Carlo Gambino, kreu i familjes Gambino. Ai qe ndryshe në atë se vdiq në shtëpi, në krevat, thjesht pushoi së marruri frymë një ditë. Ai u pasua nga dhëndri i tij, Paul Castellano, i cili u ndihmua shumë në këtë drejtim nga John Gotti, i cili mori drejtimin e familjes Gambino.
Kontrasti midis Gambinos dhe Gotti-t qe i madh.
Gambino bënte një ekzistencë të padeshifrueshme, nuk kishte asnjë vilë të madhe, nuk e tërhiqte vëmendjen ndaj vetes duke u sjellë nëpër qytet me femra.
Marifetet e Carlo Gambino-s, u përdorën edhe në rolin e Vito Korleones te filmi i famshëm “Kumbari”.
Në anën tjetër të spektrit ishte John Gotti, i cili filloi ti besonte gjërave që thoshte vetë.
Megjithatë, figura më influente e La Cosa Nostra në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ishte Lucky Luciano.
Biografia
Carlo Gambino, i quajtur dhe Charles Gambino (Palermo 24 gusht 1902 – Massapequa, 15 tetor 1976), ishte një mafioz italian, i lidhur me Cosa Nostran amerikane.
Carlo Gambino në moshën 18-vjeçare, përfshihet në bandën mafioze të Passo di Rigano-s, bandë në të cilën ishin pjesë babai dhe gjyshi i tij. Si adoleshent që ishte Gambino u transferua klandestin në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për t’u bashkuar me dajën e tij Giuseppe Castellano, vëllain e mamasë së tij që jetonte në Bruklin me familjen.
Ishte pikërisht vendi ku Gambino u bashkua me bandën mafioze të kryesuar nga Salvatore D’Aquila, duke u përfshirë në kontrabandën e alkoolit. Pas “Luftës Castellammarese”, Gambino nominohet si kryetar nga kapo i ri Vincent Mangano. Ai prezantoi në Familje, kushëririn e tij Paul Castellano, që punonte në varësi të Gambinos. Në vitin 1932 u martua me kushërirën e Paul-it, Caterina Castellano, me të cilin pati 3 djem dhe një vajzë.
Në vitin 1937 Gambino u arrestua dhe dënua për evazion fiskal. Më pas ai konsiderohej si person i rrezikshëm nga autoritetet sepse kontrollonte një numër të madh aktivitetesh të paligjshme. Ai bëri vetëm 22 muaj burg sepse më pas u dënua me kusht. Në vitin 1951 kontrolli i Familjes i kaloi bosit Albert Anastasia, që zhduku Vincent Mangano-n dhe vrau vëllain e tij Filip.
Kjo ndodhi në kohën kur Gambino lidhi marrëveshje me Vito Genovese-n, zëvendës-kapon e Familjes së Frank Costello-s. Qëllimi i tyre ishte të eliminonin Costello-n dhe Anastasia-n.
Në vitin 1957 Gambino u nominua si zëvendës-kapo nga Anastasia, që eliminoi paraardhësin e tij Frank Scalice-n. Pak kohë pasi Frank Costello u plagos nga një vrasës i Genovese-s dhe vendosi t’i japë atij drejtimin e Familjes. Më në fund Gambino dhe Genovese vendosën për vrasjen e Anastasia-s. Ishin dy veta ata që e vranë atë kur po shkonte te berberi.
Më pas u organizua një takim në Nju Jork, ku merrnin pjesë të gjithë përfaqësuesit e të gjitha Familjeve të Shteteve të Bashkuara për të diskutuar për vënien në drejtim të Familjes së Anastasia-s, Gambinon kurse në drejtim të Familjes së Costello-s, Genovesen. Por mbledhja u zbulua nga policia lokale, që ndaloi shumë pjesëmarrës, përfshi këtu edhe Gambinon, që u la direkt i lirë për mungesë provash.
Pasi mori në dorë kontrollin e Familjes, Gambino zgjodhi Joseph Biondon si zëvendës, dhe përmes tij kontrollonte trafikun e drogës. Në vitin 1962 Tomasi, djali i parë i Carlo Gambino-s, u martua me Frances Lucchese-n, vajzën e Gaetano “Tommy” Lucchese-s, një nga kapot e Familjeve të Nju Jorkut. Kjo lidhje martesore mes dy familjeve mafioze çoi në grabitjen e vjedhjen e shumë vendeve në brendësi të aeroportit Idlewild. Gambino mori disa piceri, restorante dhe biznese për pastrimin e parave të pista dhe për aktivitete të paligjshme duke kontrolloar edhe sindikatat e portit të Bruklinit.
Në vitin 1963, Joseph Bonanno dhe Joseph Magliocco, i konsideronin Gambinon dhe Lucchesen të rrezikshëm sepse ato ishin përkrahës të vëllezërve Gallo, armiq të betuar të Magliocco-s dhe vunë mafiozin Joseph Colombon për ta vrarë.
Përkundrazi Colombo preferoi t’i informonte Gambinon dhe Lucchesen të cilët i çuan Bonannon dhe Maglioccon përpara “Komisionit”. Sipas Komisionit, Bonanno dhe Magliocco duhet të tërhiqeshin nga jeta e tyre private dhe të dorëzonin kontrollin e familjeve të tyre. Si shpërblim Colombo-s do t’i jepej kontrolli i Familjes Profaci.
Në fund, në vitin 1965 Gambino largoi Biondo-n për arsye se nuk ishte i rregullt në punën e tij dhe zgjodhi si zëvendës-kapo Aniello Dellacroce. Në vitin 1967 ai mbështeti Carmine Tramunti-n për të zënë vendin e Gaetano Lucchese-s për kontrollin e familjes së tij. Në vitin 1969 Gambino arrestohet nën akuzën e vjedhjeve dhe grabitjeve.
Vitin e ardhshëm doli një urdhër për dëbimin e tij nga Shtetet e Bashkuara, por që nuk u vu kurrë në jetë sepse mjekët e Gambinos thanë se pacienti i tyre kishte probleme të rënda me shëndetin dhe nuk ishte në gjendje të bënte udhëtimin.
Në vitin 1972 Gambino urdhëroi vrasjen e Thomas Eboli-t, kapo të Familjes Genovese, sepse ai refuzoi t’i kthente një shifër prej 4 milionë dollarësh nga trafiku i drogës. Në vitin 1972 Emanuel Gambino, një nga nipat e tij, u rrëmbye dhe më pas u vra. Gambino urdhëroi eliminimin e gangsterit James McBratney, një nga rrëmbyesit e mundshëm të nipit të tij, dhe në vitin 1974 ai tentoi të helmonte një tjetër rrëmbyes në burg, i cili mundi t’i mbijetonte helmit.
Pas problemeve të tij të shëndetit, Gambino u tërhoq në shtëpinë e tij në Massapequa, në Nju Jork, por vazhdoi ta drejtonte Familjen përmes kunatit dhe kushëririt të tij Paul Castellano. Carlo Gambino vdiq në tokën e tij në Massapequa më 15 tetor të 1976-s, si pasojë e një ataku në zemër në moshën 74 vjeçare ndërkohë që shihte në televizor një ndeshje bejsbolli të skuadrës New York Yankees. Ai u varros në varrezat Saint John, pranë varrit të gruas së tij Katerina, të vdekur nga kanceri në vitin 1971.
Komentet