHËGIMIA E HELMUAR E ENVER HOXHËS EDHE SOT RËNDON MBI ELITAT POLITIKE TË SHQIPËRISË Nga OLIVER JENS SCHMITT*

NJËQIND VJET SHQIPËRI

Arkiv i Voal.ch E Premte, 11.30.2012, 09:58am (GMT+1)

TRASHËGIMIA E HELMUAR E ENVER HOXHËS EDHE SOT RËNDON MBI ELITAT POLITIKE TË SHQIPËRISË TË CILAT MË 28 NËNTOR 2012 KREMTOJNË PËR VETVETEN –

Njëqindvjetori i ekzistimit të shtetit shqiptar është rast për kremtime në Shqipëri, në trevat e banuara me shqiptarë në Europën Juglindore dhe në diasporën e madhe shqiptare në Europë dhe përtej oqeanit. Aktualisht po shënohet vetë ekzistenca e shtetit të parë kombëtar shqiptar në histori. Si i tillë, shteti i Shqipërisë ka shënuar epokën në historinë shqiptare dhe atë europiane. Po kremtohet ekzistenca e shtetit, por më pak ngjarjet historike, të cilat kanë karakterizuar shekullin e fundit. Po kremtohet shteti si ideal, si qëllim final i historisë shqiptare, si entitet abstrakt. Një kremtim i tillë është një lloj ftese për të bërë bilanc. Në Shqipëri shumë zëra janë duke u deklaruar mbi këtë temë. Këta zëra theksojnë para së gjithash bilancin pozitiv. Në fakt, në njëqind vitet e fundit u ndërtuan ato institucione të cilat sot e karakterizojnë Shqipërinë: administrata, shkollat, shkenca, policia, ushtria. U themelua industria, komunikacioni në të vërtetë u ndërtua pas vitit 1912, d.m.th. rrugët, hekurudhat dhe mjaft herët edhe transporti i brendshëm ajror. Pjesë e bilancit pozitiv është edhe vetë ekzistenca e shtetit, e cila ishte disa herë e rrezikuar nga brenda dhe nga jashtë: jo të gjithë shqiptarët e përshëndetën pavarësinë, siç tregoi kryengritja e Haxhi Qamilit, e cila çoi në luftë civile, gjatë së cilës u gjendën përballë sunitët e Shqipërisë së Mesme dhe intelektualët e diasporës. Fakti që Shqipëria e mbijetoi si shtet Luftën e Parë Botërore dhe krijimin e rendit të pasluftës, nuk ishte diçka e vetëkuptueshme. Pavarësia ishte e rrezikuar edhe nga aneksimi faktik nga ana e Italisë fashiste dhe për herë të fundit mes viteve 1945 dhe 1948, kur Shqipëria për pak u pranua në Federatën Ballkanike të drejtuar nga Jugosllavia. Nga brenda, shteti ishte i rrezikuar të shkatërrohej në vitin 1997, dhe ky rrezik u arrit të shmangej me vështirësi. Kush përpiqet të bëjë një bilanc, shpejt ndeshet me tema, të cilat janë të dhimbshme për shoqërinë shqiptare ose së paku politikisht tejet të kontestuara.

Historiani Eric Hobsbawn, i cili vdiq së fundi, e ka quajtur shekullin e 20-të një “shekull të ekstremeve”. Për pak vende ky konstatim vlen më shumë se sa për Shqipërinë. Shqiptarët përjetuan një shtet, i cili më brutalisht dhe më ashpër ndërhyri në jetën e tyre se ndonjëherë më parë në histori: diktatura e Enver Hoxhës e ka revolucionarizuar shoqërinë shqiptare në kuptimin e mirëfilltë të fjalës, domethënë e ka shndërruar rrënjësisht dhe e ka tronditur. Ekstremin tjetër e përbën shteti para shkatërrimit në vitin 1997: në pothuaj asnjë shtet europian nuk ndodhi që pas shtetit totalitar dhe çdo kund të pranishëm të zërë vend shkatërrimi pothuaj i plotë i shtetit.

Shteti kombëtar i fetishizuar nga komunistët nuk njihte kufij pushteti në kohën e komunizmit: derisa osmanët para vitit 1912 pothuaj nuk e kishin administruar dhe kontrolluar me të vërtetë Shqipërinë dhe sundimi autoritar i Zogut pothuaj nuk kishte depërtuar në jetën private të njerëzve, por kishte ndërmarrë reforma të kujdesshme (për shembull heqjen e shamisë te femrat dhe kontrollin shtetëror të feve), komunistët me ndihmën e të huajve (me para dhe teknologji) ngritën nga themeli institucione të reja, fabrika dhe rrugë. Por, para së gjithash, ata ndërtuan një sundim terrori me ekzekutime masive, kampe dënimi dhe një lloj ndëshkimi që përfshinte gjithë familjen apo rrethin, dhe, si i tillë, ishte i panjohur në Europë. Ata e izoluan Shqipërinë nga bota e jashtme dhe përmes propagandës së përhershme përpiqeshin t’ua mbushin mendjen njerëzve se janë të rrethuar nga bota e jashtme armiqësore. Shoqëria shqiptare jo vetëm që u militarizua, por u mbajt edhe në gjendje të përhershme alarmi. Izolimi gjithnjë e më i madh shkaktoi varfërimin e popullsisë. Terror, izolim dhe varfëri këtë ua ofroi shteti komunist qytetarëve të tij të nënshtruar. Kjo traumë edhe sot qëndron si hije mbi shoqërinë shqiptare.

Jo vetëm shteti agresiv, por edhe shteti i dobët gjatë tranzicionit u ofroi qytetarëve pak gjëra pozitive: deri më sot nuk është arritur të ndërtohet një aparat funksional administrativ, i cili do të ishte larg ndikimeve politike dhe korrupsionit. Deri më sot elitat politike vetëm pjesërisht kanë përqafuar domosdoshmërinë e kompromisit dhe të vendimmarrjes parlamentare. Shqipëria është një shtet i dobët dhe i korruptuar, i cili i shtyn shumë shqiptarë të emigrojnë dhe shumë shqiptarë të tjerë, të aftë dhe të arsimuar mirë në diasporë, i bën të mos kthehen. Shumica e atyre njerëzve, të cilët nuk kanë dobi politike, e shohin shtetin si kundërshtar, madje si kërcënim. Dallimi mes fetishizimit të shtetit përmes kremtimeve zyrtare dhe distancës ndaj shtetit që kanë shumica e njerëzve në përditshmërinë shoqërore pothuaj nuk përmendet. Shqipëria sot është më afër një shteti autoritar se sa një demokracie funksionale. Për këtë janë përgjegjëse të gjitha forcat politike. Kush dëshiron ta dijë se si është puna me shtetin shqiptar më 28 Nëntor 2012, mund ta mësojë këtë nga dy shembuj: kthimi i kufomës së Mbretit Zog në Shqipëri është një akt historiko-politik sikundër ekspozimi i përkrenares dhe shpatës së Skënderbeut. Në të dyja rastet zhvillohet një kult për prijës të mëdhenj, nën hijen e të cilëve rrezitet udhëheqja e sotme politike.

Shembulli i Zogut tregon se sa minimal është konsensusi historik. Tamam në kohën kur në Prishtinë, Universitetit i vihet emri Hasan Prishtina, Shqipëria zyrtare e nderon vrasësin e tij. As sa i përket Zogut, as sa i përket Enver Hoxhës nuk ekzistojnë hulumtime shkencore, të cilat janë të pavarura nga partitë. Por të dyja partitë e mëdha e ndajnë preferencën për kult heronjsh dhe mediumet marrin pjesë në personalizimin e historisë. Ky kult heronjsh është trashëgimi e kohës së komunizmit, siç është edhe gjithë politika zyrtare ndaj historisë, e cila ende qarkullon brenda kategorive enveriste të mendimit. Kjo shihet në shembullin e dytë, i cili ilustron gjendjen e Shqipërisë në këtë nëntor: klithma e llahtarshme, të cilën e lëshuan ish-të burgosurit e Gullagut shqiptar, siç ishte akti i djegies së vetvetes nga ana e Gjergj Ndrecës dhe Lirak Bejkos. Pothuaj më i tmerrshëm se ky akt ishte reagimi i elitës politike. As përballë kësaj vepre dëshpërimi ata nuk gjetën fjalë solidariteti, madje aktin e Bejkos dhe Ndrecës e interpretuan sipas kategorive të zakonshme partiake. Vënia e flakës vetvetes është një fanar, i cili ndriçon zbehtë kremtimet zyrtare. Shqipëria zyrtare, por edhe shumica e mediumeve janë të paafta apo nuk janë në gjendje të japin përgjigje. Ky qëndrim është përbuzës ndaj njerëzve dhe cinik.

Ky qëndrim e tregon elitën politike shqiptare ashtu siç është me ndonjë përjashtim. Për njëzet vjet është heshtur për diktaturën ose ajo është bulevardizuar, për njëzet vjet faji u është hedhur vetëm disa udhëheqësve partiakë. Përpjekjet e intelektualëve të guximshëm për të trajtuar trashëgiminë e enverizmit, për të hapur debat në shoqërinë shqiptare, ku do të shtrohej edhe pyetja nëse diktaturën e ka mbajtur ose do ta mbante edhe më gjatë në pushtet përkrahja prej shumë njerëzve se sa terrori këto përpjekje për debat kanë dështuar në pjesën më të madhe. Trashëgimia e helmuar e Enver Hoxhës edhe sot rëndon mbi elitat politike të Shqipërisë, të cilat më 28 Nëntor 2012 kremtojnë për vetveten.

Gjithsesi, ka rrugë të tjera për të bërë bilanc njëqind vjet pas shpalljes së pavarësisë. Ai që kërkon heronj, nuk duhet të ndalet te Ismail Qemali apo Zogu. Sepse në këtë shekulli ekstremesh shqiptare ka mjaft njerëz, të cilët shquhen përmes humanizmit të tyre, qëndrimit dhe ndershmërisë në kohëra të vështira, të cilët kanë manifestuar tolerancë dhe pacifizëm dhe kanë ndihmuar në ndërtimin e atyre fijeve të shoqërisë civile, të cilat vërehen në Shqipëri; njerëz për të cilët shteti ligjor, kultura demokratike e parlamentare, respektimi i tjetrit dhe i së mirës së përgjithshme dhe ruajtja e ambientit nuk janë vetëm llafe të kota, por synime të sinqerta, njerëz të cilët edhe në kampe dënimi nuk kanë hequr dorë nga parimet e tyre humaniste. Mbarë Shqipëria i njeh fytyrat e rrudhura të At Zef Pllumit dhe Pjetër Arbnorit por për ta në kremtimet e nëntorit 2012 pothuaj nuk ka vend. Këtu hyjnë edhe njerëzit më pak të njohur, të cilët kanë vuajtur në Gulagun shqiptar dhe sot janë të detyruar të shikojnë se si torturuesit e tyre të deridjeshëm gjykatës, prokurorë, agjentë të shërbimit sekret dhe kasapë kampesh të padënuar dhe jo rrallë edhe të dekoruar vazhdojnë karrierat e tyre. Këtu hyjnë ata njerëz që për shkak të biografisë së “keqe” ekzistencialisht janë dëmtuar nga shteti dhe nga pjesët bartëse të shoqërisë, të cilat u përmendën më lart. Por, këtu hyn edhe ajo larmi shoqërore dhe dinamikë, e cila është zhvilluar në njëzet vitet e fundit në rrethana të vështira, përfshirë edhe ata shqiptarë, të cilët janë integruar mirë në diasporë dhe atje kanë rënë në kontakt me shtete funksionale.

Shqipëria e nëntorit 2012 është më e larmishme se sa që duket në kremtimet zyrtare. Në shekullin e parë të ekzistencës shteti shqiptar ka kërkuar të pamundurën nga banorët e tij; ai gati përherë i ka trajtuar shqiptarët si robër dhe rrallë si qytetarë.

Nëse shikojmë në të ardhmen, atëherë për 28 Nëntorin 2012 mund të formulohet si dëshirë që në shekullin e dytë të shtetësisë shqiptare të arrihet ndërtimi i një shteti të qytetarëve dhe që më 28 Nëntor 2112 të festohet për një shtet, i cili pozitivisht dallon nga rrethanat që e karakterizojnë sot shtetin shqiptar. Ndoshta atëherë nuk do të jetë shteti ai që i thur lavde vetes pa i kushtuar vëmendje shoqërisë, por ndoshta do të jetë shoqëria civile shqiptare, e cila me krenari të bazuar do të kremtojë si popull në mesin e shumë popujve të Europës demokratike.

*Dr. Oliver Jens Schmitt është profesor i Historisë së Europës Juglindore në Universitetin e Vjenës dhe autor i disa veprave mbi historinë e shqiptarëve

Arkivi i Voal.ch KADARE ME HELENËN ZGJEDHIN TË LËNË TIRANËN DHE TË UDHËTOJNË PËR NË PARIS MË 29 NËNTOR – E PAMUNDSHME TË JETË RASTËSI!

Voal.ch kujton Arkiv E Djelë, 11.30.2014

Në faqen e vet zyrtare Shtëpia Botuese Onufri që ka ekskluzivitetin e veprave të Kadaresë boton një fotografi me këtë diçiturë: “Sot, e shtunë 29 nëntor 2014, në kafenenë e aeroportit të Rinasit: zoti Kadare me zonjën Helenë, pas suksesit të librit të ri tashmë do të nisen për në Paris.

Në foto edhe Profesor Matteo Mandala , i cili dje ka marrë titullin “Nderi i Kombit” dhe pret të niset për në Palermo si dhe botuesja e Onufrit, Suzana Hudhri, që ka dalë për t’i përcjellë. Fluturim të mbarë dhe ju presim sa më shpejt në Shqipëri!

Siç thotë vetë Kadare në një poezi të dikurshme:
“ata që shpikën shpejtësinë reaktive,
larg atdheut sigurisht do të kenë qenë ndonjëherë.”

Kadare me Helenën festojnë Ditën e Flamurit në Tiranë dhe vendosin të nisen për në Paris në kulmin e festimeve të 29 nëntorit.
Shkrimtari mund të kishte zgjedhur të udhëtonte më 30 nëntor për shembull.
Por kurrësesi nuk do të zgjidhte të udhëtonte më 28 nëntor, pa e kremtuar në Shqipëri Ditën e Pavarësisë.

Ju e dini si janë ditët e udhëtimit, ku njeriu duket sikur i ikën realitetit, deri sa arrin në destinacion për të krijuar përditësimin.
Janë ditë si të hequra nga kalendari.

Kështu u duk edhe udhëtimi i çiftit Kadare, që zgjedhi të udhëtonte pikërisht më 29 nëntorin.

Sipas stilit të tij të njohur Ai na lëshoi të gjithëve

Rrëfimi i botanistit britanik Herbert Cowley më 1930: “Përmes Shqipërisë së paeksploruar. — Bimë të rralla në një territor të ri.”

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 19 Nëntor 2025

Sevenoaks Chronicle dhe Kentish Advertiser” ka botuar, të premten e 4 korrikut 1930, në faqen n°11, rrëfimin e botanistit britanik Herbert Cowley rreth ekspeditës së tij asokohe në Shqipëri, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar:

Përmes Shqipërisë së paeksploruar

Zbulimet e një botanisti nga Tunbridge Wells

Bimë të rralla në një territor të ri

Pas udhëtimit nëpër malet e djegura nga dielli dhe pas kalimit të lumenjve të fryrë të Shqipërisë, një ekspeditë e vogël e përbërë nga z. H. Cowley nga Tunbridge Wells, Dr. Jenkin nga Hindhead dhe Dr. Guiseppi nga Felixstowe, është kthyer së fundmi në Angli me disa mostra botanike të rralla që pritet të kenë rëndësi të madhe për hortikulturistët.

Z. H. Cowley, i cili banon në 18, Sutherland Road, Tunbridge Wells, është i njohur në qarqet hortikulturore si redaktor i “Gardening Illustrated”. Ai është veçanërisht i vlerësuar në këtë zonë falë ligjëratave të tij tërheqëse të mbajtura në Town Hall.

Një vend me demokraci të plotë, ku princi nuk dallohet nga fshatari dhe ku askush nuk përpiqet të vendosë dallime; një vend ku një popull primitiv, i përballur me vështirësi në kërkim të ushqimit, ofron megjithatë mikpritjen e tij modeste për ata që kalojnë; dhe njëkohësisht një tokë e pasur me mostra për botanistët. Kështu e përshkroi Shqipërinë z. Cowley për një përfaqësues të “Courier”.

Shqipëria është një vend për të cilin njeriu i zakonshëm di shumë pak”, tha ai. Ata hasën nxehtësi të madhe në lugina dhe u përballuan me reshje të mëdha shiu, të cilat bënin që lumenjtë të përmbyteshin dhe të merrnin me vete urat nën rrjedhat e fryra. Për të kaluar lumin Mat, ata duhej t’i bënin kuajt të notonin.

Pa rrugë apo hekurudha, vazhduam udhëtimin tonë përmes territoreve të paeksploruara, duke kërkuar mikpritjen e vendasve kur binte shi dhe duke ngritur kamp kur moti ishte i favorshëm.

Ky vend primitiv, i cili vetëm prej pak kohësh është një shtet i pavarur, tani qeveriset nga Ahmet Zogu, Mbreti i shqiptarëve, administrimi i të cilit zhvillohet në mënyra shumë të thjeshta,” shtoi ai.

Shtëpitë e krerëve janë të mëdha, me mure shumë të trasha, dhe mund të strehojnë një garnizon të vogël. Ne u mikpritëm nga këta krerë, të cilët e përdorin katin përdhes për bagëtitë e tyre. Ata kanë mobilje, dhe gjatë vakteve ulin qilimat nga muri, ulen përdhe dhe hanë bashkë nga një enë e përbashkët. Janë shumë të varfër në enë shtëpiake dhe na qenë mirënjohës për kutitë e zbrazura të konservave që ne hidhnim. Aty nuk ka absolutisht asnjë dallim shoqëror, dhe një princ mund të hyjë lirshëm në shtëpinë e një fshatari.

A u ndeshëm me ndonjë hajdut?” Ai qeshi lehtë. “Jo, patëm fat në këtë drejtim, megjithëse shumë njerëz kanë rënë viktimë e tyre. Natyrisht, ne ishim të përgatitur për një situatë të tillë dhe ishim të shoqëruar nga guida të armatosura. Në fakt, atje të gjithë mbajnë armë.

Megjithatë, shqiptarët, pavarësisht mënyrave të tyre primitive, janë ambiciozë, dhe z. Cowley shpjegoi se aktualisht po përpiqen të formojnë një ushtri, “edhe pse është një ndërmarrje shumë e papërpunuar,” shtoi ai.

Ashtu si shumica e shteteve europiane, Shqipëria nuk është pa telashe të vogla, dhe herë pas here lindin mosmarrëveshje. “Kur po largoheshim nga Tirana të enjten e kaluar”, tha z. Cowley, “një ushtar shqiptar qëlloi një oficer italian, por nuk e di nëse kjo do të shkaktojë komplikime ndërkombëtare.

Si botanist i zjarrtë, z. Cowley e ndërmori ekspeditën në atë cilësi dhe jo si turist i zakonshëm, dhe zbulimet e tij — së bashku me ato të miqve të tij — pritet të kenë rëndësi të madhe për botanistët në mbarë botën. Duke u ngjitur në majat e virgjëra të maleve, të cilat deri tani kishin mbetur të paeksploruara, z. Cowley dhe grupi i tij zbuluan shumë bimë të panjohura që, sipas tij, ua shpërblyen përpjekjet.

Ata zbuluan një specie shumë të rrallë, Wulfenia Baldachii, në një vend krejtësisht të ri, Chaffa Stogut (Qafa e Shtogut). Gjetën gjithashtu një lloj zambaku shumë rezistent, Lilium albanicum, i cili rritej në majat e maleve.

Një tjetër mostër e rrallë që ata mblodhën ishte Ramondia serbica.

Në përgjithësi, shqiptarët janë myslimanë, edhe pse ka edhe disa të krishterë.

Z. Cowley përfundoi duke dhënë një këshillë të vyer për vizitorët e ardhshëm të Shqipërisë: “Ata vuajnë nga mungesa e madhe e ushqimeve dhe, nëse shkoni atje, më dëgjoni: merrni me vete sa më shumë ushqime.” Kjo mungesë, shpjegoi ai, u shkaktua kryesisht nga zhvendosja e kufirit, që i hoqi Shqipërisë një pjesë të madhe të tokës pjellore, dhe shumë nga sulmet në kufi bëhen në kërkim të ushqimit.

Revista belge (1938) / Plisi i bardhë shqiptar në modë falë dasmës mbretërore

 

Vishuni (krihuni) sipas modës shqiptare: asgjë nuk është më elegante! — Burimi : Le Soir Illustré, 24 shtator 1938, faqe n°15
Vishuni (krihuni) sipas modës shqiptare: asgjë nuk është më elegante! — Burimi : Le Soir Illustré, 24 shtator 1938, faqe n°15

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 21 Nëntor 2025

Revista belge “Le Soir Illustré” ka botuar, më 24 shtator 1938, në faqen n°15, një shkrim asokohe rreth plisit të bardhë si fenomen mode falë dasmës mbretërore midis Ahmet Zogut dhe Geraldina Apponyi, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Në modën shqiptare

Burimi : Le Soir Illustré, 24 shtator 1938, faqe n°15
Burimi : Le Soir Illustré, 24 shtator 1938, faqe n°15

Martesa e dashurisë që e vendosi në fronin e Shqipërisë, pranë Mbretit Zog, mbretëreshën e hijshme e të vogël Geraldinë, mori pak pamjen e një përralle. Aq shumë zemra u prekën: Tirana u bë në modë, aq shumë në modë sa që vetë Moda, tekanjoze dhe e gjithpushtetshme, vuri re se ndoshta kishte diçka për të përfituar nga ky popullaritet. As që iu desh shumë të kërkonte: plisat e bardhë që shqiptarët i mbajnë me një hir të jashtëzakonshëm përbëjnë kapelen më elegante nga të gjitha.

Kush do ta kishte menduar se Beethoven-i do të bëhej një ditë manekin? — Burimi : Le Soir Illustré, 24 shtator 1938, faqe n°15
Kush do ta kishte menduar se Beethoven-i do të bëhej një ditë manekin? — Burimi : Le Soir Illustré, 24 shtator 1938, faqe n°15

Nga kjo deri te vendosja e tyre sipas shijes moderne në Paris, Londër, Nju Jork, nuk ka veçse një nga ato fantazitë që Moda i ka zakon. Thuhet se tregtarët shqiptarë janë “përmbytur” nga porositë që vinin nga jashtë. Deri tani, nevojat e vendit, që janë po aq piktoreske sa vetë Shqipëria, mund të plotësoheshin me metodat shumë primitive të prodhuesve shqiptarë. Suksesi i befasoi, por ata iu futën me gëzim punës dhe sot eksportimi i plisave të bardhë është bërë për Tiranën një degë e rëndësishme e tregtisë. Mbretëresha Geraldinë u solli fat nënshtetasve të saj të lumtur.

Metodat për prodhimin e këtij plisi të lehtë prej leshi janë ende shumë primitive. — Burimi : Le Soir Illustré, 24 shtator 1938, faqe n°15
Metodat për prodhimin e këtij plisi të lehtë prej leshi janë ende shumë primitive. — Burimi : Le Soir Illustré, 24 shtator 1938, faqe n°15
Dielli shqiptar kujdeset për tharjen e tyre. — Burimi : Le Soir Illustré, 24 shtator 1938, faqe n°15
Dielli shqiptar kujdeset për tharjen e tyre. — Burimi : Le Soir Illustré, 24 shtator 1938, faqe n°15

Revista belge (1962) “Ndihem plotesisht pergjegjes per barren qe rendon mbi supe…” — Intervista ekskluzive me Mbretin Leka I ne Zvicer

Majtas : Leka, mbreti i shqiptarëve, në shoqërinë e nënës së tij, mbretëreshës-nënë Geraldinë, e lindur konteshë Apponyi, e veja e mbretit Zog I. Djathtas : Shumë i rezervuar, mbreti Leka di gjithashtu të buzëqeshë. Gjatë një pritjeje të fundit, ai u pa të bisedonte me një vajzë të re shumë të hijshme, të cilën nuk na ishte e mundur ta identifikonim. — Burimi : Le Patriote Illustré, 11 shkurt 1962, faqe n°18-19.

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 22 Nëntor 2025

Revista belge “Le Patriote Illustré” ka botuar, me 11 shkurt 1962, në faqet n°18-19, një intervistë asokohe me mbretin Leka I në Zvicër, të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Një intervistë ekskluzive.

Mbret në mërgim, Leka I i Shqipërisë ka jetuar vetëm 48 orë në vendin e tij.

Duke respektuar pikë për pikë vullnetin e Atit tim dhe deklaratat që ai ka bërë gjatë mërgimit, riafirmoj solemnisht se përpjekjet tona do të synojnë vetëm çlirimin e Shqipërisë, dhe se forma kushtetuese e Shtetit do të zgjidhet atëherë kur populli shqiptar të ketë gëzimin e madh të rifitojë lirinë e vet, duke qenë kështu në gjendje të shprehet lirshëm dhe demokratikisht…

Këtë proklamatë, princi trashëgimtar Leka, i bërë Leka I pas vdekjes së Mbretit Zog, atit të tij, e firmosi më 15 maj 1961 në Paris. Me vdekjen e Mbretit Zog mbyllej faqja e fundit e një romani të jashtëzakonshëm aventuresk, në kuptimin më fisnik të fjalës. Një roman i vërtetë kalorsiak…

Leka I është, në fakt, i biri i një presidenti republike që u bë mbret me dëshirën e popullit të tij. Ky fakt në vetvete është mjaft i rrallë dhe i çuditshëm sa të përmendet. Në të vërtetë, Ahmet Bej Zogolli, i cili luajti një rol të rëndësishëm në fatet politike të Turqisë rreth viteve 1920, u zgjodh president i Republikës Shqiptare më 1925. Ai e mbajti këtë detyrë deri më 1928, datë në të cilën u shpall mbret. Dhjetë vjet më vonë, Zogu I martohej me një konteshë hungareze shumë të hijshme, Geraldinë Apponyi, e cila i dha një djalë në vitin 1939, princ Lekën. Dy ditë pas lindjes, më 8 prill 1939, trupat e Musolinit pushtonin Shqipërinë e vogël. I shtypur nga numri, Zogu u detyrua të merrte rrugën e mërgimit. Mbretëresha Geraldinë, e transportuar në një barrelë, arriti me vështirësi kufirin grek. Pas disa vitesh në Egjipt, familja mbretërore u vendos në Francë, në Kanë, dhe, së fundmi, në Paris. I bërë mbret i shqiptarëve në maj 1961, Leka I kishte jetuar vetëm dy ditë në atdheun e vet… Një atdhe të cilit ai i kushton një kult të vërtetë, pa fshehur megjithatë pengesat e mëdha që e ndajnë nga froni i Tiranës.

NJË VEND SEKRET

Prej disa muajsh, Shqipëria zë një vend kryesor në “koncertin” e kombeve. Mosmarrëveshja e saj spektakolare me Moskën, afrimi i saj shumë i ngushtë me Pekinin, kanë bërë bujë. Drejtuar nga komunistë besnikë ndaj stalinizmit, “të ashpër” në kuptimin e plotë të fjalës, vendi është shumë vështirë i qasshëm dhe gazetarët perëndimorë që kanë arritur të kalojnë kufijtë e tij mund të numërohen me gishtat e njërës dorë. Enver Hoxha, njeriu i fortë i regjimit, është aq larg Lekës I sa Çang Kai-Sheku (Tchang Kaï-Chek) është larg Maos. I riu sovran e di këtë shumë mirë; ai që thoshte në proklamatën e majit 1961: “Ndihem plotësisht përgjegjës për barrën që rëndon mbi supe…

Në fund të vitit 1959, patëm rastin të takonim princin në Kanë, në shtëpinë e prindërve të tij. Në atë kohë, Leka vazhdonte studimet e tij në Zvicër, një vend që ai e pëlqen veçanërisht, në Villars-sur-Ollon, për të qenë të saktë. Ne e takuam sërish pak ditë më parë në Lozanë, gjithmonë po aq i qetë, i matur dhe i rezervuar. Ai na priti duke buzëqeshur nga lartësia e tij prej 2,08 metrash dhe na deklaroi se “nga respekti për neutralitetin helvetik, ai nuk do t’u përgjigjej pyetjeve me karakter politik”. Edhe pse ky kufizim e ngushton kuadrin e intervistës, na u duk interesante ta pyesnim mbretin e ri për edukimin e tij, studimet, aktivitetet dhe, natyrisht, dashuritë e tij…

POPULLI DO TË VENDOSË…

— Studimet i kam bërë fillimisht në Aleksandri, në Egjipt, vend ku familja ime jetoi për disa vite nën sundimin e mbretit Faruk. Pas Villars-sur-Ollon, kalova dy vite në Akademinë Ushtarake të Sandhurstit. Që atëherë, interesohem kryesisht për shkencat politike dhe historinë, dhe ndjek kurse në Sorbonë. Por çështjet shqiptare më zënë pothuajse gjithë kohën, dhe çdo ditë e më shumë…

— Po çështjet shqiptare?

— Unë merrem, së bashku me nënën time, me veprat e ndihmës në favor të refugjatëve të panumërt shqiptarë të shpërndarë në mbarë botën. Pa dyshim që nuk e dini se numri i këtyre refugjatëve është pothuajse i barabartë me popullsinë e vendit tim, rreth 1,5 milionë banorë. Çdo ditë, të arratisur të rinj kalojnë kufijtë e Greqisë dhe Jugosllavisë. Së fundi, 400 shqiptarë kanë arritur suksesin e jashtëzakonshëm të kalimit jashtë vendit…

— A jeni i informuar për situatën aktuale në Shqipëri?

— Kam informacione.

— Me vdekjen e babait tuaj, ju u bëtë automatikisht mbret.A e di populli juaj këtë?

Leka I buzëqesh dhe përgjigjet shumë diplomatikisht: “Ngjitja ime në fron u bë në përputhje me kushtetutën mbretërore shqiptare. Por ajo duhet të ratifikohet nga populli shqiptar. Kur situata të më lejojë të kthehem në vendin tim, do të organizohet një plebishit. Populli do të zgjedhë midis Monarkisë dhe Republikës…”

— Kush do ta organizojë këtë plebishit?

— S’ka rëndësi, në të vërtetë! Ai mund të organizohet nga parlamenti shqiptar ose nga Kombet e Bashkuara. E rëndësishme është që çdo qytetar të mund të shprehet lirshëm, pa asnjë lloj detyrimi. Për momentin, gjithçka që mund të bëj në favor të vendit tim, po e bëj…

— Le ta ndryshojmë temën, Madhëri. A jeni i fejuar?

— Jo nuk jam. Thashethemet publike më fejojnë shpesh me këtë apo atë princeshë. Së fundi, disa gazeta kanë folur për “fejesën” time me princeshën Ferial, vajzën e mbretit Faruk të Egjiptit…

— Dhe ç’mund të thoni për këtë?

— Nuk e kam parë më princeshën Ferial që nga mosha gjashtë vjeç!

Për momentin, Leka I, 23 vjeç, nuk duket të mendojë shumë për martesën. Ai e ndan kohën e tij midis studimeve — flet rrjedhshëm gjashtë gjuhë dhe njeh në mënyrë të admirueshme historinë e vendeve ballkanike — dhe veprimtarisë së tij në krye të një Shqipërie në mërgim, duke pritur që evolucioni i situatës së përgjithshme t’i mundësojë t’i afrohet një vendi për të cilin nuk injoron asgjë falë veprimtarive, studimeve dhe lidhjeve të tij, pavarësisht faktit që ka jetuar aty vetëm 48 orë.

G. GYGAX


Send this to a friend