Aktin e zhvirgjërimit tënd,
Që në vitet e pubertetit,
E qeshur, Brixhit, sfiduese dhe,
E çliruar,
Sapo dole në ballkon,
Tek u tregove miqve që po festonin,
Se, ç’kishte ndodhur,
E ktheve menjëherë
Në një devizë të njëmendtë,
Me një pankartë, veçse me një vulë gjaku ;
Tekst konciz telegrafik,
Që thoshte :
”Lëvizja feministe,
Revolucionin seksual të grave
Do të përndezë ! “
Kjo ishe ti,
Parisiania Brixhit Bardo,
Me energji vullkanike të pashtershme,
Pa të cilën,
Asnjë punë në këtë botë,
S’bëhet gjer në fund…
Kjo ishe ti,
Imponuese e paepur,
Çmendurisht e bukur dhe,
Magnetike
Si një planet më vete.
Ndonëse përgjithmonë,Brixhit,
Mbete me atë portretin tënd
Prej një çapkëneje të prapë
Dhe e llastuar ;
Po po,dhe me gojën e flaktë
Paksa të hapur
Dhe, dhëmbët e ndarë të ndritshëm….
E ngjeshe fort në prapavijë
Frontin e zi të moralistëve dogmatikë,
Ndrydhës dhe sundues,
Që kishin dënuar dhe sofrazhetat,
Qoftë dhe për një krim të kurdisur opinioni…
Vetë Simonë dë Bovuar,
Që shkëmbente përvojat erotike
Me Sartrin , bashkëshortin e saj filozof,
Deklaroi publikisht e bindur :
Pas Statujës së Lirisë
Asnjë femër tjetër n‘Amerikë ,
S’ka hedhur dritë
Sa ikona franceze
Brixhit Bardo!
Jo rastësisht, madamë Brixhit,
Filmin Dhe Zoti krijoi Gruan,
E luajte ti.
Eh…
Dhe në Shqipërinë komuniste
Të kyçur dhe të këputur,
Të Viteve Gjashtëdhjetë,
Kur se ç’frynte herë – herë
Një fllad lirie,
Para se të na përpinte
Revolucioni Kulturor Kinez,
Që përthau
“ Një mijë lulet – një mijë shkollat “konfuciane,
Vezulloi ikona jote, Brixhit;
Domethënë , i ndiqnim dhe ne filmat e tu;
Fotografitë e tua bardh e zi
I blinim te peshoret publike
Ndanë trotuareve…
Këngën për ty,
Brixhit Bardo, Bardo,
Të kënduar nga Dario Moreno,
E dëgjonim dhe
Endërronim !
Mjerisht,
Veçse ëndërronim…
E praruara leshraderdhur Bardo,
Si të kishe mbi krye
Krela rrezesh diellore
Që s’shuhen,
Një për një t’i numëruan
Të njëqind ( me gjasë ) dashnorët e tu ;
Një mijë cmirzinjtë e pafytyrë,
Që t’urrenin dhe intrigonin
S’t’i numëruan kurrë…
I ktheve krahët filmit
Në kulmin e suksesit,
Ende pa mbushur dyzet vjeç ;
Krahët ua ktheve madje
Dhe njerëzve,
Brixhit Bardo !
Ç’të lidhi përfundimisht
Me kafshët gjithfarësh ;
Ç’nevojë e shpirtit tënd,
E bukura Brixhit
Të nxiti të krijosh
Kopshtin tënd privat zoologjik ?
Kaq të padurueshëm t’u bënë
Kolegët e tu,
Kaq të shpifur e të urryer ?
Gjete vërtet një parajsë qetësie
N’atë kopshtin tënd që e zgjeroje
Me banorë të rinj,
Siç zgjerohej Barka e Noes
Në prag të lundrimit biblik…
Gjithsesi, buzëqeshem trishtueshëm
Sa herë vështroj fotot dhe videot e tua
Tek përqafon e puth me përgjërim
Qentë, macet, gomarët dhe kë jo,
Që të shohin në sy
Gjithë dashuri të sinqertë si e fëmijëve !
Eh, ai afeksioni yt për ato krijesa të pafajshme,
Sa prekës ish,sa prekës,
Megjithatë ,sërish Bardo
Armiqtë s’t’u shqitën.
Protestat e tua kundër therrjes së kafshëve,
I brofën në këmbë kasapët kundër teje,
Me vdekje të kërcënuan ata
Tek vringëllinin hanxharët
Që feksnin frikshëm…
Brixhit Bardo,
Si i le kafshët e gjora
Jetime!
Në kortezhin tënd mortor,
Më shumë se këdo,
Kafshët e tua do të desha
Të shihja ,
Të lotuara,
Të pikëlluara;
Prania e tyre ,
Më e denja do t’ishte !
Ato, eternalja Bordo
S’të lënduan
S‘të tradhtuan…
28/29 dhejtor 2025