Hana e zbetë, si fytyra e nji të vdekuni, kundron nga kupa e qiellës. Kundron botën e maleve të kristalizueme nga bora. Kundron kasollat e kristalizueme të katundit, të cilat as frymë nuk marrin.Të gjitha janë mbështjellë në bardhsinë e borës. Vret shpirtin e malsorit siç vret shpirtin e artistit shtatorja e bardhë e nji grue së lakuriqët.
E në kasolle, e cila gjimon nën barrën e borës, derdhen dy ngjyra: kuq e zi. I kuq zjarmi i votrës në mes të kasolless, e i zi rrethi. Të zeza, t’errta janë skutat e kasolles, nga ndigjohet blegrim i mekun i ndoj delja ose kumbona e lopës. Edhe ato i vret bukuria e bardhë. Nga goja u del avulli i afsheve që ngrihet n’ajr, bjen mbi qimet e tyne si brymë dhe kristalizohet. Heshtje. Gjithçkaja e kristalizueme. Nji dorë shtrihet, zen nji dru e shpupurish zjarmin. Rropos nji ”botë gacash”. Flaka lëpin errësinën e shkëndijat kërcejnë nën tra dhe nëpër fëtyra rreth votrës. E trupnat e njerzve dridhen, nëpër korriz u përshkohet të ftoftit, që vjen nga skutat, andej nga errsina. Brrr…uf..andej mbrapa shpinet përpijnë errsina me të ftohtit e saj.
– Po shiko mos ngrinë Lara??
Dhe çohen, i lëshojnë vend rreth zjarmit Larës, lopës së shtëpisë. Të nxehet dhe ky pjestar familje në kasollen e kristalizueme. E Lara din si duhet me u shtrimë rreth zjarmit. Po me trupin e saj të math, gati shtypi dy vocrrakë, të cilët i kish zanë gjumi pranë zjarmit.
E kur, andej nga mesnata, acarimi arrin dhe kulmin e vet, atëhere ndër bagëti fillon nji lëvizje. Po, nji lëvizje. Nji nga nji u aviten njerëyve e me syt e vet si me u lutë:”na lëshoni dhe neve të ngrofemi pak rreth yjarmit, se u ngrimë”. Dhe njerëzit kundrejt njerzve s’kanë mëshirë, po kundrejt shtazëve – po. Prandej çohen, ua lëshojnë bagëtis vendin rreth votrës, e ata vetë shkojnë n’errësinë që i përpin.
…..Dhe agimi zbardhë me bukurinë e bardhë që vret. Çohen njerzit me trupnat e mpime dhe me kujtim në ndërgjegje se u kalua dhe nji natë e vështirë. U çuen, por nuk çohet nji vocrrak. Dora e s’amës shtrihet mbi të dhe m’at çast nji britmë e tmerrshme shpoi zemrat e kasolles. Dhimba e nji nane i shkrinë zemrat në vaj, por ç’e do kur nuk shkrin zemrën e vocrrakut.
Po, ishte ngrimë lokia e nanës. Gjaku i tij i kuq dhe i purpurt ish ngrimë ndër dej dhe në zemër, ish bamë kristal, ish ba rubis, për gjerdhanët e metresave. E trupi i vocrrakut, i lokes së nanës, ishte bamë nji shtatore e ngurët e shgulun nga gjini i nanës.
Merre dhe çoje në qytet kët shtatore. Vendose në nji shesh! dhe si përmendore kushtoja ndokujt. Kushtoja atij që ka ma shumë merita për kët vend! Po, ndoj ministrit o deputeti, o ndokuj tjetër… E në rasë se nuk gjeni ndoj njeri që ka merita të mjaftueshme, atëherë kushtoja atij që ka merita ma pak: perëndisë klasike.